
Opozita serbe ka akuzuar presidentin Aleksandër Vuçiç se është në kontakt me grupe mafioze në vend për të prishur tubimin e studentëve më 15 mars në Beograd. Nënkryetarja e Partisë “Liri dhe Drejtësi”, Marinika Tepiq, ka postuar një audio-incizim, në të cilin pretendon se një ndër njerëzit më të rrezikshëm në Serbi Miljan Hofman po udhëzon ndjekësit e tij për të shkaktuar dhunë në protestën e së premtes.
“Kam takim me shefin nesër. Do flas me të, vëlla... Kapele, maska, gjëra si këto, si ushtria, vëlla. Do jetë vërtet diçka shumë e çmendur, vëlla. Është dita jonë, dita e fitores, mbaje mend. Nëse fitojmë të shtunën, dhe do fitojmë, vëllai jot do bëhet i madh, vëlla. Do marrim ça të duam. Dashtë Zoti!”, thuhet në audiopërgjim.
Studentët kanë paralajmëruar një tubim të madh në Beograd të shtunën. Sipas mediave vendase, pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e protestës së tyre disamujore. Mijëra studentë nga qytete të ndryshme serbe po marshojnë drejt Beogradit në shenjë solidariteti që të takohen të shtunën të gjithë në shesh.
Ndërkohë, qeveria ka paralajmëruar se do të jetë protestë e dhunshme. Kryetarja e Kuvendit Ana Brnabiq tha se 15 marsi do të jetë tentativë për grusht shteti, ndërsa presidenti Aleksandër Vuçiç u kërkoi qytetarëve të mos dalin atë ditë në shesh të protestojnë.



