Universiteti i Queen në Belfast ka rezervuar me qira një avion ‘charter’ për të marrë në shtator disa studentë nga Kina. Ky fluturim është ekskluzivisht për studentët e universitetit të Queen në Irlandën e Veriut.
Çdo student që do të udhëtojë me këtë ‘charter’ do të duhet të paguajë 616 paund, një shumë e kosniderueshme në një kohë kur universitet kanë pësuar një krizë ekonomike për shkak të koronavirusit, shkruan BBC.
"Me udhëtimet ndërkombëtare të ndikuara jo për mirë nga pandemia, dhe me shumë njerëz ende të frikësuar të udhëtojnë drejt Londrës dhe aeroporteve të tjera të mëdha, studentët që fluturojnë nga Kina për në Belfast do të jenë të siguruar. Ata për vete, ndërsa edhe familjarët do të jenë të qetë,"-shkruan universiteti në një deklaratë në faqen e internetit.
48 orë para nisjes kushdo që do të udhëtojë me këtë ‘charter’ do të duhet të ketë bërë një tampon, ndërsa në varësi të asaj që vendos Britania e Madhe mund të bëjnë edhe karantinën 14 ditore.



