
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, foli për media në fund të takimit me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, dhe ambasadorin e BE, Luigi Soreca.
Celibashi tha se në fokus të takimit me ambasadorët kanë qenë përgatitjet e procesit zgjedhor të 25 prillit. Mes të tjerash, kreu i KQZ theksoi se i ka informuar ambasadorët mbi të gjitha masat që ka marrë KQZ në kuadër të këtij procesi.
“Takim shumë të mirë me ambasadoren Kim dhe ambasadorin Soreca në lidhje me përgatitjet e procesit zgjedhor të 25 prillit. I informova mbi gjithë masat që KQZ ka marrë në kuadër të këtij procesi. Theksuam së bashku rëndësinë e këtij procesi zgjedhor, të cilësisë së përgatitjes së këtij procesi nga ana e KQZ, trajtuam të gjitha aspektet përgatitore të këtij procesi për të parë qartësisht cilësinë e këtyre përgatitjeve dhe për të konfirmuar edhe njëherë nga ana ime çfarë KQZ ka bërë në lidhje me këtë proces shkon e gjitha në interes të votuesve shqiptarë dhe të garancisë absolute të integritetit të procesit”, u shpreh Celibashi.
Ndërsa nga ana e tij ambasadori Soreca deklaroi se në fokus të takimit ishin përgatitjet e bëra deri tani mbi procesin e zgjedhjeve të 25 prillit. Ai i ka konsideruar zgjedhjet e 25 prillit shumë të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Bashkimin Europian.
“I bëj thirrje qytetarëve që të votojnë, të përdorin të drejtën dhe përgjegjësinë që kanë për të votuar sepse në këtë mënyrë ta votojnë për të ardhmen e tyre dhe të Shqipërisë në BE. Këto zgjedhje janë qartësisht shumë të rëndësishme për të gjithë Shqiptarët dhe BE po ju ndjek nga afër, po ndjek nga afër gjithçka që po ndodh në Tiranë dhe të gjitha bashkitë e Shqipërisë. Çfarë ndodh në Tiranë dhe Shqipëri do të jetë e rëndësishme për BE sepse jemi duke marrë në konsideratë lancimin e konferencës së parë ndërqeveritare dhe ndaj është shumë e rëndësishme se çfarë do të ndodhë në Shqipëri, veçanërisht të dielën. Theksoj edh enjë herë thirrje për të gjithë për vetëpërmbajtje dhe të shmangin gjuhën e urrejtjes, është e rëndësishme që gjithçka të bëhet siç duhet ditën e diel dhe të ardhme. Shkoni votoni, në veçanti të rinjtë, ti vendos”, tha Soreca.
Ndërsa ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, iu bëri thirrje udhëheqësve të politikës shqiptare, që të sigurojnë një proces të qetë zgjedhor më 25 prill.
Në fjalën e saj, ambasadorja Kim u ndal dhe te ngjarja që tronditi një ditë më parë Elbasanin dhe mbarë vendin, te vrasja e Pjerin Xhuvanit, për shkaqe politike, duke thënë se të gjithë janë të shqetësuar nga ajo që ndodhi.
Më tej, kryediplomatja amerikane theksoi se gjërat e tmerrshme që kanë ndodhur në të shkuarën, duhet të mbeten pas, pasi sipas saj, këto janë zgjedhje për të ardhmen e Shqipërisë.
“Të gjithë jemi të shqetësuar nga lajmi i asaj që ka ndodhur dje, është e rëndësishme që shkelësit të mund të kapen që të gjithë të ndëshkohen pa përjashtim. Nuk ka një trajtim të posaçëm apo të veçantë për askënd, sepse askush nuk është mbi ligjin. Sikurse e kanë theksuar shumë persona, zgjedhjet e 25 prillit kanë lidhje me të ardhmen, jo me të shkuarën.
Kjo është diçka e papranueshme për një vend që është anëtare e NATO dhe aspiron të futet në BE. Është përgjegjësi e udhëheqësve. Ne jemi duke monitoruar të gjitha veprimet e marra nga drejtuesit e vendit. Falënderoj z. Rama dhe z. Basha, që kanë bërë thirrje për qetësi dhe që të mos pranohet dhuna, si dhe që të mund të votohet më 25 prill”, tha ambasadorja Kim.



