
Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijancic, ka folur për Ligjin për përdorimin e gjuhëve të miratuar në Parlamentin e Maqedonisë.
KE pret që Ligji për përdorimin e gjuhëve të dërgohet për shqyrtim deri në Komisionin e Venecias, siç është paralajmëruar në planin 3-6-9. Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijaçiç ka thënë se implementimi i ligjit duhet të jetë në përputhje me standardet Evropiane.
Ndërkohë pas miratimit të ligjit të gjuhëve kanë pasuar reagime të shumta si nga autoritetet vendore po ashtu dhe të jashtme.
“Zbatimi i ligjit duhet të jetë sipas standardeve europiane”, thotë Kocijancic, raporton alsat-M.
Ajo shtoi se, KE pret që Kuvendi të përqendrohet në reforma dhe që Maqedonia të ecë përpara me axhendën drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Ndërsa kryeparlamentari i Kosovës Kadri Veseli në një status ka shkruar se miratimi i Ligjit të Gjuhëve paraqet përmbushjen e një të drejte legjitime dhe thelbësore të shqiptarëve të Maqedonisë.
"Miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve shënon një hap të rëndësishëm në përmbushjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe në arritjen e standardeve të larta të realizimit të të drejtave të njeriut që kërkohen në kuadër të integrimeve Euro-Atlantike", deklaroi kryeparlamentar i Kosovës Kadri Veseli.
Kohë më parë, Qeveria njoftoi se ligji në fjalë do të dorëzohet për vlerësim në Komisionin e Venecias për përputhjen e tij me legjislaturën e vendeve evropiane.



