
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka zhvilluar një takim me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz. Pas takimit presidenti i vendit e ka vlerësuar takimin si mjaft pozitiv.
Duke folur për temat që u diskutuan në takim, kreu i shtetit të Kosovës theksoi se nga Austria e ka marrë përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, liberalizimin e vizave dhe dialogun me Serbinë.
“Diskutuam për mbështetjen që Austria do ti jep Kosovës në INTERPOL, por edhe mbështetjen edhe më të fuqishme për liberalizimin e vizave. Do të ndodhë kjo mbështetje pasi Kosova ka përmbushur 95 kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian. Edhe dialogu që është menduar të fillojë në fund të qershorit apo fillim korrikut do ta ketë mbështetjen nga Austria pasi ky vend e merr kryesimin e BE-së”, ka thënë presidenti Thaçi.
Për dialogun me Serbinë,Thaçi deklaroi se normalizimi do të jetë proces shumë i vështirë dhe për këtë kërkoi përkrahje dhe unitet nga spektri politik në Kosovë. Në reagimin e tij për mediat, Thaçi deklaroi se për dialogun duhet që koordinimi të vazhdojë së bashku me BE-në dhe Amerikën.
Këto komente Presidenti i bëri pas takimit që kishte me kancelarin austriak Sebastian Kurtz, ndërsa për liberalizimin e vizave, ai tha se nuk ka përmendur ndonjë datë të saktë se kur mund të ndodhë kjo, por tha se Kosova ka implementuar të gjitha kriteret e kërkuara dhe se nuk ka asnjë arsye të mos ndodhë rekomandimi pozitiv.



