
Një dyqan në internet që merret me shitjen e gotave të dekoruara me fytyrën e presidentit francez, Emmanuel Macron, si dhe disa byzylyqe me vlerë 250 euro që i bëjnë jehonë sloganit “liri, barazi dhe vëllazëri”, ka shitur sende me vlerë deri në 350 mijë euro për vetëm 3 ditë.
Zyrtarët thonë se, në total, 7.320 sende presidenciale janë blerë që prej hapjes së dyqanit virtual për tregti gjatë së premtes, në të cilin janë shpenzuar mesatarisht 48 euro për blerje.
Shitjet janë shtuar edhe më shumë nga një publicitet që reklamonte hapjen e dyqanit në oborrin kryesor të “Elysee”-së gjatë fundjavës, ku mbi 200 mijë njerëz përfituan nga rasti i kësaj ceremonie teksa vizitonin pallatin presidencial francez.
Katalogu i rreth 60 sendeve në total, që variojnë nga 2 euro për një kartolinë presidenciale, deri në 250 euro për një "byzylyk të lirisë të mbushur me ar", përfshin gjithashtu edhe unaza, stilolapsa, portrete kartolinash të Emmanuel Macron, si dhe flamuj francezë.
Gota që mban portretin zyrtar të presidentit kushton vetëm 25 euro; një bluze e bardhë me portretin e Zonjës së Parë të Francës kushton 55 euro, ndërsa një zhup me mbishkrimin “Français” apo “Française” kushton rreth 115 euro.

Macron është bërë pjesë e një spoti publicitar jo edhe aq delikat, duke mbajtur një prej sendeve më të shtrenjta të dyqanit virtual, një orë “LIP” me kosto 169 euro me rripin tringjyrësh: blu, të bardhë e të kuq.
Elysée, e cila insiston se të paktën gjysma e suvenirëve kushtojnë më pak se 15 euro, thotë se ka plane për të zgjeruar gamën e saj. "Nga viti 2019, produktet do të zhvillohen sipas licencës nga markat franceze dhe do të jenë më të aksesueshme nëpërmjet rrjetit të tyre të dyqaneve, shitësve dhe eksporteve të tyre të huaja", thuhet në një deklaratë.
“Elysee”-ja përfiton vetëm 12 për qind të shitjeve të sendeve 100 për qind “prodhim francez” dhe shpreson që t’i shfrytëzojë këto fonde për restaurimin e pallatit presidencial 300-vjeçar.
Shitjet e suvenireve mund të shpëtojnë pallatin, por do të bëjnë pak për të shmangur pretendimet që presidenti po nxit një kult personaliteti më të përshtatshëm për një monark, sesa kreu i një republike, veçanërisht përdorimi i një shprehjeje të zymtë të shprehur nga presidenti gjatë fushatës së tij në bluza.
Mediat franceze këmbëngulën se dyqani në internet ishte gjithçka në shijen më të mirë të mundshme dhe sugjeroi se nuk kishte vend për "la camelote".



