
Presidenti Ilir Meta u pyet gjatë konferencës së mbajtur sot për mediat nga gazetarja e MCN TV Raziela Myslimaj, lidhur me regjistrimin nga SPAK të kallëzimit penal të ish-deputetit Valteri, sa i takon pretendimeve për lobime me para të korrupsionit.
Ilir Meta i konsideroi këto lajme absurde, që nuk e shpërqëndrojnë nga detyra që ka deri në 24 korrik. Kreu i shtetit theksoi se sistemi do të shkundet nga themeli duke nisur nga 25 korriku. Kujtojmë që kallëzimi në SPAK nga Valteri erdhi pas publikimit të një shkrimi në mediat austriake, ku u pretendua se kreu i shtetit ka paguar afro 700 mijë dollarë për lobim në SHBA.
Pyetje-përgjigje
Pyetje: SPAK ka regjistruar kallëzimin penal të ish-deputetit Halit Valteri, sa i përket lobimit të pretenduar për ju me paratë e korrupsionit. Një lajm i bërë publik edhe nga gazeta austriake. Keni një përgjigje për akuzat?
Meta: Tani këto lajme absurde si vet personazhet që i njihni të gjithë nuk krijojnë asnjë shpërqëndrim jo vetëm nga detyrat e rëndësishme që ka presidenti deri në 24 korrik, por edhe nga angazhimet e z.Ilir Meta duke nisur nga 25 korriku. Gazeta austriake do ta marrë përgjigjen. Do të jenë të ftuar në seancat që do të zhvillohen atje. Ata që janë në kërkim të letrave për azil për t’i shpëtuar drejtësisë këtu, edhe të tjerë që vazhdojnë biznesin e inceneratorëve, le të vazhdojnë të bëjnë më të mirën e tyre. Ky sistem do shkundet nga themeli duke nisur nga 25 korriku.



