Presidenti Donald Trump u tha amerikanëve të bëhen gati për një numër të madh vdekjesh nga koronavirusi në ditët në vijim, pasi vendi po përballet me atë që ai e quajti “dy javët më të vështira të pandemisë”.
"Do të ketë shumë vdekje", tha Trump në një konferencë me gazetarët.
Ai hodhi poshtë kritikat se qeveria federale nuk ka bërë sa duhet për të siguruar ventilatorë, që janë të domosdoshëm për shumë pacientë në gjendje kritike, duke thënë se disa guvernatorë po kërkojnë më shumë pajisje të tilla sesa iu duhen.
"Frika nga mungesa ka çuar në kërkesa të fryra", tha Trump.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh në botë të rasteve të njohura të COVID-19, sëmundja e frymëmarrjes që ngjan me gripin. Më shumë se 306 000 njerëz janë testuar pozitivë në Shtetet e Bashkuara dhe mbi 8 300 kanë vdekur, sipas Reuters.
Ekspertët mjekësorë të Shtëpisë së Bardhë kanë parashikuar që midis 100 000 deri 240 000 amerikanë mund të humbin jetën në pandemi, edhe nëse ndiqen urdhrat për qëndrimin në shtëpi.
"Ne po shkojmë drejt një momenti që do të jetë shumë i tmerrshëm", tha Trump në Shtëpinë e Bardhë. "Ne ndoshta nuk kemi parë kurrë si këto shifra. Ndoshta gjatë luftës, gjatë Luftës së Parë Botërore ose të Dytës deri diku”.



