Lufta e Rusisë në Ukrainë ka çuar në një krizë energjetike evropiane, me çmimin e gazit natyror që po rritet në nivele të reja këtë vit. Në përpjekje për të zbutur varësinë nga gazi rus, Bashkimi Evropian ka vendosur objektiva minimale të ruajtjes.
Aktualisht, kapaciteti i depozitimit të gazit është plot 89.6 për qind, mbi objektivin prej 80 për qind të vendosur nga BE për 1 tetorin. "Magazinimi ka për qëllim të merret me variacionet sezonale të konsumit, jo të sigurojë një rezervë strategjike në rast embargoje ose bllokadë," tha John Kemp, një analist tregu në Reuters.
“Në rast të një ndërprerjeje të plotë të importeve nga Rusia, pritet një dimër më i ftohtë se normalisht, dhe gazi pritet të pakësohet deri në fund të marsit 2023”.
Vendet e BE-së kanë rënë dakord të vendosin taksa emergjente mbi fitimet e firmave të energjisë dhe po diskutojnë mundësinë e një kufiri të çmimit të gazit në mbarë bllokun.
Gjithashtu është rënë dakord për një ulje të detyrueshme prej 5 përqind në përdorimin e energjisë elektrike gjatë periudhave të pikut të çmimeve.
Konsumi global i gazit pritet të bjerë me 0.8 për qind në vitin 2022, rezultat i një reduktimi prej 10 për qind të kërkesës në Evropë, sipas një raporti të publikuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) këtë javë.
Në dritën e arritjes së objektivit të BE-së për ruajtjen e gazit deri më 1 tetor, frika e mungesës së furnizimit me gaz për dimër është ulur dhe çmimi ka rënë kohët e fundit.
Por Kemp duke folur për “Reuters” paralajmëroi: "Akumulimi i inventarit e ka vënë Evropën në një pozitë më të fortë se në këtë kohë të vitit të kaluar, por furnizimet rajonale janë ende në rrezik, gjë që do të kërkojë veprime të mëtejshme nga tregu dhe politikëbërësit."



