Kronos/ Pastrimi i parave të pista dominon në ndërtim/ Ekspertët: Lufta e pamundur nëse ka korrupsion të lartë!

Kronos/ Pastrimi i parave të pista dominon në ndërtim/ Ekspertët: Lufta e pamundur nëse ka korrupsion të lartë!

Në vitin 2018 një raport i Moneyval, njësisë së monitorimit të pastrimit të parave pranë Këshillit të Europës, kërkon që Shqipëria të shtojë përpjekjet në luftën kundër pastrimit të parave të pista dhe konfiskimit të asteve me burime kriminale. Raporti nënvizonte si shqetësues pastrimin e parave jo vetëm nga trafiku i lëndëve narkotike por dhe korrupsioni. “Korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri. I lidhur shpesh me aktivitetet e krimit të organizuar, ai gjeneron sasi të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe dëmton seriozisht funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale. Autoritetet janë të vetëdijshme për rreziqet nga korrupsioni, por zbatimi i ligjit deri më tani ka pasur një vëmendje të kufizuar për të shënjestruar korrupsionin e lidhur me pastrimin e parave.” shprehej Moneyval në vitin 2018. Dy vjet më pas Shqipëria hyn në listën gri të shteteve me monitorim të shtuar në aktivitetet e pastrimit të parave të pista. Në vitin 2015-ë vendi kishte dalë nga lista, por autoritetet ndërkombëtare vlerësonin regres në këtë fushë. “Juridiksionet nën monitorim të shtuar po punojnë në mënyrë aktive me Task Forcën Ndërkombëtare Kundër Pastrimit të Parave për të adresuar mangësitë strategjike në regjimet e tyre në luftën e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.” thuhej në raportin e Moneyval. Deri në vitin 2018 pjesë e kësaj liste ishte Serbia, e cila doli në vitin 2019 dhe aktualisht mbetet përkrah Shqipërisë Malta, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. “Do të thotë që ti je një vend që ka të dhëna që nuk ke kushte të përshtatshme për të kapur paratë që tentohen të pastrohen. Një vend që është e lehtë të pastrosh para. Kompanitë serioze duhet të kenë kujdes sepse mund të përfshihen padashje në aktivitete ekonomike që përdoren për këtë qëllim dhe klima e biznesit është më e vështirë. Është flamur që thotë kujdes me këtë vend!” thotë analisti Neritan Sejamini. Pavarësisht se në disa pika ishte shënuar progres, siç ishte aspekti ligjor, pastrimi i parave konsiderohet problem për Shqipërinë. Moneyval e le sërish vendin tonë në listën gri. “Në tregun e pasurive të patundshme, duke patur parasysh raportin e publilkuar nga Moneyval në 2023 sektori i ndërmjetësimit të pasurive të patundshme vlerësohet me nota pozitive si jo vunerabël dhe i papërfshirë në pastrim parash. Evazioni dhe pastrimi janë koncepte të ndryshme, sepse një pjesë e ekonomisë dihet që është gri.” thotë Renaldo Pipiria nga Shoqata e Pasurive të Patundshme. Nga 40 kritere që përdor Moneyval për të vlerësuar pastrimin e parave, Shqipëria rezultoi me 6 kritere të përmbushura, për 31 të tjera përgjithësisht në përputhje, në 2 pjesërisht dhe 1 kriter nuk ëhstë vlerësuar. Vlerësimi pozitiv ishte për dy çështje: krijimi i regjistrit të pronarëve përfitues që detyron kompanitë offshore të deklarojnë aksionerët dhe përmirësimi i mbikëqyrjes së bizneseve dhe profesioneve që duhet të raportojnë raste të dyshimta. Megjithatë, ekspertët thonë se nisma si projekt/ligji për legalizimin e kanabisit mjekësor apo amnistia fiskale janë elementë që nuk përmenden në raport, por që kanë ndikuar në mbetjen e Shqipërisë në listën gri. “Nëse krimi shpërblehet, vetëm do të rritet. Amnistia sido që të jetë e justifikuar në thelb është shpërblim i aktivitetit kriminal dhe çdo lloj shpërblimi e nxit atë aktivitet.” thotë Sejamini. “Fatura më e madhe që ka lënë Moneyval është draft-ligji i amnistisë fiskale e cila në vetvete vë në dyshim të gjitha masat në proces dhe që pritet të ndërmerren.” thotë eksperti i Qendrës Altax Eduart Gjokutaj. Sot në Shqipëri po pastrohen në masë para në sektorin e ndërtimit, degë e cila dominon larjen e parave nga krimi dhe në analizat që bëjnë autoritet e kësaj fushe. “Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave të Pista ka kryer analiza të riskut për pastrim të produkteve të veprës penale, në fushën e pasurive të paluajtshme në Shqipëri dhe gjetjet janë ndarë me organet kompetente. Këto analiza kanë treguar se pastrimi i parave nëpërmjet pasurive të patundshme mbetet një metodë dominuese në Shqipëri krahasuar me format e tjerë për pastrimin e produkteve të veprave penale.” thuhet në raportin e Vlerësimit Kombëtar të Riskut të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave të Pista. Në raportin e vlerësimit të riskut në fushën e pastrimit të parave të pista të përfunduar në vitin 2019, Njësia e Inteligjencës Financiare shqiptare vlerëson se origjina e të ardhurave kriminale buron nga veprat e kultivimit dhe prodhimit të lëndëve narkotike, evazioni fiskal, korrupsioni dhe trafiqet e paligjshme. “Duhet që të mbyllen shtigjet nga kalojnë paratë dhe të ketë masa nga banka qëndrore, qeveria, agjencitë por dhe ekspertët, profesionet e lira dhe media. Duhet të ketë sensibilizim sepse nuk mjafton vetëm një front që ka vetëm qeveria, por të jetë gjithëpërfshirës. Sepse qeveria nuk mund të luftojë dot vetveten nëse ka korrupsion të lartë dhe opozita duhet të marr një rol në këtë kauzë dhe ta kthejë në “ministri” të saj. Qeveria ka strategji por nuk ka zbatueshmëri në terren.” thotë Gjokutaj. “Nëse një aktivitet kriminal i pastron paratë qetësisht, atëherë ky aktivitet vetëm fuqizohet sepse një pjesë riinvestohet në ekonomi.” shprehet Neritan Sejamini. Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave evidenton se faktorët që rritin rrezikun dhe dobësojnë sistemin janë dominimi në masë për disa vite i veprës penale të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, prania e grupeve kriminale me lidhje kombëtare dhe ndërkombëtare dhe prezenca e lartë e korrupsionit e cila lehtëson veprimtarinë e pastrimit të parave të krimit. “Pozicioni gjeostrategjik i Shqipërisë i vendosur në udhëkryqet midis lindjes dhe perëndimit, krijon kushte që vendi të synohet si një pikë tranziti për trafiqet dhe aktivitetet e paligjshme. Ekonomia informale, kontrollet jo në nivelin e duhur në kufi, përdorimi i gjerë i parasë fizike dhe dënimet e pakta në këtë fushë kanë stimuluar veprimtarinë e pastrimit të parave të pista.” thuhet në raportin e Vlerësimit Kombëtar të Riskut të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave të Pista. “Paratë që pastrohen shpesh herë shkojnë për të korruptuar punonjësit shtetërorë deri te drejtësia dhe politika.” thotë Sejamini. “Po shohim që po lulëzojnë fajdet dhe këto para nuk ka mundësi të tjetër se nga të hyjnë, përsa kohë që nuk po jepen nga institucionet financiare. Organizimi i tyre i cili lidhet natyrshëm me rënien e kursit të këmbimit të valutave ka të bëjë me qasjen se krimi është më i strukturuar sesa shteti. Administrata tatimore duhet të marrë masa sepse është përgjegjësja në terren për pastrimin e parave dhe duhet të kishte rol kryesor.” thotë eksperti i Qendrës Altax Eduart Gjokutaj. “Duhet të jesh në kontroll dhe vigjilencë të çdo qelize, këtë duhet të bëjnë tatimet. Ne kemi një treg që ka konkurrencë të padrejtë nga informaliteti dhe ka mbetur e njëjta bazë, 120 mijë tatimpagues nga viti 2013 dhe po aq kemi dhe sot, po jetojmë në një ëndërr dhe gënjeshtër të madhe.” shton ai. Raporti i vlerësimit kombëtar të riskut evidenton se edhe pse ka sinjalizime në fushën e pastrimit të parave të pista, hetimi dhe dërgimi në gjykatë është në nivel të ulët. “Mundësia e detektimit të rasteve të dyshimta për pastrim parash në nivel inteligjence është në nivel të kënaqshëm, por paraqet problem hetimi dhe kjo ndikon në dërgimin e shumë pak rasteve në gjykatë.” thuhet në raportin e Vlerësimit Kombëtar të Riskut të DPPP.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy