Kryeministri Edi Rama ka folur sonte për qeverinë e re dhe objektivat e saj në 4-vjeçarin e ardhshëm që nis pas disa ditësh.
Në një intervistë në emisionin “Përballë” në TVSH me gazetarin Lutfi Dervishi, Rama përmendi rritjen ekonomike, një politikë të re në fshat dhe vijimin e reformave në arsim e shëndetësi.
“Është një objektiv madhor transformimi i marrëdhënies së shtetit me qytetarët në funksion të qytetarëve duke pasur parasysh domosdoshmërinë për të lehtësuar barrën e burokracisë dhe përmes ristrukturimit të mekanizmit të shtetit nga ai i marrëdhënieve me qytetarët. Objektivat shkojnë më tej. Duke iu referuar objektivit të rritjes ekonomike që ne synojmë të prekë dhe kapërcejë 5% në fund të 2019-ës duke vazhduar me shtrirjen e mëtejshme të një politike të re në fshat kur kemi pasur shenja inkurajuese të rritjes së eksporteve por ku ka potencial shumë të madh. Sigurisht dhe duke thelluar më tej reformat në shëndetësi dhe arsim që janë jetike”, deklaroi kryeministri.
Në lidhje me retorikën e kryeministrit për ndryshime dhe kritikat mbi administratën, Rama tha se është një komunikim i hapur dhe i drejtpërdrejt.
“Është qasje realiste dhe është po ashtu një komunikim i hapur i drejtpërdrejt, i sinqertë me njerëzit se cila është situata dhe se cilat besoj janë sfidat dhe fushat e betejës në reforma që duhet të shtrihen brenda zyrave të shtetit”, tha ai.
PJESË NGA INTERVISTA
Do ta nis emisionin Përballë me disa fjalë që nuk janë të miat: “Ne jetojmë në një shtet torturues procedurash. Të marrësh një shërbim në Shqipëri, është njësoj si të kalosh në nivele të ndryshme persekutimi… Inspektoriate pa fund, …sepse ne i quajmë inspekoriate. Janë banda.
Nëse flasim për shëndetësi, “po të bëjmë një krahasim të nivelit të higjienës dhe të nivelit të gatishmërisë së personelit nuk jemi 27 vjet përpara, por jemi 270 vjet mbrapa”.
Ndokush prej jush mund të mendojë se kjo është një retorikë politike e liderit të opozitës. Jo. Janë fjalët e kryeministrit të vendit, që më 25 qershor ka fituar i vetëm një mandat të dytë qeverisës. Për herë të parë në këto 25 vjet kryeministri ka vendosur të qeverisë pa aleatë.
Sonte në Përballë, është kryeministri që kërkoi nga votuesit më 25 qershor të kishte timonin vetëm. Nëse do të përdornim një metaforë, intervista është me timonierin. Që duket se kërkon diçka më shumë se timonin,…të kontrollojë edhe frenat.
Sonte do të flasim për objektivat e mandatit të dytë qeverisës, për ata objektiva që duke huazuar fjalët e kryeministrit “do të kërkojë pikën e fundit të djersës”.
Zoti Kryeministër, duke ju ndjekur gjatë fushatës elektorale, por edhe gjatë muajve të verës, nëse do të përdornim cinizmin, nga retorika juaj duket se nuk keni qenë asnjë ditë në qeveri. është zgjedhje e qëllimshme?
– Kjo është thjesht një qasje realiste ndaj situatës së sektorëve dhe në tërësi ndaj qeverisjes dhe është po ashtu një komunikim I hapur, I drejtpërdrjtë, I sinqertë me njerëzit, cila është situate dhe cilat besoj se janë sfidat dhe fushat e betejës në një front të gjerë reformash që duhet të shtrihen tanimë nbrenda trupit të qeverisjes, brenda zyrave të shtetit.
Cilat janë objektivat tuaja qeverisës për këtë mandat?
– Duke ju referuar atyre që ju zgjodhët të citoni në çeljen e emisionit mund të them se është një objektiv madhor transformim madhor I marrëdhënies së shtetit me qytetarët, në funksion të qytetarëve, duke patur parasysh domosdoshmërinë për të lehtësuar maksimalisht barrën e burokracisë për qytetarët dhe nga ana tjetër përmes ristrukurimit rrënjësor të mekanizmit të shtetit duke filluar nga mekanizmi I shërbimeve për qytetarët, pastaj natyrisht që objektivat shkojnë edhe përtej. Duke ju referuar për shembull objektivit shumë të rëndësishëm të rritjes ekonomike që ne synojmë të prekë dhe të kapërcejë 5% në fund të vitit 2019, duke vazhduar me shtrirjen e mëtejshme të një politike të re në fshat, ku kemi patur shenja inkurajuese të rritjes së eksporteve, po ku ka një potencial shumë të madh dhe pa diskutim duke thelluar më tej, reformat në arsim dhe në shëndetësi si dy fusha të një rëndësie jetike për të sotmen dhe për të ardhmen e vendit.
Shpjegimi juaj në mbledhjen Asamblesë ishte “duhet përqëndrim në dikastere të veçanta”. Por për shembull, në mos gaboj edhe në mandatin e parë thatë “kultura duhet të rrijë kulturë”. A shihni ju një kontradiktë? I përgjigjet struktura e re nevojave të vendit apo komoditetit personal?
Nuk e di ku është komoditeti im personal në këtë rast. Ajo që është arsyeja kryesore pse është vepruar në këtë mënyrë është për të pasur një qeveri më të vogël, jo si një qëllim në vetvete, por si një mekanizëm më kompakt për të lehtësuar në maksimum koordinimin mes sektorësh që në momente të caktuara kanë përplasje apo mbivendosje, dhe ku janë brenda një ombrelle kujdestarie besoj funksionojnë më mirë dhe sigurisht për të lehtësuar në tërësi, ndërveprimin mes gjithë sektorëve që do të thotë se përtej çdo personaleje kjo është thjesht dhe vetëm një qasje për të bërë të mundur që mekanizmi të funksionojë më mirë.
A kemi ne kapacitetet administrative për t’iu përgjigjur strukturës së re të qeverisë… A rrit kjo rrezikun e dështimit?
Unë nuk e shoh arsyen këtu pse. Kapacitetet administrative janë po ato si me 20 ministri si me 11 ministri si me 30 ministri. Numri i ministrive nuk përcakton kapacitetet administrative.
Po, por ju e keni të qartë nga përvoja se një strukturë e re kërkon kohën e vet të rritjes, maturimit dhe të efiçencës…
Nuk shoh asnjë problem në këtë aspekt sepse sektorët do të funksionojnë siç kanë funksionuar, por do të kenë më shumë afrimitet dhe më shumë ndërveprim le të themi nën ombrella më të mëdha, që shërbejnë edhe si hapësira komunikimi dhe si hapësira bashkërendimi në funksion të objektivave që janë të përbashkëta.
Zoti Ahmetaj, për shembull duket në “konflikt” në punën e tij. Edhe duhet të mbledhë/disiplinoj shpenzimet (pra në këtë rast duhet të jetë gjirokastrit që është edhe duhet të jetë hovardar, sepse duhet t’i shpenzojë paratë, të jetë tirons…
Është shumë e thjeshtë, ministria e Ekonomisë dhe e Financave të ndara kanë punë të përbashkëta, ku rëndom punët zvarriten apo pengohen për shkak të ndarjes dhe hendekut mes tyre. Ose Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe ajo pjesë e ministrisë së deridjeshme të Mirëqenies që ka të bëjë me punën dhe arsimin professional janë fusha ku duhet të kalojnë sipërmarrësit dhe në vend që të kapërcejnë hendeqet mes fushave tanimë janë brenda një hapësirë, ku sigurisht fushat kanë kufijtë e tyre, por që politikat dhe veprimet brenda këtyre fushave janë të mirëkoordinuara dhe të drejtuara nga një dorë.
Sa kohë mendoni se merr përshtatja me modelin e ri?
Për çfarë?
Për të qenë në efiçensë, për të qenë efikas….
Një javë.
Një javë?
Po.
…dhe sa kohë do të jenë në provë ministrat?
Që nga dita e parë.



