
Dymbëdhjetë javë pas zgjedhjeve, kur mendohej se Italia ishte në prag të formimit të qeverisë, procesi ka mbetur sërish në vend, madje rrezikon të kthehet në pikën zero. Kryeministri i mandatuar për formimin e kabinetit të ri është “dorëzuar”, duke hequr dorë nga përpjekjet për t’i dhënë vendit kabinetin e ri qeveritar.
Giuseppe Conte është tërhequr pasi nuk gjeti dakordësinë e presidentit Sergio Mattarella për një emër të kabinetit të ri. “Nyja e pazgjidhshme" është ekonomisti Paolo Savona, i njohur për qëndrimet e tij kundër euros, i propozuar në postin e ministrit të Ekonomisë.
Dy liderët e partive fituese, në aleancë paszgjedhore për qeverisjen e vendit, janë takuar me presidentin Mattarella, por përgjigjja ka qenë një jo e prerë. “Presidenti i republikës ka rolin e garantuesit dhe nuk mund t’i imponohet askush”, ka thënë Mattarella.
Ndërsa kryeministri me mandatin 4-ditor thotë se bëri maksimumin për të përmbushur detyrën në bashkëpunim me partitë që i dhanë besimin.



