Pamjet që gjeni në videon më poshtë tregojnë momentet pas aksidentit të ndodhur gjatë natës, ende pa zbardhur e marta në aksin rrugor Fier-Vlorë, ku një makinë në të cilën udhëtonte një familje, doli nga rruga duke përfunduar e përmbysur.
Aksidenti u shënua rreth orës 04:45, në aksin rrugor Fier-Vlorë, në afërsi të fshatit Panaja.
33-vjeçari Andi Mithi, i cili udhëtonte së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët, duke drejtuar automjet tip “Benz”, dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga.
Si pasojë e aksidentit njëri prej pasagjerëve një fëmijë 6 vjeç, ka ndërruar jetë, ndërkohë që drejtuesi dhe 2 pasagjerët e tjerë, shtetasja Albana Mithi, 34 vjeçe dhe fëmija tjetër 3 vjeçe, ndodhen në spital e Vlorës, nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave të aksidentit.



