
Nga dita e nesërme përgjatë një jave nis Pelegrinazhi i Bektashinjve në malin e Tomorrit.
DVP Berat ka ndërmarrë një plan të detajuar masash për të shmangur trafikun.
Policia e Beratit, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Berat, Kuçovë dhe Skrapar, janë angazhuar me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e krimit dhe rritjen e sigurisë rrugore dhe garantimin e qarkullimit të lehtësuar të mjeteve e këmbësorëve, para, gjatë dhe pas zhvillimit të pelegrinazhit në “Malin e Tomorrit”, pelegrinazh i cili do të zhvillohet gjatë periudhës 18-25 gusht 2024. Në zbatim të këtij plani masash, janë planizuar shërbime shtesë në të gjitha akset rrugore që të çojnë në Malin e Tomorrit si dhe në ambientet e jashtme të objektit të kultit (Teqesë) në këtë mal.
Detyrat e planifikuara në këtë plan masash do të përballohen nga shërbimet e DVP Berat, në bashkëpunim me FNSh Fier, Njësinë Operacionale për Sigurinë Rrugore, forcat zjarrfikëse, Spitalin Rajonal Berat, organet e pushtetit vendor dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.
Itinerari për drejtuesit e mjeteve që shkojnë në drejtim të malit të Tomorrit (drejt teqesë) do të jetë: “Hyrja e qytetit të Beratit -Rrethrrotullimi i Kombinatit–Unaza e qytetit–Rrethrrotullimi i Uznovës–Kryqëzimi i Plirëzit–Teqeja e Kulmakut”.
-Itineraret për drejtuesit e mjeteve që kthehen nga mali i Tomorrit ( nga teqeja) do të jenë:
“Teqeja e Kulmakut -Bargullaz-Pronovik–Poliçan–Uznovë-Rruga kryesore “Antipatrea” –Rrethrrotullimi i Kombinatit”.-Drejtuesit e mjeteve dhe pelegrinët që vijnë nga qyteti i Çorovodës këshillohen të përdorin aksin rrugor Çorovodë -Gjerbës-Teqeja e Kulmakut dhe anasjelltas.



