Ish-kreu i Forcave të Armatosura aktualisht deputet i Partisë Socialiste, Bardhyl Kollçaku thotë se qeveria shqiptare po shqyrton mundësinë e rikthimit të shërbimit të detyruar ushtarak.
Ministria e Mbrojtjes është duke studiuar rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Janë një pjesë e vendeve të NATO-s që e kanë rikthyer me një kohë të reduktuar, pasi është e rëndësishme në kuadrin e masave të qëndrueshmërisë që gjeneratat e sotme, duhet të kenë njohuri bazë, 2-3 javore, për shërbimin ushtarak, njohjen e armatimin, njohjen e disiplinave. Bën mirë për forcimin e disiplinës dhe karakterit kombëtar për brezin që po rritet.
Në një intervistë për MCN TV Kollçaku komentoi vendimin e NATO-s për rritjen në 5% të buxhetit për mbrojtjen, ku në 10 vitet e ardhshme Shqipëria do të duhet të rris ndjeshëm buxhetin e saj për mbrojtjen.
Dhjetë vitet e ardhshme deri në vitin 2035 do të vlerësohet në mënyrë në mënyrë proporcionale rritëse 5% e PBB, 3.5% do të jenë shpenzime që lidhen direkt me fushën e mbrojtjes, pajisjen, armatimin, infrastrukturën, ndihma për Ukrainën etj.
Ndërsa 1.5% është investim i e natyrës civile-ushtarake, me natyrë dyfishe, këtu kam parasysh portet, aeroportet, rrugët, urat, mbrojtjen kibernetike dhe shumë aspekte të tjera që do i shërbejnë shoqërisë dhe në rast krize dhe agresioni do i shërbejnë edhe mbrojtjes.
Ai shtoi se implementimi i angazhimit për buxhetin do jetë duke u rritur çdo vit dhe në vitin 2029 do të ketë një rivlerësim se sa janë arritur objektivat dhe nëse buxheti do të rivlerësohet për të shtuar investimet.



