Ish-kryeministri Berisha u ka bërë thirrje demokratëve të mblidhen në protestën e paralajmëruar për të shtunën. Në fjalën e tij në çadrën e protestës, Berisha tha se anulimi i zgjedhjeve lokale në Kavajë tregoi se Rama ka frikë nga reagimi qytetar.
“Përshëndetje djemve dhe vajzave të Kavajës që në një akt madhështor e shndërruan Kavajën në Vaterlonë e klikës së hajdutëve e kriminelëve në pushtet. Kavaja me një mesazh të jashtëzakonshëm i tha Edi Ramës se data 7 do të jetë fundi yt. Ata i thanë se do të japim ty atë mësim që i dhamë Ramiz Alisë më 22 shkurt.
Kjo fitore e jashtëzakonshme e çadrës së lirisë dhe të gjithë shqiptarëve që duan votën e lirë është një frymëzim për shqiptarët ta shndëtrrojnë 13 majin në ditën e triumfit. Ta shndërrojmë në ditën e protestës më të fuqishme dhe më civile në historinë e protestave në Shqipëri. Më 13 maj drejt Tiranës do të vërshojnë. Kanë filluar të vijnë që tani, u bëj thirrje qytetarëve të Tiranës të hapin dyert për të gjithë njerëzit që do të vijnë në protestë. Rama është i tmerruar. Organizon piknikë me gjimnazistët që të mos vijnë në protestë. Ata kanë 1 mijë arsye të vijnë këtu. Më 13 maj këtu do të vërshojë e gjithë Shqipëria”, tha ai.



