Zbardhet vendimi me 278 faqe: Nuk rezulton që Tahiri, të ketë përfituar të mira materiale

Zbardhet vendimi me 278 faqe: Nuk rezulton që Tahiri, të ketë përfituar të mira materiale

Zbardhet vendimi për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i dënuar nga Gjykata e Posaçme, me 3 vite e 4 muaj për “Shpërdorim detyre”, pas pretendimeve si i përfshirë në trafik droge.

Në vendimin e gjykatës prej 278 faqesh, gjykata arsyeton se përgjimet e personave që flasin për Tahirin, janë prova pasi bashkëbisedimet e tyre thuhet se janë të sinqerta pasi nuk kanë dijeni që ata janë duke u përgjuar.

Në vijim nënvizohet se nuk është i vërtetë konkluzioni i prokurorit, se grupi kriminal “Habilaj” e ka nisur aktivitetin kriminal kur Saimir Tahiri u bë ministër i Brendshëm por anëtarësia e tij u krijoi lehtësi.

Gjykata thotë se provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm që dhuratat janë blerë për Tahirin, por nuk rezulton e provuar që i pandehuri Tahiri i përfitoi këto të mira materiale nga personat në hetim.

Nënvizohet se Gjykata nuk është në gjendje të sqarojë arsyeshëm se, nëse 673 komunikime telefonike ndërmjet bashkëtëpandehurve në funksionet shtetërore të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë në harkun kohor 2016 – 2017 nuk kanë qenë mbi ushtrimin e detyrave operacionale të policisë në Qarkun e Vlorës, atëherë për çfarë kanë komunikuar tjetër këto dy funksionarë shtetërorë të palidhur drejtpërdrejtë administrativisht dhe hierarkisht me njëri-tjetrin në këtë mori komunikimesh telefonike. Për më tepër, qoftë në deklarimet përgjatë gjykimit dhe në apelet e ushtruara prej të pandehurve, nuk parashtrohet që ato të jenë miq dhe të kenë një marrëdhënie të tillë miqësore që të shpjegojë arsyeshëm këtë intensitet komunikimi telefonik.

Në këtë mënyrë Gjykata vlerëson se ndërmjet të pandehurve përgjatë ushtrimit të detyrës shtetërore ka pasur komunikime edhe për veprimtarinë shtetërore të secilit prej tyre por se pavarësisht këtij komunikimi personal dhe të vazhdueshëm sërish detyrat ligjore sipas përgjegjësive nuk kanë arritur të adresojnë zgjidhje për të luftuar kriminalitetin e organizuar dhe intensitetin e veprave penale të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në territorin tokësor dhe hapësirën territoriale të Qarkut Vlorë. Ky fakt në bindjen e Gjykatës përforcon bindjen mbi fajësinë si element subjekt për secilin prej të pandehurve në këtë gjykim mbi mënyrën se si ato e kanë ushtruar detyrën shtetërore në kohën dhe në hapësirën e zhvillimit të faktit penal historik objekt akuze.

Gjykata sjell në vëmendje se mosushtrimi me dashje i përgjegjësive ligjore në cilindo drejtim të mësipërm nga Ministri i Punëve të Brendshme apo Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, në rastet e mospërmbushjen thelbësore të funksioneve apo moskryerjes thelbësore të detyrave në drejtime të caktuara nga strukturat vartëse dhe llogaridhënëse të tyre, që ka dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, janë elemente që, sipas nenit 248 të Kodit Penal përbëjnë veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Në rastin konkret kjo vepër rezulton të ketë krijuar edhe përfitime materiale dhe jo materiale për të pandehurin dhe për të tretët që janë begatuar nga veprimtaria kriminale e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Figura e krimit të shpërdorimit të detyrës, sipas nenit 248 të Kodit Penal, në vlerësimin e Gjykatës, përmban jo vetëm shkeljen e ligjit apo aktit nënligjor nga personi që ushtron funksione publike, por edhe elemente të tjerë që janë dashja, pasoja e caktuar dhe lidhja shkakësore, të cilat duhet që të ekzistojnë kumulativisht dhe njëkohësisht së bashku në veprimet apo mosveprimet e kryera gjatë apo në sajë të ushtrimit të funksionit publik. Kjo vepër penale përfshin të gjithë personat që ushtrojnë funksione publike dhe nuk bën asnjë dallim në pikëpamje të mënyrës së caktimit në funksionin publik apo të natyrës së detyrave dhe përgjegjësive të tyre ligjore. Kushti i vetëm është që në veprimet ose mosveprimet e personit që ushtron funksione publike të verifikohen elementet objektivë dhe subjektivë të figurës së kësaj vepre penale.

Në këtë kuptim Gjykata vlerëson se pretendimet e të pandehurit se figura shtetërore e ministrit nuk mundet të mbajë përgjegjësi penale për këtë vepër penale, pasi është funksion politik është i pabazuar në ligj. Gjykata vlerëson se subjekti i posaçëm i kësaj vepre penale është cilido subjekt i ngarkuar me një detyrë shtetërore, abuzimi latent në ushtrimin e së cilës, qoftë përmes veprimesh të paligjshme apo mosveprimesh të paligjshme, perfeksionon faktin tipik penal të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.

Në vlerësimin e Gjykatës është e rëndësishme që të provohen nëse veprimet apo mosveprimet e të pandehurve janë ndërmarrë ose nuk janë kryer gjatë kohës që kanë qenë në ushtrim të funksionit, pra të vërtetohet lidhja e tyre me detyrën publike, në funksion të zbatimit të nenit 13 të Kodit Penal. Në çdo rast kjo detyrë e pazbatuar apo e keqzbatuar në mënyrë latente përgjatë kohëkalimit të faktit penal historik do të duhet të individualizohet nga ana e organit të akuzës dhe se rezultati i pasojave të rënda të krijuara duhet që të ketë detyrimisht lidhje të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë shkakësore me to.

Kjo do të thotë se duhet të provohet se nga veprimet ose mosveprimet e subjekteve të posaçme apo funksionarëve publikë të akuzuar në këtë çështje do të duhet të vijnë pasojat e rënda që ligji parashikon apo të ketë kontribuar që ajo të vijë me veprimin edhe të faktorëve të tjerë humanë që nuk ushtrojnë detyra publike, konkretisht sigurimi i përfitimeve materiale ose jomateriale për vete apo persona të tjerë ose dëmtimi i interesave të ligjshme të shtetit apo shtetasve.

Gjykata sjell në vëmendje se, megjithëse në këtë çështje, për të gjitha arsyet e sjella në vëmendje më lart, nuk u provua përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, që marrëdhëniet mes të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj të kenë qenë në nivelin e bashkëpunimit për kryerjen e trafikimit të narkotikëve, Gjykata ka konkluduar më lart se ka pasur ndërmjet tyre marrëdhënie të vazhdueshme ndërpersonale dhe situata të pashpjegueshme plotësisht nisur nga funksioni publik i rëndësishëm i Ministrit të Punëve të Brendshme, që ka mbajtur i pandehuri z. Saimir Tahiri në periudhën përkatëse të faktit penal historik. Këto marrëdhënie ndërpersonale të provuara në gjykim, edhe pse jo në kuadër të bashkëpunimit të posaçëm penal, nuk gjejnë argumentime dhe shpjegime të arsyeshme dhe njëkohësisht dalin tej kuadrit të marrëdhënieve të farefisnisë së largët që ka pohuar vetë i pandehuri.

VENDIMI I PLOTË

  1. RRETHANAT PROCEDURALE

 

  1. Më datë 08.07.2016, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 134, për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 284 dhe 333/a të Kodit Penal. Ky procedim penal është regjistruar mbi bazën e të dhënave të grumbulluara nga policia gjyqësore në seksionin e kësaj prokurorie, në bashkëpunim me organet ligjzbatuese në vend, ku rezultonin të dhëna mbi aktivitetin kriminal të disa shtetasve shqiptarë, si Renaldo (Rinaldo) Avdulaj, Gjergji Kohila, Sokol Bode (të tre punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë), Artan Habilaj, Moisi Habilaj, Florian Habilaj, etj., të cilët vepronin si grup i strukturuar kriminal në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Ky aktivitet ushtrohej në territorin e Qarkut Vlorë. Në këtë moment nuk është regjistruar emri i ndonjë personi në regjistrin e njoftimit të veprave penale.
  2. Më datë 29.04.2017, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 164, për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 283/a, paragrafi i dytë, i Kodit Penal, mbi bazën e një informacioni referues të shërbimeve të policisë gjyqësore të Seksionit Kundër Narkotikëve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, sipas të cilit shtetasit Nazer Seiti, Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Matan Matani, etj., ushtronin aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve. Sipas urdhrit të regjistrimit të procedimit penal, ka pasur të dhëna se këta shtetas kishin në pronësi një mjet lundrues gomone të paregjistruar, që e mbanin në vendin e quajtur “Hoxharë” në Fier, me të cilën realizonin trafikimin e lëndës narkotike drejt Siçilisë, Itali. Gjithashtu, ka pasur të dhëna se në Shkurt të vitit 2017 shtetasit Moisi Habilaj i ishte sekuestruar në Itali një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, e cila ishte eksportuar nga Shqipëria. Shtetasit e mësipërm dyshohej se në bashkëpunim me persona të tjerë, të paidentifikuar, po përgatisnin për të trafikuar së shpejti një sasi lënde narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.
  3. Më datë 17.10.2017, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 313, në ngarkim të shtetasit Saimir Tahiri, për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të të zgjedhurve vendorë”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 283/a, paragrafi i dytë, 333/a dhe 260 të Kodit Penal. Procedimi penal është regjistruar mbi bazën e të dhënave të bëra publike në lidhje me faktin e arrestimit nga autoritetet policore italiane të shtetasve Moisi Habilaj, Florian Habilaj, etj., në lidhje me sekuestrimin në Itali të sasisë prej rreth 3.5 (tre pikë pesë) ton lëndë narkotike të llojit “cannabis sativa”, të cilët vepronin si anëtarë të grupit të strukturuar kriminal që ushtronte aktivitet në fushën e trafikimit të narkotikëve, nisur nga fakti që rezultonin të dhëna për përfshirjen në këtë veprimtari kriminale të zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit dhe të ish Ministrit të Brendshëm, z. Saimir Tahiri.
  4. Duke qenë se ishin të njëjtët subjekte nën hetim në kuadër të procedimeve penale nr. 134, të vitit 2016, dhe 164, të vitit 2017, më datë 25.09.2017 është vendosur bashkimi i këtyre procedimeve penale në një procedim të vetëm, në atë me nr. 134, të vitit 2016, për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Trafikimit të narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 284, paragrafi i parë, 28 pika 4, 283/a, 28 pika 4, 333/a paragrafi i dytë, dhe 334 të Kodit Penal.
  5. Më datë 18.10.2017, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka vendosur bashkimin e procedimit penal nr. 134, të vitit 2016, dhe 313, të vitit 2017, në një procedim të vetëm, në atë me nr. 134, të vitit 2016.
  6. Më datë 06.11.2017, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka pranuar aktet e procedimit penal nr. 1901, datë 02.11.2017, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, të regjistruar prej kësaj të fundit për veprën penale të “Drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt”, “Mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Fshehjes së të ardhurave”, të parashikuara nga nenet 291, 242 dhe 180, paragrafi i tretë, të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Orest Sota. Regjistrim i këtij procedim lidhet me sekuestrimin e një sasie prej 863,100 € (tetëqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e njëqind euro) në automjetin e drejtuar nga shtetasi Orest Sota, mjet në të cilin janë gjetur dhe sekuestruar edhe dy dëshmi aftësie për drejtim mjeti lundrues, një pasaportë detari në emër të të pandehurit Saimir Tahiti si dhe një pasaportë detari në emër të bashkëshortes së të pandehurit. Me pranimin e akteve, procedimi penal në ngarkim të shtetasit Orest Sota është bashkuar me procedimin penal nr. 134 të vitit 2016.
  7. Më datë 15.11.2017, në kuadër të procedimit penal nr. 134, të vitit 2016, është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimit të veprave penale si person nën hetim shtetasi Sokol Bode, i dyshuar për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve” dhe “Grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a dhe 333/a të Kodit Penal. Ky shtetas rezulton të ketë qenë me detyrë Shef Stacioni i Policisë Kufitare Dhërmi në kohën që është ngarkuar lënda narkotike “cannabis sativa” në peshkarexhën “Fatima”, më datë 06.05.2015, sekuestruar në Riposto, Itali, më datë 08.05.2015.
  8. Në kuadër të po këtij procedimi, më datë 20.11.2017 janë regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimit të veprave penale si persona nën hetim shtetasit Jaeld Çela dhe Gjergji Kohila, përkatësisht me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Shef Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, të dyshuar për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”, “Trafikimit të narkotikëve” dhe “Grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 284, 283/a dhe 333/a të Kodit Penal.
  9. Nga procedimi penal nr. 134, i vitit 2016, gjatë ecurisë së tij, janë ndarë procedime me disa të hetuar dhe konkretisht:
  • Më datë 17.07.2017 është ndarë procedimi penal 134, i vitit 2016, në tre procedime: procedimi nr. 134/1, në ngarkim të personave nën hetim Albert Aliaj, Musa Bedinaj, etj., për veprën penale të “Kultivimit të narkotikëve”, në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 284, paragrafi i dytë, i Kodit Penal, në procedimin nr. 134/2, në ngarkim të personit nën hetim Haki Hasanbega, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, dhe në procedimin penal nr. 134, të vitit 2016, në ngarkim të të pandehurve Taulant Haxhiraj, Renaldo (Rinaldo) Avduli, Xhovalin Baçja, Shkëlqim Koçiaj, Reshat Radhima, etj., për hetime të mëtejshme;
  • Më datë 22.09.2017 është ndarë procedimi nr. 134/3, në ngarkim të të pandehurve Rinaldo Avdulaj (me detyrë punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë), Shkëlqim Koçia], Xhovalin Baço, Marius Bajrami, Reshat Radhima, Taulant Haxhiraj, Klajdis Imeri dhe Anis Pajo si dhe kanë vijuar hetimet për të hetuarit e tjerë në kuadër të procedimit penal nr. 134/2016. Për të pandehurit Rinaldo Avdulaj, Shkëlqim Koçiaj, Xhovalin Baçja, Marius Bajrami, Reshat Radhima, Taulant Haxhiraj, Klajdis Imeri dhe Anis Pajo prokuroria, në vendimin e ndarjes, është shprehur se hetimet ndaj tyre kishin përfunduar dhe do të dërgoheshin për gjykim;
  1. Me vendimin nr. 62, datë 23.04.2018, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, janë deklaruar fajtorë të pandehurit Taulant Haxhiraj, Shkëlqim Koçiaj, Xhovalin Baçja dhe Marius Bajrami për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Trafikimit të narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 284 paragrafi i parë, 28 pika 4, 334, paragrafi i parë, dhe 333/a të Kodit Penal;
  • Më datë 28.12.2018 nga procedimi penal nr. 134, i vitit 2016, është ndarë procedimi penal nr. 134/4, në ngarkim të të pandehurve Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Armand Koçerri. Nezar Seiti, Sabaudin Çelaj, Maridian Sula], Armando Sulaj, Tigrens Mezuraj dhe Fatmir Minaj, duke u dërguar çështja në ngarkim të tyre për gjykim dhe duke vijuar hetimet në kuadër të procedimit penal nr. 134, të vitit 2016, për të hetuarit e tjerë.
  1. Më datë 17.01.2019, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka përpiluar kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale ndaj këtyre të pandehurve, për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a, paragrafi i parë, 28 pika 4, 333/a dhe 334, paragrafi i parë, të Kodit Penal. Aktualisht çështja penale ndaj tyre është në gjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë (ata do të referohen në këtë vendim si të “pandehur në procedim të lidhur”).
  • Më datë 25.02.2019, është ndarë procedimi penal nr. 134/5 në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri, Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode, për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a, paragrafi i parë, 28 pika 4, 333/a dhe 334, paragrafi i parë, të Kodit Penal, dhe në procedimin penal nr. 134, të vitit 2016, në ngarkim të personit nën hetim Orest Sota dhe subjekteve të tjerë, për të cilët është vlerësuar se hetimet duhet të vijojnë.
  1. Me vendimin nr. 42, datë 26.03.2019, gjyqtari i seancës paraprake ka pranuar kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri, Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila, të akuzuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
  2. Me vendim të ndërmjetëm të marrë në seancën gjyqësore të datës 17.07.2019 Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë vendosi pezullimin e gjykimit për të pandehurit Sokol Bode dhe Gjergji Kohila, ndarjen e çështjes në ngarkim të tyre nga çështja penale në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela dhe vijimin e gjykimit për këta të fundit me akuzat e sipërcituara.
  3. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë disponoi në këtë mënyrë për shkak se të pandehurit Sokol Bode dhe Gjergji Kohila ishin sjellë për gjykim si “të mosgjetur”, sipas nenit 141 të Kodit të Procedurës Penale. Masat e sigurimit “Arrest në burg”, të caktuara ndaj tyre gjatë hetimit paraprak (vendimet nr. 423, datë 18.11.2017, dhe nr. 427, datë 25.11.2017, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë) nuk ishin arritur të zbatoheshin dhe prokuroria kishte vendosur mosgjetjen e tyre. Në vijim, në këtë vendim, të bashkëpandehurit për të cilët është veçuar çështja, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila, do të referohen si të “pandehur në procedim të lidhur”.
  4. Edhe i pandehuri Jaeld Çela ishte sjellë për gjykim nga prokuroria si “i mosgjetur”, në të njëjtat kushte si të pandehurit në procedim të lidhur Sokol Bode dhe Gjergji Kohila (vendimi nr. 427, datë 25.11.2017, i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” dhe vendimi datë 22.02.2019, i prokurorit, për mosgjetjen e tij).
  5. Në datën 16.05.2020 i pandehuri Jaeld Çela është vetëdorëzuar pranë shërbimeve të policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, duke u mbajtur për këtë qëllim edhe procesverbali përkatës. Në këto rrethana, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (kompetencat e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë lidhur me veprat penale të kryera nga grupi i strukturuar kriminal i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me ligjin nr. 76/2016, datë 22.07.2016, në Kodin e Procedurës Penale, me ligjin nr. 35/2017, datë 30.03.2017, si dhe pas fillimit të funksionimit të kësaj prokurorie), në përputhje me nenin 248/1 të Kodit të Procedurës Penale, ka paraqitur përpara Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkesën për marrjen në pyetje të të pandehurit Jaeld Çela, si person ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit “Arrest në burg”.
  6. Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin nr. 18 akti, datë 19.05.2020, ka vendosur vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, caktuar me vendimin nr. 427, datë 25.11.2017, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ndaj shtetasit Jaeld Çela, me statusin e të pandehurit në këtë proces. Kundër këtij vendimi ka bërë rekurs i pandehuri Jaeld Çela dhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 00-2020-218, datë 03.07.2020, ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga i pandehuri Jaeld Çela, kundër vendimit me nr. 18 akti, datë 19.05.2020, të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.  

 

  1. FAKTET DHE PROVAT

 

  1. Në fashikullin Volumi IX, faqe 94 e vijues, ndodhet kërkesa për gjykimin e procedimit penal nr. 165, viti 2005 për veprën penale të parashikuar nga neni 283/2 dhe 300 të Kodit Penal në ngarkim të z. Shpërblim Alliu, z. Moisi Habilaj, z. Flamur Zeka dhe z. Ylli Hoxha. Tre subjektet e parë janë akuzuar dhe dërguar për gjykim për veprën penale të parashikuar nga neni 283/2 të Kodit Penal dhe subjekti i katërt është akuzuar dhe gjykuar për veprën penale të moskallëzimit të krimit. Procedimi penal është zhvilluar pas gjetjes në shtëpinë e z. Mustafa Alliu të një sasie lënde narkotike prej 53 kilogramë lëndë narkotike “cannabis sativa”, e vendosur në 54 pako e gjysmë dhe të mbështjella me natriban, të sistemuara disa në një thes dhe disa të gjetura në një tavolinë. Në paketimet e lëndës narkotike, sipas aktit të ekspertimit daktiloskopik, janë rezulton të jenë gjetur gjurmët papilare të identifikuara të z. Moisi Habilaj. Ai ka sqaruar se ka qenë në shtëpinë e z. Mustafa Alliu në Panaja, duke qenë i afërt i z. Shpërblim Alliu, dhe se ai i ka treguar lëndën narkotike që kishte vendosur të asgjësonte dhe se z. Moisi Habilaj, nga kurioziteti i kishte hapur për të parë se çfarë kishte në to. Akuza penale ka qenë qoftë për faktin e prodhimit dhe të mbajtjes së lëndës narkotike. Kërkesa për gjykim mban datën 22.06.2005.
  2. Urdhri i regjistrimit të procedimit penal ka datën 25.02.2005. Ndaj z. Moisi Habilaj, për llogari të këtij procedimi penal, është nxjerrë urdhri i ndalimit me datë 08.04.2005, urdhër i cili është zbatuar po atë datë.
  3. Me Vendimin nr. 251, datë 04.11.2005 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është vendosur ndër të tjera deklarimi fajtor i të pandehurit z. Moisi Habilaj për veprën penale të moskallëzimit të krimit, sipas nenit 300 të Kodit Penal dhe për këtë fakt dhe vepër penale ai është dënuar me 16 muaj burgim dhe pas zbatimit të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale është dënuar përfundimisht me 10 muaj dhe 20 ditë burgim. Me Vendimin nr. 318, datë 11.07.2006 të Gjykatës së Apelit Vlorë është vendosur lënia në fuqi e vendimit të gjykatës së shkallës së parë.
  4. Në fashikullin nr. 29 ndodhen të administruara gjendjet gjyqësore të të bashkëproceduarve të administruara nga organet e ndjekjes penale italiane. Z. Moisi Habilaj rezulton i padënuar në Itali, z. Florian Habilaj rezulton i padënuar në Itali, ndërsa z. Sabaudin Çelaj rezulton i dënuar me datë 30.03.2015 në Itali për vepër penale me objekt lëndët narkotike, sipas nenit 73 të DPR nr. 308/1990 dhe nenin 110 të Kodit Penal, duke u dënuar 3 vjet dhe 8 muaj burgim dhe 6,000 Euro gjobë.
  5. Nga Urdhri për ndalimin e shtetasit z. Florian Habilaj datë 09.03.2001 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë rezulton se ai është proceduar dhe ka qenë i dyshuar bashkë me z. Moisi Habilaj për faktet penale të ndodhura datë 22.04.1999 dhe datë 16.08.2000 ku persona të maskuar kanë vjedhur me armë para nga Komuna Qendër.
  6. Rezulton në dosje i administruar Vendimi i pushimit të çështjes penale datë 10.03.2014 i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë ndaj të kallëzuarve z. Artan Habilaj, z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj, me kallëzues z. Artan Arizaj, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë§”, sipas nenit 110 të Kodit Penal, dhe “Vetëgjyqësia”, sipas nenit 277 të Kodit Penal, konflikt i rrjedhur nga një marrëdhënie detyrimi civile e kontratës së huasë për shumën 15.000 Euro.
  7. Nga certifikata elektronike e datës 08.01.2016 rezulton se z. Artan Habilaj është i padënuar. Nga certifikata elektronike e z. Florjan Habilaj e datës 08.01.2016 rezulton se ai është i padënuar. Nga certifikata elektronike e z. Moisi Habilaj e datë 08.01.2016 rezulton se ai është i padënuar.  
  8. Rezulton nga fashikulli nr. 21 (shih faqen 14), nr. 22 (shih faqe 44), nr. 26 (shih faqe 255) dhe fashikulli 36 (shih faqen 13), se në Republikën e Italisë z. Moisi Habilaj ka pasur edhe një procedim penal tjetër me objekt veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të organizatës kriminale të nisur në vitin 2012, konkretisht bëhet fjalë për procedimin penal nr. 4942/12 RGNR të emërtuar “Odissea”. Nga aktet provuese të këtij procedimi rezulton se z. Moisi Habilaj në bashkëpunim me subjekte të tjerë me origjinë shqiptare, si për shembull z. Erson Zhurka që është vlerësuar subjekt kyç për zbulimin e aktivitetit kriminal të kryer, që banon në Raguza dhe në Katania, vepronin në Katania dhe Sirakuza me subjekte me precedentë penal për të trafikuar dhe shpërndarë lëndë narkotike të tipit mariuanë. Në kuadër të këtij procedimi rezulton se janë sekuestruar 3700 kilogramë lëndë narkotike mariuanë dhe 100 gramë lëndë narkotike kokainë. Në këtë procedim penal të parë kundër z. Moisi Habilaj rezulton se ai ishte shënjuar si importues me shumicë i lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali dhe se bashkëpunonte ngushtë me z. Sabaudin Çelaj.
  9. Në aktet e procedimit penal të ndodhura në këtë fashikull pasqyrohet fakti se kjo organizatë ka qenë e pavarur nga ajo që procedohet në procedimin penal nr. 15355/13 RGNR kundër z. Moisi Habilaj dhe të tjerë. Ky i fundit është pikërisht procedimi penal në kuadër të të cilit bashkëtëpandehurit janë proceduar edhe në Shqipëri dhe aktet e të cilit janë pjesë e fashikujve të gjykimit të marra nga prokuroria përmes letërporosisë. Procedimi penal dhe hetimet e çështjes nr. 15355/13 e kishte zanafillën prej shtatorit dhe tetorit të vitit 2013.
  10. Në përgjim për një kohë të konsiderueshme nga autoritetet italiane të ndjekjes penale ka qenë edhe vëllai i të pandehurve z. Florian Habilaj dhe z. Moisi Habilaj, konkretisht z. Artan Habilaj. Kjo periudhë është e shtirë në vitin 2014. Autoritetet italiane kanë konkluduar se bisedat e realizuara ndërmjet z. Artan Habilaj dhe z. Moisi Habilaj bëjnë fjalë pikërisht për përfshirjen e tyre në aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali. Rezulton se z. Artan Habilaj ka pasur në pronësi një kamion dhe se ka kryer aktivitetin e transportit të frutave dhe perimeve nga Italia në Shqipëri, duke pasur një fluks të konsiderueshëm dhe të përsëritur udhëtimesh në drejtim të Italisë.
  11. Autoritetet italiane të ndjekjes penale kanë konkluduar se z. Artan Habilaj qëndron në Shqipëri, ndihmon vëllanë z. Moisi Habilaj në aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike, duke menaxhuar direkt në Shqipëri dërgimin e sasive të mëdha me lëndë narkotike, të cilat nisen në rrugë detare drejt Italisë. Lënda narkotike për trafik në Itali nga vëllezërit Habilaj, sipas autoriteteve të ndjekjes penale Italiane, vinte në Ragusa, Katania, edhe nga Greqia përmes transportit detar (shih konkluzionet e prokurorit dhe gjyqtarit të hetimeve në fashikullin 44).
  12. Konstatohet se nga përgjimet e realizuara ndërmjet z. Moisi Habilaj dhe z. Artan Habilaj në muajin Nëntor 2014 (shih fashikullin nr. 44, faqe 310), të dy të proceduar penalisht si bashkëpunëtorë në kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 283/a dhe 333/a të Kodit Penal dhe të dënuar nga gjykata e shkallës së parë, të dy flasin për ngarkesën e radhës së lëndës narkotike në drejtim të Italisë, ankohen për kushtet klimaterike dhe përdorin si gjuhë të koduar perimet dhe domatet për të nënkuptuar lëndën narkotike.
  13. Në fashikullin e gjykimit 35 (shih faqe 365, akte të marra me letërporosi nga autoritetet e ndjekjes penale italiane) rezultojnë të dhëna të konkluduara nga autoritetet italiane mbi mënyrën se si operonte grupi i strukturuar kriminal i kryesuar nga z. Moisi Habilaj për të dërguar sasitë e mëdha të parave të fituara nga trafikimi dhe shitja e lëndëve narkotike në Shqipëri. Një nga mënyrat e kryerjes së këtij aktiviteti tregohet nga pyetja e z. Nezar Seiti, i cili ka pranuar se ka transportuar sasi parash nga Italia në Shqipëri me porosi të z. Moisi Habilaj, ku një herë ka qenë me z. Florian Habilaj dhe një herë ka qenë me z. Maridian Sulaj (shih procesverbalin e marrjes në pyetje datë 29.05.2018 të z. Nezar Seiti, Volumi II, faqe 1 – 3). Nga ana tjetër autoritetet italiane kanë konkluduar nga hetimet e kryera se, me qëllim transferimin në Shqipëri të të gjithë sasive të parave të mbledhur gjatë qëndrimit në Siçili të z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj kanë shfrytëzuar shërbimet e transportit të një shtetasi shqiptar të identifikuar me shkurtimin e emrit “Melo”. Ky i fundit ishte i njohur i z. Artan Habilaj dhe të dy punonin me kamion, duke transportuar fruta dhe perime nga Italia në Shqipëri.
  14. Ato transportonin me frekuencë javore fruta dhe perime nga Italia në Shqipëri. Nga autoritetet italiane është konkluduar se edhe njohja me anëtarin e organizatës kriminale, z. Angelo Busacca, shok i ngushtë i z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj, të cilët e thërrisnin “kokë llamba”, ishte bërë pikërisht nga bashkëpunimi që kishin pasur ndërmjet tij, z. Artan Habilaj dhe shtetasit të identifikuar me shkurtimin “Melo”, të cilët ishin njohur dhe kishin bashkëpunuar në veprimet tregtare në tregun e frutave dhe perimeve të Katanias. Ky fakt konfirmohet edhe nga deklarimet e z. Maridian Sulaj lidhur me rolin e z. Angelo Busacca dhe angazhimin e tij tek tregu i frutave perimeve në Vittoria në momentin kur e ka njohur atë përmes fotografisë (shih faqen 11 të fashikullit të emërtuar “Volumi II”, procesverbal i pyetjes së z. Maridian Sulaj me datë 01.02.2018) Në këtë mënyrë autoritetet italiane kanë bërë lidhjen e kontributit të secilit prej këtyre subjekteve në transportimin e parave nga Italia në Shqipëri. Këto fakte lidhen me përgjimet ambientale të bëra nga autoritetet italiane ndërmjet z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj, ku ndër të tjera shprehen se “mjafton të kesh 3 persona kështu dhe vjen një herë në muaj dhe merr 100 ose 300 dhe ikën”, komunikim i realizuar para episodit të zbulimit dhe sekuestrimit nga autoritetet italiane të sasisë së lëndës narkotike me datë 28.02.2014. Nga data 24.02.2014 e deri në datë 28.02.2014 nga përgjimet amjentale të bëra në automjetin në përdorim nga z. Moisi Habilaj dalin të dhëna se ato marrin nga z. Antonio Riela sasi të mëdha parash për shitjet e lëndës narkotike të mundësuar nga trafikimi. 
  15. Gjithashtu në fashikullin nr. 36 (shih faqen 433, përgjime të marra me letërporosi nga autoritetet italiane) rezultojnë të dhëna lidhur me bashkëpunimin e z. Moisi Habilaj, z. Angelo Busacca, z. Artan Habilaj dhe shtetasit të identifikuar me shkurtimin “Melo”. Në këtë material provues të përfituar nga përgjimi rezulton se z. Angelo Busacca i komunikon z. Moisi Habilaj se kanë ngarkuar kamionin e z. Artan Habilaj bashkë me shtetasin “Gimi” dhe “Melo” dhe se z. Moisi Habilaj përgjigjet se ka folur me “Kostaqin” dhe me “Melon” dhe se i ka thënë që të gjithë janë të ngarkuar. Më tej, po në datën 04.03.2014, z. Moisi Habilaj flet në telefon me shtetasin e identifikuar si “Gimi” dhe ai i komunikon se kanë ngarkuar domatet dhe patëllxhanët. Kjo ditë korrespondon me ditën e kthimit të z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj nga Italia në Shqipëri nga porti Barit, të cilët, sikurse janë nisur me automjetin Audi A8 me targa AA 003 GB, janë kthyer po me këtë automjet, duke u nisur me datë 04.03.2014 nga Italia dhe duke mbërritur në Shqipëri me datë 05.03.2014. Gjykata sjell në vëmendje se ky udhëtim i tyre në Itali ishte bërë ndër të tjera në kuadër të trafikimit të lëndës narkotike me peshë 289.7 kilogramë të sekuestruar nga autoritet italiane me datë 28.02.2014.
  16. Rezulton se edhe nga Procedimit Penal nr. 1582, datë 29.12.2015 i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier jepen të dhëna për z. Artan Habilaj. Ky procedim rezulton të jetë regjistruar në ngarkim të shtetasit z. Dritan Zagani, për veprën penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, e parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal, dhe ka si zanafillë publikimin në media me datë 03.09.2015 të intervistës së këtij të fundit. Rezulton se ky shtetas, me detyrë shef seksioni për narkotikët në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, ka dhënë një intervistë në një media, ku ndër të tjera bën me dije dhe faktin që automjeti Audi me targa AA 003 GB përdorej nga vëllezërit Habilaj nga Vlora, për lëvizjet e tyre nga Vlora në Gjirokastër dhe ndonjëherë për të ikur në Greqi me të. Sipas tij z. Artan Habilaj, z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj janë një grup që kanë marrë nën administrim gjithë aktivitetin kriminal të narkotikëve edhe në emërimet që kanë bërë në policinë e shtetit. Ndër të tjera është shprehur për përfshirjen e krerëve të policisë së shtetit në trafikimin e lëndës narkotike dhe për një grup të fuqishëm kriminal. Në këto të dhëna rezulton se ai ka bërë publike edhe faktin se vëllezërit Habilaj kanë lidhje farefisnore e me Ministrin e Brendshëm z. Saimir Tahiri, përdornin automjetin e tij dhe një skaf po të tij.
  17. Gjithashtu për z. Artan Habilaj rezulton se ka pasur informacion zyrtar edhe nga Drejtoria e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria e Policisë Qarku Vlorë në vitin 2016 si subjekt që bashkë me vëllezërit, z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj, ishin të përfshirë në veprimtari kriminale të kultivimit të lëndëve narkotike.
  18. Me shkresën nr. 484/55, datë 25.05.2016 Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë Publike ka dërguar informacion drejtuar Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë për përfshirjen të vëllezërve Habilaj, konkretisht z. Artan Habilaj, z. Moisi Habilaj dhe z. Artan Habilaj, në aktivitetin e kultivimit të lëndës narkotike “cannabis saiva”. Në këtë shkresë pasqyrohet se vëllezërit Habilaj kanë investuar për hapjen e tokave në fshatin Vërmik për kultivimin e lëndës narkotike të llojit “Spunk” dhe në mbështetje të këtij aktiviteti kriminal kanë aktivizuar disa persona të armatosur nga lagja Çole, Vlorë. Me shkresën nr. 605/6 prot., datë 10.06.2016 Drejtori i Policisë Qarku Vlorë i komunikon Stacionit të Policisë Selenicë faktin se, pas informacionit të ardhur me shkresë nr. 484/55, datë 25.05.2016 nga Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë Publike pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, z. Artan Habilaj dhe z. Florian Habilaj, vëllezër ndërmjet tyre, kanë investuar hapjen e tokave të reja në fshatin Vërmik me qëllim kultivimin e bimëve narkotike të llojit “Spunk”, në afërsi të një gremine të quajtur “Shpati i Cipinit” dhe se në funksion të këtij aktiviteti vëllezërit Habilaj kanë aktivizuar disa persona të armatosur nga lagja “Çole” Vlorë (shih faqen 325 – 327 të Fashikullit nr. XIII).
  19. Me shkresën 672 prot., datë 13.06.2016, domethënë 3 ditë më vonë se shkresa më lart, z. Jaeld Çela me cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë i është drejtuar me të njëjtin informacion Sektorit të Krimeve, me shkresën me lëndë “Kthim përgjigje shkresës nr. 605/6”, duke sjellë në vëmendje se nga kontrollet e datës 09.06.2016, për verifikimin e informacionit të ardhur me shkresën nr. 605/6, datë 10.06.2016, është konstatuar në fshatin Vërmik, Njësia Administrative Brataj, Selenicë, në vendin e quajtur “Shpati i Cipinit”, në anën juglindore të këtij fshati, janë konstatuar 7 parcela të hapura rishtazi në brendësi të pyllit dhe u konstatuan 3150 bimë “cannabis sativa” me gjatësi 20 centimetra dhe se nga ana e tyre janë kryer të gjitha veprimet dokumentare për të paraqitur materialet pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Në këtë shkresë jepet informacioni se për këta persona, duke identifikuar z. Artan Habilaj, z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj, pra të tre vëllezërit Habilaj, ka informacione se merren me veprimtarinë e kultivimit të lëndës narkotike dhe se prej policisë është hartuar plani operacional nr. 653, datë 09.06.2016 i koduar me emrin “Cipini” për identifikimin dhe kapjen e autorëve (shih faqe 328 të Fashikullit nr. XIII).
  20. Emri i z. Artan Habilaj si subjekt i përfshirë në kultivimin me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike  sillet në vëmendje edhe nga informacionet e marra dhe të referuara nga policia gjyqësore e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda me datë 08.06.2016. Në referim sillen në vëmendje përfshirja në këtë aktivitet kriminal të të tre vëllezërve Habilaj dhe ndër to edhe z. Artan Habilaj, duke u identifikuar 60 shtetas të tjerë. Referimi në prokurori ka qenë me të dhëna se këto shtetas kultivonin lëndë narkotike në fshatrat Velçë, Vajzë, Ploçë, Sevaster, Vërmik, Resulaj, Romës, Fushë-Mavrovë, Tragjas, Mesaplik, Kropisht, Hysoverdhë, Karaburun, Dukat i Vjetër, Bashaj, Golimbas, Karbunarë, Mërtiraj, Painovë, Kuç, Matogjin, Mesaplik, Bashaj, Qafa e Llogarasë, Mali i Pilurit dhe Mali i Shashicës. Informacioni është referuar se gjatë muajve prill – maj të vitit 2016 këto shtetas po kultivonin sasi të mëdha lënde narkotike me cikël të shkurtër zhvillimi në toka pyll pa pronarë apo në toka në pronësi të shtetit të cilat shfrytëzohen si kullotë nga banorë të zonës.
  21. Rezulton në dosje i administruar Vendimi i pushimit të çështjes penale datë 10.03.2014 i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë ndaj të kallëzuarve z. Artan Habilaj, z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj, me kallëzues z. Artan Arizaj, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, sipas nenit 110 të Kodit Penal, dhe “Vetëgjyqësia”, sipas nenit 277 të Kodit Penal, konflikt i rrjedhur nga një marrëdhënie detyrimi civile e kontratës së huasë për shumën 15.000 Euro (Fashikulli Volumi X).
  22. I pandehuri z. Saimir Tahiri ka qenë në detyrën e Ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë në periudhën nga data 11.09.2013 deri më datë 19.03.2017, ndërsa i pandehuri z. Jaeld Çela ka qenë në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë në periudhën data 05.09.2014 deri më datë 28.04.2017. Për një periudhë të gjatë përpara kësaj detyre i pandehuri z. Jaeld Çela ka punuar në Sektorin e Luftës Kundër Narkotikëve në strukturat e policive vendore dhe të Drejtorisë së Policisë së Shtetit (prej datës 01.10.2004 deri më datë 20.10.2013). Detyrat e fundit të tij, përpara caktimit në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, kanë qenë Specialist në Sektorin Kundër Narkotikëve në Drejtorinë Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve. në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, nga data 01.11.2012 deri më datë 20.10.2013 dhe Zëvendësdrejtor për Krimet në Drejtorinë e Policisë së Vendore Durrës, nga data 21.10.2013 deri më datë 04.09.2014. Pas transferimit nga detyra e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, më datë 28.04.2017 dhe deri më 24.11.2017, i pandehuri Jaeld Çela ka qenë në dispozicion të Drejtorisë së Policisë së Shtetit. Më datë 20.12.2017 ai është përjashtuar nga Policia e Shtetit.
  23. Në fashikullin e gjykimit këto të dhëna rezultojnë përkatësisht nga këqyrja e faqes zyrtare të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ku rezultojnë dekretet e emërimit dhe shkarkimit të të pandehurit z. Saimir Tahiri, si dhe nga aktet e emërimit dhe transferimit të të pandehurit Jaeld Çela, të ardhura me shkresën nr. 2/708-1 prot., datë 25.04.2018, të Drejtorisë së Policisë së Shtetit.
  24. Nga monitorimi ajror i territorit të vendit tonë, i kryer në vitin 2016 nga misioni italian i Guardia Di Finanzas, është verifikuar kultivimi i bimëve narkotike “cannabis sativa” në disa zona të vendit. Mes të tjerave, sipërfaqe të konsiderueshme toke të mbjella me bimë narkotike janë konstatuar në hapësirën territoriale që ishte nën juridiksionin e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
  25. Konkretisht, në zbatim të Protokollit të Bashkëpunimit nr. 2792, datë 16.05.2012 “Për monitorimin ajror të territorit shqiptar me avionë të Guardia Di Finanzas, për identifikimin e parcelave me bimë narkotike”, misioni italian i Guardia Di Finanzas, në vitin 2016, ka verifikuar nga ajri territorin e vendit tonë në lidhje me kultivimin e bimëve narkotike dhe gjetjet ia ka përcjellë Policisë së Shtetit, duke i dërguar gjithsej 27 raporte monitorimi në të cilat janë treguar sipërfaqet e mbjella dhe koordinatat gjeografike të tyre (nga këto 12 monitorime kanë evidentuar kultivimin e bimëve narkotike “cannabis sativa” në Qarkun e Vlorës). Këto raporte i janë vënë në dispozicion Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë me shkresën nr. 1274/1 prot., datë 07.03.2017, të Drejtorisë së Policisë së Shtetit. Nga raportet e monitorimit të kultivimit të bimëve narkotike për periudhën kohore nga Janari i vitit 2016 e në vijim vërehet se rrethi i Vlorës ka sipërfaqet më të mëdha të mbjella me bimë narkotike, siç pasqyrohet në vijim:
  1. Raporti datë 25.07.2016, që ka evidentuar 42 parcela me sipërfaqe 28,140 m2 të mbjella. Nga aty merret dijeni se numri i raporteve të plantacioneve të dorëzuara është 7, numri i plantacioneve të dyshuara dhe të raportuara është 303 dhe se sipërfaqja e raportuar e plantacioneve është 155,029 m2. Bashkëlidhur ndodhet edhe lista e vendeve të konstatuara dhe të raportuara për Vlorën, konkretisht Vllahinë, Kotë, Armen. Në këto tabela jepet me saktësi sipërfaqja, data e konstatimit, data e raportimit, Qarku, Vendi, koordinatat e sakta gjeografike të vendndodhjes së çdo parcele të mbjellë me lëndë narkotike. Me shkresën nr. 562/86 prot., datë 27.07.2016 të Drejtorisë së Policisë së Shtetit është dërguar ky informacion në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.
  2. Raporti me datë 27.06.2016 ku tregohet se janë gjithsej 121 plantacione të dyshuara me një sipërfaqe 71,180 m2 të bimëve narkotike në Qarkun e Vorës, ku numri i raportimeve të dorëzuara është 8, numri i plantacioneve të dyshuara të raportuara është 423 dhe se sipërfaqja e plantacioneve të raportuara është 226.209 m2. Vendet e individualizuara janë Dhivër, Mesopotam, Kotë, Vllahinë, Armen, Lukovë. Në këto tabela jepet me saktësi sipërfaqja, data e konstatimit, data e raportimit, Qarku, Vendi, koordinatat e sakta gjeografike të vendndodhjes së çdo parcele të mbjellë me lëndë narkotike. Me shkresën nr. 562/86 prot., datë 27.07.2016 të Drejtorisë së Policisë së Shtetit është dërguar ky informacion në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.
  3. Në Raportin e Monitorimit datë 03.08.2016 janë konstatuar në Shkodër dhe në Vlorë 25 parcela me bimë narkotike me sipërfaqe totale 15,191 m2, me numër raportesh të dorëzuara 9, numër plantacionesh të dyshuara 448 dhe me sipërfaqe të përgjithshme 241,400 m2. Në këto tabela jepet me saktësi sipërfaqja, data e konstatimit, data e raportimit, Qarku, Vendi, koordinatat e sakta gjeografike të vendndodhjes së çdo parcele të mbjellë me lëndë narkotike. Në Qarkun Vlorë jepet informacion për parcela të ndodhura në Kotë dhe Vllahinë. Me shkresën nr. 562/107 prot., datë 28.08.2016 të Drejtorisë së Policisë është dërguar drejt Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë Raporti i Monitorimit nr. 9, datë 03.008.2016 për 14 parcela me të dhënat fluturuese datë 19.07.2017.
  4. Nga Raporti datë 05.08.2016 rezulton se në Vlorë janë konstatuar 26 parcela të dyshuara me sipërfaqe 21,514 m2. Numri i raportimeve të dorëzuara pasqyrohet 10, numri i plantacioneve të dyshuara është 474 dhe sipërfaqja e përgjithshme e kultivimit është 262,914 m2. Në këto tabela jepet me saktësi sipërfaqja, data e konstatimit, data e raportimit, qarku, vendi, koordinatat e sakta gjeografike të vendndodhjes së çdo parcele të mbjellë me lëndë narkotike. Këto parcela janë konstatuar në Vllahinë dhe në Armen. Me shkresën nr. 562/105 prot., datë 08.08.2016 të Drejtorisë së Policisë i bëhet me dijeni Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë Raporti i Monitorimit nr. 10, datë 05.08.2016 për 26 parcela me të dhënat fluturuese datë 19.07.2016.
  5. Nga raporti i monitorimit datë 09.08.2016 rezulton se në Vlorë ka 88 parcela të kultivuara me lëndë narkotike me një sipërfaqe 24,285 m2. Numri i raporteve të dorëzuara është 11, numri i plantacioneve të dyshuara është 562 dhe se sipërfaqja e përgjithshme e kultivimit është 287,369 m2. Në këto tabela jepet me saktësi sipërfaqja, data e konstatimit, data e raportimit, qarku, vendi, koordinatat e sakta gjeografike të vendndodhjes së çdo parcele të mbjellë me lëndë narkotike. Vendndodhja e këtyre parcelave është në Armen, Kotë, Vllahinë, Selenicë. Me shkresën nr. 562/122 prot., datë 11.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Shtetit bëhet me dije Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë për Raportin nr. 11, datë 09.08.2016 të monitorimit me datë fluturimi 19.07.2016.
  6. Në Raportin datë 10.08.2016 rezulton të jenë konstatuar 43 parcela me lëndë narkotike me sipërfaqe 97,588 m2. Numri i raporteve të dorëzuara janë 12, numri i plantacioneve të dyshuara të raportuara janë 605 dhe sipërfaqja e përgjithshme e parcelave të kultivuara është 384,977 m2. Në këto tabela jepet me saktësi sipërfaqja, data e konstatimit, data e raportimit, qarku, vendi, koordinatat e sakta gjeografike të vendndodhjes së çdo parcele të mbjellë me lëndë narkotike. Vendndodhja e këtyre parcelave është në Armen, Kotë, Vllahinë, Selenicë. Me shkresën nr. 562/121 prot., datë 11.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Shtetit është bërë me dije Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë për Raportin nr. 12 të monitorimit, datë 10.08.2016 dhe me datë fluturimi 19.07.2016.
  7. Nga Raporti datë 11.08.2016 janë konstatuar në Vlorë 87 parcela të kultivuara me lëndë narkotike me sipërfaqe 17,718 m2. Numri i raporteve mbi plantacionet të dorëzuara është 13, numri i raporteve mbi plantacionet e dyshuara është 692 dhe sipërfaqja e përgjithshme e raportuar e plantacioneve është 305,107 m2. Në këto tabela jepet me saktësi sipërfaqja, data e konstatimit, data e raportimit, Qarku, Vendi, koordinatat e sakta gjeografike të vendndodhjes së çdo parcele të mbjellë me lëndë narkotike. Vendndodhja e këtyre parcelave është në Armen, Kotë, Vllahinë. Me shkresën nr. 562/124 prot., datë 15.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Shtetit bëhet me dije Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë për Raportin e monitorimit nr. 13, datë 11.08.2016 me datë fluturimi 19.07.2016.
  8. Në Raportin nr. 15, datë 17.08.2016 janë konstatuar parcela të kultivuara me lëndë narkotike në Fier, Mallakastër, Tepelenë dhe Vlorë, gjithsej 86, me sipërfaqe 27,212 m2. Numri i raportimeve të dorëzuara është 15, numri i plantacioneve të dyshuara të raportuara është 926 dhe sipërfaqja e përgjithshme e plantacioneve të raportuara është 501,485 m2. Në këto tabela jepet me saktësi sipërfaqja, data e konstatimit, data e raportimit, qarku, vendi, koordinatat e sakta gjeografike të vendndodhjes së çdo parcele të mbjellë me lëndë narkotike. Vendndodhja e këtyre parcelave është në Novoselë, Qendër, Armen, Kotë, Vllahinë, Selenicë. Me shkresën nr. 562/133 prot., datë 19.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Shtetit është bërë me dije Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë për Raportin nr. 15, datë 17.08.2016 me datë fluturimi 22.07.2016.
  9. Nga Raporti nr. 16, datë 18.08.2016 janë konstatuar në Fier, Durrës, Mallakastër, Vlorë dhe Kurbin 139 parcela të kultivuara me lëndë narkotike me sipërfaqe 93,717 m2. Numri i plantacioneve të raportuara është 16, numri i plantacioneve të dyshuara është 1065 dhe sipërfaqet e raportuara si të dyshuara janë 595,202 m2. Në këto tabela jepet me saktësi sipërfaqja, data e konstatimit, data e raportimit, qarku, vendi, koordinatat e sakta gjeografike të vendndodhjes së çdo parcele të mbjellë me lëndë narkotike. Vendndodhja e këtyre parcelave është në Novoselë, Shushicë, Qendër. Me shkresën nr. 562/141 prot., datë 22.08.2016 të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bëhet me dije Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë për Raportin e monitorimit nr. 16, datë 18.08.2016 me datë fluturimi 22.07.2016.
  10. Nga Raporti nr. 17, datë 19.08.2016 rezulton se janë konstatuar në Mallakastër, Fier dhe Vlorë 54 parcela të kultivuara me lëndë narkotike dhe me një sipërfaqe 70,655 m2. Numri i raportimeve të plantacioneve të dyshuara është 17, numri i parcelave të dokumentuara ka qenë 1368 dhe sipërfaqja e tyre ka qenë 44,7 ha. Në këto tabela jepet me saktësi sipërfaqja, data e konstatimit, data e raportimit, qarku, vendi, koordinatat e sakta gjeografike të vendndodhjes së çdo parcele të mbjellë me lëndë narkotike. Vendndodhja e këtyre parcelave është në Brataj, Horë Vranisht. Me shkresën nr. 562/139 prot., datë 22.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Shtetit është bëjë me dije Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë për Raportin nr. 17, datë 19.08.2016 me datë fluturimi 27.07.2016.
  11. Nga Raporti nr. 18, datë 22.08.2016 rezulton se në Delvinë, Mallakastër, Sarandë, Vlorë janë konstatuar 57 parcela të kultivuara me lëndë narkotike me sipërfaqe të përgjithshme 154,083 m2. Për vitin 2015 janë raportuar 18 monitorime me 1176 parcela të dyshuara dhe me sipërfaqe të përgjithshme 819,940 m2. Ndërsa për vitin 2015 konstatohet se janë raportuar 36 monitorime, me 1368 parcela të dyshuara dhe me sipërfaqe të përgjithshme kultivimi lënde narkotike të dyshuar 44,7 ha. Në këto tabela jepet me saktësi sipërfaqja, data e konstatimit, data e raportimit, qarku, vendi, koordinatat e sakta gjeografike të vendndodhjes së çdo parcele të mbjellë me lëndë narkotike. Vendndodhja e këtyre parcelave është në Brataj, Sevaster, Vllahinë. Me shkresën nr. 562/143 prot., datë 24.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Shtetit bëhet me dije Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë për Raportin e Monitorimit nr. 18, datë 22.08.2016 me datë fluturimi 22.07.2016 dhe 18.08.2016.
  12. Nga Raporti nr. 20, datë 23.08.2016 është konstatuar se në Mallakastër, Vlorë dhe Kurbin janë konstatuar 88 parcela të dyshuara me bimë narkotike dhe me sipërfaqe 286,248 m2. Në vitin 2016 pasqyrohet se janë raportuar 20 këqyrje nga ajri për 1372 parcela të dyshuara dhe me sipërfaqe 1,257,225 m2. Në vitin 2015 pasqyrohet se janë raportuar 36 këqyrje nga ajri për 1368 parcela të dyshuara dhe me një sipërfaqe 44,7 ha. Në këto tabela jepet me saktësi sipërfaqja, data e konstatimit, data e raportimit, qarku, vendi, koordinatat e sakta gjeografike të vendndodhjes së çdo parcele të mbjellë me lëndë narkotike. Vendndodhja e këtyre parcelave është në Sevaster, Kotë. Me shkresën nr. 562/156 prot., datë 26.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Shtetit është bërë me dije Drejtoria e Policisë Qarku Vlorë për Raportin nr. 20, datë 23.08.2016 me datë fluturimi 17.08.2016.
  1. Në Fashikullin Volumi XIII ndodhet shkresa nr. 423 prot., datë 25.04.2016 e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë drejtuar Stacionit të Policisë Selenicë ku sillet në vëmendje se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit me datë 20.04.2016 ka dërguar shkresën për tërheqje të vëmendjes mbi marrjen e masave parandaluese për kultivimin e bimëve narkotike, dike sjellë në vëmendje Planin e Veprimit nr. 904/2016 për vitin 2016. Në shkresë urdhërohen Stacionet e Policisë Himarë, Selenicë, Livadhja për çeljen e fashikujve për kultivimin e bimëve narkotike për të administruar në to aktet administrative që bëjnë fjalë për masat parandaluese sipas detyrave të caktuara nga drejtoria e përgjithshme. Bashkëlidhur ndodhet edhe praktika shkresore e planit të masave që sillet në vëmendje në shkresë.   
  2. Në Fashikullin Volumi XIII ndodhet Plani i Masave të parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në Stacionin e Policisë Selenicë gjatë vitit 2016 datë 28.04.2016 me nr. 451 prot. Kjo shkresë është hartuar nga Stacioni i Policisë Selenicë dhe është miratuar nga Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, z. Jaeld Çela. Në këtë shkresë pranohet ndër të tjera se kultivimi i bimëve narkotike vazhdon të kryhet edhe në territorin që mbulon Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe se gjatë këtyre viteve një nga format e pasurimit të individëve apo grupeve të organizuara është edhe ushtrimi i kriminal i kultivimit, shitjes dhe trafikimit të lëndës narkotike, duke u konfirmuar se një ndër prioritetet për vitin 2016 është lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike.
  3. Ndër masat e caktuara për të realizuar gjatë këtij viti është përcaktuar të jetë vlerësimi i situatës dhe analizimi i dosjeve të kultivimit të viteve të kaluara për të pasur një hartë të qartë të vendeve ku ushtrohet ky aktivitet kriminal; ndjekja e takimeve ndërgjegjësuese në njësitë vendore; marrja e informacioneve mbi kultivimin e bimëve narkotike nga Stacioni i Policisë Selenicë; evidentimin e territoreve të mundshme ku lënda narkotike kultivohet; njohja e efektivëve të policisë me këto të dhëna; përgatitja e hartës së kultivimit të lëndës narkotike sipas zonave me përparësi; analiza e të dhënave të përfituara dhe planifikimi i shërbimeve policore për kontrollin e territorit; bashkëpunimin me Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesat; bashkëpunimi me strukturat e policisë për evidentimin e individëve dhe grupeve kriminale që merren me kultivimin dhe trafikimin e bimëve narkotike dhe shkëmbimin e informacionit.
  4. Tek masat operacionale të planifikuara për t’u marrë është planifikuar kontrolli i territorit, evidentimi i bimëve narkotike; bashkëpunimi me drejtuesit e njësive vendore; zbatimi i ligjit penal dhe akteve nënligjore; operacionet do të kryhen nga oficerë dhe agjentë të policisë gjyqësore, specialisti i hetimit, ndihmës specialisti dhe ato do të mbështeten nga patrulla e përgjithshme dhe forcat operacionale; kapja dhe sigurimi fizik i kultivuesve, shoqërimi i tyre, përgatitja e informacioneve për prokurorinë, kryerja e hetimeve proaktive; dërgimi i çdo informacioni Drejtorit të Policisë Vlorë; bashkëpunimi me përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe se në përfundimin e operacioneve për asgjësimin e të gjitha sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike dhe të zbatimit të planit të veprimit do të zhvillohet analiza e realizimit të detyrave dhe do të përgatitet informacioni me shkrim për Drejtorin e Policisë Vlorë. Me planin e veprimit është parashikuar të njihen të gjitha strukturat e Stacionit të Policisë Selenicë.
  5. Në Planin e Veprimit datë 09.05.2016 të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, për masat shtesë që duhet të marrin dhe zbatohen nga strukturat e policisë vendore për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të lëndëve narkotike, konstatohet ndër të tjera se për periudhën Janar – Prill 2016 konstatohen se kultivimi i lëndës narkotike bëhet ndër të tjera në zonën e lumit të Vlorës dhe se këto zona janë me risk të lartë duke sjellë në vëmendje se stacionet e policisë nuk kanë kapacitetet e nevojshme për të ushtruar kontrollin e plotë të territorit dhe të logjistikës gjithashtu. Ndër të tjera është konstatuar mungesa e informacioneve policore për personat që merren me këtë aktivitet kriminal, mosangazhimi i strukturave të policisë për kontrollin e territorit në fazat e para të kultivimit të lëndëve narkotike, mosbashkëpunimi me institucionet e tjera administrative, mungesën e informacionit për personat që qarkullojnë në zonat me risk të lartë dhe mosidentifikimi i tyre apo mos marrja e informacioneve për subjektet që investojnë në këto zona për ngritjen e sistemit të ujitjes, plehërimit, blerjen e farërave, pesticideve apo krijimit të vendstrehimit të këtyre personave.
  6. Posaçërisht për drejtuesit e policisë vendore të zonave me risk të lartë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë në këtë akt ngarkon me detyrën e rishikimit edhe një herë të përbërjes së grupeve të ngritura për kontrollin e territorit dhe identifikimin e sipërfaqeve të kultivuara veçanërisht në zonat ku janë krijuar rishtazi stacionet e policisë, duke caktuar përgjegjës grupi në zonat me risk të lartë punonjës policie në funksionin shef seksioni në drejtorinë vendore të policisë. Më tej lihen detyra konkrete për përgjegjësit e grupeve të kontrolli, shefit të sektorit për krimet në drejtorinë vendore, zëvendësdrejtorëve vendorë dhe strukturave vendore për krimet. Më tej caktohet si detyrë e drejtuesve vendorë të policisë që, në rastet kur strukturat vendore të policisë disponojnë informacion se persona të ndryshëm kanë tendencën për të kundërshtuar me armë forcat e policisë, të hartojnë një plan operacional në bashkëpunim me forcat e ndërhyrjes së shpejtë.
  7. Me Planin e Veprimit mbi masa shtesë datë 19.05.2016 të Stacionit të Policisë Selenicë, të miratuar nga Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, z. Jaeld Çela, pasqyrohet ndër të tjera se janë administruar 50 informacione policore për kultivimin e lëndës narkotike në Lapardha, Sevaster, Resulaj, Penkovë, Mazhar, Golimbas, Treblovë. Sillet në vëmendje se kultivimi zhvillohet në ambiente të mbyllura dhe më tej sillen në vëmendje konstatimet e planit të masave të drejtorisë së përgjithshme. Më tej pasqyrohen masat sikurse sillen në vëmendje në shkresën e drejtorisë së përgjithshme.
  8. Nga ana e Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë me shkresën 578 prot., datë 26.05.2016 i bëhet me dije Stacionit të Policisë Selenicë evidentimi i disa parcelave të kultivuara me lëndë narkotike në territorin ku kjo njësi policore ushtronte juridiksionin territorial, duke identifikuar vendet me toponime gjeografike dhe duke identifikuar edhe autorë të dyshuar që kryenin aktivitet kriminal. Në asnjë këto të dhëna nuk pasqyrohet ndonjë informacion mbi bashkëpunëtorët e grupit të z. Taulant Haxhiraj apo të z. Moisi Habilaj. Në vijimin e kësaj shkrese ngarkohet edhe me detyra konkrete Stacioni i Policisë Selenicë. Kjo shkresë është  hartuar nga Zëvendësdrejtori i Policisë së Qarkut Vlorë.
  9. Pas kësaj shkrese, me të njëjtin numër protokolli dhe me të njëjtën datë Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, z. Jaeld Çela i ka drejtuar të njëjtin informacion Stacionit të Policisë Selenicë, duke i kërkuar të merren të gjitha masat për verifikimin në terren të këtyre informacioneve, duke organizuar punën gjurmuese në drejtim të zbulimit dhe identifikimit të veprimtarisë kriminale. Në asnjë këto të dhëna nuk pasqyrohet ndonjë informacion mbi bashkëpunëtorët e grupit të z. Taulant Haxhiraj apo të z. Moisi Habilaj.
  10. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me shkresën nr. 577 prot, datë 26.05.2016 të z. Jaeld Çela me cilësinë e titullarit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë. Me datë 22.06.2016 z. Jaeld Çela me cilësinë e titullarit i komunikon Sektorit të Krimeve informacion për parcelat e zbuluara në stanin e bagëtive të z. Ylli Hoxha dhe bashkëlidhur janë edhe raportet e shërbimit përkatëse.
  11. Me shkresën nr. 484/55, datë 25.05.2016 Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë Publike ka dërguar informacion drejtuar Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë për përfshirjen të vëllezërve Habilaj, konkretisht z. Artan Habilaj, z. Moisi Habilaj dhe z. Artan Habilaj, në aktivitetin e kultivimit të lëndës narkotike “cannabis sativa”. Në këtë shkresë pasqyrohet se vëllezërit Habilaj kanë investuar për hapjen e tokave në fshatin Vërmik për kultivimin e lëndës narkotike të llojit “Spunk” dhe në mbështetje të këtij aktiviteti kriminal kanë aktivizuar disa persona të armatosur nga lagja Çole, Vlorë.
  12. Dy javë më vonë nga moment i dërgimit të informacionit operativ, në Planin Operacional nr. 653, datë 09.06.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, nënshkruar me cilësinë e titullarit nga zëvendësdrejtori i policisë Vlorë, është planifikuar të verifikohet informacioni i ardhur në drejtori për kultivimin e bimëve narkotike në fshatin Vërmik, në vendin “Shpati i Cipinit”. Në planin operacional është hartuar planifikimi i një operacioni të fshehtë policor “Cipini” në orët e para të mëngjesit 05:00 – 10:00, duke u urdhëruar mbajtja në vëzhgim të vazhdueshëm të parcelave, duke u ngarkuar tre funksionarë policie, një nënkomisar dhe dy inspektorë. Nuk ka pasur asnjë të dhënë konkrete të mbledhur nga policia mbi aktivitetin kriminal të dyshuar kundrejt grupit të strukturuar kriminal të kryesuar nga z. Moisi Habilaj apo z. Taulant Haxhiraj.
  13. Në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën mënyrë është hartuar edhe Plani Operacional nr. 654, datë 09.06.2016 për verifikimin e sipërfaqeve të kultivuara me lëndë narkotike në fshatin Vezhdanisht, në përroin e këtij fshati, në vendin e quajtur “Shegale”.
  14. Me shkresën nr. 605/6 prot., datë 10.06.2016 Drejtori i Policisë Qarku Vlorë i komunikon Stacionit të Policisë Selenicë faktin se, rreth dy javë më vonë nga dërgimi së informacionit të ardhur me shkresë nr. 484/55, datë 25.05.2016 nga Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë Publike pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, z. Artan Habilaj dhe z. Florian Habilaj, vëllezër ndërmjet tyre, kanë investuar hapjen e tokave të reja në fshatin Vërmik me qëllim kultivimin e bimëve narkotike të llojit “Spunk”, në afërsi të një gremine të quajtur “Shpati i Cipinit” dhe se në funksion të këtij aktiviteti vëllezërit Habilaj kanë aktivizuar disa persona të armatosur nga lagja “Çole” Vlorë. Gjithashtu në vijimin e shkresës jepet informacion i ngjashëm edhe katërmbëdhjetë raste të tjera kultivimi lënde narkotike. Në këtë shkresë është urdhëruar që nga njësia policore të merren masa për verifikimin në terren të informacionit, duke bashkëpunuar me njësitë vendore apo me kryepleqtë e zonës, shërbimet e Drejtorisë së Bujqësisë, Inspektoratin e Mjedisit dhe Pyjeve në Qarkun Vlorë me qëllim dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, duke urdhëruar gjithashtu që të ndiqet në dinamikë informacioni, duke organizuar edhe punën operative gjurmuese dhe duke urdhëruar edhe përgatitjen e raporteve të shërbimit mbi kontrollet e ushtruara në territoret e sipërpërmendura (shih faqen 325 – 327 të Fashikullit nr. XIII).
  15. Me shkresën 672 prot., datë 13.06.2016, domethënë 3 ditë më vonë se shkresa më lart, z. Jaeld Çela me cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë i është drejtuar me të njëjtin informacion Sektorit të Krimeve, me shkresën me lëndë “Kthim përgjigje shkresës nr. 605/6”, duke sjellë në vëmendje se nga kontrollet e datës 09.06.2016, për verifikimin e informacionit të ardhur me shkresën nr. 605/6, datë 10.06.2016, është konstatuar në fshatin Vërmik, Njësia Administrative Brataj, Bashkia Selenicë, në vendin e quajtur “Shpati i Cipinit”, në anën juglindore të këtij fshati, janë konstatuar 7 parcela të hapura rishtazi në brendësi të pyllit dhe u konstatuan 3150 bimë “cannabis sativa” me gjatësi 20 centimetra dhe se nga ana e tyre janë kryer të gjitha veprimet dokumentare për të paraqitur materialet pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë. Në këtë shkresë jepet informacioni se për këta persona, duke identifikuar z. Artan Habilaj, z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj, pra të tre vëllezërit Habilaj, ka informacione se merren me veprimtarinë e kultivimit të lëndës narkotike dhe se prej policisë është hartuar plani operacional nr. 653, datë 09.06.2016 i koduar me emrin “Cipini” për identifikimin dhe kapjen e autorëve (shih faqe 328 të Fashikullit nr. XIII).
  16. Më tej në këtë shkresë pasqyrohen pak a shumë të njëjtat të dhëna të verifikuara mbi parcelat e tjera të evidentuara nga shkresa e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Më tej pasqyrohet fakti se nga policia është komunikuar me drejtuesin e prokurorisë dhe po vijohet me dokumentimin e rasteve. Nuk ka pasur asnjë të dhënë konkrete të mbledhur nga policia mbi aktivitetin kriminal të dyshuar kundrejt grupit të strukturuar kriminal të kryesuar nga z. Moisi Habilaj apo z. Taulant Haxhiraj.
  17. Me shkresën nr. 581/4 prot., datë 10.06.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni mbi parcelat dhe të dyshuarit, informacion i ardhur përmes shkresës 484/34, datë 25.05.2016 të Drejtorisë së Përgjithshme për Sigurinë Publike. Në shkresën e Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, z. Jaeld Çela, kërkohet që të merren masa për verifikimin e informacionit dhe të bashkëpunohet me institucionet vendore, duke u dokumentuar çdo informacion dhe duke u hartuar raporte shërbimi.
  18. Nga shkresa nr. 671 prot., datë 10.06.2016 Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë i kthen përgjigje për shkresën e mësipërme Sektorit për Krimet, duke pasqyruar rezultatet e verifikimit të datës 13.05.2016, ku janë konstatuar 3 parcela me 280 bimë narkotike 10 centimetra pa autor të identifikuar; të datës 24.05.2016, ku janë konstatuar 3 parcela toke të hapura rishtazi me 320 bimë me lartësi 25 centimetra, pa autorë të identifikuar; të datës 31.05.2016 ku janë konstatuar dy sipërfaqe të hapura të pa kultivuara me bimë narkotike; dhe të datës 3.06.2016 ku janë konstatuar sipërfaqe të hapura të pa kultivuara me bimë narkotike. Shkresa është nënshkruar me përfaqësim të drejtorit të drejtorisë vendore.
  19. Me shkresën nr. 586/1 prot., datë 10.06.2016 rezulton se Drejtoria e Policisë e Qarkut Vlorë i ka përcjellë Stacionit të Policisë Selenicë informacionin për vendet dhe autorët e dyshuar të kultivimit të lëndëve narkotike i ardhur me shkresën 407 prot., datë 25.05.2016 nga Shërbimi Informativ Shtetëror.
  20. Me shkresën nr. 585/1 prot., datë 10.06.2016 të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë bëhet me dije Stacioni i Policisë Selenicë për informacionin e ardhur nga Shërbimi Informativ Shtetëror me shkresën nr. 406 prot., datë 25.05.2016 për kultivimin e lëndës narkotike në Karbunarë.
  21. Me shkresën nr. 588/1, datë 10.06.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë rezulton se Stacionit të Policisë Selenicë i përcillet informacioni i marrë me shkresën nr. 409 prot., datë 26.05.2016 nga Shërbimi Informativ Shtetëror, Drejtoria Vlorë, mbi kultivimin e lëndës narkotike në Mesaplik dhe Velçë.
  22. Me shkresën nr. 654 prot., datë 13.06.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 427 prot., datë 02.06.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në Vezhdanisht, Penkovë, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  23. Me shkresën nr. 655 prot., datë 13.06.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 427 prot., datë 01.06.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Bashaj, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  24. Me shkresën nr. 638/1 prot., datë 15.06.2016 z. Jaeld Çela me cilësinë e titullarit i komunikon Stacionit të Policisë Selenicë informacionin e ardhur nga burime konfidenciale mbi parcelat e kultivuara me lëndë narkotike të mbështetura nga z. Pajtim Hoxha dhe z. Ylli Hoxha dhe kërcënimit që ato i kanë bërë burimit konfidencial. Më tej është urdhëruar njësia policore përkatëse të marrë masat deri në datë 13.06.2016.
  25. Me shkresën nr. 676 prot., datë 15.06.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, nënshkruar nga z. Jaeld Çela, është përcjellë në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve për vendet ku ishin kultivuar lëndë narkotike. Nuk ka datë që të konfirmojë se kur është marrë ky informacion nga drejtoria vendore Vlorë. Ndër të tjera rezulton të jetë pasqyruar edhe fshati Vernik, konkretisht vendi i quajtur “Shpati i Cipinit”, që më herët ishte përcjellë si informacion nga Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë Publike për angazhimin kriminal në kultivimin e lëndës narkotike nga vëllezërit Habilaj. Më tej në shkresë jepen si vende të kultivimit të narkotikëve fshati Resulaj, Fushë-Mavrovë, Velçë, Mesaplik, Kropishtë, Hysoverdhë, Mazhar, Ploçë, Kudhës-Pilur, Rromës, Mërtiraj. Në shkresë kërkohen masa për verifikimin e informacionit. Nuk ka pasur të dhëna konkrete të mbledhura nga policia mbi aktivitetin kriminal të dyshuar kundrejt grupit të strukturuar kriminal të kryesuar nga z. Moisi Habilaj apo z. Taulant Haxhiraj.
  26. Me shkresën nr. 651/1 prot., datë 16.06.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 446 D prot., datë 08.06.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Kotë, Vajzë, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  27. Me Planin Operacional nr. 732, datë 23.06.2016 Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë, të nënshkruar nga z. Jaeld Çela, ka planifikuar kryerjen e një operacioni të fshehtë policor, mbi bazën e të dhënave të marra nga Stacioni i Policisë Selenicë për kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Mesaplik.
  28. Me shkresën nr. 587/1 prot., datë 24.06.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 408 prot., datë 24.06.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Hadëraj, Gorishtë, Gërrnec, Rexhepaj, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  29. Me shkresën nr. 690/1 prot., datë 24.06.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 457 prot., datë 16.06.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Ploçë, Vajzë, Rromës, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  30. Me shkresën nr. 691/1 prot., datë 24.06.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 459 prot., datë 16.06.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Armen, Vajzë, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  31. Me shkresën nr. 692/1 prot., datë 24.06.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 460 prot., datë 16.06.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Lubonjë, Rromës, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  32. Me shkresën nr. 703 prot., datë 24.06.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur nga Drejtoria e Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve, mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Bashaj, Golimbas, Karbunarë, Mavrovë, Mesaplik, Vajzë, Velçë, Rexhepaj, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  33. Nga shkresa nr. 694/1 prot., datë 28.06.2016 e Drejtorisë së Policisë e Qarkut Vlorë rezulton se i është përcjellë Stacionit të Policisë Selenicë informacioni për kultivimin e bimëve narkotike i marrë me shkresën nr. 484/87 prot., datë 17.06.2016 nga Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë, duke i kërkuar stacionit të policisë të marrë masat standarde të verifikimit të informacionit dhe dokumentimit të tij. Në shkresë jepen të dhëna për kultivimin e lëndëve narkotike në fshatin Bashaj, Golimbas, Dorëzë, Sinanaj, Karbunarë, Mesaplik etj., duke identifikuar edhe autorët e dyshuar.
  34. Me shkresën nr. 694/1 prot, datë 28.06.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, nënshkruar nga z. Jaeld Çela, i kthehet përgjigje shkresës së mësipërme, duke sjellë në vëmendje rezultatet e verifikimit, ku në datë 02.06.2016 janë konstatuar 3 parcela me 825 bimë me lartësi 15 centimetra në fshatin Bashaj pa autorë të identifikuar; me datë 04.05.2016 në Golimbas janë konstatuar 3 parcela me 3350 bimë pa autorë të identifikuar; nga verifikimi datë 20.06.2016 është gjetur një parcelë me 220 bimë me gjatësi deri në 40 centimetra dhe u asgjësuan, duke mos identifikuar autorë; në verifikimin datë 21.06.2016 në Mavrovë dhe Hysoverdhë janë konstatuar 2 parcela me 560 bimë me gjatësi 20 centimetra dhe se nuk janë identifikuar autorë.
  35. Nga shkresa nr. 605/6 prot., datë 29.06.2016 e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, z. Jaeld Çela në cilësinë e titullarit, kthen përgjigje shkresës nr. 605/6, duke pasqyruar se nga verifikimet e datës 21.06.2016 janë gjetur sipërfaqe toke të pa kultivuara; nga verifikimet e datës 22.06.2016 është konstatuar një parcelë me 2000 bimë në Vllahinë dhe është proceduar me referimin e veprës penale të parashikuar nga neni 284 të Kodit Penal; nga verifikimi datë 21.06.2016 në Mavrovë janë gjetur dy parcela me 560 bimë narkotike me gjatësi 20 centimetra dhe u asgjësuan, pa u identifikuar autorët; nga verifikimi me datë 26.05.2016 në Mavrovë janë gjetur 2 parcela të hapura me 225 bimë me gjatësi 20 centimetra dhe se janë asgjësuar, pa u identifikuar autorë. Gjithashtu në shkresë jepet informacioni i verifikimit të dy parcelave të tjera të hapura por të pa kultivuara.
  36. Nga shkresa nr. 711/1 prot., datë 29.06.2016 e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, e drejtorit z. Jaeld Çela, rezulton se Stacionit të Policisë Selenicë i është dhënë informacioni i shkresës nr. 788 prot., datë 21.06.2016 i Drejtorisë së Përgjithshme për Sigurinë Publike, i marrë nga një burim konfidencial, mbi kultivimin e bimëve narkotike në fshatin Petë, ku po përgatitej hapja e parcelave dhe ky aktivitet mbështetet nga specialisti i policisë në këtë zonë. Është lënë si detyrë për stacionin e policisë që të merren masat për verifikimin, duke u shprehur në mënyrë standarde si në çdo shkresë të tillë të paraqitur më lart. Shkresa është nënshkruar me përfaqësim të drejtorit të drejtorisë vendore.
  37. Nga shkresa nr. 712/1 prot., datë 29.06.2016 e Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë jepet informacion dhe lihen detyra verifikuese për Stacionin e Policisë Selenicë për parcela të kultivimit të lëndës narkotike në Vllahinë. Ky informacion ka ardhur në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë nga shkresa nr. 789 prot., datë 21.06.2016 e Drejtorisë së Përgjithshme për Sigurinë Publike. Me shkresën nr. 712/3 prot., datë 13.07.2016 i është kthyer përgjigje shkresës nr. 712/1 prot., duke pasqyruar faktin se nga verifikimet në Vllahinë nuk ka lëndë narkotike të kultivuar.
  38. Me shkresën nr. 717/2 prot., datë 29.06.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 475 prot., datë 23.06.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Treblovë, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  39. Nga shkresa nr. 718/1 prot., datë 29.06.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë është dërguar në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i marrë për kultivimin e lëndës narkotike n fshatin Ramicë dhe Mesaplik, informacion i dërguar me shkresën nr. 476 prot., datë 24.06.2016 nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Me shkresën nr. 718/1, datë 30.06.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë rezulton se nga verifikimet e datës 23.06.2016 janë shpallur në kërkim policor disa persona dhe se janë konstatuar 10.000 bimë narkotike deri në 20 cm.
  40. Nga shkresa nr. 586/1 prot., datë 30.06.2016 e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, nënshkruar nga z. Jaeld Çela, pasqyrohet se nga kontrolli i datës 04.05.2016 janë zbuluar 3 parcela me 3350 bimë deri në 15 centimetra, të cilat janë asgjësuar, pa identifikuar autorët
  41. Nga shkresa nr. 676 prot., datë 30.06.2016 e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, e nënshkruar nga titullari z. Jaeld Çela, i kthehet përgjigje shkresës nr. 676, datë 15.06.2016 të ardhur nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Kjo shkresë së cilës i është përgjigjur njësia e policisë vendore rezulton të jetë një nga shkresat që ka dhënë informacion për kultivimin e lëndës narkotike nga vëllezërit Habilaj në fshatin Vërmik në vendin e quajtur “Shpati i Cepinit”. Në shkresën kthim përgjigje njësia vendore e policisë Vlorë kthen përgjigje se nga verifikimi datë 09.06.2016 janë konstatuar 3150 bimë narkotike me gjatësi 20 cm dhe se nuk jepen të dhëna për autorët, duke u pasqyruar se i janë përcjellë materialet Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale të parashikuar nga neni 284 të Kodit Penal. Një informacion i ngjashëm përcillet në të tre fletët e kësaj shkrese lidhur me verifikimin e informacioneve të dërguara.
  42. Me shkresën nr. 830 prot., datë 01.07.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur nga ana e Drejtorisë së Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve Tiranë, mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Penkovë, Mesaplik, Vajzë, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  43. Me shkresën nr. 817/3 prot., datë 26.07.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 43 prot., datë 20.07.2016 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, e cila dërgonte për veprime shkresën nr. 540 prot., datë 20.07.2016 të Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Kropisht, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  44. Me shkresën nr. 797/3 prot., datë 26.07.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 484/145 prot., datë 11.07.2016 nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme për Sigurinë Publike, mbi një informacion i ardhur nga organet ligjzbatuese nr. 484/108, datë 24.06.2016, mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Penkovë, Mesaplik, Bashaj, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  45. Me shkresën nr. 743/1 prot., datë 18.07.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet informacioni dhe detyrat verifikuese për Stacionin e Policisë Selenicë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Mesaplik. Ky informacion kishte ardhur në drejtorinë Vlorë me shkresën nr. 521 prot., datë 08.07.2016 të Shërbimit Informativ Shtetëror.
  46. Me shkresën nr. 789/1 prot., datë 19.07.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 535 prot., datë 14.07.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Kropisht, Ramicë, duke u lënë edhe detyrat standarde.  
  47. Me shkresën nr. 805/1 prot., datë 21.07.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 536 prot., datë 19.07.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Gjorm, duke u lënë edhe detyrat standarde. 
  48. Me Planin Operacional datë 21.07.2016 të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë është planifikuar kryerja e një operacioni policor për verifikimin në terren të informacionit të ardhur nga monitorimi ajror për kultivimin e lëndës narkotike. Në këtë shkresë pasqyrohet se informacioni ka ardhur me datë 15.07.2016 nga Stacioni i Policisë Selenicë për Zonën e Drashovicës, Lapardhasë, vargmaleve të lumit të Vlorës në drejtim të fshatit Kuç, në Bolenë dhe në Vajzë, Petë, Treblovë, Penkoll, Rromës, Vllahinë, Selenicë, Gorishtë, Sevaster. Janë krijuar dy grupe me nga katër funksionarë policie. Nuk ka të dhëna për rezultatet e këtij operacioni.
  49. Me shkresën nr. 824/2 prot., datë 28.07.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me email me datë 21.07.2016, protokolluar me nr. 836, datë 26.07.2016, që bën fjalë për informacione të ardhura nga institucione të tjera ligjzbatuese, për disa parcela të kultivuara me lëndë narkotike në fshatin Ploçë, Vajzë, Kocul, Vërmik, Rromës, Armen, Kotë, duke u lënë edhe detyrat standarde. Në pikën 8 të kësaj shkrese citohet se: “Shtetasit Genci Tafili, Aldo Tafili, Arian Llano e Aleks Revaj nga Vlora evidentohen si persona të aktivizuar për t’u kujdesur për bimët narkotike të kultivuara nga shtetasi Moisi Habilaj në Kocul dhe Vernik. Lëvizja e tyre për në Vërnik për t’u kujdesur për bimët narkotike, dyshohet se bëhet me roje të armatosur të cilët ruajnë edhe parcelat.
  50. Nuk rezulton të ketë masa policore për të verifikuar këtë informacion. Emaili ka ardhur me datë 21.07.2016 dhe është protokolluar në institucion 5 ditë më vonë dhe 7 ditë më vonë i është kërkuar Stacionit të Policisë Selenicë për ta verifikuar. Nuk ka shkresa që të provojnë nëse ka kërkuar më tej Drejtoria e Policisë Qarku Vlorë informacion për verifikimin e këtij informacioni apo jo.
  51. Me shkresën nr. 835/1 prot., datë 28.07.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me email, të protokolluar nr. 835, datë 26.07.2016, për informacione të ardhura nga institucione të tjera ligjzbatuese, për kultivimin e lëndës narkotike në zona me risk të lartë, si Ramicë, Mesaplik, Rromës, Selenicë, Karbunarë, duke u lënë edhe detyrat standarde. Në të jepen edhe emra personash të dyshuar.
  52. Me shkresën nr. 845/1 prot., datë 02.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 558 prot., datë 27.07.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Velçë, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  53. Me shkresën nr. 849/3 prot., datë 03.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur (pa u specifikuar data) nga ana e Drejtorisë së Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve për kultivimin e bimëve narkotike në rrethin e Vlorës, konkretisht në fshatin Ploçë, Vajzë, Rromës, Kotë, Matogjin, Lubonjë, Selenicë, Vllahinë, Karbunarë, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  54. Me shkresën nr. 863/2 prot., datë 04.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 565 prot., datë 01.08.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Shkozë, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  55. Me shkresën nr. 864/1 prot., datë 04.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 566 prot., datë 02.08.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Gjorm, Brataj, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  56. Me shkresën nr. 877/1 prot., datë 10.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 580 prot., datë 04.08.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Sevaster, Brataj, Lepenicë, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  57. Me shkresën nr. 878/1 prot., datë 10.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 584 prot., datë 04.08.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Brataj, duke u lënë edhe detyrat standarde. Bashkëlidhur është edhe foto gjeografike e printuar për individualizimin e vendit dhe informacioni përcillet edhe me të dhënat e të dyshuarit të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
  58. Me shkresën nr. 538/2, datë 09.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë jepen të dhënat e verifikimit për parcelat e evidentuara. Nuk ka asnjë subjekt të identifikuar si autor. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me shkresën nr. 703/1 prot., datë 09.08.2016; shkresën nr. 703/1 prot., datë 09.08.2016; shkresën nr. 830/1 prot., datë 09.08.2016; shkresën datë 03.08.2016; datë 04.08.2016; datë 05.08.2016; datë 11.08.2016; datë 12.08.2016.
  59. Me shkresën nr. 847/3, datë 05.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur elektronikisht dhe protokolluar nr 847 prot., datë 28.07.2016 për Raportin e Monitorimit nr. 8, datë 28.07.2016, duke sjellë në vëmendje koordinatat specifike të vendeve të dyshuara se kultivohet lëndë narkotike, ardhur si informacion nga Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë Publike. Janë lënë për njësinë policore masa për hartimin e planeve, verifikimin, fotografimin e informacionit dhe dërgimin e përgjigjes me datë 05.08.2016. Bashkëlidhur është raporti dhe fotot përkatëse me shënjimet konkrete dhe lista e parcelave dhe koordinatave të parcelave.
  60. Me shkresën nr. 562/121 prot., datë 11.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë është dërguar në Stacionin e Policisë Selenicë Raporti i Monitorimit nr. 12, datë 10.08.2016 për 43 parcela të kultivuara me lëndë narkotike, duke caktuar detyrat standarde të verifikimit dhe dokumentimit.
  61. Rezulton se me shkresën nr. 890/4 prot., datë 12.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet tek Stacioni i Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën 484/216 prot., datë 05.08.2016 nga Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë Publike mbi mbjelljen e sipërfaqeve të tokës me lëndë narkotike në Penkovë, Treblovë, Ramicë, Vajzë, Gorisht, Brataj, Mallkeq, Kocul, Vermik, Matogjin, Gjorëm, Kalivaç. Në një nga pikat e informacionit rezulton se kjo shkresë mban informacionin si vijon: “Çoban Tozaj dhe Elmas Velaj dyshohen se kanë kultivuar bimë narkotike në fshatrat Mallkeq, Kocul, Vermik e Matogjin. Në funksion të këtij aktiviteti Tozaj dhe Veliaj, kanë krijuar një grup personash të armatosur, ndërsa dyshohet se janë në konflikt me vëllezërit Habilaj për shkak të kultivimit të bimëve narkotike në të njëjtin vend.” (shih Fashikullin Volumi XIV, faqe 86 – 89).
  62. Nuk rezulton të ketë asnjë informacion konkret për të konkluduar nëse është verifikuar apo jo ky rast dhe çfarë masash konkrete janë ndërmarrë për zbulimin e parcelave të grupeve rivale he dokumentimit të të dhënave për identifikimin e autorëve. Nuk rezulton të ketë asnjë plan masash për operacion policor lidhur me zbulimin, ndjekjen apo hetimin e këtij rasti.
  63. Nga shkresat datë 09.08.2016, datë 15.08.2016, datë 16.08.2016, datë 18.08.2016, datë 20.8.2016, 22.08.2016, 23.08.2016; datë 26.08.2016 (shkresa nr. 605/9, nr. 655/2, nr. 638/3, nr. 743/3 prot.) të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë rezulton se janë kryer disa verifikime në disa parcela, janë gjetur ato dhe bimë narkotike të numërtuara në rrënjë. Nuk ka në asnjë rast asnjë informacion për identifikimin e autorëve të dyshuar. Bashkëlidhur ka një raport shërbimi për parcelat e gjetura tek stanet e bagëtive të z. Ylli Hoxha dhe z. Pajtim Hoxha.
  64. Rezultojnë të administruara disa plane operacionale të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë. Konkretisht me Planin Operacional nr. 895/2, datë 16.08.2016 është planifikuar verifikimi në terren i informacionit të ardhur nga raporti i monitorimit ajror në datat 27.07.2016 dhe 28.07.2017 nga Guardia di Finanza. Janë planifikuar dy grupe për kryerjen e operacionit policor. Nga Plani Operacional nr. 969, datë 29.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë është planifikuar kryerja e operacionit policor për verifikimin e të dhënave të ardhura përmes Drejtorisë së Përgjithshme për Sigurinë Publike të Guardia di Finanza për kultivimin e lëndëve narkotike në Gorisht, duke u planifikuar 5 grupe policore. Nga Plani Operacional nr. 982, datë 31.08.2016 i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë rezulton se është planifikuar verifikimi i informacionit të ardhur nga monitorimi ajror i Guardia di Finanza, konkretisht për raportimet nr. 7, nr. 8, nr. 9, nr. 10, nr. 11, nr. 12 dhe nr. 13 me vendndodhje në Bashkinë Selenicë, duke u planifikuar 6 grupe policore. E njëjta gjë është planifikuar të verifikohet edhe me Planin Operacional nr. 995, datë 06.09.2016, përmes 6 grupeve policore, dhe me Planin Operacional nr. 1020, datë 12.09.2016, përmes 6 grupeve policore, nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë.
  65. Me shkresën nr. 908/1 prot., datë 19.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur në datë të papërcaktuar në këtë shkresë nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve Tiranë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Penkovë, Picar, Selenicë, Ramicë, Vajzë, Gorisht, Gjorm, Gropisht, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  66. Me shkresën nr. 914/1 prot., datë 23.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 611 prot., datë 10.08.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Bashaj, Gjorm, Mazhar dhe Lapardha, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  67. Me shkresën nr. 915/1 prot., datë 23.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 612 prot., datë 11.08.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Peshkëpi, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  68. Me shkresën nr. 926/1 prot., datë 23.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 562/124 prot., datë 12.08.2016 nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme për Sigurinë Publike lidhur me Raportin e Monitorimit nr. 13, datë 11.08.2016, për ekzistencën e 87 parcelave me koordinatat e përcaktuara të përftuara me të dhënat e fluturimit datë 19.07.2016. Në shkresë lihen detyrat standard të verifikimit dhe dokumentimit dhe caktohet data 28.08.2016 si datë për paraqitjen e informacionit të plotë. Nuk ka asnjë të dhënë që të provojë se detyrat e caktuara janë plotësuar apo që të provojë se çfarë veprimesh administrative janë ndërmarrë nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Qarkut Vlorë pas datës 28.08.2016 në drejtim të Stacionit të Policisë Selenicë.
  69. Me shkresën nr. 961/1 prot., datë 31.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 631 prot., datë 24.08.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Rexhepaj, Gorisht, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  70. Me shkresën nr. 925/1 prot., datë 23.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 562/121 prot., datë 11.08.2016 nga Drejtoria e Përgjithshme për Siguri Publike, informacion i cili lidhet me Raportin e Monitorimit nr. 12, datë 10.08.2016 për 43 parcela me koordinatat përkatëse me të dhënat e fluturimit 19.07.2016 mbi kultivimin e lëndës narkotike. Në shkresë janë lënë detyrat standarde me afat plotësimi datë 28.08.2016. Nuk ka të dhëna konkrete mbi rezultatet e përftuara nga kjo porosi dhe urdhër i policisë vendore.
  71. Me shkresën nr. 962/1 prot., datë 31.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 632 prot., datë 25.08.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Mërtiraj, Gorisht, Shkozë dhe Dushkarak, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  72. Me shkresën nr. 963/1 prot., datë 31.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 634 prot., datë 26.08.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Gorisht, Rexhepaj, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  73. Me shkresën nr. 936/2 prot., datë 31.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 618 prot., datë 18.08.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Lapardha, Shashicë, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  74. Me shkresën nr. 987/1 prot., datë 07.09.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 639 prot., datë 01.09.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Peshkëpi, Kocul, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  75. Me shkresën nr. 988/1 prot., datë 07.09.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 640 prot., datë 01.09.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Peshkëpi, Rexhepaj, Lapardha, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  76. E shkresën nr. 1003/1 prot., datë 09.09.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë është informuar Stacioni i Policisë Selenicë për shkresën nr. 562/170 prot., datë 31.08.2016 të Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë Publike mbi Raportin e Monitorimit nr. 18 dhe nr. 20, duke specifikuar secilat koordinata për vendet e dyshuara të kultivuara me lëndë narkotike.
  77. Me shkresën nr. 1038 prot., datë 14.09.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën e pa përcaktuar se kur nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve Tiranë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Lapardha, Velçë, Gjorm, Brataj, Kropisht, Vërmik, Sevaster, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  78. Me shkresën nr. 654/1, datë 14.09.2016, nr. 915/2 prot., datë 14.09.2016, nr. 690/2 prot., datë 14.09.2016, shkresa nr. 642/2 prot., datë 14.09.2016, nr. 717/3 prot., datë 14.09.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë rezulton se nga verifikimet e kryera janë konstatuar parcela të hapura apo parcela të kultivuara. Rezulton se janë pasqyruar të dhënat nga verifikimi në terren i disa parcelave dhe ka informacione të pakta mbi disa persona të dyshuar të përfshira në aktivitetin kriminal të narkotikëve. Në asnjë prej tyre nuk ka të dhëna për grupin e strukturuar kriminal të z. Moisi Habilaj apo z. Taulant Haxhiraj.
  79. Me shkresën nr. 1007/1 prot., datë 16.09.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 659 prot., datë 04.08.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Vezhdanisht, Mavrovë, Peshkëpi, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  80. Me shkresën nr. 1017/1 prot., datë 16.09.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. A-201/1, datë 31.08.2016 të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, nga një informacion anonim, për kultivimin e lëndëve narkotike në fshatin Lapardha, duke u lënë edhe detyrat standarde. Bashkëlidhur është edhe informacioni anonim.
  81. Me shkresën nr. 1026/3 prot., datë 16.09.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 484/304 prot., datë 06.09.2016 nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme për Sigurinë Publike mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Lapardha, Shashicë, Dushkarak, Brataj, Velçë, Gjorm, Sevaster, Vermik, Mazhar, Vajzë, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  82. Me shkresën nr. 1027/1 prot., datë 16.09.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 562/185 prot., datë 06.09.2016 mbi Raportin e Monitorimit nr. 14, datë 12.08.2016 të përcjellë nga Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë Publike, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  83. Me shkresën nr. 698/4 prot., datë 16.09.2016, nr. 965/2, datë 16.09.2016, nr. 1026/6 prot, datë 16.09.2016, nr. 963/7 prot., datë 16.09.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë rezulton se janë pasqyruar të dhënat nga verifikimi në terren i disa parcelave dhe ka informacione të pakta mbi disa persona të dyshuar të përfshira në aktivitetin kriminal të narkotikëve. Në asnjë prej tyre nuk ka të dhëna për grupin e strukturuar kriminal të z. Moisi Habilaj apo z. Taulant Haxhiraj.
  84. Me shkresën nr. 797/4 prot., datë 19.09.2016, nr. 817/5 prot., datë 19.09.2016, nr. 824/6 prot, datë 19.09.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë rezulton se janë pasqyruar të dhënat nga verifikimi në terren i disa parcelave dhe ka informacione të pakta mbi disa persona të dyshuar të përfshira në aktivitetin kriminal të narkotikëve. Në asnjë prej tyre nuk ka të dhëna për grupin e strukturuar kriminal të z. Moisi Habilaj apo z. Taulant Haxhiraj.
  85. Në shkresën nr. 824/6 prot., datë 19.09.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë pasqyrohet se nga verifikimi në fshatin Kocul me datë 13.09.2016 janë konstatuar 7800 bimë narkotike në 13 parcela me gjatësi deri në 200 centimetra dhe se për shtetasit z. Genci Tafili, z. Aldo Tafili, z. Arian Llano, z. Aleks Revaj dhe z. Moisi Habilaj nuk rezultojnë të dhëna për kultivim bimësh narkotike në këtë vend. Më tej pasqyrohet se në Brataj janë gjetur 2 parcela me 1200 bimë narkotike, në Rromës janë gjetur 7 parcela me 4,300 bimë me gjatësi 200 cm dhe 8,000 bimë fidanë në kubikë. Më tej ka të dhëna për zbulimin në Armen të bimëve 2,424 copë me lartësi deri në 180 cm. Me datë 20.08.2016 në fshatin Lubonjë janë gjetur 9 parcela me 705 bimë me lartësi deri në 200 cm, duke dhënë edhe të dhëna për dy persona konkret të përfshirë. Ky informacion në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë është marrë me shkresën nr. 836 prot., datë 26.07.2016 nga Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë Publike Tiranë. Kjo do të thotë se janë dashur rreth 50 ditë që të konfirmohet informacioni i ardhur për kultivimin e lëndëve narkotike dhe verifikimin e të dhënave mbi përfshirjen e personave në aktivitetin kriminal të kultivimit të lëndëve narkotike. (shih Fashikullin Volumi nr. XIV, faqe 200 – 201).
  86. Me shkresën nr. 849/4 prot., datë 21.09.2016; shkresën nr. 849/4 prot., datë 21.09.2016; shkresën nr. 863/3 prot., datë 21.09.2016; shkresën nr. 890/7 prot., datë 21.09.2016; shkresën nr. 908/5 prot., datë 21.09.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë rezulton se janë pasqyruar të dhënat e konstatuara në verifikimin e parcelave me lëndë narkotike të vende të ndryshme, duke treguar vendet dhe bimët e gjetura. Nuk ka asnjë të dhënë për pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal të kryesuar nga z. Moisi Habilaj apo z. Taulant Haxhiraj.
  87. Me shkresën nr. 1043/1 prot., datë 22.09.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 684 prot., datë 16.09.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Lapardha dhe Mazhar, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  88. Me shkresën nr. 1044/1 prot., datë 22.09.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 689 prot., datë 19.09.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Lapardha, Velçë, Brataj, Gjorm, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  89. Me shkresën nr. 1059/1 prot., datë 26.09.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 1030/1 prot., datë 16.09.2016 nga ana e Drejtoria për Krimet mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Mazhar, Sevaster, duke u lënë edhe detyrat standard deri me datë 28.09.2016.
  90. Me shkresën 1059/2 prot., datë 26.09.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë pasqyrohet të dhëna për kultivimin e lëndëve narkotike në Sevaster, duke pasqyruar të dhënat e verifikimit në terren.
  91. Me shkresën nr. 877/2 prot., datë 27.09.2016; nr. shkresën nr. 936/3 prot., datë 27.09.2016; shkresën nr. 988/2 prot., datë 27.09.2016; shkresën nr. 1028/78 prot., datë 27.09.2016; shkresën nr. 1017/2 prot., datë 27.09.2016; shkresën nr. 987/2 prot., datë 27.09.2016 të të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë rezulton se janë pasqyruar të dhënat e konstatuara në verifikimin e parcelave me lëndë narkotike të vende të ndryshme, duke treguar vendet dhe bimët e gjetura. Nuk ka asnjë të dhënë për pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal të kryesuar nga z. Moisi Habilaj apo nga z. Taulant Haxhiraj.
  92. Me shkresën nr. 988/2 prot., datë 07.10.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë konstatohet se është verifikuar informacioni i ardhur me shkresën 988/1, datë 07.09.2016 nga Sektori i Krimeve dhe shkresa nr. 640 prot., datë 01.09.2016 e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi të dhënat për kultivimin e lëndëve narkotike në Peshkëpi të treguar në raportin e monitorimit ajror nga Guardia di Finanza të realizuar me datë 27.07.2016. Në këtë shkresë janë pasqyruar se janë gjetur 9 parcela në brendësi të pyllit në Vllahinë me 580 bimë lëndë narkotike me gjatësi deri 180 centimetra. Nuk ka të dhëna për persona të përfshira në këtë aktivitet. Kjo do të thotë se janë dashur rreth 36 ditë kohë për Drejtorinë e Policisë Vlorë për të verifikuar informacionin.
  93. E njëjta gjë pasqyrohet në shkresën nr. 585/2 prot., datë 07.10.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, ku tregohet se informacioni i marrë me datë 25.05.2016 me shkresën nr. 406 prot., të Shërbimit Informativ Shtetëror Vlorë është verifikuar me datë 03.10.2016 në terren dhe se nga ky operacion policor janë konstatuar 8 parcela me 800 bimë narkotike me gjatësi deri në 200 centimetra. Tregohet se bimët janë shkulur dhe djegur. Kjo do të thotë se ky informacion është dashur 113 ditë më vonë se sa ka ardhur në njësinë vendore të policisë Vlorë.
  94. Me shkresën nr. 1116/1 prot., datë 17.10.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 484/345 prot., datë 07.10.2016 nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme për Siguri Publike mbi kultivimin e lëndës narkotike në Rromës, Selenicë, Resulaj, Treblovë, duke u treguar se për parcelat e mbjella ka pasur edhe përplasje ndërmjet grupeve rivale dhe duke u lënë edhe detyrat standarde.
  95. Me shkresën nr. 1144/4 prot., datë 20.10.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 766 prot., datë 14.10.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Brataj, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  96. Me shkresën nr. 1145/2 prot., datë 20.10.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 767 prot., datë 14.10.2016 nga ana e Drejtorisë së Shërbimit Informativ Vlorë mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Mesaplik, duke u lënë edhe detyrat standarde.
  97. Në Fashikullin Volumi XIV prokuroria ka sjellë si provë shkresën nr. 1116/3, datë 25.10.2016 (Resulaj, Romës, Treblovë, Ponçarë, Banja, Shkozë); shkresën nr. 694/8 prot., datë 25.10.2016 (Golimbas, Mosaplik, Brataj, Selenicë); shkresën nr. 651/2 prot., datë 26.10.2016 (Vajzë); shkresën nr. 587/2 prot., datë 27.10.2016 (Hadëraj, Gorisht); shkresën nr. 690/4 prot., datë 27.10.2016 (Vajzë); shkresën nr. 691/2 prot., datë 27.10.2016 (Armen, Vajzë); shkresën nr. 845/2 prot, datë 31.10.2016 (Velçë); shkresën nr. 797/5 prot., datë 31.10.2016 (Vajzë dhe Ploçë); shkresën nr. 824/7 prot., datë 31.10.2016 (Ploçë, Vajzë, Kotë, Matogjin, Armen); shkresën nr. 805/2 prot., datë 31.10.2016 (Gjorm); shkresën nr. 1007/2 prot., datë 01.11.2016 (Vezhdanisht, Kocul, Mavrovë, Peshkëpi); shkresën nr. 415/4 prot., datë 02.11.2016 (Peshkëpi); shkresën nr. 590/8 prot., datë 07.11.2016 (Vajzë, Brataj, Gjorm, Kropisht); shkresën nr. 914/2 prot., datë 07.11.2016 (Vërmik, Gjorm, Lapardha); shkresën nr. 878/2 prot., datë 07.11.2016 (Brataj); shkresën nr. 1026/12 prot., datë 07.11.2016 (Velçë, Gjorm, Peshkëpi, Kropisht, Sevaster, Lapardha); shkresën nr. 1146/4 prot., datë 14.11.2016 (Bashaj); shkresën nr. 1144/5 prot., datë 14.11.2016 (Brataj); shkresën nr. 962/3 prot., datë 14.11.2016 (Mërtiraj, Gorisht); shkresën nr. 784/2 prot., datë 14.11.2016 (Kropisht, Ramicë); shkresën nr. 1043 prot., datë 14.11.2016 (Mazhar), Lapardha); shkresën nr. 1038/1 prot., datë 14.11.2016 (Lapardha, Dushkarak, Brataj, Velçë, Gjorm, Peshkëpi, Kropisht, Sevaster, Vërmik, Lapardha, Velçë); shkresën nr. 547/2 prot., datë 14.11.2016 (Vllahinë, Kropisht, Mavrovë); shkresën nr. 1044/2 prot., datë 14.11.2016 (Lapardha, Brataj, Velçë, Gjorm); shkresën nr. 650.2 prot., datë 21.11.2016 (Ploçë, Vajzë, Sevaster, Amonicë). Në këto shkresa jepen rezultatet e kontrollit dhe verifikimit në terren të informacioneve operative të organeve ligjzbatuese dhe se në asnjë prej tyre nuk ka asnjë të dhënë për ndonjë subjekt të përfshirë në grupin e strukturuar kriminal të drejtuar nga z. Taulant Haxhiraj apo z. Moisi Habilaj.
  98. Në shkresën nr. 878/2 prot., datë 07.11.2017 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë (nënshkruar nga z. Jaeld Çela) rezulton se informacioni i datës 04.08.2016 i Drejtorisë së Shërbimit Informativ Shtetëror Vlorë për kultivimin e lëndëve narkotike dhe subjektin e dyshuar është verifikuar nga policia në terren përmes operacionit policor të datës 21.09.2016. Në Brataj rezulton të jenë gjetur dhe asgjësuar 4,790 bimë narkotike dhe se për të dyshuarin nuk ka asnjë informacion. Rezulton se informacioni operativ i SHISH është verifikuar në terren nga njësia policore vendore Vlorë rreth 48 ditë më vonë (shih faqen 251 të Fashikullit Volumi XIV).
  99. Me shkresën nr. 962/3 prot., datë 14.11.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë (nënshkruar nga z. Jaeld Çela) rezulton se informacioni i datës 25.08.2016 i Drejtorisë së Shërbimit Informativ Shtetëror është verifikuar në terren me operacionin policor datë 20.09.2019, ku në Mërtiraj, Gorisht janë gjetur në disa parcela 2500 bimë narkotike dhe se për të dyshuarin e referuar nuk ka asnjë informacion. Kjo do të thotë se informacioni i SHISH është verifikuar nga policia rreth 26 ditë më vonë (shih faqen 256 të Fashikullit Volumi XIV).
  100. Me shkresën nr. 784/2 prot., datë 14.11.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë (nënshkruar nga z. Jaeld Çela) rezulton se informacioni i datës 14.07.2016 i Shërbimit Informativ Shtetëror Vlorë është verifikuar nga policia në operacionin e datës 21.09.2016, ku në fshatin Ramicë janë gjetur 5 parcela me 1360 bimë narkotike. Nuk ka informacion për subjektin e referuar si të dyshuar nga SHISH. Kjo do të thotë se informacioni i dërguar nga SHISH është verifikuar rreth 79 ditë me vonesë (shih faqen 257 të Fashikullit Volumi XIV).
  101. Me shkresën nr. 650.2 prot., datë 21.11.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë (nënshkruar nga z. Jaeld Çela) konstatohet se informacioni i Shërbimit Informativ Shtetëror Vlorë i datës 16.06.2016 për kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Amonicë është verifikuar në terren nga policia me datë 15.09.2016 dhe janë asgjësuar 5.250 bimë narkotike. Në shkresë tregohet se disponohen të dhëna në rrugë operative për të dyshuar dhe se ato po ndiqen në rrugë policore. Kjo do të thotë se në këtë rast informacioni i SHISH është verifikuar rreth 91 ditë më vonë (shih faqen 264 të Fashikullit Volumi XIV).
  102. Me shkresën nr. 1263/2 prot., datë 25.11.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 484/398 prot., datë 16.11.2016 nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë Publike mbi kultivimin e lëndës narkotike në fshatin Golimbas, duke u lënë edhe detyrat standarde. Ky informacion rezulton të jetë verifikuar me datë 23.11.2016 dhe 09.11.2016 dhe janë zbuluar edhe parcelat edhe subjektet e dyshuar, duke u nisur edhe procedimi penal nr. 2272/2016.
  103. Me shkresën nr. 14/6 prot., datë 11.01.2017 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me shkresën nr. 49/k, datë 01.01.2016 (duhet të jetë gabim material dhe data duhet të jetë 06.01.2016) të ardhur nga Drejtoria e Krimeve në Drejtorisë Përgjithshme për Sigurinë Publike. Në shkresën e ardhur pasqyrohej se sipas një informacioni ka të dhëna se në vendin tone ka hyrë një sasi e madhe e farës “cannabis sativa” dhe se grupe kriminale po përgatiten për kultivimin e lëndës narkotike. Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë lë edhe detyrat përkatëse për Stacionin e Policisë Selenicë.
  104. Në fashikullin Volumi XIII ndodhet e administruar shkresa nr. 372 prot., datë 09.03.2017 e Drejtorisë së Policisë së Shtetit me të cilën i është kthyer përgjigje Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë. Aty pasqyrohet se Stacioni i Policisë Selenicë ka filluar të funksionojë me datë 01.04.2016 dhe se gjatë vitit 2016 janë dhënë 20 informacione policore nga strukturat e këtij organi mbi kultivimin e bimëve narkotike në zonën Treblovë dhe Vezhdanisht. Shkresat janë të listuara dhe të administruara bashkëlidhur kësaj shkrese, nisin nga data 18.04.2016 dhe përfundojnë më datë 02.10.2016. Në shkresa është përcaktuar edhe fshati dhe toponimi gjeografik apo popullor i vendit ku kultivohej lëndë narkotike. Në disa prej shkresave pasqyrohen edhe emra personash që zotërojnë parcelat apo që kultivojnë lëndët narkotike.
  105. Në këtë shkresë pasqyrohet se me qëllim goditjen e aktivitetit kriminal të kultivimit të lëndës narkotike janë zhvilluar planet operacioneve dhe kryer operacionet për kapjen dhe dokumentimin e autorëve të kultivimit të lëndëve narkotike me aktet: 1) Nr. 895/2, datë 16.08.2016; 2) Nr. 982, datë 31.08.2016; 3) Nr. 995, datë 06.09.2016; 4) Nr. 1020, datë 12.09.2016.
  106. Gjithashtu, në shkresë pasqyrohet fakti se për zbatimin e këtyre planeve kanë funksionuar çdo ditë 6 grupe kontrolli me nga 5 vetë secili grup dhe se Bashkia Selenicë ka sipërfaqe gjeografike 561.24 km2 (pesëqind e gjashtëdhjetë e një pikë njëzet e katër kilometra katrorë). Në shkresë pasqyrohet në të njëjtën kohë fakti se nga data 01.04.2016 – 03.03.2017 organika e stacionit ka qenë e paplotësuar gjë që ka bërë që vetëm 17 efektivë të angazhohen me detyrat e sigurimit të rendit. Më tej, në këtë shkresë tregohet se rastet e kultivimit të lëndës narkotike në Treblovë dhe Vezhdanisht në vitin 2016 janë evidentuar 226 parcela dhe asgjësuar 29348 bimë narkotike. Gjatë vitit 2016 Stacioni i Policisë Selenicë, vijon informacionin kjo shkresë, ka hartuar 225 informacione policore, ka evidentuar 95 raste kultivimi lëndësh narkotike, ka asgjësuar 220.732 bimë narkotike të gjetura të kultivuara në 794 parcela. Së fundi, nga shkresa rezulton se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë i përgjigjet Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë se Stacioni i Policisë Selenicë në Treblovë dhe Vezhdanisht ka evidentuar 15 raste të veprave penale të kultivimit të bimëve narkotike dhe nga këto një procedim është ndjekur me metoda proaktive me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.
  107. Përveç monitorimeve ajrore të Guardia Di Finanzas, përhapja në masë të madhe e kultivimit të bimëve narkotike në një pjesë të territorit të vendit dhe veçanërisht në zonën e Vlorës është referuar në Policinë e Shtetit dhe në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë edhe nga institucione të tjera ligjzbatuese në vend (siç rezultoi edhe më lart ku informacionet më të shumta janë dërguar nga SHISH). Pikërisht mbi bazën e informacioneve të marra nga këto organe, Seksioni i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, pasi ka verifikuar në vend disa nga parcelat e mbjella me bimë narkotike, më datë 08.06.2016 ka paraqitur informacion me shkrim për referimin e veprës penale te prokurori. Mbi këtë bazë, më datë 08.07.2016, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka filluar procedimin penal nr. 134 të vitit 2016. Më konkretisht, në informacionin datë 08.06.2016 për referimin e veprës penale te prokurori, përmendet se pikënisje kanë qenë “informacionet e organeve ligjzbatuese” për kultivim bimësh narkotike në vend, me qëllim tregtimin dhe trafikimin jashtë Shqipërisë.
  108. Referimi i policisë gjyqësore përmend vëllezërit Artan, Moisi dhe Florian Habilaj si të përfshirë në këtë veprimtari, përfshirjen e punonjësit të policisë Sokol Bode si dhe emrat e rreth gjashtëdhjetë personave të tjerë për të cilët kishte informacione se ishin të përfshirë në këtë veprimtari, duke kultivuar bimë narkotike pothuaj në të gjithë territorin e Vlorës (fshatrat Vajzë, Velçë, Ploçë, Vërmik, Sevaster, Resulaj, Rromës, Fushë – Mavrovë, Tragjas, Mesaplik, Koprisht, Hysoverdhë, Karaburun, Dukat i Vjetër, Bashaj, Golimbas, Karbunarë, Mertiraj, Painovë, Kuç, Matogjin, Mesaplik, Bashaj si dhe Qafa e Llogarasë, Mali i Pilurit dhe Mali i Shashicës). Sipas informacionit, gjatë muajve prill – maj 2016 e në vazhdim autorët po kultivojnë sasi të mëdha bimësh narkotike, kryesisht me cikël të shkurtër zhvillimi dhe se kultivimi i tyre bëhej në fshatrat e Vlorës, në sipërfaqe tokash me pyll dhe pa pronar ose në sipërfaqe tokash në pronësi shtet që shfrytëzohen për kullotë nga banorët e zonës.
  109. Informacioni i policisë gjyqësore drejtuar prokurorit është shoqëruar me procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes datë 08.06.2016, me fotografi, ku është këqyrur territori i fshatrave Vajzë dhe Velçë, të rrethit Vlorë, të cilat ndodhen në krahun e djathtë të rrugës nacionale Vlorë – Sevaster – Tepelenë. Nga këqyrja janë konstatuar një numër parcelash të mbjella me bimë narkotike, persona që i ruanin ato si dhe infrastrukturë për ujitjen e parcelave. Nga policia gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë është bërë edhe një këqyrje tjetër me procesverbalin e datës 08.09.2016, e shoqëruar me fotografi, ku është këqyrur një sipërfaqe e mbjellë me bimë narkotike në fshatin Treblovë, të rrethit Vlorë, që i përkiste shtetasit Taulant Haxhiraj e që ruhej nga persona të armatosur.
  110. Autorët e kultivimit të bimëve narkotike kishin lidhje dhe bashkëpunonin edhe me pjesëtarë të caktuar të policisë së shtetit në nivel vendor, që lejonin aktivitetin e kultivimit të tyre. Përgjimet e komunikimeve telefonike dhe komunikimet me mesazhe që u zbuluan më vonë nga ekspertimi i telefonit “BlackBerry” të shtetasit Taulant Haxhiraj, ku pjesëtarë të caktuar të policisë flisnin edhe drejtpërdrejt vetë, e vërtetojnë qartë përfshirjen e tyre në këtë veprimtari. Me vendimin nr. 62, datë 23.04.2018, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, i cili ka marrë formë të prerë, janë deklaruar fajtorë dhe dënuar disa prej autorëve të kësaj veprimtarie, si Taulant Haxhiraj, etj., në lidhje me bimët narkotike që janë konstatuar nga këqyrjet dhe asgjësimet e kryera më datë 13.09.2016 dhe 04.10.2016 në disa nga zonat e fshatrave të Vlorës.
  111. Me regjistrimin e procedimit penal nr. 134, të vitit 2016, përgjimet e komunikimeve telefonike zbuluan bisedat që kryenin në kuadër të këtij aktiviteti personat që kultivonin bimë narkotike, me njëri-tjetrin dhe me punonjës të caktuar të Policisë së Shtetit. Ndër ta ishin edhe shtetasit Taulant Haxhiraj, Shkëlqim Koçiaj dhe Marius Barjami, aktualisht të dënuar për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284, paragrafi i parë, 28 pika 4, 333/a, 334 paragrafi i parë të Kodit Penal, me vendimin nr. 62, datë 23.04.2018, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, i lënë në fuqi me vendimin nr. 69, datë 19.09.2018, të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë.
  112. Më datë 21.07.2016, ora 17:20, i dënuari z. Taulant Haxhiraj që përdor numrin celular 0695121762 komunikon me të hetuarin tjetër z. Renato Avduli (punonjës policie) që përdor numrin celular 0694484210. Gjatë bisedës ky i fundit i kërkon të dënuarit z. Taulant Haxhiraj që gjatë aktivitetit të kultivimit të bimëve narkotike të ruanin në maksimum fshehtësinë dhe të mos binin në sy, porosi që z. Taulant Haxhiraj duhet t'ua përcillte edhe bashkëpunëtorëve të tjerë:

762 - Hë vlla?

210 - Po ça po bën more burrë! 762 - Po punoj.

210 - O të marr shtatëqind miljon here spo e ngre mo vlla.

762 - Po dilte kshu merrja edhe unë ty.

210 - Hë mo ça ka aty?

762 - Asgjë qetësi.

210 - Po me q .... nënën ça më bëre me zemër tall k... ë ?

762 - O vlla pse do tallem unë do bëj humore me kto gjëra unë? Sbëj unë humore me kto gjëra o të keqen. Bëjmë shaka bëjmë shaka po kto gjëra janë me zarar.

210 - O po nuk janë fare të mijtë lart ore o zotëri.

762 - E e morëm vesh edhe dje na bënë zhurëm ba babum ktu ja u kthyem edhe ne

përgjigjen.

210 - O ti thuju atyre mos bëni zhurmë o të q... motrën thuaju, o të q... robtë.

762 - Jo kta ore jo kta.

210 - Mos bëni zhurmë asnjëri thuaju edhe atyre.

762 - Jo kta o vllaja na bënë ktu ne në (nuk kuptohet fjalë) ... të natës. 210 -Prapë ë?

762 - Eee. 210- Po mos.

762 - Kta s'dihen fare janë në rregull. Po ik se s'iki unë nuk vij unë poshtë tani kur të më thuash ti do vij.

210 - Nejse nuk dua zhurmë aty tani se kuptohet e dëgjohet e kupton s'dua zhurmë asnjë.

762 - Në rregull.

210 - As nga krahët thuaju atyre as nga këmbët as fare fare ose po ashtu të vij vetë

lart të rri vetë.

762 - Jo ore kur të thuash ti do vij poshtë.

210 - Mirë.

762 - Mirë ...

  1. Më datë 14.09.2016, ora 13:39, i dënuari z. Taulant Haxhiraj që përdor numrin celular 0695741185 komunikon me të dënuarin z. Marius Barjami me numër celular 0675439102, ku bisedojnë për veprimet e policisë që ka asgjësuar parcelat e kultivuara me bimë narkotike “cannabis sativa” me anë të djegies me zjarr dhe për faktin se z. Taulant Haxhiraj po kërkohej nga policia si i dyshuar për kultivim në parcelat e asgjësuara. Gjatë bisedës përmendet se kishte edhe parcela me bimë narkotike të kultivuara nga persona të tjerë dhe se te parcela e tyre policia nuk i kishte djegur bimët narkotike:

102 - O vlla.

185 - O vlla.

102 - Ore ça bën?

185 - Ça po bën?

102 - Po ça do bëj ja ktej vërdall, po rri.

185 - Vajte atje apo jo?

102 - Jo jo akoma, po rrim ....

185 - Vun gjë, vun gjë zjarr?

102 - Ëë?

185 - Vun gjë zjarr apo jo?

102 - Ëë, kurse te ajo e jona po më duket, nuk e di ... se po i shikonim s’dukesh mirë ajo, vetëm po i shikonim, s 'ishim atje, ishim te rruga. po bënin loto gjëra kshu, po i shuanim që nga lari nga mali ... tani ikën.

185 - Q ... ropt mu .... ë vlla.

102 - Ikën kanë na dhjetë minuta, çerek ore që ikën.

185 - Do vij unë pastaj, dola n’televizor una.

102 - Ç’ne në televizor ti?

185 - Po dolëm mua më shpallën mua a t’keqen.

102 - Ça po thua.

185 - Po e ë vija, po unë ca po çt’them ë, ça mendon ti se u la me aq muhabeti, e hëngra un ...

102 - Po kush e bëri gjithë ktë o, kush e bëri gjith ktë?

185 - Jo nga Vlora vlla, s’kan lidhje me Vlorën, janë Tirans ata ...

102 - Po mir o na Tirana, po tani kush ka ashtu o vlla, kush ka fol o se do i q ... motra, kush ka fol o vlla, se njëri ka thën, ti nuk e gjen dot tani.

185 - Se gjej dot tani ë vlla po, një sekond, po ik se se gjej dot tani, hajt.

102 - Mirë, o vlla mor hajd.

  1. Më datë 14.09.2016, ora 14:09, i dënuari z. Taulant Haxhiraj që përdor numrin 0695741185 komunikon me të dënuarin z. Shkëlqim Koçiaj që përdor numrin 0693272396 dhe i kërkon që të shkojë te parcelat e asgjësuara dhe të shpëtojnë sa të mundin nga bimët narkotike të prera e të padjegura:

396 - Alo.

185 - Ore vlla.

396 - Ë ore.

185 - Ça po bën?

396 - Hiç ça të bëj ja.

185 - Ça bëhet ndonjë gjë ku vajt ... ?

396 - Unë ë.

185 - Ee.

396 - Ktu jam ku do vete.

185 - Po ata aty i ke?

396 - Ee.

185 - Po mbaj se s’kan më gjë, ej.

396 - Hë.

185 - Fola dhe me atë djalin e dajos, ai më çmendi mua, ore hajde hajde vari k... thoi

mua, hajde vem takojmë atë shokun (qesh) do vij pastaj.

396 - E mir hajd ...

185 - Ça do më thoshte vllai, vajtët një herë atje apo akoma?

396 - Tani po vemi.

185 - Ikni shpëtoni ça të shpëtoni.

396 - Po ça se kanë ashu jo, e hoqën e lanë në vend.

185 - E re ça të shpëtoni ... hajt.

396 - Hajt.

  1. Më datë 19.09.2016, ora 13:56, i dënuari z. Taulant Haxhiraj që përdor numrin celular 0695741181 komunikon me të dënuarin z. Marius Barjami që përdor numrin celular 0694790963, ku bisedojnë për kohën e duhur për prerjen e bimëve të kultivuara. Në bisedë përmendet edhe “Çimi” (i dënuari z. Shkëlqim Koçiaj) si dhe fshati Vllahinë, zonë ku kishte ndërhyrë policia në datën 13.09.2016:

963 - Alo.

181 - Hë vlla.

963 - Hë ore.

181 - Ça bën, hiç ça po bën? Hë?

963 - Po fola me alo.

181 - Më kë?

963 - Me ktë që ka shpinë ktu o vlla.

181 - Hë vlla?

963 - Edhe më tha mua që duhet të vij vetë ai tha o vlla, për ty. Të merja dhe nja dy

veta të tjerë e të vij të mbaronim punë.

181 - Po unë s’vij dot tani o vlla si të vij.

963 - E o vlla po nuk ... se e kanë dhënën kohën e keqe mund edhe të ashu ajo ....

181 - Po ju vazhdoni po prisni.

963 - Ça do presim ajo ka mbaruar që dje o vlla.

181 - Po jo or jo, po e prisni kshu të vogla.

963 - Jo nuk do e presim o vlla se nuk duhet ashu tha ai. Ai tha po filluat ta prisni tha, duhet ta hiqni direkt tha prandaj them unë. Edhe për gjeneratorin e ato duhet të vijnë.

181 - Po ja do vijnë foristradë do dërgoj njërëz unë.

963 - Duhet të ketë njërëz tha nuk ashu dot.

181 - Mirë mirë do dërgoj njerëz.

963 - Mirë o.

181 - Mirë vlla hajt.

963 - Se tha dhe Çimi.

181 - Po ça do bësh të vesh deri në Vllahinë mos ik fare.

963 - Po të dërgomë nanjë lek o vlla se s’kemi as cigare asgjë të dërgonte tre furgona.

  1. Në lidhje me rastet e ndërhyrjes së policisë për asgjësimin e parcelave me bimë narkotike në këtë periudhë, në arsyetimin e vendimit penal nr. 62, datë 23.04.2018, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, është thënë se:

... rezulton se së paku në dy ngjarje janë të përfshirë të pandehurit e sjellë nga prokuroria në këtë gjykim. Ngjarja e parë ka lidhje me operacionin e forcave të policisë për asgjësimin e bimëve narkotike të kryer prej saj në datë 13.09.2016 në fshatin Kocul, Vlorë. Në përgjimet e bisedave telefonike të pasqyruar edhe më lart ka rezultuar se të pandehurit Taulant Haxhiraj dhe bashkëbiseduesit e tij në celular (bashkëtëpandehurit në këtë gjykim) janë të dëmtuar nga veprimi i kryer prej forcave të policisë së Drejtorisë Vendore. Vlorë.

Në parcelat e asgjësuara nga forcat e policisë kanë pasur pjesën e tyre në këto parcela edhe të pandehurit në këtë gjykim ... . Bisedat telefonike të zhvilluara midis tre të pandehurve i përkasin datës 14.09.2016 që është një ditë pas operacionit të forcave të policisë. Nga aktet e sjella për gjykim nga prokuroria rezulton se forcat e policisë në rrethin e Vlorës kanë kryer vetëm një operacion për asgjësimin e bimëve narkotike në muajin shtator të vitit 2016 që i referohet ngjarjes së fshatit Kocul, Komuna Vllahinë, Vlorë.

Në ngjarjen e muajit tetor 2016 që lidhet me operacionin e dytë të policisë për asgjësimin e parcelave me bimë narkotike në rrethin e Vlorës rezultojnë sërish të përfshirë të gjithë të pandehurit e përmendur më lart. Më konkretisht në bisedat telefonike të zhvilluara midis të pandehurve Taulant Haxhiraj, Shkëlqim Koçia dhe Marjus Barjami pas operacionit të parë të forcave të policisë rezultoi se këta të pandehur nuk kishin parcela me kultivim të bimëve të cannabisit në fshatin Kocul, Vlorë, por ata e kishin shtrirë veprimtarinë e kultivimit të bimëve narkotike edhe në zona të tjera të rrethit të Vlorës ...”.

  1. Komunikime të tjera me përmbajtje mjaft domethënëse për përhapjen e madhe të kultivimit të bimëve narkotike në zonën e Vlorës, mënyrat e veprimit të autorëve si dhe personat me të cilët ata mbanin lidhje për të mundësuar ushtrimin e kësaj veprimtarie dhe për të shmangur ndjekjet penale, kanë rezultuar nga telefoni celular “BlackBerry” me numër IMEI 356002056327402, që i është sekuestruar shtetasit z. Taulant Haxhiraj në momentin e arrestimit më datë 04.10.2016. Ekspertimi teknik i këtij telefoni, me nr. 2273, datë 09.03.2017, ka nxjerrë komunikimet me mesazhe “sms” dhe “chat” që shtetasi z. Taulant Haxhiraj, me emër përdoruesi “Agushi”, kryente me persona të tjerë me emra përdoruesish “Fiati”, “Xheku”, “Usta”, “Adidas” dhe “Alej”. Gjatë komunikimeve, Gjergji Kohila referohet si “gj” dhe z. Renato Avduli si “r”, “reni” dhe “kunatë gj”. Të dhënat e aktit të ekspertimit teknik nr. 2273, datë 09.03.2017, që ndodheshin në një CD, janë këqyrur me procesverbalin përkatës të këqyrjes datë 21.11.2017.
  2. Nga përmbajtja, rrjedha kohore dhe logjike e këtyre komunikimeve mund lë identifikohet se përdoruesit me emrat “Fiati”, “Xheku” dhe “Xheku 1”, janë përkatësisht punonjësit e policisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë z. Gjergji Kohila dhe z. Sokol Bode (të pandehurit në procedim të lidhur). Nga ana tjetër, personat me emra përdoruesish “Usta”, “Adidas” dhe “Alej” nuk janë identifikuar nga hetimi paraprak.
  3. Në kohën e këtyre komunikimeve i pandehuri në procedim të lidhur z. Sokol Bode ishte transferuar tashmë nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në atë Shkodër (që ka nën juridiksion Komisariatin e Policisë Pukë). Nga aktet e emërimit, transferimit dhe shkarkimit, të ardhura me shkresën nr. 21708-1 prot., datë 25.04.2018, të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, rezulton se:
  • Z. Sokol Bode, në periudhën 16.12.2013 – 08.05.2016, ka qenë në detyrën e Shefit të Stacionit në Stacionin e Policisë Kufitare Dhërmi. Më pas, në periudhën 09.05.2016 – 26.01.2017, ka qenë me detyrë Shef Seksioni dhe Specialist në Seksionin e Rendit Publik në Komisariatin e Policisë Pukë, në periudhën 27.01.2017 – 21.05.2017 me detyrë Shef Seksionit për Krimet dhe Zëvendës Shef i Komisariatit të Policisë Pukë dhe, në vijim, në detyra të tjera në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, deri kur është pezulluar nga detyra më datë 25.10.2017 dhe përjashtuar nga Policia e Shtetit më datë 21.11.2017;
  • Z. Gjergji Kohila, në periudhën 10.10.2014 – 15.05.2015, ka qenë në detyrën e Shefit të Seksionit dhe Specialist për Narkotikët në Seksionin për Trafiqet dhe Narkotikët në Komisariatin e Policisë Sarandë. Në vijim, në periudhën 16.05.2015 – 05.05.2017, ka qenë me detyrë Shef Sektori dhe Specialist për Asetet Kriminale dhe Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Më datë 05.05.2017 është liruar nga detyra që mbante dhe është lënë në dispozicion të Drejtorisë së Policisë së Shtetit. Më pas është përjashtuar nga Policia e Shtetit me urdhrin datë 20.12.2017.
  1. Ka rezultuar komunikimi në “chat” më datë 16.04.2016 mes përdoruesve 2B68CFBF “Alej” (person i paidentifikuar) dhe 2B53F044 “Agushi” (z. Taulant Haxhiraj). Në këtë komunikim i dënuari z. Taulant Haxhiraj i tregon bashkëbiseduesit, që interesohej për të kultivuar bimë narkotike, se si është e organizuar e gjithë veprimtaria e kultivimit të bimëve narkotike në zonën e Vlorës. Sipas z. Taulant Haxhiraj, për të kultivuar bimë narkotike duhej të merrje “leje” nga struktura të caktuara të policisë vendore Vlorë, të cilët në këtë rast garantonin sa të ishte e mundur paprekshmërinë e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike, kundrejt shpërblimit prej 30% të sasisë së lëndës narkotike që u lihej këtyre punonjësve të policisë. Në bisedë referohet se në këtë veprimtari personat që kishin lidhjet për të marrë “garancitë” ishin “kushot e ministrit” dhe se garancitë që i dënuari Taulant Haxhiraj kishte për të kultivuar bimë narkotike, jo vetëm në zonën ku kishte kultivuar vetë, por edhe për shumë fshatra të tjera të Vlorës, vinin nga “drejtori”. Gjithashtu, i dënuari Taulant Haxhiraj përmend se kishte edhe persona që kishin mbjellë bimë narkotike “pa leje” nga strukturat në fjalë të policisë.

Agushi: Vlla ja i lodhur. Isha na baçja andej. Tani u ngrita. Fjeta pak.

Alej: Ça bëhet, andej, me garanci, ta morën përsipër, vlla.

Agushi: Po ma morën vlla.

Alej: Apo në ajër.

Agushi: Po s ‘ka garanci, të saktë fare. Më thanë kaq pak do i mbroj.

Alej: Po të vemë me, ka vend për të mëdha.

Agushi: Po të saktë fare se kam, se mos i lëvizim.

Alej: Vlla, se marr vesh, vlla.

Agushi: O vlla, vend ka po akoma s’ka mar garanci ata kushot e ministrit. Dhe të them garant e të del ndryshe ... S’dua të të bëj garantin e të dal ndryshe, vlla.

Alej: Të marr vesh, vlla.

Agushi: Më kupto se un e di sa mendon ti, të hidhemi, po një garanci ta marr vllai. Dhe më ka thën ai kushua jot, do sillte do lidhej me njërin që ka garancin me shtet e merja un. Se më ka dhën ok për këtej na fshati Kuç vij më ka thën.

Alej: Ësht dhe aji, aty ku je ti, në të njëjtën zonë.

Agushi: Po jo vlla, un i kam afër në Vlorë.

Alej: Të marr vesh.

Agushi: Shteti ma jep garancin të plot në Kuç. Me jet. Këtë gjë po skam njeri atje .... Atje e ka vllai me drejtorin. Të sigurt.

Alej: Ai ka për të ngrën zoq, o të keqen vëllai, si ka për të bër punë.

Agushi: Më tha ai në Kuç, vij sa lë dush 30 përqind këtyre dhe hajd ti vem vlla, po s’po gjej tok. Ka vajt një na Vlora në Kuç që ju ka dhën leje ky dhe, ai na fr që po bën të madhe. Pastaj kan vën pa leje. Po të gjejm tok atje vlla. Të dal garant, vllai.

Alej: Të marr vesh vlla.

Agushi: Jo vetëm në Koç, Holen, Kallurat, Vranisht, kudo në këto të del vllai garant, të mbrojtur e sigurt, si më kan thën.

Alej: Po do fol me na një që ka tok, vlla. Po kta që dalin garant, sa përqint kërkojn vlla?

Agushi: 30 përqind.

Alej: Po si i duan, gjëra apo lek, vlla?

Agushi: Gjëra ca lekësh.

Alej: Të marr vesh.

Agushi: Sot që po flasim, më kanë lënë 80 kile mua në shpi atë të tyren.

Alej: Të marr vesh vlla.

Agushi: Ta thash të më kuptosh sa mirë i kam me ata.

Alej: Të kuptoj.

Agushi: Ata më matin përqindje. Për të mëdha. Se e din qe se kam timen se e din sa e kam hapin. 

  1. Komunikimi në “chat” më datë 08.05.2016 mes përdoruesve 2R53F044 “Agushi” (z. Taulant Haxhiraj) dhe 25C77E4A “Usta” (person i paidentifikuar). Në këtë komunikim, i dënuari z. Taulant Haxhiraj i shpreh shqetësimin bashkëbiseduesit për transferimin në Shkodër të një personi me rol të rëndësishëm në aktivitetin e tyre të kultivimit. Siç u përmend më lart, i pandehuri në procedim të lidhur z. Sokol Bode pikërisht më datë 08.05.2016 është transferuar nga detyra e Shefit të Stacionit në Stacionin e Policisë Kufitare Dhërmi në detyrën e Shefit të Seksionit dhe Specialist në Seksionin e Rendit Publik në Komisariatin e Policisë Pukë, që është pjesë e strukturës së Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër:

Agushi: O vlla, e hoqën atë, na këputën. Në Shkodër e çuan.

Usta: O vëlla, e mora vesh.

Agushi: Na këputën fare.

  1. Komunikimi në “chat” më datë 21.06.2016 mes 2853F044 “Agushi” (z. Taulant Haxhiraj) me përdoruesin e rrjetit të quajtur 2669C503 “Xheku” (z. Sokol Bode). Në këtë komunikim “Xheku” del se është një person që ka punuar më parë në strukturat e policisë në Vlorë dhe tashmë është transferuar. Siç u tha më lart, i pandehuri në procedim të lidhur Sokol Bode ishte transferuar nga Drejtoria e Policisë Vlorë në atë Shkodër, më datë 09.05.2016. Taulant Haxhiraj i “qahet” se, pas largimit të tij, punonjës të tjerë të policisë i kërkojnë favore që ta lënë të qetë në aktivitetin e kultivimit të bimëve narkotike, duke i kërkuar makina dhe “ofruar” kontrolle formale në shtëpinë e tij për të justifikuar kryerjen e detyrës (për verifikimin e informacioneve që u vinin). “Xheku” e këshillon që të mbante lidhjet me personin që e ka zëvendësuar në detyrë, të cilit Taulant Haxhiraj i kishte gjetur një makinë, si dhe me “Gj” (z. Gjergji Kohila, sikurse do të verifikohet edhe nga komunikimet e tjera), në mënyrë që të mos pengohej në veprimtarinë tij. Taulanti pohon se “Gj” i qëndron shumë afër dhe se së bashku e kujtojnë shpesh “Xheku-n”.

Agushi: O vlla ça po bën ja në fshat të keqen, ti si ke qen jam mërzit me ty, ke qen në Vlorë më than shokët që ishe këtu. Si të kam vlla ike ti ça na le këtu me këta më jan turur të gjith ... .

Xheku: Unë vetëm kam kaluar aty o vlla nuk kam qëndruar. Pse ke pasur probleme me ata që të jan qepur? Apo muabete koti.

Agushi: Po jo o vlla s’di kë të takoj më para na këta, makina duan të gjithë, jo më ka vajt një denoncim, më than, të vim në shtëpi kur do ti than se s’po na le rehat spiuni than.

Xheku: Po tak atë që i gjete makinën o vlla, ti je tak me mua se ai ka detyrim te ti. Se ai ka vajt aty në vendin tim.

Agushi: Po i takoj vlla dhe para dy ditësh me të isha. Por më shumë më ka qëndruar ai tjetri vlla s’të ndan nga goja.

Xheku: Kush o vlla nga ata.

Agushi: Dhe djal i mir. Na ty me respekt ne maksimum, “Gj” vlla.

Xheku: Po mir vlla s’ka gjë dhe me atë mbaj kont, çun i mir dhe ai.

Agushi: Ai më tha më ka lënë porosi ai të ka mik më tha më takoj vet. Dhe ky i makinës vlla më qëndron.

Xheku: Po mir dakord. Se nuk do të bie njeri qaf me atë.

Agushi: Nuk haroesh këtu vlla, sa her jam ul me ata të mbajm në goj, kuptohet për mir.

  1. Komunikimi në “chat” më datë 19.09.2016 mes 2853F044 “Agushi” (z. Taulant Haxhiraj) dhe 25CA0278 “Fiati” (Gjergji Kohila), nga ora 12:30:37 deri në orën 13:04:56. Komunikimi është zhvilluar pas asgjësimit të disa parcelave me bimë narkotike që i përkisnin edhe shtetasit z. Taulant Haxhiraj dhe nga aktet del se lidhet pikërisht me ndërhyrjen e policisë më datë 13.09.2016 në fshatin Kocul, që përmendet në vendimin nr. 62, datë 23.04.2018, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë. Në përmbajtja e komunikimit del se më parë z. Gjergji Kohila i kishte dërguar një person të afërt shtetasit z. Taulant Haxhiraj që ta lajmëronte që të hiqte të gjitha provat për shkak se kishte marrë dijeni për një procedim penal të filluar në Prokurorinë për Krime të Rënda për kultivim bimësh narkotike. Në këtë bisedë z. Taulant Haxhiraj i shqetësuar komunikon me z. Gjergji Kohilën për të marrë informacion më tepër. Ky i fundit e informon për procedimin penal në fjalë, për faktin se kishte qenë në përgjim dhe se aty ka grupe vëzhgimi, se informacionet për procedimin penal janë të rezervuara ndaj policisë vendore, i kërkon që të hiqte të gjitha provat, të bënte kujdes, të mos fliste në telefon, të qetësonte bashkëpunëtorët e tjerë dhe të priste njoftime të tjera prej tij. Gjatë komunikimit, bashkëbiseduesit shprehin shqetësimin për shkujdesjen e treguar nga personi i afërm i z. Gjergji Kohilës (që ky kishte dërguar për të lajmëruar z. Taulant Haxhiraj dhe që në komunikimet e tjera përmendet me “r” ose “reni” ose “kunat e gj”) gjatë takimeve dhe telefonatave që kishte pasur me z. Taulant Haxhiraj në kuadër të veprimtarisë kriminale. Madje përmendet se ky person ishte edhe pjesëtar te bimët narkotike të mbjella. Gjithashtu në bisedë përmendet edhe “Xheku” (z. Sokol Bode):

Agushi: O vlla më ka bër merak ai. Më jan shqetësuar ata në shpi nusja rezik dështimi. A mund ta di ça kam? O vlla se ku s’kam pyet, s’ke gjë më thon.

Fiati: Ka një procedim. Tek K.R. Keni qën në përgjim.

Agushi: Po për ça o vlla? Për atë bac?

Fiati: Jo për atë.

Agushi: Po çne un për gjëra të tjera.

Fiati: Ai është çelur për disa persona nga Vlora. Për kultivim. Nga këta persona që unë akoma se di kush janë, keni dalë dhe ju.

Agushi: Dmth për kultivim jam.

Fiati: Nuk është ndonjë gjë serioze. Por për siguri pasi nuk dim gjë tjetër.

Agushi: O vlla, jam për kultivim, se ai më tha për vrasje. Çne vllai.

Fiati: Se këtu ka grupe vëzhgimi.

Agushi: Me këto gjëra qajnë nat dit në shpi, i ka pataks.

Fiati: Jo mor vëlla, ça vrasje.

Agushi: O vllai im.

Fiati: S’ka lidhje asnjë vrasje vëlla. Hajde në shtëpi ri, mos e vra mendjen.

Agushi: Po si i bëhet o vlla? Un jam bër sie barbon.

Fiati: Unë i thash vetëm të pastrojë shtëpinë. Si kam thën gjë tjetër.

Agushi: Rrugve do vin të më marrin, është prer fleta, nusja shtruar në spital. Më ka ik mendja.

Fiati: Jo aman vëlla, s’ka flet. Flitet që do arestohen nja 3 polic. Ngaqë të kan bër një foto me të kur i ke dhën lekët. I thash të të lajmëronte. Të bëje kujdes.

Agushi: Mir o të keqen vllai dhe i thash jo këtu lekët, s’ka gjë tha.

Fiati: Kthehu në shtëpi vëlla.

Agushi: Po mos na marin o vlla.

Fiati: Po sikur i hoqëm të gjitha provat. Tek lekët. Vetëm aty mund të kapen.

Agushi: Po i dhash për makinën.

Fiati: Do ta justifikoni se keni shitur makin njëri – tjetrit.

Agushi: Po ore, vlla. Pse do na pyesin?

Fiati: Ne tel keni folur ... . Apo keni qen të kujdesshëm?

Agushi: Ça të kujdesshëm. Ai ma lëshonte tull mos më thahen do vesh në burg kujdes mos i ha krimbi. Kshu ashu.

Fiati: ... po ça tu them unë vëlla. Ju sikur jeni 5 vjeç. Mir ai që është budalla. Po dhe ti pas atij!

Agushi: Po un skam fol. Isha i rezervuar se kam një jet, o vlla. S’jam djeg njëher. Këtij do ja ken bër kastile, hapej shum.

Fiati: Po më zuri goja lesh me të. Skam ç’i bëj mor vëlla. Po perpiqem tani mos i mbyll.

Agushi: Po si i bëhet ku duhet të ndërhyj. Të vete në shpi, se ngela rugve.

Fiati: ... Dhe ska me pun me mua. Shko në shtëpi.

Agushi: Po ça thua o vlla, ai të mer në qaf.

Fiati: Hiqe tel.

Agushi: Po vlla.

Fiati: As mos i fol më.

Agushi: Po ça thua, o vlla.

Fiati: As mos kontakto më me të.

Agushi: Lash fëmit rugve, isha mir o të keqen ushqehesh të flas si vlla.

Fiati: Po as këtë tel s’ja mësove dot, idiotit?

Agushi: Po ku mer vesh ai, o vlla. Na mori lumi.

Fiati: Flet sikur ka mbjell domate. Qetësohuni.

Agushi: Fjalit në fund kan qen po s’u be imja as ti s’do ta kesh do vij ta pres të gjithën po s’u bëra mir un smë plas k ... për njeri. Këto kan qen ne tel.

Fiati: Unë s’i kam thënë njeriut. Ok. Kishe folur në fb me fjorin? Ke bër gabim ... .

Agushi: Mua po ai ka thën dhe për një kusho tim Elisin. Po ai ça lidhje ka ai është në Spanj.

Fiati: Po s’ka lidhje ai. Po ty lë kan ngatruar me atë grupet e vëzhgimit. Të SHIK-ut.

Agushi: Dmth, në vend të atij, kan ruajt mua.

Fiati: Ka mundësi mos t’i flasësh më atij.

Agushi: Po ore për kok të çunave.

Fiati: Po.

Agushi: Dmth, mos të ndërhy në asnjë vend? Se kam miq. Jan për mir gjërat.

Fiati: Jo vëlla, prit se do të them unë. S’jeni vetëm ju të dy. Jan disa persona. Kan ndërhyr ata.

Agushi: Ok vlla, mos të dal fare.

Fiati: Të presim.

Agushi: Të ri dhe ca dit kshu deri sa të më thush ti?

Fiati: Po mir është të rish dhe ca dit.

Agushi: Ok vlla ... .

Fiati: Foli budallait po ke kontakt ... . Të rij mir t’i lër njerzit në pun të tyre. S’ia ka fajin njeri. Se ja ka fajin koka.

Agushi: Po kshu është me le me atë ti mua. Mir më gjeti. Po me Xhekun ke fol, vlla?

Fiati: Po, e porosisja çdo ditë. Ku dija unë që ishte kalama ai. Po kam fol, ka ardhur në Tiran me punë. Mirë është tani ... .

Agushi: Po duhet gjë për të ndërhyr, më thuaj ... .

Fiati: Mos ngatroni me njerëz. Kujdes me tel. ... .

Agushi: S’kam lek më, vetëm këtë kam.

Fiati: Hahahaha! Mir vëlla ... . Qetësoi njerëzit. Do të them unë.

Agushi: Ok vlla.

  1. Komunikimi në “chat” më datë 19.09.2016 mes 2B53F044 “Agushi” (z. Taulant Haxhiraj) dhe 2BCC0156 “Xheku 1” (z. Sokol Bode), ora 13:58:54 deri në orën 16:48:35. Në këtë komunikim, menjëherë pas bisedës së mësipërme me z. Gjergji Kohila, z. Taulant Haxhiraj komunikon me z. Sokol Bode dhe i tregon ato që i kishte thënë Gjergji Kohila në lidhje me procedimin penal të filluar nga Krimet e Rënda dhe kujdesin që duhej treguar. Gjithashtu, z. Taulant Haxhiraj i ankohet z. Sokol Bode për prerjet selektive të parcelave me bimë narkotike që i përkisnin atij, se ndihej i tradhtuar nga punonjësit e policisë me të cilët kishte pasur lidhje, se ia kishin prerë bimët narkotike vetëm dy ditë përpara se t’i mblidhte. Z. Taulant Haxhiraj i ankohet z. Sokol Bode edhe për punonjësin e policisë “Reni”, “kunatin e gj”, që flitej se do të arrestohej së bashku me disa oficerë të tjerë policie. Z. Sokol Bode përmend vetë gjatë bisedës se një sasi lënde narkotike e tij ndodhej pranë z. Taulant Haxhiraj:

Xheku 1: Ça bën, si je vlla?

Agushi: O vlla, si të kam? Suksese për punën e re. Nga shpija mir i ke? Fola pak me “gj”. Më tha është një procedim, na K.R. Ça të doli ty vlla, se me ka ik mendja keq fare. Të më falësh se u futa direkt në hallin tim, po që kur ike ti më mori lumi mua, me këta legena që kan ngel këtu.

Xheku 1: Unë hiç vlla. Mirë për zotin, shtyu këtej. Po me kujdes aty.

Agushi: Po aty është mir.

Xheku 1: Mos u hap shumë, mos dil shum vërdall. Po këtu mir vlla ... . Ti ça bëre andej, mir dole, apo nuk ke mbaruar akoma?

Agushi: Ma pren, o vlla.

Xheku 1: Ça thua, bobo!

Agushi: U pleksa me këtë legenin, kunatin.

Xheku 1: Unë nuk kisha ndonjë gjë vlla, vet të kërkova.

Agushi: Dhe kan ruaji këtë dhe më kan hap problem gjith Vlora. atje te mua vetëm këtë pren.

Xheku 1: Po ça thua! Unë fola me arë shoqen qëparë. Po çfarë halli kishte ajo, se s’kisha ku të flisja.

Agushi: Po vlla, ky “gj'' me thot mos dil. Do të them un, thotë, se janë një grup në Vlorë.

Xheku 1: Po mos të gënjejnë, apo bëjnë kot ata, për tu dhënë ndonjë gjë!.

Agushi: Dhe thash të pyesja njëherë ty vlla, se kam hall, se kërcënova atë që t’i me thoshe mos u pleks “r”.

Xheku 1: Kë vlla?

Agushi: Dhe ai thoi, ky është gati për arrest, Reni.

Xheku 1: Kërcen.

Agushi: Legeni.

Xheku 1: Ai?

Agushi: I thash dua lekët, se mi mori në qaf?

Xheku 1: Të bën presion, o vlla, për këtë problem.

Agushi: Tani, më thon, të kan bër foto. Ka ardh Tirana, duan tët arestojn. Ai është zhdukur Reni.

Xheku 1: Lëre se gënjejnë, ça thua ti, s’ka shans.

Agushi: Se do ndalojn 3 oficer policie, jam edhe un në këtë mes ... .

Xheku 1: Kush të tha ty për mua që erdha këtej?

Agushi: P më mir na këtu je besoj. Po “gj” qëpar fola.

Xheku 1: Po çne ra muhabeti?

Agushi: Po më sqaronte, o vlla, ta dish ti sa ndere ju kam bër na ana jote jo vet, më tha, po me atë ke se sa her kërkonin nder permendeshe ti dhe në përfundim ma ulën ... . Bota është portokalle.

Xheku 1: Po thash, vlla, u bë keq aty, po të isha unë mase do kishim bërë ndonjë gjë. Se dhe ca shok që kisha unë mbaruan shpejt e shpëtuan, vlla. Se tani në fund, i dogjën të gjith këta.

Agushi: Po vella un vajta mblodha gjith vlerën. Te miku jot i parkuan ustai un me kamion, pa lidhje, për këta dhe ma pren mua për 2 dit mbaroja pun, e dogjën. Se mund ta kisha regulluar, po i vun flakën se un ju prishja pun, të pabes, vlla ... të jemi mir këta treguan veten vlla.

Xheku 1: Vlla une si di fare këto gjërat. Ti kishe mbajtur varur me ndonjë gjë kurvat.

Agushi: Më mir që se di vlla.

Xheku 1: Se unë lë thash për atë “ren” është kurv.

Agushi: Varja ngeca un vlla.

Xheku 1: Po ato që lash unë vlla t’i kërkuan gjë apo jo.

Agushi: Mi kërkuan erdhën i pan si deshen po çi donin ato këto un them me kamion o vlla kam vajt un shofer ... . Ky që fola qëpar 2 të kam ngark un dhe ka vajt te ustai ngelen s’kishin ku ta çonin bashk me atë që më the për në Kuç. Vk o vlla dhe erdhën pren mua që do merja 50 kg maksimumi. Këta jan buk shkelur më hapën dhe procedim gjith Shqipëria ka mua gjetën këta të bënin shëmbull vk që isha dhe në maji të malit.

Xheku 1: Se di vlla. Po dhe mu mërzitën me ca gjëra po der sa nuk jam aty skam çtë bëj vlla, vk ... . Shiko mund të vijn ata shokët për ndonjë makin vlla. Se kjo i bëri 60 mij kilometra dhe më ka dal nga zemra se ka qenë e goditur ... nga an e shoferit.

Agushi: O vlla do vij un aty të shikosh dy tre makina ... .

Xheku 1: Po mir vlla po erdhe tr me shkruaj këtu takohemi mir.

  1. Komunikimi në “chat” më datë 22.09.2016 mes 2B53F044 “Agushi” (z. Taulant Haxhiraj) dhe 25CA0278 “Fiati” (z. Gjergji Kohila), nga ora 08:08:24 deri në orën 08:10:49. Në vijim të komunikimit të datës 19.09.2016 mes tyre, z. Gjergji Kohila informon z. Taulant Haxhiraj se nuk rrezikonte që të arrestohej, prandaj të kthehej në shtëpi, por të ruhej nga shërbimi informativ i shtetit (“shiku”):

Fiati: Kthehu në shtëpi vlla. Por me kujdes nga këta të SHIK-ut.

Agushi: Rrofsh vlla. S’kemi gjë? Dmth me ndalime. Pa me ata do kem un.

Fiati: Jo.

Agushi: Ok vlla rofsh.

Fiati: Mir me kujdes.

Agushi: Po ku diskutohet o vlla un nje jet kshu.

Fiati: Ok.

Agushi: Tani asgjë nuk bëj un flm vlla. Rofsh.

  1. Komunikimi në “chat” më datë 22.09.2016, mes 2B53F044 “Agushi” (Taulant Haxhiraj) dhe 2C26AE I O “Adidasi” (person i paidentifikuar), nga ora 16:34:22 deri në orën 17:49:53. Në këtë komunikim Taulant Haxhiraj i tregon personit të paidentifikuar “Adidas” në lidhje me procedimin penal të hapur, informacionet që kishte marrë nga punonjësit e policisë dhe ndihmën që ata po i jepnin për ti shpëtuar çështjes penale që po ndiqej nga Krimet e Rënda. Gjithashtu, nga biseda del se bashkëbiseduesit kanë lidhje me një sasi lënde narkotike të sekuestruar në Itali prej 4 ton dhe kishin frikë se mos kishin treguar për ta personat e kapur në Itali:

Agushi: O vlla, tani më erdhën, se jam në fshat.

Adidas: Ça ke bër, si po kalon? Ça bëhet andej, ke marr vesh na një gjë ça bëhet?

Agushi: O vlla qetësi. Këta jan zhduk të gjithë.

Adidas: Atë e ke takuar më, kur do takosh prap, atë shokun ça të tha, të lë thoi na një gjë tjetër, e të na thot na një gjë, ça duhet të bëjm ça s’duhet të bëjm, si ta kapim fillin që të zgjidhim kto ça jan, ça kemi në dorë të bëjm.

Agushi: Fola sol me atë shokun, më tha duro dhe 2 ditë, vlla, se po i mbyll ai.

Adidas: Si po i mbyll ai? S’e kuptoj?

Agushi: Dhe do me jepni një drek, këtë më vuri gjobë, o vlla di ishte me këta ai të tr.

Adidas: Ku qe?

Agushi: Do ju lë vetëm SHIK-un, tha, do t’i zgjidh unë.

Adidas: Po a s’po bëjn asgjë, ça jo kshu po ashtu.

Agushi: Në Vlorë, o vlla, po kujt do i bëjn, kan ik të gjith.

Adidas: Pse aty jan, mua me than jan aty.

Agushi: S’ka njeri fare jan mbërthyer ai tha do të them mos u duk dhe 2 ditë, po jo se do mbyllen dhe iku do jet nëpër këmb, s’do takosh njeri. Kshu më tha të them vlla. Mase dhe jan o vlla, s’di gjë, ça më tha ky të them, vajti ky që rri un takoj atë që t’i thash, kushua jot.

Adidas: Mirë o vëlla, mirë.

Agushi: Ça nuk i kish thën.

Adidas. Po ai ka ai? Se ca nuk i kish thën? Ça?

Agushi: Gjith Vlora vlla, ky ka një foto, ja kishin treg. Po i din të gjitha o vlla!

Adidas: Ça i kish thën, që thua ça si kish thën.

Agushi: Ça ham, ku pim dhe për mua për ty e ca të tjer.

Adidas: Si ça ham, ku pim? Po ça, thuami konkrete, se ku do i dëgjoj po s’me the ti. Ça i kish then për mua për ty.

Agushi: O vlla po me ça meremi, ça bëj un ti, ke nis pun ku u kapën katër tonë. Me kë e ke nis. Po un kam frik mos ka fol ndonjë na ata në Itali. Se fiks mbas asaj erdhën këta. Po ata nuk faktojn dot gjë than se nuk bëjn dot lidhjet tani.

Adidas: Po ku di gjë unë ... vetëm po ka pas list në xhep ai që është kapur ... . E mor vesh, vetëm e din me fjal, me gjëra me fakte s’bëjn dot gjë.

Agushi: Se asnjë nuk tak me njëri tjetrin kan thën. Se ti thua piva kafe, tel nuk ke vlla, vetëm foto.

Adidas: Po s’kam as tel as gjë, foto vetem. Se di.

Agushi: Ti je përgj për vrasje dhe je në përgjim dhe të dolën këto.

Adidas: T’i mbaj të na i tregoj fotot ai, si si?

Agushi: Kshu më tha ai Vlorës, ti je në përgjim për një vrasje na ata. Ai në përgjim tha mund të jet gjith jetën.

Adidas: Për ça vrasje, nuk sqaroj më shum, dhe ku i kam përgjimet, unë një muaj jasht.

Agushi: Më sqaroj, vlla, i ke gjith kohën vlla dhe kur ke qën brenda tel na burgu. S’po themi për tani vlla.

Adidas: Po për ça nuk të thoi më për ça më përgjojn, për ça. Si mund t’i heqim kto gjëra.

Agushi: O vlla nuk i heq dot, nuk të ka policia, as duan t’ia din. Është SHIK-u vlla, dhe raportojn me qendrën, tha, në tr. Po mos u shqetësoni, tha, ata atë pun kan le të mbajn, i thash un, po të ri andej. Po do vi ai, tha, prap qepen, tha deri sa le lodhen, tha, se nuk ndërhyn dot te ata, tha jan spiuna, atë pun kan, ça dëgjojne e shkr, tha, ata shikojnë dhe për polica tha.

Adidas: Po kta tani jan na krimet e rënda apo është SHIK-u se s’po e marr vesh tani?

Agushi: O vlla, jan na Kr e Rënda. Po ata s’të njohin as ty as mua, asnjëri, jan oficerët e SHIK-ut Vlorë, që i shoqërojn. Këta janë operacionalia.

Adidas: Po ky ça tha ky tani që do t’i regulloj vet kto fotot, kto gjërat, une, thot. Po përgjimet ambientale ça kan? Si do t’i eqi ai?

Agushi: O vlla, ato si heq dot ai po kemi ambientale te SHIK-u.

Adidas: Po ça do bëj ai, ça do eqi? Si do ja bëjm, ça do bëhet? Po kemi apo skemi ambiental ne?

Agushi: Ai po anashkalon mua ty dhe nja dy të tjer, sa të mbyllet, vlla, se me SHIK-un, ma tha, do i keni na mbas, vetëm s’do të finalizohet operacioni të jemi ditë ne.

Adidas: Po kta dy të tjerët kush janë i njojm? Si s’do të finalizohet operacioni të jemi dhe ne. Do ta bëjn për të tër operacionin, ça do bëjn.

Agushi: Po ore. Do ta bëjn dhe ne s’do jemi duan ta mbyllin, po s’kan me kë, jan njoft të gjith, s’ka njeri fare.

Adidas: Kur ta bëjn. Po si ta bëjn kur s’ka njeri pasaj?

Agushi: O vlla po se di kujt i është prer fleta dhe pres t’i kapin. Se më tha do bëjn arrestime dhe 3 oficer policie do arrestohem.

Adidas: Arrestohen, jo arrestohem Hahahahahaha. Mirë ja do i shikojm. S’di ça të besosh e ça jo, tani.

Agushi: Po ashtu është, o vlla, se bëjn dot të fortin o vlla se s’kemi gjë në dor.

Adidas: Për ça thua?

Agushi: O vlla, që mos të ruhemi na këta ropq ... .

Adidas: Ok, vëlla.

  1. Komunikimi në “'chat'“ më datë 23.09.2016 mes përdoruesve 2B53F044 “Agushi” (z. Taulant Haxhiraj) dhe 25CA0278 “Fiati” (z. Gjergj i Kohila), nga ora 09:15:01 deri në orën 09:46:05. Përmbajtja e këtij komunikimi është vijim i bisedave të mëparshme mes z. Taulant Haxhiraj dhe z. Gjergji Kohila, ku ridalin në pah të gjitha ato aspekte të përmendura nga gjykata më sipër:

Agushi: O vlla e si je, ça bëhet? Po lëviz, Vlla, nëpër Vlorë, po thjesh me familjen, s’bej asgjë. Të dal normalisht vlla. Kuptohet pa bër asgjë se jan hap llafe jan prer ca urdhër arresti vlla, për mua, ate kushurin tim, e ca çuna të tjer. Apo llafe Vlore?

Fiati: Unë s’di gjë vëlla. Por duhet të ket prova që të priten urdhra arresti. Ju kan kapur gjë? Po s’kan prova, s’ka urdhër arresti. Njerzit ju din në burg. Po me këto intriga që bëre t’i me atë timin, çuditen kur ju shohin jashtë.

Agushi: Ça intriga bëm un, o vlla? Vetëm un s’bej intriga. Të përshëndeta qëpar, s’më pe. Mua ma bën intrigën, me morën në qaf po varja o vlla, po të jet ndo gjë, më thuaj të ndërhy. Në tr kam njerëz. Po çne na din në burg, ne ça kemi bër apo baçja jon ne përball kishim dhe është me 100 mij rrenj, nuk i shikojn, kjo jona dukej. Hahhahaha.

Fiati: Hahahahaha.

Agushi: O vlla të rri vllai i qet në shtëpi, se vetëm te llafi jot kam besim.

Fiati: Ri o vëlla. Unë kas sjell atë timin në punë. Po nuk është se dukej baçja. Dukeshit ju më shum se baçja. Sikur kishit 200 mij.

Agushi: Ok vlla, ore të pyes ty un, pa atë se pyes më un. E di vlla e di. Varja iku ajo, rëndësi ka të jemi lë qet tani, vlla. Dhe të thyejm qafën andej na Italia s’ke ca bën më këtu.

 

Komunikimi në “chat” më datë 23.09.2016 mes përdoruesve 2853F044 “Agushi” (Taulant Haxhiraj) dhe 2C26AE I O “Adidasë” (person i paidentifikuar), nga ora 09:13:50 deri në orën 10:04:05. Në këtë komunikim Taulant Haxhiraj i tregon personit të paidentifikuar për informacionet e marra nga Gjergji Kohila në lidhje çështjen penale ndaj tyre:

Agushi: O vlla çpb?

Adidas: Iç ça do bëj tani, po dal. Ça bëre ti, mirë u gëdhit andej.

Agushi: Po mir o vlla, ja vajta çova djalin në kopsht, rastësi takova një të krimeve, më tha po ty të kan prer flet më tha. Jo i thash, ç’ne un. Ça thua, tha, ty me tha, dhe për ty, që ai se di fare ça të kam, mora shkr me atë të madhin ketu, jo o vlla, më tha, u hapën që do priteshin, po as ti, më tha, as kush nuk ju është prer gjë, tha, kur s’ka prova nuk mund të prihet asgjë, rrini të qet, më tha, kshu me tha kshu të them. Se un po lëviz nëpër Vlorë.

  1. Komunikimi në “chat” më datë 26.09.2016 mes përdoruesve 2853F044 “Agushi” (z. Taulant Haxhiraj) dhe 2BCC0156 “Xheku 1” (z. Sokol Bode) nga ora 11:18:53 deri në orën 11:41:13. Në këtë komunikim del përfshirja e “Xhekut” në aktivitetin e kultivimit të bimëve narkotike dhe përpunimin e saj pas prerjes:

Agushi: O vlla. Kjo është po në dt 5 i lirohet. Mund të jet dhe në dt 2 gati. Vlla se e ka të prenotuar.

Xheku 1: Po si përdoret ajo. Kjo duket si e bërë vet vëlla. A ja vlen is thua ti vëlla. Është e mirë, bën punë.

Agushi: E thjesht fare i pret dega dega, i vë aty sipër me dor, i nxjerr xham, jo vëlla këmbët janë të bëra vetë, që e ka ngrit. Po vlla ia vlen.

Xheku 1: Po shik vëlla.

Agushi: Se mbaron shumë shpejt.

Xheku 1: Lër dit sa të lirohet ta marrim. Që t’i them atij shokut lë vij aty e ta mari, thua ti.

Agushi: Se një njeri do një ditë të bëj një Kg, me këtë e bën për 10 min. Vetëm duhet lë jet e njom, vëlla, jo e that. Atij ja tregoj unë këtu si e punon, mar një deg e ja qethim vëlla. Ta shikoj ai.

Xheku 1: Ok vëlla, dakort.

Agushi: Për mua ja vlen. Unë bëra 30 kg vetëm për një di, se punojn dy veta me atë vëlla. Një na një krah, një nga krahu tjetër. Do ta shoh vetë ai vëlla. Ok do t’i them, do ta marim. Sa më shpejt të lirohet.

Xheku 1: Ok vëlla, dakort. Po mbasi e bën aty e pastron dhe më pas bën tharjen, apo e lë ashtu vëlla.

Agushi: O vëlla, ajo është pri na pema gjethe pastaj thahet dhe thahet më shpejt se i ikin gjethet.

Xheku 1: Ok vëlla. Vetëm sa t’i lirohet atij shokut do ta marrim, ok. Ti kur do vish në tr vëlla. Apo se ke vendosur.

Agushi: Ja të mbaroi një punë, besoj për dy ditë vëlla.

Xheku 1: Ok.

  1. Komunikimi në “chat” më datë 28.09.2016 mes 2853F044 “Agushi” (z. Taulant Haxhiraj) dhe 25CA0278 “Fiati” (z. Gjergji Kohila). Në këtë komunikim, përsëri Gjergji Kohila informon z. Taulant Haxhiraj që të bënte kujdes në ditët në vijim sepse kishin ardhur grupet e vëzhgimit dhe të porosiste për këtë edhe bashkëpunëtorët e tij në rrethinat apo fshatrat ku ndodheshin. Veçanërisht duhen evidentuan në këtë bisedë shprehjet e z. Gjergji Kohila, që tregojnë se hetimi penal po kryhej i rezervuar ndaj policisë vendore Vlorë pikërisht për shkak të përfshirjes së strukturave të caktuara të saj në këtë aktivitet kriminal, apo në dekonspirimin e hetimeve, dhe se aktiviteti i kultivimit kryhej me miratimin/lejen e këtyre strukturave:

Fiati: Ça bëre, mir? Si ke qenë?

Agushi: Mir vlla si je ti, tani e pash.

Fiati: Bëj kujdes nga nesër!

Agushi: S’po e kuptoj vlla.

Fiati: Se do kesh grupe nga nesër nga pas.

Agushi: Ça ka ndodh?

Fiati: Kan ardhur këta të vëzhgimit, për atë që kishit.

Agushi: Ka ndonjë rrezik se un asgjë s’bëj më. Ça do vëzhgojn ata? Kur çoj djalin në kopsht, vlla?

Fiati: Po s’bën gjë. Ri në shtëpi, mos e vra mendjen.

Agushi: Po vlla, asgjë s’po bëj më, i kam bër stop gjithçka.

Fiati: Shko porosit ata djemtë që kishit tani të ken kujdes, se do jen dhe ata në vëzhgim. Hiqu numrat e tel. Mos harro!

Agushi: Ok vlla, sa do zgjas kjo, po ata s’meren me asgjë, një punon kamerier, një në pik llotoje, jan me pak llafe, hallexhinj, vlla.

Fiati: E di, por thuaj të bëjn kujdes. S’ka problem. Kanë shkruajtur prap ata të SHIK-ut.

Agushi: Po un të dal nesër, vlla, normalisht jetën e përditëshme?

Fiati: Do keni ndonjë spiun brenda.

Agushi: Po për ça do spiunoj tani, o vlla, as me asnjë nuk po tak, më.

Fiati: Ok, mos u thuaj me kë flet ti, flasin në tel ata, e s’na thon më gjë neve ata.

Agushi: Të dal normal nesër un, villa, jetën e përditshme apo të fshihem? Ok, pa merak, jo vlla, jo se do i them.

Fiati: Dil normalisht, mos e vra mendjen po s’bën gjë. Porositëm ata djemtë të rin mirë. Hë, mos e vra mendjen fare.

Agushi: Ok vlla, jo jo vlla asgjë, po të bëja do ishe i pari do të thoja, vlla. Dhe do të pyes kur të filloj pun.

Fiati: Ok.

Agushi: Vlla.

Fiati: Ri i qet.

Agushi: Se po ha pensionin e plakës. Hahaah.

  1. Komunikimi në “chat” më datë 29.09.2016 mes përdoruesve 2BCC0156 “Xheku 1” (z. Sokol Bode) dhe 2B53F044 “Agushi” (z. Taulant Haxhiraj), nga ora 21:33:27 deri në orën 21:35:01. Në këtë komunikim z. Taulant Haxhiraj i tregon z. Sokol Bode për informacionet që kishte marrë nga z. Gjergji Kohila në lidhje me grupet e vëzhgimit që kishin ardhur nga Tirana:

Xheku 1: Cpb vlla ... .

Agushi: Ça bën ti mir ke qen më shkr Fiati vlla. Ki kujdes kan ardh na tr. I thash o vlla atë pun kan jam mësuar. Më tha po kan ardh për ty për atë që kishe në fshat. Po ça i thash akoma me mua do meren. Mir i thash rofsh flm.

  1. Komunikimi në “chat” më datë 02.10.2016 mes 2B53F044 “Agushi” (Taulant Haxhiraj) dhe 25CA0278 “Fiati” (Gjergji Kohila). Ky komunikim lidhet pikërisht me të afërmin e Gjergji Kohilës, punonjësin e policisë Renaldo Avduli, i referuar këtu si “baxhanaku”, që kishte lidhje me shtetasin Taulant Haxhiraj dhe që është përmendur edhe në bisedat e tjera mes tyre (“r”, “reni”, “kunati i gj”). Nga njoftimet në media, Taulant Haxhiraj është i shqetësuar për këtë të fundit dhe për vetë Gjergji Kohilën. Biseda zhvillohet dy ditë përpara asgjësimit të rreth 5,000 (pesë mijë) rrënjë bimë narkotike “cannabis sativa” më datë 04.10.2016 në zonën mes fshatrave Vezhdanisht dhe Treblovë, Vlorë, dhe arrestimit të vetë Taulant Haxhiraj:

Agushi: Ça ishte ky lajmi, po lexoja s’më pëlqeu? Apo s’ka lidhje?

Fiati: S’ka lidhje vëlla. Ky për baxhanakët.

Agushi: Ok vlla, për merak për ty të pyeta vlla. Po vlla.

  1. Nga ana tjetër, ka rezultuar se i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, së bashku me të pandehurin në procedim të lidhur z. Florian Habilaj (vëllai i tij) dhe me shtetas të tjerë, kryesisht me lidhje farefisnie me njëri-tjetrin, në bashkëpunim edhe me shtetas italianë, kryenin trafikimin e lëndës narkotike “cannabis sativa” nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimi penal i kryer nga autoritetet gjyqësore italiane ka vërtetuar aktivitetin e tyre në këtë drejtim dhe nga viti 2013 deri në vitin 2015 janë arritur të sekuestrohen sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike “cannabis sativa” të trafikuar nga Shqipëria në Itali, dhe konkretisht:
  • Më datë 25.10.2013, në Augusta, Itali, është kapur dhe sekuestruar nga autoritetet italiane sasia prej 1650 kg (njëmijë e gjashtëqind e pesëdhjetë kilogramë) lëndë narkotike “cannabis sativa”. Lënda narkotike ishte transportuar në rrugë detare nga Shqipëria në Itali të njëjtën ditë (në vijim Episodi “Augusta”);
  • Më datë 27.02.2014, në Palagonia, Itali, është kapur dhe sekuestruar nga autoritetet italiane sasia prej 289.7 kg (dyqind e tetëdhjetë e nëntë pikë shtatë kilogramë) lëndë narkotike “cannabis sativa”, e cila ishte transportuar nga Shqipëria në Itali në një kohë të pacaktuar dhe, në momentin e kapjes nga policia, po mbahej dhe transportohej në territorin italian (në vijim episodi “Palagonia”;
  • Më datë 29.07.2014, në Katania, Itali, është kapur dhe sekuestruar nga autoritetet italiane sasia prej 293.5 kg (dyqind e nëntëdhjetë e tre pikë pesë kilogramë) lëndë narkotike “cannabis sativa”, e cila ishte transportuar nga Shqipëria në Itali në një kohë të pacaktuar dhe në momentin e kapjes nga policia po mbahej dhe transportohej në territorin italian (në vijim episodi “Katania”;
  • Më datë 08.05.2015, në Riposto, Itali, është kapur dhe sekuestruar nga autoritetet italiane sasia prej 880 kg (tetëqind e tetëdhjetë kilogramë) lëndë narkotike “cannabis sativa”, e cila ishte transportuar nga Porto Palermo, Shqipëri, në Riposto, Itali, me peshkarexhën “Fatima”, në të cilën lënda narkotike ishte ngarkuar në orët e para të mëngjesit të datës 06.05.2015 (në vijim episodi “Fatima”);
  • Më datë 04.10.2016, janë asgjësuar 5,000 (pesëmijë) rrënjë bimësh narkotike “cannabis sativa” në zonën mes fshatrave Vezhdanisht dhe Treblovë, Vlorë (në vijim episodi “Vezhdanishtë-Treblovë”);
  • Më datë 18.10.2017, në fshatin Babicë e Vogël, Vlorë, në banesën e shtetasit z. Armand Koçerri, është gjetur dhe sekuestruar nga policia gjyqësore sasia prej 3,978 kg  (tremijë e nëntëqind shtatëdhjetë e tetë kilogramë) lëndë narkotike “cannabis sativa”, e paketuar. Gjithashtu, po në fshatin Babicë e Vogël, në objektin fabrikë vaji në pronësi të shtetasit Florian Habilaj, është gjetur dhe sekuestruar një mjet lundrues gomone, mbi të cilën ndodhej një motor së bashku me karelin metalik (në vijim episodi “Koçerri”).
  1. Në përfundim të hetimeve të autoriteteve gjyqësore italiane, Gjykata e Katanias me vendimin datë 12.10.2017, ka caktuar ndaj shtetasve shqiptarë z. Moisi Habilaj, z. Nezar Seiti, z. Maridian Sulaj, z. Armando Sulaj, z. Sabaudin Çelaj, z. Florian Habilaj, z. Fatmir Minaj dhe disa shtetasve italianë z. Antonino Riela, etj., masat sigurimit personal “Arrest në burg” për veprën penale të organizimit kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike (parashikuar nga neni 74, paragrafët 1, 2, 3, 4, të DPR 309/90) si dhe për veprat e veçanta penale të importimit, transportit dhe mbajtjes me qëllim shpërndarjen e lëndëve narkotike, sipas sasive konkrete të sekuestruara apo evidentuara (parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal Italian dhe nenet 73 e 80, paragrafi 2, të DPR 309/90, etj.). Masat e sigurimit janë zbatuar nga autoritetet gjyqësore italiane në territorin e tyre. Ndërsa i pandehuri z. Nezar Seiti ishte arrestuar në Shqipëri dhe u ekstradua drejt Italisë, pasi u lejua ekstradimi me vendimin nr. 1506 regj. them., datë 18.12.2017, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
  2. Edhe hetimi penal i filluar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka përfunduar dhe çështja penale ndaj këtyre shtetasve është dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë. Siç është përmendur më lart, procedimi penal ndaj tyre është ndarë nga procedimi penal nr. 134, i vitit 2016, duke u numërtuar me nr. 134/4, të vitit 2016, dhe është dërguar për gjykim.
  3. Kështu, nëpërmjet letërporosisë Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka marrë nga Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Katanias, Itali, aktet e hetimit penal të kryer ndaj shtetasve shqiptarë z. Moisi Habilaj, z. Nezar Seiti, z. Maridian Sulaj, z. Armando Sulaj, z. Sabaudin Çelaj, z. Florian Habilaj dhe z. Fatmir Minaj. Aktet janë marrë me disa letërporosi radhazi të dërguara gjatë hetimit paraprak.
  4. Nga këto akte rezulton se fillesat e hetimit ndaj të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj janë hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal nr. 4942/12 R.G.N.R. (Operacioni “Odissea 2012”) ndaj një organizate kriminale që merrej me trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, kryesisht marjuanë, mes Shqipërisë dhe Italisë, që kishte si element kyç të saj shtetasin shqiptar z. Erson Zhuka, ku kishin dalë të dhëna për kontakte të shumta të tij me shtetasin shqiptar z. Moisi Habilaj. Veprimtaria hetimore teknike në drejtim të z. Moisi Habilaj nxori në pah aktivitetin e tij në lidhje me lëndët narkotike dhe evidentoi si bashkëpunëtor një person të thirrur “Daja” i identifikuar si z. Sabaudin Çela. Prokuroria e Katanias vazhdoi hetimet ndaj z. Moisi Habilaj në kuadër të një procedimi të ri penal, të regjistruar me numër 15355/13 R.G.N.R.
  5. Nga ndjekja penale e kryer nga autoritetet italiane është arritur që të kapen në disa raste sasi të konsiderueshme me lëndë narkotike “cannabis sativa” të transportuara nga Shqipëria në Siçili nga grupi i udhëhequr nga z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj, në të cilin bënin pjesë ndër të tjerë edhe z. Angelo Busacca, z. Antonino Riela, z. Florian Habilaj, z. Maridian Sulaj, z. Nezar Seiti, sikurse përshkruhen më sipër. Përveç këtyre rasteve janë sekuestruar edhe sasi më të vogla lënde narkotike që ishin objekt shitblerje brenda territorit italian, por me origjinë nga lënda narkotike e sjellë në Itali nga grupi i të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj.
  6. Pavarësisht sekuestrimeve të shumta, grupi i drejtuar nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj ka vijuar të jetë aktiv në aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të narkotikëve edhe pas përfundimit të hetimeve të procedimit penal 15355/13 R.G.N.R., prandaj autoritetet gjyqësore italiane kanë vijuar ndjekjen e tij në kuadër të një procedimi të ri penal të regjistruar për këtë qëllim, me numër 15431/16 R.G.N.R. Megjithatë nuk është bërë e mundur kapja e ndonjë sasie lënde narkotike të trafikuar në Itali.
  7. Në lidhje me sa më sipër, në vendimin e Gjykatës së Katanias të datës 12.10.2017, për caktimin e masave të sigurimit ndaj shtetasve z. Moisi Habilaj etj., ndër të tjera përmendet:

Pas depozitimit të komunikimit lë raportit të veprës penale përmbyllëse të datës 15.11.2016, GDF (Guardia Di Finanza) në përfundim të veprimtarisë hetimore të zhvilluar në kuadër të procedimit penal 15353/13, i sinjalizonte këtij autoriteti gjyqësor si subjekte, qoftë me kombësi shqiptare ashtu italiane, që bënin pjesë në një organizatë kriminale me qëllim trafikun transkombëtar të marjuanës dhe që tashmë operon në aksin “Siçili – Shqipëri.

Më saktësisht, hetimet e kryera nga G.D.F, përveç se kanë mundësuan përvijimin në detaj të strukturës ... në grupime lë lidhura mirë me njëri-tjetrin nëpërmjet disa prej pjesëmarrësve të tyre mes të cilëve ... Erson Zhuka, lejonin që të kuptohej plotësisht mënyra e përdorur për importimin e drogës nga Shqipëria nëpërmjet detit, veçanërisht ata të grupit ku bënte pjesë Moisi Habilaj, rrethanë e cila lejonte që të kryheshin sekuestrime të përsëritura të lëndës narkotike të tipit marjuanë për një total prej 3687 kilogramësh.

Në lidhje me këtë, në periudha përpara dhe pas dislokimit të ngarkesave të marjuanës nga Shqipëria në Itali rezultonte të intensifikoheshin udhëtimet që Moisi Habilaj së bashku me disa nga bashkëpunëtorët e tij shqiptarë më të ngushtë ndërmerrte nga dhe drejt Sicilisë në mënyrë që të kryente me bashkëpjesëmarrësit siçilianë vetëm “me të parë” të përgatitjeve organizative që do t’i paraprinin mbërritjeve të ndryshme të lëndëve narkotike.

Në mënyrë specifike, përveç mbledhjes së porosive të marjuanës dhe pagesave të saj, udhëtimet në fjalë rezultonin me qëllim identifikimin dhe bonifimin e vendeve ku të lidheshin (ankoroheshin) mjetet lundruese që transportonin ngarkesat e mëdha të lëndës në fjalë dhe zgjedhjen e vendeve të përshtatshme për magazinimin e tyre.

... monitorimi i kryer i disa prej subjekteve të sinjalizuar në pritje të lëshimit të mundshëm nga ana e zyrës kompetente të Gjykatës për Hetime paraprake të një mase sigurie të përshtatshme ... kundrejt organizatës që i referohej të sipërpërmendurit Moisi Habilaj, veprimtaria e të cilit në momentin e mbylljes së veprimtarisë hetimore rezultonte në zhvillim të plotë, bëri të kuptohej se ajo vazhdon ende “e pa shqetësuar” në trafikun e lëndëve narkotike ... .

... pavarësisht se aktiviteti hetimor nga tetori 2013 deri në maj 2015 ka qenë shumë më i gjerë dhe prej tij, përveç sekuestrimeve të mëdha të lëndës narkotike me arrestime në flagrancë të përmendura më sipër, kanë dalë në pah elemente të tjera të shumta që vërtetonin jo vetëm importime dhe shkëmbime lënde narkotike të mëtejshme, por edhe një veprimtari të vazhdueshme dhe të pareshtur të anëtarëve të organizatës ... . ... ...

9. Vazhdimi i hetimeve nga muaji dhjetor 2016 deri më sot.

... Moisi Habilaj dhe bashkëkombasit e tij po vazhdonin të kryenin trafikimin e lëndës narkotike në favor të bashkëortakëve të tyre sicilianë, qofshin ata që operonin në Katania me në krye Antonino Riela, qoftë ata aktivë në Ragusa siç ishte Gianluca Passavanti.

Mbi bazën e këtyre rrethanave është regjistruar procedimi penal 15-131/16 R.G.N.R. (i bashkuar më pas me këtë procedim 15355113 N.R) dhe duke filluar nga data 1.12.216 i janë autorizuar dhe kanë filluar përgjime të reja telefonike të cilat menjëherë kanë dhënë elemente të rëndësishëm verifikimi. Në fakt që në fillim është verifikuar prania e Moisi Habilaj në Siçili dhe është monitoruar ... udhëtimi i kthimit të tij në Shqipëri. ... ...

Gjithsesi, pavarësisht vëzhgimeve dhe ruajtjeve të kryera ... ndërprerja e menjëhershme e disa përgjimeve, së bashku me ndërrimin e vazhdueshëm të makinave të përdorura nga shqiptarët, nuk mundësonte përcaktimin se kur do të vinte lënda narkotike.

Më 26 shkurt 2017 Habi/aj dhe bashkëpunëtorët e tij po ktheheshin në Shqipëri ... .

  1. Në përgjimet ambientale të kryera nga autoritetet gjyqësore italiane, i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, bashkëpunëtorët e tij dhe personat e tjerë shpesh flisnin hapur se në veprimtarinë e tyre ata lejoheshin apo ndihmoheshin edhe nga pjesëtarë të caktuar të strukturave të Policisë së Shtetit në Shqipëri. Në biseda ata shpesh i referoheshin pagesave që bënin në këtë drejtim për “shtetin”, përmendnin punonjës dhe funksionarë të caktuar, referonin informacione konkrete të marra nga punonjës policie, si dhe në situata të caktuara flisnin për bashkëpunimin që kishin me punonjës policie.
  2. Rezultatet e përgjimeve ambientale të kryera në brendësi të automjeteve që përdornin kur shkonin në Itali të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj etj., pasqyrojnë qartë rrethanat e mësipërme dhe konkretisht:
  • Përgjim ambiental në bordin e automjetit Fiat Bravo me targa DG826NA në përdorim të Moisi Habilaj - RIT t 246/ l 3 - Regjistrimi nr. 83, ora 20:12, datë 20.11.2013. Në makinë janë z. Moisi Habilaj dhe z. Sebastiono Greco. Gjatë bisedës Moisiu i thotë Sebastianos se po të shkojë në port puna e tyre dhe të vijë në Shqipëri e kupton se policia shqiptare është e korruptuar dhe se madje ndonjëherë të ndihmon vetë shefi i policisë që të ngarkosh thasët më lëndë narkotike.
  • Përgjim ambiental në bordin e automjetit Fiat Bravo me targa DG826NA në përdorim të Moisi Habilaj - RIT 1246/13 - Regjistrimi nr. 693, ora 20:05, datë 09.01.2014:
  1. Makina është në lëvizje në brendësi të së cilës ndodhet z. Moisi Habilaj dhe z. Eneo Sulaj. Në orën 20:05:37:

Eneo: Këta mutër ja kanë dalë ... por këta llogarinë në treg e bëjnë me 10.000 ... kta të Shtetit llogarinë e bëjnë më 10.000,00 € për kile.

Moisiu: 7 ... 8 ... 10.

Eneo: Ti them 10.000 ajo peshkarexho që kishte 1 (nënkupton 1.000 kg të sekuestruara) kanë bërë një llogari për 10 milion.

Moisiu: Shkon në xhiro pa përfunduar muti janë të kotë këta ... mbushin atë që ... më ka thënë “jepi”  bëhet me vështirësi vëlla ... ai që duhet të shkojë me furgon ri mbi furgon  (e pa kuptueshme) ... gëzon edhe Shteti ... për asgjë ... të them.

  1. Përgjime ambientale në bordin e automjetit Fiat Panda me targa EM734ËR, në përdorim të z. Moisi Habilaj - RIT 224/14 - Regjistrimi nr. 55, ora 20:25, datë 26.02.2014. Makina është në lëvizje ku në brendësi janë z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj, i quajtur “Sabi”.

Në orën 20:25:54:

Sabi: Ai do të vijë pas 20 ditësh ose pas një muaji dhe do të na japë diçka.

Moisiu: Po ... nëse na jep afërsisht 400 na lehtëson/na ndihmon shumë.

Sabi: Si?

Moisiu: Nëse na jep 400 mijë lekë.

Sabi: Sigurisht ... do të hiqnin qafe goxha borxhe ... dua të barazoj/sheshoj gjithçka ... kështu fillojmë për hesapin tonë.

Moisiu: Sigurisht.

Sabi: Me shtetin ... me personat dhe me të gjithë.

Moisiu: Për të qenë korrekt me të gjithë.

Sabi: T’i bësh zero (nënkupton të heqë të gjitha harxhet) ... kështu punojmë për vehten tonë ... me 100 mijë lekë arrijmë të mbulojmë pothuajse të gjitha. ...

Sabi: Problematikë kemi Renaton ... Shteti dhe paratë për qiranë.

Moisiu: Po. po.

Sabi: Janë këta që na këpusin. ...

  1. Përgjime ambientale në bordin e automjetit Fiat Panda me targa EMI734ËR, në përdorim nga z. Moisi Habilaj - RIT 224/14 - Regjistrimi nr. 477, ora 17:12. datë 03.03.2014:

Makina në lëvizje, në të janë z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj, i quajtur “Sabi”. Në sfond ka muzikë.

Moisiu: ... duhet të lajmë borxhet me personat ...

Sabi: Ne na vret/peshon Renato ... se shumën më të madhe i detyrohemi atij ... edhe sepse të tjerët janë me dhjetra e njëzetëra (e ka fjalën për dhjetra e njëzetëra mijëra euro} ... edhe Shteti që na vret/peshon ... e kemi më llogari mënjanë.

Moisiu: Po janë 400.000 lek. ....

  1. Përgjime ambientale në bordin e automjetit Fiat Panda me targa EM734ËR, në përdorim nga z. Moisi Habilaj - RIT 224/14 - Regjistrimi nr.502, ora 20:19, datë 03.03.2014:

Makina në lëvizje, në të janë z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj. i quajtur “Sabi”. Në sfond ka muzikë.

Moisiu: ... Por duhet të fusësh në llogari se duhet të paguash akoma paratë e 50 kileve ... 25 herën e parë dhe 25 të tjera ... dhe pastaj e kemi bërë një si llogari totale.

Sabi: Po a nuk i kishim lënë mënjanë ato për Shtetin?

Moisiu: Jo ... ishin 25 të tuat ... as këtë herë nuk e kemi vënë mënjanë (pjesën për Shtetin).

Sabi: E mirë ... do tu heqim mënjanë. ... .

  1. Në episodin e sekuestrimit të sasisë prej 880 kg (tetëqind e tetëdhjetë kilogram) lëndë narkotike “cannabis sativa” në Riposto, Siçili, më datë 08.05.2015, përgjimet ambientale të kryera nga autoritetet gjyqësore italiane në bordin e peshkarexhës “Fatima” faktojnë më së miri mënyrën se si u transportua lënda narkotike drejt Italisë dhe bisedat e kryera nga autorët, veçanërisht nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, lidhur me rolin e strukturave të caktuara të policisë shqiptare në ndihmën që u jepej atyre për trafikimin e lëndës narkotike, përfshirë edhe punonjës të caktuar të qendrave të monitorimit detar dhe konkretisht:
  • Përgjime ambientale në bordin e Peshkarexhës “Fatima 3SR877”, në përdorim të Rosario Giuliano dhe Giuseppe Grcco - RIT 1354/14 - Regjistrimi nr. 11000. ora 01:05:19, datë 06.05.2015:
  1. Sipas monitorimit të lëvizjeve të peshkarexhës “Fatima” të nisur nga Sicilia, në të cilën ndodheshin shtetasit italianë z. Rosario Giuliano dhe z. Giuseppe Greco, rezulton se ajo rreth orës 01:00, të datës 06.05.2015, mbërriti në ujërat territoriale shqiptare në afërsi të Porto Palermos dhe po ecën drejt brigjeve shqiptare. Në orën 01:23:27 peshkarexha akostohet pranë një mjeti në lundrim në bordin e të cilit është z. Moisi Habilaj. Në vijim është biseda:

Giuseppe: Saro ... me ngadalë ... me ngadalë  Saro ...

Giuseppe: E ke hequr GPS nga këtu?

Rosario: Nëse të them që nuk kam ... nuk e kam ... .

Moisiu: Me ngadalë, me ngadalë ... .

Rosario: Ndalo këtu.

Moisiu: E ke atë gjënë për ta ngulur?

Giuseppe: Jo ... nuk e kemi këtu në barkë.

Rosario: Është një port që është kaq i madh?

Moisiu: I vogël, i vogël.

Rosario: Hyrja është kjo? ... çfarë është? këtej nuk shihet (duke iu drejtuar Moisi Habilaj). Ky këtu është porti?

Moisiu: Po ... .

  1. Përgjime ambientale në bordin e peshkarexhës “Fatima 3SR877”, në përdorim të z. Rosario Giuliano dhe z. Giuseppe Greco - RIT 1354/14 - Regjistrimi nr. 11004, ora 02:18:18, datë 06.05.2015. Peshkarexha ka ndaluar në Porto Palermo, në Shqipëri (koordinatat 40.0636083 – 19.7926733), dhe brenda saj ndodhen z. Rosario Giuliano dhe z. Giuseppe Greco. Dëgjohen dy peshkatarët që flasin mes tyre me zë të ulët. Në orën 02:22:15 mbërrin Moisi Habilaj. Me të hipur në peshkarexhë, z. Moisi Habilaj iu dha Giulianos dhe Grecos udhëzime në lidhje me operacionet që do të kryheshin pas pak, fillimisht për ngarkimin e karburantit që nevojitej për rrugën e kthimit dhe, më pas, për ngarkimin e lëndës narkotike, duke i siguruar për mbështetjen që kishin tek policia lokale dhe te një funksionar i sallës qendrore të monitorimit detar. Nisur nga gabimi që dy shtetasit italianë bënë në mbërritje, duke u futur në ujërat territoriale greke, z. Moisi Habilaj i udhëzoi ata për rrugën që duhet të ndiqnin kur të linin molin. Konkretisht:

Moisiu: Jo sepse po presim.

Giuseppe: Jo, jo ... po kontrollojmë ujin në serbatorin e varkës.

Moisiu: Gjithçka në rregull?

Giuseppe: Në rregull.

Moisiu: Eej ... tani në fillim të marrim naftën ... të sjellim naftën.

Giuseppe: Po.

Moisiu: Fillojmë me bidonat.

Giuseppe: Po.

Moisiu: Sepse nuk keni bidona lart.

Giuseppe: Mirë.

Moisiu: Mirë dhe pastaj ... dhe pastaj ngjiti.

Rosario: Ku duhet të ngjitemi? Moisiu: (qesh) ... Hipi ... (e pakuptueshme).

Rosario: Duhet të nxitojmë ... se duhet të ikim vëlla ... (qesh) ... duhet të ikim.

Moisiu: Po vëlla, ne duhet t’i bëjmë gjërat ashtu siç duhen bërë.

Rosario: Dëgjo një gjë.

Moisiu: Më thuaj.

Rosario: Policia ... kjo këtu ... .

Moisiu: Po!

Rosario: Është në det tani?

Moisiu: Ata tanët.

Rosario: Po.

Moisiu: Janë në det ... mos ki merak.

Rosario: Po pastaj do ua thuash ama kur të dal.

Moisiu: Mos ki merak ... nuk.

Rosario: Në rregull.

Moisiu: Këtu je si në shtëpinë tënde ... boll!

Dëgjohet Rosario që i drejtohet Giuseppes dhe thotë:

Rosario: Pippo ... po humbet ujë?

Giuseppe: (e pakuptueshme) ...

Moisiu: Shiko çfarë bëhet tani?

Rosario: Një rrip dreqi.

Moisiu: Ç'farë?

Rosario: Një rrip dreqi.

Moisiu: (e pakuptueshme)  duke qenë se duhet të nisesh në orën katër ... sepse të tjerët dalin në katër e gjysëm ti del në katër ... pastaj nëse duhet ... sepse nuk i dihet asnjëherë ... furgoni  (e pakuptueshme) ... është i ngarkuar ... po pres vetëm një zile ... nuk i dihet kurrë  në fillim marrim naftën dhe pastaj jemi në rregull ... nëse vjen dikush ... përse duhet të rrimë ngarkuar dy orë me mutin sipër ... më kuptove? sepse kush e di kush dreqin vjen ... kush ikën ... por ne jemi të kompletuar ama del ndonjë “bastard”.

  1. Në vijim, në orën 02:24:36, flasin për orarin dhe për faktin që duhet të presin edhe një orë e gjysmë:

Moisiu: E di se çfarë duhet të gjesh? Francesco (Rosarion e quan Francecso) ... duhet të gjesh një gjë ... si quhet kjo? ... zinxhir ... jo zinxhir.

Rosario: Litar?

Moisiu: Një litar ... i bëjmë pesë e pesë bidonat ... dhjetë e dhjetë ... dhe i lidhim njëherë kur të nisemi ... e kuptove? ... i zbrazim ... i ngjeshim dhe i provojmë pesë e pesë ... dhjetë e dhjetë  e kuptove? ... a e pe furgonin e policisë që kaloi pak më parë?

Rosario: Ai me drita të bardha ... apo jo?

Moisiu: Shkoi andej apo këtej?

Rosario: Andej ... ai atje që të thashë unë ... është makina ... (e pakuptueshme) ... ai

ishte ai i yni?

Moisiu: Të gjithë tanët janë këtu! ... por del ndonjëherë ndonjë trap si dihet! (vazhdon në mënyrë lë pakuptueshme sepse Moisiu flet me zë shumë të ulët).

Vazhdimi i bisedës:

Moisiu: Sepse nuk e dinë të gjithë këtë ... prandaj të them unë që

 ... duhet lë rrimë 2 orë të ngarkuar me mutin sipër ... 5 minuta “pam pam” dhe ikën ... këtu jam unë ... jemi 6 persona ... 7 persona ... jemi ne 4 vëllezër ... jemi sot këtu ... djali që ishte këtu doli tani nga “Piazza Lanza” (i referohet Sabaudin Çelaj) ... ka një muaj ... ka një muaj që ka dalë ... ka dalë me arrest shtëpie ... shkova dhe e mora ... dhe e solla këtu ... dhe dy nipërit e mi të tjerë ... nuk ka persona të tjerë këtu ... nëse na ndodh ndonjë gjë e tillë minimumi do vdesin 20 vetë ... minimumi ... si  minimum ... (duke qeshur) ... fillojmë me minimumin ... (pauzë) peshkuat? ... jo.

Rosario: Nesër apo pasnesër do të bëjmë parangallin ... (e pakuptueshme) kemi karremin.

Giuseppe: Karremin?

Moisiu: Çfarë?

Rosario: Karremin.

Moisiu: Karremin ... çfarë është?

Rosario: Sardele?

Moisiu: Jo, çfarë dreqin ... .

Moisiu: Ai mori në telefon se është salla ... si thuhet? ... salla është në portin tjetër në kryeqytet ... ku janë ... (e pakuptueshme) ... dhe shikon çdo gjë ... edhe peshqit shikon nga atje ... sepse është shok i një shokut tonë “po si ka mundësi” ... përse iu kërkua “cila është kjo anije? ... dhe ai tha “çfarë anijeje” ... (e pakuptueshme) ... “po si ka mundësi që hyri një milje në ujërat territoriale greke?” ... .

Giuseppe: ... çfarë kishte thënë?

Moisiu: “Si ka mundësi kjo anije ... kjo peshkarexhë që hyri një milje ... në ujërat territoriale greke” ... sepse ai tha “kaloi në ujërat territoriale greke”. ... nuk e di çfarë gënjështrash ju tha ... nga dreqin ta di ... .

Më pas Rosario pyet Moisiun për rrugën që duhet të bëjnë në kthim:

Moisiu: Ti duhet të marrësh tani që këtu ... duhet të dalësh ... djathtas, drejt ... le të themi ... dil këtu ... si jemi ... si erdhëm ... po pak.

Rosario: Më djathtas?

Moisiu: Po, më djathtas ... ishullin e madh duhet ta kalosh nga ana tjetër ... .

Në vijim të bisedës Moisi Habilaj që flet në shqip me Sabin (Sabaudin Çelaj) dhe Lolon (Florian Habilaj) në lidhje me bidonët me naftë.

  • Përgjime ambientale në bordin e Peshkarexhës “Fatima 3SR877”. në përdorim të Rosario Giuliano dhe Giuseppe Greco - RIT 1354/14 - Regjistrimi nr. 11005, ora 02:48:20, datë 06.05.2015:

Ora 02:58:53:

Moisiu i drejtohet Rosarios duke i thënë:

Moisiu: Saro ... më dëgjo mirë vëlla.

Rosario: Më thuaj.

Moisiu: Tani që do ikësh ... duhet të largohesh dy milje nga këtu ... nga toka ... dhe pastaj duhet të ikësh dy milje nga toka ... vazhdo vetëm drejt ... sapo të mbarojnë dritat tona ... se tani më mori në telefon polici që më sqaroi ... që mos t’u afrohesh ujërave greke ... duhet të ecësh vetëm drejt ... kur mbarojnë dritat sepse kur arrin në një pikë pas 6-7 miljesh nuk shihen më dritat ... duhet të ecësh edhe 2-3 milje të tjera ... dhe pastaj hyn ....

Rosario: Pastaj kthehu majtas.

Moisiu: Drejt Italisë ... e kuptove? .... nuk duhet të gabosh vëllai im.

  • Përgjime ambientale në bordin e Peshkarexhës “Fatima 3SR877”, në përdorim të Rosario Giuliano dhe Giuseppe Greco - RIT 1354/14 - Regjistrimi nr. 11006, ora 03:18:20, datë 06.05.2015:

Anija e peshkimit e ndaluar në Porto Palermo në Shqipëri, në bord Rosario Giuliano, Giuseppe Greco, Moisi Habilaj, Sabaudin Çelaj dhe burra të tjerë shqiptarë. Vazhdojnë bisedat.

Në orën 03:32:56 dëgjohet një “bip” për një sms të marrë. Në vijim Moisiu vazhdon t’i shpjegojë sërish Rosarios udhëtimin për të dalë nga ujërat territoriale shqiptare dhe e qetëson duke i thënë “këtu nuk të ndalon njeri”.

  1. Nga provat e marra gjatë hetimit paraprak të kryer nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, rezulton se ardhja e “një mjeti lundrues të dyshimtë” në brigjet shqiptare, që po vinte nga ujërat e shtetit grek, është sinjalizuar nga operatori i sistemit SIHVD në Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare (shkurt “QNOD”) dhe i është përcjellë për verifikim Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi, ditë në të cilën ka qenë në shërbim vetë i pandehuri në procedim të lidhur z. Sokol Bode. Verifikimin në vend e ka kryer mjeti lundrues BP-06 i policisë kufitare shqiptare, i cili ka raportuar një anije tjetër, peshkarexhën “Rozeta 1”, si mjeti lundrues i sinjalizuar nga QNOD. Pikërisht në këtë kohë është raportuar nga QNOD se radari në ishullin e Sazanit kishte dalë jashtë funksionit.
  2. Kështu, me procesverbalin e këqyrjes dhe marrjes së provës dokument datë 09.05.2018, është këqyrur regjistri “Dhërmi Libër Ditar Lundrimi ML BP-06”, që mbahet pranë Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, në të cilin ka rezultuar shënimi i bërë në regjistër më datë 06.05.2015, ora 01:10, i njoftimit të marrë nga QNOD për një mjet që ndodhej katër milje përballë Palermos, me lëvizje drejt Palermos, dhe shënimi në orën 01:30 se pas verifikimit të kryer mjeti lundrues rezultoi “Fluga Rozeta” e cila u kthye në Palermo.
  3. Gjithashtu, me procesverbalin e këqyrjes dhe marrjes së provës dokument datë 09.05.2018, është këqyrur regjistri “26/2015 Libër Raportime Situatë Operative DRKM­Vlorë”, i mbajtur në Postën Kufitare Dhërmi, në të cilin kanë rezultuar shënimet e mëposhtme në datën 06.05.2015:

Ora 01:07  Njofton Q.N.O.D se po afrohet një objekt dhe po lëviz me shpejtësi 8-9 milje përballë Himarës. Po dërgojmë BP-06 e cila ndodhet në Jalë në patrullim, si dhe komunikova me Semolanes i cili është BP-2-1 në zonën përballë Borshit.

Ora 01:15  Njofton Q.N O.D se Radarit i Sazanit doli jashtë funksionit.

Ora 01:35  Raporton BP-06 se objekti që dha Q.N.O.D është peshkarexha Rozeta-1, po kthehet për në Palermo, s’ka probleme. BP-06 po vazhdon patrullimin sipas detyrës së marrë nga shefi i stacionit Dhërmi.

  1. I pandehuri në procedim të lidhur z. Sokol Bode, në funksionin e Shefit të Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi, ka qenë në shërbim pikërisht ditën kur u ngarkua lënda narkotike në peshkarexhën “Fatima”. Me procesverbalin e këqyrjes datë 09.05.2018, është këqyrur regjistri “26/2015 Dhërmi Libër i Planizimit të Shërbimit SPK Dhërmi”. Sipas regjistrit, z. Sokol Bode ka qenë i planizuar në shërbim nga ora 08:00, e datës 05.05.2015, deri në orën 08:00, të datës 06.05.2015. Sipas shënimeve të mësipërme, mjeti lundrues i policisë kufitare BP-06 ka patrulluar “sipas detyrës së marrë nga shefi i stacionit Dhërmi”.
  2. Ardhja e peshkarexhës “Fatima” nuk figuron në asnjë regjistër të mbajtur pranë Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi apo Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, megjithëse ajo, atë natë, ankoroi edhe në molin e Porto Palermos për rreth 3 orë (konfirmuar ky fakt edhe nga koordinatat gjeografike të sipërcituara).
  3. Gjithashtu, me shkresën nr. 2511 prot., datë 04.05.2018, të QNOD pranë Ministrisë së Mbrojtjes, Durrës, jepen të dhëna për lëvizjet e mjeteve detare në tërësi në datat 5-6 Maj 2015, jepen të dhëna për veprimet e kryera për verifikimin e mjetit lundrues të dyshimtë që vinte nga ujërat territoriale të shtetit grek dhe rezultatet e verifikimit nga mjeti lundrues i policisë kufitare shqiptare BP-06. Përmendet mes të tjerave se në orën 01:30, të datës 06.05.2015, mjeti lundrues BP-06 ka kontaktuar mjetin e dyshimtë dhe rezultoi se ishte peshkarexha “Rozeta”. Në raportet e kësaj date, të mbajtura në QNOD, nuk ka asnjë të dhënë për peshkarexhën “Fatima”. Jepen gjithashtu edhe emrat e personelit që ka qenë me shërbim në këto data.
  4. Për sa i përket peshkarexhës “Rozeta 1”, rezulton se ajo ka qenë në det në gjueti në datat 5-6 maj 2015. Sipas procesverbalit datë 02.05.2018 për këqyrjen dhe marrjen e dokumenteve “Libër H-D të Mjeteve Shqiptare PKK Himarë”, mbajtur nga ana e Policisë së Stacionit Kufitar Dhërrni, rezultojnë shënimet për lëvizjen e mjetit lundrues “Rozeta”, me pronar B.Pilinxhi, koha e daljes për gjueti datë 05.05.2015, ora 03:50, koha e kthimit datë 06.05.2015, ora 18:30. Ky fakt ka shërbyer për regjistrimet e bëra në ditarin e lundrimit të mjetit lundrues BP-06 dhe regjistrat e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi që u përmendën më sipër.
  5. Edhe shtetasi z. Besnik Pilinxhi, i pyetur gjatë hetimit paraprak në procesverbalin për marrjen e të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale, datë 26.05.2018, ka deklaruar se prej vitit 2011 ushtron aktivitetin e peshkimit në zonën e Himarës, Dhërmiut deri në Sazan, me një anije “fllug” me emrin “Rozeta”. I pyetur nëse kur kishte dalë për gjueti në datat 5-6 maj 2015 është kontrolluar nga policia dhe si kanë qenë rrethanat konkrete, është përgjigjur se nuk e mban mend datën e saktë, por i janë bërë disa herë kontrolle gjatë qëndrimit në det, nga ana policisë dhe ushtrisë. Në vijim ai ka deklaruar: “... Mesa kujtoj unë një rast, që përkon përafërsisht me muajin Maj të vitit 2015 më është bërë një kontroll fizik i anijes time në det nga ana e skafit të policisë Himarë, ku në anije për kontroll kanë qenë dy punonjës policie, por që nuk i mbaj mend se kush janë dhe as emrat e tyre. Në kohën kur më është bërë kontrolli, mund të kem qenë 5-6 milje në det, në kërkim të grepave, afërsisht kam ndjekur vijën nga Palermo në Dhërmi... Pas kontrollit, punonjësit e policisë raportuan kolegët e tyre, duke raportuar që u kontrollua peshkarexha ime dhe nuk kishte asnjë problem. Unë i pyeta pse më kontrolluan. Ata më thanë se ishte një kontroll fizik, pa më sqaruar më tepër...dhe më pas ata më kanë lënë që të ushtroja aktivitetin dhe pasi kam vazhduar punën kam gjetur grepat, jam kthyer në Portin Himarë, por nuk e kujtoj saktë kohën e kthimit.
  6. Në përfundim shtetasi z. Besnik Pilinxhi ka pohuar se në të gjitha rastet që policia ka kontrolluar anijen e tij nuk është mbajtur prej tyre ndonjë procesverbal kontrolli.
  7. Gjatë hetimit paraprak nga Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë është kërkuar që të nxirret gjurma detare e peshkarexhës “Fatima” më datë 5-6 Maj 2015. Me shkresën nr. 185 prot., datë 03.05.2018, të Komandës së Forcës Detare, prokuroria është informuar se është i pamundur kthimi i gjurmës detare në lidhje me mjetin detar “Fatima” për datën 06.05.2015, pasi “soft-i” i Menaxhimit të Situatës Detare, që është përdorur për monitorimin e situatës detare në Sistemin e Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare (shkurt “SIVHD”) në periudhën në fjalë, është jashtë funksionit sepse kishte pësuar defekt që prej datës 05.07.2015.
  8. Nga aktet bashkëngjitur shkresës nr. 2511 prot., datë 04.05.2018, të QNOD (shkresa është përmendur edhe më lart), vihen re mjaft probleme teknike në funksionimin e mjeteve monitoruese në QNOD. Konkretisht, në dokumentin me nr. 126 prot.. datë 06.05.2015, të QNOD, me titull “Raport mbi veprimtarinë 24-orëshe në QNOD prej orës 08:00 datë 05/05/2015 deri në orën 08:00, datë 06/05/2015”, është pasqyruar:

SHËNIME TË DREJTORIT ADMINISTRATIV

SISTEMET E MONITORIMIT

SIVHD

Ora 16:45-18:30 jashtë funksionit sistemi me Jugun, probleme me luhatjen e tensionit Mikrovala në Zvërnec.

BLUE-BOX

Sistemi BLUE-BOX është jashtë shërbimi nga data 06/02/2015. Jemi të informuar se kompanisë “IT Tirana” sh.p.k., e cila merrej me shërbimin e sistemit si operator i ka mbaruar kontrata. Për këtë arsye BLUE-BOX nuk funksionon.

SISTEMET E KOMUNIKIMIT

TETRA

... S Sazan nga ora 03:50 datë 04/05/2015 nuk punon, ka probleme furnizimi me energji elektrike ... .

VHF Saior

Komunikim vetëm me Rojen Bregdetare.

... Blu

MCjashtë funksionit, ka probleme me ushqyesin.

...

  1. Planet për të përdorur peshkarexha për të transportuar lëndën narkotike nga Shqipëria në Itali nuk ishin të reja për grupin e z. Moisi Habilaj. Në një bisedë të mëparshme (biseda e mëposhtme) përmendet kjo mënyrë transportimi si dhe fakti se për të shmangur pikasjen anijet i fiknin sinjalizuesit e pozicionit të tyre. Ndihma e dhënë për gjetjen e peshkarexhave për t’i përdorur për transport narkotikësh pohohet edhe nga shtetasi italian z. Antonino Riela, i pyetur nga autoritetet gjyqësore italiane
  2. Përgjime ambientale në bordin e automjetit Fiat Panda me targa EM734ËR, në përdorim të z. Angelo Busacca dhe z. Moisi Habilaj - RIT 749/14 - Regjistrimi nr. 9833, ora 13:18, datë 02.10.2014. Makina në lëvizje me në bord z. Moisi Habilaj dhe z. Armando Sulaj. Në sfond muzikë. Në orën 13:19:57 makina largohet nga rruga “Dei Mandaranei”. Në vijim:

Moisiu: Ndalojmë rrugës për të ngrënë ndonjë gjë?

Armando: Po nëse do shkojmë për të marrë ato ... Sa është ora?

Moisiu: Është ora një.

Armando: Është një ... qëndrojmë këtu pasi as ai nuk ka shumë kohë.

Moisiu: Nëse na japin 20 (bëhet fjalë për 20 mijë euro) këto bajgat ... pasi duan ndonjë lek ato bajgat atje lart.

Armando: Kushërinjtë e mij?

Moisiu: Eeh (po).

Armando: Për “këta” me tha Lolo që do t’ua merrte me 350.

Moisiu: Ishte e mirë për “këtë”!

Armando: Edhe ma tha Lolo që ishte e mirë.

Moisiu: Me 20 i kam thënë ... . Nëse është anije bëhet menjëherë!

Armando: Vij edhe unë.

Moisiu: Por që duhet ta bëjmë në 4 ... . Këta të dyjanë të zinj pasi kishte radion në dorë (i referohet disa personave të parë shkarazi dhe të konsideruar se i përkasin forcave të rendit).

Armando: Ata i fikin radarët?

Moisiu: Si!

Armando: Ai që është me “peshkarexhën” i fik radarët/transponder?

Moisiu: Sigurisht.

Armando: Po gomonia vjen deri këtu?

Moisiu: Po sigurisht që vjen ... . Unë do ta bëj atë punë me çdo kusht ... po përse të rrezikoj ... .

Armando: Po sigurish! ... me këtë shkon drejt e në shpi.

Moisi: Sepse duhet të bëj (punën) e vështirë.

Armando: Me këtë (e ka fjalën për peshkarexhën) është i sigurt si këtu edhe atje.

  1. Gjatë hetimit të kryer nga autoritetet italiane të drejtësisë është evidentuar fakti se të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, z. Maridian Sulaj dhe z. Nezar Seiti, duke parë kapjet e njëpasnjëshme të lëndës narkotike të sjellë prej tyre në Itali, filluan që të tregoheshin me të kujdesshëm në aktivitetin që kryenin dhe të ruheshin ndaj përgjimeve ambientale brenda automjeteve, të cilat deri në këtë kohë kishin rezultuar të suksesshme për autoritetet italiane të hetimit. Përgjimet ambientale të periudhës Dhjetor 2016 – Shkurt 2017 evidentojnë veprimet e të pandehurve në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, z. Maridian Sulaj dhe z. Nezar Seiti për të gjetur dhe hequr pajisjet përgjuese në automjete, si dhe për t’i ruajtur ato në vende të sigurta (garazhe të mbyllura) nga aktivitetet e policisë gjyqësore italiane.
  2. Kështu numri telefonik i përgjuar 3331955136, në përdorim nga z. Fatmir Minaj - RIT. 1725/16 - Prog. 101, datë 09.12.2017, ora 14:06, i përgjuar në hyrje nga numri i telefonit 3389055806, në përdorim nga z. Ervehe Minaj, e quajtur ndryshe “Biku”. Znj. Ervehe Minaj, e quajtur ndryshe “Biku”, merr në telefon z. Fatmir Minaj. Gjatë telefonatës Fatmiri e pyet atë nëse ata (Moisiu dhe Nezari) kishin mbërritur, gruaja përgjigjet jo. Z. Fatmiri i thotë asaj se Giovanni i dorëzon çelësat e garazhit, ata mund të fusin gjërat, gruaja përgjigjet duke i thënë:

- po, në rregull, por pastaj çelësin e makinës do ta ketë Dani (Maridiani).

Fatmiri - Kush e tha?

            Biku - Po këta duan të lënë makinën që ka Dani ... që ia kanë lënë Danit dhe pastaj kur të vinë ata heqin atë për të dalë dhe pastaj fusin atë të shokut.

Fatmiri - Shumë mirë, atë ... çelësin e asaj makinës ata duhet ta çojnë në shtëpi, sepse duhet t’ia lënë Danit?

Biku  - Po, por ata thonë se kur ta çojnë në ndonjë vend ... Demit i duhet makina ... apo jo ... gjithsesi flasim, sepse nuk e dimë ... nuk di ça të them, do e flasim më mirë me ata.

Fatmiri - Mirë, në rregull ... mirë, por ara mos kanë ardhur vallë? ...

Nezari - Por ti the “në ditë”?

Fatmiri - Në muaj ... ça dirë?

Nezari - 55 euro në muaj?

Fatmiri - Po!

Nezari - Ky këtu që ka garazhin afër shtëpisë?

Fatmiri - Si?

Nezari - Ai për të cilin kemi folur?

Fatmiri - Jo, jo.

Nezari - Ku? Në ç’vend?

Fatmiri - Është këtu ... në Modica Alta ... është aty ... e di Moisiu.

Nezari - Në rregull ... në rregull.

Fatmiri - Thuaji “aty ... tek Giovanni”.

Nezari - Merrja çelësin dhe pastaj të japim paratë ... ia jep paratë.

Fatmiri - Në rregull ... shpresojmë nga darka ... i japim paratë dhe i marrim çelësat. Nezari - Bëji ti këto gjëra.

Në sfond dëgjohet Moisiu që sugjeron “për 1 vit”.

Nezari - Për 1 vit.

Fatmiri - Po ... i kam thënë “për 1 vit”.

Nezari - Në rregull pra ...

  1. Numri telefonik i përgjuar 3331955136, në përdorim nga z. Fatmir Minaj- RIT. 1725/16 - Prog. 109, datë 09.12.2017, ora 17:21, i përgjuar në hyrje nga numri i telefonit 3357007372, në përdorim nga një farë Giovanni. Në sfond dëgjohet z. Moisi Habilaj që flet me Fatmir Minaj.

Fatmiri - Një jo.

Moisi  - Për një makinë dreqi ta hajë.

Fatmiri - Eh, eh, eh (nënkuptuar po!)

Moisi  - Eh! ... Nëse ka një makinë tjetër ...

Fatmiri - Po!

Moisi - Unë hyj në garazhdin tim ... nuk dua ... (jo e plotë fjalia).

Fatmiri - Po është e qartë ...

Fillon telefonata. Fatmir Minaj i quajtur Fabio për Giovanni-n.

Giovanni - Në rregull.

Fatmiri - Brenda garazhit nuk ka asnjë makinë ... apo jo?

Giovanni - Jo ... jo brenda jo ... është gjysëm i zënë e gjysëm jo ... në rregull ... dëgjohemi më vonë.

Fatmiri - Në rregull ... ok ... ok.

  1. Përgjime ambientale në bordin e autoveturës Fiat Bravo, me targa EJ630MC, në përdorim të Moisi Habilaj dhe Maridian Sulaj - RIT 1854/16 - Regjistrim nr. 1424. datë 19.02.2017, ora 17:04. Dëgjohet z. Moisi Habilaj, z. Nezar Seiti dhe z. Maridian Sulaj që kontrollojnë brenda kabinës. Të tre po kontrollojnë përgjuesin, duke folur në fillim me zë shumë të ulët.

Ora 17:04:42:

Nezari  - Kjo ka rënë këtu ... ktheje këtu ... ktheje këtu ... ktheje këtu një sekondë.

Moisiu shfryn.

Nezari - (Mallkon)

Moisiu - Kjo lëviz me dorë? ... hajde ... e ke vënë dorën këtu?

Maridiani - Është “kjo” po të them.

Nezari - S’ka shans ... cila “kjo”?

Moisiu - Eh ... a ke tru në kokë?

Nezari - Moisi ...

Maridiani - A ikim me ndonjë vend me e heq këtë mendim?

Pas pak makina ndizet. Të tre subjektet shqiptare vazhdojnë të kërkojnë.

Në orën 17:06:23:

Nezari - Po këtu nuk ka shanse ... vetëm të shkatërrojmë makinën ... të heqim tapicerinë e larime ta heqim dhe t’ia çojmë.

Moisiu - Kape me dorë aty  kape pak ... .

Nezari - Po e kanë ngjitur me ... me çfarë ataku është?

  • Përgjime ambientale në bordin e autoveturës Fiat Panda, me targa EV932GG. në përdorim të Angelo Busacca dhe Moisi Habilaj - RIT 254/17 - Regjistrimi nr. 40, datë 20.02.2017, ora 16:01:

Mjeti gjendet i ndaluar në lokalitetin e Carrubbela di Portopalo di Capo Passero. Dëgjohet një zhurmë e fortë.

Dëgjohet Maridian Sulaj duke diskutuar me tre italianë (U) (U1) (U2). Midis tyre shfaqet dialogu i mëposhtëm.

            U - Ohu!

Maridiani - Po atëherë është e sigurt që është?

U - Si e siguri? ... shko shiko aty poshtë ... domethënë ... dje e morëm ... vazhdon zhurma e fortë ... .

U1  - Atëherë ... shiko si bëhet ... e ndez kështu ... e ndez kështu dhe e vendos ... .

Maridiani - Në maksimum.

            U1 - Në maksimum ... dhe pastaj ule dhe duhet të arrijë tek viza 2.

Maridiani - Ah ... duhet të arrijë tek viza 2 ... pastaj e afroj.

            U - Kjo është e detyrueshme ... dhe ia vendos kështu.

Dëgjohet të mbyllet sporteli i makinës.

U1  - E pe sa e mirë është kjo gjëja? ... ashtu si sinjalizon GPS ... mbaje ... e bleva dje ...

  1. Përgjime ambientale në bordin e autoveturës Fiat Bravo, me targa FC043NK, në përdorim të z. Moisi Habilaj dhe z. Maridian Sulaj - RIT 1854/16 - Regjistrimi nr. 608, datë 20.02.2017, ora 16:14. Makina e ndalur në rrugën Vicenza 571 di Vittoria. Dëgjohet Angelo Busacca që diskuton me disa persona që kanë theks të gjuhës shqipe.

Ora 16:15:25 - Brenda në makinë hyjnë dy persona që rreken brenda saj.

Ora 16:16:27 - Një nga personat që rropatet brenda kabinës, me zë të ulët, i drejtohet tjetrit: “GPS-in e ka”. Personat vazhdojnë të çmontojnë disa pjesë brenda kabinës së makinës.

Ora 16:19:09 - Një nga personat, me zë të ulët, i drejtohet sërish tjetrit: “Është ky ... bastard ... hiqja ...”.

  • Përgjime ambientale në bordin e autoveturës Fiat Panda. me targa EV932GG, në përdorim nga Angelo Busacca dhe Moisi Habila] - RIT 254/17- Regjistrimi nr. 134, datë 22.02.2017, ora 13:18:

Mjeti në lëvizje, në bord gjenden Moisi Habilaj dhe Nezar Seiti. Në sfond dëgjohet radioja me volum të lartë.

Ora 13:21:06:

Nezari - Ti e ke hequr këtë? (i referohet GPS-it që Arntando Sula e gjeti në bordin e

“Pandës” dhe që Moisiu e hodhi këtë mëngjes).

Moisiu - Ah ... .

Nezari - E ke hequr?

Moisiu - E kam hequr ... ta marr djalli ... (mallkon).

Nezari - Ku e hodhe?

Moisiu - E hodha diku aty ... por nuk më kujtohet vendi dhe nuk e kam gjetur më (qesh) ...

Nezari - E kanë gjetur ata ... .

Moisiu - ... po ja ... (mallkon).

  1. Pajisja e siguruar nga z. Maridian Sulaj përdorej edhe për të gjetur praninë e sistemeve të tjera të instaluara te mjeti i shqiptarëve, me qëllim monitorimin e tyre. Më saktësisht, dispozitivi që kishin individët shqiptarë i lejonte z. Armando Sulajt dhe z. Moisi Habilajt të zbulonin dhe hiqnin nga mjeti Fiat Panda me targa EV932GG një GPS të instaluar brenda tij, pajisje kjo që Habilaj e hodhi në fushë të hapur.
  2. Gjithashtu, nga përgjimet e kryera në automjete është evidentuar edhe një bisedë (përgjimi ambiental në bordin e automjetit BMË me targa BZ140RJ, në përdorim të Maridian Sulaj - RIT 24/17 - Regjistrimi nr. 322, datë 16.01.2017, ora 20:01) ku punonjësja e policisë në Drejtorinë e Policisë Vlorë, znj. Brunilda Alikaj, që në këto ditë shoqëronte në Itali të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, këshillonte z. Maridian Sulajn që të bënte shumë kujdes me telefonat, mbi të gjitha në Itali.
  3. Për konfirmimin e përfundimeve të autoriteteve gjyqësore italiane se z. Moisi Habilaj dhe grupi i tij vazhdonin aktivitetin në drejtim të trafikimit të narkotikëve edhe në vitin 2017 (siç është cituar më sipër), shërben edhe episodi i sekuestrimit të sasisë prej 3.978 kg (tre mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e tetë kilogramë) lëndë narkotike “cannabis sativa”, e përpunuar dhe paketuar, në fshatin Babicë e Vogël, Vlorë, në banesën e shtetasit z. Armand Koçerri, më datë 18.10.2017, si dhe e sekuestrimit në të njëjtën ditë në këtë fshat, në objektin fabrikë vaji në pronësi të shtetasit z. Florian Habilaj, të një mjeti lundrues gomone mbi të cilën ndodhej një motor së bashku me karelin metalik. Në këtë këtë episod konfirmohet përsëri se aktiviteti që fillonte me kultivimin, më pas me përpunimin e paketimin, dhe përfundonte me trafikimin e lëndës narkotike “cannabis sativa” favorizohej nga punonjës të caktuar të policisë së shtetit.
  4. Kështu, nga procesverbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes datë 18.10.2017, rezulton se nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit z. Armand Bimo Koçerri, në fshatin Babicë e Vogël, Vlorë, është gjetur një numër i madh paketimesh brenda të cilave kishte lëndë narkotike “cannabis sativa” si dhe 5 bidonë plastikë të masës 2 kuintalë brenda të cilëve kishte lëndë narkotike “cannabis sativa”. Nga procesverbali i peshimit datë 19.01.2017, masa e përgjithshme e tyre rezultoi 3.978 kg (tre mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e tetë kilogramë). Në banesë janë gjetur edhe një numër aparatesh celularë, kompjuter lap-top dhe sende të tjera. Nga akti i ekspertimit kimik nr. 2541, datë 02.03.2018, është vërtetuar se materialet bimore objekt ekspertimi të sekuestruara në banesën e shtetasit z. Armand Koçerri janë “cannabis” produkt herbal i bimës “cannabis sativa L”.
  5. Komunikimet telefonike të të pandehurve në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, z. Florian Habilaj, z. Armand Koçerri, etj, në këtë periudhë ishin në përgjim në kuadër të procedimit penal nr. 134, të vitit 2016, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë. Nga përgjimet kanë rezultuar komunikimet e z. Armand Koçerrit dhe z. Moisi Habilaj me punonjës policie për lëndën narkotike apo për t’u ruajtur nga kontrollet e strukturave të papërfshira të policisë.
  6. Më datë 24.09.2017, ora 12:16:26, i pandehuri në procedim të lidhur z. Armand Koçerri që përdor numrin celular 0694336645 është telefonuar nga motra e tij “Ana” që përdor numrin celular 0695252289, e cila e njofton se në zonën e tyre është afruar një automjet policie:

645 - Hë?

289 - Ka ardh një motorr nga këta të policisë ktej ore.

645 - E di.

  1. Më datë 26.09.2017, ora 19:08:15, i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj që përdor numrin celular 0696525777 ka telefonuar të pandehurin në procedim të lidhur z. Sokol Bode që përdor numrin 0666686888, bisedë në të cilën flasin në mënyrë të koduar për zhvendosjen e një sasie lënde narkotike nga z. Sokol Bode:

888 - Alo!

777 - Hë vlla?

888 - Ika unë jam në Roskovec mora dhe kamionin me bersi.

777 - E more vetë?

888 - Jo, jo, erdhi shoferi vetë i zoti kamionit.

777 - E mirë të keqen.

888 - Unë po iki me Fatjonin, mora dhe Çimin me vete.

777 - Kë Çim?

888 - (qesh)

777 - Çimin e Bodes.

888 - Çimin e Bodes.

777 - Hajt.

  1. Më datë 02.10.2017, ora 19:13:14, z. Armand Koçerri që përdor numrin celular 0694336645 është telefonuar nga motra e tij “Ana” që përdor numrin celular 0695252289, e cila përsëri i njofton për lëvizje automjetesh të dyshuara:

289 - Ka hip një makinë poshtë shtëpive të Skënderit, u kthye dhe iku, ndaloi te fiqtë. 645 - Po mirë.

289 - Po thashë mos po vinte ktu se pashë makinë tjetër që vinin dritat ktu ballë për ballë me të, por nuk u fut nga ne.

645 - Mirë mirë.

  1. Më datë 02.10.2017, ora 19:36:32, z. Armand Koçeri me numër 0694336645 telefonon një person të paidentifikuar që përdor numrin 0695493140. Megjithëse nga aktet e fashikullit të gjykimit që janë paraqitur nuk rezulton që prokuroria ta ketë identifikuar këtë person, nga përmbajtja e bisedës kuptohet qartë se ai është punonjës policie, të cilin z. Armand Koçerri, fill pas bisedës së mësipërme me motrën, e pyet nëse kishin ardhur forca policie për të kapur njeri apo kryer kontrolle. Personi e siguron që të mos shqetësohej sepse “janë njerëzit tanë”. Nga biseda del gjithashtu se lidhja në këtë veprimtari mes z. Armand Koçerrit dhe punonjësit të policisë të paidentifikuar është e qëndrueshme dhe jo vetëm në këtë rast:

645 - Ça bën?

140 - E ça do bëj, dola ktej nga lagja jote.

645 - Nga lagjia ime?

140 - Ë.

645 - Ti ishe me makinë andej?

140 - Jo, s’isha me makinë, isha në këmbë.

645 - Po kishte qenë një makinë pak më parë.

140 - Ë, ë, janë tanët.

645 - Ë?

140 - Janë pa dëme.

645 - Jo, jo po them ...

140 - Jo, po ktu erdha unë ë.

645 - Është nonji që njeh aty?

140 - Eee, janë tanët. Ku je ti, çu bëre?

645 - Unë jam në Vlorë, po më than ata të shpisë që kshu, kshu, një makinë them.

140 - E, rrini pa merak.

645 - Jo, jo, s’të mora për atë punë, po të mora direkt mos ka ashu njeri me rrjetë,

sado që të kam ty, më vin informacioni.

140 - Po janë njerëzit tanë.

645 - E, mirë xhaxha.

  1. Sipas procesverbalit për këqyrjen e të dhënave telefonike të vëna në dispozicion me shkresën nr. FRS/4318/ES. datë 23.10.2017, të shoqërisë Vodafone, rezulton se mes z. Armand Koçerrit me numër celular 0694336645 dhe z. Moisi Habilaj me numër 0696525777 e z. Florian Habilaj me numër 0692026777, në periudhën 21.06.2017 – 17.10.2017 ka pasur 16 komunikime të ndërsjellta. Ndërsa me shtetasin z. Artan Habilaj me numër celular 0692055777 z. Armand Koçerri ka pasur 23 komunikime të ndërsjellta.
  2. Më datë 15.10.2017, ora 09:11:25, i pandehuri në procedim të lidhur z. Florian Habilaj që përdor numrin e celular 0692026777 është telefonuar nga z. Sokol Bode me numër 0666686888, ku e lënë të takohen me njëri-tjetrin:

888 - Alo!

777 - Po!

888 - Si je zotri, mirë jeni?

777 - Mirë, faleminderit.

888 - Sokol Bode të shqetëson.

777 - Po.

888 - Po vij për dhjetë minuta n’bazë.

777 - Ku të pres.

888 - Poshtë.

777 - A do të vij te karburanti.

888 - N’Çole, n’Çole.

777 - Haj se po vij aty.

  1. Në datë 16.10.2017, ora 18:48:48, z. Sokol Bode me numër 0666686888 telefonohet nga përdoruesi i numrit 0697225441, duke e bërë me dije se ishte me Moisiun: “Hiç o kot, ja për kafe t’morëm, me Moisiun, jam thashë ta marrim një herë ktë.
  2. Në datë 31.08.2017, ora 10:40:40, z. Sokol Bode me numër 0666686888 telefonon punonjësen e policisë znj. Brunilda Alikaj me numër 0694105018, ku Sokoli i thotë mes të tjerave: “Kam notën katër nga Moisiu. Kur ta takosh thuaj përse i ke vënë katër Sokolit thuaj.
  3. Më datë 04.08.2017, ora 09:29:07, z. Sokol Bode me numër 0694116161 telefonohet nga z. Moisi Habilaj me numër 0696525777, ku mes të tjerave Moisiu i thotë se e ka marrë në telefonin tjetër, por ai nuk i është përgjigjur, ndërsa Sokoli i thotë që i ka hequr të gjithë telefonat dhe ka marrë një Nokia të thjeshtë dhe mban vetëm atë:

777 - Po kot o, të mora dje ... tek ... ajo ... nuk ashtu, thash.

161 - Aaaa, i kam hequr të gjitha sepse ... më është prishur telefoni ... kam marrë një të thjeshtë nga këta Nokiat e thjeshtë dhe mbaj këtë vetëm ... .

Më pas Moisiu i thotë që t’i bëjë të fala edhe Fatjonit që përmendet më lart.

  1. Në përgjimet ambientale të kryera nga autoritetet italiane, nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij është përmendur, mes të tjerave, dhënia e dhuratave dhe e shumave të parave për të pandehurin z. Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm në atë periudhë, me lidhje fisnore me ta, si dhe e dhuratave për familjarë të tij. Kështu, në komunikimet e datës 16.12.2013, të regjistruara brenda automjetit të të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, ky i fundit i tregon Sabaudin Çelajt se kishte blerë dy byzylykë me diamant për bashkëshorten dhe nënën e “Saimirit” dhe së bashku diskutonin për vlerën e byzylykëve që Moisiu thoshte se i kishte blerë me para “cash” në vlerën 9.000 € (nëntë mijë euro). Në vijim të bisedës mes tyre, rezultonte qartë se ata flisnin për z. Saimir Tahirin, Ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë. Në bisedë ata gjithashtu komentonin për shuma të mëdha parash deri 5 milionë euro që sipas tyre fitonte në muaj z. Saimir Tahiri dhe që i shpenzonte më pas në fushatë elektorale.
  2. Përgjime ambientale brenda automjetit Fiat Bravo, me targa DG826NA. në përdorim të z. Moisi Habilaj - RIT 1246/13 - Regjistrimi nr. 558, ora 12:05, datë 16.12.2013. Në automjet ndodhet i pandehuri z. Sabaudin Çelaj, i thirrur “Sabi”. Në orën 12: 13:20, dëgjohet Moisiu që flet me z. Antonino Riela jashtë makinës. Në orën 12: 14:45, Moisiu hyn në makinë dhe i thotë Sabit se ka blerë dy byzylykë për gruan e z. Saimir Tahiri dhe një për të ëmën. Z. Sabaudin Çela e pyet nëse i kanë kushtuar shumë dhe biseda vazhdon:

Moisiu: Mjaftueshëm.

Sabi: 1000 euro?

Moisiu: Sa?

Sabi: 2000 ... . (biseda vijon më poshtë).

  • Përgjime ambientale brenda automjetit Fiat Bravo, me targa DG826NA, në përdorim të z. Moisi Habilaj - RIT 1246/13 - Regjistrimi nr. 559, ora 12:15, datë 16.12.2013. Vazhdon biseda nga regjistrimi i mëparshëm nr. 558:

Automjeti është në lëvizje dhe brenda saj janë z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj.

Sabi: 500?

Moisiu: 700, e marrtë dreqi ... 10000 lekë pa 1000 lekë (nënkupton 9000 euro-shënim i hartuesit).

Sabi: Kaq kishte sjellë gjithsej? Ù

Moisiu: Kishte sjellë 20.

Sabi: 10 gjithsej ato?

Moisiu: 2 byzylykë.

Sabi: 2000 euro?

Moisiu: 9000 euro ... ishin 18 (18.000 euro-shënim i haruesit) dhe i bëri gjysmën.

Sabi: Ia dhe para në dorë.

Moisiu: Po.

Sabi: Nuk është se ka ndonjë telekamera ... ndonjë gjë?

Moisiu: Jo ... (e pakuptueshme) ... ajo është përballë gjykatës.

  1. Më pas Moisiu sqaron se njërin prej byzylykëve ia bleu të shoqes dhe tjetrin nënës prej 4000 Euro, me diamant. Moisiu tregon për certifikatat e bizhuterive që ka blerë dhe i thotë se nëse e humbet ose ta vjedhin duhet të bësh denoncimin dhe ta japin prapë. Sabi e pyet nëse i kanë dhënë 20.000 lekë gjithsej (nënkupton 20.000 euro­ - shënim i hartuesit). Moisiu thotë që t’u japë 2000 euro atyre personave me rastin e festave dhe të mbajnë 5000 lekë secili për Vitin e Ri. Sabi thotë t’i japë 500 Danit (Maridian Sulaj) se paratë e udhëtimit i kanë, por nuk kanë gjë për Vitin e Ri. Moisiu i thotë që do t’i japin 500 lekë (Maridianit) dhe më pas do t’i thonë të vijë në Shqipëri në datë 27, por më parë duhet të kalojë nga ai (z. Antonino Riela - shënim i hartuesit) që të marrë përgjigjen. Në vazhdimësi ata flasin për diçka për të cilën duhet të marrin parapagim, konkretisht:

Sabi: Do e bëjmë atë “punën” ne?

Moisiu: Do na japë paratë e punës ... ne nëse i kemi paratë për tre ditë e bëjmë “punën” ... nuk jemi idiotë.

  1. Ata të dy flasin në lidhje me rrugën që duhet të marrin. Moisiu i thotë se kishte parë një Rolex të bukur me 6000 euro dhe se herën e ardhshme dëshiron ta marrë për vete dhe i thotë se paratë mund t’i shpenzojnë, se në fund të fundit problemet e tyre nuk mbarojnë kurrë.

Ora 12:21:20:

Sabi. ... ndonjë para ... .

Moisiu: ... 90 dhe 60 e kanë dhënë atje poshtë ... ne 30 t’ia çojmë atij dhe na mbeten 30 ... plus edhe 10 këtu ... 40.

Sabi: Rëndësi ka shëndeti ... e pse ta vrasim menden ... në fund të fundit kemi për të marrë.

Moisiu: Vafsh në djall!

Sabi: I the që duhet të takojmë Xhanin.

Moisiu: Mos i bëj gjë tha ... se ka frikë ... kështu më tha.

Sabi: Ah ... tha që ka frikë?

Moisiu: Po fillon të këndojë ai ... tha ... nuk mbetet asnjë mi jashtë.

Sabi: Po ... por nëse fillon të këndojë ai, nuk e lënë të këndojë.

Moisiu: Nëse nuk e ngacmon ... tha ... nuk këndon ai ... rrugët, si do që të vejë puna, i ka të mbyllura ... kështu që çfarë dëmi mund të bëjë ... tha.

  1. Në vazhdim të bisedës. Moisiu bën ca llogari me zë të ulët dhe thotë: “100.000 euro byzylykë”. Sabi i thotë se ai do të gjejë disa bizhuteri të vjedhura sepse atij i duhen një varëse, një byzylyk dhe një orë dore.
  2. Përgjime ambientale të kryera brenda automjetit Fiat Bravo me targa DG826NA në përdorim të z. Moisi Habilaj - RIT 1246/13, Regjistrimi nr. 561, ora 12:30, datë 16.12.2013. Makina është në lëvizje dhe brenda saj ndodhen z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj.

Ora 12:31:10:

Moisiu: Do ketë marrë gjë Pippo?

Sabi: Eh ... (e pakuptueshme) ... po përse e marrin për të punuar këta? ... këtu kam ngatërruar rrugën një herë.

Moisiu: Eh ... ka edhe një magazinë këtu.

Sabi: Eh, po ... atje ka një frigorifer të madh (mund ta ketë fjalën për një qelë frigoriferike - shënim i hartuesit).

Moisiu: Nata e fundit që ngarkuam ... herën e fundit.

Sabi: “Eh (po)” ...

Moisiu: Hajde shkojmë marrim ndonjë kostum (veshje) të mirë për ne.

Sabi: Jo jo ... jemi kushërinj apo jo (të dy qeshin) ... sa kanë ngelur ...

1000 euro? ... I harxhojmë edhe ato ... dua të marr ndonjë gjë për Artanin.

Moisiu: Po jo ... kemi para ... do të marrësh ndonjë gjë për vete?

Sabi: Një kostum serioz.

  1. Në vazhdim të bisedës, të dy flasin për një burrë me pushtet që quhet “Saimir Tahiri (deputet në Shqipëri)”, një politikan. Moisiu i thotë “se çfarë ka më shumë se ne ai”. Sabi replikon dhe këmbëngul se Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës, pozicionit), por nuk beson se ka më shumë para se ata. Moisiu llogarit se në një muaj Saimiri ka bërë minimumi 5 milionë Euro. Sabi i thotë se ai paratë i shpenzon në fushatën elektorale. Moisiu i thotë se atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë në një fushatë elektorale. Sabi i thotë se ai ka thënë se për nipin e tij mjaftojnë 10 mijë euro në muaj për “punën” që bën dhe shton “ai do të na duhej neve ... por ai është tip i lig ai nipi”. Moisiu i thotë se nuk i intereson që ai është një tip i ligë. Sabi i thotë se e rëndësishme është që të mos bëjë pyetje, të mos përmendë emra dhe se e rëndësishme është që të mos dalë emri që i kanë dhënë para atij. Moisu i përgjigjet me “jo” dhe se nuk beson se do ndodhë ndojë gjë e tillë. Sabi përsërit se ka frikë se nipi flet me të tjerë për atë që i ka dhënë para atij (aludon për Saimirin):

Moisiu: Normale. Po, fushata një herë në katër vjet është o Sabi. Ai s’lë njëzet milion euro në fushatë ai.

Sabi: E pe ti qysh tha ai ... ! Dhjetë euro janë pak për nipçen që të rrijë në punë në muaj.

Moisiu: Po.

Sabi: Dhjetë mijë euro në muaj. Ai do na duhet, po ai është tip që nuk ëëë ... është tip i thartë, është tip i lig ai nipçja.

Moisiu: Po mirë, le të jetë tip i lig ai, me ne s’ma merr mendja to bëjë tipin e lig.

Sabi: Ore është puna të mos nxjerrë fjalë pa ... edhe për atë, mos të nxjerrë emrin.

Moisiu: Ai se nxjerr më emrin se do thotë ai. Ja ku nxorra emrin ... . Po nxorra unë do ta çoj më lart ... . Sa të dal unë, kush e ka nxjerrë emrin?

Sabi: Ore mos të nxjerrë emrin që i dhashë lekë atij.

Ora 12:38:10.

  1. Blerja e byzylykëve nga z. Moisi Habilaj për z. Saimir Tahirin është komentuar më pas edhe nga shtetasi z. Eneo Sulaj, i cili në një bisedë të përgjuar më datë 13.01.2014 brenda automjetit Mercedes Compressor, me targë IHP2690, i tregon bashkëbiseduesit të vet një shqiptar, për rastin kur shkoi me z. Moisi Habilaj në dyqanin “Hugo Boss” që ndodhej në Corso Italia në Katania, menaxherin e të cilit ia kishte prezantuar z. Antonino Riela. Biseda paraqitet në vijim:
  • Përgjime ambientale të kryera brenda automjetit Mercedes Compressor, me targë IHP2690, në përdorim të z. Moisi Habilaj - RIT 14/14 - Regjistrimi nr. 266, ora 20:34, datë 13.01.2014. Automjeti është në lëvizje dhe brenda tij ndodhen shtetasi z. Eneo Sulaj dhe një burrë shqiptar, z, Eneo Sulaj i tregon bashkëfolësit të vet për rastin kur shkoi bashkë me z. Moisi Habilaj pranë dyqanit “Hugo Boss” që ndodhej në Corso Italia në Katania, menaxherin e të cilit ia kishte prezantuar z. Antonino Riela.

Eneo: (vazhdon ... fjalë të pakuptueshme) ... “sepse ke akoma shumë punë këtu ... i tha ... “përse?”, e pyeti Moisiu ... “nuk janë njerëz të mirë këta?”. I tha ... “po çfarë njerëzish të mirë?” ... i tha ... “ata janë bastardë” ... “është kështu siç thoni ju” ... “janë bastardë” ... tha Moisiu ... sepse pastaj Moisiu është i rrezikshëm ... i ngacmonte ata ... dhe unë i thashë ... “vëlla” ... i fola në shqip ... thuaju ... “unë i njoh më mirë se ju ... më ka marrë punën ... më ka marrë punën para dy muajsh” (këta të dy qeshnin) ... (flasin për Antonino Riela, shënim i hartuesin) ... . Moisiu qeshte dhe ai pyeste “po çfarë po thotë ky? ... çfarë po thotë ky? ... çfarë po thotë ky? ..... “lëre fare” ... i tha, po thotë karton. ... Kur shkova atje, më thoshte pronari (pronari i dyqanit, shënim i hartuesit) ... sepse kishte folur me Saimirin ... që i kishte kështu ... kostumin ... më tha ... “zgjedhjet” ... por unë e kuptova sikur po thoshte “leksionet” ... ndërsa ata me zgjedhje quajnë votimet ... dhe ai më tha ... “po zgjedhjet mirë?” ... dhe unë i thashë ... “po çfarë të tha, që shkojmë në shkollë ... çfarë i the?” ... dhe ai më thoshte “po jo ... jo ... flet ... meqenëse ka folur me Saimirin dhe më pyeti për zgjedhjet” ... dhe unë i thashë ... “kanë bërë një lëmsh  i kanë vjedhur të gjitha ... (fjalë lë pakuptueshme) ... të futet Shqipëria në Evropë”  kështu fillova të flisja për politikë me atë ... dhe Moisiu më thoshte “të lutem lëre këtë muhabet ... sepse sikur të vijë ai ... sepse e ka mbajtur numrin (aludon për faktin se Saimiri e ka ruajtur numrin e telefonit të pronarit lë dyqanit) ... sikur të vijë për të blerë ... sepse i kishte pëlqyer (kostumi) ... e more vesh se çfarë i ka blerë Moisiu bashkëshortes së atij? ... një gjerdan që kushton 15 mijë euro.

Burri: Po çfarë po thua?

Enco: Tani për tani që u nis ... përveç parave ... .

Burri: Kostumit dhe ... .

Eneo: Jo ... jo.

Burri: Nuk jep asgjë pa bashkëshorten ... thua ... .

Eneo: Jo, përveç Sokolit që i mori paratë për “punën” ... Saimiri nuk donte para ... është e qartë ... sepse ... (fjali të pakuptueshme, mbivendosen zërat, shënim i hartuesit) ... me ata ... dhe i dha ... gjerdanin me diamantë.

  1. Në vijim të bisedës së mësipërme, shtetasi z. Maridian Sulaj dhe personi shqiptar diskutonin në lidhje edhe me faktin se z. Moisi Habilaj dispononte një automjet që i përkiste Ministrit të Punëve të Brendshme z. Saimir Tahiri dhe se z. Moisi Habilaj e dispononte automjetin në mungesë të ndonjë shitje të tij pasi automjeti i përkiste Shtetit Shqiptar.
  • Përgjime ambientale brenda automjetit të tipit Mercedes Compressor, me targë IHP2690, në përdorim të z. Moisi Habilajt - RIT 14/14 - Regjistrimi nr. 279, ora 20:34, datë 13.01.2014. Automjeti është në lëvizje dhe brenda tij ndodhen shtetasi z. Eneo Sulaj, dhe një burrë shqiptar. Në orën 09:20:38. burrie pyet Eneon, nëse Moisiu ka ndërmend të shesë Audin.

Enea: Audin? ... po jo, nuk e shet atë në fillim do të blejë detyrën (nënkuptuar si një rol social) Saimiri dhe pastaj ... .

Burri: (fjalë të pakuptueshme) ... Saimiri ia ndryshon “S”-në, merr ndonjë tjetër për të marrë ... .

Enea: Ajo është e shtetit (e ka fjalën për Audin A8).

Burri: Ah ... ai është i shtetit? Eneo: Po, më duket se është e shtetit ... ai është 150 ... me atë ... (fjalë të pakuptueshme) ... Moisiu “trak-trak” ... Moisiu tani më tha “do të marr një “S” të vitit 2013” ... me sa para do ta marrësh?” ... me 50 mijë, më tha.

Enea vazhdon duke shprehur mospëlqimin e vet për këtë blerje (biseda më pas vazhdon me diskutimin për makinat luksoze që dëshiron të blejë Moisiu dhe çmimin e tyre).

  1. Në një bisedë tjetër të përgjuar, shtetasi z. Maridian Sulaj u mburrej disa kushërinjve dhe bashkëkombasve të vet për lidhjet e ngushta familjare ndërmjet vëllezërve Habilaj dhe Ministrit të Punëve të Brendshme z. Saimir Tahiri dhe në qendër të bisedës është automjeti i z. Saimir Tahirit që përdorej nga Habilajt, konkretisht:
  • Përgjime ambientale brenda automjetit të tipit BMË 320, me targë BZl40RJ, në përdorim të z. Maridian Sulaj - RIT 1140/14 - Regjistrimi nr. 717, ora 06:46, datë 10.10.2014. Automjeti është në lëvizje, me radion të ndezur. Dëgjohet z. Maridian Sulaj që komenton me z. Avdul Sulaj, z. Klajdi Sulaj, i thirrur Mili, si dhe me një burrë shqiptar.

Maridiani: Presidenti e ka “01” ... Kryeministrie ka “02” ... “03” është Audi që ka Artani ... që e kishte ai ... kushëriri ynë ... vetëm ata e kanë.

Avduli: E mirë, janë targa të veçanta.

Maridiani: Ah, targa të veçanta ... (fjalë të pakuptueshme) ... “03” e ka Artani ... që ia ka dhënë ai.

Burri: Cili Artan?

Maridiani: Ishte i kushëririt tonë ... ai ... kryeministri vëlla ... si quhet? ... çfarë është tani ai?

Avduli: Saimiri.

Maridiani: Saimir Tahiri ... “01” e ka Presidenti ... “02” e ka Kryeministri, “03” e kishte ky ... Saimiri!

Avduli: E ka Saimiri!

Maridiani: Po ai është Ministër i Brendshëm.

Avduli: Targat e qeverisë ... u hiqen targat makinave të Qeverisë kur shiten.

Maridiani: Po ai ia ka dhënë Artanit me të gjitha dokumentet ... ta marrë dreqi! ... çfarë thotë ky .. . “shiten ... ua heqin” ... është e tij personale o vëlla!

Avduli: E përdor Artani (e ka fjalën për Artan Habilajn, shënim i hartuesit) në Vlorë.

Maridiani: E ka me dokumentet e tij o vlla!

Avduli: Është personale ... nuk është e punës.

Burri: Nuk e ndalon (nuk e përfundon fjalinë).

Maridiani: Por atë e ka dhënë kështu ... në mirëbesim ... nuk e ka dhënë ... (nuk e përfundon fjalinë, shënim i hartuesit).

Avduli: Por ajo dihet.

Maridiani: Por në të vërtetë, ia ka dhënë Moisiut ... Moisiu ia ka blerë ... me sa ka dashur ai ia ka blerë!

Pastaj vazhdon një pjesë ku Maridiani dhe Avduli tregojnë për atëherë kur çuan në Shqipëri një makinë të tipit Audi A8, vështirësitë që kishin hasur në doganën e Vlorës, aq sa Maridiani kishte marrë në telefon Moisiun për të shkuar tek ata.

  1. Në fashikullin nr. 34 (shih faqen 510 të akteve procedurale të marra përmes letërporosisë prej autoriteteve italiane) rezulton se me datë 24.02.2014 përgjimet kanë evidentuar prezencën e z. Moisi Habilaj në territorin e Barit, Itali. Autoritetet e ndjekjes penale në Bari kanë realizuar disa verifikime lidhur me ardhjen e tij në Itali, duke kontrolluar dhe marrë të dhëna me këtë udhëtim. Nga verifikimet ka rezultuar se në tragetin e shoqërisë “Ventouris Ferris” është nisur nga Durrësi me datë 23.02.2014, ora 23:00 dhe ka mbërritur në Bari me datë 24.02.2014, ora 08:00, z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj. Rezulton nga dokumentat e marrë se ato kanë ardhur me automjetin Audi A8 me targa AA 003 EY, automjet i cili është regjistruar në emër të z. Moisi Habilaj me numër progresiv 18 (21) nga “Vehicle Embarkation List”.
  2. Autoritetet italiane kanë marrë një kopje të praktikës shkresore përkatëse dhe ka rezultuar se nga leja e qarkullimit të automjetit rezulton se mjeti i identifikuar me targa AA 003 EY dhe i regjistruar në emër të z. Moisi Habilaj në të vërtetë rezulton të jetë mjeti Audi A8 me targa AA 003 GB në pronësi të z. Saimir Tahiri. Në këtë moment autoritetet italiane kanë verifikuar burimet e hapura dhe kanë konstatuar se ky automjet është i Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë dhe se ky administrim i çuditshëm[1] i automjetit nga ana e Habilajve, të afërm të tij, e kanë përfshirë atë në një skandal ku akuzohej për bashkëpunim me ta.
  3. Rezulton në vijimin e përgjimeve ambientale të realizuara nga autoritetet italiane se z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj janë nisur për në Siçili ku kanë mbërritur po në këtë datë pasdite vonë në Lentini. Nuk ka të dhëna që automjeti Audi A8 me targa AA 003 GB nuk është përdorur në Itali nga z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj. Gjatë çdo veprimi të realizuar prej tyre për të takuar bashkëpunëtorët shqiptar apo italian në funksion të mbledhjes së parave të përfituara nga aktiviteti kriminal i trafikimit dhe shitjes së lëndës narkotike apo të interesimit për ngarkesën prej 289.7 kilogramë lëndë narkotike që ishte nisur nga Shqipëria me datë 27.02.2014 dhe do të mbërrinte në Itali me datë 28.02.2014 në Palagonia ato kanë përdorur automjetet italiane në të cilat kishin edhe mekanizmin e përgjuesit ambiental dhe dhe lokalizuesin përkatës të vendosur në kuadër të ndjekjes penale nga autoritetet italiane. Ky fakt del nga të gjitha aktet procedurale të transkriptimit të përgjimeve ambientale apo lokalizuese të autoriteteve italiane. Më tej rezulton se z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj janë kthyer në Shqipëri nga porti i Barit me automjetin Audi A8 me targa AA 003 GB me datë 04.03.2014 dhe kanë mbërritur në portin e Durrësit me datë 05.03.2014.
  4. Nuk ka asnjë shpjegim që të sqarojë se pse automjeti në dokumentet e tragetit ishte deklaruar në emrin e z. Moisi Habilaj. Gjithashtu nuk ka asnjë shpjegim se pse automjetit i ishin deklaruar ndryshe targat individualizuese, nga AA 003 GB në AA 003 EY.
  5. Në një përgjim ambiental tjetër të datës 03.03.2014, z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj duke biseduar për vlerën e detyrimeve ndaj bashkëpunëtorëve të tyre në Shqipëri, përmendnin me emër edhe një “Saimir” të cilit duhet t’i jepnin shuma parash si dhe persona të institucioneve shqiptare të përfshirë.
  • Përgjime ambientale në brendësi të automjetit Fiat Panda me targa EM734ËR, në përdorim nga z. Moisi Habilaj - RIT 224/14 - Regjistrimi nr. 462, ora 13:22, datë 03.03.2014:

Makina në lëvizje, në bord z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj, i quajtur “Sabi”. Në sfond ka muzikë.

Në orën 13:25:31:

Sabi: Jemi mirë ... nuk jemi keq ... zgjidhim ndonjë problem ... çfarë përgjegjësie është puna e tjetrit ... ta hajë dreqi!

Moisiu: Ça po më thua!

Sabi: Çfarë përgjegjësie është puna e tjetrit!

Moisiu: Pa mendo ... përveç borxheve që kemi ... përveç borxheve që kemi marrë ... kemi 75 mijë lekë (75.000 euro) që shkojnë automatikisht për ... 30 për “xhaxhain” 30 duhet t’ia çoj “Saimirit” ... bëjnë 60 ... dhe 15 janë për anijen ... që na duhen patjetër ... janë 75 mijë lek ... plus 100 që janë ... 72 janë të atij nga Fieri ... 20 të Arsenit ... 170 mijë lek!

Sabi: 10 atje ... 5 këtu ... .

Moisiu: Po heqim qafe më përpara këta dhe pastaj heqim edhe Nikun ... .

Në orën 13:28:13:

Sabi: T’i heqim edhe këto të shtetit që kemi ... dhe pjesa e mbetur ... .

Më pas Moisiu shpreh shqetësimin e tij për atë që të tjerët mund të mendojnë për mungesën e korrektësisë, pa ditur se si kanë shkuar në të vërtetë gjërat.

  1. Nisur nga të dhënat e mësipërme të hetimeve, autoritetet gjyqësore italiane ngritën dyshime se “...edhe nën dritën e lidhjeve të farefisnisë që ekziston ndërmjet vëllezërve të një gjaku Habilaj dhe Ministrit Saimir Tahiri ... mendohet se autovetura Audi A8, me targën AA003GB, e cila ende edhe tani lidhet drejtpërdrejt me Shtetin Shqiptar, mund t’i jetë lënë në përdorim shtetasit Moisi Habilaj dhe të afërmve të tij për të bërë të mundur lëvizjen “e pashqetësuar” si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali, dhe se dhuratat e ndryshme që ata i bënin Ministrit dhe pjesëtarëve të familjes së tij janë shpërblimi i duhur” (shih pika e 16 e referimit të veprës penale te prokurori nga ana e policisë gjyqësore italiane).
  2. Për të mbështetur të dhënat e rezultuara nga hetimet, autoritetet gjyqësore italiane kanë kryer hetime për të verifikuar blerjen e bizhuterive të referuara nga z. Moisi Habilai dhe z. Sabaudin Çelaj dhe lëvizje të përbashkëta në zonën Shengen mes të hetuarve z. Saimir Tahiri dhe z. Moisi Habilaj e z. Sabaudin Çelaj. Rezultati i hetimeve (i përmendur në shkresën nr. 635642 prot., datë 29.11.2017, të Guardia di Finanza të Katanias) nuk nxori elemente provues të tjerë në lidhje me sa më sipër.
  3. Veçanërisht, për të verifikuar blerjen e bizhuterive dhe veshjeve të destinuara sipas përgjimeve për të pandehurin z. Saimir Tahiri, janë identifikuar dhe pyetur nga policia gjyqësore italiane personat e individualizuar si shitësit e mundshëm të tyre, është kontrolluar dokumentacioni i tyre në lidhje me shitjet, faturat dhe pagesat si dhe janë pyetur personat e hetuar z. Moisi Habilaj, z. Antonino Riela, z. Maridian Sulal, të cilët ishin të arrestuar në Itali mbi bazën e vendimit për caktimin e masave të sigurimit të dhënë nga Gjykata e Katanias në datë 12.10.2017 (procesverbalet e pyetjes së tyre janë dërguar me shkresën nr. Proc. N. 11/2017 Reg., Rog., datë 14.03.2018, të Prokurorisë së Katanias, në ekzekutim të letërporosivc të dërguara për këtë qëllim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë).
  4. Shtetasi italian z. Alessio Aroldo Donini, administrator i vetëm i “Donini Jeëllery s.r.l.”, me adresë të biznesit në Via Pisa nr .19, në Katania, në procesverbalin e deklarimeve të datës 23.11.2017, mbi pyetjen nëse i kishte shitur ndonjë send me vlerë, në veçanti byzylykë me diamantë, një personi me shtetësi të huaj në dhjetor të vitit 2013, është shprehur se: “Nuk e mbaj mend, mbase”. Pasi i është treguar fotografia e z. Moisi Habilaj dhe është pyetur nëse personin në foto e njihte dhe nëse kishte qenë ndonjëherë në dyqanin e tij për të blerë, është përgjigjur: “... Nuk e njoh këtë personin. ... Nuk më kujtohet personi që më paraqitët në foto, po dhe nëse ka ardhur, mbase ka qenë i shoqëruar. Më kujtohet se kam shitur një byzylyk rreth 5000 euro në atë periudhë, por nuk jam i sigurt, nuk e përjashtoj që të kenë blerë nga një byzylyk për kokë apo të ketë ardhur më parë me ndonjë person që unë e njoh dhe që ma ka prezantuar dhe më pas të jetë kthyer në emër të personit që e ka prezantuar ...”.
  5. Ndërsa shtetasi z. Guido Donini, tregtar sendesh me vlerë me të njëjtën adresë biznesi Via Pisa nr. 19 në Katania, në procesverbalin e deklarimeve datë 23.11.2017, pyetjes nëse i kishte shitur ndonjëherë sende me vlerë, në veçanti byzylykë me diamante, një personi me shtetësi të huaj shqiptare në dhjetor 2013, i është përgjigjur:

Nuk e mbaj mend, kohë më parë më ka ardhur një rus”.

Pyetjes nëse e njihte personin që i treguan në foto (Moisi Habilaj) i është përgjigjur:

Nuk më kujtohet”.

Ndërsa pyetjes nëse i kujtohej që personi që i treguan në foto (Moisi Habilaj) të kishte qenë ndonjëherë në dyqanin e tij për të blerë, i është përgjigjur:

Nuk më kujtohet nëse ka bërë blerje në dyqanin tim, mbase ka ardhur i shoqëruar me ndonjë person tjetër”.

  1. Sipas “Procesverbalit të veprimeve të kryera datë 23.11.2017”, oficerët e policisë gjyqësore italiane kanë kontrolluar dokumentacionin kontabël që mbante shtetasi italian z. Alessio Aroldo Donini në lidhje me shoqërinë “Donini Jeëllery s.r.l.” (administrator i vetëm i së cilës ishte), konkretisht:
  • regjistri i faturave të lëshuara 2013/2014;
  • faturat e lëshuara në muajin dhjetor të vitit 2013 dhe në muajin janar 2014;
  • regjistri i biznesit për vitet 2013 dhe 2014;
  • regjistri i pagesave për vitet 2013/2014.

Ndërsa firmës individuale të Guido Donini i është këqyrur dokumentacioni kontabël si vijon:

  • regjistri i faturave të lëshuara 2013/2014;
  • faturat e lëshuara në muajin dhjetor të vitit 20 I 3 dhe në muajin janar 2014;
  • regjistri i pagesave për vitet 2013/2014.
  1. Sipas procesverbalit të mësipërm, nga shqyrtimi i këtyre dokumenteve është arritur në konkluzionin se: “... ka dhënë rezultat negativ pasi nuk kanë rezultuar veprime dhe/ose hyrje në kasë në periudhën me interes për hetimin lidhur me blerjen e dy byzylykëve nga ana e Moisi Habilaj.
  2. Shtetasi italian z. Giancarlo Platania, tregtar veshjesh të firmës “Hugo Boss”, me qendër të veprimtarisë së tij në Corso Italia Nr. 272/a, shoqëria “Anteo s.r.l.”, në procesverbalin e deklarimeve datë 09.03.2018, pyetjes nëse kishte qenë ndonjëherë në dyqanin e tij z. Saimir Tahiri, ish Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Shqipërisë, i është përgjigjur:

Jo, megjithatë nuk e përjashtoj se mund të ketë hyrë në dyqanin tim si klient normal

Pyetjes nëse kishte pasur komunikime telefonike me z. Saimir Tahirin i është përgjigjur:

Nuk e kujtoj

Pyetjes nëse ka bërë blerje personalisht shtetasi z. Saimir Tahiri në dyqanin e tij dhe nëse po çfarë ka blerë dhe kush i ka bërë pagesat, i është përgjigjur:

Nuk e kujtoj. Nëse ka mundësi të di ndonjë datë, mund të kontrolloj SAP-in (sistemin ku regjistrohen të gjitha operacionet e “Hugo Boss”)

Pyetjes nëse e njihte shtetasin shqiptar z. Moisi Habilaj i është përgjigjur:

Jo, por nuk e përjashtoj se mund të ketë hyrë në dyqanin tim duke qenë se kam shumë klientë të huaj, edhe me kombësi shqiptare

Pyetjes nëse e njihte shtetasin z. Antonino Riela i është përgjigjur:

Jo, por edhe në këtë rast nuk e përjashtoj se mund të ketë hyrë në dyqanin tim si klient

Pyetjes nëse i kujtohej që z. Antonino Riela t’i kishte prezantuar z. Moisi Habilaj i është përgjigjur:

Jo

Pyetjes nëse i kujtohej që z. Moisi Habilaj të kishte blerë artikuj në dyqanin e tij, për vete, për familjarët e tij apo për z. Saimir Tahirin dhe nëse po si i kishte kryer pagesat i është përgjigjur:

Jo”.

  1. Sipas “Procesverbalit të veprimeve të kryera datë 09.03.2018”, oficerët e policisë gjyqësore italiane kanë kontrolluar dokumentacionin kontabël që mbante shtetasi italian z. Giancarlo Platania, konkretisht “Regjistrin e faturave të lëshuara 2013/2014” dhe “Regjistrin e shumave të marra për vitet 2013/2014”. Shqyrtimi i këtyre dokumenteve ka dhënë rezultat negativ duke qenë se nuk kanë rezultuar veprime dhe/ose arkëtime në periudhën me interes hetimor për sa i përket blerjes së veshjeve nga ana e z. Saimir Tahirit (ish Ministër i Punëve të Brendshme i Shqipërisë) dhe z. Moisi Habilaj.
  2. Personat nën hetim nga autoritetet gjyqësore italiane Moisi Habilaj, Antonino Riela dhe Maridian Sulaj, kur janë marrë në pyetje nga autoritetet italiane kanë pranuar në thelb akuzat ndaj tyre dhe kanë pohuar edhe për persona të tjerë nën hetim në të njëjtin procedim, por në lidhje me të pandehurin në këtë gjykim Saimir Tahiri qëndrimi i tyre ka qenë i ndryshëm, dhe konkretisht:
  3. Me datë 01.02.2018 është pyetur z. Maridian Sulaj. Ai ka pranuar bashkëpunimin me organizatën kriminale të z. Moisi Habilaj lidhur me episodin e trafikimit të lëndës narkotike në Augusta dhe Palagonia, duke sjellë në vëmendje se tek kjo e fundit ishte në dijeni dhe se nuk ka marrë pjesë në transport. Ai ka pranuar bashkëpunimin me z. Moisi Habilaj edhe në trafikimin e lëndës narkotike në Riposto dhe si ndërlidhës i vazhdueshëm ndërmjet tij dhe z. Antonio Riela apo ndihmësit të tij Enzo. Ai ka deklaruar se z. Fatmir Minaj e ka xhaxha, se njihte kontributin dhe rolin e z. Sabaudin Çelaj, se z. Angelo Busacca ishte në dijeni të trafikimit të lëndës narkotike por nuk kishte rol. Ai ka deklaruar se e njeh z. Saimir Tahiri si Ministër i Brendshëm në Shqipëri dhe se nuk mund të thotë se z. Moisi Habilaj ka blerë ndonjë bizhuteri për të shoqen e tij dhe se nuk mund të thotë nëse z. Moisi Habilaj i jepte para atij dhe se ai nuk i ka thënë ndonjëherë se i jepte para policisë apo ministrit. Ai ka njohur ndër të tjera edhe disa nga bashkëpunëtorët italianë dhe ka sqaruar rolin e tyre.
  4. Në pyetjen e tij me datë 29.05.2018 ai ka pranuar se ka bashkëpunuar si ndihmës i thjeshtë i z. Moisi Habilaj dhe se nuk ka pasur rol në Shqipëri por gjente kontaktet të blerësve të lëndës narkotike në Itali, duke marrë pjesë edhe sa herë vinte lënda narkotike në Itali. Ai ka sqaruar se z. Moisi Habilaj është kushëriri i dytë i tij dhe se mamaja e z. Moisi Habilaj me babanë e z. Maridian Sulaj janë kushërinj të parë. Ai ka treguar se e njeh z. Florian Habilaj por nuk ka dijeni për pjesëmarrjen e tij në grup. Ai ka treguar se z. Nezar Seiti ishte i martuar me kushërirën e tij dhe se nuk e dinte se çfarë roli kishte ai në organizatë. Ai ka deklaruar se nuk e dinte se çfarë garancish kishte z. Moisi Habilaj pasi dërgimi i lëndës narkotike nga Shqipëria ishte me rrezik dhe se ai nuk e dinte se çfarë organizate kishte z. Moisi Habilaj në Shqipëri. Ai sqaron se znj. Brunilda Alikaj ka ardhur disa herë në Itali me Moisiun dhe se e ka këshilluar disa herë që të mos flisnin në telefon se mund t’i përgjonin, duke shtuar se nuk e dinte nëse ajo ishte në dijeni të trafikut të narkotikëve apo jo. Ai tregon se nuk e dinte se nga e merrte lëndën narkotike z. Moisi Habilaj. Ai tregon se e dinte episodin e trafikimit me peshkarexhën “Fatima” por nuk e dinte se ka pasur armë në bordin e saj.
  5. Prokurorët kanë marrë në pyetje bashkëtëpandehurin z. Nezar Seiti me datë 29.05.2018. Ai ka deklaruar ndër të tjera se z. Moisi Habilaj, z. Maridian Sulaj, z. Florian Habilaj, z. Sabaudin Çelaj janë kushërinjtë e bashkëshortes së tij. Ai ka pranuar se merrte paratë për shitjen e marjuanës nga një italian dhe i dërgonte në Shqipëri tek disa miq emrat e të cilëve nuk i kujtohen. Ai ka treguar se ndërmjet këtyre personave bisedohej për trafikimin e marjuanës dhe se ai ka dërguar para në dy raste, duke i a dhënë paratë z. Florian Habilaj, duke treguar se ai nuk i numëronte paratë dhe se në një rast një italian i ka treguar se ishin 50.000 Euro. Ai ka treguar se në një rast ka qenë me z. Florjan Habilaj dhe në një rast ka qenë me z. Maridian Sulaj. Ai tregon se paratë i fshihte në kutitë e ilaçeve dhe të rrobave dhe se shkonte me makinë në traget, duke shtuar se ai nuk paguhej për këto rrugë sepse kishte fëmijët dhe gruan në Raguza dhe se vinte në Itali për këtë arsye dhe se e dinte se paratë vinin nga shitja e drogës. Ai ka treguar se nuk ka udhëtuar asnjëherë me automjetin e z. Saimir Tahiri dhe se nuk ka kryer asnjëherë trafik narkotikësh. Ai ka treguar se z. Armand Koçerri e njeh nga një karburant afër spitalit në Vlorë ku punonte z. Artan Habilaj dhe se gruaja e z. Artan Habilaj punonte në spital bashkë me të. Ai ka deklaruar se nuk e dinte se ku e fshinte drogën z. Moisi Habilaj dhe të tjerët në Shqipëri dhe se nuk ka kultivuar marjuanë atje, duke shtuar se nuk ka pasur njohje apo kontakte me policinë në Vlorë dhe se ka njohur vetëm z. Sokol Bode në një diskotekë në Vlorë.
  6. Në fashikullin nr. 37 ndodhet procesverbali i datës 24.01.2018 i marrjes në pyetje nga autoritetet italiane të z. Antonio Riela. Ai ka sqaruar ndër të tjera se i pranon faktet që i janë komunikuar në akuzë dhe se bashkëpunimi me z. Moisi Habilaj ka nisur disa muaj para se të fillonin hetimet për këtë çështje në vitin 2013. Ai deklaron se e ka prezantuar një shqiptar jashtë këtyre hetimeve dhe se fillimisht ka blerë 200 kilogramë lëndë narkotike dhe e mbante në një depo në Gravina di Canatia dhe se duke parë rezultatin e mirë të tregtimit të saj ka intensifikuar marrëdhëniet e bashkëpunimit me z. Moisi Habilaj dhe shqiptarë të tjerë të gripit të tij. Ai sqaron se është përpjekur të shmangte shitjen e lëndës narkotike në Katania, pasi kishte frikë nga familjet mafioze dhe se e shiste lëndën narkotike të furnizuar nga shqiptarët tek fshatarët e Katanias. Ai ka sqaruar se që prej Dhjetorit 2013 është marrë me organizimin e udhëtimeve në rrugë detare me peshkarexha të gjetura dhe duke bashkëpunuar me shqiptarët dhe në veçanti me z. Moisi Habilaj. Ai sqaron se z. Moisi Habilaj e qetësonte duke i thënë se ishte i mbrojtur pasi kishte një person të rëndësishëm në Shqipëri i cili e mbronte dhe e lejonte të ekspertonte këto sasi të mëdha lënde narkotike marjuanë. Ai ka deklaruar se i kujtohet t’ia ketë thënë edhe emrin e këtij personi por nuk e mban mend. Ai ka deklaruar se kujton se e ka shoqëruar z. Moisi Habilaj tek një tregtar bizhuterish të çmuara që ndodhet prapa gjykatës, në Piazza Verga, në një rrugicë brenda një porte të madhe. Ai ka deklaruar se kujton se nuk u fut brenda por e di që ata duhet të niseshin për t’u thyer në Shqipëri dhe blenë disa bizhuteri me vlerë dhe ishte dhjetori i vitit 2013. Ai ka deklaruar se ka bashkëpunuar me z. Moisi Habilaj dhe shqiptarët për të sjellë ngarkesa me lëndë narkotike në Itali nga Shqipëria në tre raste, dhjetor 2013, shkurt 2014 dhe maj 2015 kur edhe është arrestuar. Ai ka sqaruar se në magazinën e tij fuste jo vetëm lëndën narkotike të tij por edhe atë të shqiptarëve dhe se atë e shisnin. Ai sqaron se z. Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tyre e shisnin drogën edhe për llogari të tyre veç asaj që arrinte të shiste ai me lidhjet që kishte. Ai ka njohur në foto bashkëpunëtorët dhe bashkëtëpandehurit shqiptarë dhe italian, duke deklaruar se kur ka dalë nga burgi është rivënë në kontakt me z. Moisi Habilaj dhe kanë kontraktuar për blerjen sërish të marjuanës por realisht nuk ka arritur të blinte kurrë lëndë narkotike nga ai. Ai tregon se marjuana i ka mbetur stok dhe ka synuar që të marrë nga z. Moisi Habilaj lëndë narkotike sërish që t’i përzinte dhe ta shiste sërish.
  7. Në fashikullin nr. 37 ndodhet procesverbali datë 24.01.2018 i pyetjes nga autoritetet italiane të personit nën hetim z. Moisi Habilaj. Ndër të tjera ai ka deklaruar se pranoj faktet që më janë komunikuar në lidhje me veprat penale të cituara në rubrikë, duke deklaruar se udhëtimi i parë në rrugë detare me të cilin është marrë ka qenë ai në vitin 2013, ku në Augusta është sekuestruar 1500 kilogramë marjuanë. Ai ka deklaruar se në Siçili ka ardhur në vitin 2006 dhe se fillimisht ka punuar si murator dhe më tej ka nisur të ushtrojë aktivitetin ekonomik të tregtimit të frutave dhe perimeve, ku ka njohur në tregun e Vittorias edhe z. Angelo Busacca dhe një trafikant të madh marjuanë me emrin Fatosh të cilin e ka njohur përmes z. Sabaudin Çelaj, duke shtuar se ka qenë Fatoshi që i ka propozuar të nisë trafikimin e lëndëve narkotike me Siçilinë. Ai ka sqaruar se nga viti 2013 – 2017 ka bërë transportimet që i janë sekuestruar të lëndës narkotike dhe gjithashtu ka bërë edhe dy transportime që i kanë rezultuar me sukses. Ai ka sqaruar se, përveç z. Antonio Riela, drogën i a ka nisur edhe një farë Angelo nga Lentini, duke shtuar se në aktivitetin e importimit nga Shqipëria ndihmohej nga z. Maridian Sulaj, z. Nezar Seiti dhe të tjerë, duke deklaruar se as z. Armando Sulaj dhe as z. Florian Habilaj nuk kishte lidhje me këtë aktivitet. Z. Moisi Habilaj në pyetjen e parë të tij nga autoritetet italiane të dokumentuar në Fashikullin nr. 37 ka deklaruar se është kushëriri i ish-Ministrit të Brendshëm, z. Saimir Tahiri, por se ai nuk di asgjë dhe nuk e ka ndihmuar asnjëherë për trafikun e narkotikëve. Ai ka deklaruar se nuk është e vërtetë se ka blerë bizhuteri të çmuara për atë apo për gruan e tij edhe pse është e vërtetë se ka blerë bizhuteri të çmuara në Katania për gruan e Fatoshit. Ai ka sqaruar se vëllai i tij, z. Artan Habilaj, ka blerë automjetin e z. Saimir Tahiri dhe se nuk ka mundur të realizonte kalimin e pronësisë për një arsye që lidhej me bllokimin administrativ. Ai ka sqaruar se askush nga policia shqiptare nuk është paguar ndonjëherë prej tij dhe se as nuk ka dijeni për pagesa të tilla por nuk e përjashton se Fatoshi apo persona të tjerë të jenë paguar policinë në Shqipëri, duke shtuar se Fatoshi i thoshte se e paguante policinë në Shqipëri por se nuk është i sigurt. Atij i tregohen në foto bashkëpunëtorët shqiptarë dhe italianë më tej nga autoriteti procedues. Ai sqaron se Enzo dhe z. Antonio Riela ishin bashkëpunëtorët me të cilët realizonte trafikun e lëndës narkotike dhe e shiste në Itali. Lidhur me z. Angelo Busacca ka deklaruar se e ka njohur në Vittoria tek tregu i frutave dhe perimeve dhe se ai e dinte për aktivitetin e trafikimit të lëndës narkotike, duke shtuar se ai i ka ndihmuar për të gjetur çimkat e vendosura nga policia në automjete. Tek foto e z. Saimir Tahiri ai deklaron se është Ministri i Brendshëm i cili është kushëriri i tij i largët por se nuk e ka njohur atë personalisht. Ai ka deklaruar se organizonte transportin dhe shitjen e lëndës narkotike në Itali dhe se kjo lëndë gjendej në Shqipëri nga Fatoshi dhe njerëzit e tij dhe se kur ngarkesa humbiste ai mbetej borxh me furnizuesit shqiptarë dhe ishte përgjegjës.
  8. Në fashikullin e gjykimit të shkallës së Parë (shih Volumi II) rezulton se Prokurorët kanë marrë në pyetje si person ndaj të cilit zhvillohen hetimet z. Moisi Habilaj me datë 30.05.2018. Ai ka deklaruar ndër të tjera se ka filluar trafikun e marjuanës nga Shqipëria në Itali në vitin 2012 me këshillën e një farë “Fatosh”, i quajtur “Toshi”, mbiemrin e të cilit nuk e di por ishte pronar i një hoteli i quajtur “Europa” dhe se me të e ka prezantuar z. Sabaudin Çelaj. Në vitin 2012. Ai ka treguar se detyra e parë ka qenë trafikimi i lëndës narkotike 1600 kilogramë e sekuestruar në Brucoli, Itali. Ai ka sqaruar se ai merrej me dërgesat dhe se janë kryer katër të tilla dhe se transporti kryhej gjithmonë me det dhe me peshkarexha italiane. Ai ka deklaruar se në Shqipëri vepronte “Fatoshi” dhe se në Itali merrej ai, z. Maridian Sulaj, z. Sabaudin Çelaj, z. Nezar Seiti dhe se takohej me Fatoshin në Shqipëri dhe se shkëmbenin edhe mesazhe me telefon. Ai deklaron se nuk flisnim asnjëherë në përgjimet e prokurorisë dhe se ai na kishte këshilluar që të mos i a përmendnim asnjëherë emrin dhe se ato i thërrisnin kapo, duke shtuar se ai ishte shumë i zgjuar dhe se ndryshonte disa herë numrin dhe se nuk mban mend asnjëherë numër të tij të telefonit. Ai ka treguar se në episodin e peshkarexhës “Fatima” ishin njerëzit e Toshit dhe emrat nuk u a kujton atyre. Ai ka deklaruar se garancia se kishin mbrojtje që u thonin italianëve ishte për t’i qetësuar dhe se realisht nuk kishin mbrojtje në Shqipëri, duke shtuar se në ato momente i dërgonte mesazhe Fatoshit sepse nuk ishte aty. Ai ka deklaruar se ka pasur kontakte me z. Sokol Bode edhe në periudhën kur merrej me trafikun e drogës dhe se nuk mban mend të ketë komunikuar me të me datë 5 maj 2015. Ai ka deklaruar se nuk kujton nëse z. Florian Habilaj ishte apo jo me të në datë 6 maj 2015 dhe se nga ana tjetër nuk i njeh z. Jaeld Çela dhe z. Gjergji Kohila. Ai ka deklaruar se në dyqanin Hugo Boss ka blerë rroba vetëm për vete sepse ka qenë një javë para ditëlindjes dhe se e ka mohuar se ka folur për z. Saimir Tahiri apo për të ëmën dhe gruan e tij, duke sqaruar se nuk e di se pse e përmendte emrin e z. Saimir Tahiri kur ishte me z. Enea Sulaj tek dyqani Hugo Boss. Ai ka sqaruar se e ka përmendur emrin e z. Saimir Tahiri nga injoranca dhe për t’i dhënë rëndësi vetes por jo më shumë. Ai ka sqaruar se bizhuteritë i ka blerë për Fatoshin por nuk e di nëse ishin për të ëmën apo vjehrrën apo për ndonjë tjetër dhe se një javë më vonë në Shqipëri i a ka dhënë Fatoshit bizhuteritë. Ai ka deklaruar se z. Saimir Tahiri e ka parë vetëm në televizor dhe se nuk ka folur asnjëherë me të personalisht apo në telefon dhe se e di që vëllai i tij, z. Artan Habilaj, ka blerë automjetin e z. Saimir Tahiri dhe se nuk e kishte realizuar kalimin e pronësisë për arsyen e një ndalimi administrativ, duke shtuar se nuk di se sa ka qenë çmimi dhe nuk e di nëse z. Artan Habilaj e njeh atë personalisht. Ai ka sqaruar se të tre vëllezërit kishin një biznes fruta-perimesh dhe se secili i shpenzon fitimet nga ky biznes sikur do. Ai nuk e mban mend se në çfarë periudhe është blerë automjeti i z. Saimir Tahiri dhe deklaron se e ka përdorur këtë automjet 4 ose 5 herë për të vajtur në Greqi, në Itali dhe në Mal të Zi. Ai ka sqaruar se në doganë kur shkonte atij i kërkonin vetëm dokumentet e makinës dhe asgjë tjetër. Ai ka deklaruar se nuk e njeh z. Orges Liperi dhe se as z. Naim Brahimaj dhe se këtë të fundit beson se e ka njohur pasi kanë ardhur në Itali për të blerë gomone, duke qenë se ai ishte mekanik dhe nevojitej për të marrë motorin dhe se atë e ka dërguar vëllai i tij, z. Artan Habilaj, por se gomonia nuk i pëlqeu. Ai ka deklaruar se kanë vajtur në Sardenja për gomonen dhe se z. Naim Brahimaj e ka gjetur atje dhe se nuk e di se si kishte udhëtuar. Ai më tej ka sqaruar se e njeh z. Aurel Konakçiu dhe bashkë me të dhe me z. Naim Brahimaj kanë çuar në Brindisi një gomone për riparime, duke sqaruar se kanë qenë së bashkë në gomone nga Shqipëria deri në Brindisi dhe se nuk e di se e kujt ishte gomonia. Ai sqaron se i a ka kërkuar z. Naim Brahimaj që të shkonte me të në Brindisi dhe se nuk e mban mend se kush i pagoi shpenzimet e udhëtimit, duke shtuar se ai ka paguar të vetat dhe nuk di gjë tjetër. Ai ka sqaruar se nuk ka folur asnjëherë me vëllanë e tij z. Artan Habilaj për gomonen dhe se nuk e dinte se e kishte përdorur nga Ministri i Brendshëm, duke shtuar se nuk ka pasur kontakte të z. Aurel Konakçiu dhe z. Naim Brahimaj por i ka takuar në Vlorë me vëllanë e tij z. Artan Habilaj dhe se më pas janë nisur për në Brindisi. Ai përsërit sërish se z. Artan Habilaj nuk i ka folur asnjë herë për gomonen dhe se ai vetëm i ka shoqëruar ato për në Brindisi. Z. Moisi Habilaj sqaron se nuk e di nëse gomonen e ka përdorur ndonjëherë vëllai i tij dhe se nuk e di se vëllai i tij e kishte sjellë atë gomone nga Greqia dhe se nuk mban mend asgjë në lidhje me lejet e lundrimit që janë marrë nga Kapiteneria e Portit Vlorë për të udhëtuar me të deri në Brindisi. Z. Moisi Habilaj ka deklaruar se ai nuk i njeh z. Alban Aliaj, z. Gentjan Ceka, z. Boge Budini, z. Elvis Rexha apo z. Krenar Cenollari. Ai ka deklaruar se nuk i kujtohet kush është z. Renato Avdulaj dhe se nuk i kujtohet z. Armand Koçerri por beson se është infermier dhe kushëriri i tij i dytë që vinte ndonjëherë tek lokali për të pirë kafe. Ai ka deklaruar se nuk di gjë për lëndën narkotike të sekuestruar z. Armand Koçerri dhe se mbase ka pasur kontakte telefonike me të, duke shtuar se as ai dhe as familjarët e tij nuk kanë kultivuar ndonjëherë lëndë narkotike dhe se nuk di asgjë për sekuestron e tokave me lëndë narkotike në tetor 2016. Z. Moisi Habilaj ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë lidhje me funksionarë të policisë dhe se e vetmja lidhje e tij ka qenë znj. Brunilda Alikaj, shoqja e tij aktuale, duke shpjeguar se ka udhëtuar me të në Greqi dhe në Itali bashkë me shoqen e saj kushërirë e cila ishte punonjëse policie, znj. Natasha Shkoza duke shtuar më tej se ajo nuk kishte lidhje fare me lëndën narkotike dhe se nuk ka kërkuar asnjëherë informacione lidhur me hetimet në Shqipëri. Ai ka deklaruar se nuk mban mend të ketë folur në telefon me z. Sokol Bode në episodin e ngarkimit të lëndës narkotike në peshkarexhën “Fatima” dhe se nuk e di se ku janë ngarkuar peshkarexhat në rastet e tjera përveç rastit të muajit maj 2015. Ai shton se z. Sokol Bode nuk i ka kërkuar asnjëherë atyre rekomandime për të bërë karrierë. Ai ka deklaruar se nuk ka folur asnjëherë në telefon me z. Gjergji Kohila dhe se hera e fundit që e ka takuar Fatoshin ka qenë muaji mars apo prill i vitit 2017. Për udhëtimin në Brindisi ai ka sqaruar se mjetin lundrues e ka drejtuar z. Aurel Konakçiu (shih fashikullin e emërtuar Volumi II).
  9. Krahas përgjimeve ambientale (dhe veprimeve të tjera teknike), autoritetet gjyqësore italiane kishin kryer edhe përgjimin e komunikimeve telefonike të të pandehurve në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, z. Florian Habilaj, etj., në kuadër të hetimeve të procedimit të tyre penal. Mes bisedave të përgjuara, veçohen dy prej tyre në të cilat vëllezërit Moisi, Florian dhe Artan Habilaj i referohen një personi që ata e quajnë “shefi i madh” dhe konkretisht:
  • Numri i telefonit të përgjuar 3318223524, në përdorim të z. Moisi Habilaj - RIT 1246/13, RIT i mëparshëm 1015/13 - P.P. 4942/12, nr. 130, datë 06.10.2013, ora 18:31, i përgjuar si dalëse drejt numrit telefonik 00355692026777, në përdorim të z. Florian Habilaj, i ashtuquajtur “Lolo”:

Floriani - Çfarë po bën? ... ej a më dëgjon?

Moisiu - Çfarë thuhet? çfarë po bën? Fëmijët si i ke?

Floriani - Hiç. Gjithçka në rregull.

Moisiu - E përfundove?

Floriani - Po po do të të dërgoj targat dhe çregjistrimin e Porshit me ata.

Moisiu - Por kur do të m'i dërgosh?

Floriani - T’ka dërguar vëlla, Nuk e di se kur ... më mori në telefon. Nuk ta ka thënë?

Moisiu - Telefonoji dhe thuaji se mi ka dërguar në mënyrë që nesër të dërgoj atë që të presë mbërritjen e autobusit.

Floriani - Ok në rregull.

Moisiu - Çfarë thuhet tjetër?

Floriani - Hiç, jam nisur për në Tiranë dje mbrëma dhe sapo u ktheva, këtu në Fier Moisiu - Pse kështu?

Floriani - Më kërkoi shefi i madh.

Moisiu - Çfarë donte?

Floriani - Hiç, ja për këtë punën. Për situatën.

Moisiu - Ah. Fole vetëm për vetëm?

Floriani - Po, më priti në orën 11:30, më paguan taksinë/ma dërguan.

Moisiu - Po çfarë tha?

Floriani - Tha: “çfarë janë këto gjëra? ... çfarë kanë ... si qëndron puna?” ... i thashë “kështu e kështu ...”.

Moisiu - Pra?

Floriani - Më tha “mos u mërzit/mos u shqetëso ... është çështje orësh mos e vrit mendjen më shumë se ç’duhet.

Moisiu - Ashtu, duhej t’i thoshe që ne nuk kemi faj, këtë duhej t’i thoshe.

Floriani - Po ia thashë që ne ... aspak ... më tha: “ata e bëjnë enkas që unë t’i thërras”. Tha.

Moisiu - Po ... edhe ne e kuptuam prandaj nuk e shqetësuam.

Floriani - Edhe ne e kemi marrë vesh ... dhe më tha: “unë e mora në telefon dhe i thashë: “nuk duhej të ishe ngatërruar me lojërat (çështjet, shënim i hartuesit) e fatit”.

Moisiu - E kishte marrë në telefon ai?

Floriani - E kishte marrë ky ... “i madhi” (shefi, shënim i hartuesit) ... e kishte marrë në celular, më dëgjon?

Moisiu - Alo ... më thuaj vëlla.

Floriani - E kishte marrë ky në celular dhe i kishte thënë se nuk duhej të ishte ngatërruar dhe t’i linte (nënkupton para, kapitale të përbashkëta, shënim i hartuesit) ato lojërat e fatit aty ... i kishte thënë.

Moisiu - Po.

Floriani - Ai i ishte përgjigjur duke u justifikuar jo andej po këtej ... “janë për të tjera” (çështje, flet gjithmonë për paratë, shënim i hartuesit) ... “për sa u përket të tjerave jepi gaz (në sensin shpejto, shënim i hartuesit) ... i kishte thënë (shefi, shënim i hartuesit) ... “ç’ke për të bërë bëje shpejt” i kishte thënë ... .

Moisiu - Sepse ka humbur kohë tashmë ... po ... e pastaj?

Floriani - Hiç ... ai kishte filluar të dridhej e të ulte zërin ... .

            Moisiu - ... (shan) ... .

            Floriani - Gjithsesi  “mos u shqetëso për asgjë” ... më tha në fund (shefi, shënim i hartuesit) ... “shko dhe mos u shqetëso fare” ... .

Moisiu - E ka parasysh ai? ... (e pakuptueshme)

Floriani - E ka si jo, ta thashë ... ia thashë ... ia thashë që të gjitha Moisi.

Moisiu - Ok atëherë!

            Floriani - I thashë “ne nuk kemi faj ... na ka shqetësuar ... na ka prishur gjithë biznesin”  i thashë (shefit, shënim i hartuesit).

Moisiu - Në rregull.

Floriani - Më tha ... “shko dhe mos u shqetëso” ... dhe të bëri të fala në mënyrë të veçantë.

  • Numri i telefonit të përgjuar 3318223524 në përdorim të z. Moisi Habilaj - RIT 1246/2013 - prog. 281, datë 23.11.2013, ora 19:53, i përgjuar si hyrëse në numrin telefonik shqiptar 00355697612046 në përdorim të z. Artan Habilajt. Z. Moisi Habilaj merr në telefon Artanin Habilajn dhe i thotë se është afër. Artani i thotë se është në Tiranë. Moisiu e pyet se pse dhe Artan i i thotë se e donte shefi i madh. Moisiu i kërkon që t’i sqarojë mirë gjërat pa pasur turp. Artani i thotë se nuk ka më turp. Moisiu pyet nëse janë vetëm për drekë dhe Artan i i thotë po, se janë vetëm ata të dy. Moisiu i thotë që t’i bëjë të fala nga ana e tij.
  1. Gjithashtu, në disa përgjime ambientale të tjera të muajit janar 2017, të pandehurit në procedim të lidhur z. Nezar Seiti dhe z. Maridian Sulaj përmendin emrin e personi të quajtur “Saimir” që sipas tyre kryente transport lëndësh narkotike e që kishte edhe kamionin vetë, dhe shprehnin pakënaqësi për çmimin e lartë që ai kishte për transportin e lëndës narkotike, konkretisht:
  • Përgjime ambientale në bordin e automjetit Fiat Bravo me targë EC043NK, në përdorim nga z. Moisi Habilaj dhe z. Maridian Sulaj - RIT 1854/16 - Regjistrimi nr. 138, i orës 14:38, datë 21.01.2017. Në bisedën në vijim, Seiti dhe Sulaj flasin për 600 litra benzinë të porositura nga bashkëpunëtorët italianë për t’ia dhënë skafistëve për udhëtimin e kthimit në Shqipëri. Pastaj vetë ata komentojnë se bashkëpunëtorët italianë ishin “padron të vendit” (në kuptimin se kishin kontrollin e territorit ku duhej të realizohej zbarkimi), ashtu siç ishin ata në Shqipëri.  Makinë jo në lëvizje në Portopalo të Capopassero-s, me në bord z. Maridian Sulaj dhe z. Nezar Seitin. Maridiani dhe Nezari komentojnë burrat italianë që sapo kanë takuar.

Nezari: 30 bidona.

            Maridiani: ... (e pakuptueshme) ... 20  tha “i përgatisim ... (e pakuptueshme)” ... e  ke parasysh? ... ( e pakuptueshme) ... se do ikim direkte me atë ... “bam-bam” (në kuptimin me shpejtësi) ... ngarkim ... ngarkim.

Vijon pjesa ku Nezari flet për Saimirin të cilit duhej t’i shkruante në orën 15:00.

Në orën 15:00:49 Nezari flet për punën që u prish për fajin e Lolo-s (Florian Habilaj) që e ka mbyllur keq dhe që tani po përpiqen që ta shesin/likuidojnë pak nga pak.

  • Përgjime ambientale në bordin e automjetit Fiat Bravo me targë EC043NK, në përdorim nga z. Moisi Habilaj dhe z. Maridian Sulaj - RIT 1854/14 - regjistrimi nr. 228, i orës 10:43, datë 25.01.2017. Automjet në lëvizje, me në bord z. Maridian Sulaj dhe z. Nezar Seitin. Në sfond dëgjohet muzikë popullore shqiptare. Në orën 10:47:55 Maridiani i bën një telefonatë avokatit maltez me të cilin cakton një takim në zyrë në orën 16:30 për sa i përket dokumenteve. Përmbajtja - flasin për të njohur dhe të afërm.
  • Në orën 11:01:25 dëgjohet “bip” i një sms-je të marrë. Nezari lexon: “tani sapo janë takuar ... tani po ngarkojnë” ... (qesh) ... .

Në orën 11:02:21:

Nezari: Mbrëm i shkruajta Lolo-s (Florian Habilaj) ... (e pakuptueshme) ... më tha “20 copë ... (nuk e mbaron fjalinë) ... i vura unë me Moisiun 30 ... dhe 20 ti ... dhe pastaj 100 Agroni” ... dhe unë i thashë: “ku do i çosh?” ... “tek Saimiri” ... dhe unë i thashë: “jo vëlla ... jo ... unë nuk marr 150 euro për 20 euro ... çfarë po thua?” ... vetëm për tëndin dhe timin ... 50 copë i merr Saimiri” ... tani ka shkuar të marrë nja pesëdhjetë ... i thashë “çfarë jam unë?” ... unë nuk marr 150 mijë euro për 50 copë që kemi ne ... jo ... nuk jam çmendur”  i thashë  më tha “e mire ... le t’i marri Agroni vetë” ... dhe unë i thashë “të bëjë ç’të dojë  (e pakuptueshme) ...” ... dhe e gjithë kjo sepse kishte linjën ... duke qenë se kishte kamionin ... po ik o ... plehrë.

  1. Gjykata e Katanias e Republikës së Italisë, konkretisht gjyqtari për hetimet paraprake, me Vendimin 14178/2017 R.G. datë 23.11.2018 ka vendosur pushimin e procedimit objekt shqyrtimi dhe kthimin e akteve prokurorit. Në vendim sillen në vëmendje të gjitha elementet e provave të përftuara në kuadër të procedimit penal 15355/13 R.G.N të prokurorisë italiane. Konkretisht në përmbajtje të provave të cituara janë konkretisht:
  • përgjimeve në automjetin Fiat Brava ndërmjet z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj datë 16.12.2013;
  • përgjimit në automjet Mercedes Compressor datë 13.01.2014 ndërmjet z. Enea Sulaj dhe një bashkëfolësi tjetër;
  • dokumenteve shkresore që vërtetojnë ardhjen në Itali me traget dhe me automjetin Audi A8 me targa AA 003 GB të z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj me datë 24.02.2014;
  • përgjimet ambientale të z. Maridian Sulaj, z. Avdul Sulaj, z. Klajdi Sulaj dhe një person me emrin “Niko” me datë 10.10.2014;
  • përgjimi i muajit mars 2014 ndërmjet z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj ku jepet e dhëna “30 duhet t’ja çoj Saimirit”;
  • përgjimet ambientale në automjetin Fiat Panda datë 03.03.2014 ndërmjet z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj;
  • dokumentacionit shkresor dhe pyetjeve të titullarit të dyqanit të bizhuterive dhe kostumit në Itali;
  • procesverbalit të pyetjes së z. Moisi Habilaj datë 24.01.2018;
  • procesverbalit të pyetjes së z. Maridian Sulaj të datës 01.02.2018;
  • procesverbalit të pyetjes së z. Antonio Riela të datës 24.01.2018.
  1. Pas kësaj përmbajtje të vendimit të gjyqtarit të seancës paraprake në vendim arsyetohet se: “Mbi sa më sipër, megjithëse nuk ka dyshim për citimet e bëra nga Moisi Habilaj gjatë bisedave të përgjuara, veçanërisht ku përmend se ka për t’i dhënë 30.000 Euro një ‘‘Saimir’’, ose në pjesët flet për blerjen e bizhuterive për bashkëshorten dhe nënën e Saimir Tahiri, në vlerësimin e Prokurorisë, në mungesë të provave nuk rezulton të ketë elemente të vlefshëm për të ngritur akuzën në gjyq.
  2. Më tej pasqyrohet fakti se prokuroria ka kërkuar pushimin e këtij procedimi, sipas nenit 408 të Kodit të Procedurës Penale dhe gjykata ka arsyetuar si vijon: “Gjyqtari, mbi bazën e kërkesës së mësipërme të pushimit e cila pranohet duke ju përmbajtur në mënyrë të plotë arsyetimit, për këto arsye, në bazë të nenit 409 – 411 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi pushimin e procedimit objekt shqyrtimi dhe kthimin e akteve prokurorit...”.
  3. Ky variant i përkthyer i kërkesës për pushim dhe vendimit të gjyqtarit të hetimeve paraprake të Katanias është varianti i shkresës së sjellë në fashikullin e gjykimit nga i pandehuri z. Saimir Tahiri. Ndërkohë në variantin e marrë nga prokuroria me letërporosi prej autoriteteve italiane dhe të përkthyer nga përkthyesit e Ministrisë së Drejtësisë rezulton se kjo pjesë përkatëse e kërkesës për pushim dhe vendimit të pushimit është përkthyer si vijon: “Thënë sa më sipër, edhe pse nuk ka dyshim mbi univocitetin e pohimeve të bëra nga Moisi Habilaj gjatë bisedave të përgjuara dhe në veçanti aty ku pohon se duhet t’i japë 30,000 Euro Saimirit apo edhe në pjesët ku flet për blerjen e bizhuterive për gruan dhe të ëmën e Saimir Tahirit, sipas Prokurorisë në mungesë të vërtetimeve nuk ka elementë të duhur për të mbështetur akuzën.”
  4. Më tej pasqyrohet fakti se prokuroria ka kërkuar pushimin e këtij procedimi me datë 15.03.2018, sipas nenit 408 të Kodit të Procedurës Penale dhe gjykata në vendimin e datës 05.102018 ka arsyetuar ndër të tjera si vijon: “Parë nenet 409 – 411 të Kodit të Procedurës Penale vendos pushimin e procedimit në shqyrtim dhe kthimin e akteve prokurorisë...
  5. Të dy këto mënyra përkthimi vlerësohen nga gjykata jo të përputhshme me terminologjinë e përdorur dhe nuk tregojnë edhe të njëjtën logjikë në narrativën e përkthyer të këtyre dy akteve procedurale italiane. Për rrjedhojë, sipas parimit të pandërmjetësisë së perceptimit të provës nga gjyqtari, Gjykata e vlerësoi të nevojshme të kqyrë drejtpërdrejtë variantin origjinal në kopjen e autentifikuar të sjellë nga autoritetet italiane përmes letërporosisë. Në gjuhën italiane këto pjesë të këtyre dy akteve citojnë si vijon: “Cio premesso, sebbene non vi sia dubio sulla univocita delle affermazioni fatte da Habilaj nel corso delle conversazioni intercettate, in particolare laddove affermava di dover dare 30.000 euro al Saimir o ankora nelle parti in cui përlava dell’acquisto di gioielli per la moglie e la madre dello stesso Saimir Tahiri, a parere di questo P.M. in assenza di utili riscontri non sussistono elementi idonei a sostenere l’accusa in dibattimento. Visti gli artt. c.p.p. chiede che il Giudice per le indagini preliminari in sede voglia disporre l’archiviazione del procedimento in esame, e conseguentemente ordinare la restitucione degli atti a questo Ufficio.
  6. Më tej pasqyrohet se për të njëjtat arsye gjyqtari i hetimeve e pranon kërkesën e prokurorisë për pushim e akuzës.
  7. Nga këto parashtrime të konkluzionit të prokurorisë dhe gjykatës italiane, duke pasur parasysh mbi të gjitha tekstin origjinal të akteve procedurale, kuptohet se prokuroria dhe gjykata kanë konkluduar se nuk ka dyshime mbi njëmendshmërinë e vërtetësisë së deklarimeve të përgjimeve dhe të dhënave të përftuara prej këtij mjeti për kërkimin e provës të realizuara ndaj z. Moisi Habilaj. Por se rezulton se prokuroria dhe gjykata italiane nuk kanë gjetur prova të tjera që të mbështesin dhe konkretizojnë deklarimet e z. Moisi Habilaj të marra përmes përgjimit në mënyrë që të mbështesë akuzën.
  8. Në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e veprës penale është pyetur me datë 20.10.2017 znj. Brunilda Alikaj, me profesion oficere e policisë gjyqësore. Ajo ka sqaruar se ka nga muaji mars i vitit 2016 lidhje të ngushta shoqërore dhe intime me z. Moisi Habilaj dhe se ka pasur takime dhe komunikime të shpeshta. Ajo ka sqaruar se i ka kërkuar ajo të ikin jashtë se dhe kanë pasur edhe udhëtime jashtë shtetit, ku ka sjellë në vëmendje se ka udhëtuar disa herë në Itali vetëm me z. Moisi Habilaj në zonën e Katanias, duke qëndruar në zonën e Vitorias dhe duke ndenjur në hotelin ‘‘Orkidea’’, duke qëndruar për periudha 2 deri në 5 ditë. Ajo ka sqaruar se e ka pyetur z. Moisi Habilaj se me çfarë aktiviteti merrej dhe se ai i ka kthyer përgjigje se merrej me aktivitetin e frutave dhe perimeve, të cilat i sillte nga jashtë shtetit dhe i tregtonte në Shqipëri dhe se ai merrej edhe me aktivitete të tjera në Shqipëri, konkretisht loto, lokal, karburant njësi shërbimi. Ajo ka sqaruar se nuk ka pasur dijeni për aktivitete të paligjshme me të cilat merrej z. Moisi Habilaj, qoftë për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Ajo ka sqaruar se i njeh vëllezërit e z. Moisi Habilaj, se me z. Artan Habilaj ka pirë kafe vetëm njëherë ndërsa me z. Florian Habilaj, të cilit i thërrisnin ‘‘Lolo’’, nuk e ka takuar asnjëherë. Ajo ka sqaruar se z. Moisi Habilaj nuk kishte dëshirë që ajo të takonte familjarët e tij. Ajo ka deklaruar se nuk i ka kërkuar asnjëherë z. Moisi Habilaj që ta ndihmonte si funksionare në policinë Vlorë dhe se e ka pyetur vetëm në një rast nëse z. Sabaudin Çelaj ishte apo jo në kërkim, duke u shprehur se kishte harruar ta kërkonte këtë informacion dhe se e dinte se ai kishte bërë burg në Itali për lëndë narkotike dhe se nuk e dinte konkretisht se për çfarë vepre. Znj. Brunilda Alikaj ka deklaruar se për aktivitetin e paligjshëm të kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve të z. Moisi Habilaj ajo ka marrë dijeni vetëm nga televizori kur ai është arrestuar në Itali në tetorin e vitit 2017 dhe se ai i ka thënë se e kanë numrin në përgjim disa herë dhe se nuk e ka pyetur nëse e dinte vërtetë këtë fakt apo ishte hamendësim. Ajo ka sqaruar ndër të tjera se kur kanë qenë bashkë në Itali kanë takuar z. Angelo Busacca, i cili jetonte në Katania dhe kishte një aktivitet të madh fruta-perimesh, dhe një shqiptar nga Babisa që i thërrisnin ‘‘Varri’’, konkretisht bëhet fjalë për z. Maridian Sula, i cili jetonte në Raguza. Ajo ka deklaruar se në prezencën e saj nuk janë diskutuar çështje të aktivitetit të paligjshëm. Ajo ka sqaruar se z. Tigrens Mezuraj është nga Babica dhe se e di që z. Moisi Habilaj e ka kushëri. E pyetur mbi dijeninë e saj mbi lidhjet e z. Moisi Habilaj dhe z. Saimir Tahiri, znj. Brunilda Alikaj është përgjigjur se e ka pyetur atë dhe se ai i ka thënë se nëna e tij ishte lidhje e afërt dhe kushëri me babanë e z. Saimir Tahiri. Ajo vijon deklarimin se, kur e ka pyetur për kuriozitet lidhur me marrëdhënien ndërmjet tyre, ai i ka thënë se e kishte ndihmuar në disa raste, pa i treguar ndonjë rast konkret dhe se ai acarohej po ta pyeste për këtë gjë, pasi kishte një lloj frike nga ajo se mos e pyeste me ndonjë tendencë apo për t’i marrë ndonjë informacion. E pyetur lidhur me njohjet e z. Moisi Habilaj në policinë e Vlorës, ajo ka sqaruar se e ka parë se të gjithë punonjësit e policisë i flisnin, ishte i njohur për ta, por nuk i tregonte asaj se me kë kishte lidhje apo shoqëri ai. Ajo ka deklaruar se nuk di nëse z. Moisi Habilaj kishte ndonjë ndikim tek punonjësit e policisë por se ai kishte shumë njohje dhe të gjithë i flisnin kur kalonte në rrugë. E ripyetur me datë 24.10.2017 znj. Brunilda Alikaj ka deklaruar se sa herë ka shkuar me z. Moisi Habilaj në Itali ka takuar z. Maridian Sulaj dhe z. Angelo Busacca dhe se kanë udhëtuar bashkë në Itali rreth 4 apo 5 herë dhe se gjithmonë kanë qëndruar në Siçili.
  9. Është pyetur znj. Natasha Shkoza me datë 13.11.2017, e njohura e znj. Brunilda Alikaj, dhe ka sqaruar se e ka takuar disa herë z. Moisi Habilaj me znj. Brunilda Alikaj, pasi kjo e fundit i ishte thënë se kishte të dashur. Znj. Brunilda Alikaj është vajza e dajës e bashkëshortit të znj. Natasha Shkoza dhe se ato njihen prej 20 vjetësh. Ajo ka deklaruar se znj. Brunilda Alikaj i ka treguar se ai merret me një karburant dhe me tregtinë e frutave dhe perimeve dhe se nuk i ka treguar se ai merret me kultivim dhe trafikimin e lëndëve narkotike, duke shtuar se edhe ajo vetë nuk e dinte këtë fakt.
  10. Me datë 12.12.2017 është pyetur me cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e kryerjes së veprës penale z. Petrika Xheblati, punonjës policie specialist për hetimin kundër krimeve të rënda nga muaji nëntor 2015 në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Ai ka sqaruar se e njihte shtetasin z. Moisi Habilaj prej dy vitesh dhe se shkak njohje ishte bërë një veprim procedural për sekuestrimin e kamerave në biznesin e tij. Ai sqaron se e dinte se ai merrej me aktivitet privat bar-kafe, pikë karburanti dhe një fabrikë vaji por nuk ka pasur asnjë informacion se ai merrej me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, duke shtuar se as në punë nuk ka pasur asnjë informacion mbi aktivitetin e paligjshëm. Ai sqaron se i njeh nga larg vëllezërit dhe janë ulur disa herë në tavolinë kur ka qenë duke pirë kafe me z. Moisi Habilaj por se nuk ka pasur komunikime me ta. Ai ka deklaruar se nuk i ka kërkuar asnjëherë ndihmë z. Moisi Habilaj, qoftë për kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve. Ai ka deklaruar se mbi aktivitetin e paligjshëm që zhvillonte z. Moisi Habilaj ka marrë dijeni nga televizori kur është dhënë lajmi për arrestimin e tij në Itali. Ai ka sqaruar se z. Moisi Habilaj ka pasur lidhje të ngushta me znj. Brunilda Alikaj dhe ka pasur lidhje me z. Sokol Bode por me të tjerë zyrtarë të policisë ai shprehet se nuk ka dijeni të ketë pasur lidhje. Ai ka deklaruar se nuk di që z. Moisi Habilaj të ketë pasur ndikim tek drejtuesit e policisë dhe se e mban mend se z. Moisi Habilaj numrin e telefonit e ka pasur me tre shtata në fund.
  11. Më datë 21.11.2017 është pyetur me cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e kryerjes së veprës penale z. Hetem Rrapa, punonjës policie si shef Seksioni i Hetimit të Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Vendore në Vlorë nga muaji maj i vitit 2016 dhe deri me datë 20.05.2017 dhe Shef Stacioni i Policisë Orikum nga data 20.05.2017. Ai ka sqaruar se për këtë periudhë nuk kanë pasur informacion për aktivitetin që zhvillonin vëllezërit Habilaj dhe se me ndjekjen e kultivimit të bimëve narkotike në Vlorë merreshin seksionet e hetimit pranë komisariateve dhe stacioneve të policisë. Megjithatë ai ka deklaruar se, me sa mban mend, i kanë ardhur dy informacione nga Sektori i Narkotikëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë zyrtarisht që bënte fjalë për vëllezërit Habilaj të cilët merreshin me kultivimin e lëndëve narkotike në disa zona të Vlorës. Ai sqaron si seksion merreshin me grumbullimin e informacionit për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Ai ka sqaruar se informacioni i marrë përkon me verën e vitit 2016 dhe se nuk u arrit të gjendeshin numra telefoni për personat e dyshuar dhe se nuk u sigurua dot informacion të mëtejshëm për ta referuar në prokurori lidhur me përgatitjet për trafikimin e lëndëve narkotike. Në muajin prill 2016, vijon deklarimin ai, i ka ardhur një informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, mbi z. Moisi Habilaj, z. Florjan Habilaj dhe z. Nezar Seiti për faktin se ato po përgatiteshin për të trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike dhe se për rrjedhojë deklaruesi ka vijuar deklarimin duke sjellë në vëmendje se ai ka kryer referimin në prokurorinë për krimet e rënda për këtë fakt, duke u kërkuar regjistrimi i procedimit penal. Ai sjell në vëmendje se procedimi penal mbi këtë material ka nisur dhe mori nr. 164/2016. Ai ka deklaruar se kur vinin informacionet nga komisariati apo stacionet e policisë fillimisht sigloheshin nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Dhe më tej me radhë sipas shkallës së funksioneve dhe se kthimi i përgjigjeve bëhej nga poshtë lart duke kaluar të njëjtën procedurë. Ai sqaron se çdo rast informacioni për kultivimin e lëndëve narkotike i dërgohej komisariatit dhe stacioneve të policisë për verifikim me shkresa zyrtare dhe përgjigjet vinin sërish me shkresa zyrtare. Ai ka deklaruar se gjatë kësaj periudhe nuk kanë marrë informacione operative për raste kultivimi për Habilajt.
  12. Më datë 22.11.2017 është pyetur me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale z. Behar Caka, Shef Komisariati i Policisë Vlorë nga data 27.04.2015 deri me datë 08.05.2017. Ai sqaron se informacionet sekrete vinin nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe se, pasi ai i siglonte, i kalonin për veprim Shefit të Seksionit të Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë për të hartuar sakaq planin operacional dhe ndjekjen e punës në terren. Ai ka sqaruar se gjatë kohës që ka punuar me këtë detyrë nuk ka pasur ndonjë informacion për aktivitetin kriminal që zhvillonin vëllezërit Habilaj dhe se nuk ka pasur informacion edhe për kultivimin e lëndëve narkotike në Babicë nga vëllezërit Habilaj, duke shtuar se në dijeninë e tij nuk ka pasur asnjë rast kultivimi bimësh narkotike në zonën e Babicës.
  13. Më datë 15.11.2017 është pyetur me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale z. Ilir Dorda, me detyrë Zëvendës Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë nga muaji shkurt 2016 deri me datë 28.04.2017. Ai sqaron se ka pasur mungesë organike në këtë drejtori për sa i përket sektorit të narkotikëve dhe se informacionet që vinin për kultivimin e lëndëve narkotike sigloheshin nga titullari dhe më tej procedohej me veprimin mbi to nga sektori përgjegjës, duke i u dërguar për veprim komisariatit apo stacioneve përgjegjëse të policisë. Ai ka deklaruar se ka marrë dijeni vetëm për agjentin z. Renato Avduli për implikim me aktivitetin kriminal të kultivimit të lëndëve narkotike dhe jo për subjekte të tjerë zyrtarë. Ai ka deklaruar se çdo të martë në orën 11:00 bëhej mbledhje për problematika e ndjekjes së krimeve nga komisariatet dhe ndër to edhe problematika e kultivimit të bimëve narkotike.
  14. Për të kërkuar prova materiale, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, në kuadër të hetimit të saj penal ka kryer kontrollin e banesës së të pandehurit Saimir Tahiri, por nuk është gjetur ndonjë provë materiale që të konfirmojë thëniet e bëra në përgjimet ambientale nga Moisi Habilaj dhe të tjerët në lidhje me përfitimet për të pandehurin Saimir Tahiri dhe familjarët e tij.
  15. Kërkesa bashkë me relacionin shoqërues është dërguar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda me shkresën nr. 9906 prot., datë 19.10.2017. Kuvendi me Vendimin nr. 104/2017 ka vendosur pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, duke dhënë autorizimin për kontrollin personal dhe të banesës për deputetin z. Saimir Tahiri dhe dhënien e autorizimit për ndalimin e daljes jashtë shtetit, detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, ndalimin për të qëndruar në një vend të caktuar, si masa sigurimi të heqjes së lirisë në kuptim të shkronjave “a”, “b” dhe “c”, pika 1, e nenit 232 të Kodit të Procedurës Penale. Njëkohësisht në këtë vendim është rrëzuar kërkesa e prokurorisë për të dhënë autorizimin për masën e sigurimit arrest në burg apo arrest në shtëpi për deputetin z. Saimir Tahiri, sipas shkronjës “d” dhe “dh” të nenit 232 të Kodit të Procedurës Penale.
  16. Në fashikullin 51 rezulton se me datë 25.10.2017 është kërkuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda kontrolli i banesës së personit nën hetim z. Saimir Tahiri. Me Vendimin nr. 271, datë 26.10.2017 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda është vendosur lejimi i kontrollit të banesës. Procesverbali i kontrollit është mbajtur po në këtë datë bashkë me procesverbalin e sekuestrimit të sendeve. Sipas procesverbalit të kontrollit datë 26.10.2017, rezulton se në banesën e të pandehurit Saimir Tahiri u gjeten disa byzylykë, varëse, vathë dhe unaza, të cilat u sekuestruan si prova materiale me procesverbalin e sekuestrimit datë 26.10.2017.
  17. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, në prani edhe të dy ekspertëve të fushës, me procesverbalin e këqyrjes dhe përcaktimit të vlerës së sendeve të sekuestruara, datë 21.02.2018, ka kryer këqyrjen dhe vlerësimin e këtyre sendeve, duke arritur në konkluzionet mëposhtme:
  • një byzylyk, i futur në qesen e provave me numër serial unik A0000326 l, është bizhu pa vlerë të madhe antikuariati, pa vlerë metali dhe objekt që shitet në dyqan bizhuterish;
  • një palë vathë, të futur në qesen e provave me numër serial unik A00003260, janë bizhu, pa vlerë të madhe antikuariati, pa vlerë metali dhe objekt që shitet në dyqan bizhuterish;
  • një unazë, e futur në qesen e provave me numër serial unik A00003262, është prej ari të bardhë 18 karat, me masë totale 8,5 gram, në të ka gurë të çmuar në formë ashklash pa vlerë të konsiderueshme tregu (guri që të ketë vlerë duhet të kalojë madhësinë 0.2 karat, ndërsa këta janë poshtë kësaj vlere), me vlerë tregu 34.000 (tridhjetë e katërmijë) lekë;
  • një palë vathë, të futur në qesen e provave me numër serial unik A00003263, janë prej ari 18 karat, me masë 4 gram, me vlerë tregu 16,000 (gjashtëmbëdhjetëmijë) lekë;
  • një byzylyk, i futur në qesen e provave me numër serial unik A00003264, është bizhu, pa vlerë të madhe antikuariati, pa vlerë metali dhe objekt që shitet në dyqan bzxhuterish;
  • një varëse dhe një byzylyk, të futura në qesen e provave me numër serial unik A00003265, janë prej ari 14 karat, përkatësisht me masë 2,3 gram dhe 2,7 gram, me vlerë përkatësisht 6.900 (gjashtëmijë e nëntëqind) lekë dhe 8.100 (tetëmijë e njëqind) lekë;
  • një palë vathë, të futura në qesen e provave me numër serial unik A00003266, janë prej ari të bardhë 18 karat, me masë totale 1,6 gram, me vlerë tregu 8.000 (tetëmijë) lekë;
  • një varëse, e futur në qesen e provave me numër serial unik A00003121, është prej ari 14 karat pjesa e zinxhirit, ndërsa varësja/pendola është me diamante të thjeshta me qymyr, të vjetër pa vlerë, e të vendosur në ar 9 karat, me masë totale e gjithë varësja 11,8 gram, me vlerë tregu 40.120 (dyzetmijë e njëqindenjëzet) lekë.
  1. Nga procesverbali i kontrollit të banesës së të pandehurit Saimir Tahiri dhe ai i sekuestrimit të provave materiale rezulton se nuk është gjetur as ndonjë veshje e firmës “Hugo Boss”, që përmendet në të njëjtat përgjime ambientale. Po kështu, nuk janë gjetur as fatura blerje apo çdo lloj dokumenti, send apo gjurmë tjetër, që të ketë lidhje me sendet e përmendura në përgjimet ambientale si dhurata për të pandehurin Saimir Tahiri ose familjarët e tij. Njëkohësisht, nga këto procesverbale nuk rezulton të jenë gjetur as shuma parash apo edhe dokumente që vërtetojnë shuma të tilla të të pandehurit, qoftë edhe që të jenë dhënë apo të jenë në ruajtje te persona të tretë fizikë ose juridikë, institucione bankare ose jo, brenda ose jashtë shtetit.
  2. Në lidhje me përdorimin e automjetit Audi me targë AA003GB të të pandehurit z. Saimir Tahiri nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, kanë rezultuar rrethanat si vijon. Në faqen 63 të fashikullit Volumi VI ndodhet edhe Kontrata e Shitjes nr. 2440 rep., nr. 1845 kol., datë 27.02.2013, për shitjen e automjetit Audi A8, e realizuar ndërmjet z. Naim Loci, me cilësinë kontraktore të shitësit, dhe z. Saimir Tahiri, me cilësinë kontraktore të blerësit. Çmimi i paguar për blerjen e mjetit është fiksuar 21.000 Euro dhe se çmimi pranohet se është likuiduar ndërmjet palëve. Në fashikullin Volumi VI, faqe 62,  ndodhet edhe Autorizimi nr. 16, datë 18.02.2013 për përjashtimin nga taksat doganore të automjetit Audi A8 në emër të z. Saimir Tahiri, duke pasur parasysh cilësinë e posaçme të tij, konkretisht të deputetit në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në bazë dhe për zbatim të nenit 17 të Ligjit nr. 8550/1999.
  3. Me Urdhrin nr. 703/1 prot., datë 16.04.2013 të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, Drejtoria Rajonale Tiranë, është urdhëruar Arshiva e Degës së Regjistrimit të Mjeteve që të bëjë bllokimin e veprimeve me dokumentacionin e administruar në dosjen e mjetit, duke mos kryer veprimet e ndërrimit të pronësisë, transferimin në ndonjë rreth tjetër, duke i u referuar sakaq shkresës nr. 2155 prot., datë 03.04.2013 të shërbimit përmbarimor. Bashkëlidhur kësaj shkrese është edhe urdhri i shërbimit përmbarimor.
  4. Me Kontratën e Shitjes nr. 4217 Rep., Nr. 1656 Rep., datë 05.11.2013 është shitur automjeti Audi A8 me targa AA 003 GB nga pala shitëse z. Saimir Tahiri tek z. Artan Habilaj. Në kontratën e shitjes së mjetit pasqyrohet se sendi nuk ka marrë ligjore dhe se nuk është objekt i ndonjë kredie bankare apo bllokimi tjetër administrativ e financiar. Shitësi e ka garantuar blerësin ndër të tjera që mund të lëvizë lirisht me mjetin brenda dhe jashtë Shqipërisë. Çmimi i caktuar për shitjen është 980.000 Lekë dhe se çmimi rezulton i paguar jashtë zyrës noteriale.
  5. Në faqen 41 të fashikullit Volumi VI ndodhet edhe Polica e Sigurimit të Detyrueshëm nr. 1642079 e z. Saimir Tahiri për mjetin me targa AA 003 GB. Kjo policë sigurimi ka si periudhë mbulimi nga Gushti i vitit 2015 deri në Gushtin e vitit 2016. Bashkëlidhur këtij dokumenti ndodhet edhe kopja e lejes së qarkullimit të mjetit në emër të z. Saimir Tahiri. Leja qarkullimit e këtij mjeti ka mbetur e tillë deri nga data 01.03.2013 deri me datë 15.01.2016.
  6. Në fashikullin nr. 52, në faqen 302, ndodhet një kopje e policisë së sigurimit me nr. seria 0135116 për automjetin Audi A8 me targa AA 003 GB. Polica e sigurimit mbulon periudhën 02.04.2015 deri me 01.04.2016 dhe është lëshuar në emër të z. Saimir Tahiri dhe z. Artan Habilaj. Gjithashtu në këtë fashikull, faqe 303, ndodhet edhe një Leje Qarkullimi Ndërkombëtare në emër të z. Saimir Tahiri për automjetin Audi A8 me targa AA 003 GB e vlefshme deri me datë 16.08.2016 e lëshuar nga Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor Vlorë. Leja e qarkullimit të automjetit Audi A8 me targa AA 003 GB, në emër të z. Saimir Tahiri, e përshkruan mjetin me xhama të errët.
  7. Me shkresën nr. 6053/1 prot., datë 29.02.2015 të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë është përcjellë urdhri i zhbllokimit, dike u urdhëruar të bëhet zhbllokimi i veprimeve me dokumentacionin e administruar në dosjen e mjetit me targa AA 003 GB, duke kryer veprime si ndërrim pronësie, transferim në ndonjë rreth tjetër dhe çregjistrim të përhershëm. Ky urdhër zhbllokimi është bazuar në shkresën nr. 11645 prot., datë 24.12.2015 të shërbimit përmbarimor, sipas nenit 527 të Kodit të Procedurës Civile. Bashkëlidhur kësaj shkrese ndodhet edhe urdhri i shërbimit përmbarimor.
  8. Në fashikullin Volumi VI ndodhet e sekuestruar e gjithë dosja e automjetit me targa AA 003 GB. Me datë 15.01.2016 është lëshuar leja e qarkullimit për këtë automjet në emër të z. Artan Habilaj, duke marrë targat AA 900 NF. Në emër të tij është bërë edhe certifikata e kontrollit fizik të mjetit me datë 15.01.2016. Nga shkresa nr. 5648/1 prot., datë 26.10.2017 e Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Vlorë rezulton se t’i jetë kthyer përgjigje prokurorisë se për automjetin me targa AA 003 GB dosja ndodhet në drejtorinë e Tiranës dhe se nuk është kryer asnjë shërbim në dosjen e këtij mjeti nga drejtoria e Vlorës. Të dhënat e mësipërme rezultojnë nga aktet e dosjes së regjistrimit të automjetit, të marrë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë, me procesverbalin e sekuestrimit të dokumenteve datë 25.10.2017.
  9. Pas shitjes, automjeti është përdorur nga vetë shtetasi z. Artan Habilaj, nga vëllai i tij z. Moisi Habilaj, por edhe nga i pandehuri z. Saimir Tahiri dhe bashkëshortja e tij. Personat që e kanë përdorur dhe lëvizur me këtë automjet evidentohen nga regjistrimet në Sistemin TIMS për rastet kur automjeti ka kaluar në kufirin shtetëror, siç rezulton nga procesverbali për këqyrjen e të dhënave nga Sistemi TIMS, datë 20.10.2017, dhe konkretisht:
  • shtetasi z. Artan Habilaj ka dalje të shpeshta me automjetin me targa AA003GB, duke filluar nga data 13.06.2014 deri në datë 17.08.2015 (13 dalje dhe 12 hyrje);
  • i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, me automjetin me targa AA003GB, në datat 08.11.2013, nga Pika e Kalimit Kufitar (shkurt “PKK”) Hani i Hotit, 24.12.2014 nga PKK Kakavijë dhe 23.02.2014 nga PKK Porti Durrës (episodi “Palagonia”) dhe ka hyrë në datat 26.12.2013 nga PKK Kakavijë dhe 05.03.2014 nga PKK Porti Durrës (episodi “Palagonia”). Duhet veçuar se, sipas procesverbalit për këqyrjen e Sistemit TIMS datë 18.10.2017, rezulton se të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj kanë lëvizur së bashku me automjetin me targë AA003GB në datën 08.11.2013 në dalje, ndërsa në hyrje më datë 09.11.2013 me këtë automjet figuron vetëm z. Sabaudin Çelaj (z. Moisi Habilaj nuk është regjistruar fare në hyrje), ku hyrja dhe dalja janë nëpërmjet PKK Hani i Hotit. Të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj kanë udhëtuar së bashku me këtë automjet edhe në datën 23.02.2014, ku kanë dalë nga PKK Porti Durrës në orën 20:16 me linjën e udhëtimit me traget Durrës-Bari. Sabaudin Çelaj më datë 23.02.2014 është regjistruar në dalje nga PKK Porti Durrës në drejtim të Barit, por nuk është shënuar mjeti me të cilin ka qenë (ky është udhëtimi në Itali i të pandehurve në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj, i evidentuar edhe nga autoritetet gjyqësore italiane);
  • i pandehuri z. Saimir Tahiri ka hyrë nga Greqia në Shqipëri më datë 16.08.2014, nga PKK Qafe Botë, Sarandë, me automjetin me targë AA003GB (automjetin në Greqi ia kishte sjellë shtetasi z. Artan Habilaj, siç do të shpjegohet më poshtë). Më pas, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë më datë 29.08.2014, nga PKK Kapshticë, Korçë, me mjetin me targa AA003GB, dhe ka hyrë në Shqipëri më datë 30.08.2014, nga e njëjta pikë kalimi kufitare dhe me të njëjtin automjet;
  • bashkëshortja e të pandehurit z. Saimir Tahiri, znj. Fatlinda Tahiri, ka hyrë nga Greqia në Shqipëri më datë 16.08.2014, nga PKK Qafë Botë, Sarandë, me automjetin me targë AA003GB (ku ka qenë së bashku me të pandehurin Saimir Tahiri). Më datë 03.09.2014, me automjetin me targë AA003GB, si drejtuese, ajo ka dalë nga territori shqiptar nëpërmjet PKK Qafë Botë dhe më datë 05.09.2014 ka hyrë me këtë automjet nga PKK Kakavijë.
  1. Të dhënat për lëvizjet në kufi të automjetit me targa AA003GB dhe personat që kanë qenë me të (si dhe të dhëna të tjera që do të përmenden më pas) janë marrë edhe me letërporosi nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, dërguar autoriteteve gjyqësore greke, të cilat i kanë ekzekutuar letërporositë duke kthyer përgjigjet përkatëse në prokurorinë shqiptare.
  2. Veçohen këtu të dhënat e dërguara me shkresën nr. prot. E-523-F. 10770, datë 29.03.2018, të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Greqisë, në të cilën ndodhet përgjigja e Zyrës së Doganës Greke në Krystallopigi, me nr. prot. 212, datë 14.03.2017, sipas së cilës rezulton se shtetasja znj. Fatlinda Tahiri ka hyrë në Greqi me automjetin me targë AA003GB më datë 29.11.2014, si drejtuese e automjetit, dhe ka dalë nga Greqia në drejtim të Shqipërisë më datë 30.11.2014, si drejtuese. Të njëjtat të dhëna gjenden edhe në aktet e dërguara me shkresën nr. prot. E-633-Φ 10763, datë 24.04.2018, të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Greqisë.
  3. Nga të dhënat e nxjerra nga Sistemi TIMS, të përmendura më sipër, kjo lëvizje e shtetases Fatlinda Tahiri rezulton se nuk është regjistruar në këtë sistem, as në dalje, as në hyrje të territorit shqiptar.
  4. Në faqen 294 – 296 të Fashikullit Volumi X ndodhet i administruar procesverbali i pyetjes së z. Artan Habilaj për llogari të procedimit penal nr. 1582/2015, pyetje e realizuar me datë 02.12.2015. Në këtë akt z. Artan Habilaj ka deklaruar para prokurorit se e njeh z. Dritan Zagani si punonjës policie të Vlorës dhe ka marrë dijeni nga media për intervistën e tij. Ai ka deklaruar se është tregtar dhe kryen veprimtari tregtare të import-ekspertit nga Italia në Shqipëri dhe se gjatë kësaj pune e ka njohur z. Dritan Zagani. Ai ka deklaruar se automjeti me targa AA 003 GB është e tij dhe e ka blerë në tetor të vitit 2013 nga z. Saimir Tahiri. Ai ka deklaruar se z. Saimir Tahiri e ka kushuri të largët dhe duke qenë kishte probleme me përmbarimin, kontratën e shitjes nuk e ka regjistruar në DRTRSH përkatëse. Ai ka mohuar se mjetin e ka përdorur shtetasi z. A. D. dhe se që nga viti 2013 ky mjet është përdorur vetëm nga z. Artan Habilaj. Ai tregon se vetë në dy raste mjeti është përdorur nga vëllezërit e tij, z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj, jashtë shtetit për arsye familjare. Ai ka përsëritur se z. Saimir Tahiri e ka kushëri të largët, duke shtuar se me të nuk bëhet fare. Ai ka sqaruar se nga xhaxhai i z. Saimir Tahiri, z. Kujtim Tahiri, me të cilin ai ka kontakte, ka mësuar se z. Saimir Tahiri donte të shiste mjetin dhe, duke qenë se ishte makinë e mire, z. Artan Habilaj ka shfaqur interes për ta blerë. Ai ka deklaruar se z. Kujtim Tahiri e solli automjetin në Vlorë dhe se ai e ka provuar atë dhe ka vendosur sakaq ta blejë. Ai sqaron se pasi ka realizuar kontratën e shitjes është paraqitur tek zyrat e drejtorisë së shërbimit të transportit rrugor për të ndryshuar pronësinë por një gjë e tillë ka qenë e pamundur për shkak të bllokimit të mjetit nga shërbimi përmbarimor. Ai ka treguar se i ka dërguar haber z. Saimir Tahiri, pasi me të nuk kishte kontakte, se si do t’ia bënin me makinën dhe se ai i ka shpjeguar situatën e detyrimit gjyqësor dhe se situata do të rregullohej shumë shpejt dhe ai do të paguante lekët e dëmshpërblimit. Ai ka treguar se automjeti është marrë përmes z. Kujtim Tahiri dhe është dërguar të përdoret nga z. Saimir Tahiri një herë për arsye familjare dhe se pas disa ditësh i a ka sjellë z. Kujtim Tahiri makinën në Vlorë.
  5. Më datë 02.12.2015 nga prokurori, për llogari të procedimit penal 1582/2015 (shih Fashikullin Volumi X, faqe 297 – 298) ka marrë në pyetje z. Florian Habilaj. Ai ka deklaruar se ka marrë dijeni nga televizioni për intervistën e z. Dritan Zagani dhe se e njeh si punonjës policie në portin e Vlorës, duke shtuar se është tregtar dhe kryen veprimtari tregtare të import-ekspertit nga Italia në Shqipëri. Ai ka treguar se automjeti me targa AA003GB është e vëllait të tij z. Artan Habilaj dhe se ndonjë herë këtë automjet e ka përdorur edhe ai për të bërë xhiro. Ai ka treguar se z. Saimir Tahiri e ka kushëri të largët nga mamaja dhe nuk bëhen me të si familje.
  6. Në Procedimin Penal nr. 1582/2015 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier me datë 18.12.2015 prokurori ka marrë në pyetje ungjin e të pandehurit z. Saimir Tahiri, konkretisht z. Kujtim Tahiri (shih Fashikullin Volumi X, faqe 290-291). Ai ka deklaruar ndër të tjera se, rrethi muajit shtator apo tetor 2013, duke qenë se nipi i tij u bë ministër dhe kishte marrë makinën e punës, më tregoi se makinën personale të tij donte ta shiste. Ai tregon se e ka marrë makinën me targa AA 003 GB në Fier sepse donte ta blinte vetë dhe se donte të shiste automjetin e tij. Ai sqaron se, duke qenë automjetin e tij nuk e shiti dot, i tha të njohurve të tij, z. Artan Habilaj, nëse ishte i interesuar për të blerë një automjet dhe se ai shfaqi interes, duke e marrë atë dhe duke e përdorur dhe duke i thënë se do ta blinte ai. Deklaruesi ka sqaruar se më tej kanë lidhur kontratën e shitjes dhe ka marrë makinën duke e mbajtur atë gjatë gjithë kohës, pasi ishte ai pronari i mjetit. Z. Kujtim Tahiri ka deklaruar se automjeti është përdorur edhe nga i pandehuri z. Saimir Tahiri dhe nga vetë ai. Deklaruesi ka treguar se në një rast babai i të pandehurit z. Saimir Tahiri, z. Bashkim Tahiri, i ka kërkuar atij që të kërkonte automjetin e z. Artan Habilaj për të lëvizur jashtë shtetit dhe se ky i fundit ka pranuar. Ai tregon se e ka marrë automjetin në Vlorë dhe se e ka dërguar në Tiranë dhe se, pasi i pandehuri z. Saimir Tahiri është kthyer nga jashtë shtetit, rreth dy tre ditë më pas, e ka marrë ai sërisht automjetin dhe e ka dërguar tek z. Artan Habilaj në Vorë. Ai tregon se e ka marrë automjetin edhe një here tjetër për mbrëmjen e maturës së djalit, pasi ishte automjeti i bukur dhe se djali dëshironte të shkonte me të, duke shtuar se i a ka kthyer automjetin z. Artan Habilaj të nesërmen.
  7. I pandehuri z. Saimir Tahiri rezulton gjithashtu se ka përdorur mjetin lundrues me emrin “Auras” të regjistruar në emër të shtetasit shqiptar z. Orges Liperi. Me këtë mjet lundrues i pandehuri ka udhëtuar në Greqi gjatë pushimeve verore në vitin 2014 dhe 2015. Në vitin 2014 me këtë mjet lundrues kanë lëvizur edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe vëllai i tij z. Artan Habilaj, siç do të shpjegohet më poshtë.
  8. Më datë 06.08.2014, në Regjistrin Detar Shqiptar, Durrës, është regjistruar mjeti lundrues “Auras” në emër të shtetasit z. Orges Liperi, i cili e kishte blerë sipas një akti të njëanshëm shitje të datës 25.07.2014, të lëshuar nga një individ me emrin Federico Silvestri, me datëlindje 25.05.1975, lindur dhe banues në Bari, Itali, adresa: “Via Teulada 16”, me kod fiksal përkatës të shënuar në këtë akt. Nga verifikimet e kryera në Itali nuk është gjetur ndonjë shtetas me këto të dhëna.
  9. Në Fashikullin Volumi VI, faqe 305, dhe në Fashikullin IX, faqe 265, ndodhet Kontrata e Shitjes së mjetit lundrues “Solemar” apo ndryshe “Auras”. Kontrata paraqet të dhënat se shitësi është z. Federico Silvestri dhe blerësi është z. Orges Liperi. Çmimi është përcaktuar 15.000 Euro dhe se në këtë shkresë private ka nënshkruar vetëm z. Federico Silvestri. Shkresa mban shënimin “Addi Bari 25 Luglio 2014”. Deklarimi i mjetit lundrues, sipas Ligjit nr. 9773/2000, është bërë nga z. Orges Liperi me datë 06.08.2014. Praktika doganore e vlerësimit të vlerës doganore është bërë po me datë 06.08.2014 sipas metodës së vlerës së deklaruar, duke u pranuar nga autoriteti doganor çmimi 15.000 Euro i shitjes së mjetit. Në certifikatën e mjetit lundrues fiksohet edhe aftësia e tij për të lundruar deri në 5 milje larg bregut.
  10. Në datë 08.08.2014, i pandehuri z. Saimir Tahiri, bashkëshortja e tij z. Fatlinda Tahiri, shtetasi z. Arian Hoxha dhe bashkëshortja e tij z. Elona Hoxha (Gjebrea), në këtë kohë në detyrën e Zëvendësministres së Punëve të Brendshme, janë nisur nga porti i Sarandës në drejtim të Greqisë me mjetin lundrues “Auras”. Ata kanë shkuar në portin e Kerkyras (Korfuz) dhe prej aty në të njëjtën ditë (datë 08.08.2014) janë nisur me destinacion ishullin Paksos. Kapiten i mjetit lundrues është regjistruar i pandehuri z. Saimir Tahiri. Nuk ka hetime për të treguar se si është plotësuar dokumentacioni i miratimit të lejes së lundrimit nga autoritetet shqiptare.
  11. Nga të dhënat e Sistemit TIMS, ka rezultuar se ata kanë dalë nga territori shqiptar më datë 08.08.2014, rreth orës 09:30, me “Linjë tjetër”. Sipas shkresës nr. 427/1 prot., datë 06.03.2018, të Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, shënimi “Linjë tjetër” nënkupton të gjitha linjat e udhëtimit të pa specifikuara, siç mund të jenë mjetet turistike shqiptare dhe të huaja, që hynin ose dilnin nga Pika e Kalimit Kufitar “Porti Detar” Sarandë, pra jo linja periodike transporti detar, por mjete lundrimi private ose turistike, siç ishte rasti i mjetit lundrues privat “Auras”. Gjithashtu, me procesverbalin për këqyrjen e dokumenteve (për lëvizjet e mjetit lundrues “Auras”) datë 27.04.2018, janë këqyrur regjistrat e hyrjes dhe daljes së mjeteve lundruese shqiptare dhe të huaja në portin e Sarandës dhe rezulton se te regjistri i daljes së mjeteve shqiptare është regjistruar me nr. rendor 425, më datë 08.08.2014, ora 10:00. dalja e mjetit lundrues “Auras” me flamur shqiptar, me kapiten z. Saimir Tahiri, me ekuipazh 4 persona (për këtë mjet lundrues nuk ka lëvizje të regjistruara në datat 16.08.2014 apo 02.08.2015). Ndërsa me shkresën nr. 247 prot., datë 10.04.2018. të “Porti Detar” Sh.a. Sarandë, në listat e mjeteve lundruese që janë përpunuar nga ky port rezulton më datë 07- 08.08.2014, me nr. rendor 53, edhe “jahti” me emrin “Auras” me flamur shqiptar, që ka qëndruar një ditë, me 4 persona në bord. Edhe nga procesverbali për këqyrjen dhe marrjen e dokumenteve datë 24.01.2018, ku janë marrë dhe këqyrur pasaportat për jashtë shtetit të shtetasve Arian Hoxha dhe Elona Hoxha, rezulton dalja e tyre nga Shqipëria nëpërmjet PKK Sarandë më datë 08.08.2014 dhe hyrja nëpërmjet PKK Qafe Botë më datë 16.08.2014. Të dhënat për lëvizjet e mjetit lundrues “Auras” në Greqi dhe personat që kanë udhëtuar me të rezultojnë edhe nga aktet e marra me letërporosi nga Prokuroria për Krime të Rënda prej autoriteteve gjyqësore greke të drejtësisë (dërguar me shkresën nr. prot. E-1015-F. 10769, datë 12.06.2018, të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Greqisë).
  12. Më datë 09.08.2014 në Greqi atyre iu bashkohen fëmija i mitur dhe prindërit e të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe dy fëmijët e mitur të shtetasve z. Arian Hoxha dhe znj. Elona Hoxha (Gjebrea). Udhëtimi i tyre nga Shqipëria drejt Greqisë është bërë me automjetet me targë AA003GB dhe AA145GJ që drejtoheshin përkatësisht nga shtetasit z. Artan Habilaj dhe z. Alban Alia (shofer i familjes së Ministrit të Punëve të Brendshme). Nga regjistrimet në Sistemin TIMS (veçanërisht procesverbali për këqyrjen e Sistemit TIMS datë 24.11.2017), rezulton se më datë 09.08.2014, nëpërmjet PKK Kakavijë, kanë dalë me automjetin me targë AA003GB shtetasi z. Artan Habilaj si drejtues dhe fëmijët e mitur F.H dhe L.H të bashkëshortëve Hoxha, ndërsa me automjetin me targa AA145GJ kanë dalë prindërit z. Bashkim Tahiri dhe znj. Luiza Tahiri, fëmija i mitur D.T dhe shtetasi z. Alban Alia, ku drejtues i mjetit ka qenë z. Bashkim Tahiri (shtetasit z. Arian Hoxha dhe znj. Elona Hoxha me prokurën e posaçme nr. 1553 rep., nr. 448, datë 04.08.2014, kishin autorizuar që dy fëmijët e tyre t’i shoqëronin për në Greqi z. Bashkim Tahiri dhe znj. Luiza Tahiri). Shtetasit z. Artan Habilaj dhe z. Alban Alia janë kthyer në Shqipëri me mjetin me targa AA003GB të nesërmen, më datë 10.08.2014. Të dhënat për lëvizjet në kufi konfirmohen edhe nga aktet e marra me letërporosi nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë prej autoriteteve gjyqësore greke të drejtësisë (dërguar me shkresën nr.prot. E-633-Φ 10763, datë 24.04.2018, të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Greqisë).
  13. Gjatë udhëtimit në Greqi, mjeti lundrues “Auras” pëson defekt dhe për këtë qëllim i pandehuri z. Saimir Tahiri angazhon për ta ndihmuar shtetasit z. Artan Habilaj dhe z. Naim Brahimaj (punonjës policie) dhe së bashku me ta edhe shtetasin z. Aurel Konakçiu. Më datë 14.08.2014, shtetasit z. Artan Habilaj, z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu kanë dalë nga territori shqiptar, nëpërmjet PKK Qafe Botë, Sarandë, me automjetin me targa AA003GB. Në Greqi, z. Artan Habilaj i dorëzon automjetin me targë AA003GB të pandehurit z. Saimir Tahiri, ndërsa vetë së bashku me shtetasit z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu marrin mjetin lundrues “Auras” me defekt dhe e sjellin në rrugë detare në Portin e Sarandës, më datë 16.08.2014.
  14. Sipas regjistrimeve në Sistemin TIMS, rezulton se z. Artan Habilaj, z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu së bashku kanë hyrë në Shqipëri më datë 16.08.2014, në orën 13:03-13:05, nëpërmjet PKK Porti Sarandë, me “linjë tjetër”. Sipas procesverbalit datë 18.04.2018 për këqyrjen e Sistemit TIMS, me “linjë tjetër” në këtë datë, nga ora 11:52 deri në orën 18:47, nuk kanë udhëtuar persona të tjerë. Kjo tregon mbërritjen e tyre me mjet lundrues privat. Shtetasit z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu janë regjistruar në hyrje si “ekuipazh ­linjë tjetër”, ndërsa z. Artan Habilaj është regjistruar me termin “i zakonshëm-linjë tjetër”.
  15. Nga ana tjetër, po më datë 16.08.2014, rreth orës 13:30, me automjetin me targë AA003GB kthehen në Shqipëri nga PKK Qafe Botë, Sarandë, i pandehuri z. Saimir Tahiri me familjen. Edhe prindërit e tij z. Bashkim Tahiri dhe znj. Luiza Tahiri kthehen më datë 16.08.2014 nga PKK Qafë Botë, me automjet, por pa targë të shënuar në sistem, megjithatë orari i hyrjes është po ai me të pandehurin Saimir Tahiri dhe bashkëshorten, rreth orës 13:30. Me automjetin me targë AA145GJ kthehen dhe hyjnë në Shqipëri në të njëjtën kohë, nëpërmjet PKK Qafe Botë, edhe shtetasit znj. Elona Hoxha dhe z. Arian Hoxha me dy fëmijët.
  16. Në lidhje me rrethanat e lëvizjes në Greqi është pyetur gjatë hetimit paraprak shtetasi z. Alban Alia, punonjës i Gardës së Republikës, shofer i familjes së Ministrit të Brendshëm në periudhën Tetor 2013-Tetor 2017. Në procesverbalin për marrjen e të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale, datë 13.12.2017, ai ka konfirmuar faktin që në muajin gusht 2014 ka udhëtuar me z. Bashkim Tahirin, znj. Luiza Tahirin dhe fëmijën e të pandehurit z. Saimir Tahiri për t’i çuar në Greqi me automjetin Audi me targë AA145GJ që ishte në përdorim të shtetases z. Fatlinda Tahiri. Janë nisur nga Tirana dhe në Levan, Fier, janë takuar me dy vajzat e zëvendësministres znj. Elona Hoxha, të cilat i kishte sjellë shoferi i zëvendësministres duke i lënë aty. Aty janë takuar edhe me shtetasin z. Artan Habilaj që kishte një makinë Audi A8, targat e të cilit nuk i kujton. Janë nisur për në Greqi me dy makinat. Në makinën e Artanit kanë udhëtuar si pasagjerë z. Bashkim Tahiri dhe dy vajzat e zëvendësministres. Kanë kaluar PKK Kakavijë, kanë kaluar edhe Janinën dhe kanë shkuar në një zonë plazhi ku kanë takuar z. Saimir Tahiri dhe bashkëshorten e tij. Aty kanë lënë personat që kishin me vete si dhe automjetin me targë AA145GJ. Është nisur për t'u kthyer në Shqipëri së bashku me z. Artan Habilaj me mjetin me targë AA003GB. Kanë qëndruar një natë në hotel dhe të nesërmen kanë hyrë në Shqipëri nëpërmjet PKK Qafe Botë dhe në Fier është ndarë nga z. Artan Habilaj. Ka deklaruar gjithashtu se nuk e ka njohur më parë shtetasin z. Artan Habilaj dhe vëllezërit e tij dhe se nuk kishte dijeni për aktivitetet e z. Artan Habilajt.
  17. Më datë 26.04.2018 prokurori ka marrë në pyetje z. Naim Brahimaj me cilësinë e personit i cili ka dijeni për rrethanat e veprës penale. Ai ka deklaruar se kur punonte në qytetin e Vlorës ka njohur z. Artan Habilaj dhe e ka qerasur dhe ka pirë ndonjëherë me të ndonjë kafe. Ndërkohë ai sqaron se z. Moisi Habilaj e ka njohur në momentin kur ka udhëtuar me të në Itali dhe se z. Aurel Konakçiu e ka njohur kur ka udhëtuar me të në Greqi. Ai ka sqaruar se në gushtin e vitit 2014, një mbrëmje vonë, e ka marrë në telefon z. Saimir Tahiri në numrin e punës dhe i ka treguar për defektin e mjetit lundrues, duke folur disa herë atë natë. Ai sqaron se i ka kërkuar që të nesërmen të shkonte në Greqi ku ndodhej me pushime dhe të rregullonte skafin, duke i thënë se do të vijnë që të të marrin me makinë dhe do ta sjellin në Greqi dhe se i ka thënë se do të vinin bashkë me një teknik tjetër. Ai sqaron se të nesërmen, ndërkohë që ndodhej në Lushnjë, e ka telefonuar tek numri i punës z. Artan Habilaj dhe i ka thënë që do të ikin bashkë në Greqi për të rregulluar skafin që kishte në përdorim ministri dhe se e priste në Vlorë, duke i treguar vendin e takimit. Ai tregon se ka ikur në Vlorë me makina të rastit dhe se është takuar me z. Artan Habilaj atje ku ai ka qenë me automjetin audi që i kishte blerë ministrit, duke sqaruar se bashkë me të ishte edhe një shtetas tjetër z. Aurel Konakçiu. Ai ka sqaruar se shofer i mjetit Audi ishte z. Artan Habilaj dhe se ai ishte i orientuar gjithë rrugën deri në vendin ku kanë ndaluar për të ndrequr skafin. Ai sqaron se kanë fjetur në skaf atë natë dhe se të nesërmen, kur kanë nisur ta rregullojnë skafin, ka ardhur edhe z. Saimir Tahiri, të cilin aty e ka takuar për herë të parë. Ai sqaron se bashkë me z. Aure Konakçi kanë ndenjur duke punuar tek skafi dhe se z. Artan Habilaj ka lëvizur ndoshta rreth vendit ku ndodheshin. Ai ka sqaruar se pranë vendit të skafit kanë takuar babanë dhe familjarët e z. Saimir Tahiri dhe ka takuar edhe znj. Elona Gjebrea bashkë me bashkëshortin e saj. Ai ka sqaruar se kanë vijuar disa orë për rregullimin e skafit dhe në mesditë kanë drekuar ai, z. Artan Habilaj, z. Aurel Konakçiu, nëna, babai, djali dhe bashkëshortja e ministrit, z. Saimir Tahiri dhe në një tavolinë pranë edhe familja Hoxha, bashkëshortët dhe dy vajzat. Ai ka sqaruar se pas drekës kanë dalë të gjithë me skaf për ta provuar përmes një xhiroje në det pas rregullimeve dhe se janë rikthyer në të njëjtin vend ku ndodhej më parë skafi. Ai tregon se bashkë me z. Aurel Konakçiu kanë qëndruar tek skafi dhe se në mbrëmje kanë darkuar të gjithë bashkë sikurse kishin drekuar me familjen Tahiri dhe Hoxha. Ai tregon se kanë fjetur bashkë me z. Aurel Konakçiu në skaf, dy familjet ikën tek shtëpia e pushimit dhe se z. Artan Habilaj nuk e di se ku ka fjetur. Ai tregon se në mëngjes i kanë sjellë në skaf ushqimet e përgatitura nga familja Hoxha dhe Tahiri dhe se nga ora 09:00 janë nisur për në Shqipëri bashkë me z. Aurel Konakçiu dhe z. Artan Habilaj me skafin “Auras”, duke shtuar se automjetin Audi A8 me targa AA 003 GB z. Artan Habilaj e la për ta përdorur familja Tahiri. Ai ka sqaruar se rreth orës 23:00 kanë mbërritur në Triport në Vlorë dhe se skafin e kanë lënë aty. Pasi kanë mbërritur në Vlorë, ai sqaron se z. Artan Habilaj ka paguar një person me një autoveturë që i ka sjellë atë dhe z. Aurel Konakçiu në Durrës.
  18. Shtetasi z. Aurel Konakçiu nuk rezulton të jetë pyetur gjatë hetimit paraprak.
  19. Sipas shkresës nr. 2/765-1 prot., datë 03.05.2018, të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, shtetasi z. Naim Brahimaj është punonjës policie dhe ka punuar në detyra të ndryshme në Policinë e Shtetit. Në muajt Gusht-Shtator 2014 ka qenë trupë shërbimi, ruajtje dhe sigurim objekti në Seksionin e Sigurimit të Objekteve pranë Komisariatit nr. 2, Tiranë. Ka punuar gjithashtu pranë strukturave të ndryshme të policisë edhe si motorist, xhenerik dhe mekanik mirëmbajtës. Ndërsa shtetasi Aurel Konakçiu nuk figuron të jetë punonjës policie.
  20. Znj. Elona Hoxha Gjebrea është pyetur dy herë, konkretisht me datë 01.12.2017 dhe me datë 04.05.2017, si person që ka dijeni për rrethanat e kryerjes së veprës penale. Ajo ka deklaruar dy herë se nuk e njeh z. Artan Habilaj, se nuk e ka takuar shoferin që i ka sjellë vajzat në Greqi me automjet, se nuk ka takuar persona të tjerë dhe se nuk ka pasur asnjëherë komunikime e z. Artan Habilaj apo me ndonjë shtetas tjetër me mbiemrin Habilaj.
  21. Z. Arian Hoxha është pyetur dy herë, konkretisht me datë 24.01.2018 dhe me datë 04.05.2018, me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale. Ai ka deklaruar ndër të tjera se nuk e njeh dhe nuk e ka takuar z. Artan Habilaj apo ndonjë person tjetër me mbiemrin Habilaj dhe se nuk e di se kush ka qenë shoferi që ka shoqëruar vajzat e tij në Greqi.
  22. Sikurse konstatohet më lart, rezulton se nga pyetja e z. Naim Brahimaj, oficeri i Gardës së Republikës që ka shërbyer si mekaniku i ndreqjes së defekteve të skafit “Auras”, ka rezultuar se në Greqi kanë drekuar ai, z. Aurel Konakçiu, z. Artan Habilaj, znj. Fatlinda Tahiri, z. Saimir Tahiri, znj. Luiza Tahiri, z. Bashkim Tahiri, djali i çiftit Tahiri si dhe familja Hoxha, të cilët ishin ulur në një tavolinë afër atyre. Më tej z. Naim Brahimaj ka deklaruar se, pas drekës, të gjithë kanë dalë për të bërë provë skafin “Auras” në det pas rregullimit dhe pasi kanë bërë të gjithë xhiro në det me skaf janë rikthyer në vendin ku ndodhej skafi fillimisht. Ai ka deklaruar se edhe në darkë kanë darkuar të gjithë bashkë, familja Tahiri dhe Hoxha dhe tre personat e ardhur nga Shqipëria në Greqi për të ndrequr skafin. Më tej z. Naim Brahimaj deklaron se të nesërmen në mëngjes i kanë sjellë në skaf ushqime për të ngrënë të përgatitura nga familja Tahiri dhe Hoxha.
  23. Në lidhje me regjistrimin në Sistemin TIMS, më datë 16.08.2014, të shtetasve z. Artan Ciko Habilaj në orën 13:03 “i zakonshëm-linjë tjetër”, z. Naim Avdul Brahimaj në orën 13:04 “ekuipazh-linjë tjetër” dhe z. Aurel Jorgji Konakçiu në orën 13:05 “ekuipazh-linjë tjetër”, shtetasi z. Thanas Gjika, me detyrë punonjës policie në PKK Porti Sarandë që ka kryer regjistrimin në rastin konkret, në procesverbalin për marrjen e të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale, datë 26.04.2018, ka shpjeguar se mjeti mund të kishte qenë skaf shqiptar, të cilin e hidhnin në opsionin “linjë tjetër”, se shtetasit z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu kanë qenë pjesë e ekuipazhit të mjetit motorik lundrues, që mund të ketë qenë skaf, gomone apo mjet tjetër lundrues, ndërsa shtetasi z. Artan Habilaj mund të ketë qenë me dy shtetasit e lartpërmendur ose mund të ketë ardhur me linjë tjetër udhëtimi, por nisur nga ora e regjistrimit mendon se të tre mund të kenë qenë bashkë. Regjistrimi i shtetasve në rubrikën “linjë tjetër” do të thotë se nuk janë linjë publike e zakonshme me traget, por janë mjet lundrues privat. Shënimi “ekuipazh” vihej për shtetasit e mbërritur me mjete lundruese të vogla, si të huaja dhe shqiptare.
  24. Me shkresat nr. 426/1 prot., datë 06.03.2018, dhe nr. 427/1 prot., datë 06.03.2018, të Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, konfirmohet se nuk mund të verifikohet në lidhje me mjetin lundrues dhe drejtuesin e tij që kanë dalë dhe hyrë nga PKK Sarandë në datat 08.08.2014 dhe 16.08.2014, pasi regjistrat janë djegur nga zjarri që ra në ambientet e PKK Sarandë më datë 11.05.2016. Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë, me vendimin datë 02.06.2016, ka vendosur mosfillimin e procedimit penal në lidhje me materialin kallëzues nr. 473, datë 13.05.2016, pasi ka rezultuar se fakti nuk përbën vepër penale.
  25. Në shtator të vitit 2014, i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj së bashku me shtetasit z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu kanë çuar në Brindizi, Itali, për riparim mjetin lundrues “Auras”, i cili kishte pësuar defekt gjatë udhëtimit të të pandehurit Saimir Tahiri në Greqi në muajin Gusht. Duke u nisur nga Porti i Vlorës, mjeti lundrues është dërguar prej tyre në Kantierin Detar “Danese”, në Brindizi. Në Brindizi ata kanë qëndruar tre ditë dhe më pas janë larguar duke lënë mjetin lundrues aty. Më datë 24.12.2014, mjeti lundrues “Auras” është sjellë në Shqipëri në portin e Durrësit nga shtetasit z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu.
  26. Kështu, nga të dhënat e marra nga Sistemi TIMS (procesverbali për këqyrjen e tij, datë 14.04.2018), rezulton se më datë 08.09.2014 i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe shtetasit z. Naim Brahimaj e z. Aurel Konakçiu kanë dalë nga territori shqiptar, nga PKK Vlorë, me linjën e udhëtimit “Dalmacia”. Me këtë linjë udhëtimi në këtë datë nuk kanë udhëtuar persona të tjerë.
  27. Nga të dhënat e Sistemit TIMS rezulton gjithashtu se shtetasit z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu janë kthyer në Shqipëri më datë 13.09.2014 me linjën “AF Claudia Prima”, duke hyrë nga PKK Porti Durrës. Z. Moisi Habilaj është kthyer në Shqipëri më datë 12.09.2014 me linjën “Bari-Rigel Duni”, duke hyrë në PKK Durrës. Më datë 22.12.2014, shtetasit z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu kanë dalë nga territori shqiptar me linjën “Bari-Durrës-Bari Aurelia” nëpërmjet PKK Porti Durrës dhe janë kthyer më datë 24.12.2014 me “linjë tjetër”.
  28. Nga të dhënat e marra me letërporosi nga Prokuroria për Krime të Rënda prej autoriteteve gjyqësore italiane (dërguar me shkresën nr. 33.4.5.2309/17 VD, datë 27.07.2017, të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Italisë), rezulton se z. Moisi Habilaj ka mbërritur në portin e Brindisit, Itali, më datë 09.09.2014, në bordin e anijes “Auras”, si “Kapiten”. Gjithashtu, në bordin e mjetit lundrues “Auras” kanë qenë edhe shtetasit z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu, të regjistruar si pasagjer/turist.
  29. Nga kontrollet ka dalë se mjeti lundrues ka qenë i ankoruar pranë Kantierit Detar “Danese” të z. Giovanni Daneses, me qëllim kryerjen e punimeve të riparimit të impiantit të komandave. Në datat 09.09.2014-12.09.2014, shtetasit z. Moisi Habilaj, z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu janë akomoduar në Hotel “L’Approdo” që ndodhet në Brindisi, ku kanë paguar me para në dorë shumën prej 145 euro, sipas mandatit tatimor të administruar të lëshuar për z. Naim Brahimaj në datë 12.09.2014. Ndërmarrja Danese për punimet e kryera në mjetin lundrues ka nxjerrë faturë tatimore të rregullt me nr. 121114, datë 23.12.2014, në shumën 300 euro, në ngarkim të shtetasit z. Aurel Konakçiu, me përshkrimin “transportim dhe nisje për kontrollin e defektit të dorezave (komandave)” (informacioni përmbledhës me shkrim i Guardia Di Finanza drejtuar Prokurorisë së Republikës pranë Gjykatës së Leçes, me nr. 321821 prot., datë 12.07.2018).
  30. Nga autoritetet italiane me këtë letërporosi janë dërguar edhe kopje të faturave të lëshuar nga Kantieri Detar “Danese” për riparimin e mjetit lundrues dhe nga Hotel ''L’Approdo” për qëndrimin në hotel. Ndërmarrja Danese ka lëshuar faturë tatimore nr. 121/14, datë 23.12.2014, në shumën 300 euro, në ngarkim të shtetasit z. Aurel Konakçiu, me përshkrimin “transportim dhe nisje për kontrollin e defektit të dorezave (komandave)”. Sipas deklarimit të shtetasit italian z. Giuseppe Danese, që do të përmendet më poshtë, shuma është paguar me para në dorë nga z. Aurel Konakçiu. Edhe Hotel “L’Approdo” ka lëshuar faturë tatimore nr. EPR 899384/14, datë 12.09.2014, për tre persona, në shumën 145 euro, në ngarkim të klientit z. Naim Brahimaj.
  31. Më datë 26.04.2018 prokuroria ka marrë në pyetje z. Naim Brahimaj. Ai ka sqaruar ndër të tjera se, rreth pas një muaji nga kthimi nga Greqia me mjetin lundrues “Auras”, e ka kontaktuar z. Aurel Konakçiu në celular dhe i ka kërkuar që ta shoqëronte në Itali për të dërguar skafin që përdorte z. Saimir Tahiri në servis. Ai sqaron se ka ikur në Vlorë dhe ka takuar atje z. Aurel Konakçiu dhe se tek skafi ka takuar z. Moisi Habilaj, duke shtuar se skafi ndodhej pikërisht në Triport ku e kishin ankoruar pasi kishin mbërritur nga Greqia. Ai tregon se z. Moisi Habilaj i ka thënë që t’ia shkruanin edhe atij emrin sepse do të vinte edhe ai në Itali, duke sqaruar se lejen e lundrimit tek kapitaneria e mori z. Mosi Habilaj dhe se janë nisur të tre për në Itali me skafin e mësipërm. Ai tregon se në Brindisi kanë qëndruar disa ditë në hotel dhe se ka fjetur në një dhomë me z. Aurel Konakçiu dhe se z. Moisi Habilaj ka fjetur veçmas. Ai tregon se tek skafi kanë ardhur disa persona që e verifikuan dhe i thanë që do ta rregullonin, duke qenë prezent të tre. Ai sqaron se, ndërkohë që skafi nuk ishte rregulluar, janë kthyer për në Shqipëri bashkë me z. Aurel Konakçiu, të cilët deri në Bari kanë udhëtuar me tren dhe kanë ardhur në Durrës me traget. Ai sqaron se z. Moisi Habilaj kishte ikur një ditë përpara për në Shqipëri, pasi i kishte thënë se kishte nënën sëmurë. Ai tregon se kur kanë qëndruar në Brindisi shkonin të tre tek skafi dhe qëndronin deri pasdite vonë. Ai tregon se hotelin në Brindisi e ka paguar z. Moisi Habilaj për të gjitha ditët që kanë qenë bashkë. Z. Naim Brahimaj tregon se, pas pak ditësh të kthimit në Shqipëri, e ka marrë në telefon z. Aurel Konakçiu dhe i ka kërkuar të ikin përsëri në Itali për të marrë skafin dhe për ta sjellë në Shqipëri pasi nuk ishte rregulluar. Ai tregon se janë nisur me traget Durrës – Bari dhe pastaj kanë shkuar me tren deri në Brindisi dhe se kanë fjetur në të njëjtin hotel dhe se të nesërmen kanë marrë skafin ku e kishin lënë të ankoruar dhe janë kthyer për në Durrës, duke sqaruar se skafi nuk ishte rregulluar dhe se atij i u desh t’i bënte një riparim të vogël se fuste ujë. Ai sqaron se e kemi lënë skafin në tokë si të prishur dhe se ai i ka ndërruar një gominë të dëmtuar dhe se pronari i skafit nuk e ka paguar për këtë shërbim të realizuar. Ai ka treguar se biletat e udhëtimit nuk i ka paguar ai dhe se nuk e di se kush i ka paguar. Ai ka sqaruar se në çdo rast kur ka ikur jashtë shtetit ka marrë leje nga puna dhe se në këto raste të treguara më lart nuk ka marrë leje por ato të punës e dinin se ai po shkonte të riparonte skafin e përdorur nga Ministri i Brendshëm. Ai ka sqaruar se pas kthimit nga Italia dhe pas rregullimit të gominës, gjatë kohës që skafi ndodhej në tokë, ka shkuar ai t’i bënte shërbime vazhdimisht skafit, ku e ka pastruar dhe shpesh herë ka fjetur në skaf. Ai tregon se gjatë një seance parlamentare z. Sali Berisha doli në parlament me një foto ku thoshte që është skafi i Saimir Tahirit dhe se kanë ardhur disa persona që e kanë hequr skafin me një triler dhe i ka ndihmuar ai për ta ngarkuar. Ai sqaron se fillimisht skafi u bllokua nga policia gjatë daljes nga porti dhe se më tej ka ardhur pronari i skafit që ka sjellë dokumentacionin dhe se pastaj policia ka lejuar që skafi të dalë nga porti duke mos e ditur më tej se nga ka ikur. Ai ka treguar gjatë pyetjes së prokurorit se ka menduar se skafi ka qenë i Ministrit të Brendshëm dhe se ndaj, duke qenë se kishte shkuar disa herë për ta riparuar edhe e ka verifikuar në Durrës.
  32. Gjithashtu, me të njëjtën letërporosi të autoriteteve gjyqësore italiane, janë dërguar të dhëna edhe mbi akomodimin e shtetasve z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu në datat 23-24.12.2014, kur kanë shkuar përsëri në Brindisi për të tërhequr mjetin lundrues “Auras”. Nga data 23-24.12.2014 këta dy shtetas janë akomoduar pranë hotel “L’Approdo”, në Brindizi, ku kanë paguar në dorë shumën prej 45 eurosh, sipas faturës tatimore nr. DCG 373056/14, datë 24.12.2014, të lëshuar në ngarkim të “Konakçiu”. Është dërguar nga autoritetet italiane edhe një kopje e kësaj fature. Më datë 24.12.2014, mjeti lundrues është nisur nga Brindisi, me destinacion të panjohur, me ekuipazh të përbërë nga dy persona, z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu.
  33. Në lidhje me veprimet për riparimin e mjetit lundrues në Itali, është pyetur nga autoritetet gjyqësore italiane (në zbatim të letërporosisë së dërguar nga Prokuroria për Krime të Rënda) shtetasi italian z. Giuseppe Danese me funksion nëpunës i shoqërisë (i biri i titullarit të shoqërisë, i cili është marrë materialisht me drejtimin e kantierit). Në procesverbalin e pyetjes datë 28.06.2018, i pyetur për punimet e kryera në vitin 2014 nga ndërmarrja “Danese” në një mjet lundrues me emrin “Auras”, është përgjigjur: “... Mbaj mend që bëhej fjalë për një gomone që kishte probleme me komandat. Mbaj mend që bëhej fjalë për komanda të vështira, të cilat duheshin rikuperuar, pasi tashmë ishin jashtë prodhimit dhe kështu u tentua të sistemoheshin në kantier. Kur erdhi në kantier nuk e mbaj mend me saktësi ... mund të them që mbeti në kantier për sa kohë, në pritje të gjetjes së pjesëve të këmbimit. Zoti Aurel Konakçiu nuk ka dashur ta zëvendësojë pasi kostoja ishte goxha e lartë. Për këtë fakt gomonia ka ikur nga kantieri më 23 ose 24.12.2014, kur është nxjerrë fatura fiskale për një shumë prej 300 euro të paguara nga Aurel Konakçiu.” I pyetur në lidhje me personat që kishin sjellë për riparim mjetin lundrues, ai ka sqaruar: “Kujtoj turbullt që ishin tre persona me kombësi shqiptare, njëri prej tyre ishte Aurel Konakçiu, i cili ka bërë pagesën e llogarisë dhe ka tërhequr gomonen”. I pyetur nëse nga tre personat shqiptarë u paraqit ndonjëri si pronari i mjetit, ai ka sqaruar: “... Kujtoj që kur kemi biseduar lidhur me madhësinë e dëmit të mjetit lundrues, Aurel Konakçiu më tha që do dëgjonte një person të tretë. Pas pak kohe u paraqit Konakçiu duke më thënë që nuk kishte më qëllimin të zëvendësonte komandat.
  34. Për të marrë lejet e nevojshme për të lundruar në drejtim të Italisë, në Kapitenerinë e Portit Vlorë është paraqitur i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, i cili fillimisht për të nxjerrë lejen ka përdorur emrin e Ministrit të Punëve të Brendshme z. Saimir Tahiri, por pa pasur dokumentacion e duhur për të udhëtuar me këtë mjet lundrues. Pas plotësimit të dokumentacionit nga ana e tij, i është dhënë leja për t'u nisur drejt Italisë. Në regjistrat e mbajtur nga Kapiteneria e Portit Vlorë janë pasqyruar këto rrethana, të cilat sqarohen më tej nga deklarimet e shtetasve z. Dhionis Andoni, me detyrë në kohën e ngjarjes Kapiten i Kapitenerisë së Portit Vlorë, dhe z. Ardit Bani, me detyrë Inspektor i Drejtorisë Detare Vlorë.
  35. Me procesverbalin për këqyrjen dhe marrjen e provës dokument, datë 09.05.2018, në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Emigracionin Vlorë është këqyrur dhe marrë me cilësinë e provës dokument “Regjistri i nisjeve të anijeve të huaja në portin e Vlorës për vitet 2014- 2015” në administrim të Kapitenerisë së Portit Vlorë. Nga këqyrja e tij rezulton regjistrimi më datë 09.09.2014 i mjetit lundrues “Auras”, me flamur shqiptar, me port regjistrimi Durrës, me kapiten të pandehurin z. Moisi Habilaj, me ekuipazh tre persona, me port mbërritje Brindisi, Itali.
  36. Nga procesverbali për këqyrjen dhe marrjen e provës dokument, datë 09.05.2018, me të cilin është këqyrur dhe marrë si provë dokumenti “Ditar Inspektori Nisje/Mbërritje”, rezulton se në këtë ditar është përshkruar se u kontrollua dokumentacioni i gomones “Auras” me flamur shqiptar me tre persona në bord dhe ju dha leje-nisje për Brindisi.
  37. Edhe sipas procesverbalit për këqyrjen dhe marrjen e dokumenteve “Ditari i Monitorimit të Trafikut Detar” mbajtur nga ana e Kapitenerisë Porti Vlorë, datë 09.05.2018, rezulton se në fletën nr. 252, datë 08.09.2014, ndodhen shënimet ku është paraqitur shtetasi z. Moisi Habilaj për të kërkuar leje nisje pranë Kapitenerisë së Portit Vlorë:

Ora 13:00. Në kapiteneri u paraqit Moisi Habilaj i cili kërkoi leje-nisje për jashtë shtetit. Gjatë kontrollit të dokumenteve që bëri inspektori u konstatua se mjeti ishte në emër të dikujt tjetër dhe M.Habilaj nuk posedonte as prokurë të posaçme për përdorim

Në fletën nr. 253, datë 09.09.2014, shënimi se mjetit ujor “Auras” me tre persona në bord i është dhënë leje nisje përgjatë bregut, brenda 3 miljeve.

  1. Policia gjyqësore me pyetur z. Dhoinis Andoni, me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, i cili ka pasur detyrën e Kapiten, i Kapitenerisë së Portit Vlorë, detyrë të cilën e ka dorëzuar me datë 17.12.2015. Në deklarimin e tij ky shtetas sqaron ndër të tjera se: “...Mbaj mend se tek zyra e Oficerit Ardit Bani, i cili ka qenë në shërbimin 24 orësh,  ishte paraqitur një shtetas i quajtur Moisi Habilaj nga Vlora, të cilin nuk e njihja, i cili po debatonte me Oficerin e Shërbimit Ardit Bani, për listën e pasagjerëve të skafit të tij, ku në krye të listës ndodhej i shënuar emri i shtetasit Saimir Tahiri, si Kapiten i Skafit. Ne fillimisht e morëm se personi po bënte shaka, pasi shtetasi Saimir Tahiri në atë periudhë ishte Ministër i Brendshëm. Ne i kërkuam dokumentet e kapitenit të skafit, meqenëse ai paraqiste emrin e shtetasit Saimir Tahiri dhe personi në fjalë nuk dispononte prokurë të Posaçme për Përdorim të mjetit lundrues. Me një përgjigje si nënvleftësuese dhe si presion nuk na dha asnjë dokument, sipas listës që ai kishte paraqitur vetë për të mare Leje - Nisje për në Brindisi Itali, ku sipas tij ai do të shkonte për të riparuar skafin. Unë i thashë oficerit të shërbimit Z. Ardit Bani, se pa sjellë dokumentacionin e duhur, të mos i jepet leje nisje. Për këtë situatë unë menjëherë kam njoftuar me celular shefin e krimeve të Komisariatit Vlorë, për përdorimin e emrit të Ministrit, ku me sa kujtoj unë shefi i krimeve e ka pasur emrin Berti ku me sa di unë është nga Vlora, por mbiemrin nuk ia di, pasi vetëm dy herë e kam takuar për problem pune, ku ai më kthej përgjigje po me telefon se për këtë person nuk kemi asnjë problem dhe në rast se e ka përdor emrin e Ministrit, ai mban përgjegjësi vetë. Në fakt nga punonjësit e policisë dhe nga opinioni i tyre njihej se ky skaf përdorej nga ana e Ministrit të Brendshëm Z. Saimir Tahiri. Të nesërmen në orën 10:00, pasi shtetasi Moisi Habilaj, kishte plotësuar të gjitha vërejtjet tona për një lundrim të sigurt dhe nuk patëm asnjë vërejtje nga ana e policisë për këtë person, nga ana jonë i është dhënë leja e nisjes, por me kusht që ai të kapi brigjet italiane, duke kaluar përgjatë bregut, në distancën 3 milje deri sa të shkonte në destinacion, sepse radiot e komunikimit të tij nuk mundësonin komunikimin direkt Vlorë – Otranto. Personi që do të drejtonte mjetin ujor të nesërmen si kapiten, kishte mbaruar shkollën e lartë të Navigacionit, të cilit nuk i a mbaj mend emrin dhe me sa mbaj mend unë kanë qenë tre ose katër persona në bordin e skafit, emrat nuk jua mbaj mend.” Më tej z. Dhionis Andoni sqaron se ai ka sjellë prokurën e përdorimit të mjetit ujor dhe si kapiten ka caktuar një person i cili kishte mbaruar shkollën e navigacionit. Nuk rezulton në të vërtetë që në fashikujt e hetimit dhe të gjykimit të jetë administruar një prokurë e tillë dhe se ky element fakti ndodhet vetëm në deklarimet e z. Dhionis Andoni. Ai ka sqaruar se dokumentet që kërkoheshin për lëvizje dhe lëshimin e lejes së lundrimit ishin dokumentet e mjetit ujor sipas port-regjistrit Durrës, kontrollet teknike të ushtruara në mjet dhe vlefshmëria e përdorimit të mjetit, certifikata e kompetencës së përdorimit të mjetit, lista e personave në bordin e mjetit ujor të miratuar nga Policia Kufitare, deklarimi i destinacionit ku do të shkoje dhe se pas plotësimit të këtyre dokumenteve jepet leja për t’u nisur. Ai ka deklaruar më tej se dokumentet që dorëzohen për të marrë lejen e lundrimit ruhen për një periudhë të caktuar.
  2. Oficeri i policisë gjyqësore me datë 27.02.2019 ka marrë në pyetje z. Ardit Bani me cilësinë e personit i cili ka dijeni për veprën penale, i cili ka ushtruar detyrën e inspektorit pranë Kapitenerisë së Portit Detar Vlorë. Në deklarimin e tij ky shtetas sqaron se: “...në datën 09.09.2014, rreth orës 08:40, tek unë si Inspektor në Zyrën e Leje Nisjeve, një agjent i një agjencie, ka paraqitur dokumentacionin për mjetin AURAS me flamur Shqiptar, me kapiten shtetasin Moisi Habilaj duke kërkuar leje nisje për në Brindisi, Itali. Pasi unë kam kontrolluar dokumentacionin, në bazë të certifikatës së regjistrit ju dha leje nisje për në Brindisi, me itinerar turistik nga linja Mali i Zi – Kroaci, jo më shumë se 3 milje nga bregu, pasi mjeti sipas certifikatës së regjistrit, nuk mund të lëvizte direkt për në Itali. Unë nuk mbaj mend se kush ka qenë, agjenti apo agjencia që kishte plotësuar praktikën, për lëvizjen e këtij mjeti ujor AURAS, por nga ana e tyre disponohej i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për ti lëshuar leje- nisje. Mbaj mend se kapiten ka qenë shtetasi Moisi Habilaj, me tre persona në bord bashkë me kapitenin. Mbaj mend se një ditë më parë, sipas shënimeve në regjistër dhe si me ka treguar kolegu im Genci Hasanaj, po i njëjti person, pra, shtetasi Moisi Habilaj, ishte paraqitur me datë 08.09.2014, për të kërkuar leje nisje, por nuk ka pasur prokurë të posaçme të lëshuar nga pronari i mjetit dhe për këtë arsye nuk i ishte dhënë lejë nisje…” Më tej ai ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë takim me z. Moisi Habilaj dhe se në zyrën e tij ka ardhur agjenti i agjencisë që përfaqësonte këtë mjet ujor. Ai shton se para tij është sjellë prokura e përdorimit të mjetit ujor, dokumentacioni i mjetit, lista e ekuipazhit dhe se dokumentet kanë qenë në rregull me datë 09.09.2014 dhe leja e lundrimit është lëshuar. Ai ka deklaruar se dokumentacioni ka qenë i plotë në këtë datë dhe se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje në këtë rast. Ai ka deklaruar më tej se nuk ka asnjë dijeni për faktin nëse policia kufitare e ka regjistruar apo jo këtë rast konkret, se nuk ka asnjë dijeni se nga ka ardhur, por ka theksuar se në atë periudhë regjistrohej çdo mjet ujor që futej në portet e Vlorës, regjistrohej patjetër nga ana e policisë kufitare dhe nga ana e Kapitenerisë Vlorë si në hyrje ashtu edhe në dalje. Ai ka deklaruar se nuk e njeh dhe nuk ka asnjë lidhje me shtetasin z. Moisi Habilaj. Ai ka deklaruar më tej se dokumentet që dorëzohen për të marrë lejen e lundrimit ruhen për një periudhë të caktuar.
  3. Nuk rezulton të jetë hetuar mbi gjurmën detare të këtij udhëtimi, nëse nga Kapiteni i mjetit lundrues është respektuar apo jo ky kufizim i lejes së lundrimit i diktuar nga karakteristikat e posaçme teknike të mjetit lundrues “Auras”
  4. Me datë 28.02.2019 është pyetur me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale z. Genci Hanasaj nga policia gjyqësore, i cili ka pasur funksionin e inspektorit të Kapitenerisë së Portit Detar Vlorë. Ai sqaron se me datë 08.09.2014 i është paraqitur në zyrë z. Moisi Habilaj në Sektorin e Lejeve të Nisjeve dhe kërkonte leje lundrimi për jashtë shtetit për në Itali dhe se dokumentacioni nuk ishte sikurse rregullat kërkonin. Ai ka shtuar se personi i paraqitur para tij ka këmbëngulur dhe se pas kësaj këmbëngulje ai tregon se e ka paraqitur rastin tek Zyra e Kapitenit të Portit. Ai tregon se të nesërmen është lëshuar leja e lundrimit, pas plotësimit të dokumentacionit dhe nën kushtet e treguara më lart të lundrimit. Ai tregon se nuk ka pasur ndërhyrje për këtë rast dhe se dokumentet e kërkuara për lëshimin e lejes së lundrimit janë pikërisht ato të treguara më lart, duke shtuar se nuk ka dijeni nëse e ka regjistruar policia kufitare mjetin apo jo. Ai ka deklaruar se nuk e njeh z. Moisi Habilaj. Ai ka deklaruar më tej se dokumentet që dorëzohen për të marrë lejen e lundrimit ruhen për një periudhë të caktuar.
  5. Më datë 28.02.2019 është pyetur z. Ervin Haxhimihali nga policia gjyqësore me cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e veprës penale, i cili rezulton se në këtë kohë ka qenë inspektor i Kapitenerisë së Portit Vlorë. Ai tregon të njëjtat rrethana sikurse të pyeturit kolegë më lart dhe se tregon edhe faktin se Kapiteni i Portit e ka referuar rastin duke njoftuar edhe Shefin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë. Ai tregon se nuk ka kontaktuar personalisht me z. Moisi Habilaj dhe se nuk e njeh atë.
  6. Lidhur me sa ka deklaruar shtetasi z. Naim Brahimaj për lënien e mjetit lundrues “Auras” në portin “Triport”, Vlorë, pas kthimit nga Greqia dhe gjetjen e tij po aty para nisjes në drejtim të Italisë, gjatë hetimit paraprak, me procesverbalin për këqyrjen dhe marrjen e provës dokumentare datë 27.04.2018 janë kqyrur dhe marrë si dokument në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Emigracionin Vlorë regjistrat që mbaheshin në “Triport” për lëvizjet e mjeteve lundruese. Në dokumentin “44/2014, Libri i regjistrimit të mjeteve të peshkimit që dalin në gjueti, Triport, Vlorë” nuk ka rezultuar ndonjë lëvizje e mjetit lundrues Auras në periudhën që ai mbulon 01.09.2014, ora 05:15 - 01.04.2015, ora 07:50 (ndërsa dokumenti “Regjistri i mjeteve lundruese që dalin për gjueti, S.P.K Triport” mbulon vetëm periudhën 10.02.2012 - 02.08.2014).
  7. Edhe në regjistrat e mbajtur për mjetet lundruese në Portin e Durrësit, nga këqyrja e tyre nuk kanë rezultuar shënime për lëvizjet e mjetit lundrues “Auras”. Kështu:
  • në procesverbalin për këqyrjen e dokumenteve (për lëvizjet e mjetit lundrues Auras në portin e Durrësit) pranë Kapitenerisë së Portit Durrës, datë 24.05.2018, nuk ka lëvizje të regjistruara në periudhën 2014-2015 regjistrat e të cilës janë këqyrur (anije të huaja. shqiptare, peshkimi);
  • në procesverbalin për këqyrjen e dokumenteve, datë 20.04.2018 (praktikave të nisjeve-mbërritjeve të anijeve tregtare, peshkatare, për periudhën Korrik-Shtator 2014, në portin e Durrësit), nuk evidentohet asnjë hyrje-dalje e mjetit lundrues “Auras”;
  • në procesverbalin për këqyrjen dhe marrjen e provës dokumentare (“Ditari i Shërbimit në Zyrën e Nisje-Mbërritjeve, Kapiteneria e Portit Durrës”), datë 10.05.2018, nuk ka rezultuar ndonjë lëvizje e mjetit lundrues “Auras” në datë 24.12.2014;
  • në procesverbalin për këqyrjen e dokumenteve (regjistrave të hyrjeve dhe daljeve të mjeteve lundruese të huaja dhe shqiptare në portin e Durrësit, këqyrur për periudhën viti 2014 e në vijim), datë 09.05.2018, nuk ka rezultuar ndonjë lëvizje e mjetit lundrues “Auras” apo edhe me emrin “Solemar”.
  1. I pandehuri z. Saimir Tahiri ka përdorur edhe në gusht 2015 mjetin lundrues “Auras”. Nuk ka hetim për të provuar se si është plotësuar dokumentacioni për të marrë lejen e lundrimit nga ana e Kapitenit z. Saimir Tahiri tek autoritetet kompetente shtetërore.
  2. Nga aktet e ardhura me letërporosi nga autoritetet gjyqësore greke, dërguar me shkresën nr. prot. E-576-F. 10769, datë 05.04.2018, të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Greqisë, rezulton se më datë 02.08.2015 kanë hyrë në portin e Kerkyras (Korfuz) me mjetin lundrues “Auras” i pandehuri z. Saimir Tahiri, bashkëshortja znj. Fatlinda Tahiri dhe fëmija i tyre D.T. Përveç regjistrimeve në pikën e kalimit kufitar, autoritetet greke kanë dërguar edhe kopje të regjistrimit të mjetit lundrues “Auras” në Regjistrin Detar Shqiptar dhe të dokumentit të lëshuar me këtë rast më datë 02.08.2015 nga Autoriteti Bregdetar Kerkyra. I pandehuri figuron si kapiten, bashkëshortja dhe fëmija si pasagjerë, porti i origjinës Saranda.
  3. Nga të dhënat e nxjerra nga Sistemi TIMS, kjo lëvizje e të pandehurit z. Saimir Tahiri, e bashkëshortes dhe e fëmijës rezulton se nuk është regjistruar në këtë sistem, as në dalje, as në hyrje të territorit shqiptar.
  4. Me shkresën nr. 20/4 prot., datë 20.04.2018, të Drejtorisë së Përgjithshme Detare pranë Ministrisë së Infrastrukturës Detare dhe Energjisë, është dërguar dokumentacioni i regjistrimit të mjetit lundrues “Auras”, mes të tjerave kërkesa për regjistrimin fillestare bërë nga shtetasi a. Orges Liperi më datë 06.08.2014, akti i njëanshëm i shitjes datë 25.07.2014 (“contratto d’aquisto”, Bari 25 Luglio 2014), të dhënat teknike të mjetit lundrues, certifikata e lundrimit datë 06.08.2014, etj. Në lidhje me të dhënat teknike, rezulton se mjeti lundrues është prodhuar nga “33 Oceanic E.F.B., Solemar”, Itali, ka me një gjatësi prej 9,99 metra, me dy motorë “Nanni”, etj. Në Regjistrin Detar Shqiptar mjeti është regjistruar me nr. regjistri 1202, me emrin “Auras”. Nga procesverbali për sekuestrimin e praktikës doganore të mjetit lundrues “Solemar 33”, datë 03.05.2018, rezulton se mjeti është sjellë në Shqipëri po më datë 06.08.2014, duke u kryer edhe pagesa e doganës.
  5. Nga të dhënat e marra me letërporosi nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë prej autoriteteve gjyqësore italiane (dërguar me shkresën nr. 33.4.5.2309/17 VD-RI, datë 06.11.2018, të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Italisë), rezulton se shtetasi z. Federico Silvestri, shitësi i mjetit lundrues “Solemar” sipas aktit “contratto d’aquisto” datë 25.07.2014, nuk ekzistonte në Zyrën e Gjendjes Civile të Komunës së Barit dhe është i paregjistruar në Bankën e të Dhënave të Forcave të Policisë (Sistemi Informativ). Gjithashtu, kodi fiskal i shënuar në aktin “contratto d’aquisto” ka rezultuar formalisht i gabuar, i cili është verifikuar nëpërmjet Bankës së të Dhënave Pika e Tatimeve, dhe se “Via Teulada” nuk ekziston (informacion i seksionit të policisë gjyqësore të Karabinierisë Bari, me shkresën nr. 540/2-0-2018 prot., datë 16.10.2018).
  6. Nga policia gjyqësore është pyetur z. Orges Liperi me datë 26.04.2018 me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale. Ai ka deklaruar se merret me aktivitet privat dhe është administrator dhe ortak i vetëm i shoqërisë Albanian Trading Company dhe Natyral ATC sh.p.k., të cilat kryejnë veprimtari ekonomike për grumbullimin, ekspert-importin e bimëve aromatike, mjekësore, erëzave dhe çajrave, aktivitet të cilin e ka nisur babai që nga viti 1992. Ai ka pranuar se disponon mjetin lundrues Auras të cilin e ka blerë në Shqipëri, me sa i kujtohet në vitin 2014, nga një shtetas italian kundrejt vlerës 15.000 Euro dhe se emri i tij nuk i kujtohet. Ai sqaron se mjeti kishte defekt tek motorët dhe sistemi i drejtimit dhe ndaj u mor me këtë çmim dhe se për rregullimin e tij është marrë një punonjës policie me emrin Naim i Portit Durrës dhe se mbiemrin e tij nuk e di dhe se ai merrej me rregullimin dhe mirëmbajtjen e barkave. Ai ka deklaruar se e ka marrë me qëllimin për ta përdorur gjatë periudhës së plazhit. Deklaruesi ka vijuar duke treguar se dokumentet e regjistrimit të skafit janë plotësuar nga agjencia doganore dhe janë dorëzuar nga ai tek regjistri detar, duke u plotësuar dhe nënshkruar nga ana e tij. Ai deklaron se mjetin e ka pasur ai dhe ka qëndruar në portin e Durrësit, duke paguar edhe detyrimet përkatëse. Ai deklaron se mjetin e kanë përdorur edhe persona të tjerë dhe se ai nuk e di se ku mund ta kenë ankoruar apo parkuar. Ai ka deklaruar se ka qenë z. Roni Shqiopa që i a ka kërkuar mjetin për shefin e tij, konkretisht z. Saimir Tahiri, dhe se ai ka pranuar t’ia japë sa herë të dojë. Ai ka shtuar se ka ardhur me një nga shoqëruesit e z. Saimir Tahiri, ose Albani apo Genti, u ka treguar vendndodhjen e skafit dhe atë e kanë marrë ato sapo e ka blerë. Ai sjell në vëmendje se në atë periudhë i u sëmur babai dhe ka ndërruar jetë në vitin 2016, duke mos u interesuar për skafin dhe duke qëndruar spitaleve. Ai ka deklaruar se nuk e di sa herë mjeti është përdorur nga z. Saimir Tahiri apo nëse është përdorur nga persona të tjerë. Ai deklaron se ka leje drejtimi për skafin dhe se ka dalë shumë pak herë për shkak të sëmundjes së babait.
  7. Z. Orges Liperi është pyetur nga prokurori me datë 07.05.2018. Ai ka deklaruar se shitësin italian e ka takuar në Portin e Durrësit pak ditë para se ta blinte skafin dhe se atë i a ka prezantuar z. Roni Shqiopa, duke qenë se ka qenë në dijeni se deklaruesi ishte i interesuar për të blerë mjet lundrues dhe duke qenë se mjeti lundrues kishte çmim të arsyeshëm dhe ishte okazion, duke sqaruar më tej se pas bisedës me italianin kanë rënë dakord për realizimin e kontratës. Ai sqaron se mjeti lundrues në momentin e blerjes ka qenë në Portin e Durrësit i vendosur në një karrel dhe nuk mban mend të kenë përpiluar kontratë shitje por mban mend se i ka dhënë të dhënat e tij shtetasit italian. Ai sqaron se me procedurat e zhdoganimit dhe regjistrimit është marrë agjencia doganore nën ndikimin e z. Roni Shqiopa, i cili paraprakisht i a kishte kërkuar mjetin lundrues për t’ia lënë në përdorim z. Saimir Tahiri. Z. Orges Liperi ka sqaruar se nuk i kujtohet nëse ka përpiluar një dokument për lënien në përdorim të mjetit lundrues dhe nuk e di se për sa kohë përdoruesi e ka mbajtur atë, pasi ai nuk ka shfaqur interes dhe nuk e ka përdorur mjetin lundrues. Ai sqaron se e di që ka pasur ndonjë rast që ka paguar ndonjë tarifë për lëvizjen e mjetit me vinç dhe lekët i a ka dhënë disa çunave që njihte Roni. Ai ka deklaruar se njeh z. Naim Brahimaj, i cili ishte personi që merrej me mjetin lundrues dhe se në periudhën 2014 – 2017 nuk e ka marrë asnjëherë këtë mjet lundrues për ta mbajtur në ruajtje në ndonjë vend të caktuar pasi nuk është interesuar për të dhe nuk i a ka kërkuar atë personave të cilëve i a kishte lënë në përdorim. Ai ka treguar para prokurorit se mban mend që janë bërë disa riparime tek mjeti lundrues dhe me sa kujton janë servile të vitit 2016 ose 2017 dhe se pagesa është bërë në këtë periudhë, servili është bërë në Itali dhe se pagesat janë bërë me llogari bankare në emrin e tij. Ai nuk e mban mend se kush e ka dërguar në servil mjetin por se shtetasit z. Boge Budini dhe z. Roni Shqiopa e kanë njoftuar për servilin e bërë dhe se i kanë sjellë faturat e servilit, duke i u paguar ato një servisi në jug të Italisë dhe se saktësisht nuk e di. Z. Orges Liperi ka deklaruar se nuk mban mend të ketë paguar në ndonjë rast shpenzime udhëtimi të mjetit lundrues. Ndërsa bileta udhëtimi të ndonjë personi për riparimin e mjetit lundrues nuk ka paguar ndonjëherë. Ai ka sqaruar se para ca kohësh z. Roni Shqiopa e ka njoftuar se kanë nxjerrë nga porti të gjitha mjetet lundruese dhe se mjeti është dërguar tek shtetasi z. Arben Likmeta dhe se me të ka folur z. Roni Shqiopa. Ai sqaron se nuk ka shkuar ai që e ka hequr nga porti mjetin lundrues dhe se me këtë problem është marrë z. Roni Shqiopa. I pyetur nga prokurori nëse e ka takuar z. Saimir Tahiri, deklaruesi ka sqaruar se e ka pakuar së fundmi pasi jam paraqitur në prokurori, pas datës 26.04.2018, dy ditë pasi është pyetur dhe se e ka kërkuar ta takojë përmes z. Roni Shqiopa. Ai sqaron se e ka takuar të pandehurin në Tiranë, i cili ka qenë bashkë me bashkëshorten e tij dhe me një shok i deklaruesit z. Elvin Kuraja. Ai sqaron se i ka kërkuar ndjesë për shqetësimin që i ishte krijuar nga thirrja në prokurori, duke i u përgjigjur prokurorit se nuk i ka kërkuar gjë për mënyrën se si do të shprehej lidhur me ftesën për deklarim të marrë nga prokurori. Ai i është përgjigjur prokurorit se nuk e di si e ka marrë vesh z. Saimir Tahiri faktin se ai është thërritur në prokurori dhe se ka komunikuar vetëm me z. Roni Shqiopa për këtë fakt. I pyetur nga prokurori për servisin e mjetit lundrues në vitin 2014, ai ka deklaruar se nuk ka dijeni për servisin e mjetit lundrues gjatë këtij viti dhe se nuk ka bërë pagesë për servisin e mjetit lundrues në këtë vit. I pyetur nga prokurori nëse ka ndonjë detyrim kundrejt shtetasve që kanë përdorur mjetin lundrues apo që janë kujdesur për të, ai ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë detyrim kundrejt tyre dhe se ka shprehur që z. Roni Shqiopa të mund ta shiste këtë mjet më vonë, sikurse i kishte premtuar dhe se përmes shitjes priste të nxirrte shpenzimet për blerjen dhe servisin. Ai ka sqaruar se shpenzimet e servisit me sa mban mend kanë kapur vlerën 30.000 Euro dhe se mjeti lundrues kushton më shumë se sa ai e ka blerë.
  8. Z. Orges Liperi është pyetur për të tretën herë me datë 26.09.2018. Ai ka deklaruar se personit të cilit i a ka blerë mjetin lundrues ishte 35 apo 40 vjeç dhe se skafin i a ka dhënë vetëm z. Roni Shqiopa, të cilin e ka shok prej vitesh për ta përdorur dhe për t’i ndrequr defektet që kishte. Ai ka deklaruar se për mjetin janë kujdesur z. Roni Shqiopa dhe z. Boge Budini, që ka qenë në atë kohë Shef Kufiri i Durrësit, të cilët për shkak të lidhjeve shoqërore, z. Boge Budini mori përsipër për ta dërguar skafin në Itali, duke qenë se ai njihte persona që merreshin me servisin e skafeve. Ai ka deklaruar se për riparimin e skafit në Itali është kujdesur z. Boge Budini dhe për sjelljen e tij në Shqipëri. Ai ka deklaruar se shpenzimet e dërgimit në Itali dhe për riparimin e skafit janë paguar nga ana e tij dhe se, me sa mban mend, kostoja e skafit ka shkuar 37.000 – 40.000 Euro.
  9. Policia gjyqësore me datë 26.09.2018 ka pyetur me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale z. Roni Shqiopa, i cili nga viti 2013 deri në datë 15.12.2017 ka punuar si Drejtor i Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme Durrës. Ai ka sqaruar se e njeh z. Orges Liperi që prej vitit 2004 dhe kanë lidhje shoqërore. Ai sqaron se i ka treguar z. Orges Liperi për një skaf që e kishte në pronësi një shtetas italian, i cili kishte defekte të vogla dhe se çmimi për këtë arsye ishte i leverdishëm. Ai tregon se e ka pëlqyer skafin dhe nuk kishte mundësi financiare për ta blerë dhe i a ka treguar si propozim z. Orges Liperi, të cilit i pëlqeu dhe ra dakord ta blinte, ta riparonte dhe të fitonte ndonjë lek përmes shitjes së këtij mjeti. Ai tregon se nuk ka dijeni sa dhe kujt ia ka blerë. Ai ka sqaruar se e njeh z. Boge Budini dhe e ka pasur komshi në Durrës, duke sqaruar se lidhjet shoqërore i ruan edhe sot. Ai tregon se me Ministrin e Brendshëm ka krijuar njohje gjashtë muaj pasi ka nisur detyrën si drejtor i shtëpisë së pushimit dhe se ka krijuar raporte shoqërore edhe me familjen e tij, duke treguar se gjatë kohës që familja e z. Saimir Tahiri ka ardhur për të pushuar kanë diskutuar për të ikur në Itali dhe se në bisedë e sipër e kanë ftuar t’i bashkohet atyre në Itali dhe se kjo ka qenë arsyeja e udhëtimit të tij me këta persona.
  10. Më datë 19.03.2018 z. Boge Budini është pyetur me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale. Ai ka deklaruar se ka punuar si Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Durrës nga viti 2016 deri në prill të vitit 2017, institucion varësie i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ai më tej ka dhënë detaje mbi njohjen e tij me z. Saimir Tahiri dhe familjen e tij dhe kalimin e pushimeve së bashku në Malin e Zi dhe në Itali.
  11. Në procesverbalin për marrjen e të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale, datë 26.09.2018, sikurse konstatohet më lart, shtetasi z. Orges Liperi ka ndryshuar pjesërisht thëniet duke deklaruar se skafin e tij me emrin “Auras” ia ka dhënë vetëm shtetasit z. Roni Shqiopa dhe asnjë personi tjetër dhe se që në fillim kur e ka blerë ja ka lënë në përdorim shtetasit z. Roni Shqiopa, të cilin e ka shok prej disa vitesh, për ta përdorur dhe për të bërë disa defekte që skafi kishte.
  12. Me procesverbalin e kryerjes së mjetit lundrues “Auras” datë 26.04.2018 është konstatuar se mjeti ndodhej në Xhafzotaj, Shijak, në fermën e z. Arben Likmeta, pranë autostradës Tiranë – Durrës. Nga këqyrja rezulton se mjeti ka të shënuar emrin “Solemar 33” dhe ka të stampuar numrin përkatës dhe se në asnjë vend nuk ka të shënuar emrin “Auras”. Në mjet nuk rezultoi të kishte dokumente të regjistrimit të tij. Mjeti është sekuestruar nga prokuroria me procesverbalin përkatës të sekuestrimit datë 26.04.2018. Me këtë procesverbal janë sekuestruar edhe dokumentet e mjetit lundrues që janë dorëzuar nga vetë shtetasi z. Orges Liperi.
  13. Rezulton se mjetit lundrues “Auras” i janë bërë riparime në Itali edhe në vitin 2016. riparimet janë bërë me fatura në emër të z. Orges Liperit dhe pagesat janë kryer nga z. Orges Liperi nëpërmjet bankës. Më konkretisht, me anë të letërporosisë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka marrë prej autoriteteve gjyqësore italiane (dërguar me shkresën nr. 33.4.5.2309/17 VD-RI, datë 06.11.2018, të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Italisë) të dhëna, dokumente dhe deklarime në lidhje me riparimin e mjetit lundrues “Auras” në Itali në vitin 2016. Nga informacioni përmbledhës i policisë gjyqësore të Karabinierisë së Barit me nr. 540/2-0/2018 prot., datë 18.10.2018, rezulton se mjeti lundrues është dërguar me trailer në kantierin detar “Mancini Pietro sh.p.k.” në Taranto, në Korrik 2016. Në Gusht-Shtator 2016 mjeti ka qëndruar pranë “CDS Marine sh.p.k.” në brendësi të portit të Barit. Më pas është transportuar me trailerin me targë AA120HP pranë kantierit detar “Le Difese sh.p.k.”.
  14. I pyetur për punimet e kryera në mjetin lundrues “Solemar/Auras”, shtetasi italian z. Cosimo Mancini, përfaqësues ligjor i shoqërisë “Mancini Pietro s.r.l”, në procesverbalin për marrjen e të dhënave nga personi që ka dijeni për faktet, datë 11.10.2018, ka deklaruar se mjeti në fjalë ka kryer punime në kantierin “Mancini Pietro s.r.l.” në muajin Korrik 2016. Mjeti ka qenë i ankoruar pranë kantierit “Le Difese s.r.l.” që ndodhet në Molfetta, rreth muajit Mars/Prill 2016, ku janë kryer punime nga personeli i tij. Kryerjen e shërbimeve për këtë mjet ia ka kërkuar një person nga personeli i administratës së policisë financiare (Guardia di Finanza), pasi në atë kohë ata po riparonin një mjet të policisë financiare italiane. Është vënë në kontakt me shtetasin shqiptar: “... Boge Budini i cili përfaqësonte pronarin një farë Orges Liperi, duke e treguar si një person shumë të rëndësishëm në territorin shqiptar. Me zotin Orges gjatë kohës kam pasur vetëm marrëdhënie telefonike. Zoti Boge më tregoi ato që ishin problemet e motorave të mjetit lundrues dhe më pas probleme të tjera elektrike ... mjeti lundrues është tërhequr nga porti i Barit në muajin Gusht, por nuk e di nga kush ... .” Sipas deklaruesit, pagesat janë bërë nëpërmjet bankës. Ky shtetas ka paraqitur edhe dokumentet bankare për pagesat e kryera nga z. Orges Liperi për shoqërinë “Mancini Pietro s.r.l.” datë 02.08.2016 shuma 14.000 euro, datë 16.08.2016 shuma 9804,45 euro, datë 30.08.2016 shuma 9804,45 euro, datë 13.09.2016 shuma 3153,5 euro, si dhe faturë datë 28.07.2016 shuma 4638,9 euro dhe datë 29.07.2016 shuma 3196 euro në ngarkim të Orges Liperit.
  15. Në lidhje me riparimin e mjetit lundrues “Auras” në vitin 2016, janë pyetur edhe shtetasit italianë z. Vincenzo Buqiucchio dhe z. Nicola Signorile.
  16. Shtetasi italian z. Vincenzo Buqiucchio, përfaqësues ligjor i shoqërisë kantieri detar “Le Difese s.r.l.” që ndodhet në Molfetta, Bari, në procesverbalin për marrjen e të dhënave nga personi që ka dijeni për faktet, datë 08.10.2018, ka deklaruar se mjeti lundrues “Auras” ka mbërritur më datë 09.04.2016 në kantierin e tyre, në bordin e një traileri. Nuk mban mend personat që e sollën. Në kantier erdhi një person me kombësi shqiptare si ndërmjetës mes kantierit dhe shtetasit Orges Liperi, i cili porositi punimet. Pagesat janë bërë nga jashtë shtetit nga shtetasi Orges Liperi, nëpërmjet bankës. Mjetin e tërhoqi nga kantieri personi ndërmjetës dhe persona të tjerëve që nuk i njeh, më datë 28.07.2016. Sipas faturës, mjeti u tërhoq në rrugë detare. Ky shtetas ka paraqitur edhe faturën e lëshuar nga kantieri detar “Le Difese s.r.l.” me nr. 179/2016, datë 28.07.2016, shuma 9700 euro, në ngarkim të Orges Liperi.
  17. Shtetësja italiane znj. Nicola Signorile, përfaqësuese e shoqërisë kantieri detar “CDS Marine s.r.l.”, në procesverbalin për marrjen e të dhënave nga personi që ka dijeni për faktet, datë 28.10.2018, ka deklaruar se mjeti ka ardhur në rrugë detare dhe si pasojë e problemeve të impiantit të bordit ka kërkuar ndërhyrje teknike nga shoqëria. Më pas mjeti është tërhequr dhe transportuar në rrugë tokësore në bordin e mjetit trailer dhe punimet e porositura janë paguar rregullisht nëpërmjet një urdhër pagese nga jashtë. Kjo shtetase ka paraqitur edhe faturën e lëshuar nga shoqëria “'CDS Marine s.r.l.”, më datë 29.08.2016, shuma 127-1 euro, në ngarkim të Orges Liperi.
  18. Për dërgimin e mjetit në Itali, shtetasi Orges Liperi ka autorizuar me prokurën e posaçme nr. 582 rep., nr. 362 kol., datë 08.04.2016, shtetasin z. Hasan Mema.
  19. Nga pyetja e z. Hasan Mema me datë 20.07.2018 me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, konkretisht shtetasi që ka pasur prokurën nga z. Orges Liperi për të ndrequr skafin “Auras” në vitin 2016, rezulton si e dhënë e z. Orges Liperi merret me një biznes erëzash në Durrës. Ai ka sqaruar se me z. Boge Budini njihej për shkak të punës, që në vitin 1991, kur ai punonte si shofer i Drejtorisë së Kufirit dhe kur z. Boge Budini ka qenë oficer policie. Ai ka deklaruar ndër të tjera se e ka kontaktuar në telefon një person i quajtur “Gesi”, duke i kërkuar të transportonte një skaf në Itali, pasi ai punonte në aktivitetin e transportit të mallrave si person fizik tregtar. Ai sqaron se Gesi i kishte thënë që numrin e telefonit i a kishte dhënë z. Boge Budini, Drejtori i Kufirit Durrës. Ai ka deklaruar se ka folur në telefon me z. Boge Budini dhe se ai i ka thënë që ta ndihmojë dhe se duhet të bësh një kontratë para noterit, duke e lënë që të takohen tek zyra e një notere në Durrës ku kanë nënshkruar kontratën e transportit të skafit për në Itali. Tek noteri ka qenë ai, Gesi, noterja dhe z. Boge Budini. Ai tregon se më pas i ka ardhur në djali i ri, rreth moshës 30 vjeç të cilin nuk e njeh, dhe i ka thënë se më kanë dërguar që të pres biletat vajtje – ardhje. Ai tregon se pas gjysmë ore që ai po priste ai personi i ka dhënë biletat dhe në zarf një shumë 500 Euro për rrugën e transportit. Ai tregon se e ka shkarkuar dërgesën në Portin e Barit dhe është kthyer në vijim në Shqipëri. Më tej z. Hasan Mema ka treguar se, pas tre apo katër muajsh, është takuar me z. Boge Budini, i cili i ka kërkuar të shkojë dhe të marrë skafin në Itali dhe ta sillte në Durrës, duke i thënë se i ka të paguara shpenzimet, duke treguar se në mesin e biletave ndodhej një shumë prej 500 Euro. Ai tregon se e ka sjellë më tek skafin në portin e Durrësit. Ai tregon se në Itali ka komunikuar vetën me rojën e portit.
  20. Riparimi i mjetit lundrues “Auras” në Itali në vitin 2016, shpenzimet dhe pagesat e kryera janë deklaruar edhe nga shtetasi z. Orges Liperi. Në procesverbalin për marrjen e të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale, datë 07.05.2018, ai ka deklaruar se mjetit lundrues në vitin 2016 ose 2017 i u bë servis në Itali dhe pagesat u kryen nëpërmjet llogarisë bankare në emrin e tij. Shtetasit z. Boge Bodini dhe z. Roni Shqiopa e njoftuan për servisin e bërë dhe i sollën edhe faturat e servisit. Faturat iu paguan një servisi në jug të Italisë dhe kishin vlerën 30.000 (tridhjetëmijë) Euro. Gjithashtu deklaron se nuk ka paguar shpenzime udhëtimi të mjetit lundrues dhe as bileta udhëtimi të ndonjë personi për riparimin e mjetit lundrues. Ndërsa, në procesverbalin për marrjen e të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale, datë 26.09.2018, ai ka deklaruar se shtetasit z. Roni Shqiopa dhe z. Boge Budini u ofruan që ta ndihmonin nëpërmjet njohjeve të tyre, për ta rregulluar. Meqë kishte njohje me personat që merreshin me riparimin e skafeve në Itali, z. Boge Budini e mori përsipër, e dërgoi dhe e mori skafin nga Italia.
  21. Me procesverbalin e sekuestrimit datë 09.05.2018 janë sekuestruar dokumente të dorëzuara nga z. Orges Liperi në lidhje me riparimin e mjetit lundrues “Auras” dhe pagesat përkatëse.
  22. Shtetasi Boge Budini, në procesverbalin për marrjen e të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale, datë 19.03.2018, nuk është pyetur nga prokuroria në lidhje me rrethanat e riparimit mjetit lundrues “Auras” në Itali, në vitin 2016, të deklaruar më sipër nga shtetasi Orges Liperi.
  23. Nga provat e marra në hetimin paraprak del se shtetasit z. Orest Sota, z. Roni Shqiopa, z. Boge Budini. Z. Evi Robo, etj, janë persona me lidhje të afërta shoqërore me të pandehurin z. Saimir Tahiri, pasi janë evidentuar lëvizje dhe pushime të përbashkëta të tyre. Kështu rezulton se në vitin 2017 ata kanë kryer pushime të përbashkëta me të pandehurin z. Saimir Tahiri në Itali, ku kanë qëndruar atje me jahtin me emrin “Hacci”. Kjo rrethanë evidentohet për faktin se shtetasit z. Roni Shqiopa dhe z. Boge Budini, që janë angazhuar në vitin 2014 dhe 2016 (siç është përmendur më lart) në lidhje me mjetin lundrues “Auras”, rezulton se janë lidhje shoqërore e të pandehurit z. Saimir Tahiri, më tepër se sa e shtetasit z. Orges Liperi, në emër të të cilit ishte regjistruar mjeti lundrues “Auras”. E njëjta situatë paraqitet edhe për shtetasin z. Artan Habilaj dhe të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj në lidhje me angazhimin e tyre për riparimin e këtij mjeti lundrues. Ata nuk janë lidhje shoqërore apo farefisnie të shtetasit z. Orges Liperi, por të të pandehurit z. Saimir Tahiri.
  24. Nga të dhënat e marra me letërporosi nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë prej autoriteteve gjyqësore malazeze (dërguar me shkresën nr. 0602-572-K/18 S.M., datë 29.08.2018, të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Malit të Zi) rezulton se më datë 28.07.2017, në orën 21:04, është regjistruar kalimi i kufirit shtetëror malazez, në dalje nga Porti Bar i Malit të Zi, i anijes jaht me emrin “Hacci”, ku si port destinacioni është paraqitur porti Santa Maria de Leuca, Itali. Në këtë mjet lundrues janë regjistruar si anëtarë të ekuipazhit z. Saimir Tahiri, z. Fatlinda Tahiri, ndërsa si udhëtarë fëmija i mitur D.T si dhe z. Loran Sevi, z. Orest Sota, z. Evi Robo, z. Alban Alia dhe z. Gentian Çeka. Ky mjet lundrues është kthyer më datë 19.08.2017 nga Santa Maria de Leuca, Itali, në Portin Bar të Malit të Zi, ku në ardhje janë regjistruar personat z. Saimir Tahiri, znj. Fatlinda Tahiri, fëmija D.T si dhe z. Boge Budini, znj. Etleva Budini dhe z. Gentian Çeka (nuk janë kthyer me ta shtetasit z. Loran Sevi, z. Orest Sata, z. Evi Robo, z. Alban Alia, ndërsa kanë ardhur shtetasit z. Boge Budini, znj. Etleva Budini).
  25. Në letërporosinë e autoriteteve gjyqësore malazeze konfirmohet se jahti me emrin “Hacci” figuronte në librin e jahteve në Malin e Zi, i regjistruar më datë 10.03.2017, me pronar shtetasin z. Orest Sota, i datëlindjes 04.01.1992, shtetas shqiptar. Jahti ka targat e regjistrimit MNE 0304, gjatësi 12,17 metra, etj., porti i regjistrimit është Bar, dispononte certifikatë për Bar të vlefshme deri më datë 10.03.2020. Kapiteni i jahtit është regjistruar z. Saimir Tahiri. Ky jaht është çregjistruar nga libri i jahteve të Malit të Zi me kërkesën nr. 1683/17 dhe me vendimin nr. 1689/1, datë 20.11.2017. Pas çregjistrimit nuk është regjistruar më në librin e jahteve dhe nuk dihet nëse ai bën pjesë në sipërfaqen territoriale të Malit të Zi apo e ka lënë territorin e këtij shteti.
  26. Edhe nga të dhënat e marra me letërporosi nga Prokuroria për Krime të Rënda prej autoriteteve gjyqësore italiane ka rezultuar se mjeti ujor në fjalë, i regjistruar në emër të z. Orest Sotës në Mal të Zi, më datë 29.07.2017 ka mbërritur në S.M.Leuca duke pasur në bord të tij si kapiten z. Saimir Tahirin, znj. Fatlinda Tahirin, fëmijën D.T, znj. Gentian Çekën, z. Loran Sevin, z. Orest Sotën, z. Evi Robon dhe z. Alban Alian. Në vijim, më datë 19.08.2017 niset për kthim në destinacionin e deklaruar në Mal të Zi, me kapiten z. Saimir Tahirin dhe persona në bord znj. Fatlinda Tahiri, D.T, z. Gentian Çeka, z. Boge Budini dhe znj. Etleva Budini.
  27. I pyetur gjatë hetimit paraprak, shtetasi z. Gentian Çeka, në procesverbalin për marrjen e të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale, datë 09.05.2018, ka pohuar lëvizjen në Itali në Korrik 2017 me mjet lundrues së bashku me të pandehurin z. Saimir Tahiri dhe familjen e tij, ku janë nisur nga Mali i Zi, me ta kanë qenë edhe shtetasit z. Alban Alia, z. Orest Sata, z. Evi Robo dhe z. Loran Sevi, dy të fundit ish punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe bashkimin në Itali me ta edhe të shtetasit z. Boge Budini me bashkëshorten, më pas të shtetasit z. Krenar Canollari me bashkëshorten dhe të prindërve të të pandehurit z. Saimir Tahiri. Në kthim janë nisur me mjetin lundrues nga Leçe për në Malin e Zi, ku mjetin lundrues i pandehuri e ankoroi në breg dhe me automjetet që i kishin lënë të parkuara u kthyen në Shqipëri. Gjithashtu, ai pohon se ka qenë muaji Gusht kur marrë një gomone nga një shtetas me emrin “Gesi”, me të cilin e ka prezantuar Drejtori i Kavalishencës z. Roni Shqiopa, me qëllim që i pandehuri z. Saimir Tahiri, në atë kohë Ministër i Punëve të Brendshme, të udhëtonte me të për të kryer pushimet në Greqi.
  28. Siç konfirmohet nga shkresa nr. 2161/1 prot., datë 09.11.2017, e Gardës së Republikës, në periudhën Qershor 2015 - Prill 2017 shtetasi z. Gentian Çeka ka qenë nënoficer shërbimi dhe shofer me grupin e sigurisë së Ministri i Punëve të Brendshme.
  29. Edhe shtetasi z. Boge Budini, në procesverbalin për marrjen e të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale, datë 19.03.2018, ka konfirmuar lëvizjen në Itali në Gusht 2017 për pushime ku kanë qëndruar atje disa ditë me të pandehurin Saimir Tahiri dhe familjen e tij, prindërit e të pandehurit, shoqëruesin z. Gentian Çeka, Drejtorin e Inspektimit në Ministrinë e Brendshme z. Evi Robo, shoferin e familjes së të pandehurit të quajtur Alban, një punonjës të Ministrisë së Brendshme të quajtur z. Loran Sevi, z. Krenar Canollari me familjen dhe shtetasi z. Orest Sota. Vetë shtetasi z. Boge Budini me bashkëshorten kanë shkuar me automjet dhe traget deri në Itali dhe atje, në Galipoli, është bashkuar me të pandehurin dhe të mësipërmit. Në kthim janë nisur nga Leuca me mjetin lundrues dhe kanë ardhur në Malin e Zi. I pyetur mbi marrëdhënien me ministrin Tahiri, shprehet se nuk ka pasur raport privat, por me prindërit e tij ka krijuar një raport njohje miqësie pasi bënin pushimet te Kavalishenca në Durrës.
  30. Për sa i përket shtetasit z. Orest Sota, përveç lëvizjeve të përbashkëta me mjet lundrues, nga ekspertimi i telefonave celularë të tij (akti i ekspertimit kompjuterik nr. 2475, datë 01.03.2018) si dhe nga këqyrja e DVD-ve me të dhënat e nxjerra nga ekspertimi (procesverbali i këqyrjes së DVD-ve, datë 22.05.2018) rezulton se ai ka foto të përbashkëta me të pandehurin z. Saimir Tahiri në vende dhe ambiente të ndryshme gjatë aktiviteteve të ndryshme të kohës së lirë, ka komunikime telefonike (thirrje dhe sms) me të në aplikacionin “Ëhats App”, ka numrat e telefonit të disa punonjësve të Ministrisë së Brendshme.
  31. Gjithashtu, nga procesverbali për këqyrjen e të dhënave të marra nga Sistemi TIMS, datë 04.12.2017, rezulton se i pandehuri Saimir Tahiri ka disa lëvizje të përbashkëta me shtetasin z. Orest Sota si dhe me automjetet e familjes së tij me targë AA973RX dhe AA101DJ, i pari në emër të shtetasit z. Ardit Sota (vëllai i z. Orest Sota), i dyti në emër të shoqërisë “Ikona” me pronar shtetasin z. Lefter Sota (babai i z. Orest Sota). Po kështu, edhe shoqëruesi i të pandehurit z. Saimir Tahiri, z. Gentian Çeka, ka lëvizje të përbashkëta me automjetin me targë AA718OS në pronësi të shtetasit z. Orest Sota, ndërsa vetë z. Orest Sota ka lëvizje me automjetin me targë MB279AA, etj., këto në vitet 2016-2017.
  32. Për sa i përket shtetasit z. Evi Robo, rezulton se me të pandehurin z. Saimir Tahiri ka lidhje më të hershme se koha e emërimit të këtij të fundit Ministër i Brendshëm dhe e lëvizjeve të mësipërme me mjetin lundrues “Hacci”. Në fashikullin e gjykimit administrohet shkresa nr. FRS/4502/ES, datë 30.10.2017, e shoqërisë Vodafone, me të cilën, mes të tjerave, është dërguar kopja e një shkrese të datës 20.03.2012, me të cilën i pandehuri z. Saimir Tahiri, në cilësinë e Drejtorit Ekzekutiv të Fondacionit “Qernal Stafa” ka paraqitur kërkesë për kalimin nga shoqëria telefonike AMC te shoqëria Vodafone të numrave celularë të tij, të bashkëshortes dhe të shtetasit z. Evi Robo.
  33. Nga verifikimet e kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, për lëvizje të mundshme të përbashkëta mes të pandehurit z. Saimir Tahiri apo familjarëve të tij me të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, z. Florian Habilaj etj., ka rezultuar lëvizja në të njëjtën ditë, në vajtje dhe në kthim, me të njëjtën linjë avioni dhe në të njëjtin vend, e bashkëshortes dhe babait të të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe e të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj. Nga telefonatat e përgjuara rezulton se babai i të pandehurit z. Saimir Tahiri gjendej në Itali në shoqërinë e z. Moisi Habilajt. Këto rrethana rezultojnë nga provat në vijim.
  34. Me procesverbal in për këqyrjen e dokumenteve datë 20.11.2018, është këqyrur në PKK Rinas lista e pasagjerëve që kanë udhëtuar më datë 08.07.2014, në nisje, nga aeroporti i Rinasit, Tiranë, dhe mbërritje Fiumicino, Romë, nëpërmjet linjës së fluturimit “Alitalia”. Rezulton se në këtë datë kanë udhëtuar shtetasit z. Moisi Habilaj (në rreshtin 39), znj. Fatlinda Tahiri (në rreshtin 6) dhe z. Bashkim Tahiri (në rreshtin 5), pra bashkëshortja dhe i ati i të pandehurit z. Saimir Tahiri. Gjithashtu, ata rezultojnë edhe në kthim, më datë 10.07.2014, nga Fiumicino në Rinas me të njëjtën linjë.
  35. Këto rrethana janë konfirmuar më tej nga listat e pasagjerëve të “Alitalia” të datës 08.07.2014 në dalje dhe 10.07.2014 në hyrje, që janë sekuestruar pranë Komisariatit të Policisë Rinas me procesverbalin e sekuestrimit të dokumenteve datë 09.07.2018 dhe këqyrur me procesverbalin për këqyrjen e dokumenteve datë 20.11.2018, si dhe nga biletat e udhëtimit në emër të z. Moisi Habilaj, znj. Fatlinda Tahiri, z. Bashkim Tahiri (nisje datë 08.07.2014, kthim datë 10.07.2014) të dërguara me email më datë 05.07.2018 nga shoqëria “Alitalia” në përgjigje të shkresës nr. 5785 prot., datë 29.06.2018, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.
  36. Po kështu. me procesverbalin e këqyrjes datë 12.06.2018, është këqyrur pasaporta për jashtë shtetit me nr. DA8584578, datë lëshimi 26.04.210, e shtetases znj. Fatlinda Tahiri, nga ku rezultojnë në datat 08.07.2014 dhe 10.07.2014 përkatësisht vulat e daljes dhe hyrjes në PKK Rinas dhe vulat e hyrjes dhe daljes në aeroportin e Fiumicinos, Romë. Të njëjtat vula ndodhen edhe në pasaportën për jashtë shtetit të shtetasit z. Bashkim Tahiri me nr. BE6660238, datë lëshimi 10.12.2010, e këqyrur me procesverbalin datë 19.06.2018 (kopje të fletëve të pasaportave ndodhen bashkëngjitur këtyre procesverbaleve).
  37. Nga përgjimet telefonike të kryera nga autoritetet gjyqësore italiane, të ardhura në përmbushje të letërporosisë së dërguar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ka rezultuar komunikimi telefonik mes të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj me një shtetas të paidentifikuar nga autoritetet italiane që përdorte numrin celular shqiptar 00355695392503 (që rezulton se është në përdorim të shtetasit z. Kujtim Tahiri, ungji i të pandehurit z. Saimir Tahiri, siç do të përmendet edhe më poshtë në vendim) dhe konkretisht:
  • Numri i telefonit i përgjuar 3688040383 në përdorim të z. Moisi Habilaj - Progresive nr. 1203, data 10.07.2014, në orën 09:15, përgjuar si dalëse drejt numrit 00355695392503 në përdorim të një burri të paidentifikuar mirë:

Burri shqiptar merr në telefon Moisiun. Pas përshëndetjeve burri thotë se mori vesh që janë lodhur dhe më pas i pyet nëse e mbaruan punën dhe nëse shkoi mirë. Moisiu i përgjigjet që po.

Më pas Moisiu thotë që ndodhet në dhomë, në shoqërinë e një “Gjiganti/Bashkim” të cilit i kalon menjëherë telefonin.

Më pas vijon biseda mes burrit shqiptar dhe Bashkimit. Gjatë bisedës burri e pyet nëse do të kthehen nesër. Bashkimi i thotë se do të nisen me avionin e orës 21:30 dhe do të arrijnë në Tiranë në orën 23:00.

  1. Nga verifikimet e mëtejshme në lidhje me mënyrën e pagesës së biletave të udhëtimit. ka rezultuar se pagesat e biletave janë bërë “cash” nëpërmjet agjencisë së udhëtimit “Sava Tours” nga znj. Fatlinda Tahiri dhe z. Bashkim Tahiri, ndërsa nga Moisi Habilaj është bërë me kartë krediti nëpërmjet faqes së internetit të shoqërisë “Alitalia”. Me shkresën nr. 31346/1 prot., datë 27.07.2018, të “Credins Barik”, Tiranë, është konfirmuar se karta “Visa Prepaid” (me CV me numër përkatës) është në emër të shtetasit z. Arsen Shpëtim Lilaj nga Vlora.
  2. Nga ana tjetër, nga të dhënat e Sistemit TIMS rezulton se nuk është regjistruar në këtë sistem dalja dhe hyrja e shtetasve znj. Fatlinda Tahiri dhe z. Bashkim Tahiti në datat 08.07.2014 dhe 10.07.2014. Është regjistruar vetëm dalja dhe hyrja e z. Moisi Habilajt në këto data.
  3. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka verifikuar edhe komunikimet telefonike të të pandehurve z. Saimir Tahiri dhe z. Jaeld Çela, të të pandehurve në procedim të lidhur z. Gjergji Kohila, z. Sokol Bode, z. Moisi Habilaj, z. Florian Habilaj, eti., dhe të shtetasve z. Artan Habilaj, z. Orest Sota etj., për periudhën që të dhënat kanë qenë të disponueshme nga shoqëritë celulare (nga fundi i vitit 2015 e në vazhdim). Verifikimi dhe analiza e këtyre komunikimeve është bërë vetëm për ato numra telefonikë që janë arritur të evidentohen gjatë hetimit paraprak.
  4. Nga procesverbalet e këqyrjes së të dhënave telefonike dhe nga procesverbali për këqyrjen dhe analizimin e tabulateve telefonike të procedimit penal nr. 134, të vitit 2016, (dërguar me shkresën nr. 247/1k prot., datë 22.02.2019, të Drejtorisë së Policisë së Shtetit) rezulton se:

I pandehuri z. Saimir Tahiri me dy numrat celularë në përdorim të tij 0682079524 dhe 0682052748:

  • nuk ka pasur komunikime telefonike me ndonjë nga numrat celularë në përdorim të të pandehurve në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, z. Florian Habilaj dhe shtetasit z. Artan Habilaj;
  • ka komunikime të shumta, të ndërsjellta, me të pandehurin z. Jaeld Çela me numrat në përdorim të këtij të fundit 0694102188 dhe 0694683312 (371 komunikime mes numrave 0694102188 - 0682079524, 295 komunikime 0694102188 – 0682052748, 7 komunikime 0694683312 - 0682079524), gjithsej 673 komunikime;
  • ka një komunikim nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Gjergji Kohila me numër celular 0694119551 drejt të pandehurit z. Saimir Tahiri me numër 0682052748;
  • nuk kanë rezultuar komunikime mes numrave telefonikë të të pandehurit z. Saimir Tahiri me numrat e evidentuar të ndonjë prej të pandehurve e tjerë në procedim të lidhur si dhe as me shtetasen znj. Brunilda Alikaj;
  • ka komunikime të shumta, të ndërsjellta, me shtetasin z. Boge Budini me numër celular 0682005336 (214 komunikime 0682005336 - 0682079524, 149 komunikime 0682005336 - 0682052748);
  • ka komunikime të ndërsjellta me shtetasin z. Orest Sota me numrat e këtij të fundit 0692108018 dhe 0662020116 (7 komunikime 0692108018 - 0682079524, 17 komunikime 0692108018 - 0682052748, 20 komunikime 0662020116 - 0682079524, 21 komunikime 0662020116 - 0682052748). Komunikimet e të pandehurit z. Saimir Tahiri me shtetasin z. Orest Sota me numrin 0662020116 i përkasin periudhës 20.02.2016 -03.10.2017.
  1. Sipas shkresës nr. FRS/4377/EP, datë 23.10.2017, të shoqërisë Vodafone Albania, të këqyrur me procesverbalin e datës 17.01.2018, rezulton se numri celular 0682052748 është i regjistruar në emër të shtetasit z. Evi Robo, por përdorej nga i pandehuri z. Saimir Tahiri, fakt që është pohuar edhe prej tij në deklarimet e dhëna gjatë hetimit paraprak, por rezulton edhe nga telefoni i shtetasit z. Orest Sata në të cilin numrat celularë 0682079524 dhe 0682052748 i ka të regjistruar me emrin “Saimir Tahiri” (siç del nga procesverbali përkatës i këqyrjes).
  2. Vërehen komunikime të shumta të të pandehurit z. Saimir Tahiri (0682079524 dhe 0682052748) me numra celularë që kanë komunikime njëkohësisht edhe me të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, z. Florian Habilaj, etj., (të dhëna të pa hetuara më tej gjatë hetimit paraprak). Edhe i pandehuri z. Jaeld Çela ka komunikime të kësaj natyre, megjithatë në numër më të vogël. Kështu rezulton se pandehuri z. Saimir Tahiri me numër 0682052748 ka komunikime të ndërsjellta me numrin celular 0694105081, numër me të cilin:
  • ka komunikime të ndërsjellta edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj me numër 0698888802;
  • ka komunikime edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj me numër 0695441199;
  • ka komunikime edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj me numër 0696525777;
  • ka komunikime të ndërsjellta edhe i pandehuri z. Jaeld Çela me numër 0694102188.
  1. I pandehuri z. Saimir Tahiri me numër 0682052748 ka komunikime të ndërsjellta me numrin celular 0696193921, numër me të cilin:
  • ka komunikime edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj me numër 0698888802;
  • ka komunikime të ndërsjellta edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Florian Habilaj me numër 0693702312;
  • ka komunikime të ndërsjellta edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Nezar Seiti me numër 0698888860;
  • ka komunikime të ndërsjellta edhe shtetasi z. Artan Habilaj me numër 0692055777.
  1. I pandehuri z. Saimir Tahiri me të dy numrat e tij 0682079524 dhe 0682052748 (me numrin 0682079524 komunikimet janë të ndërsjellta) ka komunikime me numrin celular 0692200100, numër me të cilin:
  • ka komunikime edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Armand Koçerri me numër 0694336645;
  • ka komunikime edhe i pandehuri z. Jaeld Çela me numër 0694102188;
  • ka komunikime edhe i pandehuri z. Jaeld Çela me numër 0694683312.
  1. I pandehuri z. Saimir Tahiri me numër 0682052748 ka komunikime të ndërsjellta me numrin celular 0694119567, numër me të cilin:
  • ka komunikime të ndërsjellta edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj me numër 0696525777;
  • ka komunikime edhe shtetasi z. Artan Habilaj me numër 0692055777;
  • ka komunikime të ndërsjellta edhe i pandehuri z. Jaeld Çela me numër 0694683312;
  • ka komunikime edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Sokol Bode me numër 0694116161.
  1. I pandehuri z. Saimir Tahiri me numër 0682079524 ka komunikime të ndërsjellta me numrin celular 0694018979, numër me të cilin:
  • ka komunikime të ndërsjellta edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Florian Habilaj me numër 0692026777;
  • ka komunikime të ndërsjellta edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Florian Habilaj me numër 0693702312;
  • ka komunikime të ndërsjellta edhe shtetasi z. Artan Habilaj me numër 0692055777;
  • ka komunikime edhe shtetasi z. Orest Sota me numër 0662020116.
  1. I pandehuri z. Saimir Tahiri me numër 0682079524 ka komunikime të ndërsjellta me numrin celular 0695403660, numër me të cilin:
  • ka komunikime të ndërsjellta edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj me numër 0695441199;
  • ka komunikime të ndërsjellta edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj me numër 0696525777;
  • ka komunikime edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Florian Habilaj me numër 0693702312.
  1. I pandehuri z. Saimir Tahiri me të dy numrat e tij 0682079524 dhe 0682052748 ka komunikime të ndërsjellta me numrin celular 0682053500, numër me të cilin:
  • ka komunikime të ndërsjellta edhe shtetasi z. Artan Habilaj me numër 0692055777;
  • ka komunikime edhe i pandehuri z. Jaeld Çela me numër 0694102188;
  • ka komunikime edhe shtetasi z. Orest Sota me numër 0662020116.
  1. I pandehuri z. Saimir Tahiri me numër 0682052748 ka komunikime të ndërsjellta me numrin celular 0682327217, numër me të cilin:
  • ka kom un i kime të ndërsjellta i pandehuri z. Jaeld Çela me numër 0698817152:
  • ka komunikime të ndërsjellta shtetasi z. Artan Habilaj me numër 0692055777;
  • ka komunikime shtetasi z. Orest Sota me numër 0662020116;
  • ka komunikime shtetasi z. Orest Sota me numër 0692108018.
  1. Përveç se me numra celularë shqiptarë, vërehen komunikime edhe me numra të përbashkët të huaj, megjithatë nuk është e qartë se çfarë përfaqësojnë këta numra pasi, siç u tha më lart, nuk është kryer ndonjë verifikim në këtë drejtim gjatë hetimit paraprak. Këto komunikime paraqiten si vijon:
  2. I pandehuri z. Saimir Tahiri me numër 0682052748 ka komunikime me numrin telefonik 44753 7410250. numër me të cilin:
  • ka komunikime edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj me numër 0698888802;
  • ka komunikime edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj me numër 0695441199;
  • ka komunikime edhe i pandehuri z. Jaeld Çela me numër 0694683312;
  • ka komunikime edhe shtetasi z. Orest Sota me numër 0692108018.
  1. I pandehuri z. Saimir Tahiri me numër 0682052748 ka komunikime me numrin telefonik 447786205094, numër me të cilin:
  • ka komunikime edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj me numër 0698888802;
  • ka komunikime edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj me numër 0695441199;
  • ka komunikime edhe i pandehuri z. Jaeld Çela me numër 0698817152;
  • ka komunikime edhe shtetasi z. Orest Sota me numër 0692108018.
  1. I pandehuri z. Saimir Tahiri me numër 0682052748 ka komunikime me numrin telefonik 447537410200, numër me të cilin:
  • ka komunikime edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj me numër 0698888802;
  • ka komunikime edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj me numër 0696525777;
  • ka komunikime edhe i pandehuri z. Jaeld Çela me numër 0698817152;

ka komunikime edhe shtetasi Elvis Rexha me numër 0692069230.

  1. Nga shkresa e mësipërme e shoqërisë Vodafone Albania (nr. FRS/4377/EP, datë 23.10.2017) rezulton se në emër të shtetasit z. Evi Robo (ish Drejtor i Inspektimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, sipas deklarimeve të shtetasve të cituar në vendim) është regjistruar edhe numri celular 0692052552. I pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj me numrat 0695441199 dhe 0698888802 ka komunikime të shumta (4 thirrje, 226 sms) të ndërsjellta me shtetasin z. Evi Robo, me numër 0692052552 dhe konkretisht (të dhëna të pa hetuara më tej gjatë hetimit paraprak):
  • 16.04.2016 (e shtunë) - 4 sms z. Evi Robo drejt z. Moisi Habilajt, 6 sms z. Moisi Habilaj drejt z. Evi Robos, në intervalin kohor ora 16:09-20:06;
  • 17.04.2016 (e diel)- 5 sms z. Evi Robo drejt z. Moisi Habilajt, 4 sms z. Moisi Habilaj drejt z. Evi Robos, në intervalin kohor ora 12: 15-17:34;
  • 27.05.2016 (e premte) - 1 thirrje z. Evi Robo drejt z. Moisi Habilajt, ora 18:08;
  • 12.07.2016 (e martë) - 1 sms z. Evi Robo drejt z. Moisi Habilajt, ora 12:43;
  • 13.07.2016 ( e mërkurë) - 12 sms z. Evi Robo drejt z. Moisi Habilajt, 14 sms z. Moisi Habilaj drejt z. Evi Robos, në intervalin kohor ora 11:50-12:07;
  • 15.07.2016 (e premte) - 4 sms z. Evi Robo drejt z. Moisi Habilaj, 6 sms z. Moisi Habilaj drejt z. Evi Robo, në intervalin kohor ora 11:11-11:13;
  • 18.07.2016 (e hënë) - 1 sms z. Moisi Habilaj drejt z. Evi Robos, ora 13:58;
  • 09.08.2016 ( e martë) - 2 sms dhe l thirrje të z. Evi Robos drejt z. Moisi Habilajt, 3 sms z. Moisi Habilaj drejt z. Evi Robos, në intervalin kohor ora 20:05-20:28;
  • 12.08.2016 (e premte) - 22 sms z. Evi Robo drejt z. Moisi Habilajt, 31 sms z. Moisi Habilaj drejt z. Evi Robos, në intervalin kohor ora 15:50-16:41;
  • 04.10.2016 (martë) - 14 sms z. Evi Robo drejt z. Moisi Habilajt, 15 sms z. Moisi Habilaj drejt z. Evi Robos, në intervalin kohor ora 13:17-13:21;
  • 27.10.2016 (e enjte) - 8 sms z. Evi Robo drejt z. Moisi Habilajt, 10 sms z. Moisi Habilaj drejt z. Evi Robos, në intervalin kohor ora 21:28-21:32;
  • 31.12.2016 - 2 sms z. Moisi Habilaj drejt z. Evi Robos, ora 17:42;
  • 01.04.2017 ( e shtunë) - 21 sms z. Evi Robo drejt z. Moisi Habilajt, 32 sms z. Moisi Habilaj drejt z. Evi Robos, në intervalin kohor ora 20:00-20:19;
  • 02.04.2017 ( e diel) - 4 sms z. Evi Robo drejt z. Moisi Habilajt, 6 sms z. Moisi Habilaj drejt z. Evi Robos, në intervalin kohor ora 15:28-15:31;
  • 15.08.2017 (e martë) - 1 thirrje z. Evi Robo drejt z. Moisi Habilajt, 1 thirrje z. Moisi Habilaj drejt z. Evi Robos, në intervalin kohor ora 14:23-14:27.
  1. I pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj ka qenë në territorin shqiptar gjatë këtyre komunikimeve me shtetasin z. Evi Robo, siç rezulton nga të dhënat e Sistemit TIMS, prandaj dy numrat e mësipërm të tij nuk janë përgjuar nga autoritetet gjyqësore italiane ndërkohë që ndodheshin në Shqipëri. Gjithashtu, dy numrat e mësipërm të Moisi Habilajt nuk rezulton nga aktet e fashikullit të kenë qenë në përgjim as nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, të paktën deri kur ka filluar procedimi penal nr. 164, datë regjistrimi 29.04.2017.
  2. Nga prokuroria, gjatë hetimit paraprak, nuk janë evidentuar në mënyrë të veçantë komunikimet e mundshme telefonike mes të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe shtetasit z. Evi Robo.
  3. Me shtetasin z. Evi Robo me numër 0692052552 kanë disa komunikime telefonike edhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Florian Habilaj, me numër 0692026777, dhe shtetasi z. Artan Habilaj me numër 0692055777:
  • 31.12.2015 - 1 sms z. Evi Robo drejt z. Artan Habilajt, 2 sms z. Artan Habilaj drejt z. Evi Robos, ora 19:29;
  • 05.03.2016 (e shtunë) - 1 thirrje z. Artan Habilaj drejt z. Evi Robos, ora 21:05;
  • 28.10.2016 (e premte) - 2 thirrje z. Florian Habilaj drejt z. Evi Robos, interval i kohor 17:01-17:05;
  • 31.12.2016 - 2 sms z. Florian Habilaj drejt z. Evi Robos, ora 20:22.
  1. I pandehuri z. Jaeld Çela ka komunikime të drejtpërdrejta me të pandehurin në procedim të lidhur z. Florian Habilaj. Kështu, i pandehuri z. Jaeld Çela, me numër 0698817152, më datë 28.01.2016, ora 00:13:05, ka telefonuar të pandehurin në procedim të lidhur z. Florian Habilaj me numër 0692026777, bisedë që ka zgjatur 37 sekonda (z. Jaeld Çela ka qenë me vendndodhje të antenës telefonike GJELI-SE), ndërsa z. Florian Habilaj, me numër 0692026777, i ka dërguar një mesazh sms të pandehurit z. Jaeld Çela më datë 31.12.2016.
  2. I pandehuri z. Jaeld Çela, me numra celularë 0698817152 dhe 0694683312, ka pasur komunikime të , për periudhën 16.05.2016 - 12.06.2017, me shtetasin z. Orest Sota me numër 0662020116 (64 komunikime).
  3. I pandehuri z. Jaeld Çela, me numër 0698817152, ka pasur komunikime të ndërsjellta me shtetasin z. Gentian Çeka, me numër 0698883788, shoferi i ish Ministrit të Punëve të Brendshme z. Saimir Tahiri (10 komunikime në periudhën 21.12.2015-16.10.2017, ku komunikimi i fundit është më datë 16.10.2017, ora 21:53, me vendndodhje Liqeni i Tiranës, datë që përkon me publikimin e njoftimeve nga media për arrestimin në Itali të shtetasve z. Moisi Habilaj, z. Maridian Sulaj, etj.).
  4. I pandehuri në procedim të lidhur z. Sokol Bode, me numër 0694116161, ka komunikime të ndërsjellta me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, me numër 0696525777 (12 komunikime në periudhën 21.04.2017-16.08.2017).
  5. I pandehuri në procedim të lidhur z. Sokol Bode, me numër 0694116161, ka komunikime me shtetasin z. Artan Habilaj me numër 0692055777 (4 komunikime në datë 09.03.2017 dhe 08.07.2017).
  6. I pandehuri në procedim të lidhur z. Sokol Bode, me numër 0666686888, ka komunikime me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, me numër 0695441199 (3 komunikime në datat 16 dhe 19.12.2016).
  7. I pandehuri në procedim të lidhur z. Sokol Bode, me numër 0699418888, ka komunikime të shumta të ndërsjellta me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, me numër 0698888802 (113 komunikime me sms dhe thirrje në periudhën 30.10.2015-16.10.2016).
  8. I pandehuri në procedim të lidhur z. Sokol Bode, me numër 0666686888, ka komunikime të ndërsjellta me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, me numër 0696525777 (32 komunikime në periudhën 25.12.2016-11.09.2017).
  9. I pandehuri në procedim të lidhur Sokol Bode, me numër 0666686888, ka komunikime të ndërsjellta me të pandehurin në procedim të lidhur z. Florian Habilaj, me numër 0692026777 (16 komunikime në periudhën 16.12.2016-03.10.2017).
  10. I pandehuri në procedim të lidhur z. Sokol Bode, me numër 0666686888, ka komunikime të ndërsjellta me shtetasin z. Artan Habilaj, me numër 0692055777 (14 komunikime në periudhën 06.12.2016-28.09.2017).
  11. Shtetasi z. Artan Habilaj, me numër 0692055777, ka komunikime me sms me shtetasin z. Elvis Rexha, me numër 0692069230, më datë 31.12.2015 (Artani ka nisur drejt tij dy sms. ndërsa ai drejt Artanit tre sms).
  12. Shtetasi z. Artan Habilaj, me numër 0692055777, ka një komunikim më të pandehurin në procedim të lidhur z. Gjergji Kohila me numër celular 0693531437 (i ka dërguar një sms këtij të fundit më datë 16.07.2016, ora 18:53).
  13. Shtetasi z. Gentian Çeka, me numër 0698883788, ka komunikime të shumta të ndërsjellta me shtetasin z. Orest Sota, me numër 0692108018 (178 komunikime me thirrje dhe sms në periudhën 25.10.2016-29.10.2017).
  14. Me datë 27.10.2017 është pyetur me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime z. Saimir Tahiri ai ka deklaruar se është i pafajshëm për secilën nga akuzat që i kundrejtohet, se nuk ka asnjë lidhje me akuzat dhe personat të cilët rezultojnë të dyshuar nga prokuroria dhe me veprimtarinë e tyre kriminale sipas akuzave. Ai ka deklaruar se ka lidhje farefisnore shumë të largët me z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj dhe se nuk kujton të ketë pasur ndonjëherë njohje personale me secilin prej tyre. Edhe për shtetasin z. Artan Habilaj ka sqaruar se ka lidhje shumë të largët farefisnore dhe se mund ta ketë takuar nja dy herë vite më përpara por se nuk i kujtohet ekzaktësisht. I pyetur lidhur me automjetin Audi A8 me targa AA 003 GB, ai ka deklaruar se ka pasur një procedim penal lidhur me këtë mjet nga prokuroria e Fierit nr. 1582, datë 29.12.2015 dhe në përfundim të së cilit është vendosur pushimi i çështjes penale dhe se me detaje në këtë fashikull hetimi janë të administruara të gjitha shpjegimet dhe rrethanat lidhur me këtë çështje. I pandehuri ka kërkuar që të administrohet kjo dosje penale zyrtarisht nga ana e prokurorisë në procedimin penal që zhvillohej kundër tij. I pandehuri ka deklaruar se, gjatë kohës që ka qenë Ministër i Brendshëm, ka përdorur dy numra telefoni, konkretisht 0682079524, të cilin e ka pasur para se të merrte detyrën dhe e ka pasur numër personal, dhe 0682052748, të cilin e ka pasur në përdorim si numër zyre dhe pune dhe se edhe këtë numër e ka pasur para se të merrte detyrën dhe se e ka përdorur për të përmbushur detyrat në çdo funksion që ka pasur. Ai ka sqaruar se ky numër përdorej edhe nga ndihmësit dhe stafi i tij për përmbushje të funksioneve të tij (shih fashikullin nr. 53).
  15. Në procedimin penal nr. 1582, datë regjistrim i 30.10.2015, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, të regjistruar për veprën penale “Zbulimi i akteve ose i të dhënave sekrete”, të parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal, mes të tjerëve është pyetur si deklarues edhe shtetasi z. Artan Habilaj lidhur me rrethanat e shitjes dhe përdorimit të automjetit me targë AA003GB. Aktet e këtij procedimi penal janë marrë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë dhe janë administruar si prova në fashikullin e këtij gjykimi. Ky procedim është pushuar me vendimin datë 29.12.2015 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.
  16. Shtetasi z. Kujtim Tahiri rezulton nga aktet e fashikullit gjyqësor se ka ndërmjetësuar edhe një takim mes të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe shtetasit z. Artan Habilaj në Shtator të viti 2017. Nga përgjim i numrit telefonik 0692055777, të shtetasit z. Artan Habilaj, i kryer në kuadër të Procedimit Penal nr. 134, të vitit 2016, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, rezulton se më datë 17.09.2017 shtetasi Kujtim Tahiri, me numër telefonik 0695392503, telefonon shtetasin z. Artan Habilaj, me numër 0692055777, dhe i thotë se kërkonte ta takonte personi të cilin e identifikon me emrin e fëmijës së personit dhe mbiemrin “i madh”. Në citimin e mëposhtëm gjykata jep vetëm inicialet e emrit të fëmijës së të pandehurit z. Saimir Tahiri, për shkak se është i mitur, por në përgjim emri përmendet i plotë.

Bisedat paraqiten si vijon:

  • Datë 17.09.2017, ora 18:38:30, z. Kujtim Tahiri, me numër 0695392503, telefonon z. Artan Habilajn, me numër 0692055777:

503 - Ku je?

777 - Në punë. Ça kishe vlla?

503 - Më tha ai “D ... i madh”, nqs vjen ai që sjell vajzën në Durrës thuaj të vijë të më

takojë mua deri atje, po qe se vjen.

777 - Po thuaj është urgjent të vete sot, apo të vete nesër?

503 - Ja ta pyes.

777 - Okej vlla.

  • Datë 17.09.2017, ora 19:00:04. Artan Habilaj, me numër 0692055777, telefonon Kujtim Tahirin, me numër 0695392503:

503 - S’ka problem dhe nesër tha.

777 - Okej në rregull.

503 - Po t’ishte afër kishim ashtu tha ....

777 - Ti do të vish naj xhiro nesër? Vemi bashkë ...

503 - Nuk e di, flasim nesër.

777 - Okej çao çao ...

  • Datë 18.09.2017, ora 20:01:11, Artan Habilaj, me numër 0692055777, telefonohet nga një shtetas i paidentifikuar me numër telefonik 0692286554:

777 - Hë mo shef!

554 - Se më dërguan nja katër fotografi. Ku ishit në ça vendi?

777 - Aty në Tiranë, te ai ... te kunati i shokut Xhemat ...

554 - Po me ça rasti?

777 - Po jo mo, kisha një punë unë dhe ika me Kujtimin se unë nuk kisha patent dhe vajtëm bashkë.

  1. Siç rezulton nga përgjimi i fundit, të nesërmen e takimit, z. Artan Habilaj, në një bisedë të kryer me një person të paidentifikuar, konfirmon takimin në fjalë ku kishte qenë me z. Kujtim Tahiri në Tiranë.

 

  1. PROCEDURAT GJYQËSORE, APELET DHE PARASHTRIMET

 

  1. Në seancën paraprake, të pandehurit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela kanë paraqitur kërkesë për gjykim të shkurtuar, i pari personalisht ndërsa i dyti nëpërmjet mbrojtësve me tagër të posaçëm për këtë qëllim. Kërkesa për gjykim të shkurtuar u konfirmua edhe në seancën gjyqësore të zhvilluar pranë gjykatës së shkallës së parë nga i pandehuri Saimir Tahiri personalisht, ndërsa për të pandehurin Jaeld Çela u konfirmua nga mbrojtësit e zgjedhur, të cilët kishin tagër të posaçëm për këtë qëllim. I pandehuri Saimir Tahiri, mbrojtësit e tij si dhe mbrojtësit e të pandehurit Jaeld Çela nuk patën as pretendime për pavlefshmëri aktesh, për papërdorshmëri provash apo kërkesë për marrje provash të tjera.
  2. Para se të dispononte për kërkesën për gjykim të shkurtuar gjykata e shkallës së parë konstatoi se në fashikullin e gjykimit ndodheshin, mes të tjerave, procesverbalet e marrjes në pyetje në Itali të të pandehurve në procedim të lidhur Moisi Habilaj, Maridian Sulaj dhe Nezar Seiti, konkretisht: procesverbali i marrjes në pyetje të personit nën hetim Moisi Habilaj, datë 30.05.2018, ora 09:55; procesverbali i marrjes në pyetje të personit nën hetim Nezar Seiti, datë 29.05.2018, ora 12:00; procesverbali i marrjes në pyetje të personit nën hetim Maridian Sulaj, datë 01.02.2018, ora 16:20; procesverbali i marrjes në pyetje të personit nën hetim Maridian Sulaj, datë 29.05.2018, ora 10:35. Në fashikull këto procesverbale ishin në gjuhën në të cilën ishin kryer, në gjuhën italiane, por mungonin përkthimet e tyre në gjuhen shqipe. Referuar nenit 332/ë, pika 4, të Kodit të Procedurës Penale, mbi vërejtjen e gjykatës, prokuroria paraqiti në seancë gjyqësore përkthimet në gjuhën shqipe të këtyre procesverbaleve, të cilat u bënë pjesë e fashikullit të gjykimit.
  3. Në vijim, gjykata e shkallës së parë, duke vlerësuar se nuk kishte akte të pavlefshme apo prova të papërdorshme dhe duke çmuar se çështja mund të zgjidhej në gjendjen që ishin aktet, bazuar në nenet 403 dhe 405 të Kodit të Procedurës Penale, pranoi kërkesën e të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela për gjykim të shkurtuar të çështjes penale në ngarkim të tyre. Në këtë mënyrë dosja e hetimit paraprak u kthye në dosje gjyqësore dhe vendimi përfundimtar mbështetet mbi provat e mbledhura gjatë fazës së hetimit paraprak (përfshirë edhe përkthimet e procesverbaleve që u përmendën më lart) dhe ato të paraqitura në seancë paraprake.
  4. Në përfundim të gjykimit të zhvilluar me ritin e shkurtuar, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr. 60, datë 19.09.2019, ka vendosur:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Saimir Tahiri për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

- Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Samir Tahiri për veprën penale të “Grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, pasi nuk provohet që i pandehuri e ka kryer veprën penale që akuzohet, bazuar në nenin 388, pika 1, germa “d” të Kodit të Procedurës Penale.

- Në bazë të nenit 406 paragrafi i parë të Kodi i Procedurës Penale, të pandehurit Saimir Tahiri, për shkak të gjykimit të shkurtuar, i ulet një e treta e dënimit me burgim dhe dënohet përfundimisht me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim.

- Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i vuajtjes së dënimit me burgim për të pandehurin Saimir Tahiri dhe vënien e tij në provë për një afat prej 3 (tre) vjet, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale, duke urdhëruar që i pandehuri të mbajë kontakte me shërbimin e provës.

- Heqjen e të drejtës të pandehurit Saimir Tahiri për të ushtruar funksione publike, për një kohë prej 3 (tre) vjet, bazuar në nenin 35 paragrafi i dytë të Kodit Penal, zbatimi i të cilit fillon me marrjen formë të prerë (i ekzekutueshëm) të këtij vendimi, meqenëse është pezulluar vuajtja e dënimit me burgim.

2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Jaeld Çela për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, të parashikuara nga nenet 283/a paragrafi i parë, neni 28 pika “4” dhe 334 paragrafi i parë të Kodit Penal, lidhur me:

- Episodin ku është sekuestruar sasia prej 1650 kg lëndë narkotike “cannabis sativa”, në Augusta, Itali, më datë 25.10.2013;

- Episodin ku është sekuestruar sasia prej 289,7 kg lëndë narkotike “cannabis sativa”, në Palagonia, Itali, më datë 27.02.2014;

- Episodin ku është sekuestruar sasia prej 293,5 kg lëndë narkotike “cannabis sativa”, në Katania, Itali, më datë 29.07.2014;

pasi nuk provohet që i pandehuri e ka kryer veprën penale që akuzohet, bazuar në nenin 388, pika ‘1’, germa ‘d’ të Kodit të Procedurës Penale.

- Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Jaeld Çela për veprën penale të “Grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, pasi nuk provohet që i pandehuri e ka kryer veprën penale që akuzohet, bazuar në nenin 388, pika 1, germa “d” të Kodit të Procedurës Penale.

- Deklarimin fajtor të të pandehurit Jaeld Çela për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

- Në bazë të nenit 406 paragrafi i parë të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Jaeld Çela, për shkak të gjykimit të shkurtuar, i ulet një e treta e dënimit me burgim dhe dënohet përfundimisht me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim.

- Vuajtja e dënimit të pandehurit i fillon nga data e ekzekutimit të vendimit dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

- Heqjen e të drejtës të pandehurit Jaeld Çela për të ushtruar funksione publike, për një kohë prej 3 (tre) vjet, bazuar në nenin 35 paragrafi i dytë të Kodit Penal, zbatimi i të cilit fillon pas vuajtjes së dënimit me burgim.

3. Provat materiale të bashkuara me fashikullin gjyqësore (sipas urdhrit përkatës të prokurorit datë 08.03.2019) të mbeten në funksion të procedimit penal të ndarë në ngarkim të të pandehurve në procedim të lidhur Gjergji Kohila dhe Sokol Bode”.

4. Shpenzimet procedurale, sipas llogaritjeve përkatëse nga sekretaritë e prokurorisë dhe gjykatës, u ngarkohen të pandehurve solidarisht.

5. Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Tiranë, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e shpalljes.

  1. Në marrjen e këtij vendimi Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, në mënyrë të përmbledhur, ka arsyetuar si më poshtë:

Në përgjigje të qëndrimit të të pandehurit Saimir Tahiri dhe mbrojtësit të tij, sipas të cilëve duhen njohur efektet e parimit “ne bis in idem” për shkak të vendimit të mësipërm të Gjykatës së Katanias dhe për pasojë çështja penale ndaj të pandehurit Saimir Tahiri duhet pushuar bazuar në nenet 328 pika 1 gërma “e” dhe 387 të K.Pr.Penale, kjo gjykate vlerëson se në rastin në gjykim nuk gjen zbatim parimi “ne his in idem” (mosgjykimi dy herë për të njëjtën vepër penale) për të pandehurin Saimir Tahiri pasi vendimi i pushimit i dhënë nga gjyqtari i hetimit paraprak pranë Gjykatës së Katanias nuk është vendim përfundimtar i formës së prerë në kuptimin e të qenit “gjë e gjykuar” dhe, së dyti, vepra penale e trafikimit të narkotikëve është kryer edhe në territorin shqiptar për të cilën zbatohet ligji penal shqiptar, e lidhur kjo edhe me parashikimet e Konventës Evropiane për Vlefshmërinë Ndërkombëtare të Gjykimeve Penale, të ratifikuar me ligjin nr. 9068. datë 15.05.2003.

Argumentet e detajuara për këtë qëndrim të gjykatës paraqiten si vijon:

Parimi “ne bis in idem” sanksionohet në nenin 34 të Kushtetutës, i cili parashikon: “Askush nuk mund të dënohet me shume se një herë për të njëjtën vepër penale dhe as te gjykohet sërish, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga një gjykatë më e lartë, sipas mënyrës së parashikuar me ligj”. Ky parim sanksionohet gjithashtu në disa akte ligjore ndërkombëtare të cilat, me ligjet përkatëse, janë bërë pjesë e legjislacionit tonë të brendshëm, si Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (neni 14/7) dhe Protokolli 7 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (neni 4).

Dispozitat e mësipërme kushtetuese dhe ato të akteve ndërkombëtare reflektohen drejtpërdrejt, me të njëjtën përmbajtje, edhe në nenin 7 të K.Pr.Penale, i cili parashikon: “Askush nuk mund të gjykohet rishtas për të njëjtin fakt penal, për të cilin është gjykuar me vendim të formë së prerë, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga gjykata kompetente.

Sipas këtij parimi, kur një person është gjykuar për një fakt dhe është dënuar apo liruar nga akuzat në lidhje me të, nuk mund të ndiqet penalisht dhe as të gjykohet përsëri për të njëjtin fakt. Dhënia e një vendimi përfundimtar dënimi apo pafajësie ndaj një personi i pengon në të ardhmen organet e drejtësisë së atij vendi që të fillojë ndjekjen penale, të gjykojnë apo të dënojnë përsëri të njëjtin person për të njëjtin fakt penal.

Parimi “ne bis in idem” është pjesë e të drejtës kushtetuese të çdo personi për të pasur një proces të drejtë dhe të rregullt ligjor, siç përcakton neni 42 i Kushtetutës. Respektimi i këtij parimi është një nga elementet, krahas të tjerave, që garantojnë procesin e rregullt ligjor. Gjithashtu, ky parim është pjesë përbërëse e parimit të sigurisë juridike, shkelja e të cilit cënon shtetin e së drejtës. Sipas Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut “një ndër aspektet themelore të (shtetit të së drejtës) ... është parimi i sigurisë ligjore, i cili kërkon ndërmjet të tjerash, se kur gjykatat kanë vendosur përfundimisht për një çështje, vendimi tyre nuk duhet të vihet ne pikëpyetje” (vendimi Xheraj kundër Shqipërisë, datë 29 korrik 2008, i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut).

...

Ka disa aspekte që duhen trajtuar në lidhje me kuptimin dhe zbatimin e parimit “ne bis in idem”.

Mosgjykimi dy here i një personi për të njëjtën vepër penale do të thotë mosgjykimi i tij dy herë për të njëjtin fakt, “veprim” ose “mosveprim”, që përbën veprën penale konkrete. Veprimi ose mosveprimi mund të mos përbehet nga një akt i vetëm, por edhe nga disa akte të lidhura me njëra-tjetrën që së bashku përbejnë “veprimin” ose “mosveprimin” që ligji e parashikon si vepër penale.

Vendimi penal për efekt të zbatimit të parimit “ne bis in idem”, duhet të jetë përfundimtar dhe të mos jetë i ndryshueshëm me rrugët e zakonshme të ankimit, pra duhet të jetë i formës së prerë në kuptimin e “gjësë së gjykuar” (res judicata). Këtë qëndrim ka mbajtur Gjykata Evropiane e tě Drejtave të Njeriut në vendimin e sipërpërmendur kur është shprehur se “një vendim është përfundimtar nëse, sipas shprehjes tradicionale, ai ka marrë fuqi res judicata. Ky është rasti kur vendin është i pakthyeshëm, pra kur nuk ka mjete të tjera të disponueshme ose kur palët i kanë shfrytëzuar këto mjete ose kane lejuar skadimin e afatit kohor pa i përdorur ato”.

Vendimi unifikues penal nr. 2, datë 03.11.2014, i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Larte ka bërë dallimin mes vendimit penal të formës së prerë në kuptimin e të qenit “i ekzekutueshëm” dhe vendimit penal të formës se prerë në kuptimin e të qenit “gjë e gjykuar” (res judicata). Në rastin e parë bëhet fjalë për vendimet e gjykatës se apelit të cilat janë të formës së prerë në kuptimin që ato mund të vihen në ekzekutim nga prokurori, por nuk janë përfundimtare për çështjen pasi ekziston mundësia e rekursit (si mjet i zakonshëm ankimi) në Gjykatën e Lartë, e cila ka të drejtë të ndryshojë vendimin e gjykatës se apelit edhe në lidhje me zgjidhjen e çështjes në themel. Vendime të formës së prerë në kuptimin e gjësë së gjykuar janë vendimet e gjykatës së shkallës së parë ose të gjykatës së apelit kur nuk është paraqitur ankim nga palët brenda afatit ligjor ose kur Gjykata e Lartë, mbi rekursin e paraqitur nga palët, ka vendosur sipas neneve 433 ose 441 te K.Pr.Penale që parashikojnë përkatësisht të gjitha mënyrat e disponimit prej Gjykatës së Lartë, por me përjashtim të rastit të prishjes së vendimit dhe kthimit te çështjes për rigjykim sipas nenit 441 gërma “c” të K.Pr.Penale.

Në raste përjashtimore lejohet gjykimi i një personi për të njëjtën vepër penale edhe kur vendimi ka marrë formë të prerë. E para është kur palët kërkojnë rivendosjen e afatit të ankimit, sipas nenit 420/1 të K.Pr.Penale, ndaj një vendimi që ka marrë forme të prerë pasi ato nuk kanë paraqitur ankim brenda afatit ligjor në gjykatën me të lartë. Hapja e gjykimit të çështjes mbi bazën rivendosjes së afatit të ankimit nuk përben shkelje të parimit të gjësë së gjykuar pasi është një procedurë që, sikurse e lejojnë edhe dispozitat e sipërcituara të Kushtetutës dhe te K.Pr.Penale, vetë ligji e ka parashikuar. Edhe Gjykata Evropiane e te Drejtave të Njeriut ne vendimin e sipërpërmendur ka konkluduar se rivendosja e afatit të ankimit dhe gjykimet e zhvilluara pas rivendosjes nuk shkelin parimin “ne bis in idem”, duke arsyetuar: “Legjislacioni shqiptar i lejonte në atë kohe dhe i lejon ende dhe sot secilës prej palëve në proces penal të kërkojë rivendosje në afat, kur plotësohen kushtet e parashikuara ne nenin 147§1 të KPP-së” ... Gjykata përfundon se për qëllime të parimit të “ne bis in idem” qëllimi i lejes për rivendosje në afat përbënte një përpjekje për të rihapur proceset e mëparshme dhe jo një “gjykim të dytë”. Ajo vijon me tej duke thënë se nuk ka pasur shkelje te nenit 4 të protokollit nr 7 te Konventës.” E dyta është rishikimi i vendimit penal të formës se prerë, sipas nenit 450 te K.Pr.Penale. Rishikimi, sikurse edhe rivendosja e afatit të ankimit, është mjet juridik i jashtëzakonshëm mbrojtje. Rishikimi i vendimit gjyqësor nuk cënon parimin “ne bis in idem” pasi, referuar praktikës unifikuese të Gjykatës së Lartë, në kërkesën për rishikim “objekt i shqyrtimit gjyqësor ... është nëse vendimi i formës së prerë ka rezultuar i “padrejtë” për shkaqe të jashtme, të panjohura për gjykatën në momentin e vendimmarrjes dhe se “qëllimi i kërkesës për rishikim, është pikërisht rihapja e një procesi gjyqësor të mbyllur tashmë” (vendim unifikues penal nr. 2, date 03.11.2014, i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë), procedurë që lejohet nga dispozitat kushtetuese dhe ajo e K.Pr.Penale, në përputhje edhe me aktet ndërkombëtare

Ne kontekstin ndërkombëtar, në kuadrin e ndjekjeve penale nga autoritetet e drejtësisë të më shumë se një shteti, kuptimi dhe zbatimi i parimit “ne bis in dem” paraqet disa specifika.

Kodi ynë Penal, për veprat penale të kryera nga shtetasit shqiptarë brenda vendit, në nenin 6 paragrafi i parë parashikon: “Për vepra penale të kryera nga shtetas shqiptare brenda territorit të Republikës së Shqipërisë zbatohet ligji penal i Republikës së Shqipërisë”, ndërsa për veprat penale të kryera nga shtetasit shqiptarë jashtë vendit, në nenin 6 paragrafi i dytë parashikon: “Ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe për shtetasin shqiptar që kryen krim në territorin e një shteti tjetër, kur krimi është njëkohësisht i dënueshëm dhe derisa nuk është dhënë për të një vendim përfundimtar nga një gjykatë e huaj”. Pra, parimi i përgjithshëm sipas Kodit tonë Penal është se kur shtetasit shqiptarë kryejnë vepra penale brenda territorit shqiptar ato përgjigjen sipas ligjit penal shqiptar, ndërsa kur kryejnë vepra penale jashtë territorit shqiptar përgjigjen sipas ligjit penal shqiptar vetëm nëse nuk janë gjykuar me vendim përfundimtar nga gjykata e vendit ku është kryer vepra penale. Çështja në pamje të parë duket e qartë, por situata nuk është e njëjtë kur vepra penale është kryer në territorin e më shumë se një shteti, ose kur personi, megjithëse është dënuar nga gjykata e huaj për veprën penale të kryer në territorin e atij shteti, është gjykuar në mungesë apo ka ikur dhe nuk e ka vuajtur apo shlyer dënimin e dhënë.

Vlefshmëria e vendimeve gjyqësore të dhëna nga autoritetet gjyqësore të një shteti tjetër dhe mënyra e zbatimit të parimit “ne bis in idem” parashikohet në Konventën Evropiane për Vlefshmërinë Ndërkombëtare të Gjykimeve Penale dhe në Konventën Evropiane për Transferimin e Procedimeve në Çështjet Penale, të dyja të ratifikuara nga vendi ynë, të cilat kanë dispozita të njëjta në këtë pikë, përkatësisht nenet 53-55 dhe 35-37 (në vijim do të referohen vetëm dispozitat e Konventës Evropiane për Vlefshmërinë Ndërkombëtare të Gjykimeve Penale, që në vijim do të quhet Konventa).

Sipas Raportit Shpjegues të Konventës, në kontekstin ndërkombëtar, ndryshe nga ai kombëtar, parimi “ne bis in idem” nuk është njohur përgjithësisht. Shteti në të cilin është kryer vepra penale nuk mund të pengohet që të ndjekë penalisht çështjen vetëm për shkakun se e njëjta vepër penale është ndjekur penalisht edhe në një shtet tjetër. Ky qëndrim rrjedh nga konsiderata se e drejta e ndjekjes penale për veprat penale të kryera në territorin e tij konsiderohet si pjesë e sovranitetit të çdo shteti. Edhe nga pikëpamja procedurale, mbledhja e provave mund të bëhet më mirë në shtetin ku është kryer vepra penale dhe aty ka më shumë mundësi që përfundimi i procedimit penal të jetë i suksesshëm, ndryshe nga një vend tjetër ku nuk është kryer vepra penale dhe procedimi penal, për mungesë provash, mund të mos përfundojë në mënyrë të suksesshme. Një vendim i tillë i dhënë në shtetin ku nuk është kryer vepra penale kurrsesi nuk mund të pengojë autoritetet e shtetit ku është kryer vepra penale për të proceduar penalisht të njëjtën vepër penale. Neni 53 i Konventës parashikon zbatimin e parimit “ne bis in idem” në rastet e gjykimeve penale evropiane dhe njëkohësisht edhe rastet e mosnjohjes së pasojave të këtij parimi dhe konkretisht:

“1. Një person, ndaj të cilit është zhvilluar një gjykim penal evropian, nuk mund të procedohet, gjykohet apo të behet objekt ekzekutimi i një sanksioni në një shtet tjetër palë për të njëjtin fakt kur:

a) ai është shpallur i pafajshëm;

b) sanksioni i vendosur;

i) është ekzekutuar plotësisht ose është duke u ekzekutuar;

ii) është objekt i një faljeje ose amnistie në tërësinë e tij ose për pjesën e paekzekutuar;

iii) nuk mund të ekzekutohet më, pasi është parashkruar;

c) gjykata konstaton fajësinë e autorit, por nuk vendos ndonjë sanksion.

2. Sidoqoftë, një shtet palë nuk është i detyruar, përveçse, kur ai vetë ka kërkuar procedimin, të njohë pasojat e “ne bis in idem”, nëse veprimi që i dha shkas gjykimit është drejtuar kundër ndonjë personi, institucioni ose sendi që ka karakter publik në këtë shtet ose nëse personi objekt i gjykimit kishte nje karakter publik në këtë shtet.

3. Gjithashtu, çdo shtet palë në të cilin është kryer veprimi ose është konsideruar i tillë në përputhje me legjislacionin e atij shteti, nuk është i detyruar të njohe pasojat e “ne bis in idem” përveçse, kur ky shtet ka kërkuar procedimin.”

Në thelb, rregullimi që bën më sipër Konventa është se vendimet penale evropiane asnjëherë nuk kanë efektin e “ne bis in idem” në lidhje me shtetin ku është kryer vepra penale ose në rastet e veprave penale specifike të drejtuara kundër interesave të caktuara të një shteti, në lidhje me këtë të fundit. Por, pavarësisht nga këto, në qoftë se një shtet ka kërkuar në shtetin tjetër procedimin e veprës penale atëherë ai në çdo rast duhet të njohë rezultatin e procedimit të nisur me kërkesën e tij në shtetin tjetër dhe pasojat e “ne bis in idem”. Kur nuk janë asnjë nga këto situata të veçanta, pra kryesisht në rastet kur vendimi është dhënë në shtetin ku është kryer vepra penale, atëherë vendimi i pafajësisë ose vendimi i fajësisë kur dënimi është ekzekutuar në rrugë normale, ose kur megjithëse i pandehuri është gjetur fajtor nuk i është caktuar ndonjë dënim, do të ketë efektin e “ne bis in idem” në lidhje me shtetet e tjera.

Konventa ka parashikuar në nenin 1 gërma “a” se me vendim penal evropian duhet të kuptohet çdo vendim përfundimtar i dhënë nga një gjykatë penale e një shteti kontraktues si rezultat i procedimit penal. Pra, vendimi penal duhet të ketë marrë formën e gjësë së gjykuar, siç u shpjegua më lart.

Si përfundim, aplikimi i parimit “ne bis in idem” nuk është i njëjtë në rastet e gjykimeve penale të zhvilluara në shtete të ndryshme, sikurse në rastet e gjykimeve penale brenda vendit, për arsye të kufizimeve të parashikuara në nenin 53 të Konventës Evropiane për Vlefshmërinë Ndërkombëtare të Gjykimeve Penale (dhe në nenin 35 të Konventës Evropiane për Transferimin e Procedimeve në Çështjet Penale). Njohja ose jo e efekteve “ne bis in idem” të vendimeve gjyqësore penale të huaja duhet zgjidhet rast pas rasti, sipas çdo çështje konkrete, duke analizuar me kujdes rrethanat konkrete sipas kritereve të përcaktuara në dispozitat e Konventave evropiane të mësipërme, përveç rasteve kur vetë ligji i brendshëm ose marrëveshje të mundshme dypalëshe të parashikojnë dispozita më të zgjeruara.

Në rastin e të pandehurit Saimir Tahiri, vendimi pushimit të çështjes penale i dhënë nga Gjykata e Katanias më datë 03.10.2018 nuk është vendim i formës së prerë në kuptimin e të qenit “gjë e gjykuar”. Vendimi është marrë nga gjyqtari i hetimit paraprak në bazë të neneve 409-411 të Kodit italian të Procedurës Penale. Ai është i ndryshueshëm/revokueshëm po me vendim te gjyqtarit të hetimit paraprak mbi kërkesën e prokurorit, nëse del nevoja për hetime te reja, bazuar kjo në nenin 414 të Kodit italian të Procedurës Penale. Fakti që vendimi i pushimit është dhënë nga gjykata nuk ka ndonjë rëndësi në këtë drejtim për sa kohë ai është i revokueshëm nëpërmjet një mjeti procedural të zakonshëm (kërkesa për rihapjen e hetimeve apo kërkesa për revokim). I njëjti rregullim procedural gjendet edhe në Kodin tonë te Procedurës Penale, me ndryshimin që sipas ligjit tonë vendimin e pushimit dhe atë të revokimit të tij e merr gjyqtari i seancës paraprake, jo gjyqtari i hetimit paraprak.

Nga ana tjetër, vepra penale e trafikimit të narkotikëve për nga natyra e saj është vepër penale transnacionale. Vendimi unifikues penal nr. 3, datë 24.01.2011, i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, e ka sqaruar qartë kuptimin e kësaj vepre penale dhe natyrën transnacionale të saj. Edhe vepra penale konkrete e trafikimit te narkotikëve për të cilën akuzohet i pandehuri Saimir Tahiri ka filluar në territorin e shqiptar dhe ka përfunduar në territorin italian, pra është kryer në territorin e të dy shteteve. E rëndësishme në këtë rast është se ajo është kryer edhe në territorin shqiptar dhe shteti ynë, në ushtrim të sovranitetit të tij, ka të drejtë të ndjekë penalisht veprat penale të kryera në territorin e vet. Ushtrimi i ndjekjes penale në shtetin ku është kryer vepra penale lejon edhe mundësinë e mbledhjes së provave qe gjenden këtu, të cilat mund të mos jenë marrë gjatë hetimit në shtetin e tjetër (siç do të përmenden edhe më poshtë në vendim).

Marrëveshjet dypalëshe të lidhura mes Shqipërisë dhe Italisë nuk kanë parashikuar ndonjë rregullim të ndryshëm nga Konventa, ne lidhje me efektet “ne bis in idem” të vendimeve gjyqësore penale të palës tjetër. Megjithatë, në çdo rast, për të parandaluar ekzekutimin dhe vuajtjen e disa dënimeve për të njëjtën vepër penale, neni 54 i Konventës ka parashikuar: “Nëse fillohen procedime të reja kundër një personi të gjykuar për të njëjtin fakt në një shtet tjetër pale, çdo periudhë heqje lirie e vuajtur për ekzekutimin e një vendimi do të llogaritet në sanksionin që mund të vendoset”.

...

5.2. Të pandehurit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela janë akuzuar nga prokuroria se, së bashku me të pandehurit për të cilët u veçua çështja Sokol Bode dhe Gjergji Kohila, kanë kryer veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” të parashikuar nga neni 283/a i K.Penal duke vepruar si bashkëpunëtorë të të pandehurve në procedim të lidhur Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Sabaudin Çelaj, Nezar Seiti, Maridian Sulaj. etj. Sipas akuzës së ngritur, bashkëpunimi ka qenë i një shkallë më të lartë se bashkëpunimi i thjeshtë, ka qenë në formën e një grupi të strukturuar kriminal që parashikohet nga neni 28 pika 4 të K.Penal. Për këtë arsye të pandehurve u është atribuuar edhe vepra penale e “Grupit të strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes në grup, e parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i K.Penal.

Akuza e ngritur nga prokuroria i referohet rasteve ku është kapur dhe sekuestruar objekti material i veprës penale, të cilat janë ato sasi lënde narkotike “cannabis sativa” që është arritur të sekuestrohen në Itali, të përmendura më sipër në vendim.

Megjithatë, prokuroria në akuzën e ngritur nuk ka identifikuar veprime konkrete të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela që të kenë pasur si pasojë të drejtpërdrejtë ekzekutimin e ndonjë prej episodeve konkrete ku është kapur lëndë narkotike në Itali. Për pasojë edhe akuza ndaj të pandehurve rezulton se nuk është ngritur sipas paragrafit të dytë të nenit 283/a të K.Penal që parashikon si rrethanë cilësuese kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të narkotikëve” më shumë se një herë.

Sipas prokurorisë, të pandehurit kanë vepruar në rolin e ndihmësit, pasi duke qenë me funksione shtetërore mbikëqyrëse kanë lehtësuar, larguar pengesat apo kanë dhënë informacion për kultivuesit dhe trafikuesit e lëndës narkotike, duke mundësuar dhe shtrirjen kohore të veprimtarisë së trafikimit të narkotikëve të grupit kriminal të drejtuar nga i pandehuri në procedim të lidhur Moisi Habilaj dhe pikërisht për këtë shkak, sipas prokurorisë, pa qenë nevoja e përfshirjes direkte në kryerjen e ndonjë episodi konkret trafikimi, ata kthehen në bashkëpunëtorë në veprën penale të trafikimit të narkotikëve në kuadër të grupit kriminal, në rolin e ndihmësit.

Gjykata vlerëson se, në mënyrën se si është formuluar në nenin 283/a të K.Penal vepra penale e “Trafikimit të narkotikëve”, qëndrimet e mësipërme të prokurorisë në atribuimin e akuzës ndaj të pandehurve janë kontradiktore, përveçse kur argumentohet se ndodhemi përpara një krimi vazhdues (kryerja e veprës penale në disa episode të veçanta që udhëhiqen nga një mendim unik kriminal), gjë që nuk është bërë nga prokuroria.

Nga ana tjetër, sipas neneve 25 dhe 26 të K.Penal dhe orientimeve të vendimit penal unifikues nr. 4, datë 15.04.2011, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, vepra penale kryhet në bashkëpunim kur autorët kanë pasur marrëveshje paraprake (përfshirë edhe marrëveshjen e atypëratyshme) për kryerjen e saj dhe secili prej tyre ka vepruar për arritjen e qëllimit të përbashkët kriminal. Nuk është e nevojshme që marrëveshja të jetë lidhur mes të gjithë bashkëpunëtorëve së bashku, por është e mjaftueshme që secili nga bashkëpunëtorët të ketë dhënë një kontribut relevant në kryerjen e veprës penale dhe nga ana subjektive, të paktën në formën e saj minimale, duhet të ekzistojë dijenia dhe vullneti i të paktën njërit prej bashkëpunëtorëve për të bashkëpunuar me të tjerët në kryerjen e faktit kriminal.

Nga përmbushja e këtyre kritereve nuk përjashtohen as bashkëpunëtorët në ndarjen klasike të roleve (organizatorët, ekzekutorët, shtytësit, ndihmësit) as bashkëpunëtorët në ndarjen e punëve (bashkëekzekutorët).

Nga ana e prokurorisë është përmendur se mbështetja e të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela për të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj etj., fillonte që me veprimtarinë e kultivimit të narkotikëve dhe më pas në trafikimin e saj. Por të pandehurit nuk janë akuzuar për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” të parashikuar nga neni 284 i K.Penal, pavarësisht se kjo është vepër penale më vete nga ajo e trafikimit të narkotikëve. Në akuzën e ngritur e gjithë kjo veprimtari inkuadrohet në kuadër të veprës penale të trafikimit të narkotikëve, lidhur me të cilën janë sekuestruar sasitë me lëndë narkotike në Itali.

5.3. Në vlerësim të gjykatës, siç është argumentuar edhe më sipër në vendim, nga provat e shqyrtuara provohet se veprimtaria e kultivimit të bimëve narkotike “cannabis sativa” dhe më pas ajo e trafikimit të saj në Itali kishte mbështetjen dhe realizohej me bashkëpunimin e punonjësve të caktuar të strukturave të policisë së shtetit, ose me funksione të tjera publike, të niveleve dhe pozicioneve të ndryshme (duke veçuar këtu bashkëpunimin e tyre thuajse “haptazi” në disa episode të kultivimit të bimëve narkotike dhe në episodin e trafikimit me peshkarexhën “Fatima”). Megjithatë, si për të gjithë bashkëpunëtorët, edhe për këta të fundit duhen vërtetuar veprimet që secili prej tyre ka kryer dhe kontributi konkret që ka dhënë në kryerjen e këtyre veprave penale.

Për sa i përket të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, në fashikullin e gjykimit janë administruar përgjimet e kryera nga autoritetet gjyqësore italiane, si dhe komunikimet në “chat” të kryera nëpërmjet telefonave në Shqipëri mes personave të tjerë në procedim të lidhur që kanë rezultuar nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda. Në përgjimet e kryera nga autoritetet italiane, të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj, Sabaudin Çelaj dhe Eneo Sulaj flasin për dhurata dhe shuma parash për të pandehurin Saimir Tahiri dhe familjarët e tij, në biseda të tjera të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj e Florian Habilaj dhe shtetasi Artan Habilaj flasin për takime me një person që e quajnë “shefi i madh”, ndërsa në komunikimet në “chat” në Shqipëri i dënuari Taulant Haxhiraj i thotë një personi të paidentifikuar se “kushot e ministrit” marrin garanci për kultivimin e bimëve narkotike dhe se ai vetë në këtë aktivitet ishte i lidhur me “drejtorin” që i ka garantuar siguri dhe mbrojtje, për të cilën Taulant Haxhiraj paguan 30 % të sasisë së bimëve narkotike.

Përgjimet, ku bashkëbiseduesit u referohen personave të tretë që nuk janë të pranishëm, janë indicje të cilat në vetvete nuk provojnë faktin e supozuar. Ato, së pari, duhet të jetë të qarta për nga përmbajtja në një mënyrë të atillë që të mund të konkludohet me siguri për personat dhe rrethanat për të cilat flitet, së dyti duhet që komunikimet të jenë të lira pa qenë bashkëbiseduesit të vetëdijshëm se po përgjohen (në mënyrë që të mos shtrembërojnë qëllimisht faktet) dhe së treti, duhet që përgjimet të lidhen e të konfirmohen nga prova të tjera. Ky qëndrim është mbajtur edhe nga Gjykata e Lartë në vendimet e saj (vendim penal nr. 97, datë 20.03.2013). I njëjti qëndrim vërehet edhe në vendimin e Gjykatës së Katanias kur ka vlerësuar fuqinë provuese të përgjimeve ambientale për të pandehurin Saimir Tahiri.

Për sa i përket përgjimeve ambientale të kryera në automjete në Itali ku flitet për dhënie dhuratash dhe shuma parash të pandehurit Saimir Tahiri dhe familjarëve të tij, është e qartë se të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj, Sabaudin Çelaj, etj., i referohen të pandehurit Saimir Tahiri pasi i përmendin emrin dhe funksionin që ka pasur, megjithëse duhet veçuar pjesa ku thuhet “30 duhet t’ia çoj Saimirit”, që është një bisedë e kryer në mars 2014, ku përmendet vetëm emri “Saimir” (nga përgjimet e mëvonshme në janar 2017, nga Sabaudin Çelaj dhe Florian Habilaj është përmendur po me emrin “Saimir” një person që ka kamion dhe që transporton lëndë narkotike). Vetëm pas kapjes në Itali të disa sasive me lëndë narkotike, ata (Moisi Habilaj, etj.) kanë dyshuar se mund të jenë përgjuar edhe në automjete dhe kanë filluar të marrin masa për heqjen e përgjuesve dhe lënien e automjeteve në vende të sigurta. Nga përgjimet rezulton se marrja e këtyre masave ka filluar më vonë, në janar 2017.

Në lidhje me dy përgjimet telefonike mes të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj dhe vëllezërve të tij Florian dhe Artan Habilaj, ku flitet për “shefin i madh” (datë 06.10.2013 dhe 23.11.2013, që janë cituar më lart në vendim), konstatohet se në këto dy përgjime nuk përmenden emra. Vetëm ky fakt, në komunikimet e personave që merren në mënyrë të vazhdueshme me veprimtari të paligjshme dhe që janë në dijeni të rrezikut të ndjekjes nga autoritetet gjyqësore, në vetvete nuk është gjithmonë i mjaftueshëm për të konkluduar se nuk identifikohet personi apo rrethanat për të cilat flitet. Por, krahas faktit se nuk përmendet ndonjë emër, këto biseda të përgjuara nuk gjenden të vendosura në një kontekst të qartë dhe të kuptueshëm në mënyrë që nga përmbajtja e tyre të nxirret/identifikohet personi për të cilin flitet. Për më tepër nga vetë përmbajtja e bisedës së parë nuk arrihet të kuptohet qartë nëse bëhet fjalë për ndonjë aktivitet tjetër apo për lojërat e fatit që përmenden aty. Për pasojë, këto dy përgjime, në vlerësimin e gjykatës, nuk arrijnë të mbështesin supozimin se “shefi i madh” që përmendet aty është i pandehuri Saimir Tahiri.

Në lidhje me komunikimet në “chat” mes të dënuarit Taulant Haxhiraj dhe personit të paidentifikuar ku përmenden “kushot e ministrit” dhe “drejtori”, gjykata vlerëson se, nga konteksti i bisedës dhe nga veprimtaria e paligjshme për të cilën po flasin në këtë rast (kultivimi i narkotikëve), bëhet fjalë pikërisht për ato persona funksionet publike të të cilëve lidhen drejtpërdrejt me aktivitetin e paligjshëm që po kryente Taulant Haxhiraj, në kuptim të parandalimit, zbulimit dhe luftimit të tij. Vetëm personat në të tilla funksione kanë mundësi që të lejojnë apo t’u japin garanci dhe mbrojtje të tillë kultivuesve të bimëve narkotike (në rastin më të lehtë thjesht duke mos kryer detyrat që ligji u ka ngarkuar në këtë drejtim, ndërsa në rastin më të rëndë duke bashkëpunuar drejtpërdrejt me kultivuesit e bimëve narkotike). Prandaj, për sa i përket identifikimit të saktë të personave që përmend Taulant Haxhiraj në “chat”, në vlerësimin e gjykatës “kushot e ministrit” janë shtetasit Moisi Habilaj, Florian Habilaj dhe Artan Habilaj, kushërinj të të pandehurit Saimir Tahiri, i cili në atë kohë ishte Ministër i Brendshëm (lidhje e njohur edhe për të tjerët siç do të përmendet edhe më poshtë), ndërsa “drejtori” është Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, që në atë periudhë ka qenë i pandehuri Jaled Çela (megjithatë në çdo rast duhet mbajtur parasysh se të pandehurit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela nuk janë akuzuar për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotikëve” të parashikuar nga neni 284 i K.Penal).

Provat e tjera të paraqitura nga prokuroria për të konfirmuar përgjimet e mësipërme janë ato që lidhen me:

-dhuratat me vlerë që, sipas prokurorisë, vërtetohen se i janë dhënë të pandehurit Saimir Tahiri si dhe shpenzimet e mbuluara në disa raste nga vëllezërit Habilaj, të lidhura edhe me deklarimet e shtetasve italianë pronarë të dyqaneve ku janë blerë dhuratat, me deklarimet e të hetuarit Antonino Riela dhe me deklarimet e shtetases Brunilda Alikaj;

-dhënien nga i pandehuri Saimir Tahiri të automjetit të tij me targa AA003GB për ta përdorur shtetasi Artan Habilaj dhe i pandehuri në procedim të lidhur Moisi Habilaj, si dhe përdorimi në të njëjtën kohë i automjetit edhe nga vetë i pandehuri dhe bashkëshortja e tij;

-angazhimin e vëllezërve Habilaj (Artan dhe Moisi) në vitin 2014 në lidhje me pushimet në Greqi të të pandehurit Saimir Tahiri dhe me riparimin e mjetit lundrues “Auras”;

-deklarimet e të hetuarit Antonino Riela sipas të cilit Moisi Habilaj i kishte thënë se një person i rëndësishëm e lejonte dhe e mbronte që të transportonte lëndë narkotike në Itali dhe deklarimet e shtetases Brunilda Alikaj sipas së cilës Moisi Habilaj i ka thënë se i pandehuri Saimir Tahiri e ka ndihmuar në disa raste;

-faktin e komunikimeve telefonike mes të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, mes të pandehurit Jaeld Çela dhe Florian Habilaj, mes personave në afërsi pune ose shoqërore të të pandehurit Saimir Tahiri dhe Moisi Habilaj, Florian Habilaj e Artan Habilaj, mes Artan Habilaj dhe Gjergji Kohila, mes Armand Koçerri dhe Moisi Habilaj e Florian Habilaj, si dhe bisedat e zbardhura në “chat” mes të dënuarit Taulant Haxhiraj dhe Sokol Bode e Gjergji Kohila;

-përgjimet ambientale, përgjimet telefonike dhe bisedat e zbardhura në “chat” që në tërësi tregojnë se veprimtaria e kultivimit dhe e trafikimit të narkotikëve kryhej me mbështetjen dhe bashkëpunimin e punonjësve të policisë apo funksionarëve të tjerë, ose siç përdorej shpesh herë në përgjime “shteti”;

-veprimet dhe mosveprimet e strukturave të policisë në Vlorë ndaj kultivimit të bimëve narkotike dhe trafikimit të lëndëve narkotike, pjesë e të cilave është edhe veprimtaria procedurale për ndjekjen penale të këtyre aktiviteteve.

Në lidhje me sa më sipër, gjykata argumenton:

Për sa u përket dhuratave dhe shumave të parave, në gjykim nuk kanë rezultuar prova që të konfirmojnë përgjimet ambientale të kryera nga autoritetet gjyqësore italiane ku të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj, Nezar Seiti, Eneo Sulaj dhe personat e tjerë, në kohën që ndodhen në automjete, flasin për dhënie dhuratash (byzylykë dhe kostumi “Hugo Boss”) dhe shuma parash të pandehurit Saimir Tahiri, bashkëshortes dhe nënës së tij. Dhuratat e referuara në përgjime në të vërtetë nuk janë konfirmuar nga dëshmia e pronarëve të dyqaneve të bizhuterive dhe rrobave në Itali, nuk kanë rezultuar nga kontrolli i dokumentacionit të tyre dhe as nuk janë gjetur nga kontrolli i banesës së të pandehurit Saimir Tahiri në Shqipëri, përfshirë edhe gjurmë të tjera të çfarëdo lloji që të tregojnë ekzistencën e tyre (siç mund të jenë dokumente shitblerje, fatura, garanci, deklarime në doganë, ambalazhe, foto të tyre, etj.). E njëjta situatë paraqitet edhe në lidhje me shumat e parave të përmendura në përgjimet ambientale se i janë dhënë të pandehurit Saimir Tahiri. Gjatë hetimit paraprak nuk është gjetur dhe sekuestruar asnjë shumë parash të pandehurit apo personave të afërm të tij që të jenë shumat e referuara në përgjime, ose të paktën që të jenë shuma të pajustifikuara nga i pandehuri dhe të afërmit e tij. Në aktet e ndodhura në fashikullin e gjykimit rezulton se nuk është identifikuar as ndonjë pasuri me vlerë të pajustifikuar në emër të të pandehurit Saimir Tahiri apo personave të afërm apo të lidhur me të, madje edhe prokuroria nuk ka përmendur ndonjë pasuri të tillë në akuzë, në kërkesën për gjykim dhe në diskutimin përfundimtar.

Shtetasi italian Antonino Riela, i hetuar në Itali si bashkëpunëtor i të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj, ka pohuar se në dhjetor 2013 ka shoqëruar Moisi Habilaj te një tregtar në Katania për të blerë bizhuteri me vlerë pasi Moisiu do të kthehej në Shqipëri, por nuk deklaron nëse kishte dijeni se për cilin person ishin destinuar bizhuteritë, ndërsa vetë i pandehuri në procedim të lidhur Moisi Habilaj në deklarimet e tij ka mohuar që t’i ketë dhënë ndonjë dhuratë dhe shuma parash të pandehurit Saimir Tahiri apo familjarëve të tij. Ai ka pohuar vetëm se ka blerë byzylykë për bashkëshorten e një personi tjetër që ai e referon me emrin “Fatosh”, në dyqanin “Hugo Boss” ka blerë vetëm rroba për vete një javë para ditëlindjes të vet dhe se në përgjime emrin e Saimir Tahirit e ka përmendur për t'i dhënë rëndësi vetes. Të pandehurit e tjerë në procedim të lidhur Maridian Sulaj dhe Nezar Seiti kanë deklaruar se nuk kanë asnjë lloj dijenie në lidhje me këto rrethana.

Gjykata, për sa kohë nuk janë gjetur vetë objektet materiale të përmendura në përgjimet ambientale apo gjurmë të tyre, shitësit dhe pronarët e dyqaneve në Itali nuk kanë dhënë të dhëna të qarta nëse ishin blerë byzylykët dhe kostumi “Hugo Boss” dhe dokumentacioni i dyqaneve të tyre nuk tregon ndonjë fakt të tillë, vetë personat nën hetim Moisi Habilaj dhe Antonino Riela nuk kanë dhënë të dhëna se byzylykët ishin destinuar për të pandehurin Saimir Tahiri apo familjarët e tij dhe personat e tjerë nën hetim Maridian Sulaj dhe Nezar Seiti nuk kanë pohuar asgjë për këto rrethana, vlerëson se nuk provohet dhënia e dhuratave dhe shumave të parave të pandehurit Saimir Tahiri për vete ose për familjarët e tij, të cilat përmenden në përgjimet ambientale të kryera në Itali.

Nga provat që ndodhen në fashikullin e gjykimit nuk provohen as dhurata a përfitime me vlerë për të pandehurin Saimir Tahiri, apo persona të afërm të tij, në formën e pagimit të shpenzimeve të ndryshme nga Moisi Habilaj, Florian Habilaj dhe nga shtetasi Artan Habilaj.

Pavarësisht se mjeti lundrues “Auras” ishte i regjistruar në emër të shtetasit Orges Liperi, nga një numër provash që lidhen me njëra-tjetrën rezulton se gëzuesi dhe përdoruesi faktik i tij ishte i pandehuri Saimir Tahiri, të paktën në vitet 2014-2015. Kjo pasi shtetasi Orges Liperi e ka pohuar vetë një fakt të tillë, mjeti lundrues është përdorur nga i pandehuri Saimir Tahiri gjatë kësaj periudhe dhe se rrethi i personave që janë kujdesur për mjetin lundrues që nga regjistrimi, riparimi, lënia në porte të ndryshme etj, janë të gjithë persona të afërt dhe lidhje direkte apo indirekte e të pandehurit Saimir Tahiri, apo persona të kontaktuar nga këta të fundit.

Në lidhje me këtë mjet lundrues nuk ka ndonjë të dhënë në fashikullin e gjykimit që shtetasi Artan Habilaj të ketë paguar shpenzime për riparimin e tij në gusht të vitit 2014. Ky shtetas rezulton vetëm të ketë sjellë me automjet në Greqi (së bashku me shtetasin Alban Alia) familjarët e të pandehurit Saimir Tahiri dhe të shtetasve Arian dhe Elona Hoxha (Gjebrea), të ketë sjellë me automjet po në Greqi dy personat që do të merreshin me riparimin e mjetit lundrues Naim Brahimaj dhe Aurel Konakçiu, i ka lënë automjetin me targë AA003GB të pandehurit Saimir Tahiri për t’u kthyer dhe vetë është kthyer në Shqipëri me shtetasit Naim Brahimaj dhe Aurel Konakçiu me mjetin lundrues “Auras”. Shtetasi Naim Brahimaj ka deklaruar vetëm se kur u kthyen në Vlorë Artani pagoi një person me automjet për t’i sjellë nga Vlora në Tiranë.

Për sa i përket dërgimit të mjetit lundrues për riparim në Itali në shtator 2014, faturat tatimore për qëndrimin në hotel dhe për shpenzimet e riparimit janë lëshuar përkatësisht në emër të shtetasve Naim Brahimaj dhe Aurel Konakçiu. Shtetasi Naim Brahimaj ka deklaruar se hoteli është paguar nga i pandehuri në procedim të lidhur Moisi Habilaj, por në kushtet që dokumenti ligjor që vërteton shpenzimin (fatura tatimore përkatëse) është lëshuar në emër të shtetasit Naim Brahimaj dhe nuk ka ndonjë provë tjetër që të mbështesë deklarimin e tij, vërtetësia e këtij fakti (që hoteli është paguar nga Moisi Habilaj) mbetet e dyshimtë dhe siç është përmendur më lart çdo dyshim për akuzën shkon në favor të të pandehurit.

Ndërsa shpenzimet për riparimin e mjetit lundrues “Auras” në Itali në vitin 2016 rezulton se janë paguar me fatura të rregullta nëpërmjet bankës nga vetë shtetasi Orges Liperi. Gjatë hetimit paraprak nuk është verifikuar nga prokuroria në lidhje me mundësinë financiare të këtij shtetasi për të mbuluar shpenzimet e riparimit në shuma që shkojnë mbi 30000 euro dhe për transaksionet e mundshme financiare që mund t’i kenë paraprirë pagesave të faturave të riparimit të mjetit lundrues. Megjithatë, në kushtet që nuk është hetuar në këtë drejtim dhe nuk ka prova që të vërtetojnë të kundërtën, nuk mund të vihet në dyshim pagesa e shpenzimeve nga shtetasi Orges Liperi.

Edhe për sa i përket lëvizjes së përbashkët në të njëjtën kohë, në vajtje dhe në kthim, dhe me të njëjtën linjë dhe destinacion (08.07.2014-10.07.2014, Rinas-Fiumicino-Rinas, linja ajrore e shoqërisë “Alitalia”), të të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj dhe të bashkëshortes dhe babait të pandehurit Saimir Tahiri, rezulton se biletat e udhëtimit të tyre janë paguar veças. Moisi Habilaj i ka paguar me kartë krediti nëpërmjet faqes së internetit të shoqërisë “Alitalia”, ndërsa bashkëshortja dhe babai të pandehurit i kanë paguar “cash” në agjencinë e udhëtimit. Në fashikullin e gjykimit nuk ka të dhëna për shpenzimet dhe pagesat e kryera jashtë shtetit me këtë rast.

Pra, sa më sipër, nga provat e paraqitura vërtetohet vetëm se nga ana e shtetasit Artan Habilaj dhe e të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj janë bërë shërbime për të pandehurin Saimir Tahiri në vitin 2014.

Rezulton gjithashtu se automjeti Audi me targat AA003GB ka qenë automjet privat i të pandehurit Saimir Tahiri, të cilin ia ka shitur me kontratë noteriale të rregullt shtetasit Artan Habilaj. Nga aktet e hetimit të kryer nga Prokuroria e Katanias (të marra me letërporosi) dhe nga ato të hetimit të kryer nga Prokuroria për Krime të Rënda, ky shtetas deri më sot nuk rezulton që të jetë i proceduar apo i dënuar për ndonjë vepër penale. Në parim, ndryshimi i pronësisë së automjetit në regjistrat përkatës të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor është përgjegjësi e blerësit të automjetit, jo e shitësit. Ndërsa në rastin konkret mosndryshimi i pronësisë së automjetit Audi me targat AA003GB ka ardhur për shkakun se disa muaj më parë nga shitja përmbaruesi gjyqësor, që po ekzekutonte një vendim gjyqësor civil ndaj debitorit Saimir Tahiri, kishte urdhëruar Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor bllokimin e çdo veprimi në lidhje me çdo automjet që figuronte në emër të debitorit/të pandehurit Saimir Tahiri. Pra, mosndryshimi i pronësisë së automjetit nuk ka qenë i qëllimshëm dhe as vijimi i përdorimit të tij në këtë situatë nga shtetasi Artan Habilaj nuk rezulton të ketë qenë i tillë (duhet risjellë në vëmendje se autoritetet italiane fillimisht kanë vlerësuar se automjeti u është lënë vëllezërve Habilaj pa ndonjë akt shitje, që këta ta përdornin në veprimtarinë e tyre, dhe se dhuratat dhe shumat e parave të përmendura në përgjime ishin “shpërblimi” që i jepnin të pandehurit Saimir Tahiri për këtë, ndërkohë që në të vërtetë rrethanat në lidhje me automjetin rezultojnë të ndryshme).

Bllokimi i veprimeve për ndryshimin e pronësisë së automjetit me targë AA003GB ka zgjatur deri në datë 24.12.2015, kur është urdhëruar heqja e masës së sekuestros konservative dhe zbllokimi i dokumentacionit. Pas ndryshimit të pronësisë, automjeti ka marrë targat AA900NF dhe i pandehuri Saimir Tahiri dhe bashkëshortja e tij nuk rezulton ta kenë përdorur më këtë mjet, pra ata e kanë përdorur pas shitjes për shkakun se ishte ende në emrin e të pandehurit. Por ky fakt tregon nga ana tjetër se i pandehuri Saimir Tahiri ka pasur marrëdhënie me shtetasin Artan Habilaj edhe pas shitjes së automjetit.

Prokuroria në diskutimin përfundimtar ka përmendur se automjeti në të vërtetë i është shitur të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj, nisur nga fakti se ai e ka përdorur për të lëvizur jashtë shtetit tre ditë pas shitjes dhe se në përgjimet ambientale të kryera në Itali bisedohet për targat automjeteve të presidentit, kryeministrit dhe ministrit të brendshëm dhe përmendet mes të tjerave se automjeti i është shitur shtetasit Moisi Habilaj. Ky përfundim do të vlerësohej i bazuar nëse automjeti, megjithëse i blerë nga shtetasi Artan Habilaj, nuk do të përdorej prej tij por nga Moisi Habilaj. Ndërkohë rezulton se automjeti, të paktën në lëvizjet jashtë shtetit që faktohen nga Sistemi TIMS, është përdorur në të shumtën e rasteve nga shtetasi Artan Habilaj (13 dalje dhe 12 hyrje). Përdorimi i tij në disa raste edhe nga Moisi Habilaj (3 dalje dhe 2-3 hyrje), në kushtet e marrëdhënieve të posaçme mes tyre (vëllezër), nuk është rrethanë që tregon se automjeti është blerë nga Moisi Habilaj. Edhe koha dhe mënyra e përdorimit të automjetit nga Moisi Habilaj nuk është përgjegjësi e të pandehurit Saimir Taihiri për sa kohë ekzistojnë rrethanat e sipërshpjeguara të shitjes dhe të mosndryshimit të pronësisë së tij. Për sa i përket bisedave ambientale të sipërpërmendura, përmbajtja e tyre nuk mund të merret për bazë në këtë drejtim pasi bashkëbiseduesit flasin pa qenë në dijeni të plotë ose kanë perceptim personal të fakteve që komentojnë (ngatërrojnë targat shtetërore me ato private, përmendin se automjeti i është dhënë Artan Habilaj dhe më pas se i është shitur Moisi Habilaj).

Gjithashtu, prokuroria ka përmendur në diskutimin përfundimtar se automjeti i është lënë vëllezërve Habilaj me targa të njohura publikisht si qeveritare, rrethanë që u ka lejuar lëvizjen e lirë dhe pa kontrolle në periudhën që kryenin trafikimin e lëndëve narkotike dhe mbronin kultivuesit saj. Nuk përjashtohet mundësia që fakti se automjeti ishte ende nën emrin e Ministrit të Brendshëm, lidhur edhe me faktin se ai është përdorur në disa raste nga vetë i pandehuri Saimir Tahiri dhe bashkëshortja e tij, t’u ketë lejuar personave që e përdornin (shtetasve Artan Habilaj dhe Moisi Habilaj) që të paraqiteshin si persona që kishin lidhje me Ministrin e Brendshëm, por në fashikullin e gjykimit nuk është evidentuar ndonjë rast konkret që policia e shtetit apo ndonjë strukturë tjetër shtetërore të ketë toleruar në ndonjë lloj mënyre lëvizjen e këtij automjeti në kufi apo brenda territorit, madje as vetë prokuroria nuk ka përmendur ndonjë rast të tillë. Gjithashtu në fashikullin e gjykimit nuk ka asnjë provë që të tregojë, qoftë edhe në nivelin e një dyshimi, se automjeti me targë AA003GB përdorej për të transportuar lëndë narkotike.

Për sa i përket angazhimit të shtetasit Artan Habilaj dhe të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj në lidhje me pushimet në Greqi të të pandehurit Saimir Tahiri dhe riparimin e mjetit lundrues “Auras” në vitin 2014 dhe rrethanat që lidhen me to, ky fakt provon sa është thënë më lart vetëm në lidhje me shërbimet për të pandehurin Saimir Tahiri dhe nga ana tjetër mbështet të dhënat që rezultojnë për mbajtjen e marrëdhënieve nga i pandehuri Saimir Tahiri me shtetasin Artan Habilaj dhe vëllain e tij Moisi Habilaj. Gjithashtu, nga deklarimet e shtetasve Dhionis Andoni dhe Ardit Bani, lidhur edhe me shënimet përkatëse të bëra në regjistrat e Kapitenerisë së Portit të Vlorës, rezulton se i pandehuri në procedim të lidhur Moisi Habilaj ka përdorur emrin e të pandehurit Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm në atë periudhë, kur është paraqitur për të marrë lejen e nisjes për në Brindizi në shtator 2014. Ky fakt mbështet të dhënat që rezultojnë se Moisi Habilaj paraqitej te personat e tjerë si person me lidhje me Ministrin e Brendshëm, të pandehurin Saimir Tahiri.

Personi i hetuar në Itali si bashkëpunëtor të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj, shtetasi italian Antonino Riela, ka deklaruar mes të tjerave se Moisiu ka thënë se një person i rëndësishëm në Shqipëri e mbronte dhe i lejonte që të eksportonte sasitë e marijuanës, por nga ana tjetër Antonino Riela nuk e ka pohuar emrin e këtij personi apo ndonjë të dhënë tjetër specifike që të mund të shërbente për identifikimin e tij. Ai ka deklaruar se Moisiu i ka treguar emrin, por nuk e mbante mend. Edhe kur i është paraqitur për njohje fotoja e të pandehurit Saimir Tahiri, ai ka deklaruar se nuk e njihte. Nga ana tjetër, shtetasja Brunilda Alikaj ka deklaruar vetëm se Moisi Habilaj i ka thënë se i pandehuri Saimir Tahiri e ka ndihmuar në disa raste, por pa i treguar se për çfarë. Deklarimet e mësipërme të prejardhura nga Moisi Habilaj nuk janë konfirmuar nga vetë ky i fundit. Në këto kushte deklarimet e këtyre dy shtetasve nuk rezultojnë të afta për të mbështetur përfundimin se është i pandehuri Saimir Tahiri që ka ndihmuar Moisi Habilaj dhe të tjerët në trafikimin e narkotikëve, por në rastin më të mirë mund të mbështesin vetëm faktin se Moisi Habilaj në kontaktet me bashkëpunëtorët dhe të njohurit e tij linte të kuptonte se kishte lidhje me Ministrin e Brendshëm, por se ç’kontribut konkret i jepte ky shtetasit Moisi Habilaj në veprimtarinë e tij kjo nuk provohet.

Nga provat që ndodhen në fashikullin e gjykimit nuk është evidentuar ndonjë takim i drejtpërdrejtë mes të pandehurit Saimir Tahiri dhe të pandehurve në procedim të lidhur Moisi Habilaj dhe Florian Habilaj. Takime dhe kontakte të të pandehurit Saimir Tahiri provohen vetëm me shtetasin Artan Habilaj në rastin e shoqërimit të pjesëtarëve të familjes së të pandehurit në Greqi e të ndihmës së dhënë me rastin e defektit të mjetit lundrues “Auras” në gusht 2014. Gjithashtu, megjithëse nuk ka ndonjë provë direkte, fakti që i pandehuri Saimir Tahiri dhe bashkëshortja e tij në vitin 2014 kanë përdorur disa herë automjetin Audi me targë AA003GB që i ishte shitur shtetasit Artan Habilaj, tregon se mes tyre ka pasur kontakte gjatë kësaj periudhe. Për sa i përket përgjimit telefonik të datës 06.10.2013 mes Moisi Habilaj dhe Florian Habilaj, kur përmendet se Florian Habilaj kishte takuar “shefin e madh”, vlera provuese tij u sqarua më sipër nga gjykata.

Për sa u përket komunikimeve telefonike, mes të pandehurit Saimir Tahiri dhe të pandehurve në procedim të lidhur Moisi Habilaj dhe Florian Habilaj nuk rezulton të ketë asnjë të tillë. Nuk kanë rezultuar komunikime telefonike as me shtetasin Artan Habilaj. Në kushtet që provohet se mes këtyre janë mbajtur marrëdhënie direkte ose indirekte (siç është përmendur më lart) mund të supozohet se ata kanë komunikuar me numra telefonikë që nuk është mundur të zbulohen gjatë hetimit paraprak ose kanë përdorur persona të tjerë si ndërmjetës. Në të vërtetë rezulton se mes Moisi Habilaj nga njëra anë dhe shtetasit Evi Robo (lidhje e afërt shoqërore e të pandehurit Saimir Tahiri dhe ish Drejtor i Inspektimit në Ministrinë e Brendshme) nga ana tjetër ka pasur mjaft komunikime telefonike, siç janë pasqyruar më lart në vendim. Në numër më të vogël ka komunikime edhe mes Florian Habilaj dhe Artan Habilaj me shtetasin Evi Robo. Gjithashtu, të pandehurit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela kanë pasur mjaft komunikime me të njëjtët numra telefonikë me të cilët kanë komunikuar edhe të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Armand Koçerri, Nezar Seiti, si dhe shtetasi Artan Habilaj, siç janë pasqyruar më hollësisht më lart nga gjykata. Por, pa përmbajtje bisedash komunikimet telefonike janë indicje që krijojnë vetëm dyshime në këtë drejtim, por nuk arrijnë të provojnë se komunikimet në fjalë janë pikërisht për llogari të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela në raportet me Moisi e Florian Habilaj dhe me personat e tjerë të sipërpërmendur. Ky qëndrim në lidhje me vlerën provuese të komunikimeve telefonike gjen mbështetje edhe në praktikën e Gjykatës së Lartë (vendimi penal nr. 21, datë 11.02.2015).

I pandehuri Saimir Tahiri nuk ka komunikime telefonike me të pandehurin në procedim të lidhur Sokol Bode dhe ka vetëm një komunikim me të pandehurin në procedim të lidhur Gjergji Kohila, përmbajtja e të cilit është e panjohur.

Duhet evidentuar se të gjitha të dhënat për komunikimet telefonike që janë paraqitur në fashikullin e gjykimit nuk përmbajnë komunikimet e viteve 2013, 2014 dhe pjesën më të madhe të vitit 2015, pasi ato nuk kanë qenë të disponueshme nga shoqëritë celulare. Këto të dhëna fillojnë nga fundi i vitit 2015 e në vazhdim. Ndërkohë episodet ku është sekuestruar lënda narkotike e trafikuar, që janë pjesë e akuzës së ngritur ndaj të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, kanë ndodhur përpara fundit të vitit 2015 (datë 25.10.2013, 27.02.2014, 29.07.2014 dhe 08.05.2015).

Lidhur me komunikimet telefonike, prokuroria ka argumentuar akuzën në ngarkim të të pandehurit Jaeld Çela edhe me ekzistencën e komunikimeve telefonike mes tij dhe të pandehurit në procedim të lidhur Florian Habilaj. Ka rezultuar se i pandehuri Jaeld Çela më datë 28.01.2016, ora 00:13:05, ka telefonuar të pandehurin në procedim të lidhur Florian Habilaj dhe ka biseduar 37 sekonda me të, ndërsa Florian Habilaj i ka dërguar një mesazh sms të pandehurit Jaeld Çela më datë 31.12.2016. Përmbajtja e këtyre komunikimeve është e panjohur pasi ato nuk rezulton të kenë qenë në përgjim. Nga këto të dhëna mund të provohet vetëm njohja dhe mbajtja e kontakteve mes të pandehurit Jaeld Çela dhe të pandehurit në procedim të lidhur Florian Habilaj, por jo ndonjë veprim konkret i të pandehurit Jaeld Çela në lidhje me veprimtarinë e trafikimit të lëndëve narkotike nga Florian Habilaj e të tjerë.

Nga aktet e paraqitura në fashikullin e gjykimit nuk rezulton as ndonjë takim mes të pandehurit Jaeld Çela me Moisi Habilaj, Florian Habilaj dhe të pandehurit e tjerë në procedim të lidhur, si dhe me shtetasin Artan Habilaj, apo komunikime telefonike mes tyre (përfshirë edhe Sokol Boden dhe Gjergji Kolihën), veç atij që u përmend më sipër me Florian Habilaj. Po kështu nuk ka asnjë bisedë dhe komunikim të ndonjë forme tjetër të përgjuar (apo me përmbajtje të dokumentuar) të kryer nga vetë i pandehuri Jaeld Çela.

Nga prokuroria janë përmendur në mbështetje të akuzës ekzistenca e komunikimeve telefonike mes të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, të cilat sikurse janë paraqitur më lart në vendim nga gjykata janë në numër të madh në harkun kohor të rreth dy viteve për të cilat kanë qenë të disponueshme të dhënat nga shoqëritë celulare. I pandehuri Saimir Tahiri ka parashtruar se komunikimet kanë qenë për shkak të detyrës që kanë ushtruar. Gjykata, duke qenë në pamundësi për të vlerësuar nëse një numër i caktuar komunikimesh mes njëri­tjetrit është apo jo i pazakontë në kontekstin e funksioneve publike që kanë ushtruar, vlerëson se për sa kohë të pandehurit kanë qenë në marrëdhënie pune me njëri-tjetrin dhe përmbajtja e komunikimeve është e panjohur nuk mund konkludohet apriori se ato kanë qenë në funksion të kryerjes së ndonjë vepre penale.

Krahas sa më sipër, në lidhje me të pandehurit Saimir Tahiti dhe Jaeld Çela në fashikullin e gjykimit nga ka asnjë përgjim ambiental apo telefonik të tyre, apo çdo lloj regjistrimi tjetër me mjete teknike, që të kenë lidhje me veprat penale për të cilat akuzohen.

Për sa u përket përgjimeve telefonike të të pandehurit Armand Koçerri (në banesën e të cilit në fshatin Babicë e Vogël është sekuestruar më datë 18.10.2017 sasia prej 3978 kg lëndë narkotike “cannabis sativa” që ishte e përpunuar dhe paketuar) dhe komunikimeve telefonike e kontakteve të tij me Moisi Habilaj e Florian Habilaj, të cilat përmenden nga prokuroria në diskutimin përfundimtar, ato, përveçse nuk del që të lidhen me të pandehurit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, i përkasin edhe një fakti për të cilin këta të pandehur nuk akuzohen nga prokuroria.

Prokuroria, në diskutimin përfundimtar, në mbështetje të akuzës ndaj të pandehurve ka parashtruar se referimi procedural në Prokurorinë për Krime të Rënda për fillimin procedimit penal nr. 164 të vitit 2017 ndaj Moisi Habilaj, Florian Habilaj etj, është bërë ditën e nesërme të largimit të të pandehurit Jaeld Çela nga detyra e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe disa ditë pas largimit të të pandehurit Saimir Tahiri nga detyra e Ministrit të Brendshëm. Në të vërtetë rezulton se referimi procedurial në Prokurorinë për Krime të Rënda ndaj këtyre shtetasve si të dyshuar për veprën penale të trafikimit të narkotikëve është bërë nga policia gjyqësore e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë më datë 29.04.2017, ndërkohë që i pandehuri Jaeld Çela ishte larguar nga detyra e tij më datë 28.04.2017 dhe i pandehuri Saimir Tahiri ishte larguar nga detyra më datë 19.03.2017. Në vlerësimin e gjykatës kjo është një indicje që ngre dyshime, pasi tregon elemente të moskryerjes së detyrës, por nuk është e një niveli të tillë sa të provojë bashkëpunimin e tyre me të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj, Florian Habilaj etj, në trafikimin e narkotikëve. Në lidhje me këtë pikë, i pandehuri Saimir Tahiri në diskutimin përfundimtar ka pretenduar se referimi procedurial për fillimin e çështjes penale është dërguar me email nga vetë Gjergji Kohila te një nga prokurorët e Prokurorisë për Krime të Rënda. Në të vërtetë ky fakt nuk provohet pasi në aktet e fashikullit të gjykimit nuk ndodhet asnjë email i tillë. Edhe prokurorët në seancë gjyqësore deklaruan se nuk iu është dërguar ndonjë email i tillë nga Gjergji Kohila.

Për të gjithë sa më sipër, provat e paraqitura nga prokuroria në fashikullin e gjykimit janë indicje që nuk plotësojnë të gjitha kushtet e përmendura më lart për të provuar ekzistencën e faktit (neni 152 paragrafi i dytë i K.Pr.Penale) dhe deklarime të prejardhura (të shtetasve Antonino Riela dhe Brunilda Alikaj) pa fuqi të plotë provuese ndaj të pandehurve në këtë gjykim, të cilat në tërësinë e tyre ngrenë dyshime të arsyeshme në ngarkim të të pandehurve, por nuk arrijnë ta kalojnë këtë cak, nuk arrijnë të provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm marrëveshjen mes të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela dhe të paktën njërit prej të pandehurve në procedim të lidhur Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Sabaudin Çelaj, Maridian Sulaj, Sokol Bode, Gjergji Kohila etj., për të kryer veprat penale të trafikimit të narkotikëve dhe as të identifikojnë e të provojnë veprime konkrete të kryera me dashje nga të pandehurit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela në kuadër të ndonjë marrëveshje për të ndihmuar grupin kriminal të Moisi Habilaj në ekzekutimin e episodeve konkrete të trafikimit në të cilat është sekuestruar lëndë narkotike. Dyshimet në këtë drejtim çmohen në favor të të pandehurve.

Pavarësisht se nuk kanë rezultuar elemente provues për të mbështetur përgjimet ambientale të kryera në Itali, ku Moisi Habilaj, bashkëpunëtorët e tij dhe personat e tjerë flasin për dhënie dhuratash dhe shumash parash të pandehurit Saimir Tahiri dhe familjarëve të tij, në vlerësimin e kësaj gjykate ka prova dhe indicje që tregojnë një situatë marrëdhëniesh apo lidhjesh të qëndrueshme të të pandehurit Saimir Tahiri me të pandehurin në procedim të lidhur Moisi Habilaj, kjo përtej veprimit të shitjes më datë 05.11.2013 të automjetit me targë AA003GB shtetasit Artan Habilaj, të cilat rezultojnë në tërësi nga:

-shërbimet e vazhdueshme të kryera nga shtetasit Artan Habilaj dhe Moisi Habilaj ndaj të pandehurit Saimir Tahiri me rastin e lëvizjeve të tij në Greqi në gusht 2014 dhe për riparimin e mjetit lundrues “Auras” (ku në shtator 2014 Moisi Habilaj është përfshirë dhe angazhuar drejtpërdrejt vetë);

-përdorimi nga i pandehuri Saimir Tahiri dhe bashkëshortja e tij e automjetit me targë AA003GB edhe pas shitjes shtetasit Artan Habilaj, në disa raste përgjatë vitit 2014 (lëvizjet mbështesin faktin se mes tyre janë mbajtur marrëdhënie të qëndrueshme);

-udhëtimi në Itali në të njëjtën kohë vajtje-ardhje, me të njëjtin itinerar dhe destinacion, i Moisi Habilaj, i babait të të pandehurit Saimir Tahiri dhe bashkëshortes së të pandehurit Saimir Tahiri, në datat 08.07.2014-10.07.2014 (madje del qartë nga përgjimet se Moisi Habilaj dhe Bashkim Tahiri gjendeshin së bashku në banesë/hotel);

-ekzistenca e mjaft numrave telefonikë të përbashkët në fluksin e komunikimeve telefonike të të pandehurit Saimir Tahiri dhe Moisi Habilaj, Florian Habilaj e Artan Habilaj;

-komunikimet e shpeshta dhe të drejtpërdrejta telefonike të Moisi Habilaj me Evi Robo, lidhje e afërt e të pandehurit Saimir Tahiri në detyrën e Drejtorit të Inspektimit në Ministrinë e Brendshme në të njëjtën periudhë që i pandehuri Saimir Tahiri ka ushtruar detyrën e Ministrit të Brendshëm.

Gjithashtu:

-duke lëvizur me automjetin që ishte në emër të Ministrit të Brendshëm ndërkohë që përdorej edhe nga vetë i pandehuri Saimir Tahiri dhe bashkëshortja;

-duke pohuar në përgjime se ka blerë dhurata dhe ka dhënë para për Saimir Tahirin dhe familjarët e tij;

-duke pasur parasysh nga ana tjetër edhe:

  • deklarimet e Antonino Riela sipas të cilit Moisi Habilaj e qetësonte duke i thënë se një person i rëndësishëm në Shqipëri e mbronte dhe e lejonte që të eksportonte këto sasi të mëdha marjuane;
  • deklarimet e shtetases Brunilda Alikaj sipas të cilës kur e ka pyetur Moisi Habilaj se çfarë marrëdhënie kishte me Saimir Tahirin, ai në një moment i ka thënë se e kishte ndihmuar në disa raste, por pa i treguar për çfarë e në ç’rast konkret;
  • deklarimet e kapitenit të Kapitenerisë së Portit Vlorë, Dhionis Andoni, sipas të cilit Moisi Habilaj, kur është paraqitur për të nxjerrë leje nisje për në Itali për mjetin lundrues “Auras” që do të riparohej në shtator 2014, kishte shënuar emrin e shtetasit Saimir Tahiri si kapiten të skafit dhe se në fakt nga punonjësit e policisë dhe nga opinioni i tyre njihej se ky skaf përdorej nga ana e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri;
  • faktin se Moisi Habilaj ka lëvizur me mjetin lundrues “Auras” që përdorej nga i pandehuri Saimir Tahiri për të kryer shërbime në Itali;
  • si dhe shërbimet e vëllait të tij Artan Habilaj ndaj Ministrit të Brendshëm;

gjykata, në vlerësim tërësor të provave, krijon bindje se edhe i pandehuri në procedim të lidhur Moisi Habilaj të pandehurin Saimir Tabiri e ka referuar/paraqitur, te bashkëpunëtorët e vet dhe te personat e tjerë, si një person të rëndësishëm me të cilin ka lidhje.

Por, për sa kohë nuk vërtetohet dhënia e dhuratave dhe e shumave të parave të pandehurit dhe familjarëve të tij, si përfitime për mbështetjen e referuar, si dhe nuk provohet marrëveshja mes të pandehurit Saimir Tahiri dhe të paktën njërit prej të pandehurve në procedim të lidhur Moisi Habilaj etj., për të kryer veprat penale të trafikimit të narkotikëve dhe as identifikohen nga provat e administruara veprime konkrete të kryera nga i pandehuri Saimir Tahiri në kuadër të një marrëveshje për të ndihmuar grupin kriminal në ekzekutimin e episodeve konkrete në të cilat është sekuestruar lëndë narkotike, në vlerësimin e kësaj gjykate nuk vërtetohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi dhe qenia e të pandehurit Saimir Tahiri pjesëmarrës dhe anëtar i këtij grupi kriminal sipas kuptimit të neneve 25 e 26 paragrafi i pestë në lidhje me nenet 28 pika 4 dhe 333/a të K.Penal.

5.4. Megjithatë, fusha e veprimtarisë shtetërore të të pandehurit Saimir Tahiri, në detyrën e Ministrit të Brendshëm, lidhej pikërisht, mes të tjerave, me parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit e veçanërisht të veprimtarive të paligjshme të trafikimit të narkotikëve dhe të gjitha veprimtarive të tjera të paligjshme që lidhen me të, referuar në legjislacionin përkatës. Në këtë legjislacion parashikohen edhe detyrat e drejtorit të policisë vendore.

Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore paraqiten në vijim:

            ...

Sipas dispozitave të mësipërme, përgjegjësia për veprimtarinë e policisë së shtetit është hierarkike. Në rend rritës, për sa u përket niveleve drejtuese, ajo është nga drejtuesit e policisë në nivel vendor në atë qendror (shef stacioni/shef komisariati - drejtor i drejtorisë vendore të policisë - Zëvendësdrejtor i Policisë së Shtetit ose Drejtor i Përgjithshëm/Drejtor i Policisë së Shtetit).

Përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, që i përkasin fushës së përgjegjësisë së tij shtetërore në lidhje me parandalimin, zbulimin dhe hetimin e veprave penale e të autorëve të kryerjes së tyre, mbrojtjen e rendit e të sigurisë publike dhe mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, të cilat janë pjesë e misionit dhe detyrave të Policisë së Shtetit, Ministri i Brendshëm i ushtron nëpërmjet raporteve me Drejtorin e Policisë së Shtetit, i cili është përgjegjës dhe raporton te Ministri përmbushjen e detyrave dhe funksioneve të Policisë së Shtetit në tërësi dhe të tij si drejtor në veçanti. Por, edhe Ministri i kërkon Drejtorit të Policisë së Shtetit raporte, informacione dhe dokumente të tjera që lidhen me kryerjen e detyrave nga Policia në përgjithësi ose në lidhje me ndonjë çështje të veçantë, i kërkon Drejtorit të Policisë së Shtetit të raportojë për çështje të përgjithshme ose të veçanta që lidhen me Policinë (këto sipas ligjit për policinë e shtetit që ka qenë në fuqi deri në datë 28.02.2015), i kërkon performancë të lartë të Policisë së Shtetit për realizimin e objektivave të përcaktuar, si dhe i kërkon Drejtorit të Policisë së Shtetit të raportojë për ushtrimin e detyrave të tij dhe të Policisë së Shtetit në përputhje me legjislacionin dhe Kushtetutën duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut (këto sipas ligjit për policinë e shtetit që ka hyrë në fuqi më datë 01.03.2015). Ministri ka të drejtë të propozojë edhe masa deri në shkarkimin e Drejtorit të Policisë së Shtetit në rast mospërmbushje të objektivave strategjikë dhe objektivave të kryerjes së detyrave të caktuara nga ministri (sipas ligjit për policinë e shtetit deri në datë 28.02.2015) apo kur nuk përmbushen objektivat strategjikë për shkak të performancës së ulët të tij (sipas ligjit për policinë e shtetit nga data 01.03.2015 e në vijim).

Kërkesat për raportim dhe llogaridhënie nuk janë kompetenca formale të Ministrit në kuptimin që kur vërehen mospërmbushje të funksioneve apo moskryerje të detyrave nga ana e policisë së shtetit ai nuk ka kompetenca që të marrë masa apo të propozojë marrjen e masave përkatëse sipas kompetencës. E njëjta situatë ligjore është edhe për drejtorin e policisë së çdo niveli në raport me strukturat e policisë në varësi të tij.

Për më tepër, në rastin e të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela provohen edhe kontakte të drejtpërdrejta mjaft të shpeshta mes tyre (673 komunikime telefonike në harkun e rreth dy viteve që kanë qenë të disponueshme të dhënat), fakt i cili është pohuar edhe nga i pandehuri Saimir Tahiri në diskutimin e tij përfundimtar si marrëdhënie për shkak të punës.

Mosushtrimi me dashje i përgjegjësive ligjore në cilindo drejtim të mësipërm nga Ministri apo drejtori i policisë, në rastet e mospërmbushjeve thelbësore të funksioneve apo moskryerjes thelbësore të detyrave në drejtime të caktuara nga strukturat vartëse/llogaridhënëse të tyre, që ka dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, janë elemente që, në vlerësimin e kësaj gjykate, sipas nenit 248 të K.Penal përbëjnë veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Madje edhe mosushtrimi me dashje në kohën e duhur i përgjegjësive ligjore si më sipër, që ka sjellë pasojat në fjalë, janë elemente që përfshihen në të njëjtën dispozitë penale. ...

...

Kjo vepër penale përfshin të gjithë personat që ushtrojnë funksione publike dhe nuk bën asnjë dallim në pikëpamje të mënyrës së caktimit në funksionin publik apo të natyrës së detyrave dhe përgjegjësive të tyre ligjore. Kushti i vetëm është që në veprimet ose mosveprimet e personit që ushtron funksione publike të verifikohen katër elementet e figurës së kësaj vepre penale.

Megjithëse nuk u provua përtej çdo dyshimi të arsyeshëm që marrëdhëniet mes të pandehurit Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj të kenë qenë në nivelin e bashkëpunimit për kryerjen e trafikimit të narkotikëve (për arsyet që u trajtuan më lart), gjykata vëren situata të pashpjegueshme plotësisht nisur nga funksioni publik i rëndësishëm i Ministrit të Brendshëm që ka mbajtur i pandehuri Saimir Tahiri në periudhën përkatëse, të cilat nuk gjejnë argumentim e dalin tej kuadrit të marrëdhënieve të farefisnisë së largët që ka pohuar vetë i pandehuri. Në deklarimet e tij i pandehuri ka mohuar njohjen me Moisi Habilaj, ndërkohë që nga provat e analizuara më lart rezulton e kundërta. Moisi Habilaj është angazhuar drejtpërdrejt vetë në dërgimin e mjetit lundrues në përdorim të Ministrit të Brendshëm për riparim në shtator 2014 në Itali. I pandehuri Saimir Tahiri nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë. Bashkëshortja e të pandehurit në dy raste të udhëtimit jashtë shtetit, një rast me automjetin me targë AA00JGB (që është përdorur veças edhe nga Moisi Habilaj) dhe në rastin tjetër pikërisht në udhëtimin e njëkohshëm në Itali me Moisi Habilaj në linjë ajrore, nuk është regjistruar në dalje dhe në hyrje në kufi. në Sistemin TIMS. Edhe babai i të pandehurit, që ka qenë në të njëjtin udhëtim në linjë ajrore dhe ka qëndruar me Moisi Habilaj në Itali, nuk është regjistruar në Sistemin TIMS. Pra në mënyrë të përsëritur është shmangur ekspozimi i familjarëve më të afërt të të pandehurit në këto lëvizje ku në mënyrë direkte ose indirekte mund të bëhej lidhja me Moisi Habilaj. Përgjimet telefonike në shtator 2017 tregojnë se mes Artan Habilaj dhe të pandehurit Saimir Tahiri është ndërmjetësuar një takim nga shtetasi Kujtim Tahiri. I pandehuri mohon çdo lloj kontakti të kohëve të fundit me Artan Habilaj kur është pyetur në deklarimet e datës 27.10.2017. Numri telefonik i shtetasit Evi Robo, person mjaft i afërt me të pandehurin Saimir Tahiri dhe funksionar i lartë në Ministrinë e Brendshme, ka komunikime telefonike të shumta me Moisi Habilaj, pjesa dërrmuese e tyre vetëm me mesazhe sms (4 thirrje, 226 sms). I pandehuri Saimir Tahiri ka komunikime me shumë numra telefonikë me të cilët komunikojnë edhe të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj dhe Florian Habilaj, deri edhe Armand Koçerri e Nezar Seiti, dhe niveli i lartë i këtyre përputhshmërive, vlerësuar nga pozicioni i Ministrit të Brendshëm, ngre dyshime. Në të kundërt me sa më sipër, funksioni i rëndësishëm publik i Ministrit të Brendshëm, por edhe i një drejtuesi të lartë të Policisë së Shtetit siç ka qenë i pandehuri Jaeld Çela, kërkon manifestimin dhe ruajtjen e standarteve më të larta në shmangien e konflikteve të mundshme të interesit dhe në shmangien e kontakteve, qoftë edhe indirekte, me persona të përfshirë në krimin e organizuar, pikërisht të asaj veprimtarie kriminale parandalimi dhe luftimi i së cilës është një nga fushat kryesore të veprimtarisë së tij/tyre.

E njëjta situatë paraqitet edhe për të pandehurin Jaeld Çela i cili rezulton se ka kontakte të drejtpërdrejta me të pandehurin në procedim të lidhur Florian Habilaj dhe njëkohësisht është pjesë e të njëjtit rrjet të mësipërm komunikimesh me të pandehurin Saimir Tahiri dhe me numrat telefonikë me të cilët komunikojnë edhe të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj dhe Florian Habilaj, të cilat për nga numri i lartë i këtyre përputhjeve, vlerësuar nga pozicioni i tij si Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ngrenë dyshime.

Lidhjet me të pandehurin Saimir Tahiri nuk ishin të panjohura për anëtarët e grupit kriminal të të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj dhe për mjaft punonjës të policisë së shtetit në Vlorë, pasi ishin prezantuar nga vetë Moisi Habilaj dhe konfirmoheshin edhe nga kontaktet direkte ose indirekte me të dy të pandehurit. Lidhje të tilla me Ministrin e Brendshëm, por edhe me drejtorin e policisë vendore, ndikojnë në përforcimin e anës subjektive te anëtarët e grupit kriminal për të vijuar me aktivitetet kriminale (në vendosmërinë e tyre për të kryer veprat penale dhe në pritshmëritë se rreziku i zbulimit dhe i ndëshkimit është më i vogël), njëkohësisht krijojnë premisa më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e punonjësve të tjerë të policisë e shtetit, si dhe stepin punonjës të tjerë të policisë për të kryer siç duhet detyrat e tyre ligjore, me pasojë të drejtpërdrejtë vështirësi dhe pengesa shtesë në drejtim të parandalimit, zbulimit dhe luftimit të këtyre aktiviteteve kriminale.

Nga provat e administruara vërtetohet se në të njëjtën periudhë me mbajtjen nga i pandehuri Saimir Tahiri të lidhjeve të sipërcituara me shtetasin Moisi Habilaj, drejtues i organizimit kriminal që kishte për qëllim trafikimin e narkotikëve, ndërkohë janë ekzekutuar nga Moisi Habilaj etj, disa raste trafikimi të lëndës narkotike nga Shqipëria drejt Italisë, të dokumentuara këto me sekuestrimin e sasive konkrete në datat 25.10.2013, 27.02.2014, 29.07.2014 dhe 08.05.2015, e në rastin e peshkarexhës “Fatima” (kapur në Itali më datë 08.05.2015) bashkëpunimi i punonjësve të caktuar të policisë, pa përjashtuar edhe persona të tjerë të mundshëm me funksione publike, ka qenë në një shkallë të lartë përfshirje dhe koordinimi. Kjo, në mënyrë të padyshimtë, kërkon një shkallë të lartë organizimi të vetë grupit kriminal, infiltrim të lartë të tij në strukturat e policisë dhe lejimin e kësaj situate nga nivelet drejtuese të policisë nëpërmjet veprimeve apo mosveprimeve nga më të ndryshmet, të kryera me dashje.

Aktiviteti i trafikimit të lëndëve narkotike “cannabis sativa” është shoqëruar nga një shkallë shumë e lartë e përhapjes së kultivimit të bimëve narkotike “cannabis sativa”, veçanërisht në rrethin e Vlorës. Të paktën në vitin 2016, në të cilën i pandehuri Moisi Habilaj dhe grupi i tij vazhdonin të ishin aktivë në aktivitetin e tyre të trafikimit të narkotikëve, siç del nga aktet e hetimit penal të autoriteteve italiane dhe më pas edhe nga sekuestrimi i sasisë prej afro 4 ton “cannabis sativa” në banesën e shtetasit Arrnand Koçerri në Babicë të Vogël, është dokumentuar se kultivimi i bimëve narkotike në rrethin e Vlorës ishte kthyer në një aktivitet kriminal masiv. Siç është pasqyruar edhe më lart në vendim, pjesa dërrmuese e informacioneve për kultivimin e bimëve narkotike që Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ia ka përcjellë për verifikim Stacionit të Policisë Selenicë ka ardhur nga SHISH (apo “institucionet ligjzbatuese”) dhe jo nga vetë punonjësit e policisë së Drejtorisë së Policisë Vendore Vlorë, përfshirë edhe informacionin e datës 10.06.2016 për shtetasit Artan, Moisi dhe Florian Habilaj për kultivim bimësh narkotike, që është përmendur më sipër në vendim. Veprimet e policisë vendore për asgjësimin e bimëve narkotike kanë filluar vetëm pas dërgimit të raporteve të monitorimit ajror të Guardia Di Finanza, përveç rasteve të shkëputura të asgjësimeve të mëparshme. Në përgjimet telefonike të personave që ushtronin këtë veprimtari është përmendur se asgjësimet shpesh kanë qenë selektive dhe bimët narkotike të prera shpesh liheshin të padjegura, gjë që u mundësonte kultivuesve të tyre që t’i merrnin pas largimit të policisë.

Të vlerësuara në tërësi në rastin më të pakët këto tregojnë moskryerjen e detyrave ligjore nga ana e një numri punonjësish dhe drejtuesish të policisë së shtetit e më tej. Në kushtet kur ngrihen dyshime, por nuk arrihet të kalohet ky nivel që të provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se këta funksionarë publikë kanë bashkëpunuar (secili me veprimet dhe kontributin e tij) me qëllim të përbashkët kryerjen e aktivitetit kriminal të trafikimit të narkotikëve, mbajtja e marrëdhënieve dhe kontakteve të qëndrueshme e të pashpjegueshme me drejtuesit apo me anëtarët kryesorë të organizimit kriminal të angazhuar direkt ose indirekt në këtë veprimtari kriminale tregon elementin subjektiv të dashjes (qoftë edhe indirekte) në mosveprimet në kuadër të detyrës së këtyre personave me funksione publike.

Sa më sipër, i pandehuri Saimir Tahiri:

-me mbajtjen e lidhjeve të sipërcituara, të pashpjegueshme plotësisht nga pozicioni i tij si Ministër i Brendshëm, me të pandehurin në procedim të lidhur Moisi Habilai;

-në kushtet që lidhje të tilla me Ministrin e Brendshëm, që nuk janë të panjohura, kanë krijuar premisa më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e punonjësve të policisë së shtetit, me pasojë të drejtpërdrejtë vështirësi dhe pengesa shtesë në drejtim të parandalimit dhe luftimit të këtyre veprimtarive kriminale;

-e shoqëruar në të njëjtën periudhë edhe me bashkëpunimin në një shkallë të lartë të një numri punonjësish të policisë së shtetit;

-shoqëruar në të njëjtën kohë me vazhdimësinë dhe me ushtrimin e suksesshëm të aktivitetit kriminal të trafikimit të narkotikëve nga i pandehuri në procedim të lidhur Moisi Habilaj, e të tjerë, në kuadër të një organizimi kriminal që merrej me këtë veprimtari (grup i organizuar kriminal që merrej me këtë veprimtari siç është cilësuar nga autoritetet gjyqësore italiane);

-duke mbajtur në vëmendje shkallën e lartë të përhapjes së aktiviteteve të paligjshme mbështetëse, furnizuese me lëndë të parë, të trafikut të narkotikëve (siç është kultivimi i bimëve narkotike);

-si dhe mosmarrja e masave të duhura për të vënë në efiçiencë të plotë strukturën më të lartë drejtuese të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, për parandalimin dhe zbulimin e këtyre veprave penale të evidentuara. në kundërshtim me ligjin;

në vlerësimin e kësaj gjykate, janë indicje të rëndësishme, të sakta dhe në përputhje me njëra-tjetrën që provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se ai ka konsumuar elementet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Për të pasur përgjegjësi penale sipas nenit 248 të K.Penal nuk është kusht që pasojat e ardhura nga veprimet ose mosveprimet në kundërshtim me ligjin të personit që ushtron funksione publike të jenë vetëm pasoja materiale. Kjo dispozitë parashikon dy lloje pasojash: a) përfitime materiale ose jornateriale të padrejta për vetë personin që ushtron funksione publike ose për persona te tjerë, dhe b) dëmtimin e interesave të ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë. Siç është përmendur edhe më parë, në gjykim nuk janë vërtetuar përfitime materiale ose jo materiale të padrejta për të pandehurit ose për persona të tjerë. Lloji i dytë i pasojave, dëmtimi i interesave të ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, mund të jetë dëm material ose jo material. Përveç kërkesës që interesat e dëmtuara duhet të jenë të ligjshme, dispozita penale nuk ka caktuar ndonjë kriter lidhur me llojin apo me rëndësinë e tyre. Prandaj vlerësimi i pasojës së ardhur në këtë drejtim është çështje që zgjidhet rast pas rasti nga vetë gjykata. Në vlerësimin e kësaj gjykate, çdo lloj interesi i ligjshëm i shtetit, i shtetasve dhe i personave juridikë, të cilit i shkaktohet dëm nga veprimet e kryera me dashje, në kundërshtim me ligjin, nga personi që ushtron funksione publike, është pasojë e veprës penale sipas nenit 248 të K.Penal. Megjithatë, për të pasur përgjegjësi penale, pasoja e ardhur nga vepra penale (dëmtimi i shkaktuar këtyre interesave) nuk duhet të jetë e papërfillshme, e parëndësishme, gjë që vjen në pajtim edhe me frymën e Konventës së Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit që nuk synon ndjekjen penale të veprave “de minimis” (të parëndësishme) të abuzimit me pasuritë dhe me funksionet publike.

Pasoja të mosushtrimit, në kushtet specifike të sipërcituara e të vërtetuara në këtë gjykim, të përgjegjësive dhe detyrave përkatëse ligjore nga të pandehurit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela janë pikërisht aktiviteti i qëndrueshëm kriminal i të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj i finalizuar me kalimin e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë, me burim kultivimin masiv të bimëve narkotike “cannabis sativa” në territorin e rrethit të Vlorës, shkalla e lartë e infiltrimit të organizimit kriminal në strukturat e policisë vendore e më tej, deri në përfshirjen e punonjësve të caktuar të sistemit të monitorimit detar në këtë veprimtari (duhet përmendur këtu se ndryshe nga sa ka pretenduar i pandehuri Saimir Tahiri në diskutimin përfundimtar për dërgimin e disa shkresave Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me funksionimin e radarëve, në fashikullin e gjykimit nuk ka ndonjë shkresë të tillë), dhe dobësimi në këto drejtime i punës së policisë së shtetit, e në këtë mënyrë mosveprimet e të pandehurve kanë ndikuar drejtpërdrejt në përhapjen më të madhe të kriminalitetit në fushën e narkotikëve, kanë shtrembëruar sundimin e ligjit, kanë cënuar besimin te shteti ligjor dhe institucionet e tij, kanë cënuar besimin e publikut se institucionet dhe organet publike janë duke i ushtruar detyrat e tyre me përgjegjshmëri dhe në respektim të plotë të interesave të tij, si dhe kanë cënuar besimin e mirë që nevojitet për funksionimin siç duhet të qeverisjes. Këto pasoja janë komplekse dhe prekin në mënyrë të ndërthurur shtetin, individët dhe shoqërinë në tërësi. Pikërisht pasojat që gjykata evidentoi këtu janë konkretizim i rrezikshmërisë shoqërore të mosveprimeve me dashje e në kundërshtim me ligjin të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, për të cilat ata ngarkohen me përgjegjësi penale sipas nenit 248 të K.Penal.

Prandaj, në konkluzion, gjykata, në vendimin përfundimtar, bazuar në nenin 375 të K.Pr.Penale, ndryshon cilësimin ligjor të veprës penale për të pandehurin Saimir Tahiri, nga “Trafikimi i narkotikëve” i kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 283/a paragrafi i parë, 28 pika 4 dhe 334 paragrafi i parë. të K.Penal, në atë të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Gjithashtu, meqenëse vepra penale e “Grupit të strukturuar kriminal” e parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë të K.Penal, është vepër penale më vete për të cilën akuzohet i pandehuri Saimir Tahiri, gjykata, ndodhur në kushtet e përmendura më sipër, vlerëson se nuk provohet që i pandehuri e ka kryer këtë vepër penale, prandaj bazuar në nenin 388, pika 1, gërma “d” të K.Pr.Penale, duhet ta deklarojë atë të pafajshëm.

5.5. Siç është përmendur në fillim të arsyetimit të këtij vendimi, të pandehurit janë akuzuar nga prokuroria se veprën penale të trafikimit të narkotikëve e kanë kryer nëpërmjet ndihmës që u kanë dhënë, duke qenë në detyrën e Ministrit të Brendshëm dhe të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, të pandehurve në procedim të lidhur Moisi Habilaj etj. Prokuroria nuk i ka akuzuar të pandehurit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela për ndonjë ndihmë të dhënë në trafikimin e narkotikëve, apo ndonjë rol tjetër në bashkëpunim, pas largimit të tyre nga detyrat e mësipërme.

Për sa i përket të pandehurit Jaeld Çela, ai nuk ka qenë në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, dhe as në ndonjë detyrë tjetër në këtë drejtori policie, në kohën kur janë kryer episodet e trafikimit të lëndëve narkotike të datave 25.10.2013, 27.02.2014 dhe 29.07.2014. Për pasojë, për këto episode trafikimi, ai duhet deklaruar i pafajshëm për veprën të “Trafikimit të narkotikëve” në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 283/a paragrafi i parë, 28 pika 4 dhe 334 paragrafi i parë, të K.Penal, pasi nuk provohet që të ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohet, bazuar në nenin 388 pika 1 gërma “d” të K.Pr.Penale. Meqenëse i pandehuri nuk është akuzuar në mënyrë të veçantë për secilin episod trafikimi dhe as nuk është specifikuar nga prokuroria kryerja e trafikimit të narkotikëve si krim vazhdues, siç është përmendur në fillim të kësaj pjese të arsyetimit, gjykata vlerëson se veçimi i asaj veprimtarie të trafikimit të narkotikëve gjatë së cilës i pandehuri Jaeld Çela nuk ka qenë në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë mund të bëhet vetëm duke specifikuar episodet e veçanta për të cilat ai nuk ngarkohet me përgjegjësi penale.

Ndërsa në lidhje me akuzën ndaj këtij të pandehuri për pjesën tjetër, në vijim të asaj që u arsyetua më lart në këtë vendim, në kushtet kur vërtetohet se gjatë kohës që ka qenë në detyrë:

-është ekzekutuar episodi i trafikimit të lëndës narkotike prej 880 kg “cannabis sativa” me peshkarexhën “Fatima”, në datë 5-6 maj 2015, ku ka pasur edhe një përfshirje të lartë të punonjësve të policisë vendore që kanë bashkëpunuar me të pandehurit në procedim të lidhur. ku këta të fundit kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që merrej me këtë veprimtari;

-është evidentuar një shkallë mjaft e lartë e përhapjes së kultivimit të bimëve narkotike “cannabis sativa” në territorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, aktivitete këto të paligjshme furnizuese të drejtpërdrejta të trafikut të narkotikëve;

-shoqëruar në të njëjtën periudhë me mbajtjen e lidhjeve nga i pandehuri me persona të përfshirë në këto veprimtari;

-si dhe mosmarrja e masave të duhura për të parandaluar dhe zbuluar këto vepra penale, në kundërshtim me ligjin;

në vlerësimin e kësaj gjykate, janë indicje të rëndësishme, të sakta dhe në përputhje me njëra-tjetrën, që provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se ai ka konsumuar elementet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Prandaj, në konkluzion, edhe për këtë të pandehur, gjykata, në vendimin përfundimtar, bazuar në nenin 375 të K.Pr.Penale, ndryshon cilësimin ligjor të veprës penale nga “Trafikimi i narkotikëve” i kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 283/a paragrafi i parë, 28 pika 4 dhe 334 paragrafi i parë, të K.Penal, në atë të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Gjithashtu, meqenëse vepra penale e “Grupit të strukturuar kriminal” e parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë të K.Penal, është vepër penale më vete për të cilën akuzohet i pandehuri Jaeld Çela, gjykata, ndodhur në kushtet e përmendura më sipër, vlerëson se nuk provohet që i pandehuri e ka kryer këtë vepër penale, prandaj bazuar në nenin 388, pika 1, gërma “d” të K.Pr.Penale, duhet ta deklarojë atë të pafajshëm (për tre episodet e para të trafikimit të narkotikëve shkaku është i njëjtë me atë të përmendur më sipër për veprën penale të trafikimit të narkotikëve për të njëjtën periudhë).

Në gjykim është vërtetuar se secili nga të pandehurit në mënyrë të pavarur, me mosveprimet e tij në kundërshtim me ligjin, sipas përgjegjësive dhe detyrave ligjore përkatëse që ka pasur, ka sjellë pasojat shoqërisht të rrezikshme që parashikohen në nenin 248 të K.Penal. Prandaj, në vlerësimin e gjykatës, megjithëse ngrihen dyshime, nuk ka elemente të mjaftueshëm provues që, sipas standardit penal, të provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm elementin e bashkëpunimit në këtë vepër penale mes të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela.

Ndryshimi i cilësimit ligjor të veprës penale për të dy të pandehurit nuk vjen në kundërshtim me nenin 375 paragrafët 1 dhe 2 të K.Pr.Penale. Vepra penale e “Shpërdorimit të detyrës” e parashikuar nga neni 248 i K.Penal është vepër penale më e lehtë se ato për të cilat të pandehurit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela janë sjellë për gjykim, prandaj nuk është e nevojshme që të pandehurit të njoftohen më parë nga gjykata për mundësinë e ndryshimit të cilësimit ligjor të veprës penale, sikurse parashikon paragrafi i dytë i nenit të sipërcituar. Ndryshimi i cilësimit ligjor në këtë rast nuk vjen në kundërshtim as me vendimin nr. 4. datë 10.02.2012, të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, gjykata për krime të rënda ka të drejtë që të disponojë edhe për vepra penale që nuk janë në kompetencën e saj kur në vendimin përfundimtar ajo ndryshon cilësimin ligjor të veprës penale. Ky rregullim ligjor është bërë në nenin 5 paragrafi i dytë të ligjit nr. 9110, datë 24.07.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave për krime të rënda” që parashikon: “Kur gjatë gjykimit ndryshohet cilësimi ligjor i veprës penale dhe për këtë shkak kompetente është një gjykatë tjetër, gjykimi vazhdon dhe përfundohet nga gjykata e krimeve të rënda, duke zbatuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale”, i cili është në fuqi referuar nenit 285 (dispozita kalimtare) të ligjit nr. 35/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar”, pika 6 e të cilit ka shfuqizuar pikën 8 të nenit 57 të ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

Të pandehurit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela i plotësojnë kushtet ligjore të parashikuara në nenet 12 dhe 17 të K.Penal për të qenë subjekte të veprës penale (mosha për përgjegjësi penale dhe përgjegjshmëria para ligjit për veprën penale të kryer).

 

6. Individualizimi i dënimit ndaj të pandehurve.

 

...

Vepra penale e “Shpërdorimit të detyrës” e parashikuar nga neni 248 i K.Penal paraqet rrezikshmëri të caktuar shoqërore për shkak të marrëdhënieve juridike që cënon dhe pasojave shoqërisht të rrezikshme që sjell. Shkalla e rrezikshmërisë shoqërore të saj pasqyrohet në sanksionin që parashikon dispozita penale, burgim gjer në shtatë vjet. Në rastin në gjykim shpërdorimi i detyrës i kryer nga të pandehurit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore pasi ka sjellë pasojat e përmendura më lart nga gjykata.

Kryerja e kësaj vepre penale është tregues edhe i rrezikshmërisë shoqërore të autorëve të saj. Gjykata, duke mbajtur parasysh në të njëjtën kohë edhe mënyrën e kryerjes së veprës penale nga të pandehurit lidhur edhe me funksionin publik që kanë ushtruar, vlerëson se masa më e përshtatshme e dënimit ndaj tyre duhet të jetë afër kufijve të sipërm që parashikon dispozita penale përkatëse, konkretisht pesë vjet burgim, e cila vlerësohet se do t’i shërbejë më mirë qëllimit të parandalimit të posaçëm dhe të përgjithshëm të dënimit penal. Gjykata mban parasysh këtu edhe faktin se nuk konstatohet ndonjë rrethanë lehtësuese nga ato që parashikohen në nenin 48 të K.Penal dhe as rrethanat rënduese që parashikohen në nenin 50 të këtij kodi, me përjashtim të rrethanës së parashikuar nga gërma “dh” e kësaj dispozite për të cilën do të sqarohet më poshtë.

Gjykata vlerëson se për të pandehurin Saimir Tahiri plotësohen kushtet e veçanta që parashikon neni 59 i K.Penal për të aplikuar pezullimin e vuajtjes së dënimit me burgim dhe vënien e tij në provë. ...

Në rastin në gjykim, gjykata vlerëson se plotësohen kushtet e veçanta që parashikon neni 59 i K.Penal, pasi masa e dënimit ndaj të pandehurit Saimir Tahiri është pesë vjet burgim dhe duke zbritur një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar ulet në tre vjet e katër muaj burgim, i pandehuri ka në ngarkim fëmijë të mitur në moshë të vogël dhe sjellja e tij pas kryerjes së veprës penale rezulton të ketë qenë e mirë, pasi nuk rezulton të ketë kryer ndonjë vepër tjetër penale, ka qenë korrekt dhe i është përgjigjur thirrjeve dhe kërkesave të organit procedues në fazën e hetimit (e reflektuar kjo në moscaktimin e ndonjë mase sigurimi personal ndaj tij për shkak të mungesës së nevojave të sigurimit) dhe gjykimit të kësaj çështje penale. Prandaj, gjykata, bazuar në nenin 59 të K.Penal, do të urdhërojë pezullimin e vuajtjes së dënimit me burgim për të pandehurin Saimir Tahiri dhe vënien e tij në provë për një afat prej tre vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale, duke urdhëruar që i pandehuri gjatë periudhës së mësipërme të mbajë kontakte me shërbimin e provës.

... Nisur nga sa më sipër, si dhe duke marrë parasysh edhe efektet që rrjedhin nga dënimi plotësues që do të caktohet në vijim, në rastin në gjykim nuk vlerësohet që ndaj të pandehurit Saimir Tahiri gjatë periudhës së provës të jetë i përshtatshëm për t’u caktuar ndonjë nga detyrimet e parashikuara në këtë dispozitë.

Për të pandehurin Jaeld Çela, përveç masës së dënimit, vlerësohet se nuk plotësohen kushtet e tjera të parashikuara nga neni 59 i K.Penal për të pezulluar vuajtjen e dënimit me burgim dhe vënien e tij në provë, për më tepër që i pandehuri Jaeld Çela pas caktimit të masës së sigurimit “arrest në burg” nuk është arritur të gjendet nga policia gjyqësore dhe deri më sot nuk është zbatuar masa e sigurimit ndaj tij.

Krahas dënimit kryesor, gjykata i cakton të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela edhe dënimin plotësues “Heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike” bazuar në nenin 35 paragrafi i dytë të K.Penal, në lidhje me nenin 30 pika 1 të tij, pasi të pandehurit kanë kryer një vepër penale që lidhej me detyrën e tyre, duke shpërdoruar funksionin publik. Si kohë për heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike gjykata çmon të përshtatshme një afat prej tre vitesh, nisur nga të njëjtat rrethana si për dënimin kryesor dhe nga kriteret dhe marzhet e dënimit plotësues që parashikon neni 35 paragrafi i dytë i K.Penal.

... gjykata, në interpretim të nenit 44 paragrafi i dytë të K.Penal, vlerëson se në rastet kur është pezulluar vuajtja e dënimit me burgim zbatimi i dënimit plotësues “heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike” fillon me marrjen formë të prerë, në kuptimin e të qenit i ekzekutueshëm, të këtij vendimi.

Për shkak se dënohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe me dënimin plotësues të mësipërm, ndaj të pandehurve nuk aplikohet edhe si rrethanë rënduese kryerja e veprës penale duke shpërdoruar funksionin publik, e parashikuar nga neni 50 gërma “dh” e K.Penal.

Në lidhje me provat materiale që sipas nenit 188 të K.Pr.Penale janë bashkuar me fashikullin e gjykimit me urdhrin përkatës të prokurorit datë 08.03.20 I 9. gjykata, sipas kërkesës së prokurorisë në diskutimin përfundimtar, vlerëson se ato duhet të mbeten në funksion të procedimit penal të ndarë në ngarkim të të pandehurve në procedim të lidhur Gjergji Kohila dhe Sokol Bode.” 

  1. Kundër vendimit nr. 60, datë 19.09.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ka ushtruar apel Prokuroria pranë kësaj gjykate, më datë 03.10.2019, si dhe shtesë apeli më datë 06.02.2020, e cila ka kërkuar ndryshimin e këtij vendimi, deklarimin fajtor të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela për kryerjeve e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal, si dhe dënimin e tyre me 7 vite burgim për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, të parashikuara nga nenet 283/a/1 dhe 28/4 i Kodit Penal, me 5 vite burgim për veprën penale “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal, dhe me 2 vite burgim për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal. Pas bashkimit të dënimeve sipas nenit 55 të Kodit Penal dënimin e tyre me 12 vite burgim dhe uljen me 1/3 e dënimit në bazë të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, duke u dënuar përfundimisht me 8 vite burgim secili prej tyre, duke parashtruar këto shkaqe:
  • Grupi kriminal gëzonte mbështetje haptazi nga autoritetet policore në aktivitetin e tyre të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike;
  • Këto persona lëviznin të pa shqetësuar dhe udhëzoheshin për koordinatat e lëvizjes së tyre nga personat me funksione shtetërore dhe se këto të fundit detyrën ligjore që kishin ishte parandalimi i trafiqeve;
  • Vetë i pandehuri z. Moisi Habilaj shprehej në përgjime “të gjithë tanët janë këtu”;
  • I gjithë intenerari i udhëtimit të peshkarexhës “Fatima” ka kaluar i pashqetësuar në territorin shqiptar, sikurse z. Moisi Habilaj i premtonte bashkëpunëtorëve italianë përgjatë veprimeve për trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali;
  • Vajzat e çiftit Hoxha dhe djali e prindërit e z. Saimir Tahiri kanë dale nga territori i Republikës së Shqipërisë me mjetin Audi me targa AA 003 GB, mjet në pronësi të vëllezërve Habilaj dhe i drejtuar nga z. Artan Habilaj dhe se drejtuesit e mjeteve rezultojnë të jenë kthyer të nesërmen, më datë 10.08.2014, me mjetin Audi me targa AA 003 GB;
  • Më datë 14.08.2014 z. Artan Habilaj me z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu kanë dalë nga Qafë Bota me mjetin Audi AA 003 GB dhe kanë hyrë në Shqipëri me datë 16.08.2014 nga Porti Detar Sarandë me mjetin lundrues “Auras”;
  • Ndërkohë z. Saimir Tahiri me familjen e tij kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë nga pika e kalimit kufitar Qafë Botë me automjetin Audi AA 003 GB;
  • Nga pyetja e z. Naim Brahimi, z. Dhionis Andoni dhe z. Ardit Bani ka rezultuar se për mjetin skaf në përdorim të z. Saimir Tahiri interesohej vazhdimisht z. Moisi Habilaj dhe se ai është kujdesur për dërgimin e tij për riparim në Itali, marrjen e lejes së lundrimit, marrjen e cilësisë ligjore të kapitenit të mjetit lundrues, në kantierin e riparimeve të mjeteve lundruese në Brindizi dhe më tej ka paguar edhe shpenzimet e qëndrimit në Brindizi;
  • Mjeti lundrues ka qenë vazhdimisht në posedimin dhe gëzimin e z. Saimir Tahiri;
  • Pretendimet e të pandehurit z. Saimir Tahiri se ai nuk njihej me z. Moisi Habilaj hidhet poshtë nga të gjitha provat e administruara në fashikull, se angazhimi i vëllezërve Habilaj ka qenë i vazhdueshëm dhe nuk ka qenë rastësor në ndihmë të z. Saimir Tahiri si dhe se ndërmjet tyre ka pasur marrëdhënie të ngushtë;
  • Nga të gjitha provat provohet se veprat penale janë kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe me kontribut të përbashkët të të gjithë anëtarëve të këtij grupi, gjë që tregon edhe qëndrueshmërinë e grupit kriminal në kryerjen e veprës penale;
  • Provohet se z. Saimir Tahiri dhe z. Jaeld Çela kishin njohje me të pandehurit e tjerë të hetuar dhe gjykuar si bashkëpunëtorë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;
  • Edhe pse nuk ka pasur njohje ndërmjet të gjithëve, provohet të ketë pasur ndërveprim midis të gjithë pjesëtarëve të grupit sipas rolit dhe kontributit që ato kanë dhënë;
  • Provohet se z. Saimir Tahiri, nëpërmjet strukturave të policisë vendore Vlorë, konkretisht përmes z. Jaeld Çela, z. Gjergji Kohila dhe z. Sokol Bode, iu krijonte anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal paprekshmëri dhe mbështetje për kryerjen e veprave penale, kultivimin dhe më tej edhe trafikimin e lëndëve narkotike;
  • Nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, kundër bashkëpunëtorëve të bashkëpandehur, është referuar penalisht informacioni vetëm në datën 29.04.2017, konkretisht një ditë pas largimit nga detyra të Drejtorit të Policisë Vendore Vlorë dhe një muaj pas largimit nga detyra të Ministrit të Brendshëm, si bashkëtëpandehur në këtë proces;
  • Nuk është i bazuar qëndrimi i gjykatës së shkallës së parë se bashkëtëpandehurit z. Saimir Tahiri dhe z. Jaeld Çela e kanë kryer veprën penale përmes mosveprimit dhe se kanë konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal, pasi këta bashkëtëpandehur kanë qenë në dijeni të aktivitetit kriminal, kanë krijuar kushtet që oficerët e policisë gjyqësore, vartës të tyre, të japin informacionin dhe të heqin pengesat për kryerjen e këtij aktiviteti kriminal si dhe favorizojnë anëtarët e grupit kriminal për kryerjen e veprës penale në fazën e kultivimit, me qëllim realizimin e trafikimit të lëndëve narkotike;
  • Nga përgjimet e peshkarexhës “Fatima” dhe nga përgjimet e z. Taulant Haxhiraj si dhe nga raportimet e Guardia di Finanza provohet se strukturat policore të shtetit jepnin ndihmën për zhvillimin e aktivitetit kriminal të kultivimit dhe të trafikimit të narkotikëve;
  • Bashkëtëpandehurit z. Saimir Tahiri dhe z. Jaeld çela e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen përmes rolit të ndihmësit, duke hequr pengesat për realizimin e aktivitetit kriminal të trafikimit të narkotikëve dhe në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;
  • Përmes këtij kontributi është lejuar marrja e informacionit nga anëtarët e tjerë të grupit të strukturuar kriminal dhe është mundësuar shtrirja kohore e veprimtarisë së trafikimit të narkotikëve nga ana e këtij grupi;
  • Nuk është domosdoshmëri që të gjithë anëtarët e grupit të strukturuar kriminal të njihen ndërmjet tyre dhe se rëndësi duhet të ketë bashkëpunimi dhe ndërveprimi në kohë e në hapë hapësirë, duke qenë sakaq të vetëdijshëm për rolin në kuadër të organizimit të posaçëm dhe për realizimin e veprës penale;
  • Z. Moisi Habilaj është angazhuar financiarisht dhe personalisht në favor të z. Saimir Tahiri;
  • Provohet se bashkëtëpandehurit kanë kryer veprën penale të parashikuar nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal dhe duhet të deklarohen fajtor për kryerjen e këtyre veprave penale;
  • Gjykata nuk ka bërë një analizë të drejtë të disa prej provave të administruara prej saj duke i dhënë faktit penal cilësim juridik të gabuar për të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe z. Jaeld Çela;
  • Nga ana e gjykatës janë vlerësuar dhe evidentuar në mënyrë të hollësishme provat e paraqitura nga prokuroria për faktet objekt akuze në ngarkim të të pandehurit z. Saimir Tahiri lidhur me marrëdhëniet apo qëndrueshmërinë e tij me pjesëtarët e tjerë të grupit kriminal z. Moisi Habilaj, z. Florian Habilaj etj., gjatë kohës së ushtrimit të aktivitetit kriminal të trafikimit të narkotikeve dhe se për rrjedhojë duhet të ishte konkluduar se të gjitha këto fakte që provohen nga hetimi kanë krijuar elementet e marrëveshjes për bashkëpunimin e posaçëm në kryerjen e veprave penale të trafikimit të lëndëve narkotike;
  • Të njëjtat të dhëna krijohen edhe për bashkëpunimin e të pandehurve në këtë procedim, pasi numri i madh i komunikimeve, pozicioni si drejtues i policisë në Vlorë dhe pozita e Ministrit të Brendshëm, komunikimet me telefon të drejtorit me anëtarët e grupit të strukturuar kriminal dhe bashkëpunimi i tyre me forcat e policisë krijon dyshimin se të dy kanë realizuar rolin e ndihmësit në kuadër të aktiviteti kriminal që ka realizuar grupi gjatë kësaj kohe, duke hequr pengesat ligjore dhe policore në drejtim të zhvillimit të tij;
  • Gjithashtu duhet të sillet në vëmendje se anëtarët e grupit të strukturuar kriminal në këtë kohë kanë pasur komunikime të shumta dhe në mënyrë të pashpjegueshme me bashkëpunëtorët nëpunës në Ministrinë e Brendshme ndër më të afërmit në atë kohë të të pandehurit z. Saimir Tahiri;
  • Arrihet në përfundimin se gjykata nuk ka bërë një analizë të drejtë të disa prej provave të administruara prej saj duke i dhënë faktit penal cilësim juridik të gabuar për të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe z. Jaeld Çela;
  • Faktet objekt akuze në ngarkim të të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe z. Jaeld Çela tregojnë llojin e marrëdhënieve apo qëndrueshmërinë e tyre me pjesëtarët e tjerë të grupit kriminal z. Moisi Habilaj, z. Florian Habilaj etj., gjatë kohës së ushtrimit të aktivitetit kriminal të trafikimit të narkotikeve.
  1. Prokuroria ka paraqitur pretendimet përfundimtare në parashtrimet e paraqitura me shkrim në gjykimin e parë në gjykatën e apelit. Në parashtrimet verbale të realizuara në gjykimin e dytë në apel prokuroria deklaroi se i përmbahet parashtrimeve të dorëzuara me shkrim në fashikullin e parë të gjykimit në apel. Në këtë akt shkresor prokuroria ka parashtruar në mënyrë të përmbledhur se:
  • Automjetin Audi AA 003 GB e ka blerë i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj;
  • Automjeti në këtë rast ka shërbyer si mburojë paprekshmërie për Habilajt në periudhën e kulmit të ushtrimit të aktivitetit kriminal të tyre në Vlorë, si në realizimin e kultivimit dhe në realizimin e trafikimit të lëndës narkotike cannabis sativa;
  • Dy përgjimet e dokumentuara nga autoritetet italiane të drejtësisë mbi “shefin e madh” adresojnë detyrimisht si të tillë të pandehurin z. Saimir Tahiri sepse vetëm ky është personi me pushtet kryesor që mundet të mbronte Habilajt;
  • “Fatima”, si mjeti lundrues peshkarexhë që transportoi lëndën narkotike, është futur pa asnjë pengesë në territorin e Republikës së Shqipërisë, është ngarkuar me armë dhe lëndë narkotike dhe ka dalë jashtë këtij territori, duke mbërritur deri në brigjet italiane ku është zbuluar dhe sekuestruar, pa asnjë pengesë dhe lirisht, duke bashkëpunuar me funksionarët e policisë dhe funksionarët e tjerë të shtetit;
  • Në Greqi shpenzimet për skafin i ka bërë z. Artan Habilaj dhe në Itali shpenzimet për skafin e të pandehurit z. Saimir Tahiri i ka bërë z. Moisi Habilaj dhe se këto prova tregojnë se angazhimi i Habilajve për llogari të z. Saimir Tahiri nuk ka qenë rastësor dhe se ka pasur marrëdhënie të afërt dhe të qëndrueshme ndërmjet tyre;
  • Veprat penale të grupit të strukturuar kriminal janë kryer me kontribut të përbashkët të çdo pjesëtari;
  • I pandehuri z. Saimir Tahiri përmes funksionarëve të policisë vendore në Qarkun e Vlorës, z. Jaeld çela, z. Gjergji Kohila, z. Sokol Bode, u ka krijuar grupit të strukturuar kriminal paprekshmëri dhe mbështetje në kryerjen e veprës penale;
  • Referimi penal në prokurori nga ana e policisë së Vlorës është bërë vetëm një ditë pas largimit nga detyra të të pandehurit z. Jaeld Çela dhe një muaj pas largimit nga detyra të të pandehurit z. Saimir Tahiri;
  • Gjykata e shkallës së parë ka zbatuar në mënyrë të gabuar nenin 375 të Kodit të Procedurës Penale në ndryshimin e kualifikimit të faktit penal dhe gjithashtu është zbatuar gabim neni 152 i Kodit të Procedurës Penale, duke vlerësuar në mënyrë të gabuar provat në tërësi dhe indicjet të cilat e provojnë faktin penal në mënyrë të përputhshme;
  • Gjykata e shkallës së parë është kontradiktore në mënyrën se si e ka arsyetuar vendimin dhe se si i ka arsyetuar provat e administruara në gjykim mbi marrëdhënien e qëndrueshme në kohë ndërmjet Habilajve dhe të pandehurit z. Saimir Tahiri gjatë kohës së ushtrimit të aktivitetit kriminal të grupit të strukturuar kriminal dhe se në vlerësimin e drejtë të këtij fakti nuk mundet të kualifikohet fakti penal historik si shpërdorim detyre;
  • Me faktet e pranuara në mbështetje të kualifikimit juridik të bërë nga ana e gjykatës së shkallës së parë vepra penale e konsumuar nga i pandehuri z. Saimir Tahiri duhet të kualifikohej si pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal, sipas nenit 333/a të Kodit Penal, dhe trafikimi i lëndëve narkotike e kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, sipas nenit 283/a dhe 334/1 të Kodit Penal;
  • Të pandehurit në këtë gjykim kanë krijuar lehtësirat e nevojshme në Shqipëri për të kryer aktivitetin kriminal të narkotikëve grupi i strukturuar kriminal i kryesuar nga i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj, pasi këtë fakt e tregon edhe fakti se trafikimi i lëndës narkotike nuk kufizohej dhe nuk pengohej nga asgjë në Shqipëri dhe se ajo zbulohej dhe sekuestrohej, duke u arrestuar edhe transportuesit apo porositësit vetëm nga Republika e Italisë;
  • Ky bashkëpunim ka përforcuar bindjen dhe ka inkurajuar bashkëpunëtorët pjesëmarrës të grupit të strukturuar kriminal për të zhvilluar aktivitetin kriminal të lëndëve narkotike;
  • Ky bashkëpunim i të pandehurve me grupin e strukturuar kriminal ka dekurajuar forcat e policisë për të luftuar krimin dhe ka qenë shtysë për element të caktuar ndërmjet tyre dhe për funksionarë të tjerë shtetërorë për të bashkëpunuar dhe për t’u infiltruar në grupin e strukturuar kriminal;
  • Viti 2016 ka shënuar aktivitetin kriminal masiv në Vlorë të lëndës narkotike cannabis sativa;
  • Informacioni për kultivimin dhe trafikimin e lëndës narkotike ka ardhur gjithmonë nga agjencitë e tjera ligjzbatuese për Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë dhe jo kryesisht nga punonjësit e policisë vendore të kësaj drejtorie;
  • Veprimet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë në vitin 2016 kanë ardhur vetëm pas raportimeve të Guardia di Finanza në konstatimet që ato kanë bërë pas kryerjeve ajrore;
  • Edhe kur zbuloheshin parcelat e lëndëve narkotike ato përzgjidheshin për asgjësime në mënyrë selektive;
  • Edhe kur priheshin bimët e lëndës narkotike ato liheshin aty dhe të paasgjësuara në mënyrë që zotëruesit e tyre të merrnin çfarë ishte korrur nga ana e policisë;
  • I pandehuri z. Jaeld çela ka qenë në detyrë në kohën kur ka ndodhur episodi i trafikimit të lëndës narkotike i ekzekutuar me datë 5 – 6 Maj 2015;
  • Vendimi i gjykatës së shkallës së parë duhet të ndryshohet qoftë për kualifikimin e faktit penal historik dhe qoftë për dënimin penal të caktuar, duke u deklaruar fajtor dhe duke u dënuar të pandehurit sipas konkluzioneve të realizuara në gjykatën e shkallës së parë dhe të parashtruara në apelin e ushtruar nga prokuroria.
  1. Kundër vendimit nr. 60, datë 19.09.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ka ushtruar apel i pandehuri Saimir Tahiri, më datë 03.10.2019, i cili ka kërkuar ndryshimin e këtij vendimi dhe deklarimin e pafajshëm për akuzat e ngritura, ose në alternativë, prishjen e këtij vendimi dhe pushimin e çështjes, duke parashtruar këto shkaqe:
  • Vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk ka zbatuar parimin “ne bis in idem” të parashikuar nga neni 34 i Kushtetutës, neni 4 i Protokollit nr. 7 të KEDNJ, neni 7 i Kodit të Procedurës Penale dhe neni 53, pika 1, i Konventës Evropiane për Vlefshmërinë e Gjykimeve Penale;
  • Në rastin konkret edhe vendimi gjyqësor i pushimit të akuzës apo të çështjes penale, për llogari të këtyre dispozitave, duhet të përfshihet në parimin “ne bis in idem” dhe duhet të barazohet me vendimin përfundimtar gjyqësor të pafajësisë;
  • Në rastin konkret fashikujt hetimorë janë identik si në Republikën e Italisë dhe në Republikën e Shqipërisë, bëhet fjalë për të njëjtat ngjarje, të njëjtat subjekte dhe të njëjtat fakte objekt akuze, e njëjta kohë dhe zhvillim të fakteve në të njëjtën hapësirë dhe se gjithashtu vendimi i Gjykatës së Katanias është vendim gjyqësor i formës së prerë dhe gjë e gjykuar edhe sipas jurisprudencës së Vendimit Unifikues Penal nr. 2/2014 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;
  • Parimi “ne bis in idem” vlen jo vetëm për gjykimin por edhe për hetimin pasi ndalohet të zhvillohet hetimi dy herë për të njëjtin fakt dhe prokuroria duhet të kishte vendosur menjëherë pushimin e akuzës edhe sipas kritereve të jurisprudencës “Nikitin v. Russia”, Zolotukhin v. Russia”, “Tomasovic v. Croatia”, “Bosman v. Finland”, “Muslija v. Bosnia and Hercegovina” të GJEDNJ dhe Vendimit Unifikues nr. 3/2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;
  • Me Vendimin nr. 27, datë 19.01.1995 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Italisë arsyetohet se vendimi i pushimit i gjyqtarit të seancës paraprake përbën gjë të gjykuar, duke i njohur edhe këtij vendimi efekt prekluziv për efekt të zbatimit të parimit “ne bis in idem” dhe duke referuar sakaq edhe në Vendimin e datës 22.03.2000 të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë;
  • Edhe provat e marra në procedimin penal të dytë, pa u revokuar më parë vendimi i pushimit, përbën shkak ligjor për papërdorshmërinë e tyre, sipas paragrafit të tretë të nenit 151 të Kodit të Procedurës Penale;
  • Vendimi i marrë nga gjykata italiane në këtë rast është plotësisht i ekzekutueshëm dhe i paankimueshëm;
  • Nga nenet 3, 4, 5, 6, 7 dhe 8 të Rregullores së Organizimit dhe Funksionimit të Ministrisë së Brendshme del qartë se z. Saimir Tahiri nuk ka shkelur asnjë normë ligjore dhe se funksioni i Ministrit ka karakter politik, duke pasur si detyrë hartimin e politikave dhe zbatimin e strategjive të punëve të brendshme në shtet në përputhje me programin politik;
  • Ministri i Brendshëm nuk ka detyrë të hetojë në terren paligjshmërinë që nuk konstatohet nga vartësit e tij, pasi ka struktura në varësi që kanë detyrimin ta bëjnë këtë gjë;
  • Nuk është individualizuar cili është veprimi apo mosveprimi i kryer nga personi që ushtron funksion publik dhe kush është akti nënligjor i shkelur dhe se duhet të vërtetohet gjithashtu edhe kush është cenimi i interesit publik apo i atij të shtetasve që ka ndodhur në këtë rast, e njëkohësisht duhet të ishte vërtetuar dhe analizuar edhe lidhja shkakësore ndërmjet tyre;
  • Në rastin konkret mungon lidhja shkakësore e sjelljes dhe pasojës së ardhur si dhe nuk qartësohet se kush kanë qenë përfitimet e te pandehurit apo të personave të tjerë, duke pasur parasysh edhe Vendimin nr. 138, datë 14.05.2014 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë;
  • Ministri i Brendshëm z. Saimir Tahiri ka kryer çdo veprim të nevojshëm për realizimin e detyrës së tij, sipas Ligjit nr. 9000, datë 31.01.2003;
  • Vendimi i gjykatës së shkallës së parë duhet të ndryshohet për pjesën e deklarimit fajtor të të pandehurit z. Saimir Tahiri për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe ai duhet të deklarohet i pafajshëm për këtë akuzë.
  1. Në gjykimin e parë në apel i pandehuri z. Saimir Tahiri ka dorëzuar parashtrimet dhe njëherazi konkluzionet gjithsej 131 fletë. Në gjykimin për herë të dytë në apel i pandehuri dhe mbrojtja sqaruan se nuk kanë konkluzione të reja me shkrim dhe se duhet të vlerësohen të njëjtat parashtresa dhe konkluzione të dorëzuara në gjykimin e parë në apel. Në fashikullin e gjykimit të parë në apel ndodhen parashtresat dhe konkluzionet e të pandehurit z, Saimir Tahiri, në të cilat parashtrohet në mënyrë të përmbledhur se:
  • Kjo çështje penale është gjykuar më parë nga ana e gjykatës së hetimeve në Katania, Republika e Italisë dhe se për rrjedhojë vendimi i gjykatës së shkallës së parë duhet të prishet dhe duhet të vendoset pushimi i çështjes penale si pasojë e veprimit të parimit ne bis in idem;
  • Grupi kriminal i strukturuar “Haxhiraj” me grupin e strukturuar kriminal “Habilaj” nuk kanë lidhje me njëri tjetrin dhe se konkluzionet e prokurorisë dhe gjyqtarit të seancës paraprake janë të pabazuara në prova në këtë pjesë;
  • Vepra penale e parashikuar nga neni 283/a e Kodit Penal nuk mundet të pretendohet se kryhet me mosveprim dhe se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka pasur si Ministër i Brendshëm autoritet politik dhe se e ka pasur të ndaluar me ligj të ndërmarrë veprime operacionale policore;
  • Nuk provohet dashja direkte dhe nuk ka as prova që të vërtetojnë tej dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri ka kryer veprën penale të parashikuar nga neni 333/a dhe 283/a të Kodit Penal;
  • Nuk provohet ekzistenca e marrëveshjes kriminale ndërmjet tij dhe anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal;
  • Nga prokuroria dhe nga provat në fashikull nuk identifikohet se kush është ndihma e dhënë konkretisht dhe se nuk mundet të arrihet në konkluzionin e kryerjes së veprave penale objekt akuze përmes interpretimeve të zgjeruara të ligjit dhe të fakteve apo provave në dosje;
  • Nuk dokumentohet në dosje me prova konkrete se si ka ndikuar i pandehuri tek vartësit dhe se për këtë arsye nuk mundet që ai të konsiderohet bashkëpunëtor në grupin e strukturuar kriminal;
  • Duhet të mbahet parasysh Vendimi nr. 38/2015 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë në të cilën është arritur konkluzioni se vepra penale e parashikuar nga neni 333/a i Kodit Penal përthithet nga neni 334/1 i Kodit Penal;
  • Kontributi funksional dhe real i bashkëpunëtorit pjesëtar i gripit të strukturuar kriminal duhet të jetë kurdoherë i qartë, i identifikueshëm, relevant dhe të ketë lidhje shkak-pasojë me arritjen e qëllimit kriminal të organizatës
  • Bashkëpunëtori duhet të ketë dijeni për çdo fazë të zhvillimit të grupit të strukturuar kriminal, qoftë për krijimin, strukturimin dhe vetë aktivitetin e grupit dhe më tej duhet të provohet vullneti i të pandehurit për pjesëmarrje në këtë organizatë;
  • Shkurti 2017 dhe tetori 2017 nuk janë pjesë e akuzës kundër të pandehurit;
  • Ai nuk ka lidhje as edhe me tetorin e vitit 2016 dhe se grupi i strukturuar kriminal i drejtuar nga i dënuari z. Taulant Haxhiraj nuk ka lidhje me të pandehurin;
  • I pandehuri z. Jaeld Çela nuk ka qenë në detyrë në tre episodet e para të trafikimit të lëndës narkotike objekt akuze dhe se provohet gjithashtu se edhe i pandehuri në procedimin e lidhur z. Gjergji Kohila nuk ka qenë në detyrë të katër episode e para të trafikimit të lëndës narkotike;
  • Nuk ka asnjë kontribut të të pandehurit tek aktiviteti i grupit të strukturuar kriminal ‘‘Haxhiraj’’;
  • I pandehuri nuk ka asnjë kontribut në fikjen e radarëve në ishullin e Sazanit, pasi ai nuk ka pasur kompetenca për ta realizuar këtë gjë në cilësinë e Ministrit të Brendshëm;
  • Komunikimet telefonike ndërmjet Ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë kanë qenë në funksion të punës zyrtare dhe se ky është i vetmi fakt i akuzës për të provuar lidhjet me grupin e strukturuar kriminal si pjesëtar;
  • Secili nga pjesëtarët duhet të njohë aktivitetin e të tjerëve dhe të jetë njëkohësisht i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm për kontributin e tij në tërësinë e aktivitetit;
  • Gjykata e Kasacionit e Italisë ka vlerësuar se kontributi i pjesëtarit të formacionit kriminal duhet të luajë një rol dinamik dhe funksional brenda këij grupi ku të ketë status përkatësie, ndërkohë që në këtë çështje nuk provohet statusi i përkatësisë apo pjesëmarrjes në këtë grup, pasi i pandehuri nuk ka as rol dhe as ka ofruar lehtësi;
  • Përgjimet e realizuara nuk mundet të konsiderohen si prova, pasi ato ligjërisht janë mjete për kërkimin e provës dhe se për të vërtetuar një fakt të caktuar ato duhet të konfirmohen nga provat;
  • Fakti që pjesëtarët e grupit kriminal kanë pasur dijeni se po përgjohen e vërtetojnë edhe thëniet e dëshmitares znj. Brunilda Alikaj;
  • Përgjimi i vitit 2014 “30,000 Euro Saimirit” nuk ka asnjë lidhje me të pandehurin, pasi është provuar në përgjimin e vitit 2017 se “Saimiri” ishte transportuesi me kamion i lëndës narkotike;
  • Përgjimi ku përftohet e dhëna “5 milion euro në muaj” është vetëm një përgojim ordiner, i ulët dhe i pabazë ndërmjet atyre që komunikojnë;
  • Përgjimi “shefi i madh” datë 06.10.2013 ndërmjet të pandehurve në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj nuk është dot i aftë që të identifikojë saktësisht se kush është ky person dhe nuk mundet të provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se është i pandehuri z. Saimir Tahiri;
  • Përgjimi “shefi i madh” datë 23.11.2013 ndërmjet z. Artan Habilaj dhe të pandehurit në procedim z. Moisi Habilaj nuk mundet të identifikojë si shefin e madh të pandehurin z. Saimir Tahiri, pasi ai me datë 20 nëntor 2013 deri me datë 23 nëntor 2013 ka qenë për një vizitë zyrtare në Vjenë dhe se ka ardhur me datë 23.11.2013, duke mos pasur sakaq mundësi objektive për të qenë për darkë me z. Artan Habilaj. Në këtë datë i pandehuri ka qenë në zyrë me takime tejet e të zgjatura për shkak të ngjarjes së arratisjes nga burgu i Drenovës së të disa burgosurve dhe se ka qenë edhe në një mbledhje qeverie që ka zgjatur disa orë në Dajt;
  • Përgjimi datë 10.10.2014 i të pandehurit në procedim të lidhur z. Maridian Sulaj nuk ka asnjë lidhje me realitetin nga ana përmbajtësore dhe se duhet të mbahet parasysh se z. Artan Habilaj nuk është dhe nuk ka qenë në Shqipëri dhe në Itali i proceduar;
  • Çdo deklarim i tyre për të pandehurin tregon se janë të painformuar dhe se flitet për të dhëna të marra dijeni nga persona të tretë të cilat edhe vetë i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj nuk i ka pranuar në të dy rastet kur është pyetur;
  • Edhe vetë i pandehuri në procedimin e lidhur z. Maridian Sulaj nuk i ka pranuar këto fakte dhe se në këto kushte ky përgjim nuk mundet të vlerësohet se ka vlerë juridike dhe provuese;
  • Pasi akuza ishte ngritur dhe pasi kishte lënë mandatin, nuk mundet të mendohet se i pandehuri vazhdonte të ishte bashkëpunëtor dhe se bashkëpunimi ka vazhduar deri në episodin “Koçerri”;
  • Nga këqyrja telefonit të të dënuarit z. Taulant Haxhiraj, konkretisht për pjesën “akoma s’kanë marrë garanci kushot e ministrit” dhe “e kam të sigurt me drejtorin” nuk mundet të përftohet asnjë provë ndaj të pandehurit, qoftë se bëhet fjalë për Ministrin e Brendshëm, për kushërinjtë e tij apo për drejtorin e policisë së qarkut;
  • I pandehuri nuk akuzohet për kultivimin e bimëve narkotike dhe se episodet e akuzës përfundojnë në vitin 2015, ndërkohë që komunikimet telefonike të të dënuarit z. Taulant Haxhiraj janë realizuar në vitin 2016 dhe se duhet të mbahet parasysh se ai është dënuar për kultivim dhe jo për trafikim;
  • Vendimi nr. 62/2018 i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda pranon se procedimi penal ndaj të pandehurit z. Taulant Haxhiraj dhe grupit të tij të strukturuar kriminal nisi pikërisht nga referimi penal i realizuar nga Stacioni i Policisë Selenicë dhe se nuk mundet të pretendohet se Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë është bashkëpunëtor me këtë grup të strukturuar kriminal;
  • Rezulton se z. Taulant Haxhiraj nuk është pyetur asnjëherë lidhur me të pandehurit në këtë çështje dhe se përbën shkelje përdorimi i përgjimit të një bashkëtëpandehuri ndaj një bashkëtëpandehuri tjetër nëse nuk pyetet ai më vonë për këto të dhëna dhe se rezulton se ai nuk është pyetur edhe për marrëdhëniet e tij apo të grupit të tij me grupin e strukturuar kriminal “Habilaj”;
  • Sipërfaqet e kultivuara me lëndë narkotike në Qarkun e Vlorës nuk mundet të jenë akuzë kundrejt Ministrit të Brendshëm dhe të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe se prokuroria nuk ka hetuar në këtë drejtim dhe se në këto kushte edhe gjykata nuk mundet të konkludojë se ka pasur sipërfaqe të mëdha apo kultivim masiv të lëndëve narkotike apo edhe të bëjë krahasime dhe vlerësime krahasuese pa pasur të dhëna konkrete për ta realizuar këtë vlerësim;
  • Tek përgjimi “Fatima” nuk rezulton se çfarë roli ka pasur i pandehuri z. Saimir Tahiri, pasi konstatohen se vetë personat shprehen të pasigurt se mundet t’u prishë punë policia dhe se, nëse do të kishin pasur mbështetjen e Ministrit të Brendshëm dhe të Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, atëherë nuk kishin asnjë arsye se pse të frikësoheshin apo të kishin pasiguri;
  • Në këtë çështje nuk ka pasur hetim për të verifikuar se kush ka qenë përgjegjësi bashkëpunëtor në QNOD, kush ka përgjegjësi për fikjen e radarëve dhe se duhet të mbahet parasysh se radarët dhe logjistika e ishullit të Sazanit nuk janë nën autoritetin e Ministrisë së Brendshme;
  • Përgjimet “Fatima” janë vetëm mburrje e shqiptare përkundrejt italianëve dhe se bëhet fjalë jo për radarin por për transponderin e vetë peshkarexhës;
  • Rezulton e provuar se Ministri i Brendshëm z. Saimir Tahiri ka kërkuar zyrtarisht nga Ministria e Mbrojtjes në vitet 2013 dhe 2015 që të merreshin masa për vënien në punë të radarëve që kontrollojnë hapësirën detare dhe se prokuroria duhet të hetonte përgjegjësinë e personave të tjerë përgjegjës në Sazan;
  • I pandehuri nuk ka asnjë telefonatë apo komunikim telefonik me personat e tjerë të identifikuar si pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal nga akuza, përveç ato komunikime telefonike me të bashkëtëpandehurin z. Jaeld Çela;
  • Nuk mundet të pranojë gjykata dhe prokuroria se ekziston entiteti “Habilaj”, sikurse shprehet akuza dhe vendimi, pasi nuk ka përgjegjësi kolektive në procesin penal sepse përgjegjësia është personale;
  • Duhet të mbahet parasysh se komunikimet telefonike jashtë episodeve të trafikimit të lëndës narkotike nuk kanë rëndësi provuese në këtë çështje, konkretisht ato të periudhës 16.05.2016 – 12.06.2017;
  • Nuk rezulton që z. Evi Robot ë ketë qenë ndonjë herë në hetim dhe as nuk është pyetur kurrë nga prokuroria pas katër episodeve të trafikimit;
  • Përse nuk sillen përgjimet e tjera nga prokuroria, nëse rezulton se të pandehurit në procedime të lidhura kanë qenë në përgjim nga autoritetet shqiptare dhe se në këto kushte nuk mundet të përdoret si prove rrjeti i telefonatave të kryqëzuara;
  • I njëjti argument është dhe vlen edhe për rrjetin e telefonatave të kryqëzuara ndërmjet personave që paraqiten në akuzë si ndërmjetës të grupit të strukturuar kriminal dhe të pandehurit z. Saimir Tahiri;
  • Rezultojnë se bisedat ndërmjet z. Evi Robo dhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj janë realizuar në fundjava, në Vlorë apo në Dhërmi dhe se nuk ka qenë kurrë së bashkë me ndonjërin prej tyre i pandehuri z. Saimir Tahiri;
  • I pandehuri z. Saimir Tahiri nuk ka asnjë njohje, asnjë takim, asnjë komunikim telefonik, asnjë marrëdhënie dhe asnjë ndërmjetës të provuar me grupin e strukturuar kriminal sipas pjesëtarëve të identifikuar të tij;
  • Nuk provohet se z. Artan Habilaj të ketë qenë lidhja ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe z. Moisi Habilaj;
  • Lënia e automjetit AA 003 GB nuk ka krijuar asnjë lehtësi në qarkullim për Habilajt dhe se këto nuk kanë përfituar asnjë imunitet nga ky fakt;
  • Nuk tek çdo dyshimi se i pandehuri z. Saimir Tahiri i ka kërkuar z. Artan Habilaj drejtpërdrejtë të përdorte automjetin e tij dhe se përmes dokumenteve provuese të procedimit penal të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier provohet se automjetin i pandehuri e ka kërkuar përmes ungjit të tij, z. Kujtim Tahiri;
  • Lidhur me riparimin e mjetit lundrues të autorizuar kanë qenë vetëm z. Aurel Konakçiu dhe z. Naim Brahimaj dhe se nuk ka qenë i autorizuar të merrej me të, të udhëtonte apo të kujdesej për të i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj;
  • Nuk provohet se porosinë për riparimin e mjetit ta ketë dhënë i pandehuri z. Saimir Tahiri;
  • Nuk provohet se i pandehuri z. Moisi Habilaj ka përfituar trajtim të privilegjuar, pasi fakt është që nëpunësit e kapitenerisë Vlorë nuk e kanë lejuar atë të lundrojë në shkelje të rregullave ligjore dhe se ky është rasti i vetëm i provuar nga hetimet për trajtimin e z. Moisi Habilaj nga autoritetet shtetërore;
  • Nuk ka qenë asnjëherë në hetim apo nuk është dënuar penalisht z. Artan Habilaj dhe se ai rezulton të jetë vëllai i dy bashkëtëpandehurve;
  • Udhëtimi në Greqi i z. Artan Habilaj mundet të përbëjë provë vetëm për të provuar lidhjen familjare ndërmjet babait të të pandehurit dhe z. Artan Habilaj dhe se ky rast është episodik që nuk mundet të tregojë kurrsesi marrëdhënie të konsoliduar;
  • Dërgimi i mjetit nga ana e z. Artan Habilaj tek i pandehuri z. Saimir Tahiri tregon thjeshtë faktin se kanë marrëdhënie familjare ndërmjet babait të të pandehurit dhe ungjit të tij dhe se janë rreth familjar;
  • Edhe ripërdorimi i sendit nuk mundet të konsiderohet si prove dhe edhe sikur të kishin kaluar pushimet së bashku nuk mundet të kishte ky fakt ndonjë domethënie për të mbështetur akuzën, duke mos mbështetur sakaq konkluzionin e akuzës se ka marrëveshje penale ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj;
  • Lidhjet indirekte të të tretëve nuk janë prova dhe se nuk mundet të përdoren lidhje me persona të pahetuar dhe të padënuar për të shpjeguar lidhjet kriminale, duke mos u arritur në asnjë konkluzion sakaq se ndonjë nga këto lidhje i ka shërbyer ekzekutimit të trafikimit;
  • Nuk ka asnjë prove që të vërtetojë konkluzionin e akuzës se në shtatorin e vitit 2017 ka pasur një takim të ndërmjetësuar nga z. Kujtim Tahiri ndërmjet z. Artan Habilaj dhe të pandehurit z. Saimir Tahiri;
  • Nuk ka asnjë prove që të provojë përgjimin mbi byzylykët, pasi nga kontrolli nuk është gjetur qoftë një prove dhe se nga verifikimet në regjistrat kontabël rezulton të mos ketë shitje të tillë në dyqanin Italian dhe se ky përgjim nuk referohet dhe nuk përputhet me asnjë provë tjetër, aq më tepër që i pandehuri z. Antonio Riela mundet të harrojë këdo por jo bashkëpunimin penal me Ministrin e Brendshëm të një shteti;
  • Nuk ka asnjë provë që të provojë vërtetësinë e përgjimit mbi kostumin “Hugo Boss”;
  • Është i gënjeshtërt fakti se riparimet e mjetit lundrues “Auras” janë paguar nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, pasi faturat tatimore nuk e mbështesin deklarimin e z. Naim Brahimaj, duke qenë se dokumenti tregon se ka dale në emër të tij dhe që do të thotë se e ka paguar ai shpenzimin e hotelit ndërkohë provohet se fatura 300 Euro është paguar nga z. Aurel Konakçiu sipas të dhënave të kësaj fature dhe dëshmisë së përgjegjësit italian të kantierit të riparimeve të mjeteve lundruese;
  • Ka dyshime se prokurorët kanë falsifikuar dëshminë e z. Naim Brahimaj në këtë pjesë, pasi nuk përputhet me të dhënat e dokumentit të marrë me letërporosi;
  • Nuk ka kuptim se pse nuk është pyetur mekaniku tjetër i mjetit lundrues, z. Aurel Konakçiu, duke e ditur se ai do të zbardhte të vërtetën dhe se qëllimisht nuk është kryer nga prokuroria ky veprim hetimor;
  • I pandehuri z. Saimir Tahiri ka pasur vetëm dy pushime verore me familjen në mjetin lundrues dhe se e ka marrë nga pronari i ligjshëm vetëm për ta përdorur dhe se nuk mundet të konkludohet se ky mjet lundrues është i të pandehurit aq më tepër kur dokumentet ligjore vërtetojnë pronarin z. Orges Liperi;
  • Fakti që i pandehuri z. Saimir Tahiri është angazhuar për të riparuar skafin tregon se ai ka pasur ndërgjegjen qytetare dhe përgjegjësinë morale për të ndrequr defektin e shkaktuar mjetit në udhëtimin ku ai e kishte marrë atë në përdorim;
  • Nga hetimi i prokurorisë ka rezultuar se i pandehuri z. Saimir Tahiri nuk ka asnjë pasuri të pajustifikuar në Shqipëri apo në Bashkimin Evropian;
  • Nuk provohet të ketë shërbime të bëra nga z. Artan Habilaj apo i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj kundrejt të pandehurit z. Saimir Tahiri, nuk provohet asnjë i tillë dhe se aludimet e të tretëve mbi pronësinë e mjetit lundrues nuk mundet të përdoren si prova;
  • I pandehuri nuk ka komunikuar drejtpërdrejtë me z. Artan Habilaj për rrugën në Greqi dhe nuk rezulton nga tabulatet të ketë komunikime me të dhe se vetëm lidhja e të atit është shpjegimi;
  • Udhëtimi me dy teknikët është episodik dhe rastësor dhe nuk shoqërohet me asnjë komunikim ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Mosi Habilaj dhe se ky fakt nuk mund të konsiderohet si shërbim ndaj Ministrit të Brendshëm;
  • Shërbimet duhet të jenë të vazhdueshme, të qenësishme dhe të qëndrueshme në kohë dhe jo vetëm një apo të një natyre;
  • Nuk provohet asgjë tjetër përveçse këtyre dy episodeve dhe se në këto kushte marrëdhëniet dalin se kanë qenë rastësore dhe jo të tilla sa që të justifikojnë konkluzionin e prokurorisë se kanë qenë të qëndrueshme;
  • Dëshmia e znj. Brunilda Alikaj nuk mundet të përdoret në kushtet kur është dëshmi indirekte dhe se në pyetjen e të pandehurit në procedim të lidhur nuk ka rezultuar të pranohet ky fakt, që në rastin konkret nuk mundet të përdoret sipas nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale;
  • Habilajt nuk ishin të paprekshëm, pasi ato janë proceduar penalisht të pandehurit në procedimin e lidhur, z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj, ndërkohë që Ministër i Brendshëm ishte i pandehuri;
  • Gjithashtu në këtë kohë rezulton se të pandehurit në procedim të lidhur janë denoncuar nga Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, i pandehuri z. Jaeld Çela me shkresën datë 09.06.2016 dhe se është hartuar kundër tyre edhe një plan operacional, duke u referuar në prokurori me datë 14..06.2016;
  • Gjithashtu rezulton se të pandehurit në procedim të lidhur Habilaj janë kontrolluar në sistemin TIMS në vijën e dytë të kontrollit, kontroll i cili është i imtësishëm, konkretisht me datë 18.03.2014 dhe me datë 20.03.2015;
  • Rezulton se ka pasur edhe kontrolle në portin e Vlorës dhe në kufirin me Greqinë;
  • Fakti i referimit penal në prokurorinë e krimeve të rënda një ditë pas largimit nga detyra të Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë dhe një muaj pas largimit nga detyra të Ministrit të Brendshëm nga detyra, konkretisht me datë 29.04.2017, është vetëm një indicje dhe jo provë;
  • Rezulton e provuar se z. Gjergji Kohila i ka dërguar email për të referuar këtë fakt penal tek prokurori i krimeve të rënda z. Dritan Prençi lidhur me këtë procedim dhe se ky email nuk është hetuar, është realizuar me datë 29.04.2017 dhe se nuk është administruar si prove edhe nga ana e gjyqtares së seancës paraprake, duke mos i u shtuar qëllimisht fashikullit të hetimit dhe gjykimit, me qëllim që të fajësohet dhe të mbahet fiktivisht procedimi penal ndaj të pandehurve dhe duke shkelur sakaq nenin 327 pika 4 dhe 5 të Kodit të Procedurës Penale dhe duke e lënë hetimin sakaq të paplotë;
  • As prokuroria dhe as gjykata nuk i ka kthyer përgjigje avokates mbrojtëse të të pandehurit në procedim të lidhur z. Gjergji Kohila, duke e bërë sakaq kërkesën për gjykim të pavlefshëm si akt procedural, sipas nenit 331 pika 2 të Kodit të Procedurës Penale dhe duke mos u respektuar pikat 2, 3, 4 të nenit 327 të këtij Kodi;
  • Gjyqtari i seancës paraprake nuk ka respektuar nenin 332/c/3 të Kodit të Procedurës Penale në mos marrjen e kësaj prove për llogari të mbrojtjes;
  • Shpërdorimi i detyrës si konkluzion i arritur nga gjykata e shkallës së parë vjen në kundërshtim me nenin 375 të Kodit të Procedurës Penale dhe pikës 1 të nenit 376 të këtij Kodi në gjykimin e shkurtuar, pasi nuk ka pasur hetim për këtë vepër, nuk ka qenë pjesë e akuzës kjo vepër dhe se mbrojtja është realizuar për veprat penale të parashikuara nga neni 333/a dhe neni 283/a në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal;
  • Në këtë rast nuk ka mosveprim të të pandehurit në kundërshtim me ligjin dhe se duhet të mbahen parasysh konkluzionet e jurisprudencës së Vendimit nr. 6/36, datë 14.04.2014 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke e fokusuar paligjshmërinë e veprimeve dhe mosveprimeve vetë dhe ekskluzivisht tek ligji dhe jo tek aktet nënligjore normative;
  • Nuk mundet të mbështetet konkluzioni i gjykatës për konsumimin e veprës penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal vetëm tek parimet e përgjithshme të ligjit apo dispozitat e përgjithshme të tij dhe se dispozita e ligjit e shkelur nga autori duhet të jetë kurdoherë urdhëruese dhe e qartë, e identifikueshme dhe e lidhur me detyrën funksionale publike të të pandehurit;
  • Neni 102/4 i Kushtetutës nuk ka asgjë konkrete, neni 5 i Ligjit nr. 90/2012 asgjë konkrete; neni 6 i Ligjit nr. 9000/2003 asgjë konkrete;
  • Në vendimin e gjykatës së shkallës së parë ngatërrohen përgjegjësitë e Ministrit të Brendshëm me përgjegjësitë e Ministrisë së Brendshme dhe se këto konkluzione kanë fajësuar padrejtësisht të pandehurin;
  • Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 942/2003 ka përcaktuar përgjegjësitë e Ministrisë së Brendshme dhe jo të Ministrit të Brendshëm dhe se ligji për policinë e shtetit nuk ka asnjë detyrim për Ministrin e Brendshëm;
  • Nuk ka asnjë provë që i pandehuri si Ministër i Brendshëm nuk ka ushtruar kompetencat sipas urdhërimeve ligjore dhe se konkluzioni i gjykatës është i paqartë se ku është bazuar, duke pasur parasysh nenin 380 të Kodit të Procedurës Penale;
  • Mosshkarkimi i funksionarëve të policisë nuk është fakt që mund të ngarkojë Ministrin e Brendshëm me përgjegjësi penale dhe se nuk ka urdhërim automatik ligjor për marrje masash nga ana e ministrit;
  • Mënyra se si Ministri i Brendshëm e ka ushtruar detyrën gjatë kësaj kohe nuk është hetuar nga prokuroria dhe se duhet të mbahet parasysh se policia është organ dhe institucion autonom nga Ministria e Brendshme;
  • Nuk ka asnjë provë që të provojë se Ministri i Brendshëm nuk ka verifikuar apo nuk ka marrë masa konkrete për të zbatuar këtë detyrim ligjor;
  • Gjykata nuk ka marrë parasysh parimin e ndarjes së funksionit operacional dhe teknik të përgjegjësisë së policisë së shtetit dhe përgjegjësitë politike të Ministrit të Brendshëm dhe se gjykata nuk ka marrë parasysh se në çdo rast përgjegjësia penale është personale;
  • Dispozita e shkelur e ligjit duhet të jetë e identifikueshme dhe drejtpërdrejtë dhe lehtësisht e vjetshme, ku të parashikohet detyrim i qartë shkelja e të cilit passjell përgjegjësi penale për veprimin apo mosveprimin në kundërshtim me të;
  • Gjykata konkludon se ka kryerje të veprës penale me mosveprim dhe se në këtë çështje provat flasim për veprime, si dhënia e automjetit, udhëtime;
  • Cilësimi gjenerik i shkeljes për llogari të përgjegjësisë penale është i pambështetur në ligjj;
  • Gjykata duhet të mbajë parasysh se Ministri i Brendshëm ndalohet të ndërhyjë në detyrat e policisë së shtetit;
  • Për llogari të veprës penale të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal duhet të hetohej se si e ka ushtruar detyrën Ministri i Brendshëm gjatë kohës që shtrihet akuza dhe se ky konkluzion nga gjykata nuk mundet të nxirret nën këtë akuzë që është ngritur;
  • Duhet të vërtetohej mosnxjerrja e një akti apo një udhëzimi për ta akuzuar Ministrin e Brendshëm, sipas nenit 103/4 të Kushtetutës dhe se në këtë çështje mungon një akt apo një fakt që do të duhej ta detyronte Ministrin e Brendshëm që të vepronte;
  • Në këtë rast do të duhej të konsultoheshin të gjitha aktet dhe raportimet e ardhura nga Guardia di Finanza apo nga Departamenti i Shtetit për vlerësimin e punës së Ministrit të Brendshëm;
  • Nuk ka asnjë shkelje të identifikuar gjatë detyrës së Ministrit të Brendshëm të kryer nga i pandehuri;
  • Mjeti lundrues, udhëtimi i njëkohshëm i babait dhe bashkëshortes me të pandehurin në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj nuk lidhen me detyrën e Ministrit të Brendshëm;
  • Shmangia e ekspozimit të lidhjeve familjare me të pandehurin në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj është konkluzion i gabuar i gjykatës së shkallës së parë qoftë në ligj dhe në prova, pasi çdo gjë është e kontrolluar dhe e regjistruar dhe është e pahetuar mjaftueshëm dhe se nuk ka asnjë domethënie konkluzioni se nuk ka regjistrim në kufi për sa kohë i gjithë informacioni i marrë në fashikull për këtë hetim është përftuar nga këqyrja e pasaportave dhe veprimeve të policisë me to;
  • Aludimet për lidhje të të pandehurit z. Saimir Tahiri me të tjerë për shkak të kryqëzimit të telefonatave është i pabazuar në ligj dhe në prova;
  • Nuk ka lidhje shkakësore, sipas nenit 13 të Kodit Penal në lidhje me nenin 248 të tij, lidhur me akuzën e kundrejtuar të pandehurit;
  • Nuk ka prova që të provojë se grupi i strukturuar kriminal është zhvilluar dhe ka intensifikuar veprimtarinë kriminale të lëndëve narkotike nga mosveprimet e Ministrit të Brendshëm;
  • Interesat e ligjshëm të të tretëve, sipas nenit 248 të Kushtetutës, duhet të interpretohen përmes konceptit të interesit të ligjshëm sipas nenit 42 të Kushtetutës dhe se lufta kundër kriminalitetit nuk mundet të jetë interes i ligjshëm i individit dhe nuk mundet të konsiderohet kurrsesi si interes privat;
  • A është e sigurt gjykata se po të heqim sjelljen e z. Saimir Tahiri si Ministër i Brendshëm pasoja e identifikuar nga vetë gjykata në vendim nuk do të vinte?;
  • Kultivimi masiv i lëndës narkotike në Vlorë nuk është pasojë nuk është pasoja e mënyrës se si e ka ushtruar detyrën i pandehuri;
  • Qasja e policisë së Vlorës ndaj aktivitetit kriminal të narkotikëve është e paprovuar dhe se prokuroria nuk ka hetuar në këtë drejtim dhe se nuk ka prova të tilla në fashikullin e hetimit, duke u cenuar sakaq neni 380 i Kodit të Procedurës Penale;
  • Raportimi i Shërbimit Informativ Shtetëror në mënyrë të herëpashershme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë duhet të vlerësohet pozitivisht, që do të thotë se ka pasur bashkëpunim ndërmjet policisë dhe agjencive të tjera ligjzbatuese dhe jo se institucioni nuk ka vepruar;
  • Përgjimet për asgjësime selektive apo për mbështetje nga policia nuk përputhet me provat e tjera dhe se ato në këtë mënyrë janë nul;
  • Nuk ka faj i pandehuri z. Saimir Tahiri në kuptimin penal, nuk ka dashje të drejtpërdrejtë, sipas standardeve interpretative të Vendimit nr. 55/2012 të Gjykatës Kushtetuese dhe Vendimit nr. 358/2008 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe se gjykata e shkallës së parë nuk e ka arsyetuar dashjen;
  • Nuk mundet të konkludohet se ekziston dashja si formë fajësie e të pandehurit z. Saimir Tahiri nga fakti se ndër radhët e pjesëtarëve të grupit të strukturuar kriminal ka pasur forcim të bindjes së mbështetjes prej tij, pasi nuk konkludohet në fajësinë e drejtpërdrejtë të të pandehurit duke mos u identifikuar shkelja e ligjit e bërë nga ai.
  1. Kundër vendimit nr. 60, datë 19.09.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ka ushtruar apel për zënie afati i pandehuri Jaeld Çela, më datë 01.10.2019, dhe më tej apel të plotë në datë 06.03.2020, i cili ka kërkuar ndryshimin e këtij vendimi dhe deklarimin e pafajshëm për akuzat e ngritura, ose në alternativë, prishjen e këtij vendimi dhe pushimin e çështjes, duke parashtruar këto shkaqe:
  • Në tre episodet e para dhe në episodin e fundit të trafikimit të lëndëve narkotike z. Jaeld Çela nuk ka qenë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë;
  • Qoftë ne pretendimet e prokurorisë, por dhe në vendimin e gjykatës në seancë paraprake, nuk shpjegohet sesi ka arritur prokuroria në përfundimin që i dënuarit z. Taulant Haxhiraj ka pasur lidhje me të pandehurin z. Jaeld Çela, ku nga të gjitha provat nuk rezulton qoftë edhe një komunikimi i vetëm telefonik mes tyre;
  • Nga këqyrja e aparateve telefonike të sekuestruara të dënuarit z. Taulant Haxhiraj nuk rezulton që numrat telefonik në përdorim të të pandehurit z. Jaeld Çela të kenë qenë të regjistruara në rubrikën e kontakteve të tij;
  • Prokurori nuk ka pyetur as vetë të dënuarin z. Taulant Haxhiraj në lidhje me këto fakte;
  • Operacioni për arrestimin e të dënuarit z. Taulant Haxhiraj është drejtuar pikërisht nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në kohën kur drejtues i saj ishte pikërisht i pandehuri z. Jaeld Çela;
  • Prokurori në fillim e gjykata e shkallës së parë më pas, identifikojnë pa një provueshmëri konkrete se “drejtori” i përmendur nga i dënuari z. Taulant Haxhiraj është i pandehuri z. Jaeld Çela;
  • Nga aktet e paraqitura nga prokuroria nuk ka asnjë raport përgjimi në vende publike, ku të dokumentohet njohja mes z. Taulant Haxhiraj dhe të pandehurit z. Jaeld Çelës;
  • Ndërkohë për sa i përket kontaktit telefonik të të pandehurit z. Jaeld Çela me të bashkëpandehurin z. Florian Habilaj, gjykata konkludon se nga të dhënat mund të provohet vetëm njohja por jo ndonjë veprim konkret i të pandehurit, ndërkohë që përmbajtja e komunikimeve është e panjohur;
  • Të vetmet komunikime janë një bisedë që zgjat 37 sekonda e regjistruar më datë 28.01.2016, si dhe një mesazh i dërguar nga z. Florian Habilaj në 31.12.2016;
  • Nga fashikujt hetimorë të procedimit penal në ngarkim të pandehurit z. Jaeld Çela, rezulton se ai ka ndërmarrë veprime konkrete, të dokumentuara në akte shkresore, për marrjen dhe ndjekjen e informacionit për kultivim të bimëve narkotike nga bashkëtëpandehurit z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj, deri në asgjësimin e parcelave të kultivuara, për të cilat ka kryer edhe referimin në organin e prokurorisë së Vlorës;
  • Gjykata ka arsyetuar se provohet tej çdo dyshimi te arsyeshëm shpërdorimi i detyrës, në lidhje me episodin e trafikimit të lëndës narkotike në datë 5-6 maj 2015, duke argumentuar se është evidentuar një shkallë mjaft e lartë e përhapjes së kultivimit të lëndëve narkotike në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë;
  • Gjykata nuk evidenton cilat janë provat konkrete apo rastet e evidentuara në një shkallë mjaft të lartë të përhapjes së kultivimit të narkotikëve, që nuk është ushtruar ndjekje penale nga i pandehuri z. Jaeld Çela;
  • Gjykata nuk kuptohet në arsyetimin e saj, në disa momente i quan komunikimet e të pandehurit z. Jaeld Çela me z. Florian Habilaj apo ato të të dënuarit z. Taulant Haxhiraj me persona të paidentifikuar, si komunikime të paqarta për nga përmbajtja, e më pas i konsideron si lidhje që i pandehuri ka me persona të përfshirë në këtë veprimtari;
  • Prokuroria nuk arriti të provojë në asnjë moment asnjë lidhje, e ndërkohë as gjykata nuk tregon provat me të cilat argumenton këtë konkluzion;
  • Gjykata argumenton se nuk janë marrë masat e duhura për të parandaluar dhe zbuluar këto vepra penale, në kundërshtim me ligjin por në rastin objekt gjykimi i pandehuri z. Jaeld Çela ka marrë një sërë masash për luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike;
  • Z. Jaeld Çela ka të paktën 4 fashikuj hetimorë ku evidentohen veprimet konkrete të kryera prej tij dhe nuk ka asnjë provë që të provojë fajësinë e tij;
  • Vendimi i gjykatës së shkallës së parë duhet të ndryshohet për pjesën e deklarimit fajtor të të pandehurit për veprën penale të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal dhe se edhe për këtë vepër penale ai duhet të deklarohet i pafajshëm.
  1. Kundër apelit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, ndaj vendimit nr. 60, datë 19.09.2019, të kësaj gjykate, i pandehuri Jaeld Çela ka bërë apel kundërshtues dhe ka kërkuar mospranimin e tij, duke parashtruar këto shkaqe:
  • Në tre episodet e trafikimit të lëndëve narkotike, konkretisht më datë 25.10.2013, 27.02.2014, datë 29.07.2014 i pandehuri z. Jaeld Çela, sikurse konkludon edhe gjykata e shkallës së parë, nuk ka qenë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe për rrjedhojë akuza për këtë pjesë nuk ka asnjë bazë faktike e juridike;
  • Nuk ka asnjë komunikim telefonik të të dënuarit z. Talulant Haxhiraj me të pandehurin z. Jaeld Çela dhe nuk mundet në këto kushte që t’i jepet fuqi provuese përgjimit të këtij të dënuari në pjesën që thotë se ka pasur lidhje dhe mbrojtje apo bashkëpunim me të pandehurin z. Jaeld Çela;
  • Nuk rezulton që edhe nga këqyrjet e telefonit të të dënuarit z. Taulant Haxhiraj të ekzistojë numri i telefonit të të pandehurit z. Jaeld Çela;
  • Prokuroria nuk e ka pyetur të dënuarin z. Taulant Haxhiraj për lidhjet që ka pasur me të pandehurin z. Jaeld Çela;
  • Operacioni i arrestimit të të dënuarit z. Taulant Haxhiraj është drejtuar nga policia e Vlorës dhe se ka qenë vetë i pandehuri z. Jaeld Çela që ka dërguar provat kundër tij në Prokurorinë për Krimet e Rënda;
  • Të gjitha shkresat e dërguara nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë në këtë rast për prokurorinë, nga data 05.01.2016 e deri me datë 16.01.2017, provojnë se ka qenë i pandehuri që ka kërkuar ushtrimin e ndjekjes penale për kultivimin e lëndëve narkotike;
  • I pandehuri z. Jaeld Çela ka qenë në detyrë vetëm gjatë episodit të trafikimit të datës 09.05.2015;
  • Kontaktet telefonike ndërmjet bashkëtëpandehurit z. Florian Habilaj me të pandehurin z. Jaeld Çela, në kushtet kur nuk provohet përmbajtja e tyre nuk mund të përbëjnë krim;
  • Nuk ka asnjë përgjim, asnjë komunikim, njohje, miqësi dhe asnjë marrëdhënie që të lidhë të pandehurin me subjektet e bashkëpunimit të posaçëm penal;
  • Nuk ka asnjë provë që të provojë se në fshatin Kuç ka pasur kultivim të bimëve narkotike dhe se i pandehuri për këtë aktivitet ka përfituar 30 % të shumës së fitimeve të aktivitetit kriminal;
  • Nuk ka asnjë të dhënë që të konfirmojë përmbajtjen e përgjimeve të të dënuarit z. Taulant Haxhiraj;
  • Nuk na është vënë në dispozicion asnjëherë CD me numrat e telefonit dhe komunikimet ndërmjet tyre, as nga prokuroria dhe as nga gjykata;
  • Në atë kohë ishte e detyrueshme që numri i telefonit të drejtorit të policisë të ishte publik, si nismë e Ministrisë së Brendshme për të qenë pranë qytetarëve;
  • Telefonata e z. Florjan Habilaj pas mesnatës së datës 28.01.2016 duhet të vlerësohet në këtë mënyrë dhe mesazhi më datë 31.12.2016 duhet të shikohet si një urim për Vitin e Ri;
  • Nëse do të kishte pasur bashkëpunim ndërmjet të pandehurit dhe z. Florjan Habilaj atëherë marrëdhëniet do të ishin vendosur me kreun e grupit, z. Moisi Habilaj;
  • Nuk sqarohet nga akuza se kush kanë qenë veprimet konkrete të të pandehurit z. Jaeld Çela që e kanë shndërruar atë në bashkëpunëtor të grupit të strukturuar kriminal dhe nuk konkretizohet se kush kanë qenë veprimet apo mosveprimet përkatëse të tij për të mbajtur rolin e ndihmësit në këtë bashkëpunim të posaçëm;
  • Më datë 09.06.2016 ka qenë pikërisht i pandehuri z. Jaeld Çela që ka dërguar si informacion faktin se z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj kultivonin lëndë narkotike dhe se duhet të merreshin masa për gjetjen e parcelave e asgjësimin e lëndës narkotike;
  • Me të bashkëtëpandehurin z. Gjergji Kohila i pandehuri z. Jaeld Çela ka pasur vetëm marrëdhënie pune dhe asnjë bashkëpunim kriminal;
  • Me të pandehurin z. Sokol Bode i pandehuri z. Jaeld Çela nuk ka pasur asnjë komunikim telefonik dhe drejtoria e tij nuk ka qenë në varësi të Drejtorisë së Policisë Vendore Vlorë;
  • Grupi i strukturuar kriminal i drejtuar nga z. Taulant Haxhiraj dhe z. Moisi Habilaj janë të ndryshëm dhe nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin e për rrjedhojë nuk mund të ketë bazë faktike ndërlidhëse përgjimi i z. Taulant Haxhiaraj për llogari të akuzës së ngritur ndaj të pandehurit në këtë gjykim;
  • Prokuroria nuk ka arritur të provojë lidhjen ndërmjet këtyre grupit kriminal të drejtuar nga z. Taulant Haxhiraj me grupin kriminal të drejtuar nga z. Moisi Habilaj;
  • Fjalët e pasqyruara në përgjimin e trafikimit të lëndës narkotike me peshkarexhën “Fatima”, të thëna nga z. Moisi Habilaj, me përmbajtjen “Këtu të gjithë janë tanët”, nuk mjafton për të arritur në përfundimin se drejtori i policisë ka qenë pjesë e grupit kriminal, në kushtet kur komunikimi me telefon me z. Florian Habilaj ka qenë i mëvonshëm në kohë;
  • Episodi i sekuestrimit të sasisë prej 3.978 kg lëndë narkotike më datë 18.10.2017 nuk është fakt penal që mund t’i kundrejtohet të pandehurit z. Jaeld Çela, pasi ai nuk ka pasur më në këtë kohë funksionin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë;
  • Përgjimi në çdo rast është mjet për kërkimin e provës dhe jo provë në vetvete dhe se një provë e vetme nuk mund të shërbejë për të konkluduar mbi autorësinë dhe fajësinë penale, duke sjellë në vëmendje edhe qëndrimin e mbajtur nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me Vendimin nr. 291, datë 15.03.2007;
  • Ankimi i prokurorisë në këtë gjykim është i pabazuar në ligj dhe konkluzioni i gjykatës së shkallës së parë lidhur me pafajësinë për veprat penale të parashikuara nga nenet 283/a, 333/a dhe 334 të Kodit Penal është i mbështetur në ligj dhe në prova.
  1. I pandehuri z. Jaeld Çela dhe mbrojtja e tij parashtruan se konkluzionet me shkrim janë po ato të paraqitura dhe të administruara në gjykimin e parë në apel. Në këtë akt në mënyrë të përmbledhur është parashtruar se:
  • Në fshatrat Vezhdanishtë dhe Treblovë janë asgjësuar 226 parcela dhe në total 29,348 bimë narkotike dhe se është e pakuptueshme se si gjykata ka arritur të konkludojë se i pandehuri ka përgjegjësi penale për aktivitetin kriminal që ka zhvilluar z. Taulant Haxhiraj dhe duhet të mbahet parasysh se ndërmjet tyre nuk ka asnjë komunikim të dokumentuar;
  • Nuk është pyetur i dënuari z. Taulant Haxhiraj për lidhjen eventuale me të pandehurit as në procedimin penal ku ai është dënuar dhe në këtë procedim;
  • Nuk ka asnjë provë për të vërtetuar se “drejtori” në bisedën telefonike të z. Taulant Haxhiraj është pikërisht i pandehuri;
  • Ka qenë i pandehuri që ka nisur operacionin policor të datës 13.09.2016 dhe më tej edhe referimin penal në prokurorinë e krimeve të rënda përmes të cilit ka nisur procedimi penal me të cilin janë dënuar anëtarët e grupit të strukturuar kriminal;
  • Nuk ka asnjë raport vëzhgimi, asnjë komunikim, asnjë takim i dokumentuar, asnjë njohje, asnjë miqësi dhe asnjë marrëdhënie e tij me grupin e strukturuar kriminal Habilaj dhe Haxhiraj;
  • Referimet janë bërë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe se është kjo e fundit nëse vlerëson se kush nga prokuroritë ka kompetencë lëndore për të proceduar;
  • Të gjitha shkresat e dërguara tek krimet e rënda kanë kontribuar për të proceduar penalisht të dënuarin z. Taulant Haxhiraj;
  • Ka qenë i pandehuri në procedim të lidhur z. Florjan Habilaj që ka marrë në telefon fillimisht të pandehurin dhe, nga që ka humbur thirrjen telefonike dhe në atë kohë ishte e detyrueshme për drejtuesin e policisë që të komunikonte me të gjitha telefonatat që e merrnin, e ka marrë më tej në telefon dhe se konteksti i bisedës ka qenë për një ankesë që ai ka pasur për trajtimin e njerëzve të afërt nga policia;
  • Ndërkohë, mesazhi i datës 31.12.2016 është mesazh që i pandehuri në procedim të lidhur i ka dërguar të pandehurit për urim për vitin e ri;
  • Vetëm nga këto dy komunikime nuk mundet të konkludohet mbi ekzistencën e një marrëveshje kriminale ndërmjet tyre në kushtet kur në ekstremet e vitit dhe bisedat nuk kanë përmbajtje;
  • Janë asgjësuar 220.732 bimë narkotike në gjithsej 794 parcela dhe se nga 225 informacione policore janë evidentuar 95 raste të kultivimit të lëndëve narkotike;
  • 106.640 bimë narkotike janë asgjësuar pikërisht në Bashkinë Selenicë, që do të thotë se është e përafërt me monitorimet e Guardia di Finanza nga të dhënat e përftuara nga mbikëqyrja ajrore;
  • Ai ka ndërmarrë veprime konkrete, sikurse është shkresa datë 09.06.2016, mbi aktivitetin kriminal të kultivimit të lëndëve narkotike në Selenicë e kryer nga të pandehurit në procedim të lidhur Habilaj, duke sjellë në vëmendje Plani Operacional nr. 653, datë 09.06.2016, shkresa datë 10.06.2016, shkresa datë 13.06.2016 dhe datë 28.07.2016;
  • Gjithashtu është referuar në prokurorinë Vlorë mbi rezultatet e konstatuara dhe se e gjithë kjo nuk mundet të bazojë konkluzionin e gjykatës se i pandehuri ka shpërdoruar detyrën;
  • Nga data 05.09.2014 deri me datë 28.04.2017, kohë në të cilën i pandehuri ka qenë në detyrë, rezulton se është ekzekutuar vetëm një episode trafikimi lëndësh narkotike dhe se në këtë rast nuk ka asnjë të dhënë mbi përfshirjen e të pandehurit dhe se nuk mundet të konkludohet se ky episod ka ardhur si lidhje shkak-pasojë nga mosveprimet e të pandehurit;
  • Nuk ka pasur asnjë informacion konkret operativ mbi trafikimin e lëndës narkotike, qoftë nga Stacioni i Policisë Himarë dhe as nga agjencitë ligjzbatuese;
  • Nëse mbahet ky standard fajësimi i drejtorit të policisë, atëherë do të duhet të dënohet çdo zyrtar shtetëror në Shqipëri;
  • I pandehuri ka zbatuar korrektësisht detyrën dhe orientimet hierarkike;
  • Nuk munden të konsiderohet prova për të dokumentuar lidhjet me grupin e strukturuar kriminal vetëm dy gjurmë komunikimi telefonik pa përmbajtje dhe se një deklarim i një personi në telefon se e ka të sigurt me drejtorin dhe se prokuroria nuk ka arritur të provojë asnjë lidhje apo fakt që të provojë akuzën;
  • E gjithë burokracia e administruar me shkresa në fashikujt e gjykimit për masat e marra nga i pandehuri nuk mundet të mos vlerësohen nga gjykata si ndjekje e vazhdueshme e detyrave ligjore dhe nënligjore që ai ka pasur;
  • Ai ka pasur një karrierë gjithmonë në ngritje, i padënuar asnjëherë, familjar, bashkëshort dhe babai i dy fëmijëve dhe se ka qenë gjithmonë vlerë e shtuar për komunitetin, familjen dhe policinë e shtetit dhe se dënimi i dhënë nga gjykata është i padrejtë;
  • Në asnjë nga episodet e dokumentuara nuk ka lidhje i pandehuri, pasi në tre episodet e para ai nuk ka qenë në detyrë dhe se për episodin e katërt ai nuk ka asnjë fakt, provë apo indicje se ishte në dijeni apo të ketë bashkëpunuar me dikë për realizimin e saj;
  • As konkluzionet e prokurorisë dhe as referimet e oficerëve të policisë gjyqësore nuk mundet të përbëjnë prova dhe se nuk tregohet asnjë veprim me të cilin është favorizuar nga ana e të pandehurit veprimtaria kriminale e kultivimit të lëndëve narkotike apo trafikimi i tyre;
  • Nuk është vënë kurrë në dispozicion CD me komunikimet telefonike dhe nuk është marrë kurrë dijeni për këtë të dhënë për ndërtimin e akuzës;
  • Me të pandehurin në procedim të lidhur z. Gjergji Kohila i pandehur ka pasur vetëm marrëdhënie pune dhe se me të pandehurin në procedim të lidhur z. Sokol Bode nuk rezulton të ketë pasur asnjë marrëdhënie, duke u shpjeguar se ai ka qenë në një drejtori tjetër dhe jo në varësi të të pandehurit;
  • Nuk ka asnjë kontribut të vërtetuar të të pandehurit për llogari të veprimtarisë kriminale Haxhiraj apo Habilaj, duke u konkluduar sakaq se nuk ka asnjë ndihmë të dhënë nga i pandehuri;
  • Nuk ka asnjë lidhje ndërmjet dy grupeve kriminale Haxhiraj dhe Habilaj;
  • Vepra penale e parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal kryhet me dashje dhe me veprime konkrete dhe se në rastin objekt gjykimi nuk provohet asnjë kontribut i të pandehurit dhe se barrën e provës e ka akuza, duke u konkluduar sakaq se çdo dyshim i akuzës duhet të shkojë në favor të të pandehurit;
  • Dokumenti referues ose kallëzimi penal datë 08.07.2016 për procedimin penal nr. 134, për veprat penale të parashikuara nga neni 284 dhe 333/a të Kodit Penal, është bërë nga vetë i pandehuri dhe se nuk ka asnjë kuptim që ai të merret i bashkëpandehur në këtë procedim;
  • Nuk plotësohen kushtet ligjore të nenit 28, 333/a dhe 283/a të Kodit Penal për të pasur përgjegjësi penale i pandehuri në këtë gjykim;
  • Apeli i prokurorisë duhet të rrëzohet dhe duhet të lihet në fuqi vendimi i gjykatës së shkallës së parë për pjesën e deklarimit të pafajshëm dhe të ndryshohet për pjesën e deklarimit fajtor sipas nenit 248 të Kodit Penal, duke u deklaruar i pafajshëm edhe për këtë vepër;
  • Nëse gjykata do ta gjejë vendimin e gjykatës së shkallës së parë të bazuar në ligj dhe në prova, duke pasur parasysh rrethanat personale dhe familjare duhet të zbatohet për pjesën e mbetur të dënimit me burgim neni 59 i Kodit Penal si dënim alternativ.
  1. Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin nr. 16, datë 26.6.2020, ka vendosur:

Prishjen e vendimit nr. 60, datë 19/09/2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, aktualisht Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe dërgimin e akteve në atë gjykatë, një kolegji tjetër të saj.

  1. Gjykata e Posaçme e Apelit, në vendimin e saj, duke shqyrtuar në themel faktet që i janë atribuuar të pandehurve z. Saimir Tahiri dhe z. Jaeld Çela, në raport me aktin e njoftimit të akuzës dhe kërkesës për dërgimin e çështjes në gjyq të prokurorisë, në raport me vendimin e gjyqtarit të seancës paraprake si dhe në raport me konkluzionet e arritura nga vendimi i apeluar, ka vlerësuar se:
  • Në rastin konkret janë shkelur dispozitat për paraqitjen e akuzave të reja, e lidhur kjo edhe me mos respektimin e dispozitave për ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori;
  • Gjykata ka zbatuar gabim nenin 375 të KPP, sepse në këtë rast gjykata nuk ka rivlerësuar të njëjtin fakt të atribuuar nga prokuroria të pandehurve, por de facto ka ngritur një akuzë të re, për të cilën të pandehurit z. Saimir Tahiri e z. Jaeld Çela as nuk janë hetuar dhe as akuzuar – kultivimi i narkotikëve apo/dhe përhapja e kultivimit të narkotikëve në Shqipëri, e lidhur kjo me episode konkrete të sekuestrimit e asgjësimit të bimëve narkotike në datat 13/09/2016 , 04/10/2016  dhe 18/10/2017;

-  Nga të dhënat e parashtruara në aktet e prokurorit të çështjes, përfshi këtu edhe diskutimin përfundimtar në apel, kolegji i asaj gjykate ka vlerësuar se, të pandehurit nuk kanë pasur mundësi objektive për të parashikuar rikualifikimin e faktit penal nga gjykata, nga trafikim i narkotikëve, neni 283/a/1 i KP lidhur me 4 episode konkrete të sekuestrimit të lëndës narkotike në Itali, në shpërdorim  detyre, parashikuar nga neni 248 i po atij kodi dhe as për t`u mbrojtur lidhur me këtë akuzë të re;

  • Në përfundim, ajo gjykatë ka çmuar se shkeljet procedurale të evidentuara përbëjnë shkak për prishjen e vendimit të apeluar të Gjykatës së Shkalles së Parë për Krime të Rënda Tiranë dhe kthimi e çështjes në shkallë të parë, në referim të nenit 428, pika 1, shkronja “ç” të KPP, për rastet “kur nuk janë respektuar dispozitat që lidhen ... me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori ... dhe me shkeljen e dispozitave për paraqitjen e akuzave të reja ...”;
  • Në vendimin e kthimit Gjykata e Posaçme e Apelit, i cakton detyrë gjykatës së shkallës së parë, që në rigjykimin e kësaj çështje penale, duhet të saktësojë faktin penal të atribuuar dhe akuzën e ngritur ndaj të pandehurve, duke u shprehur në lidhje me këtë akuzë, siç është përshkruar nga prokuroria që ka të drejtën e ushtrimit të ndjekjes penale.
  1. Kundër vendimit të mësipërm ka ushtruar rekurs i gjykuari z. Saimir Tahiri, përfaqësuar nga Avokat z. Maksim Haxhia, i cili kërkon  prishjen e vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimin e çështjes për rigjykim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
  2. Kundër vendimit të mësipërm ka ushtruar rekurs i pandehuri z. Jaeld Çela, përfaqësuar nga Avokat z. Petrit Ismaili dhe z. Gentjan Rumano,  i cili kërkon prishjen e vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe zgjidhjen e çështjes pa e kthyer për rishqyrtim, pushimin e saj pasi fakti nuk përbën vepër penale dhe ndjekja penale nuk duhej të fillonte e të vazhdonte, me pasojë deklarimi të pafajësisë për rekursuesin Jaeld Çela lidhur me akuzën e ngritur ndaj tij; dhe në alternative, kthimin e çështjes për rigjykim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
  3. Me Vendimin Nr. 56260-00538-00-2020  Regj. Themeltar, Nr. 00-2021-656 Vendimi (50), datë 28.09.2021 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë është vendosur:

1. Prishjen e Vendimit nr. 16, datë 26.6.2020, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me një tjetër trup gjykues.

2. Rrëzimin e kërkesës së të gjykuarit Jaeld Çela për zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”.

  1. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në vendim ka arsyetuar ndër të tjera se:

49. Në çështjen në shqyrtim akuza në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela është sqaruar përfundimisht nga ana e prokurorëve përfaqësues të saj. Në të tilla rrethana, gjykata nuk ka pasur pengesë t’i japë faktit penal të paraqitur një cilësim tjetër juridik. 

50. Ligji procedural penal ka përcaktuar shprehimisht se, gjykata mund të bëjë një përcaktim të ndryshëm ligjor/rikualifikim ligjor, për faktin kriminal, në rast se ai rezulton i ndryshëm nga sa kishte parashtruar prokurori në kërkesën për gjykim (neni 375/1 i Kodit të Procedurës Penale). Ndërsa në paragrafin e dytë, në vijim, parashikon shprehimisht se Kur në përfundim të shqyrtimit gjyqësor gjykata vlerëson se fakti për të cilin akuzohet i pandehuri mund të ketë cilësim juridik më të rëndë se ai që ka bërë prokurori ose viktima akuzuese, njofton palët mbi këtë mundësi dhe u jep kohën e nevojshme për t’u mbrojtur. Palët kanë të drejtë të paraqesin prova të reja.

51. Lidhur me sa më sipër, Kolegji vlerëson se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ndryshe nga sa ka konkluduar Gjykata e Posaçme e Apelit për Krimet e Rënda në vendimin objekt rekursi, është marrë në interpretim dhe zbatim të drejtë të ligjit procedural penal, neneve 372 - 376 të Kodit të Procedurës Penale, në të cilat rregullohen normat procedurale penale lidhur me paraqitjen e akuzave e reja gjatë procesit gjyqësor penal. Një zgjidhje e tillë është edhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 4, datë 10.2.2012.

 52. Kolegji vlerëson se rrethanat ligjore të çështjes së paraqitur për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Apelit nuk kanë qenë të tilla që të justifikojnë kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e  Shkallës së Parë, konform nenit 428/1, shkronja ç) të Kodit të Procedurës Penale,  i cili parashikon të drejtën e Gjykatës së Apelit për prishjen e vendimit dhe kthimin e akteve Gjykatës së Shkallës së Parë kur nuk janë respektuar dispozitat që lidhen me kushtet për të qenë gjyqtar në çështjen konkrete, me numrin e gjyqtarëve që është i domosdoshëm për formimin e kolegjeve të caktuara në këtë Kod, me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim, me pjesëmarrjen e të pandehurit, të mbrojtësit të tij, ose përfaqësuesit të viktimës akuzuese, me shkeljen e dispozitave për paraqitjen e akuzave të reja, si dhe në çdo rast kur në dispozita të veçanta është parashikuar pavlefshmëria e vendimit.

53. Në interpretim  të përmbajtjes  të  dispozitës  së sipërcituar,  rasti për të cilin Kodi i Procedurës Penale lejon prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe kthimin e akteve për rigjykim asaj gjykate, nuk të  lidhet me cilësimin e saktë  ligjor  të fakteve dhe akuzën e ngritur nga prokurori, por lidhet vetëm me rastet kur rezulton se nuk janë respektuar dispozitat në lidhje me  ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim, si psh; kur prokurori në gjykim ka papajtueshmëri, të cilat e bëjnë pjesmarrjen e tij të pamundur për përfaqësimin e asaj akuze në gjykim. Kjo rezulton qartë nga vetë formulimi i dispozitës së cituar, e cila parashikon si shkak të prishjes se vendimit dhe kthimin e çështjes në shkallë të parë, vetëm në rastet kur konstatohet papajtueshmeria e gjyqtarit (duke e lidhur me mosrespektimin e dispozitave që lidhen me kushtet për të qenë gjyqtar në çështjen konkrete), po  ashtu dhe  për  papajtueshmërinë e  pjesëmarrjes  në gjykim të  prokurorit.

58. Në rigjykim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar duhet të marrë në shqyrtim shkaqet e paraqitura në apelet përkatëse të palëve apeluese dhe të zgjidhë çështjen e paraqitur para saj, në përputhje me dipsozitat procedurale penale që rregullojnë veprimtarinë e asaj gjykate, brenda kufijve të shqyrtimit të çështjes, në përputhje me parashikimet e nenit 425 e vijues të Kodit të Procedurës Penale.”

 

  1. MBI ÇËSHTJET PROCEDURALE

 

  1. Kompetenca lëndore për shqyrtimin e çështjes

 

  1. Gjykata sjell në vëmendje se çështja penale objekt gjykimi është regjistruar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda me datë 02.04.2019. Gjykata vlerëson se kjo çështje, duke nisur nga data e regjistrimit të saj në gjykatë dhe parimit perpetuatio fori et iuridictionis dhe veprimin e ligjit procedural penal në kohë që rregullon kompetencën e gjykatës, vlerëson se ka kompetencën lëndore për gjykimin e kësaj çështje penale si në gjykimin në shkallë të parë dhe në gjykimin në shkallë të dytë në juridiksionin penal të posaçëm gjyqësor.
  2. Gjykata sjell në vëmendje paragrafin e dytë të nenit 5 të Ligjit nr. 9110, datë 24.07.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave për krimet e rënda”, rregullim ligjor i cili ka qenë në fuqi në kohën kur është regjistruar çështja penale në gjykatën e posaçme të shkallës së parë. Ky rregullim ligjor parashikon se: “Kur gjatë gjykimit ndryshohet cilësimi ligjor i veprës penale dhe për këtë shkak kompetente është një gjykatë tjetër, gjykimi vazhdon dhe përfundohet nga gjykata e krimeve të rënda, duke zbatuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
  3. Kjo dispozitë ka qenë në fuqi edhe pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale, duke pasur parasysh rregullimin ligjor të nenit 285 të Ligjit nr. 35/2017, pika 6 e të cilit ka shfuqizuar pikën 8 të nenit 57 të Ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
  4. Gjykata sjell në vëmendje se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka nisur veprimtarinë, pas përfundimit të veprimtarisë së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, me datë 19 Dhjetor 2019, sipas Vendimit nr. 286, datë 18.12.2019 “Për fillimin e funksionimit të Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjykata vlerëson se këto dy institucione gjyqësore vijojnë të ushtrojnë kompetencat për gjykimin e çështjeve penale të cilat kanë qenë në gjykim edhe para nisjes funksionimit të tyre, duke pasur parasysh konkluzionet nomofilatike të Vendimit Njësues Penal Nr. 56260-00177-00-2018 Regj. Themeltar, Nr. 00-2018-148 i Vendimit (13), datë 04.04.2018 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.[2]

 

  1. Kufijtë e shqyrtimit gjyqësor në gjykimin në apel

 

  1. Në shqyrtimin e kësaj çështje objektin e gjykimit e përbëjnë apeli i prokurorit i ushtruar si ndaj pjesës së vendimit të gjykatës së shkallës së parë që ka deklaruar të pafajshëm të pandehurin z. Saimir Tahiri dhe z. Jaeld Çela, pjesës së vendimit të gjykatës së shkallës së parë që ka vendosur ndryshimin e kualifikimit të faktit juridik dhe llojit dhe masës së dënimit që duhet të jepet ndaj secilit të pandehur për veprat penale të faktin historik objekt akuze.
  2. Nga ana tjetër objekt shqyrtimi gjyqësor rishikues është apeli i ushtruar nga i pandehuri z. Saimir Tahiri, përmes së cilit është kërkuar prishja e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe pushimi i gjykimit si pasojë e veprimit të parimit ne bis in idem, dhe nga ana tjetër edhe pjesën e apelit përmes të cilit është kërkuar ndryshimi i vendimit të gjykatës së shkallës së parë në pjesën e deklarimit fajtor për veprën penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe shpalljen e tij të pafajshëm për të gjithë faktin penal që i kundrejtohet nga akuza. Njëherazi Gjykata konstaton se në apelin e ushtruar nga i pandehuri z. Saimir Tahiri ka edhe shkaqe të cilat tipikisht përfshihen në mjetin procedural të kundërapelit, të cilat do të merren detyrimisht në shqyrtim dhe do të disponohet mbi to. Përmes kësaj pjese të parashtruar në apel kundërshtohen argumentet e prokurorisë për sa i përket kualifikimit ligjor të faktit historik objekt akuze dhe llojin e masën e dënimit të kërkuar, duke u kërkuar përmes kësaj pjese të apelit lënia në fuqi e vendimit të gjykatës së shkallës së parë për sa i përket disponimeve të pafajësisë mbi akuzën që i kundrejtohet.
  3. Nga ana tjetër objekt shqyrtimi gjyqësor rishikues është gjithashtu edhe apeli i ushtruar nga i pandehuri z. Jaeld Çela, përmes së cilit është kërkuar ndryshimi i vendimit të gjykatës së shkallës së parë në pjesën e deklarimit fajtor për veprën penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe shpalljen e tij të pafajshëm për të gjithë faktin penal që i kundrejtohet nga akuza. Njëherazi Gjykata konstaton se në apelin e ushtruar nga i pandehuri z. Jaeld Çela ka edhe shkaqe të cilat tipikisht përfshihen në mjetin procedural të kundërapelit, të cilat do të merren detyrimisht në shqyrtim dhe do të disponohet mbi to. Përmes kësaj pjese të parashtruar në apel kundërshtohen argumentet e prokurorisë për sa i përket kualifikimit ligjor të faktit historik objekt akuze dhe llojin e masën e dënimit të kërkuar, duke u kërkuar përmes kësaj pjese të apelit lënia në fuqi e vendimit të gjykatës së shkallës së parë për sa i përket disponimeve të pafajësisë mbi akuzën që i kundrejtohet.
  4. Në fazën e parashtresave në gjykimin për herë të dytë në apel i pandehuri z. Jaeld Çela përmes mbrojtjes kërkoi në mënyrë alternative, duke parashtruar se kërkimi i tij kryesor është deklarimi i pafajësisë për të gjithë faktin penal, që, nëse gjykata do ta vlerësonte të drejtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë, atëherë, duke pasur parasysh të gjitha rrethanat objektive dhe subjektive të çështjes dhe të tij personalisht, të ndryshohet vendimi vetëm për sa i përket llojit të dënimit dhe ekzekutimit të tij. I pandehuri dhe mbrojtja kërkuan zbatimin e nenit 59 të Kodit Penal, duke urdhëruar gjyqësisht pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim dhe vënien e të dënuarit në provë për pjesën e mbetur të dënimit me burgim. Ai solli në vëmendje rrethanat familjare dhe personale, duke parashtruar se plotësohen kushtet për zbatimin e nenit 59 të Kodit Penal.
  5. Në këto kushte Gjykata vlerëson se është e nevojshme që paraprakisht të ndalet në përcaktimin e objektit të shqyrtimit gjyqësor dhe kufijve të gjykimit rishikues në apel. Për të realizuar këtë qëllim duhet të sillet në vëmendje Neni 425 i Kodit të Procedurës Penale, dispozitë e cila parashikon se:

1. Gjykata e apelit e shqyrton çështjen brenda shkaqeve të ngritura në ankim. Për çështje të ligjit që duhet të shqyrtohen kryesisht, si dhe për shkaqet e ngritura në ankim që nuk bazohen në motive personale, gjykata e apelit shqyrton edhe pjesën që u takon bashkëtëpandehurve që nuk kanë bërë apel.

2. Kur apelues është prokurori ose viktima akuzuese, gjykata e apelit:

a) mund t’i japë faktit një cilësim juridik më të rëndë, të ndryshojë llojin ose ta rrisë masën e dënimit, të ndryshojë masat e sigurimit dhe të marrë çdo masë tjetër që urdhëron ose lejon ligji;

b) mund t’i japë dënim atij që është deklaruar i pafajshëm, t’i japë pafajësi për një shkak të ndryshëm nga ai që pranohet në vendimin e apeluar, të marrë masat e treguara në shkronjën “a”;

c) mund të zbatojë, të ndryshojë ose të përjashtojë dënimet plotësuese ose dënimet alternative;

ç) mund t’i japë faktit një cilësim juridik më të rëndë se ai i kërkuar nga prokurori kur çështja është në kompetencën e saj lëndore. Në këtë rast, gjykata riçel shqyrtimin gjyqësor dhe zbaton parashikimet e paragrafit 2, të nenit 375, të këtij Kodi.

3. Kur apelues është vetëm i pandehuri, gjykata nuk mund të caktojë një dënim më të rëndë, të zbatojë një masë sigurimi më të rëndë, t’i japë pafajësisë një shkak më pak të favorshëm nga ai i vendimit të apeluar dhe as t’i japë faktit një cilësim juridik më të rëndë.

  1. Nga ky parashikim Gjykata vlerëson se së pari Gjykata duhet të shqyrtojë apelin e prokurorisë lidhur me disponimin mbi pafajësinë, drejtësinë materiale të disponimit mbi zbatimin e nenit 375 të Kodit të Procedurës Penale dhe llojin dhe masën e dënimit. Për rrjedhojë Gjykata vlerëson se në këtë çështje, duke pasur parasysh edhe jurisprudencën nomofilatike të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë mbi zgjerimin e kufijve të gjykimit rishikues, që shkakton ushtrimi i ankimit të prokurorit[3], do të merret në shqyrtim drejtësia materiale e disponimeve të vendimit të pafajësisë, drejtësia materiale e ndryshimit të kualifikimit të faktit penal historik objekt akuze dhe masa dhe lloji i dënimit sipas rrezikshmërisë së faktit penal dhe të autorëve të caktuar për secilin prej të pandehurve në gjykim. Kjo do të thotë se në këtë gjykim nuk ka fushë veprimi parimi procedural “non reformatio in peius”, pasi apeli i prokurorit ka atribuuar juridiksion rishikues të plotë mbi ligjin dhe mbi faktin për gjykatën e apelit në këtë gjykim.
  2. Nga parashikimi i nenit 425 të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata vlerëson në këtë gjykim kufijtë e gjykimit rishikues do të shtrihen në të gjitha shkaqet që argumentojnë kërkimin për prishjen e vendimit dhe pushimin e çështje dhe ndryshimin e vendimit dhe deklarimin e pafajësisë për të pandehurin z. Saimir Tahiri.
  3. Nga ana tjetër, nga parashikimi i pikës 1, fjalia e dytë e nenit 425 të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata vlerëson se, pavarësisht se nuk ka shkaqe të parashtruar në apelin e ushtruar të z. Jaeld Çela për ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë në pjesën e përcaktimit të llojit të dënimit dhe ekzekutimin e tij, Gjykata do ta shtrijë shqyrtimin gjyqësor edhe në këtë kërkim të të pandehurit dhe mbrojtjes. Gjithashtu në këtë gjykim kufijtë e shqyrtimit do të shtrihen edhe në të gjitha shkaqet e parashtruara në apelin e të pandehurit z. Jaeld Çela për sa i përket kërkimit kryesor të tij për të ndryshuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe deklarimin e pafajshëm.  

 

  1. Riçelja e shqyrtimit si pasojë e apelit të prokurorit ndaj vendimit të pafajësisë si pasojë e nenit 427/4 të Kodit të Procedurës Penale

 

  1. Fillimisht në këtë vendim duhet të tregohen arsyet se pse Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në vijim Gjykata) nuk vendosi të riçelë shqyrtimin gjyqësor pjesërisht në këtë gjykim rishikues fakti dhe ligji. Duhet të sillet në vëmendje se gjykata e shkallës së parë ka shpallur të pafajshëm të pandehurin z. Saimir Tahiri dhe të pandehurin z. Jaeld Çela për veprën penale të parashikuar nga neni 333/a dhe nenin 283/a/1 të Kodit Penal, duke ndryshuar kualifikimin juridik të faktit penal objekt akuze, sipas nenit 375 të Kodit të Procedurës Penale dhe duke konkluduar se secili prej tyre janë në fajtor për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Ndër të tjera objekt gjykimi rishikues është apeli i prokurorisë i ushtruar ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë, si ndaj pjesës së vendimit që ka deklaruar të pafajshëm të pandehurit dhe si ndaj pjesës së ndryshimit të kualifikimit të faktit penal objekt gjykimi.
  2. Në këto kushte Gjykata mbajti parasysh se një ndër çështjet procedurale parësore që duhet të zgjidhej në këtë gjykim rishikues ishte zbatimi i pikës 4 të nenit 427 të Kodit të Procedurës Penale. Kjo pjesë e dispozitës, e prezantuar rishtazi në ligjin procedural penal me ndryshimet e vitit 2017, parashikon se: “4. Kur i pandehuri është deklaruar i pafajshëm, gjykata e apelit nuk mund ta deklarojë atë fajtor vetëm mbi bazën e vlerësimit të ndryshëm të provave të marra në gjykimin në shkallë të parë. Në këtë rast gjykata e apelit përsërit shqyrtimin gjyqësor.
  3. Për këtë qëllim, duke qenë se asnjë nga palët në proces nuk kishte kërkesa paraprake, në seancën gjyqësore të datës 31.01.2022, Gjykata kryesisht e bëri pjesë të debatit gjyqësor këtë çështje. Prokurorët e seancës nuk kërkuan riçeljen e shqyrtimit gjyqësor, duke e lënë këtë çështje në vlerësimin e gjykatës, duke qenë se edhe vetë gjykata kryesisht mundet të vendosë mbi këtë çështje procedurale. Nga ana tjetër, asnjë nga mbrojtësit dhe të pandehurit nuk kërkuan riçeljen e shqyrtimit gjyqësor. Mbrojtja e të pandehurit z. Saimir Tahiri solli në vëmendje edhe jurisprudencën përkatëse të Gjykatës Kushtetuese dhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke konkluduar se këto dy autoritete të larta të drejtësisë kanë konkluduar se riçelja e shqyrtimit gjyqësor, sipas pikës 4 të nenit 427 të Kodit të Procedurës Penale, nuk është e detyrueshme në çdo rast të ushtrimit të apelit të prokurorit ndaj vendimit të pafajësisë dhe se nevoja për riçelje të shqyrtimit gjyqësor, pjesërisht apo tërësisht, duhet të vlerësohet rast pas rasti nga ana e gjykatës së apelit.
  4. Gjykata e konsultuar në vend konkludoi se nuk ka nevojë për zbatimin e pikës 4 të nenit 427 të Kodit të Procedurës Penale në këtë çështje dhe se kjo pjesë e rregullimit ligjor nuk është e detyrueshme për zbatim. Në arritjen e këtij konkluzioni Gjykata mbajti parasysh jurisprudencën përkatëse të GJEDNJ-së, të Gjykatës Kushtetuese dhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, gjithashtu edhe praktikën gjyqësore të gjykatave të apelit mbi zbatimin e këtij rregulli ligjor procedural penal.
  5. Gjykata vlerësoi se pika 4 e nenit 427 të Kodit të Procedurës Penale është njëlloj e zbatueshme edhe në rastin e shqyrtimit në apel të një çështje penale e cila është përmbyllur me vendim pafajësie përgjatë gjykimit të zakonshëm dhe përgjatë gjykimit të shkurtuar. Gjykata vlerëson se zbatimi i kësaj dispozite në gjykimin në apel nuk lidhet dhe nuk mund të kushtëzohet nga riti procedural me të cilin është zhvilluar gjykimi në gjykatën me juridiksion fillestar. Në arritjen e këtij konkluzioni Gjykata mban parasysh edhe interpretimin e jurisprudencës së dhënë nga Gjykata Kushtetuese të Republikës së Italisë në një rast të kontestimit përmes kontrollit incidental kushtetues nga gjykata a quo mbi zbatimin e pikës 3-bis të nenit 603 të Kodit të Procedurës Penale në gjykimin e shkurtuar, konkretisht simotra italiane e rregullimit ligjor të pikës 4 të nenit 427 të Kodit të Procedurës Penale shqiptare.
  6. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Italisë ka konkluduar në këtë rast se zbatimi i normës ligjore që detyron gjykatën e apelit të riçelë shqyrtimin e gjyqësor në rastet e apelit të prokurorit kundër vendimit të pafajësisë të gjykatës së shkallës së parë – kur është proceduar në këtë shkallë gjykimi me ritin e posaçëm të gjykimit të shkurtuar - nuk vjen në kundërshtim me parimet kushtetuese të procesit të rregullt ligjor dhe parimin e ekonomizimit procesual. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Italisë ka konkluduar se riti i posaçëm i gjykimit të shkurtuar nuk mund të dëmtojë interesat publike të dhënies së drejtësisë.[4]
  7. Gjykata mban parasysh se në këto raste eventualiteti i ndryshimit të vendimit të pafajësisë dhe dhënia e një vendimi dënimi në gjykimin në apel nuk passjell humbjen e të drejtës së të pandehurit për uljen e dënimit për shkak të zbatimit të gjykimit të shkurtuar në gjykimin fillestar, pasi kjo e drejtë e tij lidhet me ligjshmërinë e dënimit sipas nenit 29 të Kushtetutës dhe nenit 7 të KEDNJ-së.[5] Ulja e dënimit për shkak të zhvillimit të gjykimit të shkurtuar është një e drejtë e të pandehurit, që rrjedh prej ligjit penal dhe bën pjesë në konceptin e dënimit, që duhet të formësohet dhe individualizohet në çdo rast sipas ligjit me të gjitha komponentët e tij.[6] Në këto raste gabimi i organeve shtetërore në ritin e gjykimit dhe në gjykim nuk mund të justifikojë dënimin pe ligj të të pandehurit dhe nuk mund të dëmtojë kurrsesi pozitën juridike të tij (in peius).
  8. Në këtë konkluzion ka arritur tradicionalisht edhe Gjykata Kushtetuese, jurisprudencë e cila ka theksuar se përcaktimi konkret i dënimit është i rivlerësueshëm nga gjykata e apelit, dhe nëse kjo gjykatë vlerëson se është i pajustifikueshëm refuzimi i gjykimit të shkurtuar, duhet të aplikojë dënim të reduktuar, edhe pse procedura e ndjekur nuk ka qenë ajo e gjykimit të shkurtuar.[7] Kjo jurisprudencë kushtetuese është e tillë që të detyron të konkludohet edhe në të kundërt po njëlloj, që do të thotë se, edhe në rastet kur gjykata e shkallës së parë ka proceduar me gjykim të shkurtuar dhe ka konkluduar në pafajësinë e të pandehurit, gjykimi rishikues sipas ritit të zakonshëm në gjykatën e apelit mbi bazën e apelit të prokurorit nuk mund dhe nuk duhet të ndikojë në përcaktimin e dënimit penal të të pandehurit, duke mos i hequr dot atij në këtë mënyrë reduktimin me një të tretën e dënimit penal.
  9. Gjykata vlerëson se fjalia e fundit e pikës 4 të nenit 427 të Kodit të Procedurës Penale nuk detyron gjykatën e apelit, që në çdo rast të apelimit nga ana e prokurorit të vendimit të pafajësisë, të përsërisë shqyrtimin gjyqësor në mënyrë që të shqyrtojë apelin dhe të disponojë me vendim mbi të. Edhe duke mbajtur parasysh eventualitetet e vendimmarrjes së gjykatës së apelit, të listuara si disponime gjyqësore në nenin 428 të Kodit të Procedurës Penale, konkludohet se vendimmarrjet e gjykatës së apelit në procesin penal janë të tilla që përjashtojnë apriori përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor në çdo rast. Në këtë kuptim vlerësohet dhe arrihet në konkluzionin se riçelja e shqyrtimit gjyqësor në këto raste mbetet sërish kompetencë diskrecionale e gjykatës së apelit.
  10. Në këtë konkluzion ka arritur edhe Gjykata Kushtetuese tre herë radhazi mbi këtë çështje të shtruar për zgjidhje nga tre procedura të ndryshme gjykimi kushtetues përmes kontrollit incidental të ligjit. Në këtë jurisprudencë kushtetuese të përsëritur tre herë është pranuar ndër të tjera se:

...Sipas pikës 4 të kësaj dispozite, kur i pandehuri është deklaruar i pafajshëm nga gjykata e shkallës së parë, gjykata e apelit nuk mund ta deklarojë atë fajtor vetëm mbi bazën e vlerësimit të ndryshëm të provave të marra gjatë gjykimit në shkallë të parë. Në këtë vështrim, nga përmbajtja e dispozitës së kundërshtuar rezulton se është në diskrecion të gjykatës së apelit të vendosë, rast pas rasti, nëse ka vend për pranimin ose jo të kërkesës për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor. Jo vetëm kaq, por edhe në rast se gjykata vendos përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor, kjo nuk çon apriori në ndryshimin e vendimit të shkallës së parë dhe deklarimin fajtor të të pandehurit, pasi gjykata e apelit, në përfundim të gjykimit, ka detyrimin të zbatojë një nga rastet e nenit 428 të KPP-së në lidhje me llojin e vendimmarrjes. 

20. ...Nga mënyra se si është formuluar neni 427 i KPP-së gjykata nuk detyrohet që të përsërisë shqyrtimin gjyqësor në çdo rast dhe kjo është një çështje që ngelet në diskrecionin e saj, si dhe ajo nuk detyrohet të vendosë ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë apo deklarimin fajtor të të pandehurit edhe në rast se vendos pranimin e kërkesës për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor. ...

21. Për më tepër, Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se institute të tilla, si deklarimi i fajësisë së të pandehurit apo individualizimi i veprave dhe dënimeve penale janë në diskrecion të gjykatës, e cila duke shqyrtuar të gjitha elementet juridike të veprës penale, shkallën e fajit dhe pasojat e ardhura nga vepra penale, gjatë shqyrtimit të çështjes cakton llojin dhe masën e dënimit. Për pasojë, Mbledhja e Gjyqtarëve çmon se rregulli procedural i parashikuar nga neni 427, pika 4, i KPP-së nuk kufizon hapësirën e nevojshme, të dhënë nga ligji, që gjykata referuese ka për zgjidhjen e çështjes konkrete.[8]  

  1. Gjithashtu Gjykata vlerëson se pika 4 e nenit 427 të Kodit të Procedurës Penale nuk mund të kuptohet dhe nuk mund të zbatohet në atë mënyrë, që të konkludohet në çdo rast të ndryshimit të vendimit të pafajësisë në gjykimin në apel do të duhet të realizohet detyrimisht një përsëritje e plotë e shqyrtimit gjyqësor. Sërish Gjykata vlerëson se masa e përsëritjes së shqyrtimit gjyqësor rast pas rasti do të duhet të vlerësohet nga ana e gjykatës rishikuese të faktit.
  2. Mund të ketë raste kur ndryshimi i vendimit të pafajësisë vjen jo si pasojë e faktit apo të provave në dosje, por për shkaqe ekskluzivisht ligjore. Në këto raste nuk ka kuptim dhe asnjë dobi juridike për asnjë nga palët dhe për gjykatën që të përsëritet shqyrtimit gjyqësor për të përcaktuar ekzistencën e faktit penal apo jo. Mund të ketë raste që procesi gjyqësor të jetë zhvilluar vetëm me material provues shkresor, apo thënë ndryshe të vetmet materiale provuese të përdorura në gjykim për të provuar ekzistencën e faktit dhe fajësinë e autorit të jenë provat e ngrira dhe dokumentare. Në këto raste nuk ka kuptim dhe asnjë dobi juridike për asnjë nga palët dhe për gjykatën që të që të përsëritet shqyrtimi gjyqësor sipas pikës 4 të nenit 427 të Kodit të Procedurës Penale.
  3. Gjithashtu duhet të mbahet parasysh se mund të ketë raste në të cilat vendimi i pafajësisë është bazuar në prova me dëshmitarë dhe se dëshmitarët mund të kenë ndërruar jetë apo nuk gjenden në gjykimin në apel. Në këto raste kuptohet afërmendsh që është e pamundur objektivisht të përsëritet shqyrtimi gjyqësor për të shqyrtuar apelin e prokurorit kundër vendimit të pafajësisë së gjykatës së shkallës së parë.[9] Gjithashtu mund të ketë raste kur pyetja e një dëshmitari në gjykimin në apel mund të çojë në cenimin potencial të së drejtës së tij kushtetuese dhe konventore për t’u mos vetëinkriminuar[10]. Në këto raste sërish përsëritja e shqyrtimit gjyqësor mund të rezultojë kushtetutshmërisht dhe ligjërisht e pamundur për t’u realizuar efektivisht në gjykimin në apel.
  4. Në këtë drejtim Gjykata vlerëson dhe konkludon se riçelja e shqyrtimit gjyqësor në apel do të mbetet e nevojshme për t’u kryer vetëm në rastin e diktuar nga vlerësimi ndryshe i provave të gjalla. Kjo do të thotë se kjo mënyrë e të proceduarit në gjykimin rishikues në apel do të jetë e nevojshme që të realizohet vetëm kur fajësia e autorit dhe ekzistenca e faktit penal provohet apo nuk provohet në fashikullin e gjykimit nga materiali provues që ka natyrën e provës së gjallë, konkretisht për dëshminë, deklarimet e bashkëtëpandehurve, ballafaqimet, pyetjet apo ripyetjet e drejtpërdrejta të ekspertit[11].
  5. Për të konkluduar në këtë mënyrë Gjykata sjell në vëmendje formulimin simotër të dispozitës analoge italiane, konkretisht nenin 603, pika 3-bis e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Italisë. Kjo dispozitë formulon rregullin se, në rastin e apelit të prokurorit ndaj një vendimi pafajësie për shkaqe të vlerësimit të provave deklarative, gjykata e apelit vendos përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor.
  6. Në vlerësimin si më lart Gjykata mban parasysh edhe etimologjinë juridike dhe jurisprudenciale të krijimit të një rregulli të tillë në gjykimin penal rishikues në fakt në hapësirën e 47 shteteve anëtare në Këshillin e Evropës. Origjina e këtij rregulli vjen nga jurisprudenca e GJEDNJ mbi nenin 6 të KEDNJ në aspektin penal.
  7. GJEDNJ në këtë jurisprudencë ka artikuluar në mënyrë të përsëritur ndër dhjetëvjeçar se, në të gjitha rastet kur gjykatat e apelit kanë juridiksion rishikues fakti dhe ato shqyrtojnë çështje të fajësisë apo pafajësisë në procesin penal, për hir të respektimit të nenit 6 të KEDNJ dhe të drejtës për proces të rregullt ligjor, ato nuk mund të konkludojnë dhe të vendosin mbi këto çështje pa një vlerësim të drejtpërdrejtë të provave, duke nënkuptuar këtu provat e gjalla të cilat janë vendimtare për të konkluduar mbi fajësinë apo pafajësinë e të pandehurit.[12] GJEDNJ ka theksuar se besueshmëria ndaj provave me dëshmitarë është një çështje shumë komplekse, e cila nuk mund të realizohet drejtësisht vetëm duke lexuar në procesverbale përmbajtjen e thënieve të tyre që fashikulli i gjykimit ka. Së fundmi kjo çështje është shtruar për zgjidhje në vitin 2021 në GJEDNJ dhe është konkluduar njëlloj si më lart u parashtrua.[13]
  8. Nga ana tjetër duhet të sillet në vëmendje dhe të mbahet parasysh edhe jurisprudenca e qendrueshme e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë mbi këtë çështje. Në disa vendime të saj është mbajtur pikërisht ky qëndrim që u argumentua më lart mbi fakultetin diskrecional dhe detyrimin e gjykatës me juridiksion rishikues të plotë fakti dhe ligji për të zbatuar pikën 4 të nenit 427 të Kodit të Procedurës Penale.[14] Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ndër të tjera ka konkluduar se:

Në interpretim të nenit 427/4 të K.Pr.Penale, Kolegji Penal ka mbajtur qëndrimin se fjalia e fundit e pikës 4 të nenit 427 të Kodit të Procedurës Penale nuk detyron gjykatën e apelit që në çdo rast të apelimit nga ana e prokurorit të vendimit të pafajësisë, të përsërisë shqyrtimin gjyqësor në mënyrë që të shqyrtojë apelin dhe të disponojë me vendim mbi të. Riçelja e shqyrtimit gjyqësor në këto raste mbetet sërish kompetencë diskrecionale e gjykatës së apelit...

...Kolegji vlerëson se përsëritja e shqyrtimit gjyqësor nga Gjykata e Apelit vlerësohet prej saj rast pas rasti, në ushtrim të pushtetit të saj si gjykatë ligji dhe fakti. Gjykata e Apelit ka të drejtë të përsërisë shqyrtimin gjyqësor, kur çmon se kjo është e nevojshme për të krijuar bindjen mbi faktet dhe provat dhe nuk është e kushtëzuar nga zbatimi strikt i nenit 427/4 të K.Pr.Penale. Nëse Gjykata e Apelit çmon të ndryshojë vendimmarrjen e gjykatës më të ulët, ajo ka të drejtë të disponojë sipas bindjes së saj, gjithmonë duke respektuar të drejtat procedurale të të pandehurit në gjykimin penal, të drejtën për t’u dëgjuar, të drejtën e mbrojtjes, të drejtën për të paraqitur prova, barazia e armëve, kontradiktorieti etj...[15]

  1. Në këtë mënyrë, duke mbajtur parasysh gjithçka u soll në vëmendje më lart, në rastin objekt gjykimi Gjykata vlerësoi se në shqyrtimin e apelit të prokurorit kundër vendimit të pafajësisë, pavarësisht se gjykimi në shkallë të parë është zhvilluar sipas ritit të posaçëm të gjykimit të shkurtuar, nevoja e shqyrtimit të apelit kundër vendimit të pafajësisë është e tillë që nuk e bën të nevojshme përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor. Në secilin prej këtyre rasteve, qoftë nëse pranohej apo jo nevoja për riçeljen e pjesshme të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata konkludon se e drejta e të pandehurit për reduktimin e masës së dënimit sipas nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale nuk cenohet.
  2. Nga kjo analizë e realizuar më lart Gjykata arrin në përfundimin se, pavarësisht defekteve të mënyrën e formulimit dhe të hartimit të teknikës legjislative të pikës 4 të nenit 427 të Kodit të Procedurës Penale, duke pasur parasysh fillimisht etimologjinë juridike dhe jurisprudenciale të këtij parimi të zhvillimit të gjykimit rishikues në fakt sipas standardeve të GJEDNJ dhe duke pasur parasysh jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së lartë mbi këtë normë, këtij rregulli ligjor procedural penal duhet t’i bëhet nga gjykata rishikuese një interpretim pajtues[16] me nenin 33 dhe 42 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ. Ky interpretim pajtues kushtetues dhe konventor i pikës 4 të nenit 427 të Kodit të Procedurës Penale në vlerësimin e Gjykatës arrin të nihilizojë çdo dyshim për papajtueshmërinë me Kushtetutës edhe të keqrregullimit dhe keqformulimit të ligjit në aspektin e teknikës legjislative. Kjo do të thotë se zbatimi i pikës 4 të nenit 427 të Kodit të Procedurës Penale nuk e bën automatikisht dhe apriori të detyrueshme për gjykatën me juridiksion rishikues që të përsërisë shqyrtimin gjyqësor të faktit në rastet e shqyrtimit të apelit të prokurorisë ndaj vendimit të pafajësisë së të pandehurit.
  3. Në këtë çështje objekt gjykimi në shkallë të dytë shtrohet për zgjidhje një problematikë e veçantë procedurale për zbatimin e pikës 4 të nenit 427 të Kodit të Procedurës Penale. Në këtë çështje gjykata e shkallës së parë ka konkluduar pafajësinë e të pandehurve jo për faktin penal tipik objekt akuze të emërtuar nga prokuroria në aktet e njoftimit të akuzës. Gjykata e shkallës së parë, pasi ka konkluduar mbi pafajësinë e dy të bashkëtëpandehurve mbi faktet penale tipike të emërtuara juridikisht nga prokuroria, ka emërtuar ndryshe faktin historik penal objekt akuze. Gjykata ka konkluduar se të pandehurit janë fajtorë sipas nenit 248 të Kodit Penal. Në këtë rast konkludohet dhe konstatohet se pafajësia e të pandehurve për akuzat sipas nenit 333/a dhe 283/a të Kodit Penal ka ardhur si pasojë e ndryshimit të kualifikimit juridik të faktit historik penal, në bazë dhe për zbatim të nenit 375 të Kodit të Procedurës Penale.
  4. Gjykata vlerëson se pikërisht për këto rrethana procedurale, për shkak të të cilave është formësuar vendimi i gjykatës së shkallës së parë mbi pafajësinë e të pandehurve në këtë çështje, apeli i prokurorisë edhe ndaj vendimit të pafajësisë së të pandehurve nuk duhet të vlerësohet se detyron gjykatën e shkallës së dytë të zbatojë pikën 4 të nenit 427 të Kodit të Procedurës Penale. Këto rrethana procedurale nxjerrin edhe një herë në dukje një defekt tjetër të teknikës legjislative të përdorur nga ligjvënësi në hartimin e këtij parashikimi ligjor në vitin 2017 në hartimin e kësaj pjese të rregullit të kësaj dispozite.
  5. Gjykata vlerëson se pika 4 e nenit 427 të Kodit të Procedurës Penale do të gjejë fushë zbatimi vetëm atëherë kur i pandehuri deklarohet i pafajshëm për faktin penal historik që i kundrejtohet në akuzën objekt gjykimi dhe jo kur, si pasojë e ndryshimit të kualifikimit të faktit penal objekt akuze, sipas nenit 375 të Kodit të Procedurës Penale, ai deklarohet i pafajshëm për një nga akuzat, duke u dënuar sakaq nën një titull tjetër juridik tipik penal. Në këto raste, si pasojë e ndryshimit të kualifikimit të faktit tipik penal, do të thotë se i pandehuri është deklaruar fajtor për faktin penal historik por se emërtimi juridik i këtij të fundit nga ana e gjykatës është kualifikuar dhe emërtuar ndryshe në raport me optikën ligjore vlerësuese të prokurorit dhe gjyqtarit të seancës paraprake, duke marrë cilësim ligjor ndryshe të faktit tipik penal.
  6. Gjykata vlerëson se, në terrenin e këtyre rrethanave procedurale provat e marra në gjykimin në shkallë të parë kanë përdorshmëri të pakushtëzuar në gjykimin rishikues të plotë të faktit dhe ligjit në formën e ngrirë të akteve dokumentare, sikurse ato gjenden në dosje, ndryshe nga sa parashikon pika 4 e nenit 427 të Kodit të Procedurës Penale. Në këtë mënyrë gjykata e apelit mbi bazën e po atyre provave mundet t’i japë faktit historik, që ato provojnë, një kualifikim tjetër ligjor në raport me atë të dhënë nga gjykata e shkallës së parë. Në këto raste gjykata e apelit e ka tashmë të provuar faktin historik penal dhe se i duhet përmes tij të arrijë në konkluzionin mbi emërtimin apo kualifikimin e duhur të faktit tipik penal sipas parashikimeve ligjore.
  7. Për rrjedhojë të gjithë sa u arsyetua më lart, Gjykata vendosi të moszbatojë pikën 4 të nenit 427 të Kodit të Procedurës Penale, dhe të procedojë me të njëjtin rit gjykimi në procedurën e gjykimit të shqyrtimit të apelit të prokurorit ndaj pjesës së disponimeve të pafajësisë së të pandehurve të gjykatës së shkallës së parë. 

 

  1. Papërdorshmëria e provave të deklaruara nga ana e gjykatës së shkallës së parë

 

  1. Në faqen 110 – 111 të vendimit të gjykatës së shkallës së parë konstatohet se gjykata ka konkluduar se dy deklarime, konkretisht deklarimi i të pandehurit z. Saimir Tahiri, i dhënë me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale në Procedimin Penal nr. 1582/2015 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, dhe deklarimi i ungjit të tij, z. Kujtim Tahiri, i dhënë me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale në po këtë procedim penal, nuk mundet të përdoren. Gjykata e shkallës së parë në këtë pjesë përkatëse të vendimit ka arsyetuar ndër të tjera se: “Duhet përmendur gjithashtu se në procedimin penal nr. 1582, viti 2015 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier janë pyetur si deklarues (dëshmitarë) edhe vetë i pandehuri Saimir Tahiri dhe ungji i tij shtetasi Kujtim Tahiri. Por këto deklarime nuk mund të përdoren në këtë gjykim, bazuar në nenin 151, paragrafi i tretë të K.Pr.Penale në lidhje me nenin 193 të tij. I pandehuri Saimir Tahiri është pyetur si dëshmitar dhe për pasojë nuk janë zbatuar të drejtat dhe garancitë procedurale që i takojnë një personi nën hetim apo të pandehuri (e drejta e heshtjes, e drejta e mbrojtjes). Prandaj këto deklarime si dëshmitar nuk mund të përdoren në çështjen penale kundër tij si i pandehur. Ndërsa për shtetasin Kujtim Tahiri, duke qenë ungji (vëllai i babait) i të pandehurit Saimir Tahiri, atij nuk i është bëre e njohur e drejta për t'u përjashtuar nga detyrimi për të dëshmuar (neni 158 i K.Pr.Penale), prandaj thëniet e tij në këtë gjykim, ku nipi i tij është i pandehur nuk mund të përdoren.
  2. Gjykata vlerëson se ky arsyetim dhe kjo vendimmarrje e gjykatës së parë është e gabuar proceduralisht dhe nuk konformohet me ligjin procedural penal për disa arsye.
  3. Së pari, provat e papërdorshme në gjykimin penal nuk mundet të shpallen të tilla në vendimin përfundimtar gjyqësor. Palët duhet të dinë përgjatë procesit se cilat nga provat gjykata ka pranuar t’i marrë në shqyrtim dhe cilat jo, pasi t’i ketë deklaruar këto të fundit si të papërdorshme. Gjykata sjell në vëmendje se neni 151 i Kodit të Procedurës Penale në paragrafin e dytë dhe të tretë parashikon ndër të tjera se:

2. Në gjykim provat merren me kërkesën e palëve. Gjykata vendos menjëherë, duke përjashtuar provat e ndaluara nga ligji dhe ato që janë haptazi të panevojshme.

3. Provat e marra në shkelje të ndalimeve të parashikuara nga ligji nuk mund të përdoren. Papërdorshmëria e provave ngrihet edhe kryesisht në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit.

  1. Paragrafi i dytë i kësaj dispozite është rregullimi ligjor analog i nenit 183 të Kodit të Procedurës Civile[17] dhe ratio e këtyre rregullimeve ligjore procedurale të njëjta është respektimi i nenit 42 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ, konkretisht i së drejtës themelore për proces të rregullt ligjor, në elementin e së drejtës për t’u mbrojtur. Palët në procesin gjyqësor penal, civil apo administrativ duhet të dinë në mënyrë të përditësuar përgjatë gjykimit se cilat janë provat që gjykata ka pranuar të marrë shqyrtim dhe cilat jo, pasi mbi bazën e kësaj dijenie ato mundet të shmangin efektin surprizë të vendimit përfundimtar dhe të krijojnë edhe pritshmëritë për provat që do t’i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor dhe të cilat do të vendosen në themelin e vendimmarrjes përfundimtare, duke qenë sakaq të ndërgjegjshëm se çfarë mundet të provojnë apo jo cilat prova.[18]
  2. Kjo do të thotë se gjykata penale, civile apo administrative duhet ta ushtrojë pushtetin vendimmarrës mbi çështjen e pranueshmërinë së provave si të përdorshme apo jo menjëherë sapo ato të kërkohen nga palët për t’u marrë në shqyrtim. Instrumenti përmes të cilit gjykata operon në këto raste është vendimi i ndërmjetëm, sipas nenit 112 të Kodit të Procedurës Penale apo nenit 125 të Kodit të Procedurës Civile.
  3. Në çështjen objekt gjykimi gjyqtari i seancës paraprake nuk ka konstatuar prova të papërdorshme dhe gjykata e themelit të gjykimit ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar, duke konkluduar se i gjithë fashikulli i hetimit është shndërruar automatikisht në fashikull gjykimi. Kjo do të thotë se palët ndërgjyqëse në këtë rast kanë pasur pritshmërinë e arsyeshme se nuk ka asnjë provë të papërdorshme në fashikullin e prokurorisë dhe njëherazi edhe në fashikullin e gjykimit dhe se gjykata në vendimmarrjen përfundimtare do të përdorte çdo provë që fashikulli ka.
  4. Përkundrazi, në vendimin përfundimtar gjykata e shkallës së parë ka konkluduar se ka dy prova të papërdorshme dhe se papërdorshmëria e tyre është sanksionuar rishtazi në vendimin përfundimtar. Gjykata vlerëson se kjo mënyrë e të proceduarit është e papranueshme proceduralisht dhe e papajtueshme me pikën 2 të nenit 151 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenin 42 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ.
  5. Së dyti, kjo mënyrë e të proceduarit nga ana e gjykatës së themelit të shkallës së parë vjen në kundërshtim me pikën 7 të nenit 405 të Kodit të Procedurës Penale, rregull i cili parashikon se: “7. Kërkesa për gjykim të shkurtuar nuk pranohet nëse i pandehuri apo mbrojtësi i tij ngrenë pretendime mbi vlefshmërinë e akteve apo përdorshmërinë e provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak, apo kur kërkojnë marrjen e provave të reja në gjykim. Kërkesa për gjykim të shkurtuar nuk pranohet edhe në rastet kur gjykata kryesisht konstaton pavlefshmëri absolute apo papërdorshmëri të provave, si rezultat i të cilave çmon se çështja nuk mund të zgjidhet në gjendjen e akteve. Në këtë rast, në vendimin e saj për refuzimin e kërkesës gjykata përcakton edhe aktet absolutisht të pavlefshme apo provat e papërdorshme në gjykim. Ky rregull nuk zbatohet kur kërkohen prova lidhur me personalitetin e të pandehurit, apo gjendjen e tij personale, familjare ose ekonomike.
  6. Gjykata e themelit në këtë çështje, në marrjen e vendimit të ndërmjetëm për pranimin e kërkesës së të pandehurve për gjykim të shkurtuar, ka konstatuar se nuk ka prova të papërdorshme dhe nuk ka akte të pavlefshme dhe se njëherazi mbrojtja e të dy të pandehurve nuk kanë paraqitur pretendime për pavlefshmëri apo papërdorshmëri dhe se për rrjedhojë ka konkluduar se çështja mund të zgjidhet në gjendjen që ishin aktet në fashikullin e prokurorisë. Më tej në vendimin përfundimtar ka konstatuar dhe ka konkluduar dy akte shkresore të vlerësuara si prova të papërdorshme.
  7. Ndodhur para këtyre rrethanave gjykata e shkallës së parë teorikisht nuk duhet të kishte proceduar me ritin e gjykimit të shkurtuar, sipas pikës 7 të nenit 405 të Kodit të Procedurës Penale. Për rrjedhojë mbetet detyrë e Gjykatës që të konkludojë fillimisht mbi drejtësinë dhe ligjshmërinë e konkluzionit të gjykatës së shkallës së parë dhe më tej edhe mbi kushtet mbi procedueshmërisë sipas ritit të posaçëm të gjykimit të shkurtuar.
  8. Së treti, Gjykata vlerëson se konkluzioni i mësipërm i gjykatës së shkallës së parë është i gabuar dhe i pabazuar në rregullimet e ligjit procedural mbi përdorshmërinë e provës. Fillimisht duhet të sillet në vëmendje se, qoftë deklarimi i z. Saimir Tahiri dhe deklarimi i z. Kujtim Tahiri në këtë rast nuk janë akte procedurale me përmbajtje provuese që janë formësuar në kuadër të procedimit penal objekt gjykimi por janë akte procedurale provuese që janë formësuar në kuadër të Procedimit Penal nr. 1582/2015 të Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier. Për rrjedhojë Gjykata vlerëson se këto dy prova nuk mundet të konsiderohen tipike të këtij procedimi por si akte të huazuara nga një procedim penal tjetër do të duhen të konsiderohen si prova atipike për nga mënyra se si janë formësuar, të cilat bëhen pjesë të fashikullit të këtij procedimi penal të huazuara nën parashikimet e nenit 193 të Kodit të Procedurës Penale.
  9. Pyetja e z. Saimir Tahiri me cilësinë procedurale të personit që ka dijeni për veprën penale ka respektuar në kohën e procedimit penal rregullat e formësimit të aktit procedural dhe të provës në vetvete. Megjithatë ajo sot kërkohet të bëhet e përdorshme, konkretisht në këtë procedim ku cilësia procedurale e tij nuk është më ajo e personit që ka dijeni për veprën penale por është ajo e të pandehurit. Nga ana tjetër Gjykata e vlerëson të drejtë dhe të bazuar në pikën 1 të nenit 32 dhe shkronjën ‘‘ç’’ të nenit 31 të Kushtetutës, konkretisht në të drejtën kushtetuese, konventore dhe ligjore për të mos u vetëinkriminuar dhe për t’u mbrojtur me një avokat, konkluzionin e gjykatës së shkallës së parë se përdorshmëria e deklarimit të të pandehurit të formësuar para se të përftohej kjo cilësi procedurale, pavarësisht se vjen në fashikull si provë atipike, duhet t’i nënshtrohet garancive kushtetuese, konventore dhe ligjore të tij në procesin penal. Kur fakti penal historik ka ndodhur në momentin kur është formësuar prova atipike e deklarimeve të tij, atëherë Gjykata vlerëson se shkronja ‘‘ç’’ e nenit 31 dhe  pika 1 e nenit 32 të Kushtetutës zbatohen drejtpërdrejtë për të vlerësuar përdorshmërinë apo jo të këtij deklarimi. 
  10. Nga ana tjetër në të njëjtën mënyrë Gjykata vlerëson edhe mbi rregullat garanci kushtetuese, konventore dhe ligjore të përdorshmërisë së provës së deklarimeve të të afërmve të të pandehurit, të realizuara në një procedim tjetër penal ku kjo cilësi procedurale nuk ekzistonte në momentin e formësimit të tyre. Gjykata, njëlloj sikurse gjykata e shkallës së parë, konkludon se, mjafton që fakti penal të ketë ndodhur para formësimit të kësaj prove, dhe se, me gjithë se kjo provë huazohet në këtë procedim si provë atipike, përdorshmëria e saj do të duhet të shqyrtohet nën rregullat dhe garancitë procedurale të parashikuara nga aktet normative të gjithëpushtetshme në mbrojtje të të pandehurit në procesin penal aktual.
  11. Në këtë pikë të arsyetimit, duke u ndarë nga arsyetimi dhe vlerësimi i gjykatës së shkallës së parë, Gjykata vlerëson se të drejtat e të pandehurit për të mos u vetëinkriminuar, për t’u asistuar me një avokat gjatë pyetjes apo për përdorshmërinë e provës së deklarimeve të të afërmve të tij, të cilët sipas ligjit kanë të drejtën për t’u përgjigjur apo për të mos u përgjigjur, janë të disponueshme prej tij dhe nuk mundet të konkludohet se ato janë të padisponueshme si garanci procedurale, duke qenë se këto garanci kushtetuese janë parësisht të drejta të të pandehurit. I pandehuri ka të drejtë të mos përgjigjet dhe jo detyrim, sikurse e drejta për të mos u pyetur e të afërme, sipas nenit 158 të Kodit të Procedurës Penale, është e drejtë dhe jo detyrim për këto subjekte. Vullneti i këtyre subjekteve për të hequr dorë nga këto të drejta duhet të merret parasysh nga gjykata dhe si rrjedhojë e këtij vullneti këtyre akteve provuese u lejohet përdorshmëria si prova në procesin penal.
  12. Për rrjedhojë Gjykata vlerëson se këto të drejta mundet të disponohen nga i pandehuri, që do të thotë se ai mundet të heqë dorë nga ndalimi ligjor i përdorshmërisë së këtyre provave që nuk janë formësuar sipas garancive ligjore që e mbrojnë atë në procesin penal. Kjo do të thotë se të gjitha shkaqet e papërdorshmërisë së provave që lidhen me të drejta të disponueshme të të pandehurit në procesit penal kanë karakteristikat e papërdorshmërisë relative të provave, pasi paligjshmëria që qëndron në formësimin e tyre mundet të konvalidohet nga vullneti i të pandehurit, i cili vendos të heqë dorë nga të drejtat-garanci procedurale të disponueshme.
  13. Në këtë gjykim konstatohet se në seancën paraprake i pandehuri z. Saimir Tahiri ka kërkuar të procedohet me gjykimin e shkurtuar, në kushtet kur ai ishte njohur me aktet që ndodheshin në fashikullin e hetimit paraprak. Më tej konstatohet se mbrojtja e të pandehurit z. Saimir Tahiri në parashtresat verbale dhe me shkrim në seancën paraprake dhe në gjykimin në themel ka kërkuar që të përdoren të gjitha aktet dokumentare me karakter provues të Procedimit Penal nr. 1582/2915 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier. Kjo kërkesë e tij është bërë edhe në dy gjykimet në apel, gjë që do të thotë se në mënyrë të paekuivokë dhe përgjatë gjithë gjykimit penal deri më tani ai ka kërkuar që të mbrohet ndër të tjera edhe me këto dy prova.
  14. Për rrjedhojë, për gjithçka u arsyetua më lart, Gjykata vlerëson se kjo pjesë e vendimmarrjes së gjykatës së shkallës së parë është e pabazuar në nenin 31 dhe 32 të Kushtetutës dhe nenit 151, 158 dhe 193 të Kodit të Procedurës Penale. Kjo do të thotë se këto dy akte shkresore do të përdoren me cilësinë e provës në këtë gjykim dhe se vendimmarrja për gjykimin e shkurtuar nga ana e gjykatës së shkallës së parë është e drejtë dhe e bazuar në ligj.  

 

  1. Lidhur me çështjen “ne bis in idem

 

  1. Gjykata e Katanias e Republikës së Italisë, konkretisht gjyqtari për hetimet paraprake, me Vendimin 14178/2017 R.G. datë 23.11.2018 ka vendosur pushimin e procedimit objekt shqyrtimi dhe kthimin e akteve prokurorit. Në vendim sillen në vëmendje të gjitha elementet e provave të përftuara në kuadër të procedimit penal 15355/13 R.G.N të prokurorisë italiane. Konkretisht në përmbajtje të provave të cituara janë konkretisht:
  • përgjimeve në automjetin Fiat Brava ndërmjet z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj datë 16.12.2013;
  • përgjimit në automjet Mercedes Compressor datë 13.01.2014 ndërmjet z. Enea Sulaj dhe një bashkëfolësi tjetër;
  • dokumenteve shkresore që vërtetojnë ardhjen në Itali me traget dhe me automjetin Audi A8 me targa AA 003 GB të z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj me datë 24.02.2014;
  • përgjimet ambientale të z. Maridian Sulaj, z. Avdul Sulaj, z. Klajdi Sulaj dhe një person me emrin ‘‘Niko’’ me datë 10.10.2014;
  • përgjimi i muajit mars 2014 ndërmjet z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj ku jepet e dhëna ‘’30 duhet t’ia çoj Saimirit’’;
  • përgjimet ambientale në automjetin Fiat Panda datë 03.03.2014 ndërmjet z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj;
  • dokumentacionit shkresor dhe pyetjeve të titullarit të dyqanit të bizhuterive dhe kostumit në Itali;
  • procesverbalit të pyetjes së z. Moisi Habilaj datë 24.01.2018;
  • procesverbalit të pyetjes së z. Maridian Sulaj të datës 01.02.2018;
  • procesverbalit të pyetjes së z. Antonio Riela të datës 24.01.2018.
  1. Pas kësaj përmbajtje të vendimit të gjyqtarit të seancës paraprake në vendim arsyetohet se: “Mbi sa më sipër, megjithëse nuk ka dyshim për citimet e bëra nga Moisi Habilaj gjatë bisedave të përgjuara, veçanërisht ku përmend se ka për t’i dhënë 30,000 Euro një “Saimir”, ose në pjesët flet për blerjen e bizhuterive për bashkëshorten dhe nënën e Saimir Tahiri, në vlerësimin e Prokurorisë, në mungesë të provave nuk rezulton të ketë elemente të vlefshëm për të ngritur akuzën në gjyq.
  2. Më tej pasqyrohet fakti se prokuroria ka kërkuar pushimin e këtij procedimi, sipas nenit 408 të Kodit të Procedurës Penale dhe gjykata ka arsyetuar si vijon: “Gjyqtari, mbi bazën e kërkesës së mësipërme të pushimit e cila pranohet duke ju përmbajtur në mënyrë të plotë arsyetimit, për këto arsye, në bazë të nenit 409 – 411 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi pushimin e procedimit objekt shqyrtimi dhe kthimin e akteve prokurorit...”.
  3. Ky variant i përkthyer i kërkesës për pushim dhe vendimit të gjyqtarit të hetimeve paraprake të Katanias është varianti i shkresës së sjellë në fashikullin e gjykimit nga i pandehuri z. Saimir Tahiri. Ndërkohë në variantin e marrë nga prokuroria me letërporosi prej autoriteteve italiane dhe të përkthyer nga përkthyesit e Ministrisë së Drejtësisë rezulton se kjo pjesë përkatëse e kërkesës për pushim dhe vendimit të pushimit është përkthyer si vijon: “Thënë sa më sipër, edhe pse nuk ka dyshim mbi univocitetin e pohimeve të bëra nga Moisi Habilaj gjatë bisedave të përgjuara dhe në veçanti aty ku pohon se duhet t’i japë 30.000 Euro Saimirit apo edhe në pjesët ku flet për blerjen e bizhuterive për gruan dhe të ëmën e Saimir Tahirit, sipas Prokurorisë në mungesë të vërtetimeve nuk ka elementë të duhur për të mbështetur akuzën.”
  4. Më tej pasqyrohet fakti se prokuroria ka kërkuar pushimin e këtij procedimi me datë 15.03.2018, sipas nenit 408 të Kodit të Procedurës Penale dhe gjykata në vendimin e datës 05.102018 ka arsyetuar ndër të tjera si vijon: “Parë nenet 409 – 411 të Kodit të Procedurës Penale vendos pushimin e procedimit në shqyrtim dhe kthimin e akteve prokurorisë...
  5. Të dy këto mënyra përkthimi vlerësohen nga gjykata jo të përputhshme me terminologjinë e përdorur dhe nuk tregojnë edhe të njëjtën logjikë në narrativën e përkthyer të këtyre dy akteve procedurale italiane. Për rrjedhojë, sipas parimit të pandërmjetësisë së perceptimit të provës nga gjyqtari, Gjykata e vlerësoi të nevojshme të kqyrë drejtpërdrejtë variantin origjinal në kopjen e autentifikuar të sjellë nga autoritetet italiane përmes letërporosisë. Në gjuhën italiane këto pjesë të këtyre dy akteve citojnë si vijon: “Cio premesso, sebbene non vi sia dubio sulla univocita delle affermazioni fatte da Habilaj nel corso delle conversazioni intercettate, in particolare laddove affermava di dover dare 30.000 euro al Saimir o ankora nelle parti in cui përlava dell’acquisto di gioielli per la moglie e la madre dello stesso Saimir Tahiri, a parere di questo P.M. in assenza di utili riscontri non sussistono elementi idonei a sostenere l’accusa in dibattimento. Visti gli artt. c.p.p. chiede che il Giudice per le indagini preliminari in sede voglia disporre l’archiviazione del procedimento in esame, e conseguentemente ordinare la restitucione degli atti a questo Ufficio.
  6. Më tej pasqyrohet se për të njëjtat arsye gjyqtari i hetimeve e pranon kërkesën e prokurorisë për pushim e akuzës.
  7. Nga këto parashtrime të konkluzionit të prokurorisë dhe gjykatës italiane, duke pasur parasysh mbi të gjitha tekstin origjinal të akteve procedurale, kuptohet se prokuroria dhe gjykata kanë konkluduar se nuk ka dyshime mbi njëmendshmërinë e vërtetësisë së deklarimeve të përgjimeve dhe të dhënave të përftuara prej këtij mjeti për kërkimin e provës të realizuara ndaj z. Moisi Habilaj. Por se rezulton se prokuroria dhe gjykata italiane nuk kanë gjetur prova të tjera që të mbështesin dhe konkretizojnë deklarimet e z. Moisi Habilaj të marra përmes përgjimit në mënyrë që të mbështesë akuzën.
  8. Gjykata vlerësoi se në këtë çështje nuk ka shkaqe paprocedueshmërie të procesit penal dhe sakaq e rrëzon si të pabazuar në ligj pretendimin e të pandehurit z. Saimir Tahiri për pushimin e çështjes për shkak të parimit kushtetues dhe procedural ne bis in idem. Gjykata vlerëson se statusi jo gjë e gjykuar i vendimit gjyqësor italian të hetimit paraprak nuk kushtëzon procedueshmërinë penale të këtij fakti penal në Republikën e Shqipërisë për të gjitha argumentet që do të parashtrohen në vijim.

 

  1. Ne bis in idem në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë

 

  1. Neni 34 i Kushtetutës[19] ka garantuar këdo që nuk mund të dënohet më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale dhe as të gjykohet sërish, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga një gjykatë më e lartë, sipas mënyrës së parashikuar me ligj. Shkelja e parimit kushtetues të gjësë së gjykuar në procesin penal passjell dhunimin parimit ne bis in idem të sanksionuar nga neni 34 i Kushtetutës. Kjo dispozitë kushtetuese rregullon njëherazi edhe aspektin material dhe procedural të parimit ne bis in idem.

 

  1. Ne bis in idem në Kodin e Procedurës Penale

 

  1. Duhet të sillet në vëmendje se ligjvënësi ndërhyri në titullin dhe përmbajtjen e nenit 7 të Kodit të Procedurës Penale në vitin 2017 pikërisht për të saktësuar konceptin juridik të “idem-it”. Më përpara titulli i kësaj dispozite formulohej “Ndalimi i gjykimit dy herë për të njëjtën vepër” dhe në vitin 2017 u riformulua në “Ndalimi i gjykimit dy herë për të njëjtin fakt”. Edhe në përmbajtje të kësaj dispozite u realizua i njëjti ndryshim i fjalës “vepër[20] me fjalën “fakt[21]. Në këtë mënyrë ligjvënësi përputhi me standardet ndërkombëtare konceptin juridik të “idem-it”, i cili mundëson zbatimin e parimit ne bis in idem në kuptimin material dhe procedural sipas vizionit të parashikuar nga neni 34 i Kushtetutës.
  2. Më tej ky parim njihet dhe bëhet i zbatueshëm drejtpërdrejtë nga gjykatat përmes realizimit të marrëdhënieve juridiksionale me jashtë. Ky parim në dimensionin e tij njihet nga shkronja “ç” e nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale[22]. Nën të njëjtin dimension të nenit 34 të Kushtetutës parimi ne bis in idem garantohet edhe nga shkronja “d” e nenit 514 të Kodit të Procedurës Penale[23]. Tek rregullimi i parë ligjor i sjellë në vëmendje legjislatori përdor fjalën “vepër” për të identifikuar konceptin “idem” dhe në rregullin e dytë përdor fjalën “fakt”.

 

  1. Ne bis in idem në Republikën e Italisë

 

  1. Parimi ne bis in idem në legjislacionin italian rregullohet nga neni 649 të Kodit të Procedurës Penale[24] nën titullin ndalimi i një gjykimi të dytë. Kjo normë parashikon se i pandehuri apo i dënuari me vendim apo me dekret penal përfundimtar dhe të parevokueshëm, nuk mund të procedohet sërish për të njëjtin fakt, edhe sikur kualifikimi juridik i tij të ndryshojë sipas një titulli vepre penale, përveç kur disponohet për rifillimin e procedimit penal për shkak se del se personi i konkluduar i vdekur rezulton i gjallë (shih pikën 2 të nenit 69 të Kodit të Procedurës Penale[25]) apo përveç rasteve të rifillimit të procedimit penal pas vendimit të pushimit (shih pikën 2 të nenit 345 të Kodit të Procedurës Penale[26]). Në paragrafin e dytë të kësaj dispozite parashikohet se, nëse, pavarësisht këtij ndalimi, nis sërish një procedim penal për të njëjtin fakt, atëherë gjykata në çdo fazë dhe shkallë procedimi vendos pushimin e çështjes, duke treguar pikërisht këtë shkak të pushimit të çështjes në diapozitivin e vendimit.
  2. Gjykata sjell në vëmendje se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Italisë, përmes një gjykimi incidental kontrolli kushtetues të kësaj dispozite, ka konkluduar se ka deklaruar pakushtetutshmërinë e nenit 649 të Kodit të Procedurës Penale, në pjesën që përjashton zbatimin e kësaj norme në rastin kur fakti i njëjtë procedohet sërish nën një titull tjetër juridik, vetëm për arsyen se mbi faktin historik penal ekziston mundësia e konkurrimit formal të titujve të ndryshëm të faktit juridik tipik.[27] Gjykata Kushtetuese e Republikës së Italisë ka konkluduar se për zbatimin e parimit ne bis in idem duhet të prevalojë konceptimi faktik i idem-it dhe jo konceptimi juridik i tij. Kjo do të thotë se në çdo rast për zbatimin e këtij parimi idem-i duhet të njëjtësohet me konceptimin e tij sipas faktit historik penal dhe jo sipas kualifikimit juridik të ndryshëm të tij.
  3. Neni 649 i Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Italisë është vendosur në Titullin I të Librit X me titull “Gjëja e gjykuar”. Ndërkohë në nenin 648 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Italisë parashikohen se si formësohet gjëja e gjykuar sipas këtij modeli ligjor procedural penal, duke u parashikuar se do të konsiderohen vendime gjë e gjykuar ato të cilat kanë ezauruar mjetet e zakonshme të ankimit apo ato ndaj të cilave nuk është ushtruar ankim brenda afateve ligjore. Duke pasur parasysh përjashtimin eksplicit të nenit 649 të këtij Kodi të Procedurës Penale, Gjykata sjell në vëmendje se edhe në këtë model legjislacioni procedural penal nuk mundet të aktivizojë parimin ne bis in idem një vendim pushimi i akuzës apo çështjes penale që nuk përbën gjë të gjykuar (duke referuar si përjashtim në nenin 345 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Italisë).

 

  1. Ne bis in idem në Republikën Federale të Gjermanisë

 

  1. Në aspektin material të rregullimit të parimit ne bis in idem neni 34 i Kushtetutës, nga mënyra e formulimit të saj, ngjan me nenin 103 pika 3 e Kushtetutës së Republikës Federale të Gjermanisë[28]. Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë i ka dhënë këtij parimi dimensionin material dhe procedural, duke interpretuar se kjo garanci kushtetuese mbron këdo të mos dënohet dy herë për të njëjtin fakt material dhe se të mos ushtrohet ndjekje penale më shumë se një herë për të njëjtin fakt penal.[29] Në këtë logjikë kushtetuese neni 52 dhe 53 i Kodit Penal të Republikës Federale të Gjermanisë ka rregulluar zbatimin e ligjit penal në rastet kur formalisht fakti penal mund të kualifikohet në më shumë se një vepër penale dhe për rrjedhojë formalisht duket se më shumë se një dënim kumulohet për t’u aplikuar ndaj të njëjtit fakt penal.[30]
  2. Këto dispozita kanë pamundësuar që i njëjti fakt penal të procedohet apo të dënohet penalisht më shumë se një herë dhe se qëllimi i këtij rregullimi ligjor material ka qenë krijimi i identitetit juridik të veprës penale dhe kufizimi i zbatimit të së drejtës penale materiale. Normat ligjore që rregullojnë konkurrimin e veprave penale dhe dënimeve në këtë mënyrë kanë balancuar raportin e drejtë ndërmjet fajit dhe dënimit me qëllimin për të garantuar drejtësinë e dënimit penal.[31] Për qëllimin e zbatimit të garancisë kushtetuese të nenit 103 të ligjit themelor të Republikës Federale të Gjermanisë mbahet parasysh se vetëm vendimet gjyqësore përfundimtare të dënimit apo të pafajësisë aktivizojnë pengesën prekluzive të paprocedueshmërisë si pasojë e veprimit të parimit ne bis in idem.[32] 

 

  1. Ne bis in idem në Republikën e Francës

 

  1. Ky parim nuk gjendet i sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Francës. Në këtë legjislacion parimi ne bis in idem sanksionohet në pikën 1 të nenit 368 të Kodit të Procedurës Penale[33], duke rregulluar vetëm dimensionin procedural të tij. Më tej në nenin 6 të këtij Kodi[34], nën të njëjtën logjikë dhe mënyrë të rregullimit ligjor, parashikohet se ekzistenca e një vendimi gjyqësor penal gjë të gjykuar dënimi apo pafajësie shuan ndjekjen penale dhe se ajo në këto kushte nuk mund të zhvillohet më.
  2. Megjithatë, edhe pse në legjislacionin e këtij shteti nuk rregullohet në mënyrë eksplicite parimi ne bis in idem në dimensionin material, ka qenë Gjykata e Kasacionit dhe Këshilli Kushtetues që e kanë artikuluar jurisprudencialisht ekzistencën e këtij parimi. Këshilli Kushtetues i Republikës së Francës ka vlerësuar se rast pas rasti do të duhet që të analizohen katër elemente juridik përbërës të zbatimit të parimit ne bis in idem, konkretisht: 1) Identiteti juridik i faktit penal; 2) Identiteti juridik i objektit të mbrojtur nga norma penale; 3) Natyra e njëjtë e sanksioneve; 4) Identiteti juridik i organit gjykues.
  3. Sipas kësaj jurisprudence, mjafton një element që të mos përputhet që të mos ekzistojë ndalesa ligjore e parimit ne bis in idem.[35] Gjykata e Kasacionit ka konkluduar se mjafton që objekti i mbrojtur nga ligji penal të jetë i ndryshëm dhe në këtë rast normat penale dhe dënimet e ndryshme do të duhet të zbatohen edhe ndaj të njëjtit fakt.[36] Nga ana tjetër jurisprudenca e këtij institucioni ka konkluduar se parimi ne bis in idem në kuptimin e tij material dhunohet në rastet kur për të njëjtin fakt penal jepen dy dënime për vepra penale të kualifikuara sipas dispozitave të ndryshme.[37] Ndërkohë Këshilli Kushtetues e ka trajtuar parimin ne bis in idem në kuptimin material jo si një parim kushtetues i posaçëm por në funksionin e respektimit të parimit kushtetues të dënimit penal proporcional, të drejtë dhe të sigurisë juridike.[38]

 

  1. Ne bis in idem në Mbretërinë e Spanjës

 

  1. Ndërkohë në Kushtetutën e Mbretërisë së Spanjës nuk parashikohet në mënyrë eksplicite parimi ne bis in idem dhe se në Projektin e Kushtetutës së vitit 1978 ky parim ishte sanksionuar në paragrafin e tretë të nenit 9. Megjithatë ky parim është zhvilluar nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, duke interpretuar nenin 25 të Kushtetutës[39] dhe duke e bërë pjesë të parimeve kushtetuese.[40] Ky interpretim ka synuar që të kufizohet dhe të kontrollohet pushteti i shtetit për të ndëshkuar penalisht (jus puniendi)[41] dhe që ky pushtet të ushtrohet në mënyrë proporcionale.[42] Qëllimi i kësaj jurisprudence kushtetuese është shmangia e reagimit ndëshkues joproporcional apo eksesit ndëshkimor të shtetit.[43]
  2. Pikërisht për të përjashtuar mundësinë e dënimit dy herë të një fakti penal dhe për të garantuar respektimin e parimit kushtetues material ne bis in idem neni 8 i Kodit Penal të Mbretërisë së Spanjës[44] ka rregulluar mënyrën se si do të zbatohen normat penale nga gjykata rast pas rasti kur duket se disa kualifikime dhe dënimet formalisht konkurrojnë. Parimi ne bis in idem në këtë jurisprudencë kushtetuese është vlerësuar i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me parimin e proporcionalitetit, parimin e sigurisë juridike dhe tipicitetit të veprave penale të parashikuara në ligj, parimin e mbrojtjes efektive të të drejtave themelore dhe parimin e gjë së gjykuar në procesin penal.[45] Gjykata Kushtetuese e Mbretërisë së Spanjës ka vlerësuar se mos respektimi i parimit ne bis in idem në kuptimin material cenon garancinë kushtetuese të parashikueshmërisë së sanksioneve dhe se në çdo rast shumatorja e dënimit të bashkuar kalon kufirin kushtetues të dënimit proporcional, duke imponuar sakaq një sanksion penal të paparashikuar nga ligji.
  3. Gjykata Kushtetuese e Mbretërisë së Spanjës ka zhvilluar në jurisprudencën e saj teknikën e kontrollit të tre elementëve juridik për të konkluduar nëse ekziston rast pas rasti ndalesa materiale e parimit ne bis in idem. Elementet që duhet të analizohen në këto raste janë: 1) Identiteti juridik i subjektit; 2) Identiteti juridik i faktit; 3) Identiteti juridik i objektit të mbrojtur nga ligji.
  4. Sipas kësaj jurisprudence është detyrë kushtetuese dhe ligjore më së pari e gjykatave të pushtetit gjyqësor që të kontrollojnë nëse ekzistojnë elementet juridik të aktivizimit të ndalesës materiale dhe procedurale të parimit ne bis in idem. Megjithatë, nëse kjo nuk ka ndodhur, atëherë të njëjtën analizë dhe shqyrtim duhet ta bëjë edhe Gjykata Kushtetuese përmes shqyrtimit të ankimit individual kushtetues (amparo).[46] Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese të Mbretërisë së Spanjës ka konkluduar se në çdo rast kur objekti i veprave penale apo marrëdhënia juridike e mbrojtur është e ndryshme, atëherë nuk ka pengesë sipas parimit ne bis in idem për zbatimin e ligjit penal mbi të njëjtin fakt dhe se dhënia e më shumë se një dënimi është në përputhje me parimin e proporcionaitetit. Më tej, kur marrëdhënia juridike e cenuar nga fakti penal është i njëjtë atëherë parimi ne bis in idem në kuptimin material ndalon zbatimin më shumë se një herë të ligjit penal. Kjo do të thotë se që kushtetutshmërisht një fakt penal të dënohet më shumë se një herë nga ligji do të duhet që normat penale të cenuara të mbrojnë marrëdhënie juridike të ndryshme dhe se secila prej tyre të mbrojë vlera kushtetuese të ndryshme.[47] Kjo do të thotë se secili prej sanksioneve penale duhet të ndëshkojë subjektin aktiv të veprës penale për cenimin e një marrëdhënie juridike të mbrojtur nga ligji.[48] 

 

  1. Ne bis in idem në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë

 

  1. Parimi ne bis in idem është trajtuar edhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se parimi i mosgjykimit dy herë për të njëjtën vepër (ne bis in idem) është njohur si një prej të drejtave të njeriut të mbrojtura nga Kushtetuta dhe një nga instrumentet kryesore juridike të brendshme e ndërkombëtare që rregullojnë marrëdhëniet në fushën penale, si dhe përgjegjësinë për kundërvajtje. Sipas këtij parimi, askush nuk mund të ndiqet ose të dënohet penalisht për një vepër penale për të cilën është shpallur më parë i pafajshëm ose është dënuar me një vendim gjyqësor përfundimtar.[49]
  2. Sipas kësaj jurisprudence kushtetuese, ideja e parimit ne bis in idem nuk qëndron tek zbatimi dy a më shumë herë i të njëjtës normë penale, por te mosgjykimi e mosdënimi përsëri i subjektit për të njëjtën vepër penale, për të cilën ai është dënuar më parë me një vendim të formës së prerë nga një gjykatë e caktuar me ligj. Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se duhet të mbahet parasysh se kriteri “e njëjta vepër” i referohet të njëjtit veprim, sjellje, fakt, vepër penale dhe kualifikim ligjor të tyre, të cilat formojnë bazën e kësaj vepre dhe për të cilin personi është dënuar apo liruar. Nëse gjenden elementë të njëjtë, parimi ne bis in idem ndalon çdo dënim tjetër ose procedim të mëtejshëm.[50]

 

  1. Ne bis in idem në jurisprudencën e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë

 

  1. Zbatimin e ligjit penal sipas parimit kushtetues ne bis in idem në dimensionin material e ka trajtuar edhe Kolegji Penal dhe Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Në këtë jurisprudence është arsyetuar se ndalimi ligjor i dënimit më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale është shprehje e parimit të së drejtës penale i cili përjashton jo vetëm deklarimin fajtor dhe dënimin e të gjykuarit më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale, por edhe kualifikimin ligjor të së njëjtës vepër sipas dispozitave të ndryshme të Kodit Penal. Nuk mund të bëhet cilësimi ligjor i veprës një herë sipas një dispozite të përgjithshme dhe një herë sipas një dispozitë të posaçme.[51]
  2. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë arsyetuar se në thelb i “njëjti fakt”, është e njëjta shkelje, dhe cenohet vetëm njëherë e njëjta marrëdhënie juridike.[52] Më tej arsyetohet se konflikti i normave i përket fushës së zbatimit dhe cilësimit të ligjit dhe është i lidhur me zbatimin dhe interpretimin e përpiktë të ligjit penal material dhe se përcaktimi i saktë i normës që parashikon veprën penale, ka një rëndësi themelore, sepse është një parakusht për respektimin e parimit të ligjshmërisë, që një person të merret në përgjegjësi penale, e më pas ndaj tij të zbatohet sanksioni penal, sipas figurës së veprës penale saktësisht të kryer prej tij, kjo për shkak se është e ndaluar ndëshkimi i të njëjtit fakt që përbën vepër penale, më shumë se një herë. Parimi i ndalimit të gjykimit dy herë për të njëjtën vepër penale përbën bazën themelore logjike dhe juridike të zbatimit të ligjit, në rastin kur kemi të bëjmë me praninë e një pluraliteti normash inkriminuese, të cilat në pamje të parë (prima facie) duken të gjitha si të zbatueshme, por që vetëm njëra prej tyre gjen zbatim. Kolegjet e Bashkuara kanë vlerësuar se ky parim zbatohet jo vetëm në procedurën penale, por edhe në të drejtën penale materiale. Në bazë të këtij parimi, është i ndaluar procedimi dy herë i një personi për një fakt që përbën vepër penale, për të cilin është dhënë një vendim gjyqësor i formës së prerë që është bërë i pakundërshtueshëm.[53]
  3. Zbatimi i parimit të ndalimit të gjykimit apo procedimit penal më shumë se një herë për të njëjtën vepër në të drejtën penale materiale është i lidhur me funksionin e mbrojtjes së lirisë personale, parimin e sigurisë juridike dhe me atë të ligjshmërisë në të drejtën penale. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e ka trajtuar parimin kushtetues, konventor dhe ligjor ne bis in idem në procesin penal edhe në kuptimin procedural.
  4. Së fundmi Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka marrë në shqyrtim dhe ka arsyetuar mbi të njëjtën problematikë që shtrohet për zgjidhje në këtë gjykim. Kolegji Penal ka arsyetuar se parimi ne bis in idem lidhet me ekzistencën e një vendimi gjyqësor të formës së prerë, të parevokueshëm, që ndalon përsëritjen e një procesi të ri për të njëjtin fakt. Duke qenë se konteksti i kazusit në të cilin ngrihej për diskutim zbatimi i këtij parimi lidhej në këtë çështje me pretendimin e mbrojtjes së të kërkuarit për t’u ekstraduar se ekstradimi nuk mundet të realizohej në kushtet kiur për të njëjtën fakt penal ekzistonte një vendim pushimi i prokurorisë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arsyetoi se, fakti që kërkuesit i është pushuar procedimi penal me vendim të prokurorisë nuk është shkak refuzues për lejimin e ekstradimit të tij jashtë Shqipërisë.
  5. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka arsyetuar se vendimi i pushimit të procedimit penal nga prokuroria shqiptare nuk përbën vendim gjyqësor të formës së prerë i cili nuk mund të kundërshtohet më me mjetet e zakonshme të ankimit, duke shtuar se në mënyrë që të ndodhemi para parimit kushtetues ne bis in dem është e domosdoshme që personi të jetë gjykuar nga një gjykatë e pavarur, e paanshme, e krijuar me ligj dhe me vendim të formës së prerë në lidhje me kryerjen e veprës penale për të cilën kërkohet ekstradimi. Kolegji Penal vijon arsyetimin se, marrja e një vendimi pushimi nga prokuroria nuk përbën vendim gjyqësor të formës së prerë si dhe nuk bën pjesë në rastet e parashikuara në dispozitën e mësipërme dhe për rrjedhojë nuk përbën kriter ndalues për ekstradimin, duke referuar sakaq edhe në nenin 32/1/ç të Ligjit nr. 193, datë 03.12.2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritet e huaja në çështjet penale”, të ndryshuar.[54]
  6. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e ka gjetur në këtë rast të pabazuar pretendimin e mbrojtjes, që e barazon vendimin e pushimit të prokurorisë në lidhje me procedimin penal me një vendim pafajësie të dhënë nga gjykata. Rastet e pushimit të procedimit penal nga prokuroria dhe nga gjyqtari i seancës paraprake, referuar kuadrit ligjor aktual, janë të përcakuara në nenin 328 të Kodit të Procedurës Penale dhe ato nuk mund të interpretohen në mënyrë të zgjeruar si vendim pafajësie në favor të subjektit të procedimit penal. Në vendimin e pushimit nuk është provuar pafajësia e subjektit dhe se vendimi i pushimit është marrë pikërisht sepse është verifikuar një prej rasteve të parashikuara nga neni 328 i Kodit të Procedurës Penale. Në këtë mënyrë Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka konkluduar se ekzistenca e një vendimi pushimi ndaj subjektit të proceduar nuk përjashton mundësinë që ndaj tij të paraqitet një kërkesë për ekstradim nga një shtet i huaj, për shkak se ai është deklaruar fajtor për një ose disa vepra penale të kryer jashtë territorit shqiptar, për aq kohë sa ai nuk është gjykuar me vendim penal të formës së prerë më herët për këto vepra penale nga gjykatat shqiptare.[55]
  7. Nga ana tjetër për të konkluduar se çfarë është vendimi penal i formës së prerë, me cilësinë ligjore të gjësë së gjykuar, i pandryshueshëm, i parevokueshëm dhe përfundimtar apo final, Gjykata sjell në vëmendje Vendimin Unifikues Penal nr. 2/2014 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Në këtë vendimmarrje nomofilatike u unifikua praktika gjyqësore pikërisht mbi kuptimin e këtij instituti procedural penal, duke konkluduar se cilësia ligjore e gjësë gjykuar fitohet atëherë kur vendimi gjyqësor përfundimtar nuk mundet t’i nënshtrohet më mjeteve të zakonshme të ankimit.[56]

 

  1. Ne bis in idem në Paktin Ndërkombëtar të të Drejtave Civile dhe Politike

 

  1. Gjykata sjell në vëmendje se parimi ne bis in idem gjen edhe rregullim ndërkombëtar normativ. Kështu pika 7 e nenit 14 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike ka rregulluar parimin ne bis in idem në aspektin procedural.[57] Ky rregullim ligjor i jep përparësi më së shumti kualifikimit ligjor të veprës penale në ligjin e brendshëm të çdo shteti në mënyrë që të vlerësohet nëse jemi para të njëjtit “idem” apo vepre penale. Në këtë mënyrë prevalon më shumë rregullimi dhe emërtimi formal i faktit penal se sa kualifikimi material i identitetit të faktit për të cilin individi është dënuar.

 

  1. Ne bis in idem në Statutin e Romës

 

  1. Parimi ne bis in idem rregullohet edhe nga Statuti i Romës në nenin 20.[58] Ndryshe nga rregullimi i mësipërm, Statuti i Romës “idem-in” e përshkruan si sjellje të individit, që do të thotë se nuk kërkon analizën formale të kualifikimit juridik të veprës penale por kërkon analizën materiale të sjelljes që ka përbërë anën objektive të veprës penale objekt procedimi.

 

  1. Ne bis in idem në të drejtën dhe jurisprudencën e Bashkimit Evropian

 

  1. Parimi ne bis in idem është rregulluar edhe në nenin 54 të Marrëveshjes së Schengen-it[59]. Në këtë dispozitë parashikohet se një person, gjykimi i të cilit ka përfunduar me një vendim final në një nga shtetet anëtare, nuk mundet më të ndiqet penalisht në një shtet tjetër palë për të njëjtat akte. Në Marrëveshjen e Schengen-it dallohet se “idem-i” përshkruhet me termin akt (acts), që nënkupton veprime apo mosveprime të anës objektive të veprës penale.[60] Kjo mënyrë formulimi në këtë marrëveshje ka qenë e qëllimtë, për të mos bërë pengesë për lirinë e lëvizjes së individëve faktin e mungesës së harmonizimit të ligjeve shteteve palë kontraktore dhe në mënyrë që të garantohet siguria juridike e kujtdo individi që nuk do të përndiqet, gjykohet apo dënohet për së dyti për të njëjtat veprime apo mosveprime.[61]
  2. Gjithashtu neni 50 i Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian[62] ka sanksionuar parimin ne bis in idem. Në këtë dispozitë parashikohet se askush nuk mundet të jetë përgjegjës për t’u gjykuar apo ndëshkuar sërish në një procedim penal për një vepër penale për të cilën ai apo ajo është shpallur përfundimisht i pafajshëm apo është dënuar në Bashkimin Evropian sipas ligjit. Koncepti i vendimit të pafajësisë apo vendimit të dënimit lidhet ngushtë me autoritetin vendimmarrës gjyqësor dhe nga ana tjetër me statusin ligjor të tij si gjë e gjykuar. Ndërkohë në nenin 50 të Kartës së të Drejtave Themelore, sikurse shikohet më lart, përdoret termi vepër penale (offence), duke i dhënë më shumë shkas interpretimit formal të konceptit “idem”.
  3. Në Vendimin Kuadër të Këshillit të Bashkimit të Evropian mbi Urdhrin e Arrestit Evropian parimi ne bis in idem shfaqet si pengesë për të realizuar ekzekutimin e vendimeve penale.[63] Në pikën 2 të nenit 3 të këtij akti normativ parashikohet se një shtet anëtar i Bashkimit Evropian do të refuzojë të zbatojë një urdhër arrest evropian nëse autoriteti shtetëror ekzekutues informohet që subjekti është gjykuar përfundimisht nga një shtet i Bashkimit Evropian për të njëjtat akte, ku ka marrë një dënim dhe dënimi është vuajtur apo po vuhet. Sikurse konstatohet edhe në këtë akt ndërkombëtar normativ kusht është që vendimi i mëparshëm të jetë përfundimtar.
  4. Gjykata Evropiane e Drejtësisë (në vijim GJED) ka analizuar dhe ka konkluduar disa herë çështjen e vendimit përfundimtar gjyqësor të dënimit apo të pafajësisë që përbën shkak për të aktivizuar rrethanën e paprocedueshmërisë së procedimit penal si pasojë e fushëzbatimit të parimit ne bis in idem. GJED ka vlerësuar se parimi ne bis in idem nuk zbatohet në rastin e një vendimi të marrë nga një autoritet gjyqësor të një shteti anëtar i cili ka deklaruar të mbyllur një procedim/çështje penale, pasi prokurori publik ka vendosur të mos ngrejë akuzë ndaj një individi të dyshuar, për faktin e vetëm se ndaj të njëjtit të pandehur ka filluar një procedim penal në një shtet tjetër anëtar, për të njëjtat fakte kriminale, pa parashtruar asnjë vlerësim në lidhje me këtë çështje. Në këtë vendim GJED përcakton se cilësia e një vendimi përfundimtar, lidhet me caktimin e një dënimi apo ekzekutimin e një sanksioni ndaj një personi, duke nënkuptuar një vlerësim të rrethanave dhe të fakteve që i atribuohen atij personi. GJED ka theksuar disa herë që qëllimi i zbatimit të parimit ne bis in idem, është shmangia e një procedimi apo dënimi të dyfishtë, por kjo nuk do të thotë se ky parim vlen edhe në rastin kur është marrë një vendim pushimi, pa u shqyrtuar çështja në themel, pikërisht si në këtë rast, për shkak të fillimit të një procedimi tjetër, pra për shkaqe procedurale.[64]
  5. GJED ndër të tjera ka vlerësuar se, për t'u cilësuar një vendim si "vendim përfundimtar", akti procedural duhet t'i japë fund procedimit penal, duke mbyllur në mënyrë definitive ndjekjen penale (veprimin penal) ndaj personit që i është atribuuar ky fakt kriminal. Një vendim që nuk i jep fund në mënyrë definitive një procedimi penal, në nivel kombëtar, nuk mund të vlerësohet si i tillë, pra përfundimtar në planin ndërkombëtar apo në nivel evropian. GJED ka pranuar se parimi ne bis in idem nuk aplikohet në rastin e një vendimi me anë të cilit një autoritet i një shteti kontraktues, në përfundim të një hetimi të çështjes penale, disponon, në një fazë paraprake me inkriminimin e personit të dyshuar për kryerjen e një krimi, për mosfillimin apo pushimin e procedimit penal, atëherë kur sipas të drejtës kombëtare të këtij shteti, ky mosfillim nuk i jep zgjidhje përfundimtare ndjekjes penale, pra nuk përbën një pengesë për procedime të tjera penale për të njëjtat fakte në këtë shtet.[65]
  6. GJED në jurisprudencën e saj e ka njohur në disa vendime parimin ne bis in idem si parim themelor të së drejtës komunitare.[66] Kjo jurisprudencë merr parasysh se identifikimi i ndalesës që vjen nga parimi ne bis in idem arrihet nga analiza e tre elementeve, duke i individualizuar ato si vijon: 1) Identiteti i fakteve; 2) Njëjtësia e subjektit aktiv të faktit; 3) Njëjtësia e marrëdhënies juridike të mbrojtur nga e drejta.[67]
  7. GJED, në mënyrë që të identifikohet njëjtësia e konceptit “idem” ka vlerësuar se në çdo rast duhet të vlerësohet ekzistenca e një tërësie rrethanash të cilat janë pazgjidhshmërisht të lidhura me njëra-tjetrën.[68] Në mënyrë që të vlerësohet nëse faktet materiale janë të njëjta GJED ka theksuar se duhet të mbahet parasysh përshkrimi faktik i tyre dhe lidhja që ato kanë në kohë, në hapësirë dhe për nga subjekti që i ka kryer dhe se nga kjo analizë duhet të konkludohet se e gjithë tërësia e veprimeve dhe e mosveprimeve përbëjnë një fakt të vetëm të kundërligjshëm dhe si të tillë të pandashëm. GJED ka vlerësuar se vetëm fakti i ekzistencës së një qëllimi unik kriminal nga ana e autorit që lidh fakte të caktuara nuk përbën detyrimisht lidhje objektive të tyre, në rastet kur konstatohet se nuk ekziston lidhja materiale e kërkuar e tyre në kohë dhe në hapësirë. Duke pasur parasysh këto konsiderata jurisprudenciale, GJED ka vlerësuar se kriteri relevant për identifikimin e “idem-it” do të jetë rast pas rasti identiteti i veprimeve apo mosveprimeve material dhe bashkekzistenca e një tërësie faktesh të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme, pavarësisht nga kualifikimi formal ligjor i tyre në ligjet e shteteve të ndryshme apo interesat që kërkohet të mbrohet nga ligji.

 

  1. Ne bis in idem në Konventën Amerikane mbi të Drejtat e Njeriut

 

  1. Edhe Konventa Amerikane mbi të Drejtat e Njeriut[69] e ka rregulluar parimin ne bis in idem. Ky parim rregullohet në pikën 4 të nenin 8 të saj, duke përdorur si terminologji për të përshkruar “idem-in” fjalën “shkak” (cause). Këtë dallim në terminologjinë e përdorur nga ky akt ndërkombëtar në raport Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike me ka përdorur edhe Gjykata Ndër-Amerikane për të Drejtat e Njeriut për theksuar se duhet të mbahet një kriter interpretativ më i zgjeruar dhe më material për sa i përket konceptit “idem” dhe që duhet të shkojë në favor të mbrojtjes së lirisë dhe sigurisë së individit.[70]
  2. Kjo pjesë e dispozitës parashikon se një person i akuzuar, i cili është deklaruar i pafajshëm me një vendim të paankimueshëm nuk mundet të gjykohet sërish për të njëjtin shkak. Sikurse konstatohet edhe në këtë akt ndërkombëtar, i cili rregullon parimin ne bis in idem në kuptimin procedural në planin kombëtar, kërkohet detyrimisht që vendimi gjyqësor të jetë final dhe meritor, që do të thotë i paankimueshëm dhe për rrjedhojë edhe gjë e gjykuar (res judicata).

 

  1. Ne bis in idem në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudenca e GJEDNJ

 

  1. Të njëjtin rregullim ka bërë edhe neni 4 i Protokollit 7 të KEDNJ[71]. Vihet re se në mënyrën se si është formuluar kjo dispozitë për të përshkruar “idem-in” përdoret koncepti formal i veprës penale (offence), terminologji që në dukje jep përshtypjen se privilegjon interpretimin formal të kualifikimit ligjor të faktit penal në legjislacionin e çdo shteti. Gjykata sjell në vëmendje se kjo garanci nga përndjekja penale e përsëritur vepron vetëm në planin kombëtar[72] dhe jo ndërkombëtar dhe se duhet të kuptohet se KEDNJ në këtë rregullim nuk synon që rregullojë marrëdhëniet juridiksionale në fushën penale të shteteve palë të larta kontraktore.
  2. GJEDNJ në jurisprudencën e saj e ka zhvilluar parimin ne bis in idem edhe me aspektin e tij material[73], duke e ridimesionuar edhe konceptin e ‘‘idem-it’’ në drejtim të analizës së elementeve material karakterizues së sjelljes së dënueshme nga ligji. GJEDNJ, duke mbajtur parasysh të gjithë dallimet në terminologji të akteve të ndryshme ndërkombëtare që sanksionojnë parimin ne bis in idem dhe gjithashtu edhe qëndrimet jurisprudenciale të gjykatave simotra, ka konkluduar se për zbatimin e nenit 4 të Protokollit nr. 7 të KEDNJ, pavarësisht kualifikimit të ndryshëm të faktit nga ligjet e shteteve palë kontraktore, do të duhet të mbahet parasysh rast pas rasti tërësinë te rrethanave të faktit që i atribuohen të njëjtit autor, të cilat janë të lidhura me njëra-tjetrën në mënyrë të pazgjidhshme në kohë dhe në hapësirë, ekzistenca e të cilave duhet të provohet në mënyrë që të sigurohet një dënim apo të procedohet penalisht.[74]
  3. Lidhur me natyrën e vendimit që përbën pengesën me karakter prekluziv të paprocedueshmërisë penale sipas parimit ‘‘ne bis in idem’’ Gjykata sjell në vëmendje se Raporti Shpjegues i Protokollit nr. 7 të KEDNJ[75], konkretisht në pjesën që i përket nenit 4, ka sjellë në vëmendje se referimin për të shpjeguar konceptin e vendimit final apo përfundimtar pikërisht Konventën Evropiane për Vlefshmërinë e Gjykimeve Penale, duke sjellë në vëmendje se vendimet përfundimtare janë ato që kanë marrë statusin ligjor të gjësë së gjykuar dhe janë të parevokueshme, duke nënkuptuar se ndaj tyre nuk ka asnjë mjet të zakonshëm ankimi.[76] Gjithashtu duhet të sillet në vëmendje veçanërisht se GJEDNJ në jurisprudencën e saj ka konkluduar se vendimet e pushimit të prokurorisë nuk përbëjnë as vendime dënimi dhe as vendime pafajësie dhe se për rrjedhojë nuk zbatohet neni 4 i Protokollit nr. 7 të KEDNJ.[77]

 

  1. Ne bis in idem në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë

 

  1. Duhet të sillet në vëmendje se Kodi Penal, për veprat penale të kryera nga shtetasit shqiptarë brenda vendit, në nenin 6, paragrafi i parë, parashikonte: “Për vepra penale të kryera nga shtetas shqiptarë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë zbatohet ligji penal i Republikës së Shqipërisë.
  2. Ndërkohë duhet të sillet në vëmendje se për veprat penale të kryera nga shtetasit shqiptarë jashtë vendit, paragrafi i dytë i nenit 6 të Kodit Penal parashikon ndër të tjera se: “Ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe për shtetasin shqiptar që kryen krim në territorin e një shteti tjetër, kur krimi është njëkohësisht i dënueshëm dhe derisa nuk është dhënë për të një vendim përfundimtar nga një gjykatë e huaj.”#
  3. Nga kjo mënyrë e rregullimit ligjor të brendshëm të së drejtës së Republikës së Shqipërisë për të ushtruar sovranitetin shtetëror përmes ndjekjes penale dhe pushtetit jus puniendi ndaj autorëve që kryejnë vepra penale të dënueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë do të përgjigjen sipas ligjit penal shqiptar. Ndërkohë për shtetasit shqiptarë që kryejnë vepra penale në territorin e huaj do të zbatohen ligji penal shqiptar deri sa të mos ketë vendim penal përfundimtar nga një gjykatë e huaj. Problematika e konkluzioneve të këtyre parashikimeve ligjore komplikohet në rastet kur shtetasit shqiptarë kryejnë vepra penale në territorin e më shumë se një shteti dhe se një prej tyre është edhe Shqipëria. Pikërisht këtë çështje merr përsipër ta rregullojnë aktet ndërkombëtare që normojnë marrëdhëniet juridiksionale me jashtë. Një nga këto akte, me rëndësi të drejtpërdrejtë në zgjidhjen e çështjes objekt gjykimi, është pikërisht Konventa Evropiane për Vlefshmërinë e Gjykimeve Penale.

 

  1. Ne bis in idem në Konventën Evropiane për Vlefshmërinë e Gjykimeve Penale

 

  1. Parimi ne bis in idem në kuptimin procedural rregullohet edhe nga neni 53 - 55 i Konventës Evropiane për Vlefshmërinë e Gjykimeve Penale.[78] Neni 53 i Konventës parashikon se:

1. Një person, ndaj të cilit është zhvilluar një gjykim penal evropian, nuk mund të procedohet, gjykohet apo të bëhet objekt ekzekutimi i një sanksioni në një shtet tjetër palë për të njëjtin fakt kur:

a) ai është shpallur i pafajshëm;

b) sanksioni i vendosur:

i) është ekzekutuar plotësisht ose është duke u ekzekutuar;

ii) është objekt i një faljeje ose amnistie në tërësinë e tij ose për pjesën e paekzekutuar;

iii) nuk mund të ekzekutohet me, pasi është parashkruar;

c) gjykata konstaton fajësinë e autorit, por nuk vendos ndonjë sanksion.

2. Sidoqoftë, një shtet palë nuk është i detyruar, përveçse, kur ai vete ka kërkuar procedimin, te njohe pasojat e "ne bis in idem", nëse veprimi qe i dha shkas gjykimit është drejtuar kundër ndonjë personi, institucioni ose sendi qe ka karakter publik ne këtë shtet ose nëse personi objekt i gjykimit kishte një karakter publik ne këtë shtet.

3. Gjithashtu, çdo shtet palë në të cilin është kryer veprimi ose është konsideruar i tillë në përputhje me legjislacionin e atij shteti, nuk është i detyruar të njohë pasojat e "ne bis in idem" përveçse, kur ky shtet ka kërkuar procedimin.

  1. Gjykata sjell në vëmendje se, sipas Raportit Shpjegues të Konventës[79], ndër të tjera pasqyrohet se në kontekstin ndërkombëtar, ndryshe nga ai kombëtar, parimi “ne bis in idem” nuk është i njohur përgjithësisht. Kjo do të thotë se shteti në të cilin është kryer vepra penale nuk mund të pengohet që të ndjekë penalisht çështjen vetëm për shkakun se e njëjta vepër penale është ndjekur penalisht edhe në një shtet tjetër. Ky qëndrim i pranuar përgjithësisht dhe ndërkombëtarit rrjedh nga konsiderata se e drejta e ndjekjes penale për veprat penale të kryera në territorin e tij konsiderohet si pjesë e sovranitetit te çdo shteti. Edhe nga pikëpamja procedurale, mbledhja e provave mund të bëhet më mirë në shtetin ku është kryer vepra penale dhe aty ka më shumë mundësi që përfundimi i procedimit penal të jetë i suksesshëm, ndryshe nga një vend tjetër ku nuk është kryer vepra penale dhe procedimi penal, në të cilin pikërisht për mungesë provash, mund të mos përfundojë në mënyre të suksesshme. Një vendim i tillë, vijon ky akt narrativ me vlerë interpretarive mbi vetë aktin normativ, i dhënë në shtetin ku nuk është kryer vepra penale kurrsesi nuk mund të pengojë autoritetet e shtetit ku është kryer vepra penale për të proceduar penalisht të njëjtën vepër penale.
  2. Në thelbin e këtij rregullimi normativ ndërkombëtar qëndron arsyeja se vendimet penale evropiane asnjëherë nuk kanë efektin prekluziv të paprocedueshmërisë që shkakton parimi ne bis in idem në lidhje me shtetin ku është kryer vepra penale ose në rastet e veprave penale specifike të drejtuara kundër interesave të caktuara të një shteti. Megjithatë, pavarësisht nga këto rrethana, në qofte se një shtet ka kërkuar në shtetin tjetër procedimin e veprës penale, atëherë ai në çdo rast duhet të njohë rezultatin e procedimit të nisur me kërkesën e tij në shtetin tjetër dhe se në këto raste pasojat prekluzive dhe të paprocedueshmërisë që rrjedhin nga parimi ne his in idem do të jenë detyruese për këtë shtet. Kur nuk ekzistojnë asnjë nga këto situata të veçanta, pra kryesisht në rastet kur vendimi është dhënë në shtetin ku është kryer vepra penale, atëherë vendimi i pafajësisë ose vendimi i fajësisë, kur dënimi është ekzekutuar në rrugë normale, ose kur megjithëse i pandehuri është gjetur fajtor nuk i është caktuar ndonjë dënim, do të ketë efektin e "ne bis in idem" në lidhje me shtetet e tjera.
  3. Kjo Konventë ka marrë përsipër të rregullojë vetë dhe drejtpërdrejtë konceptin e ‘‘vendimit penal europian’’. Në shkronjën ‘‘a’’ të nenit 1 të Konventës parashikohet se me vendim penal europian duhet të kuptohet çdo vendim përfundimtar i dhënë nga një gjykatë penale e një shteti kontraktues si rezultat i procedimit penal. Kjo do të thotë se vendimi penal duhet të jetë vendim gjykate, të ketë marrë formën e prerë në kuptimin procedural dhe në kuptimin material të ketë marrë cilësinë ligjore të gjësë gjykuar.

 

  1. Ne bis in idem në Konventën Evropiane për Transferimin e Procedimeve Penale

 

  1. Gjithashtu Gjykata sjell në vëmendje se parimi ne bis in idem gjen rregullim juridik ndërkombëtar edhe në Konventën Evropiane për Transferimin e Procedimeve Penale, konkretisht nenet 35 – 37.[80] Pika 1 e nenit 35 të këtij akti ndërkombëtar e rregullon njëlloj konceptin juridik të “idem-it”, duke përdorur konceptin “për të njëjtin akt”.[81] Neni 35 i kësaj Konvente ka të njëjtin rregullim normativ sikurse neni 53 i Konventës për Konventës Evropiane për Vlefshmërinë e Gjykimeve Penale.

 

  1. Konkluzioni mbi prapësimin ne bis in idem

 

  1. Sa më lart u soll në vëmendje Gjykata vlerëson se ka një konsensus të padiskutueshëm brenda dhe jashtë vendit në rregullimet normative dhe interpretimet jurisprudenciale mbi zbatimin e parimit ne bis in idem në planin kombëtar dhe se pretendimet e të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe mbrojtjes së tij janë të pabazuara në gjithçka u parashtrua dhe për arsyet që vijojnë.
  2. Së pari, Gjykata konkludon se në këtë çështje ligji penal shqiptar është i zbatueshëm, pasi i akuzuar është një shtetas shqiptar dhe se vepra penale objekt akuze është kryer edhe në territorin e Republikës së Shqipërisë.
  3. Së dyti, Gjykata konkludon se nuk ka asnjë kërkesë nga Republika e Shqipërisë përmes së cilës t’i jetë kërkuar Republikës së Italisë që të nisë procedimi penal ndaj të pandehurit z. Saimir Tahiri për veprën penale objekt akuze. Kjo do të thotë se, edhe sikur “idem-i” i faktit penal të jetë i njëjtë ndërmjet dy procedimeve penale në secilin nga dy shtetet, atëherë Republika e Shqipërisë, sipas nenit 53 të Konventës Evropiane për Vlefshmërinë e Gjykimeve Penale, gëzonte të drejtën e pakushtëzuar që të procedonte penalisht të pandehurin për këtë fakt objekt akuzë.
  4. Së treti, Gjykata sjell në vëmendje se në këtë çështje nuk konstatohet asnjë vendim gjyqësor përfundimtar, i formës së prerë, që njëkohësisht të ketë marrë edhe autoritetin ligjor të gjësë së gjykuar, ndaj të pandehurit z. Saimir Tahiri. Në këtë rast dekreti mbi arkivimin e çështjes penale ndaj të pandehurit z. Saimir Tahiri në Republikën e Italisë, i marrë pas kërkesës së prokurorit nga ana e gjyqtarit të hetimeve paraprake, është marrë mbi aktin “Richesta di archiviazione”, përkthyer si “Kërkesë për pushim”, duke u vendosur sakaq edhe kthimi i akteve prokurorisë dhe duke referuar sakaq në nenin 408 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Italisë.
  5. Gjyqtari për hetime paraprake në këtë rast rezulton të ketë ka vendosur duke referuar në nenet 409 - 411 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Italisë, duke disponuar pranuar argumentet e prokurorisë. Ky vendimi i gjykatësit për hetime paraprake, nëse do të referohej në simotrën shqiptare, do të individualizohej vendimi i pushimit të çështjes apo akuzës nga ana e gjyqtarit të seancës paraprake. Konkretisht, në nenin 329/b, pika 3 të Kodit të Procedurës Penale parashikohet pushimi i akuzës ose çështjes nga ky gjyqtar, mbi kërkesën e prokurorit, në rastet kur procedohet për krime (329/a). Ndërkohë, në rastet kur procedohet për kundërvajtje penale pushimi i akuzës ose çështjes bëhet nga vetë prokurori (neni 328 i Kodit të Procedurës Penale).
  6. Gjykata sjell në vëmendje se këto vendime gjyqësore, sikurse këto vendime të prokurorisë në rastin e kundërvajtjeve penale, marrin formë të prerë vetëm nga pikëpamja procedurale dhe se ato nuk fitojnë cilësinë ligjore të gjësë së gjykuar, pasi nuk plotësojnë kriterin e vendimmarrjes përfundimtare gjyqësore. Legjislatori në nenin 329/c të Kodit të Procedurës Penale[82] ka parashikuar se këto akte gjyqësore apo prokuroriale janë të revokueshme përmes mjeteve të zakonshme procedurale dhe se për rrjedhojë Gjykata konkludon se këto vendime nuk mundet të konsiderohen të parevokueshme apo të pandryshueshme.
  7. Gjykata sjell në vëmendje se edhe sipas ligjit procedural penal të Republikës së Italisë, konkretisht parashikimeve të nenit 409 – 411 të Kodit të Procedurës Penale[83], vendimi i gjyqtarit për hetime paraprake që pranon kërkesën e prokurorisë për arkivim të çështjes është i revokueshëm dhe hetimet mund të rihapen. Konkretisht neni 414 i Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Italisë parashikon mundësinë e rihapjes së hetimeve, pas urdhrit të arkivimit, me një dekret të arsyetuar të gjyqtarit për hetimet, kur motivohet nga nevoja për hetime të reja. Në këto raste prokuroria procedon sipas parashikimit të nenit 345 të Kodit të Procedurës Penale lidhur me vijimin e procedimit penal. Pikërisht është kjo dispozitë që rregullohet si përjashtim nga fushëzbatimi i nenit 649 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Italisë, sikurse u sqarua më lart.
  8. Për sa më sipër Gjykata konkludon se vendimi i gjyqtarit të hetimeve për pushimin e çështjes penale në Republikën e Italisë nuk përmbush kushtet ligjore për t’u konsideruar vendim përfundimtar, i formës së prerë dhe gjë e gjykuar. Megjithatë Gjykata konkludoi se vendimi i gjyqtarit të hetimit paraprak të Republikës së Italisë, sikurse edhe kërkesa e prokurorit për pushimin e çështjes penale ndaj të pandehurit z. Saimir Tahiri, ka marrë tashmë cilësinë e provës në këtë gjykim dhe se për rrjedhojë do të vlerësohet në raport me të gjitha provat e tjera, sipas nenit 151 të Kodit të Procedurës Penale.
  9. Së katërti, Gjykata vlerëson se në këtë gjykim nuk plotësohet edhe kushti i njëjtësisë së ‘‘idem-it’’ për të konkluduar se zbatohet parimi ne bis in idem. Akuza penale në këtë çështje shtrihet në një kohë tjetër në çështjen objekt gjykimi, pasi, sikurse do të trajtohet edhe më poshtë, përfshin edhe vitin 2016 dhe shkon deri në momentin kur i pandehuri z. Saimir Tahiri ka përfunduar ushtrimin e detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme. Ndërkohë rezulton se procedimi penal në Republikën e Italisë përfshinte periudhën e kohës së kaluar ndërmjet 4 episodeve të ekzekutimit të trafikimit të lëndës narkotike, konkretisht episodi “Augusta” datë 25.10.2013 deri në episodin “Fatima2 datë 06.05.2015.
  10. Gjithashtu Gjykata sjell në vëmendje se vëllimi i provave të administruara nga fashikulli i hetimeve paraprake në Republikën e Italisë në këtë gjykim përfaqëson vetëm një pjesë të caktuar të materialit provues objekt gjykimi. Prokuroria shqiptare gjatë hetimeve paraprake ka arritur të mbledhë prova për fakte historike penale shtesë në raport me ato që qëndronin në themelin e procedimit penal Italian. Për rrjedhojë Gjykata konkludon se edhe për këtë arsye nuk mundet të konkludohet se vendimi i gjyqtarit të hetimeve paraprake në Republikën e Italisë përbën rrethanë paprocedueshmërie dhe prekluziviteti në këtë çështje penale.   

 

  1. Identiteti juridik dhe faktik i akuzës dhe i faktit penal

 

  1. Nga mënyra se si është zhvilluar debati gjyqësor në seancën paraprake, në gjykimin në themel në gjykatën e shkallës së parë, në gjykimin në apel për herë të parë, në Gjykatën e Lartë, në gjykimin në apel për herë të dytë dhe për më tepër nga mënyra se si janë artikuluar parashtrimet e secilës nga mbrojtjet e secilit prej dy të pandehurve në këtë gjykim, Gjykata vlerëson të nevojshme dhe të domosdoshme që të ndalet në identifikimin në kohë dhe në hapësirë të faktit penal historik objekt tek secila nga akuzat kundrejt të pandehurve për të përcaktuar dhe identifikuar identitetin juridik dhe faktit të secilës nga akuzat objekt gjykimi.
  2. Nga ana e të pandehurve ka pretendime se, duke qenë se nuk ka ndjekje penale dhe akuzë për kultivimin e lëndës narkotike kundrejt të pandehurve, sipas nenit 284 të Kodit Penal, atëherë gjykata do të duhet ta kufizojë dhe përqendrojë shqyrtimin gjyqësor në funksionit të përcaktimit të përgjegjësisë penale ndaj secilit prej të pandehurve ekskluzivisht vetëm në katër episodet e para të trafikimit të lëndëve narkotike të finalizuar në territorin e Republikës së Italisë, konkretisht në datën 25.10.2013 (në vijim episodi “Augusta”); në datën 28.02.2014 (në vijim episodi “Palagonia”); në datën 29.07.2014 (në vijim episodi “Katania”); në datën 08.05.2015 (në vijim episodi “Fatima”).#
  3. Sipas mbrojtjes së të pandehurit z. Saimir Tahiri, akuza që i kundrejtohet atij fokusohet vetëm në ekzekutimin kriminal të këtyre katër episodeve dhe jo jashtë tyre. Ndërkohë sipas mbrojtjes së të pandehurit z. Jaeld Çela, akuza kundrejt tij ka si objekt vetëm ekzekutimin e episodit “Fatima”, duke qenë se gjatë kohës që ai ka ushtruar detyrën ka ndodhur vetëm ky fakt penal historik dhe se në episodet e mëparshme të trafikimit të lëndës narkotike nga grupi i strukturuar kriminal Habilaj[84] ai nuk ka qenë në detyrë.
  4. Gjykata vlerëson se kjo mënyrë e ushtrimit të mbrojtjes dhe e parashtrimit të pretendimeve nuk i përgjigjet realitetit procedural dhe përmbajtësor që aktet e fashikullit të hetimit dhe gjykimit kanë dhe rrëfejnë. Së pari nuk rezulton e tillë akuza në aktin e njoftimit të akuzës së kundrejtuar ndaj secilit prej të pandehurve. Së dyti nuk rezulton në mënyrë të tillë fakti historik i paraqitur në secilën prej kërkesave për gjykim dhe në vendimmarrjen e dërgimit të çështjes në gjyq nga ana e gjyqtarit të seancës paraprake. 
  5. Rezulton se me datë 25.02.2019 i pandehurit z. Saimir Tahiri është marrë i pandehur dhe i është njoftuar akuza (shih fashikulli 52, faqe 1 – 18). Në fundin e faqes 13 dhe në faqen 14 të aktit të njoftimit të akuzës së prokurorisë citohet se:

Nga hetimi ka rezultuar e provuar se anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Nezar Seiti, Armand Koçerri, Sabaudin Çelaj, Tigrans Çelaj, Fatmir Minaj, Maridian Sulaj, Armando Sulaj, janë ndihmuar dhe mbështetur në aktivitetin e tyre kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike nga ana e funksionarëve të lartë të policisë lokale Vlorë si dhe ish Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

I hetuari Sokol Bode, duke qenë me detyrë Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë, i u ka dhënë mbështetje të plotë, garanci e siguri bashkëpunimi anëtarëve të grupit kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike të ngarkuara në Dhërmi dhe Vlorë e më pas të trafikuara në Itali, ku janë sekuestruar nga autoritetet policore italiane. I hetuar ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal, Moisi Habilaj dhe Florian Habilaj. Në këtë aktivitet kriminal, i hetuar Sokol Bode ka bashkëpunuar me anëtarët e grupit kriminal dhe me punonjësit e policisë, ish-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Jaeld çela dhe ish-Sefin e Sektorit kundër Narkotikëve në këtë drejtori, Gjergji Kohila.

Nga hetimet e kryera, rezulton se i hetuari Gjergji Kohila, me detyrë Shef i Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, ka mbështetur dhe bashkëpunuar me pjesëtarët e grupit kriminal, në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Gjithashtu hetimi ka provuar se i hetuari Jaeld Çela, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me të hetuarit Gjergji Kohila e Sokol Bode, kanë mbështetur, garantuar dhe bashkëpunuar me pjesëtarë të grupeve kriminale të lartpërmendura për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Ndihma dhe lehtësimi në kryerjen e aktivitetit kriminal, ashtu siç rezulton nga provat e cituara më sipër, i u jepet anëtarëve të grupit kriminal nën ndikimin e të hetuarit Saimir Tahiri, duke shfrytëzuar cilësinë e tij si Ministër i Brendshëm, me qëllim përfitimin material në mënyrë të kundërligjshme, përfitime këto të dokumentuara gjatë hetimit të këtij procedimi penal.

Nisur nga rrethanat e përshkruara më sipër, provohet se personi nën hetim, Saimir Tahiri ka konsumuar elemente të veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4 dhe 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

  1. Gjatë pyetjes së tij si i pandehur, me datë 28.02.2019 (shih faqen 20 të fashikullit nr. 52), z. Saimir Tahiri nuk ka pranuar as faktin dhe as akuzën dhe ka parashtruar se procesi penal dhe akuza ndaj tij është realizuar tërësisht nën presion dhe është i manipuluar dhe i komanduar politikisht. Ai ka sjellë në vëmendje se në fashikujt hetimor ekzistojnë vetëm provat dhe të dhënat e përftuara nga autoritetet italiane të ndjekjes penale dhe se për rrjedhojë duhet të mbahet parasysh vendimi i gjyqtarit të hetimeve të këtij shteti, i cili e ka pushuar çështjen penale me konkluzionin se nuk provohen akuzat kundër tij.
  2. I njëjtë parashtrohet fakti edhe në aktin e njoftimit të të pandehurit z. Saimir Tahiri për përfundimin e hetimeve datë 28.02.2019 (shih faqen 21 të fashikullit nr. 52) dhe në kërkesën për dërgimin e çështjes për gjykim (shih faqen 1 – 28 të Fashikullit Volumi I).
  3. Më datë 25.02.2019 të pandehurit z. Jaeld Çela i është njoftuar akuza nga ana e prokurorisë dhe për rrjedhojë është marrë në cilësinë e të pandehurit (shih faqen 40 – 60 të fashikullit të gjykimit nr. 52). Në faqen 55 dhe 56 të fashikullit të gjykimit nr. 52, pas analizës së ecurisë procedurale dhe materialeve provuese të procedimit penal, fakti penal objekt akuze përmblidhet si vijon:

Nga hetimi ka rezultuar e provuar se anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Nezar Seiti, Armand Koçerri, Sabaudin Çelaj, Tigrans Çelaj, Fatmir Minaj, Maridian Sulaj, Armando Sulaj, janë ndihmuar dhe mbështetur në aktivitetin e tyre kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike nga ana e funksionarëve të lartë të policisë lokale Vlorë si dhe ish Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Nga këqyrja e të dhënave telefonike rezultojnë të dhëna të rëndësishme në lidhje me komunikimet e përbashkëta të këtyre subjekteve.

I hetuari Sokol Bode, duke qenë me detyrë Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë, i u ka dhënë mbështetje të plotë, garanci e siguri bashkëpunimi anëtarëve të grupit kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike të ngarkuara në Dhërmi dhe Vlorë e më pas të trafikuara në Itali, ku janë sekuestruar nga autoritetet policore italiane. I hetuar ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal, Moisi Habilaj dhe Florian Habilaj. Në këtë aktivitet kriminal, i hetuar Sokol Bode ka bashkëpunuar me anëtarët e grupit kriminal dhe me punonjësit e policisë, ish-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Jaeld çela dhe ish-Shefin e Sektorit kundër Narkotikëve në këtë drejtori, Gjergji Kohila.

Nga hetimet e kryera, rezulton se i hetuari Gjergji Kohila, me detyrë Shef i Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, ka mbështetur dhe bashkëpunuar me pjesëtarët e grupit kriminal, në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Gjithashtu hetimi ka provuar se i hetuari Jaeld Çela, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me të hetuarit Gjergji Kohila e Sokol Bode, kanë mbështetur, garantuar dhe bashkëpunuar me pjesëtarë të grupeve kriminale të lartpërmendura për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Ndihma dhe lehtësimi në kryerjen e aktivitetit kriminal, ashtu siç rezulton nga provat e cituara më sipër, i u jepet anëtarëve të grupit kriminal nën ndikimin e të hetuarit Saimir Tahiri, duke shfrytëzuar cilësinë e tij si Ministër i Brendshëm, me qëllim përfitimin material në mënyrë të kundërligjshme, përfitime këto të dokumentuara gjatë hetimit të këtij procedimi penal.

Me gjithë aktivitetin e gjerë kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, nga ana e grupit kriminal të përbërë nga Moisi Habilaj etj, nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, është kryer referim penal vetëm në datë 29.04.2017, një ditë pas largimit nga detyra e Drejtorit të Policisë Vlorë, Jaeld Çela dhe Shefit të Sektorit të Krimit të Organizuar Gjergji Kohila dhe një muaj pas largimit nga detyra të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Referuar Strukturës Organike të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, marr në ekzekutim të kërkesave të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë (ref. Nr. 10578 prot., darë 09.11.2017 dhe ref. Nr. 10403 prot., datë 09.11.2017) ka rezultuar se:

  1. I hetuari Jaeld Çela, gjatë periudhës nga data 05.09.2014 deri në datë 28.04.2017, ka kryer detyrën e Drejtorit të Policisë Vendore Vlorë;
  2. I hetuari Gjergji Kohila, gjatë periudhës nga data 16.05.2015 deri në datë 28.04.2017, ka kryer detyrën e Shefit të Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në të njëjtën Drejtori.

Nisur nga rrethanat e përshkruara më sipër, provohet se personi nën hetim, Jaeld Çela, ka konsumuar elemente të veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4 dhe 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

  1. I njëjtë parashtrohet fakti edhe në aktin e njoftimit të të pandehurit z. Jaeld Çela për përfundimin e hetimeve datë 27.02.2019 (shih faqen 77 - 78 të fashikullit nr. 52) dhe më tej edhe në kërkesën për dërgimin e çështjes për gjykim.
  2. I njëjti fakt penal i është kundrejtuar të pandehurit në procedim të lidhur z. Sokol Bode në Vendimin datë 25.02.2019 të prokurorisë për marrjen e tij si të pandehur (shih faqen 98 – 99 të fashikullit nr. 52). I njëjti fakt penal i është kundrejtuar në Vendimin datë 25.02.2019 për marrjen si të pandehur, tashmë i pandehur në një procedim të lidhur, z. Gjergji Kohila (shih faqe 99 – 100 të fashikullit nr. 52).
  3. Në këto akte procedurale të përmbledhjes së faktit penal të atribuuar personave të pandehur sqarohet se kultivimi i lëndëve narkotike dhe trafikimi i tyre më tej kryhej nga dy grupet e bashkëtëpandehurve me qëllimin final të trafikimit të lëndës narkotike. Qoftë zbulimi dhe sekuestrimi i lëndës narkotike të kultivuar në Treblovë dhe Vezhdanisht me datë 04.10.2016 (grupi i strukturuar kriminal Haxhiraj[85]) dhe qoftë zbulimi dhe sekuestrimi i lëndës narkotike me datë 18.10.2017 tek banesa e z. Armand Koçerri nga ana e prokurorisë është paraqitur si aktivitet i vazhdueshëm kriminal i grupit të bashkëpandehurive pjesëtarë të drejtpërdrejtë të grupit të strukturuar kriminal.
  4. Në aktin e njoftimit të akuzës së të pandehurit z. Saimir Tahiri nuk paraqiten të dhënat e marra nga provat që ndodhen në fashikull përmes të cilave lidhet grupi i bashkëtëpandehurve të drejtuar nga i dënuari në procedimin e lidhur z. Taulant Haxhiraj me të dhënat që paraqiten nga provat për veprimtarinë e grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj. Në aktin e njoftimit të akuzës së z. Jaeld Çela këto të dhëna paraqiten si prova për të lidhur këto dy grupime të bashkëtëpandehurve dhe se krijohet sakaq uniteti i veprimtarisë dhe vazhdimësia në kohë e aktivitetit kriminal të kryer për kultivimin e bimëve narkotike nga grupi i strukturuar kriminal i drejtuar nga i dënuari në procedimin e lidhur z. Taulant Haxhiraj me aktivitetin e kultivimit dhe trafikimit të lëndës narkotike të drejtuar nga grupi i bashkëtëpandehurve të drejtuar nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj. Megjithatë provat e listuara nga prokuroria në të gjitha kërkesat për gjykim rezultojnë që janë të njëjta për të gjithë të pandehurit të cilëve akuzat u kundrejtohen.
  5. Në të gjitha këto akte të njoftimit të akuzës parashtrohet origjina dhe ecuria e procedimit penal nr. 134/2016. Fillimisht ky procedim penal është regjistruar për veprat penale ‘‘Kultivimi i bimëve narkotikëve’’ dhe ‘‘Grupi i strukturuar kriminal’’, përkatësisht sipas nenit 284 dhe 333/a të Kodit Penal, dhe se të proceduar kanë qenë fillimisht z. Shkëlqim Koçiaj, z. Xhovalin Baço, z. Marjus Bajrami, z. Reshat Radhima, z. Taulant Haxhiraj, z. Klajdis Imeri.
  6. Ndërkohë prokuroria ka regjistruar procedimin penal nr. 164, datë 29.04.2017 kundër të pandehurve z. Moisi Habilaj, z. Nezar Seiti dhe z. Florian Habilaj për veprën penale ‘‘Trafikim i narkotikëve’’, të parashikuar nga neni 283/a/2 të Kodit Penal.
  7. Me datë 25.09.2017 është vendosur bashkimi i procedimit penal të dytë me procedimin penal të parë, konkretisht me procedimin penal nr. 134/2016. Arsyeja e kësaj vendimmarrje të ndërmjetme të organit procedues ka qenë konkluzioni i arritur nga hetimet se të disa prej të proceduarve në procedimin penal të parë kanë rezultuar se janë të përfshirë si bashkëpunëtor të trafikimit të lëndëve narkotike nga bashkëpunëtorët e procedimit penal të dytë, që është bashkuar me të parin.
  8. Më datë 17.10.2017 është regjistruar procedimi penal nr. 313 kundër të pandehurit z. Saimir Tahiri, duke qenë se kishin dalë të dhëna se si ishte përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike të grupit të strukturuar kriminal me anëtarë të pandehurit në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj. Procedimi penal ka pasur si objekt veprat penale ‘‘Trafikimi i narkotikëve’’ i kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe ‘‘Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë ose i të zgjedhurve vendorë’’, përkatësisht vepra penale të parashikuara nga neni 283/a, 333/a dhe 260 të Kodit Penal.
  9. Duke qenë se ishin të njëjtët subjekte nën hetim në kuadër të procedimit penal të bashkuar tashmë nr. 134/2016, prokuroria me vendim të ndërmjetëm me datë 18.10.2017 ka vendosur bashkimin e procedimeve në një të vetëm, konkretisht në procedimin penal nr. 134/2016.
  10. Nga ky procedim penal janë dërguar për gjykim disa të bashkëpandehur, konkretisht z. z. Shkëlqim Koçiaj, z. Xhovalin Baço, z. Marjus Bajrami, z. Reshat Radhima, z. Taulant Haxhiraj, z. Klajdis Imeri. Me Vendimin nr. 62, datë 23.04.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda është vendosur deklarimi fajtor i z. Taulant Haxhiraj, z. Shkëlqim Koçiaj, z. Marjus Bajrami dhe z. Xhovalin Baco, për veprat penale të parashikuara nga neni 28/4, neni 284, neni 333/a dhe neni 334 të Kodit Penal. Ndër to z. Taulant Haxhiraj është deklaruar fajtor si krijues i grupit të strukturuar kriminal dhe të tjerët janë dënuar si pjesëmarrës në këtë formacion të bashkëpunimit të posaçëm penal. Ky vendim është lënë në fuqi me Vendimin nr. 69, datë 19.09.2018 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.
  11. Në arsyetimin e vendimit (shih faqen 77 – 98 të fashikullit të gjykimit të gjyqtarit të seancës paraprake), e parashtruar në mënyrë të përmbledhur, pranohet se informacioni referues për kultivimin e lëndëve narkotike në prokurorinë për krimet e rënda për nisjen e këtij procedimi penal ka ardhur me datë 08.06.2016 nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore të Prokurorisë për Krimet e Rënda. Ndër të tjera është njoftuar mbi faktin se bimët narkotike ishin me cikël zhvillimi të shkurtër dhe se janë kultivuar në fshatrat Sevaster, Vërmik, Resulaj, Mavrovë, Velçë, Mesaplik, Kropisht, Dukat i Vjetër, Bushaj të Selenicës, Golimbas, Pecë, Delvinë Rromës dhe Karbunarë të territorit të Bashkisë Vlorë.
  12. Nga vendimi gjyqësor i formës së prerë ku janë dënuar z. Taulant Haxhiraj e të tjerë rezulton se në shumë fshatra kishte të kultivuar bimë narkotike dhe se për të evidentuar këtë fakt është bërë këqyrja e tyre duke mbajtur proces verbalet përkatëse. Më datë 08.06.2016, nga këqyrja e vendit të ngjarjes në zonën midis fshatit Velçë Vajzë, pasqyrohen parcelat me bimë narkotike që janë gjetur në vendin e quajtur “Qafa e Behurit” të mbjella dhe kultivuar në një sipërfaqe prej rreth 1 (një) hektar tokë me bimë narkotike cannabis sattiva me cikël të shkurtër, (duke dyshuar se janë mbjellë nga shtetasit I. K. dhe E. B). Në fshatin Ploçë është gjetur e mbjellë/kultivuar rreth 4000-5000 bimë narkotike (dyshuar se janë të shtetasit të njohur me iniciale A. D), si dhe në vendin e quajtur "Përroi i Ploçës" janë gjetur dhe sekuestruar rreth 6000 - 7000 bimë narkotike që dyshohen se janë kultivuar nga shtetasit me iniciale A. L. dhe E. SH etj,.
  13. Gjykatat e faktit në dy shkallë gjykimi kanë pranuar njëlloj se bashkëtëpandehurit me marrëveshje kujdeseshin që të mbillnin parcelat me bimë narkotike, të siguronin parcelat larg vendeve të banuara, farën e lëndës, të kujdeseshin për kultivimin e saj deri në marrjen, mbledhjen, prodhimin, tharjen dhe bërjes së saj gati për treg. Në vendim sillet në vëmendje se bashkëtëpandehurit kishin lidhje të posaçme gjinore dhe ishin kushërinj me njëri-tjetrin. Vendimet kanë pranuar se z. Taulant Haxhiraj ishte në rolin e financuesit, drejtuesit apo organizuesit të këtij aktiviteti kriminal dhe e gjithë kjo veprimtari e kultivimit të bimëve narkotike e tyre kryhej për qëllimet e fitimit që shpërndahej ndërmjet pjesëmarrësve të grupit të strukturuar kriminal për kontributin e dhënë. Në të dy këto vendime sillet në vëmendje dhe është pranuar se forcat e policisë së Vlorës kanë kryer operacionin për asgjësimin e bimëve narkotike në rrethin e Vlorës në muajin shtator 2016, konkretisht operacionit të Koculit të datës 13.09.2016, për të cilin bashkëtëpandehurit kanë treguar shqetësim në komunikimet e tyre telefonike të përgjuara. Më tej sillet në vëmendje edhe operacioni policor Vezhdanishtë dhe Trrblovë, datë 04.10.2016, që në faktin historik objekt gjykimi është identifikuar si episodi i pestë.
  14. Ndërkohë rezulton se pjesa tjetër e të proceduarve të procedimin penal 134/2016 ka prodhuar çështje penale të ndryshme në gjykim dhe se të gjithë të tjerët janë proceduar për veprat penale të ‘‘Trafikimit të lëndëve narkotike’’, sipas nenit 283/a të Kodit Penal, ‘‘Krijimit dhe pjesëmarrjes së grupit të strukturuar kriminal’’, sipas nenit 333/a të Kodit Penal, dhe nenit 334 të Kodit Penal, konkretisht të pandehurit në procedim të lidhur z. Florian Habilaj, z. Moisi Habilaj, z. Nezer Seiti, z. Armando Sulaj, z, Maridian Sulaj, z. Sabaudin Çela, z. Tigrens Mezuraj, z. Fatmir Minaj. Disa prej tyre kanë pasur në ngarkim edhe veprën penale të parashikuar nga neni 283 të Kodit Penal, konkretisht z. Aramand Koçerri, z. Moisi Habilaj, z. Florian Habilaj (shih kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq datë 17.01.2019, fashikulli 53).
  15. Në kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq të prokurorisë pasqyrohet origjina e hetimit të procedimit penal kundrejt të pandehurve në procedimin penal të lidhur z. Taulant Haxhiraj etj. dhe faktet penale për të cilat këto subjekte janë dënuar penalisht me vendim gjyqësor të formës së prerë.
  16. Në kërkesën për gjykim të datës 17.01.2019 rezulton ndër të tjera se fakti penal që u atribuohet të pandehurve në procedimin penal të lidhur z. Florian Habilaj, z. Moisi Habilaj, z. Nezer Seiti, z. Armando Sulaj, z, Maridian Sulaj, z. Sabaudin Çela, z. Tigrens Mezuraj, z. Fatmir Minaj rezulton si më poshtë: “Nga hetimet rezulton se shtetasi Moisi Habilaj në bashkëpunim me shtetasin Nezar Seiti dhe disa persona të tjerë, kanë arritur të bëjnë të mundur kultivimin e sasive të konsiderueshme të lëndës narkotike në territorin e Vlorës dhe më pas duke vepruar në formën e grupit të strukturuar kriminal kanë bërë trafikimin e saj nga Shqipëria në Itali. Për ushtrimin e aktivitetit kriminal të tyre, në fillim të kultivimit të bimëve narkotike dhe më pas trafikimin e saj, shtetasit Moisi Habilaj dhe anëtarët e tjerë të grupit kriminal janë mbështetur nga punonjës policie dhe zyrtarë të lartë të policisë së shtetit, ku dyshohet edhe ish Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, Saimir Tahiri, të cilën kanë ndikuar me mbështetje për moszbulimin e tyre gjatë kohës që ato kanë ushtruar aktivitetin kriminal të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të Italisë.” (shih faqen 5 të kërkesës për gjykim).
  17. Në këtë kërkesë për gjykim sillet në vëmendje se në të dy këto procedime të bashkuara subjektet e proceduar janë të njëjtë. Nuk jepet e qartë lidhja ndërmjet bashkëtëpandehurve në procedimin penal të zhvilluar kundër z. Taulant Haxhiraj e të tjerë me bashkëtëpandehurit e proceduar tek çështja kundër z. Moisi Habilaj e të tjerë. 
  18. Në seancën paraprake të çështjes objekt gjykimi rezulton të jetë bërë objekt debati gjyqësor tërësia e fakteve penale që formësojnë secilën prej akuzave që i janë atribuuar secilit prej të pandehurve. 
  19. Lidhja ndërmjet grupit kriminal të kryesuar nga i dënuari në procedimin penal të lidhur z. Taulant Haxhiraj dhe grupit kriminal të kryesuar nga i pandehuri në procedimin penal të lidhur z. Moisi Habilaj në vendimin e gjyqtarit të seancës paraprake bëhet nga zbardhja e komunikimeve telefonike trë përftuara pas kqyrjes së telefonit të z. Taulant Haxhiraj, konkretisht biseda e datës 16.04.2016 ndërmjet z. Taulant Haxhiraj (Agushi) dhe një personi të identifikuar “Aliej” por të panjohur deri më sot. Në bisedë flitet për garancinë që duhet të merrej nga shteti për të investuar në hapje tokash dhe nisjen e kultivimit të lëndëve narkotike dhe se ndër të tjera përmendet nga i dënuari z. Taulant Haxhiraj se “akoma s’kanë marrë garanci ato kushot e ministrit”. Sakaq gjyqtari i seancës paraprake ka vlerësuar se:

            “Në vlerësim të gjyqtarit të seancës paraprake, kjo bisedë përben një bazë të mjaftueshme për të provuar se Taulant Haxhiraj rezulton të ketë lidhje me kushërinjtë e ministrit dhe, të tillë, rezultojnë vëllezërit “Habilaj”, kushërinj të të pandehurit Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm në atë kohë, që sikurse rezulton mjaftueshmërisht e bazuar në prova, merreshin, jo vetëm me trafikimin e lëndës narkotike, por dhe me krijimin e lidhjeve dhe sigurimin e garancive “me shtet”, paraprakisht për kultivimin e kësaj lënde nga subjekte të ndryshëm, sikurse janë Taulant Haxhiraj e shumë të tjerë të hetuar në kuadër të këtij procedimi penal dhe, më tej, me eksportimin e kësaj lëndë jashtë vendit, në Itali.

            Gjithashtu, rezulton nga konteksti i bisedës që ai (Taulant Haxhiraj) ka një marrëdhënie të tillë me drejtorin, i rezultuar i pandehuri Jaeld Çela, drejtori i Drejtorisë së Policisë Vlorë, që në Kuç dhe në shumë fshatra të tjerë bashkëbiseduesi “ALIEJ” mund të kultivonte. Për këtë “mbështetje” që iu jepej kërkohej 30% e sasisë së lëndës narkotike që do të kultivohej, duke u mundësuar më tej trafikimi dhe i pjesës që iu përkiste atyre....

            ...Në vlerësim të gjyqtarit të seancës paraprake, rezulton bazuar në burime provash të mjaftueshme se të pandehurit Gjergji Kohila, shef i sektorit për trafiqet dhe narkotikët, Jaeld Çela, Drejtor i Drejtorisë Vendore Vtë Policisë Vlorë, Sokol Bode, Shef i Stacionit të Policisë Dhërmi, ishin në dijeni se jo vetëm po kontribuonin në moszbulimin e kultivuesve të lëndës narkotike në territorin e Vlorës, krijimin e lehtësirave për ta, por dhe kontribuonin secili në mundësimin e aktivitetit të grupit kriminal në trafikimin e lëndës “cannabis sativa” të kultivuar në këtë qytet, me garancitë e marra prej të pandehurve “Habilaj”, lidhje farefisnore e të pandehurit Saimir Tahiri.

            Vlen të theksohet që ky përbën një proces zinxhir dhe lidhja me Moisi Habilajn, kreun e grupit kriminal, që merrej me eksportimin drejt Italisë të lëndës narkotike të kultivuar, lidhje kjo direkte apo indirekte me të, nëpërmjet njohjeve që kultivuesit kishin me të (Moisiun), të pandehurit, me detyra të rëndësishme në strukturat e policisë vendore Vlorë,  i kthen në bashkëpunëtorë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike...

  1. Rezulton se në gjykimin për herë të parë në apel trupa gjykuese e ka perceptuar ndryshe faktin historik objekt akuze. Në Vendimin nr. 16, datë 26.06.2020 të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (shih faqen 19 – 20) është konkluduar se nga ana e gjykatës së shkallës së parë është zbatuar në mënyrë të gabuar neni 375 i Kodit të Procedurës Penale, pasi prokuroria i ka atribuuar fakt tjetër penal të pandehurve dhe se gjykata e shkallës së parë ka ngritur dhe marrë në shqyrtim një akuzë të re, për të cilën të akuzuarit nuk janë hetuar dhe as akuzuar, konkretisht për veprën penale të kultivimit të lëndës narkotike dhe përhapja e kultivimit të lëndës narkotike në Shqipëri, e lidhur kjo me episodet konkrete të trafikimit të lëndës narkotike në periudhën 13.09.2016, 04.10.2016 dhe 18.10.2017. Gjykata e apelit ka konkluduar se nuk ka akuzë për këto episode nga prokuroria dhe se këto fakte janë parashtruar në hetim dhe në gjykim për të konkuduar mbi qëndrueshmërinë e grupit të strukturuar kriminal të kryesuar nga i dënuari z. Taulant Haxhiraj dhe nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj.
  2. Gjykata e apelit në gjykimin e parë ka konkluduar se gjykata e shkallës së parë nuk është shprehur për akuzat që i janë atribuuar të pandehurve për katër episodet e para të trafikimit për të pandehurin z. Saimir Tahiri dhe për episodin “Fatima” për të pandehurin z. Jaeld Çela (shih faqen 24 të vendimit). Më tej gjykata e apelit në faqen 25 të vendimit të parë konstaton se edhe qëndrimi i prokurorisë është kontradiktor në pjesën që ndaj të pandehurve në këtë proces gjyqësor nuk mban parasysh pikën 6 të nenit 28 të Kodit Penal, për të konkluduar sakaq se çdo anëtar i grupit të strukturuar kriminal është përgjegjës për të gjitha veprat penale të kryera prej tyre në përmbushjen e qëllimeve të veprimtarisë kriminale, duke pasur parasysh sakaq domethënien e faktit se gjatë vitit 2016 dhe 2017 grupi i strukturuar kriminal i kryesuar nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj vijonte të ishte aktiv në aktivitetin kriminal të lëndëve narkotike. Gjykata e apelit në vendimin e parë në këtë mënyrë ka vendosur prishjen dhe kthimin e çështjes për rigjykim dhe ka lënë si detyrë që në rigjykim të saktësohet fakti penal i atribuuar me akuzën e ngritur ndaj secilit prej të pandehurve, duke konkluduar sakaq se gjykata e shkallës së parë nuk është shprehur për të gjitha akuzat penale (shih fundin e faqes 25 të vendimit).
  3. Ndërkohë kundër vendimit të parë të gjykatës së apelit është ushtruar rekurs, sikurse u parashtrua në pjesën e këtij vendimi ku parashtrohet ecuria procedurale e çështjes. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me Vendimin Nr. 56260-00538-00-2020  Regj. Themeltar, Nr. 00-2021-656 Vendimi (50), datë 28.09.2021 ka vendosur prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe kthimin e çështjes për rigjykim.
  4. Për sa ka lidhje me këtë çështje që po analizohet në këtë pjesë të vendimit, Gjykata sjell në vëmendje se Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka konkluduar nga paragrafi 43 deri në paragrafin 53 të vendimit se gjykata e shkallës së parë e ka zbatuar rregullisht në aspektin procedural nenin 375 të Kodit të Procedurës Penale dhe se gjykata e apelit ka zbatuar gabim shkronjën ‘‘ç’’ të nenit 375 të Kodit të Procedurës Penale.
  5. Ndër të tjera në këtë vendim Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arsyeton se:

47. Në vlerësim të këtij Kolegji, në kushtet kur prokurorët, përfaqësues të akuzës në këtë gjykim, kanë konfirmuar para gjykatës së shkallës së parë (para gjyqtarit të seancës paraprake dhe në seancë gjyqësore) akuzën e njoftuar të pandehurve, në përputhje me nenin 34 të Kodit të Procedurës Penale dhe të paraqitur me kërkesën për gjykim, në përputhje me nenin 331 të po këtij Kodi, vendimmarrja e asaj gjykate, duke i dhënë faktit penal të paraqitur nga akuza, një cilësim tjetër ligjor, nuk rezulton e pabazuar në ligjin procedural penal. 

...49. Në çështjen në shqyrtim akuza në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela është sqaruar përfundimisht nga ana e prokurorëve përfaqësues të saj. Në të tilla rrethana, gjykata nuk ka pasur pengesë t’i japë faktit penal të paraqitur një cilësim tjetër juridik. 

...51. Lidhur me sa më sipër, Kolegji vlerëson se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ndryshe nga sa ka konkluduar Gjykata e Posaçme e Apelit për Krimet e Rënda në vendimin objekt rekursi, është marrë në interpretim dhe zbatim të drejtë të ligjit procedural penal, neneve 372 - 376 të Kodit të Procedurës Penale, në të cilat rregullohen normat procedurale penale lidhur me paraqitjen e akuzave e reja gjatë procesit gjyqësor penal. Një zgjidhje e tillë është edhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 4, datë 10.2.2012.

  1. Për rrjedhojë Gjykata në rigjykim ka nxjerrë disa konkluzione lidhur me identitetin juridik dhe faktik të shtrirë në kohë dhe në hapësirë të secilës prej akuzave objekt gjykimi kundrejt të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe të pandehurit z. Jaeld Çela. Gjykata vlerësoi, duke pasur parasysh aktet e njoftimit të akuzës, kërkesat për dërgimin e çështjes në gjyq, sqarimet e prokurorëve në seancë paraprake dhe në gjykimin në themel, konkluzionet e gjyqtarit të seancës paraprake dhe konkluzionet e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë mbi zbatimin e drejtë proceduralisht të nenit 375 të Kodit të Procedurës Penale, konkludohet se fakti penal historik që u kundrejtohet të pandehurve nuk kufizohet tek ekzekutimi i episodeve të trafikimit, përkatësisht me datë 25.10.2013; 27.02.2014; 29.07.2014; 08.05.2015, por shtrihet në të gjithë veprimtarinë kriminale, nga procesi i kultivimit e deri tek trafikimi në Itali të lëndës narkotike.
  2. Kundrejt të pandehurit z. Saimir Tahiri në kohë fakti penal që i kundrejtohet nis nga momenti i përgjimit të parë të përftuar si prove dhe të përdorur si e tillë, konkretisht përgjimi i datës 06.10.2013 në bisedën telefonike ndërmjet të pandehurve në procedim të lidhur z. Florjan Habilaj dhe z. Moisi Habilaj. Ndërkohë përfundimi i shtrirjes në kohë të faktit penal historik objekt akuze ndaj tij merr fund në datën e pushimit të funksioneve si Ministër i Punëve të Brendshme, konkretisht me datë 19.03.2017.
  3. Ndërkohë lidhur me shtrirjen në hapësirë të faktit penal historik objekt akuze ndaj tij Gjykata konkludon se veprimtaria kriminale zhvillohej në territorin e Qarkut Vlorë, në hapësirën detare të këtij qarku dhe më tej në Republikën e Italisë. Kjo do të thotë se, në kuptim të pikës 6 të nenit 28 të Kodit Penal, veprimtaria kriminale e zhvilluar nga grupi i strukturuar kriminal i kryesuar nga i pandehuri në procedimin penal të lidhur z. Moisi Habilaj do të shikohet si e pandarë dhe me titull të përbashkët edhe për secilin prej të pandehurve në këtë procedim, kundër të cilëve rëndon akuza e anëtarësisë në këtë grup të strukturuar kriminal, sipas nenit 333/a të Kodit Penal, dhe trafikimi i lëndës narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, sipas nenit 283/a/1 dhe nenit 334/a të Kodit Penal.
  4. Ndërkohë Gjykata sjell në vëmendje se akuza kundër të pandehurit z. Jaeld Çela shënon shtrirjen në kohë me marrjen e detyrës së tij, me datë 05.09.2014, dhe përfundon me fundin e detyrës së tij, konkretisht me datë 28.04.2017. Shtrirja në kohë e akuzës nis në datën e fillimit të detyrës, pasi prokuroria ka konkluduar në aktin e njoftimit të akuzës se i pandehuri z. Saimir Tahiri përmes bashkëpunimit me drejtorin vendor të policisë, të pandehurin z. Jaeld Çela ndihmonte zhvillimin e aktivitetit kriminal të narkotikëve të grupit të strukturuar kriminal të kryesuar nga i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj. Përfundon me datë 28.04.2017, pasi akuza ndaj tij parashtron se deri në momentin e fundit të qëndrimit të tij në detyrë nuk ka pasur referim penal në prokurori kundër grupit të strukturuar kriminal të identifikuar në Vlorë dhe me të cilin sipas akuzës i pandehuri ishte anëtar bashkëpunëtor i brendshëm ndihmës i formacionit kriminal të organizuar.
  5. Gjykata sjell në vëmendje se nga të gjitha aktet e fashikullit të gjykimit, që prej fillimit të vitit 2013 dhe deri në episodin e fundit “Koçerri” të datës 18.10.2017 provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se dy grupet e strukturuara kriminale, që kanë ushtruar veprimtarinë kriminale në Qarkun e Vlorës në këtë periudhë, kishin të njëjtin mekanizëm kriminal të ushtrimit të kësaj veprimtarie me lëndët narkotike. Fillimisht ato siguronin mjetet, tokën, lëndën e parë, mbrojtjen apo ndihmës nga punonjës funksionarë shtetërorë për të nisur me kultivimin e bimëve narkotike. Më tej, pasi bimët narkotike kishin momentin e korrjes ato korreshin, përpunoheshin, thaheshin, paketoheshin, transportoheshin deri në bregun e detit dhe merreshin të gjitha masat për ta eksportuar me qëllim tregimin në territorin e Republikës së Italisë përmes detit, duke përmbyllur sakaq aktin e mbramë të trafikimit të lëndës narkotike “cannabis sativa” me qëllim tregtimin në Itali.
  6. Gjykata e gjen teorikisht të drejtë kualifikimin e gjithë kësaj veprimtarie kriminale nga ana e prokurorisë, duke pasur parasysh emërtimin e faktit tipik penal në secilën prej akuzave në këtë gjykim dhe të akuzave të ngritura në procedimet e lidhura ndaj bashkëpunëtorëve pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal që kryesohej nga i pandehuri z. Moisi Habilaj. E gjithë kjo veprimtari ka karakter unik dhe është e shtrirë në kohë dhe në hapësirë në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme në mënyrë të tillë që nuk mundet të fraksionohet në episode të veçanta për ta kualifikuar juridikisht secilin episode ndryshe si fakt tipik penal.
  7. Për rrjedhojë të gjitha veprimet e kryera nga secili nga grupet kriminale, që nga sigurimi i mjeteve, tokave, mbështetjes shtetërore, kultivimit, korrjes, përpunimit, tharjes, paketimit, transportit tokësor dhe më tej detar, eksportimit dhe më në fund tregtimit të saj, do të duhet të kualifikohen si pjesë përbërëse e veprës penale të trafikimit të lëndës narkotike, sipas nenit 283/a të Kodit Penal dhe bashkë me të, vetëm ekzistenca e formacionit kriminal të organizuar sipas bashkëpunimit të posaçëm penale do të duhet të kualifikohet sipas grupi strukturuar kriminal, sipas nenit 333/a të Kodit Penal.
  8. Në arritjen e konkluzioneve të parashtruara si më lart Gjykata sjell në vëmendje dhe mban parasysh edhe nenin 283/a i Kodit Penal. Kjo dispozitë parashikon se:

Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me ligjin, i substancave narkotike ose psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.

  1. Gjykata sjell në vëmendje se Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në jurisprudencën nomofilatike kanë konkluduar se kjo vepër penale, në secilën figurë përbërëse të mënyrës se si perfeksionohet ana objektive, mundet të ngelet në fazën e tentativës dhe se qëllimi final në secilën nga këto paraprihet nga veprime konkrete të subjekteve aktivë me qëllimin final të perfeksionimit të veprës penale. Kolegjet kanë arsyetuar se neni 283/a i Kodit Penal, për sa i përket anës objektive të kryerjes së saj, parashikon dhe përfshin të gjitha veprimet e mosveprimet për arritjen e qëllimit, rezultatit kriminal, duke i përfshirë të gjitha mënyrat e realizimit të veprimeve dhe veprimtarive të paligjshme sipas secilës nga këto figura që ligji përmend.
  2. Në çështjen objekt gjykimi Gjykata identifikon se dy janë figurat relevante të veprës penale të nenit 283/a të Kodit Penal, që lidhen drejtpërdrejtë me faktin historik penal objekt akuze, konkretisht eksportimi dhe tregtimi. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë lidhur me këto dy figura konkrete të veprës penale të parashikuar në nenin 283/a të Kodit Penal ndër të tjera kanë arsyetuar se:

32. Eksportimi, në kundërshtim me ligjin, i substancave narkotike ose psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, është mënyrë e realizimit të veprimit kriminal të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal, me të cilën, persona fizikë a juridikë, të pajisur ose jo me autorizim të posaçëm sipas ligjit nga autoritetet shqiptare, në mënyrë të kundërligjshme dhe me dashje, duke përdorur çfarëdo mjeti e forme veprimi a mosveprimi, i dërgojnë këto lëndë nga territori shqiptar në territorin e shteteve të tjera, me synimin për t’i hedhur në qarkullim në territorin e atyre shteteve.

Për kualifikimin e veprimit kriminal si “trafikim i narkotikëve” në mënyrën e eksportimit, sipas nenit 283/a të Kodit Penal, ka rëndësi të vërtetohet kryerja e veprimeve a mosveprimeve, konkrete, me dashje, të lidhura me arritjen e rezultatit të mendimit kriminal, pikërisht të qëllimit për ta dërguar (eksportuar) lëndën narkotike, në mënyrë të kundërligjshme, nga territori i Republikës së Shqipërisë në territorin e një shteti tjetër, pavarësisht nëse kanë ardhur të gjitha pasojat, nëse është arritur rezultati kriminal. Po kështu, nuk ka rëndësi për kualifikimin e kësaj vepre penale se cili ishte synimi i mëtejshëm i autorëve të veprës pas hyrjes së lëndës narkotike në territorin e shtetit tjetër, pra forma e natyra e parashikuar prej tyre për të përfituar dhe gjithsesi për vënien në qarkullim të saj pas realizimit të eksportimit. 

Nuk ka rëndësi për kualifikimin e veprës as natyra e veprimeve e mosveprimeve apo forma e pjesëmarrjes në kryerjen e veprimit kriminal të eksportimit të lëndës narkotike, përderisa këto elementë të anës objektive të kryerjes së krimit të trafikimit të narkotikëve (neni 283/a) janë alternative dhe autonome. Mjafton që veprimi kriminal dhe pjesëmarrja të jetë me dashje drejt arritjes së qëllimit kriminal të eksportimit të lëndës narkotike nga territori shqiptar në territorin e një shteti tjetër (si p.sh. krijimi i kushteve për kërkimin dhe gjetjen e lëndës narkotike, për marrjen, mbajtjen, ruajtjen dhe transportimin e saj nga territori i shqiptar në territorin e shtetit tjetër, rekrutimi i bashkëpunëtorëve dhe në tërësi sigurimi dhe përdorimi i mjeteve financiare dhe teknike për lehtësimin dhe realizimin e këtij veprimi kriminal).

33. Tregtimi, në kundërshtim me ligjin, i substancave narkotike ose psikotrope, si dhe i farërave të bimëve narkotike, është mënyrë e realizimit të veprimit kriminal të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal, me të cilën, persona fizikë a juridikë, të pajisur ose jo me autorizim të posaçëm sipas ligjit nga autoritetet shqiptare, në mënyrë të kundërligjshme dhe me dashje, realizojnë çfarëdo transaksioni, veprimi tjetër financiar e tregtar, të ndryshëm nga ato të importimit dhe eksportimit, brenda apo jashtë territorit shqiptar, me qëllimin për të vënë lëndët narkotike në qarkullim ndërkombëtar ekonomik e tregtar, nëse këto veprimtari zhvillohen apo sjellin pasoja në territorin shqiptar,nëse kryen në dëm të interesave të shtetit ose të shtetasve shqiptarë.

Për kualifikimin e veprimit kriminal si “trafikim i narkotikëve” në mënyrën e tregtimit, sipas kuptimit të posaçëm të tij në nenin 283/a të Kodit Penal, ka rëndësi të vërtetohet kryerja e veprimeve a mosveprimeve, konkrete, me dashje, të lidhura me arritjen e rezultatit të mendimit kriminal, pikërisht të qëllimit për të krijuar kushte dhe realizuar çfarëdo transaksioni a veprimi financiar e tregtar (të ndryshëm nga ai i importimit dhe eksportimit) për vënien e lëndëve narkotike, në mënyrë të kundërligjshme, në qarkullimin ekonomik e tregtar ndërkombëtar, pavarësisht nëse kanë ardhur të gjitha pasojat, nëse është arritur rezultati kriminal. Nuk ka rëndësi për kualifikimin e kësaj vepre penale se cila është forma e natyra e përfitimit e parashikuar nga autorët e saj si rezultat i krijimit të kushteve dhe vënies në qarkullim tregtar të lëndës narkotike.[86]

  1. Nën këtë logjikë të interpretimit nga jurisprudenca nomofilatike e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së lartë, Gjykata vlerëson se teorikisht akuza dhe emërtimi juridik i faktit penal historik objekt gjykimi është i drejtë nga ana e prokurorisë dhe bazohet në ligj, pasi konstatohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm nga i gjithë materiali provues se qëllimi final kriminal i të dy grupeve të strukturuara kriminale “Haxhiraj” dhe “Habilaj” ishte eksportimi i lëndës narkotike të kultivuar “cannabis sativa” nga Shqipëria në Itali me qëllim tregtimin e saj. Në këtë mënyrë Gjykata vlerëson se pretendimet e secilit prej të pandehurve, për kufizimin e faktit penal historik objekt akuze vetëm në katër episodet e ekzekutimit të eksportimit të lëndëve narkotike, janë të pabazuara në ligj dhe në prova dhe si të tilla duhet të rrëzohen.     

 

  1. MBI THEMELIN E ÇËSHTJES

 

  1. Konsiderata të përgjithshme për bashkëpunimin e posaçëm penal

 

  1. Gjykata sjell në vëmendje se një kategorizim i përgjithshëm i llojeve të bashkëpunimit penal është ai që dallon bashkëpunimin e thjeshtë nga bashkëpunimi i posaçëm. Tradicionalisht ligji penal shqiptar e ka bërë këtë ndarje.
  2. Në vitin 2002 Republika e Shqipërisë ka ratifikuar me ligj Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar bashkë me dy protokollet shtesë të saj.[87] Pasi në shkronjën “a” dhe “c” të nenit 2 të kësaj Konvente jepet përkufizimi i formave të posaçme të bashkëpunimit penal, në nenin 5, nën titullin “Penalizimi i pjesëmarrjes në një grup kriminal të organizuar”, parashikohet se çdo Shtet Palë duhet të adaptojë masa të tilla ligjore dhe masa të tjera që mund të konsiderohen të nevojshme për të cilësuar si vepra penale, në rastet kur kryhen qëllimisht:

a) secilin ose të dy prej rasteve të mëposhtme si vepra penale të dallueshme nga ato që përfshijnë tentativën ose kryerjen e aktivitetit kriminal:

(i) marrëveshjen me një ose disa persona të tjerë për të kryer një krim serioz për një qëllim që lidhet direkt ose jodirekt me marrjen e përfitimeve financiare ose materiale dhe, nëse kërkohet nga legjislacioni i brendshëm, që përfshin një veprim të ndërmarrë nga një prej pjesëmarrësve në zbatim të marrëveshjes, ose që përfshin një grup të organizuar kriminal;

(ii) veprimin e një personi, i cili, duke njohur qëllimin dhe aktivitetin e përgjithshëm kriminal të një grupi të organizuar kriminal ose synimin e tij për të kryer krimet në fjalë, merr pjesë aktivisht në:

(a) veprimtaritë kriminale të grupit të organizuar kriminal;

(b) Veprimtaritë e tjera kriminale të grupit të organizuar kriminal, duke ditur se pjesëmarrja e tij/saj do të kontribuojë në arritjen e qëllimit kriminal të përshkruar më lart;

b) organizimin, drejtimin, dhënien e ndihmës, përkrahjen, lehtësimin ose dhënien e këshillave për kryerjen e një krimi serioz që përfshin një grup kriminal të organizuar.

  1. Më tej në pikën 3 të kësaj dispozite parashikohet se Shtetet Palë, ligji i brendshëm i të cilëve kërkon përfshirjen e një grupi kriminal të organizuar për qëllimet e veprave penale të cilësuara si të tilla, në përputhje me paragrafin 1 (a) (i) të këtij neni, do të sigurojë që legjislacioni i tyre i brendshëm të mbulojë të gjitha krimet serioze që përfshijnë grupet e organizuara kriminale.
  2. Duke pasur parasysh edhe detyrimet ndërkombëtare të marra përsipër sikurse u sollën në vëmendje më lart, në vitin 2004 Kodi Penal pësoi ndryshime të rëndësishme në drejtim të rregullimit normativ penal të bashkëpunimit të posaçëm.[88] Në Nenin 28 i Kodit Penal pas këtyre ndryshimeve ligjore u parashikua se:

1. Organizata kriminale është forma me e lartë e bashkëpunimit, në të cilin bëjnë pjesë tre ose më shumë persona dhe që dallohet nga shkalla e veçantë e organizimit, strukturimit, qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes, si dhe nga qëllimi për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale.

Organizata kriminale, për realizimin e qëllimeve të saj, përdor forcën, mjetet e tjera të kërcënimit, nënshtrimin dhe heshtjen për shkak të pjesëmarrjes dhe veprimtarisë se saj, për të kryer vepra penale, për të siguruar, në çdo mënyrë, administrimin ose vënien nën kontroll të veprimtarive ekonomike, të koncesioneve, autorizimeve, sipërmarrjeve dhe shërbimeve publike, për të realizuar përfitime ose avantazhe të padrejta për vete a personat e tjerë ose për të ndaluar a penguar ushtrimin e lirë të së drejtës së votës gjatë fushatave zgjedhore, si dhe veprimtarive të tjera të ngjashme me to.

2. Organizata terroriste është një formë e veçantë e organizatës kriminale, që synon kryerjen e veprimeve të dhunshme për qëllime terroriste, si përmbysje të rendit kushtetues, turbullim të rëndë të rendit publik, ngjallje të frikës dhe të pasigurisë në masë.

3. Banda e armatosur është një formë e veçantë bashkëpunimi që, duke zotëruar armë, municione luftarake dhe mjete të tjera të nevojshme, synon kryerjen e veprave penale, të parashikuara në krerët V, VI dhe VII të pjesës së posaçme të këtij Kodi.

4. Grupi i strukturuar kriminal është formë e veçantë bashkëpunimi, në të cilin bëjnë pjesë tre ose me shumë persona, për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale.

Grupi i strukturuar kriminal për kryerjen e një vepre penale nuk formohet rastësisht e nuk është e nevojshme të dallohet për anëtarësi të qëndrueshme, ndarje detyrash, organizim dhe strukturim te zhvilluar.

5. Krijimi dhe pjesëmarrja në një organizate kriminale, organizate terroriste, bandë të armatosur ose grup të strukturuar kriminal cilësohen si vepra penale dhe dënohen sipas parashikimeve të pjesës se posaçme të këtij Kodi ose të dispozitave të tjera penale të veçanta.

6. Anëtarët e organizatës kriminale, të organizatës terroriste, bandës së armatosur ose grupit të strukturuar kriminal janë përgjegjës për të gjitha veprat penale, të kryera prej tyre, në përmbushjen e qëllimeve të veprimtarisë së tyre kriminale.

7. Pjesëtari i organizatës kriminale, organizatës terroriste, bandës së armatosur ose i grupit të strukturuar kriminal; përfiton përjashtimin nga dënimi ose uljen e tij, kur jep ndihmesë, që gjykohet vendimtare për njohjen e veprimtarisë së tyre, të bashkëpunëtorëve të tjerë, pasurive të zotëruara drejtpërdrejt ose jo prej tyre, si dhe për veprimtaritë hetimore, që zhvillohen ndaj organizatave kriminale, organizatave terroriste, bandave të armatosura dhe grupeve të strukturuara kriminale.[89]

  1. Në ndërhyrjen ligjore të vitit 2004 u prezantuan edhe tre dispozita ligjore rishtare, të cilat formësuan tre figura veprash penale të posaçme. Kështu u shtua neni 234/a i Kodit Penal me titull “Organizata terroriste” me përmbajtje si vijon:

Krijimi, organizimi, drejtimi dhe financimi i organizatës terroriste dënohen me burgim jo me pak se pesëmbëdhjete vjet.

Pjesëmarrja ne organizata terroriste dënohet me burgim nga shtate deri ne pesëmbëdhjete vjet.

  1. Më tej, nën titullin “Banda e armatosur”, në nenin 234/b të Kodit Penal u parashikua se:

Krijimi, organizimi, drejtimi dhe financimi i bandës së armatosur dënohen me burgim nga dhjetë deri në pesëmbëdhjete vjet.

Pjesëmarrja në bandën e armatosur dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.”

  1. Në nenin 333 të Kodit Penal, nën titullin “Organizata kriminale”, me ndryshimet ligjore të vitit 2004 u parashikua se:

Krijimi, organizimi ose drejtimi i organizatave kriminale dënohen me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Pjesëmarrja në një organizatë kriminale dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet.

Nëse organizata kriminale është e armatosur dhe pjesëtarët e saj zotërojnë armë dhe lëndë shpërthyese për qëllime të përmbushjes së veprimtarisë së saj kriminale, edhe nëse ato janë të fshehura ose të mbajtura në vende të veçanta, dënimi me burgim shtohet me një të tretën.

Kur veprimtaritë ekonomike, të ndërmarra ose të kontrolluara nga pjesëtarë të organizatës kriminale, financohen tërësisht ose pjesërisht me produkte të veprave penale, masa e dënimit, sipas paragrafëve të sipërpërmendur në këtë nen, shtohet me një të tretën deri në një të dytën e tij.

  1. Më tej në nenin 333/a, nën titullin “Grupi i strukturuar kriminal”, u parashikua se:

Krijimi, organizimi ose drejtimi i një grupi të strukturuar kriminal për kryerjen e veprave penale dënohen me burgim nga tre deri në tetë vjet.

Pjesëmarrja në grupin e strukturuar kriminal dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.”

  1. Në vitin 2007 u shfuqizua paragrafi i dytë i pikës së parë të nenit 28 të Kodit Penal. Ndërkohë përmes kësaj ndërhyrje legjislative u ndryshua pika e dytë e kësaj dispozite me këtë përmbajtje: “2. Organizata terroriste është një formë e veçantë e organizatës kriminale, e përbërë nga dy ose më shumë persona, që kanë një bashkëpunim të qëndrueshëm në kohë, me synim kryerjen e veprave me qëllime terroriste.[90]
  2. Të gjitha këto vepra penale janë kriminalizimi i formave të posaçme të bashkëpunimit, të cilat, ndryshe nga bashkëpunimi i thjeshtë i cili është episodik, aksidental apo rastësor[91], paraqiten në formacione shoqërore të strukturuara dhe të qëndrueshme në kohë. Qëllimi unik kriminal dhe marrëveshja e këtyre formacioneve është filli që shpjegon të gjithë aktivitetin penal në kohë dhe në hapësirë.[92] Është pikërisht kjo lidhje sistematike dhe e qëndrueshme e anëtarësisë në formacione të tilla shoqërore kriminale arsyeja që ligjvënësi i ka vlerësuar se vetëm formësimi i tyre cenon sigurinë e rendit publik dhe autoritetin e shtetit, duke i penalizuar sakaq me titull të posaçëm si figura veprash penale, pavarësisht aktivitetit kriminal të kryer.[93]
  3. Sikurse kuptohet nga leximi i dispozitave të sjella në vëmendje më lart, secila nga këto figura veprash penale, qoftë krijimi, organizimi, drejtimi, financimi dhe pjesëmarrja në organizatën terroriste, bandën e armatosur apo grupin e strukturuar kriminal janë vepra penale formale[94]. Kjo do të thotë se për ekzistencën e tyre nuk kërkohet vërtetimi i një pasoje materiale kriminale dhe se mjafton vërtetimi objektivisht i këtyre formave të kriminalitetit që parashikohet në hipotezat e normave.
  4. Gjithashtu secila nga këto figura të veprave penale për nga ana objektive se si realizohet klasifikohet si vepër penale e qëndrueshme, vazhdueshme dhe latente në kohë, duke u konsideruar vepër penale e veçantë vetëm vërtetimi i këtyre fakteve historike në realitetin objektiv. Kështu, sipas paragrafit të pestë të nenit 28 të Kodit Penal, mjafton krijimi dhe pjesëmarrja në një organizate kriminale, organizate terroriste, bandë të armatosur ose grup të strukturuar kriminal, që këto fakte të cilësohen si vepra penale më vete dhe që për rrjedhojë të dënohen sipas parashikimeve të pjesës se posaçme të këtij Kodi ose të dispozitave të tjera penale të veçanta. Për ta përditësuar këtë normë me karakter të përgjithshëm neni 234/a, 234/b, 284/a, 333 dhe 333/a të Kodit Penal kanë parashikuar figura konkrete veprash penale dhe dënimet përkatëse për to.
  5. Këto norma ligjore që rregullojnë përgjegjësinë penale për organizimin kolektiv të individëve në format e posaçme të bashkëpunimit penal synojnë të garantojnë sigurinë dhe rendin juridik publik dhe realizimin e të drejtës kushtetuese për organizim kolektiv të individëve për qëllime të ligjshme, sipas nenit 9, 46 dhe 47 të Kushtetutës. Veprat penale formale dhe latente që penalizojnë organizimet kolektive të paligjshme të individëve e marrin legjitimitetin kushtetues të ngritjes në nivelin e krimeve të rënda vetëm për faktin se ato venë në rrezik sigurinë kombëtare dhe rendin juridik publik, rrezik i cili prezumohet vetëm nga ekzistenca e organizimeve të tilla kolektive.[95]
  6. Ky regjim i veçantë i garant i sigurisë publike së shtetit kryen një funksion mbrojtës paraprak për vlera kaq themelore që qëndrojnë në themelin e ndërtimit të shoqërisë, të cilat ligjvënësit i interesojnë që t’i neutralizojë që në gjenezën e tyre. Në doktrinën e së drejtës penale këto krime konsiderohen si krime të rrezikut apo vepra penale të cunguara dhe se ato ndikojnë edhe në legjitimitetin kushtetues të organizimeve kolektive të individëve si një nga të drejtat themelore me karakter social dhe politik.[96] Këto janë vepra penale përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, pasi për nga alarmi social që përcjellin dhe për nga rrezikshmëria shoqërore dhe publike që kanë legjislatori ka kriminalizuar edhe fazën e përgatitjes së veprës penale. Organizimi i kësaj mënyre paraqet krijimin e mekanizmave paralel shtetëror, që shpërfillin ekzistencën, organet dhe rregullat normative, duke krijuar sakaq një pushtet paralel apo “shtet brenda shtetit” në territorin ku ato veprojnë dhe mbi veprimtarinë që ato kryejnë.[97]
  7. Kusht për kualifikimin juridik të ekzistencës së tyre është  predispozita e një strukture të organizuar që lejon realizimin e programit apo planit kriminal që ky organizim synon.[98]  Karakteristika kryesore e bashkëpunimit të posaçëm është shumësia e kualifikuar personave aktiv që konsumojnë veprën penale të dakordësuar për pjesëmarrje dhe për kryerjen e aktivitetit kriminal dhe se në çdo rast marrëveshja e arritur ndërmjet tyre ka karakter të qëndrueshëm për bashkëkontribut reciprok në arritjen e qëllimeve kriminale.[99]
  8. Në çdo rast ana subjektive e krijimit, organizimit, drejtimit, financimit apo pjesëmarrjes në këto forma të posaçme të bashkëpunimit penal është kryerja e një aktiviteti kriminal homogjen apo heterogjen, i cili mund të kryet pjesërisht apo jo.[100] Në çdo rast përmes këtyre veprave penale konsiderohet krim i perfeksionuar vetëm pjesëmarrja, pavarësisht nga realizimi i aktivitetit kriminal të programuar.[101] Ana subjektive e krijimit të formave të posaçme të bashkëpunimit është element konstitutiv i veprave penale të parashikuara në nenin 234/a, 234/b, 333 dhe 333/a të Kodit Penal dhe nëse nuk vërtetohet elementi subjektiv i qëllimit të posaçëm për kryerjen e një apo më shumë veprave atëherë vetëm plotësimi i elementeve të anës subjektive nuk mjafton për të konkluduar se ekzistojnë këto vepra penale.[102] Ndërgjegjja dhe vullneti i dijenisë së pjesëmarrjes dhe kontributit të bashkëpunëtorit në bashkëpunimin e posaçëm është elementi që provon dashjen dhe konstituon sakaq anën subjektive të këtyre krimeve.[103]
  9. Një model i tillë i penalizmit të krijimit të këtyre formave të posaçme të bashkëpunimit penal gjendet i rregulluar edhe në nenin 74 (organizata kriminale e narkotikëve) të Dekretit të Presidentit të Republikës së Italisë nr. 309/1990[104], nenin 270 (organizata puçiste), nenin 270-bis (organizata terroriste), nenin 306 dhe 307 (banda e armatosur)[105] apo në nenin 416 apo 416-bis (organizata mafioze) të Kodit Penal të Republikës së Italisë.[106] Nga jurisprudenca e Gjykatës së Kasacionit të këtij shteti pranohet se perfeksionimi i këtyre veprave penale konsiderohet juridikisht i kryer në momentin dhe në vendin në të cilin nis ekzistenca e këtyre organizatave apo në momentin kur ato janë gati për të nisur veprimtarinë[107], pasi në këtë moment vlerësohet nga ligjvënësi se ka lindur rreziku real që kërkojnë normat penale të mos ekzistojë për sigurinë e shtetit dhe shoqërisë[108]. Krime të tilla konsiderohen nga kjo jurisprudencë si vepra penale me rrezik të prezumuar[109] dhe të cilat synojnë të mbrojnë paraprakisht marrëdhënien juridike që kanë si objekt[110].
  10. Nga ana tjetër kjo jurisprudencë ka pranuar se fundi i konsumimit të këtyre veprave penale formale dhe latente ndodh kur merr fund marrëveshja për të bashkëpunuar apo kur arrestohen apo ndalohen personat bashkëpunëtorë deri në numrin inferior ligjor kur formalisht nuk mund të ketë më formë të posaçme të bashkëpunimit penal.[111] Në të njëjtën mënyrë është konkluduar nga kjo jurisprudencë se edhe dënimi penal me burgim e ndërpret bashkëpunimin e posaçëm penal në raport me të dënuarin, duke i dhënë sakaq fund ekzistencës së kësaj vepre penale për të.[112] Si rregull përjashtohet ekzistenca e tentativës në kryerjen e këtyre veprave penale, duke qenë se konsiderohet se ato janë vepra penale rreziku dhe se përmes tyre kriminalizohet faza më e hershme e mundshme e veprës penale.[113]
  11. Këto fakte penale kanë një rrezikshmëri shoqërore të veçantë. Ligjvënësi ka krijuar prokurori dhe gjykata të posaçme për ushtrimin e ndjekjes penale dhe gjykimin e tyre, duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që ka realizimi i drejtësisë në këtë fushë të posaçme të së drejtës. Megjithatë ligjvënësi nuk është mjaftuar me kaq në penalizmin dhe dekurajimin e formave të veçanta të bashkëpunimit penal. Në nenin 334 të Kodit Penal, nën titullin “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, u realizuan këto ndryshime: “Kryerja e veprave penale nga pjesëtarë te organizatës kriminale dhe të grupit të strukturuar kriminal dënohet sipas dispozitave penale përkatëse, duke i shtuar dënimit për veprën penale të kryer edhe pesë vjet burgim, si dhe gjobën në masën një të tretën, por pa kaluar kufirin maksimal të dënimit me burgim.
  12. Sikurse kuptohet nga leximi i kësaj dispozite të ndryshuar dhe në gjendjen e saj sikurse është në fuqi sot[114], veç dënimit penal që do të individualizohet për secilin pjesëtar të organizatës kriminale dhe grupit të strukturuar kriminal sipas meritës, sipas nenit 27 të Kodit Penal[115], dhe veç dënimit që këto bashkëpunëtorë do të marrin për krijimin apo pjesëmarrjen në një nga format e bashkëpunimit të posaçëm penal, gjykata e posaçme do të duhet të shtojë edhe 5 vjet burgim, nëse vepra penale e kryer dënohet me burgim, apo edhe një të tretën e gjobës, nëse vepra penale e dhënë dënohet me apo edhe me burgim. Në çdo rast si kusht për gjykatën e posaçme mbetet që, dënimi i individualizuar për veprën penale të kryer dhe shtesa e dënimit për kryerjen e veprës penale në kuadrin e organizatës kriminale apo grupit të struktura kriminal, nuk duhet të kalojë kufirin maksimal të dënimit me burgim.
  13. Në fakt një model i tillë rregullimi ligjor për ndëshkimin e dyfishtë të të njëjtit fakt nuk gjendet në legjislacionin Italian, legjislacion ky që ka shërbyer si model në hartimin e normave penale materiale të posaçme për ndëshkimin e krimeve të rrezikut të prezumuar, sikurse janë neni 234/a, 234/b, 333 dhe 333/a të Kodit Penal. Një model i tillë nuk rrjedh as nga detyrimet ndërkombëtare të marra përsipër me ligj nga Republika e Shqipërisë, sipas nenit 5 të Kushtetutës. Sikurse shikohet, një model i tillë ligjor i penalizmit të dyfishtë nuk është marrë as nga trashëgimia e ligjeve penale ndër vite.
  14. Gjykata, për qëllime interpretative të së drejtës penale në pjesën e përgjithshme dhe të posaçme të rregullimit ligjor të bashkëpunimit të posaçëm, sjell në vëmendje se në doktrinën e së drejtës penale dhe në jurisprudencën e Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë është zhvilluar një qëndrim juridik mbi ndarjen në dy lloje të bashkëpunëtorëve të formacioneve të strukturuara kriminale në bashkëpunimit të posaçëm. Sipas këtij qëndrimi bashkëpunëtorët e formacioneve të organizuara kriminale kategorizohen në bashkëpunëtorë të jashtëm dhe të brendshëm. Bashkëpunëtorët e brendshëm të formacioneve të organizuara kriminale janë tipikisht pjesëmarrësit klasikë dhe permanentë të saj, konkretisht ato subjekte që shquhen për integrimin e plotë të brendshëm në këto struktura kriminale. Ndërkohë bashkëpunëtorët e jashtëm të formacioneve të organizuara kriminale janë ato subjekte që nuk janë integruar si pjesëtarë në këto struktura kriminale, nuk janë anëtarësi e këtyre grupimeve antietatiste (societas sceleris).
  15. Nga ana tjetër bashkëpunëtorët e jashtëm të strukturave kriminale të organizuara janë ato subjekte, që bashkëpunojnë me këto grupe kriminale por pa qenë të lidhur integralisht apo strukturalisht si pjesëmarrës në to. Në këtë mënyrë jurisprudenca ka bërë dallimin ndërmjet kontributeve të brendshme të bashkëpunëtorëve klasikë në bashkëpunimin e posaçëm me kontributet e shtuara nga jashtë prej subjekteve që bashkëpunojnë episodikisht me struktura të tilla por pa qenë anëtarë apo pjesëtarë të tyre. Kjo jurisprudencë nomofilatike e huaj ka krijuar në këtë mënyrë një lloj të posaçëm të përgjegjësisë penale të bashkëpunëtorëve të jashtëm, të realizuar përmes interpretimit gjyqësor të së drejtës pozitive që nuk e parashikon shprehimisht dhe literalisht këtë lloj përgjegjësie.[116]
  16. Bashkëpunëtori i jashtëm nuk është element subjektiv konstitutiv i formacionit kriminal dhe se ky grupim do të ekzistonte si me të dhe pa të. Në këto raste marrëveshja kriminale e bashkëpunimit të posaçëm (pactum sceleris) është realizuar ndërmjet bashkëpunëtorëve të brendshëm të formacionit kriminal të organizuar dhe se vullneti i bashkëpunëtorit të jashtëm nuk ka rëndësi faktike dhe juridike në realizimin e kësaj marrëveshje. Megjithatë bashkëpunëtori i jashtëm vlerësohet gjithsesi se ka përgjegjësi penale njëlloj sikurse bashkëpunëtorët e brendshëm nga pikëpamja cilësore për veprën penale të kryer prej tyre në bashkëpunim dhe me dashje të drejtpërdrejtë si formë fajësie, pasi ai ka ofruar i ndërgjegjshëm kontributin e tij tipik apo atipik për arritjen e rezultatit të synuar kriminal dhe se ato janë si të tillë pjesë strukturale dhe organike e grupimit kriminal të organizuar.[117]
  17. Fiziologjia e tipicitetit të bashkëpunëtorëve të brendshëm ndryshon nga ajo e bashkëpunëtorit të jashtëm, pasi bashkëpunëtorët e brendshëm krijojnë ndërmjet tyre një solidaritet dhe marrëdhënie të përbotshme dhe të përbashkët, të pazëvendësueshëm për të arritur qëllimet e finalitetit kriminal. Ndërkohë bashkëpunëtorët e jashtëm të formacionit të organizuar kriminal kanë rol të zëvendësueshëm dhe nuk kanë asnjë qëllim apo dashje të drejtpërdrejtë apo vullnet të paekuivoktë për të qenë pjesë e formacionit të organizuar kriminal.[118] Në këtë mënyrë prezenca e tyre dhe e kontributit të tyre në veprimtarinë kriminale të organizatës është e përkohshme dhe/apo episodike.
  18. Në këtë logjikë, e vendosur dhe përshtatur në kuadrin normativ të Republikës së Shqipërisë, pjesëmarrja, si elementi objektiv i perfeksionimit të veprave formale, të parashikuara nga neni 234/a, 243/b, 284/a, 333 dhe 333/a të Kodit Penal, do të gjejë fushëzbatim vetëm mbi subjektet bashkëpunëtorë të brendshëm të formacioneve të organizuara kriminale. Nga ana tjetër bashkëpunëtorët e jashtëm të grupimeve të organizuara kriminale nuk do të mbajnë përgjegjësi sipas këtyre dispozitave ligjore të pjesës së posaçme të Kodit Penal por do të mbajnë përgjegjësi penale për veprën penale të kryer në bashkëpunim me grupimet e organizuara kriminale (illicita societas), duke u zbatuar sakaq për to neni 334 i Kodit Penal.
  19. Sigurisht që kjo jurisprudencë krijon një optikë vlerësimi dhe më tej zbatimi të ndryshëm nga sa parashikohet drejtpërdrejtë në ligjin penal, konkretisht në nenin 26, mbi llojet e bashkëpunëtorëve, dhe nenin 28 të Kodit Penal, mbi përgjegjësinë unitare penale të tyre mbi veprën e kryer. Duhet të sillet në vëmendje se në Shqipëri jurisprudenca e Kolegjit Penal apo Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nuk është zhvilluar në këtë drejtim dhe se kjo jurisprudencë e sjellë në vëmendje më lart është e huaj për zhvillimin e interpretimit gjyqësor të kuadrit normativ penal shqiptar.
  20. Duke pasur parasysh konkluzionet e GJEDNJ[119] në jurisprudencën e saj mbi zbatimin e interpretimeve gjyqësore zhvilluese të ligjit penal në kuadër të përcaktimit të përgjegjësisë penale të një subjekti të akuzuar për fakte penale historike të ngjara para se kjo jurisprudencë gjyqësore të ishte zhvilluar, Gjykata vlerëson se një ndarje e tillë e bashkëpunëtorëve të posaçëm në bashkëpunëtorë të jashtëm dhe të brendshëm nuk mundet të realizohet për të përcaktuar në këtë gjykim përgjegjësinë penale eventuale të secilit prej bashkëtëpandehurve. Një mënyrë e tillë e interpretimit dhe zbatimit të ligjit penal do të cenonte parimin e sigurisë juridike në elementin e aksesueshmërisë dhe parashikueshmërisë së rendit juridik dhe ligjit penal, në kundërshtim me nenin 29 të Kushtetutës, nenin 7 të KEDNJ dhe nenit 3 të Kodit Penal.
  21. Megjithatë Gjykata do të përdorë këto argumente të dallimit të bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe të brendshëm të zhvilluara në doktrinën e së drejtës penale dhe në jurisprudencën gjyqësore penale për të vlerësuar llojin e kontributit dhe llojin e kontributorëve të njohur dhe të panjohur të këtij fakti historik penal objekt akuze në panoramën e përgjithshme të ngjarjes dhe fakteve përbërëse të saj objekt gjykimi. Kjo mënyrë e të arsyetuarit do të ndihmojë Gjykatën në identifikimin e karakteristikave rrethanore të bashkëpunimit për efekt të vlerësimit të çështjes objektivisht dhe subjektivisht.
  22. Gjykata vlerëson se, në bazë dhe për zbatim të paragrafit të parë të nenit 141 të Kushtetutës dhe shkronjës “a” të nenit 432 të Kodit të Procedurës Penale, mbetet detyrë e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që të zhvillojë jurisprudencën gjyqësore shqiptare përmes një vendimi nomofilatik që do të bëjë të mundur zbatimin në të ardhmen të një ndarje të përgjegjësisë penale ndërmjet bashkëpunëtorëve të brendshëm (intraneus) dhe të jashtëm (extraneus) të subjekteve bashkëpunëtorë në veprat penale të kryera në kuadër të formacioneve të organizuara kriminale (societas sceleris). 

  

  1. Karakteristikat e grupit të strukturuar kriminal

 

  1. Sikurse u cituan dispozitat relevante më lart të Kodit Penal, Gjykata sjell në vëmendje se pika 4 e nenit 28 të Kodit Penal ka treguar elementet karakteristik të ekzistencës së një grupi të strukturuar kriminal. Sikundër konstatohet nga interpretimi i dispozitës, ligjvënësi, për të pranuar të provuar ekzistencën e kësaj forme të bashkëpunimit, kërkon, përveç përfshirjes së numrit të caktuar të subjekteve (më shumë se 3), kryerjes së një ose më shumë veprave penale për qëllimi përfitimi, ekzistencën e një strukturimi të zhvilluar që lidhet me një anëtarësi të qëndrueshme, ndarje detyrash dhe organizim.[120]
  2. Megjithëse sipas paragrafit të dytë, pika 4 të nenit 28 të Kodit Penal, përcaktohet se grupi i strukturuar kriminal nuk dallohet për një organizim dhe strukturim të zhvilluar, kjo nuk nënkupton se grupi i strukturuar kriminal nuk ka fare strukturë apo organizim, pasi në të kundërtën nuk do të ishte formë e veçantë e më e lartë bashkëpunimi, pra nuk do të quhej grup i strukturuar kriminal, por do të quhej bashkëpunim i thjeshtë. Ekzistenca e një strukture dhe një organizimi për kryerjen e veprës penale, tek grupi i strukturuar kriminal, është një nga elementët kryesorë që e dallon këtë formë bashkëpunimi të veçantë nga bashkëpunimi i thjeshtë.
  3. Nga ana tjetër, bashkëpunimi për kryerjen e një ose disa veprave në rastin e grupit të strukturuar kriminal duhet të jetë i planifikuar, ose i paramenduar më parë se të kryhen veprat penale, pasi sipas paragrafit të dytë, pika e 4 e nenit 28 të Kodit Penal, grupi i strukturuar kriminal për kryerjen e një ose disa veprave nuk formohet rastësisht. Gjithashtu, në bashkëpunimin për kryerjen e një ose disa veprave penale në rastin e grupit të strukturuar kriminal duhet të ketë një ndarje detyrash sado elementare. Pa pasur një ndarje detyrash dhe rolesh midis bashkëpunëtorëve për kryerjen e veprës penale nuk mund të jemi para grupit të strukturuar kriminal, por para formave të tjera të bashkëpunimit.[121]
  4. Gjykata sjell në vëmendje se, duke qenë se karakteristika kryesore e bashkëpunimit të posaçëm penal është qëndrueshmëria në kohë e këtij formacioni kriminal, edhe për grupin e strukturuar kriminal duhet të identifikohet secili kontribut relevant i bashkëpunëtorëve pjesëtar në mënyrë të tillë që të jetë latent në kohë dhe në hapësirë. Nuk kërkohet detyrimisht që kohëzgjatja të shënjojë nisjen që me formësimin e grupit të strukturuar kriminal, pasi anëtarësia në këtë formacion social mund të ndodhë edhe më vonë gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij kriminale. Sikurse nuk mundet të kërkohet detyrimisht që anëtarësia në grupin e strukturuar kriminal të jetë po aq e qëndrueshme në kohë sa është edhe vetë grupi.
  5. Përkundrazi, anëtarësia në grupin e strukturuar kriminal mundet të ekzistojë edhe për një fraksion të kohës dhe hapësirës së ekzistencës së vetë këtij formacioni kriminal. E rëndësishme është që rast pas rasti të provohet se një kontribut i caktuar kriminal që ofron një subjekt ndaj grupit të strukturuar kriminal nuk është episodik në jetëgjatësinë dhe shtrirjen e aktivitetit kriminal në kohë dhe në hapësirë të këtij formacioni. Krahas dashjes dhe elementit subjektiv të kontributorit për bashkëpunimin me grupin e strukturuar kriminal, Gjykata vlerëson se kërkohet detyrimisht edhe një vazhdimësi e dhënies së këtij kontributi për llogari të kryerjes së aktivitetit kriminal.
  6. Në këtë mënyrë bashkëpunimi i jashtëm me grupin e strukturuar kriminal apo edhe bashkëpunimi episodik i një subjekti me këtë formacion kriminal nuk e shndërron automatikisht atë në pjesëtar të grupit. Përkundrazi, sikurse karakteristika kryesore e bashkëpunimit të posaçëm është qëndrueshmëria e kontributit, edhe anëtarësia në të duhet të plotësojë detyrimisht këtë karakteristikë për t’u konsideruar si pjesëtar apo anëtar në grupin e strukturuar kriminal. Kjo do të thotë se me grupin e strukturuar kriminal në kohë dhe hapësirë shfaqen dy lloje subjektesh që japin kontribut, së pari janë subjektet e jashtëm dhe së dyti janë ato të brendshëm. Subjektet e jashtëm që mundet të bashkëpunojnë në mënyrë episodike nuk mundet të konsiderohen si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal. 

 

  1. Konsiderata të përgjithshme mbi bashkëpunimin e posaçëm penal në cilësinë e ndihmësit

 

  1. Gjykata sjell në vëmendje se bashkëpunimi ndërmjet subjekteve aktive të veprës penale mund të jetë material apo moral. Duke pasur parasysh karakteristikat e akuzës penale të kundrejtuar ndaj të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe të pandehurit z. Jaeld Çela, Gjykata do të fokusohet në trajtimin e bashkëpunimit moral, pasi akuza ndaj tyre ka atribuuar rolin e ndihmësit që vjen nga personi zyrtar që ka për detyrë të mos lejojë zhvillimin e aktivitetit kriminal të kultivimit për qëllimin final të trafikimit të lëndëve narkotike.
  2. Bashkëpunimi moral mundet të jepet edhe përmes ndihmës apo thjeshtëzimit të kushteve për kryerjen e veprës penale[122] apo dhënies së konsulencës teknike apo ekspertizës për kryerjen e veprës penale[123]. Roli i ndihmësit përgjithësisht ka natyrën e tillë, duke pasur parasysh nenin 26 të Kodit Penal në pjesën përkufizuese të këtij kontributi që ofrohet ndërmjet bashkëpunëtorëve. Paragrafi i fundit i kësaj dispozite parashikon se: “Ndihmës quhen personat që me këshilla, udhëzime, dhënie mjetesh, largim të pengesave, dhënie të premtimit për fshehjen e bashkëpunëtorëve, të gjurmëve apo të sendeve që rrjedhin nga vepra penale, ndihmojnë për kryerjen e saj.
  3. Bashkëpunimi moral përmes ndihmës mund të jepet edhe përmes prezencës së dikujt apo lejimit me marrëveshje të autorëve klasik të veprës penale për të përdorur me veprime konkludente autoritetin e dikujt apo kredencialet e posaçme të ndihmësit në rastin kur ky kontribut provohet i dhënë vullnetshëm të ketë ndikuar në vullnetin e autorit të kryerjes së veprës penale dhe e ka inkurajuar atë për realizimin e saj[124]. Nga praktika gjyqësore është vlerësuar ndihmë dhe bashkëpunim edhe gatishmëria për të ndihmuar e treguar në mënyrë joekuivoke.[125] Sjelljet e bashkëpunëtorëve ndihmës në kryerjen e veprave penale të janë kurdoherë atipike dhe se në çdo rast duhet të provohet rëndësia apo ndikimi i tyre në kryerjen e veprës penale.[126] Ndërkohë veprimet tipike kriminale kryhen gjithmonë nga bashkëpunëtorët klasikë.
  4. Gjykata sjell në vëmendje se bashkëpunimi në kryerjen e veprave penale kërkon detyrimisht elementin subjektiv të ndërgjegjes dhe vullnetit të subjektit bashkëpunëtor se po kryen një vepër penale nën pjesëmarrjen e dikujt tjetër dhe nuk kërkohet detyrimisht perfeksionimi i kryerjes ideale të veprimeve të gjithkujt.[127] Në këtë mënyrë kërkohet detyrimisht bashkëpjesëmarrja e ndërgjegjshme dhe vullneti për të marrë pjesë dhe bashkëpunuar me subjekte të tjerë për qëllimin e përbashkët të realizimit të veprës penale.[128] Kjo bashkëpjesëmarrje e ndërgjegjshme nuk presupozon detyrimisht që secili prej pjesëmarrësve të kenë qëllime të njëjta apo arsye të njëjta se pse bashkëpunojnë dhe se çfarë duhet të arrijnë.[129]
  5. Për rrjedhojë Gjykata vlerëson se kjo ndërgjegje e paekuivoktë dhe elementi volitiv i dashjes së drejtpërdrejtë duhet të ekzistojë edhe tek bashkëpunëtori që jep kontributin e ndihmësit. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh analizën dhe konkluzionet e arritura në analizën juridike të realizuar më lart, Gjykata vlerëson se për të qenë ndihmës në një formacion kriminal të qëndrueshëm, sipas njërës prej formave të posaçme të bashkëpunimit penal, duhet të provohet konkretisht veprimet apo mosveprimet e vazhdueshme dhe të qëndrueshme në kohë me karakter ndihmës ndaj organizatës, contribute këto që jepen vazhdimisht në kohë dhe në hapësirë me ndërgjegjen e qartë dhe të paekuivoktë të anëtarësisë nën këtë rol të posaçëm në një formacion të caktuar kriminal.
  6. Gjykata sjell në vëmendje se bashkëpunimi penal nuk presupozon detyrimisht ekzistencën e një marrëveshje paraprake apo ekzistencën e një vullneti reciprok tek të gjithë bashkëpjesëmarrësit në kryerjen e veprës penale mbi bashkëkontributin e tyre. Bashkëpunimi penal mund të ekzistojë edhe unilateralisht, pasi mjafton të ekzistojë në mënyrë të njëanshme vullneti për bashkëpunim me të tjerë.[130] Nëse ka bashkëpjesëmarrje dhe askush nuk është i ndërgjegjshëm se po bashkëpunon me dikë tjetër atëherë kemi disa vepra penale monosubjektive të pavarura. I njëjti konkluzion vlen edhe për një subjekt që kryen një vepër penale që begaton aktivitetin e organizatës kriminale por në kushtet e padijenisë subjektive dhe mungesës së ndërgjegjes për të sjellë kontribut në këtë formacion kriminal. Ky subjekt do të mbajë përgjegjësi penale jo si pjesëtar i organizatës, jo sipas nenit 28/6 të Kodit Penal, jo në bashkëpunim, por ekskluzivisht për veprën penale të kryer.
  7. Gjykata sjell në vëmendje se thjeshtë mosveprimi apo tolerimi nuk mjafton për të formësuar ekzistencën e përgjegjësisë penale nën titullin e bashkëpunimit, pasi duhet në çdo rast një kontribut material apo moral që ka mundësuar, lejuar, stimuluar apo ndihmuar realizimin e veprës penale nga bashkëpunëtorët e tjerë me ndërgjegje dhe me bashkëpunim ndërmjet tyre.[131] Gjithashtu duhet që kontributi moral të ketë dhënë tek bashkëpunëtorët ekzekutorë një fare sigurie dhe vendosmërie për të kryer veprën penale.[132] Për të vërtetuar ekzistencën e kontributit moral të dënueshëm penalisht si bashkëpunëtor i veprës penale nuk kërkohet detyrimisht të provohet se pa ekzistencën e këtij kontributi aktiviteti kriminal nuk do të ndodhte. Përkundrazi, mjafton të provohet sipas një përshtatshmërie objektive të fakteve, mbi bazën e rregullave të eksperiencës së përbashkët, përmes së cilës konkludohet natyrshëm se dhënia e këtij kontributi moral ka thjeshtëzuar, stimuluar, ndihmuar dhe rritur vendosmërinë e bashkëpunëtorëve të drejtpërdrejtë për kryerjen e veprës penale.[133]
  8. Gjykata sjell në vëmendje se në çdo rast sjellja pasive apo tolerimi i subjekteve aktiv të veprës penale, kur ligjërisht nuk ekziston asnjë detyrim për subjektin për të vepruar, përbën një mosveprim që nuk ka asnjë rëndësi juridike për veprën penale apo për ligjin penal.[134] Por në kushtet kur ekziston një detyrim ligjor për një subjekt për të vepruar apo për të mos toleruar një sjellje të caktuar kriminale, atëherë mund të konkludohet bashkëpunimi i këtij subjekti me mosveprim me subjektet e tjera bashkëpunëtor të cilët veprën penale e kryejnë me veprime.[135] Në këtë rast duhet që të provohet dijenia, ndërgjegjja apo vullneti i këtij subjekti mosveprues, të detyruar nga ligji për të vepruar, lidhur me zhvillimin e aktivitetit kriminal, në mënyrë që të vërtetohet fajësia në formën e dashjes për të kryer veprën penale në bashkëpunim.[136] Në çdo rast duhet të provohet faji, dashja, ndërgjegjja dhe vullneti i subjektit që ometon në zbatimin e detyrës ligjore për të bashkëpunuar me të tjerët për kryerjen e veprës penale të synuar nga të gjithë.[137]
  9. Në këto raste bashkëpunimi me mosveprim i personit që është i detyruar nga ligji duhet të krijojë një kontribut të tillë të çfarëdoqofshëm që të inkurajojë vendosmërinë e kryerjes së veprës penale të bashkëpunëtorëve dhe në këtë kuptim gjithmonë mosveprimi i këtij subjekti është një kontribut relevant për realizimin e veprës penale.[138] Në të gjitha këto raste gjykata duhet të vlerësojë me një logjikë efektive domethënien e një sjellje të tillë dukshmërisht pasive të subjektit që nuk kryen detyrën ligjore dhe me ndërgjegje apo vetëdije të posaçme dhe të qëllimshme për të kontribuuar në aktivitetin kriminal të bashkëpunëtorëve, fakt që nxirret nga marrëveshja e posaçme që ekziston ndërmjet tyre.[139]
  10. Në këto raste dallohet nga elemente të qarta të dashjes dhe fajësisë bashkëpunimi me mosveprime në kryerjen e një vepre penale nga vepra penale e moskallëzimit të krimit[140] apo edhe nga vepra penale e shpërdorimit të detyrës apo figura konkrete dhe të posaçme të saj. Kontributi duhet të jetë në çdo rast relevant dhe shkakësor, që do të thotë të ketë lidhje shkakësore, sipas nenit 13 të Kodit Penal, ndërmjet kontributit të bashkëpunëtorit të brendshëm moral në bashkëpunimin e posaçëm dhe pasojës kriminale të ardhur konkretisht, që në rastin objekt gjykimi do të jetë në krijimin, konsolidimin apo forcimin e grupit të strukturuar kriminal apo në kryerjen e veprimtarisë kriminale nga ana e grupit të strukturuar kriminal.
  11. Gjykata vlerëson se për të konkluduar mbi ekzistencën e një formacioni të posaçëm të bashkëpunimit penal nuk është e nevojshme që gjyqtari të individualizojë dhe të përcaktojë rolin specifik të gjithsecilit prej pjesëmarrësve bashkëpunëtor në atë ndërmarrje kriminale. Në këtë çështje është e mjaftueshme tregimi dhe konkluzioni gjyqësor, i konkluduar me një logjikë adekuate arsyetimi të provave dhe të dhënave, mbi të cilat është formësuar bindja e brendshme e gjyqtarit mbi ekzistencën e marrëveshjes kriminale dhe kontributit material apo moral të bashkëpunëtorëve në kryerjen e veprës penale.[141]
  12. Në këtë mënyrë Gjykata në vijimin e analizës së provave do të mbajë parasysh që të nxjerrë konkuzione nga fakti historik, në mënyrë që të arrihet në përfundimin mbi kualifikimin e tij në faktin tipik penal sipas ligjit, në bazë dhe për zbatim të nenit 29 të Kushtetutës, nenit 7 të KEDNJ dhe nenit 3 të Kodit Penal.

 

  1. Konsiderata të përgjithshme mbi vlerën provuese të të dhënave të përftuara përmes përgjimeve

 

  1. Lidhur me përgjimet e si elemente për kërkimin e provës dhe të dhënat e përftuara nga ky mjet i përdorur nga prokuroria italiane dhe shqiptare, Gjykata konstaton se nuk ka asnjë element paligjshmërie të mënyrës së përftimit të tyre dhe se ky fakt është paqësor dhe i pakontestuar në këtë gjykim. Në këtë mënyrë Gjykata vlerëson se të dhënat e përftuara nga përgjimet në këtë gjykim mundet të përdoren fillimisht burim bindje për Gjykatën dhe se përmes tyre mundet të shpjegohen arsyet se pse ka ndodhur një fakt i caktuar historik objekt akuze. Gjykata vlerëson se të dhënat e përftuara nga përgjimet janë shpjegimet natyrale të subjekteve të potencialisht dëshmitarë apo autorë të veprës penale mbi faktet historike objekt akuze dhe në këtë kuptim ato mundet të përdoren për të konkluduar mbi domethënien e faktit penal historik unitar apo fakteve përbërës të tij, duke nxjerrë nga këto sqarime mbi gjithë ngjarjen penale në tërësi.
  2. Vlera provuese dhe mbi të gjitha argumentuese e provës përmes këtij mjeti procedural për kërkimin e provës është shumë e rëndësishme dhe siguria që përftohet për vërtetësinë e fakteve është gjithashtu shumë e lartë. Vlera provuese dhe argumentuese e provave që i atribuohet këtij mjeti lidhet drejtpërdrejtë me faktin se ky mjet është regjistrim në kohë reale i gjithçka që autorët apo dëshmitarët thonë mbi mënyrën se si ato i perceptojnë faktet historike objekt akuze, qoftë ndërkohë kur ato ndodhin dhe qoftë pasi ato kanë ndodhur. Siguria e vërtetësisë lidhet më së pari me progresin e teknologjisë dhe shkencës dhe akoma më shumë me garancitë procedurale që shoqërojnë formësimin e kësaj prove.
  3. Vërtetësia e tyre do të jetë e pasigurt në rastet kur të dhënat e përftuara nga ky mjet rezultojnë të mos përputhen me realitetin objektiv që vërtetojnë provat e tjera. Siguria mbi vërtetësinë e të dhënave që mblidhen përmes këtij mjeti do të jetë më e lartë gjithmonë atëherë kur palët nuk kanë asnjë dyshim se po përgjohen dhe se në të kundërt, nëse ato dyshojnë apo e dinë me  siguri se po përgjohen, atëherë vërtetësia e të dhënave të këtij mjeti prove ka nivel të ulët, pasi është e natyrshme të mendohet ndikimi në lirinë e vullnetit të bashkëbiseduesve për ta treguar faktin në natyralitetin e tij të ngjarjes.
  4. Gjykata vlerëson se të dhënat e përftuara nga përgjimi si mjet për kërkimin e provës mundet të përdoren edhe kundrejt të tretëve që nuk marrin pjesë në bisedë dhe njëherazi nuk janë bashkëbisedues. Përputhja e të dhënave që merren nga përgjimi me faktet që tregojnë provat apo indicjet e tjera të përputhshme bëjnë që gjykata rast pas rasti të konkludojë edhe mbi pozitën e një subjekti të tretë të përfshirë në aktivitetin kriminal për të cilin përftohen të dhëna në përgjim. Megjithatë duhet të kuptohet se të dhënat e përftuara nga bashkëbiseduesit për të dhëna kriminale që u kundrejtohen atyre paraqesin në çdo rast siguri më të lartë se sa të dhënat që përftohen nga këto biseda për personat e tretë në raport me bashkëbiseduesit. E njëjta logjikë vlen edhe në këto raste. Natyraliteti i së vërtetës që bisedat tregojnë është më i lartë në sigurinë e tij kur bashkëbiseduesit nuk e dinë se po përgjohen apo nuk kanë dyshime të tilla se sa kur ato kanë dyshime apo e dine se po përgjohen.
  5. Në këtë logjikë ligjore të vlerësimit të provës, Gjykata sjell në vëmendje se në këtë çështje provat e mara përmes përgjimit, që lidhen me marrëdhëniet ndërpersonale Habilaj – Tahiri, janë përftuar në kushtet kur ndërmjet bashkëbiseduesve nuk ka asnjë të dhënë se ato kanë dijeni apo dyshime se janë në përgjim. Në asnjë nga këto biseda nuk konstatohet asnjë dyshim i bashkëbiseduesve apo frenim i tyre për të bashkëbiseduar nën hezitimin se po përgjohen. Në të njëjtën mënyrë sillet në vëmendje se janë përftuar edhe përgjimet e sjellja në vëmendje më poshtë të realizuara nga autoritetet shqiptare. Nga ana tjetër Gjykata sjell në vëmendje se këqyrja e telefonit celular të të dënuarit z. Taulant Haxhiraj, që për nga karakteristikat mundet të barazohet me logjikën ligjore të provës të përftuar nga përgjimi, megjithëse në këto komunikime jepen të dhëna se bashkëbiseduesit dyshojnë se po përgjohen, sërish kjo dijeni apo dyshim nuk e ka prishur natyralitetin e bisedës dhe komenteve të bashkëbiseduesve.   
  6. Në çdo rast Gjykata vlerëson se shprehjet e përftuara nga përgjimet duhet të interpretohen në kontekstin e realitetit të provave të tjera. Më tej bindja e gjykatës mbi këto të dhëna duhet të formësohet nën një vlerësim të kujdesshëm dhe të lidhur ngushtë sipas ndjeshmërisë dhe njohjes që është arritur edhe sipas përvojës së maturuar të perceptimit realitetit të fenomeneve kriminale. Gjykata konstaton në këtë drejtim se në çështjen objekt gjykimi nuk paraqiten vështirësi të mëdha perceptimi mbi realitetin kriminal që tregojnë bisedat e përgjuara, pasi gjuha është krejt e thjeshtë dhe vetëshpjeguese mbi realitetin e ngjarjeve kriminale dhe njëherazi lidhen drejtpërdrejtë me prova dhe indicje të tjera të përputhshme.
  7. Gjykata sjell në vëmendje se të dhënat e përftuara nga përgjimi regjistrohen në formën e tyre audio në pajisjen përkatëse dhe se në të vërtetë kjo është prova dhe jo transkriptimet e saj, të cilat shërbejnë si akte dokumentare referuese dhe pasqyruese të përgjimeve. Në çdo rast prevalon e dhëna që materializohet në sendin që është regjistruar përgjimi audio mbi procesverbalet e transkriptimit të këtij materiali provues, akte të cilat paraqesin edhe ekstrakte të provës në vetvete.[142]
  8. Në këtë çështje Gjykata konstaton se nuk ka pasur asnjë kontestim nga të pandehurit lidhur me vërtetësinë apo saktësinë e përputhjes së procesverbaleve të transkriptimit me të dhënat origjinale të regjistrimit të përgjimit. Gjykata sjell në vëmendje se, jo vetëm që nuk ka pasur pretendime të tilla, por se vetë të pandehurit kanë kërkuar të procedohet me gjykim të shkurtuar dhe se gjykimi më tej ka vijuar sipas këtij riti procedural. Në këto kushte Gjykata vlerëson se pretendime të tilla të palëve kanë rënë në prekluzivitet pas vendimmarrjes së ndërmjetme të gjykatës për të proceduar me gjykim të shkurtuar dhe se për rrjedhojë procesverbalet e transkriptimit të përgjimeve të përftuara nga autoritetet italiane dhe shqiptare do të kenë përdorshmëri të pakushtëzuar[143], sipas rrëfimit të mësipërm.

 

  1. Lidhja e grupeve kriminale “Haxhiraj” dhe “Habilaj

 

  1. Bashkëpunimi me grupin e strukturuar kriminal “Haxhiraj”

 

  1. Akuza objekt gjykimi ka parashtruar se ka lidhje dhe bashkëpunim ndërmjet grupit të strukturuar kriminal të kryesuar nga i dënuari në procedimin penal të lidhur z. Taulant Haxhiraj dhe grupit të strukturuar kriminal të kryesuar nga i pandehuri në procedimin penal të lidhur z. Moisi Habilaj, duke konkluduar se bashkëpunimi i tyre ka sjell formësimin e një grupi të strukturuar kriminal të vetëm. Edhe gjyqtari i seancës paraprake e ka konfirmuar këtë fakt. Në Vendimin nr. 42, datë 26.03.2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ndër të tjera parashtrohet se arsyetohet se:

            “Në vlerësim të gjyqtarit të seancës paraprake, kjo bisedë përben një bazë të mjaftueshme për të provuar se Taulant Haxhiraj rezulton të ketë lidhje me kushërinjtë e ministrit dhe, të tillë, rezultojnë vëllezërit “Habilaj”, kushërinj të të pandehurit Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm në atë kohë, që sikurse rezulton mjaftueshmërisht e bazuar në prova, merreshin, jo vetëm me trafikimin e lëndës narkotike, por dhe me krijimin e lidhjeve dhe sigurimin e garancive “me shtet”, paraprakisht për kultivimin e kësaj lënde nga subjekte të ndryshëm, sikurse janë Taulant Haxhiraj e shumë të tjerë të hetuar në kuadër të këtij procedimi penal dhe, më tej, me eksportimin e kësaj lëndë jashtë vendit, në Itali.

            Gjithashtu, rezulton nga konteksti i bisedës që ai (Taulant Haxhiraj) ka një marrëdhënie të tillë me drejtorin, i rezultuar i pandehuri Jaeld Çela, drejtori i Drejtorisë së Policisë Vlorë, që në Kuç dhe në shumë fshatra të tjerë bashkëbiseduesi “ALIEJ” mund të kultivonte. Për këtë “mbështetje” që iu jepej kërkohej 30% e sasisë së lëndës narkotike që do të kultivohej, duke u mundësuar më tej trafikimi dhe i pjesës që iu përkiste atyre.

  1. Në këtë mënyrë të dy të pandehurit janë akuzuar se kanë bashkëpunuar me të dy këto struktura kriminale të organizuara, që vepronin ndërkohë në Vlorë. Gjykata vlerëson se ky fakt është i rëndësishëm për akuzën dhe shqyrtimin gjyqësor, pasi përmes tij përcaktohet përgjegjësia e secilit prej të pandehurve lidhur me episodin e pestë, konkretisht data 04.10.2016, në vijim episodi “Haxhiraj”, në të cilin oficerët e policisë gjyqësore kanë zbuluar dhe asgjësuar 5000 rrënjë lëndë narkotike “cannabis sativa”. Për të bërë këtë lidhje dhe për të konkluduar se të dy formacionet kriminale janë një i vetëm apo kanë bashkëpunuar si një i vetëm, prokuroria dhe gjyqtari i seancës paraprake kanë sjellë në vëmendje këto të dhëna të marra nga këqyrja e telefonit celular të të dënuarit z. Taulant Haxhiraj.
  2. Biseda e parë në kohë, që daton në prillin e vitit 2016, sikurse është sjellë në vëmendje më lart, ka vetëm dy të dhëna. Fillimisht i dënuari z. Taulant Haxhiraj, në kontekstin e një komunikimi për hapjen e parcelave të reja dhe investimin në to me lëndë narkotike, i pyetur për rritjen e investimit në këtë aktivitet kriminal nga një subjekt i paidentifikuar, i deklaron atij se nuk kanë marrë garanci kushërinjtë e ministrit, duke u adresuar dyshimi se bëhet fjalë për Ministrin e Punëve të Brendshme, i pandehuri z. Saimir Tahiri atëbotë, dhe për vëllezërit Habilaj, konkretisht z. Artan Habilaj, z. Florian Habilaj dhe z. Moisi Habilaj. Më tej në këtë bisedë telefonike sillet në vëmendje të subjektit të paidentifikuar, se i dënuari z. Taulant Haxhiraj, e kishte të sigurt me drejtorin, duke u kundrejtuar sakaq dyshimi se bëhet fjalë për Drejtorin e Policisë së Qarkut Vlorë në atë kohë, të pandehurin z. Jaeld Çela. Gjykata sjell në vëmendje se nuk ka asnjë të dhënë tjetër konkrete dhe të përputhshme nga fashikulli i gjykimit nga ku të përftohet një element provues tjetër mbi vërtetësinë përmbajtësore të rrethanave që janë përftuar nga kjo këqyrje komunikimesh telefonike.
  3. Gjykata vlerëson se këto dy të dhëna janë indicje dhe elementë fillestarë prove për të krijuar dyshimin e arsyeshëm mbi bashkëpunimin në të njëjtin grup të strukturuar kriminal të të dënuarve në grupin e strukturuar kriminal të kryesuar nga i dënuari z. Taulant Haxhiraj me të pandehurit në procedim të lidhur në grupin e strukturuar kriminal të kryesuar nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe për të konkluduar se ekziston një marrëveshje ndërmjet grupit të strukturuar kriminal të kryesuar nga i dënuari z. Taulant Haxhiraj me Drejtorin e Policisë së Qarkut Vlorë, të pandehurin z. Jaeld Çela për të bashkëpunuar në veprimtarinë kriminale të lëndëve narkotike në Vlorë. Nga ana tjetër në këto dy të dhëna nuk ka asnjë indicje për të kundrejtuar akuzën e bashkëpunimit të të pandehurit z. Saimir Tahiri me subjektet dhe veprimtarinë kriminale të zhvilluar në Vlorë në vitin 2016 nga grupi i strukturuar kriminal i kryesuar nga i dënuari z. Taulant Haxhiraj.
  4. Gjykata sjell në vëmendje se, që të konkludohet në një fakt të pranuar prej indicjeve apo gjysmëprovave, pika 2 e nenit 152 të Kodit të Procedurës Penale ka vendosur disa kushte ligjore. Në këtë mënyrë ekzistenca e një fakti nuk mundet të nxirret nga indicjet, përveçse kur këto janë të rëndësishme, të sakta dhe në përputhje me njëra-tjetrën. Në këtë rast rezulton se ka vetëm një gjysmëprovë apo indicje që lidh grupin kriminal Haxhiraj dhe grupin kriminal Habilaj. Në këtë rast ka vetëm një gjysmëprovë apo indicje, që krijon një dyshim të arsyeshëm se, ndërmjet të dënuarit z. Taulant Haxhiraj dhe të pandehurit z. Jaeld Çela, ka një marrëveshje bashkëpunimi kriminale mbi aktivitetin e narkotikëve. Nuk ka asnjë indicje tjetër që të mbështesë dhe të vërtetojë saktësinë dhe realitetin që paraqet kjo e dhënë.
  5. Gjykata sjell në vëmendje se përgjimet në Republikën e Italisë ndaj të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj kanë zgjatur nga viti 2012 deri në vitin 2017. Nuk ka asnjë bisedë të përgjuar ku të përftohen komunikime ndërmjet këtyre dy subjekteve apo nuk ka asnjë bisedë ku z. Moisi Habilaj ta ketë përmendur të dënuarin z. Taulant Haxhiraj me të tretë. Nga ana tjetër në këqyrjen e komunikimeve telefonike në telefonin celular të z. Taulant Haxhiraj nuk ka asnjë komunikim të dokumentuar ndërmjet tij dhe anëtarëve të bashkëpandehur apo të pandehur në procedim të lidhur të grupit të strukturuar kriminal ‘‘Habilaj’’. As nga përgjimet e realizuara nga organet proceduese penale shqiptare nuk është përftuar ndonjë e dhënë e tillë e administruar në dosje. Nuk ka të dhëna të tilla edhe ndërmjet tij dhe personave pjesëtarë të brendshëm apo bashkëpunëtorë të jashtëm të paidentifkuar të grupit të strukturuar kriminal Haxhiraj.
  6. Gjithashtu Gjykata sjell në vëmendje se konkluzioni i akuzës dhe gjyqtarit të seancës paraprake për lidhjen e këtyre dy grupeve kriminale në një të vetëm nuk qëndron nën arsyetimin se grupi i strukturuar kriminal Haxhiraj merrej me kultivimin e lëndës narkotike dhe grupi i strukturuar kriminal Habilaj merren me trafikimin e kësaj lënde. Pra nga këto dy autoritete të drejtësisë janë identifikuar këto dy fraksione grupi të strukturuar kriminal si bashkëpunëtorë në mekanizmin e aktivitetit kriminal të lëndëve narkotike, që niste me kultivimin dhe finalizohej me trafikimin. Ndërkohë e vërteta, që tregojnë provat dhe indicjet e përputhshme të fashikullit të gjykimit, nuk përputhet me këtë mënyrë të ndërtimit të fakteve historike objekt akuze.
  7. Nga tërësia e provave rezulton se grupi i strukturuar kriminal Haxhiraj e kultivonte vetë lëndën narkotike në parcela toke në malësinë e Qarkut Vlorë me qëllimin final për ta trafikuar atë dhe se del nga këqyrja e komunikimeve telefonike të tij, konkretisht nga biseda telefonike me mesazhe e datës 22.09.2016, se grupi i tij i strukturuar kriminal kishte trafikuar sasi të madhe lënde narkotike në Itali dhe se kjo lëndë, konkretisht në masën 4 ton, ishte zbuluar dhe sekuestruar nga autoritetet italiane. Njëlloj sikurse gjykata e shkallës së parë (shih faqen 50 të vendimit), edhe Gjykata konkludon se edhe grupi i strukturuar kriminal Haxhiraj e kultivonte lëndën narkotike me qëllimin final për ta trafikuar në Itali. Ky episod trafikimi lënde narkotike në Itali nuk është dokumentuar në dosje dhe njëherazi nuk përkon me ndonjë prej episodeve “Augusta”, “Palagonia”, “Katania” dhe “Fatima”, episode këto të cilat rëndojnë si veprimtari kriminale e grupit të strukturuar kriminal Habilaj.
  8. Nga ana tjetër Gjykata sjell në vëmendje se në episodin “Koçerri” të datës 18.10.2017, ku janë zbuluar dhe sekuestruar 3978 kilogramë lëndë “cannabis sativa” e paketuar dhe e bërë gati për trafikim, rezulton se, në aktivitetin kriminal të kultivimit me qëllim trafikimi, ishte përfshirë drejtpërdrejtë grupi i strukturuar kriminal Habilaj, që do të thotë se edhe ky formacion i strukturuar kishte të njëjtin modus operandi kriminal mbi lëndët narkotike, konkretisht kultivimin me qëllimin final të trafikimit të tyre nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Italisë. Kjo do të thotë se konkluzioni i arritur nga ana e akuzës dhe gjyqtarit të seancës paraprake për njëjtësinë e grupit dhe fraksionizmit përkatës të detyrave në kohë dhe në hapësirë ndërmjet kultivimit dhe trafikimit nuk provohet dhe rezulton të jetë i pabazuar. 
  9. Sigurisht ky konkluzion i Gjykatës nuk synon që të arrijë në përfundimin se nuk ka pasur bashkëpunim ndërmjet dy grupeve kriminale në kohën dhe në hapësirën në të cilën shtrihet fakti historik penal objekt akuze. Përkundrazi, Gjykata konkludon se këto dy formacione të strukturuara kriminale, që kanë ekzistuar në Qarkun e Vlorës në këtë periudhë historike, ishin të ndryshme dhe secili kryente aktivitetin kriminal të kultivimit me qëllimin final të trafikimit të lëndëve narkotike, nga sa arrijnë të provojnë tej çdo dyshimi të arsyeshëm provat e administruara në fashikullin e gjykimit.
  10. Gjykata sjell në vëmendje se edhe në vendimin e deklarimit fajtor dhe të dënimit të anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal Haxhiraj, tashmë të formës së prerë, nuk pasqyrohet asnjë e dhënë bashkëpunimi me grupin e strukturuar kriminal Habilaj. Vetëm fakti se ato kryenin të njëjtën veprimtari kriminale dhe ndoshta edhe nën të njëjtin mekanizëm dhe në të njëjtën shtrirje hapësire dhe pjesërisht edhe kohore nuk mundet të passjelë konkluzionin tej çdo dyshimi të arsyeshëm se të dy këto grupe të pandehurish ishin i njëjti grup i strukturuar kriminal në tërësinë e tyre apo fraksione të të njëjtit grup. Sigurisht, nuk përjashtohet mundësia që ato të kenë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në aktivitetin kriminal përgjatë kohës së ekzistencës së tyre por përjashtohet fakti që të dy këto formacione kriminale të kenë qenë një i vetëm.
  11. Nga ana tjetër Gjykata konkludon se njëlloj arrihet në përfundimin edhe mbi akuzën e prokurorisë dhe konkluzonin e gjyqtarit të seancës paraprake, se ndërmjet të dënuarit z. Taulant Haxhiraj dhe të pandehurit z. Jaeld Çela ekzistonte përgjatë vitit 2016 një bashkëpunim kriminal. Asnjë e dhënë tjetër konkludente nuk e mbështet këtë dyshim të përftuar nga kjo indicje e mbetur e vetme në fashikull për sa i përket kësaj pjese të akuzës. Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, atëbotë i pandehuri z. Jaeld Çela, nuk del si bashkëpunëtor i brendshëm apo i jashtëm ndihmës në asnjë komunikim tjetër të të dënuarit z. Taulant Haxhiraj me funksionarët e tjerë bashkëpunëtorë nga radhët e policisë, konkretisht me z. Renato Avduli, me të pandehurin në procedim të lidhur z. Sokol Bode dhe me të pandehurin në procedim të lidhur z. Gjergji Kohila. Nuk ka asnjë komunikim të dokumentuar në fashikullin e gjykimit ndërmjet anëtarëve të formacionit kriminal Haxhiraj dhe të pandehurit z. Jaeld Çela. Në këto kushte Gjykata ka shumë më shumë dyshime se sa qartësi dhe vërtetësi prej kësaj të dhëne, që në komunikimin telefonik i dënuari z. Taulant Haxhiraj i ka deklaruar një subjekti të paidentifikuar që e ka të sigurt me drejtorin.
  12. Nga aktet e fashikullit të gjykimit rezulton e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se punonjësi i policisë vendore në Vlorë, z. Renato Avduli, ishte bashkëpunëtor i qëndrueshëm në kohë dhe bashkëpunëtor i brendshëm me grupin e strukturuar kriminal Haxhiraj, pasi nga komunikimet telefonike të dokumentuara përmes këqyrjes së telefonit të të dënuarit z. Taulant Haxhiraj del i qartë fakti i dijenisë së tij për parcelat e kultivuara dhe për bashkëpunëtorët e tjerë, del i qartë fakti se ai kishte vënë në dispozicion funksionin e tij shtetëror për mbrojtjen e aktivitetit kriminal të kultivimit të lëndës narkotike me qëllimin e trafikimit të saj dhe del i qartë fakti se ai e udhëzon të dënuarin z. Taulant Haxhiraj se si të sillet në mënyrë që të mos ketë probleme me policinë.
  13. Nga ana tjetër nga këto komunikime telefonike del e qartë edhe bashkëpunimi i vazhdueshëm në kohë i punonjësit të policisë vendore në Vlorë, të pandehurin në procedim të lidhur z. Gjergji Kohila, me grupin e strukturuar kriminal të kryesuar nga z. Taulant Haxhiraj, pasi provohet dijenia e tij për aktivitetin e paligjshëm, provohet dijenia e tij për bashkëpunimin e njëkohshëm të punonjësit të policisë z. Sokol Bode dhe kunatit të tij punonjës policie z. Renato Avduli, mbështetja e tij e hapur dhe e drejtpërdrejtë për këtë veprimtari kriminale, dijenia e tij mbi bashkëpunëtorët e tjerë, këshillat e tij se si të sillen bashkëpunëtorët në mënyrë që të mos kenë probleme me organet përgjegjëse për ushtrimin e ndjekjes penale, mbrojtjen e tij të hapur për të vënë në dispozicion funksionin shtetëror që ushtronte në mbështetje të realizimit të aktivitetit kriminal të grupit dhe vullnetin e tij të paekuivoktë për anëtarësinë në këtë formacion kriminal të strukturuar.
  14. Nga ana tjetër provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se punonjësi i policisë z. Sokol Bode, edhe gjatë kohës kur ushtronte funksionet publike në njësinë vendore të policisë kufitare Vlorë dhe gjatë kohës kur u largua me detyrë nga ky qytet për në Shkodër, vazhdonte të ishte aktiv si pjesëtar i brendshëm i këtij formacioni kriminal. Nga këqyrjet e komunikimeve telefonike të të dënuarit z. Taulant Haxhiraj del se ai kishte dijeni për gjithçka, kishte përfituar të mira materiale nga i dënuari ndërkohë, kishte vënë në dispozicion të ushtrimit të aktivitetit kriminal të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike funksionin e tij shtetëror dhe se ikja e tij nga Vlora kishte shkaktuar shumë probleme për mbarëvajtjen e punëve të veprimtarisë kriminale të grupit të strukturuar të kryesuar nga z. Taulant Haxhiraj. Në komunikimet telefonike del i qartë fakti se ai e dinte edhe bashkëpunimin e punonjësve të tjerë të policisë të identifikuar më lart, solidarizohet dhe shpreh keqardhjen për djegien e lëndës narkotike në parcelat në fshatin Kocul nga policia e shtetit me datë 13.09.2016 dhe se këshillon aktivisht të dënuarit lidhur me masat që duhet të marrë në vijim.
  15. Por asgjë nga këto prova dhe fakte të qarta nuk lidhet ndërkohë me provat apo me indicjet e tjera të fashikullit të gjykimit për të mundësuar konkluzionin mbi ekzistencën e provuar të faktit të bashkëpunimit ndërmjet Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, z. Jaeld Çela, me secilin prej tyre apo qoftë me njërin prej tyre. Akoma shumë më e largët dhe e pamundur është që një prove apo disa indicje të përputhshme të krijojnë konkluzionin mbi ekzistencën e faktit të provuar se Ministri i Punëve të Brendshme i kohës, i pandehuri z. Saimir Tahiri, përmes drejtorit të policisë vendore, të pandehurit z. Jaeld Çela, kishte vendosur në dispozicion të grupit të strukturuar kriminal Haxhiraj punonjësit e policisë, të pandehurin në procedim të lidhur z. Sokol Bode, të pandehurin në procedim të lidhur z. Gjergji Kohila dhe z. Renato Avduli.
  16. Në vlerësimin e Gjykatës kundërta provohet nga aktet e fashikullit të gjykimit. Me datë 13.09.2016 forcat e policisë vendore Vlorë kanë zbuluar dhe asgjësuar me zjarr parcela lënde narkotike të kultivuara me lëndë narkotike “cannabis sativa”, lëndë e cila ishte gati për korrje. Nga komunikimet telefonike të datës 14.09.2016 të të dënuarit z. Taulant Haxhiraj me bashkëpunëtorin e tij bashkëtëdënuarin z. Marius Bajrami shfaqet tensioni, keqardhja dhe mërzia e tij për gjithçka kishte ndodhur një ditë më parë. Ai më tej shpreh keqardhjen dhe pretendimin se forcat e policisë janë marrë vetëm me parcelën e tij dhe jo me parcelat e tjera që ishin përballë. Më tej në kohë, gati 21 ditë më vonë, me datë 04.10.2016, është sërish policia vendore e Vlorës që referon veprën penale në prokurori për zbulimin e parcelave me 5000 rrënjë bimë lëndë narkotike të gjetura në fshatin Vezhdanisht dhe Treblovë, fakt penal dhe episod për të cilin janë dënuar dhe janë deklaruar fajtor bashkëpunëtorët e grupit të strukturuar kriminal Haxhiraj.
  17. Kjo do të thotë në të vërtetë nuk provohet se ka pasur bashkëpunim të posaçëm penal në formën e dhënies së sigurisë prej Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, të pandehurit z. Jaeld Çela, apo marrëveshje penale për veprimtarinë kriminale të grupit të strukturuar kriminal Haxhiraj. Kjo do të thotë se këto dy të dhëna të përftuara nga këqyrja e komunikimeve telefonike të të dënuarit z. Taulant Haxhiraj, qoftë për kushërinjtë e Ministrit të Brendshëm dhe qoftë për Drejtorin e Policisë së Qarkut Vlorë, nuk gjejnë mbështetje në provat apo indicjet e tjera të administruara në fashikullin e gjykimit.      
  18. Gjykata sjell në vëmendje se në varësi të këtij konkluzioni do të arrihet në përfundimin lidhur me autorësinë e episodit të zbulimit të 5000 rrënjëve lëndë narkotike “cannabis sativa” me datë 04.10.2016 në Vezhdanisht dhe Treblovë. Pikërisht për këtë veprimtari kriminale dhe për këtë episod të faktit penal historik është dhënë Vendimi nr. 62, datë 23.04.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, i lënë në fuqi me Vendimin nr. 69, datë 19.09.2018 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, duke u vendosur deklarimi fajtor i z. Taulant Haxhiraj, z. Shkëlqim Koçiaj, z. Marjus Bajrami dhe z. Xhovalin Baco, për veprat penale të parashikuara nga neni 28/4, neni 284, neni 333/a dhe neni 334 të Kodit Penal.
  19. Për të gjitha këto arsye të dhëna më lart, Gjykata vlerëson se nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se grupi i strukturuar kriminal i kryesuar nga i dënuari z. Taulant Haxhiraj të kenë vepruar si një grup i vetëm kriminal me atë të kryesuar nga i pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj.
  20. Gjykata sjell në vëmendje se materiali provues i grumbulluar në procedimin e lidhur në ngarkim të grupit kriminal të kryesuar nga i dënuari z. Taulant Haxhiraj u vlerësua nga Gjykata në këtë çështje për të provuar kontekstin e bashkëpunimit të personave të caktuar zyrtarë të strukturave shtetërore në mbështetje të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve në Qarkun e Vlorës. Kjo pjesë e faktit historik të akuzës tregon dhe hedh dritë pikërisht mbi mënyrën se si është zhvilluar aktiviteti kriminal i kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në Qarkun e Vlorës në periudhën kohore objekt akuze në të cilën të dy të pandehurit kanë ushtruar detyrën publike.
  21. Më konkretisht përmes këqyrjes së komunikimeve telefonike në telefonin celular të të dënuarit z. Taulant Haxhiraj përftohen të dhëna lidhur me mënyrën se si funksionarët e policisë vendore bashkëpunonin me grupin e strukturuar kriminal në funksion të realizimit të aktivitetit kriminal të kultivimit të lëndëve narkotike.
  22. Gjykata fillimisht sjell në vëmendje bisedën në me mesazhe të datës 16.04.2016 të realizuar ndërmjet të dënuarit z. Taulant Haxhiraj dhe një personi të paidentifikuar “Aliej”. Në këtë bisedë tregohet se si është organizuar e gjithë veprimtaria e kultivimit të bimëve narkotike në Qarkun e Vlorës. Sipas të dënuarit z. Taulant Haxhiraj, për të kultivuar lëndë narkotike “cannabis sativa” duhet të bashkëpunoje, duke marrë leje nga struktura të caktuara të policisë vendore Vlorë, të cilët në këtë rast garantonin, sa të ishte e mundur, paprekshmërinë e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike. Kjo mbrojtje e shtetit ofrohej kundrejt shpërblimit në masën 30% të sasisë së lëndës narkotike, e cila u lihej këtyre punonjësve shtetërorë.
  23. Në këtë bisedë ai tregon se kishte edhe raste kur bimët lëndë narkotike kultivoheshin pa lejen dhe pa marrëveshje me punonjësit e policisë vendore Vlorë. Kjo do të thotë se si rregull lëndët narkotike kultivoheshin me marrëveshje me funksionarët e policisë së shtetit. Pavarësisht se në këto komunikime telefonike përmenden edhe persona të tretë të cilët nuk marrin pjesë vetë në bisedë, Gjykata vlerëson se këto të dhëna të përftuara nga kjo provë përputhet me faktin e provuar shkresërisht dhe zyrtarisht të përhapjes masive të veprimtarisë kriminale të kultivimit të lëndës narkotike “cannabis sativa” në Qarkun e Vlorës, duke iu referuar sakaq raportimeve të Guardia di Finanzia dhe nga ana tjetër edhe informacioneve të cilat kanë ardhur në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë nga agjencitë e tjera ligjzbatuese, të cilat janë administruar në fashikullin e gjykimit me cilësinë e provës dokumentare, për periudhën prill 2016 – janar 2017.
  24. Gjithashtu Gjykata, njëlloj sikurse gjykata e shkallës së parë (shih faqen 46 të vendimit), vlerëson se është logjike të arsyetohet se “lejet” për kultivimin e lëndës narkotike lidhen pikërisht me atë strukture shtetërore, që ka për detyrë zbulimin dhe luftimin e kësaj veprimtarie, që do të thotë policia e shtetit, dhe se kur në këto biseda flitet për ministrin apo për drejtorin bëhet fjalë pikërisht për funksionarë shtetërorë të lidhur pikërisht me fushën e veprimtarisë shtetërore të rendit dhe sigurisë publike, pavarësisht faktit se sa arrijnë këto prova të vërtetojnë akuzën që u kundrejtohet bashkëtëpandehurve.
  25. Pavarësisht faktit se Gjykata ka konkluduar më lart se nuk provohet bashkëpunimi i të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe të pandehurit z. Jaeld Çela me grupin e strukturuar kriminal të kryesuar nga i dënuari z. Taulant Haxhiraj, këto komunikimeve telefonike mbahen parasysh për të shpjeguar se si mundej të ndodhte apo si shpjegohet faktikisht përhapja e kultivimit të lëndës narkotike dhe të zhvillohej trafikimi i lëndës narkotike në Qarkun e Vlorës gjatë periudhës historike në të cilën shtrihet fakti penal objekt akuze. Nga ana tjetër provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm përfshirja e funksionarëve të tjerë shtetërorë në këtë aktivitet kriminal, subjekte të cilët kishin bashkëpunim të posaçëm penal me grupet e strukturuara kriminale, që provohet nga gjykimi se ekzistonin dhe ushtronin veprimtarinë kriminale në Qarkun e Vlorës përgjatë kësaj periudhe kohore objekt akuze.
  26. Si shembull për ta konkretizuar këtë konkluzion gjyqësor mundet të sillet në vëmendje komunikimi telefonik me mesazhe i përftuar nga këqyrja e telefonit të të dënuarit z. Taulant Haxhiraj me datë 08.05.2016. Është fakt i provuar shkresërisht se i pandehuri në procedim të lidhur z. Sokol Bode ka punuar si titullar në Stacionin e Policisë Kufitare në Dhërmi nga data 16.12.2013 deri në datën 08.05.2016 dhe se në këtë datë atë e transferojnë në strukturat e Drejtorisë së Policisë Shkodër. Pikërisht në datën e transferimit të tij është realizuar ky komunikim telefonik me mesazhe ndërmjet të dënuarit z. Taulant Haxhiraj me një person të paidentifikuar, të cilit i shpreh shqetësimin dhe pezmin e shkaktuar nga fakti që e kanë tranferuar në Shkodër të pandehurin në procedimin e lidhur z. Sokol Bode, duke u shprehur “…e hoqën atë, na këputën. Në Shkodër e çuan.
  27. Më tej duhet të sillet në vëmendje komunikimi telefonik me mesazhe i realizuar në datën 21.06.2016, që do të thotë një muaj dhe 14 ditë nga komunikimi i mësipërm, ndërmjet të dënuarit z. Taulant Haxhiraj dhe një person të emërtuar “Xheku”, i cili rezulton se është i pandehuri në procedimin e lidhur z. Sokol Bode. I dënuari shprehet me pezmatim se që kur iku ai i janë turrur të gjithë, duke nënkuptuar funksionarë të tjerë të policisë, duke e kërcënuar për zbulimin e aktivitetit të paligjshëm dhe duke i kërkuar në shkëmbim shpërblime të padrejta, konkretisht makina. Nga ana tjetër i pandehuri në procedimin e lidhur z. Sokol Bode i sugjeron që të takojë atë që ka vajtur në vendin e tij, të cilit i dënuari i ka gjetur edhe makinën e dhënë si shpërblim. Ndërkohë i dënuari i përgjigjet se ka takuar “Gj” dhe se nuk e heq nga goja dhe se për të ka shumë respekt dhe se i pandehuri në procedimin e lidhur e sugjeron që të mbajë kontakte edhe me të. Personi që i referohen me inicialin “Gj” është pikërisht i pandehuri në procedimin e lidhur z. Gjergji Kohila. Këto të dhëna tregojnë se të dy këto subjekte funksionarë publik të policisë vendore Vlorë janë në dijeni plotësisht të aktivitetit kriminal të kryer nga grupi i strukturuar kriminal Haxhiraj dhe se kanë vënë funksionin e tyre shtetëror si kontribut në realizimin e veprimtarisë kriminale të këtij formacioni të strukturuar.
  28. Nga ana tjetër Gjykata sjell në vëmendje komunikimin telefonik të realizuar me datë 21.07.2016 ndërmjet të dënuarit z. Taulant Haxhiraj dhe punonjësit të policisë vendore Vlorë në atë kohë z. Renato Avduli. Gjatë këtij komunikimi z. Renato Avduli i kërkon të dënuarit z. Taulant Haxhiraj, që gjatë aktivitetit kriminal të kultivimit të bimëve narkotike, të ruanin maksimumin e fshehtësisë dhe që të mos ngjallnin vëmendjen e të tjerëve, porosi të cilën i dënuari duhet t’ia përcillte edhe bashkëpunëtorëve të tjerë, të cilët merreshin me aktivitetin kriminal dhe që ishin pjesë e brendshme e grupit të strukturuar kriminal. Kjo do të thotë se ky ish punonjës së policisë vendore Vlorë ishte pjesë aktive, me njohje të anëtarësisë, me lidhje të vazhdueshme në grupin e strukturuar kriminal Haxhiraj dhe se si kontribut të tijin në këtë formacion të strukturuar ai kishte vendosur funksionin publik, që ishte ngarkuar të ushtronte. Duhet të mbahet parasysh në këtë interpretim të provave se z. Renato Avduli ishte kunati i të pandehurit në procedimin e lidhur z. Gjergji Kohila, i cili ka ushtruar detyrën e Shefit të Seksionit dhe specialistit të narkotikëve në Seksionin për Trafiqet edhe Narkotikët në Komisariatin e Policisë Sarandë nga data 10.10.2014 deri me datë 15.05.2015 dhe se nga data 16.05.2015 deri me datë 05.05.2017 ka ushtruar funksionin e Shefit të Sektorit dhe Specialistit për asetet kriminale dhe hetimin e trafiqeve dhe narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë.
  29. Pasi kishte ndodhur ngjarja e zbulimit dhe asgjësimit me zjarr të parcelave me lëndë narkotike në datën 13.09.2013 në fshatin Kocul, konkretisht me datë 19.09.2016 rezulton nga këqyrja e telefonit celular të të dënuarit z. Taulant Haxhiraj se ka pasur një komunikim me mesazhe ndërmjetëm tij dhe të pandehurit në procedimin e lidhur z. Gjergji Kohila të emërtuar “Fiati”. Në këtë bisedë rezulton se i pandehuri në procedimin e lidhur z. Gjergji Kohila kishte lajmëruar të dënuarin z. Taulant Haxhiraj përmes një personi të afërt të dërguar për të hequr të gjitha provat për shkak se kishte marrë dijeni për një procedim penal të filluar në Prokurorinë për Krimet e Rënda për kultivimin e bimëve narkotike. I dënuari i kërkon të pandehurit më shumë informacion mbi procedimin penal, siguri dhe këshilla se si të veprojë dhe se i pandehuri i tregon se hetimet janë rezervuar dhe nuk kanë lejuar akses për policinë vendore të Vlorës, duke e këshilluar që të bënte kujdes, të priste njoftime të tjera prej tij dhe të qetësonte bashkëpunëtorët e tjerë. Të dy bashkëbiseduesit shprehin shqetësimin dhe pezmin për shkujdesjen e treguar nga kunati i të pandehurit, z. Renato Avduli, i cili ishte pikërisht personi i dërguar tek i dënuari nga i pandehuri, duke u përmendur ky i fundit si pjesëtar në zotërimin e bimëve narkotike të mbjella. I dënuari tregon se nuk kanë qenë të kujdesshëm në komunikimet në telefon dhe se i ka dhënë një makinë z. Renato Avduli dhe se biseda më tej vijon se si të justifikohet formalisht dhënia e makinës duke e paraqitur sikur e kanë shitur tek njëri-tjetri. I pandehuri e bën optimist të dënuarin duke i thënës e se gjërat janë për mire dhe i tregon se ka folur edhe me “Xhekun” apo të pandehurin në procedimin penal të lidhur z. Sokol Bode. Nga kjo bisedë kuptohet se ndërmjet punonjësve të policisë dhe grupit të strukturuar kriminal kishte një marrëdhënie të ngushtë, të qëndrueshme dhe konkrete bashkëpunimi.
  30. Më tej, në po të njëjtën datë, konkretisht me datë 19.09.2016, ka pasur komunikim ndërmjet të dënuarit z. Taulant Haxhiraj dhe të pandehurit në procedimin e lidhur z. Sokol Bode, menjëherë pas bisedës së treguar më lart me të pandehurin në procedimin penal të lidhur z. Gjergji Kohila. I dënuari i komunikon të pandehurit z. Sokol Bode se i pandehuri z. Gjergji Kohila e njoftoi për procedimin penal nga krimet e rënda dhe për kujdesin që duhej treguar. Më tej ai i tregon se prerjet dhe asgjësimet e lëndës narkotike kanë qenë përzgjedhëse nga ana e policisë në parcelat ku kanë kontrolluar dhe ushtruar detyrën, duke u shprehur se ndihej i tradhtuar nga punonjësit e policisë me të cilët kishte pasur lidhje, duke qenë se i a kishin prerë dhe asgjësuar bimët lëndë narkotike vetëm dy ditë përpara se ajo të korrej. Nga ana tjetër i pandehuri i solidarizohet me pezmin e të dënuarit. I dënuari i shpreh të pandehurit edhe pakënaqësinë që ka ndaj z. Renato Avduli, kunati i të pandehurit z. Gjergji Kohila, duke i thënë se do të arrestohej së shpejti bashkë me disa persona të tjerë. Nga ana tjetër i pandehuri z. Sokol Bode i komunikon të dënuarit një sasi lënde narkotike e tij ndodhej pranë të dënuarit z. Taulant Haxhiraj dhe njëherazi e këshillon të mos ngjallë vëmendje, të mos dalë në Vlorë, duke i shprehur se po të kishte qenë ai në Vlorë gjërat do të kishin shkuar ndryshe. Më tej i pandehuri i kërkon që të kujdeset tek miqtë e tij për t’i siguruar një makinë sepse kjo që ai kishte bërë 160.000 kilometra dhe i ka dalë nga zemra se ka qenë edhe e goditur nga ana e shoferit dhe se nga ana tjetër i dënuari i thotë se do të shkojë ai dhe të t’i tregojë dy apo tre makina. Sërish kjo bisedë tregon ndërgjegjen, vullnetin dhe përkatësinë e këtyre punonjësve të policisë vendore Vlorë dhe bashkëpunim të posaçëm në lidhje me aktivitetin e grupit të strukturuar kriminal Haxhiraj.
  31. Nga ana tjetër Gjykata sjell në vëmendje bisedën me mesazhe të datës 22.09.2016, ndërmjet të dënuarit z. Taulant Haxhiraj dhe një personi të paidentifikuar të emërtuar “Adidas”. Në këtë bisedë përftohen të dhëna se nga bashkëpunëtorët e tij në polici i dënuari z. Taulant Haxhiraj ka marrë garanci se edhe dy ditë do ta zgjidhë problemin, duke i vënë një gjobë një dreke, duke i thënë se ishte me ata të Tiranës dhe se shpejt do t’i lërë vetëm ata të Shërbimit Informativ Shtetëror. Ai i tregon ndër të tjera se grupi i tij i strukturuar kriminal kishte trafikuar sasi të madhe lënde narkotike në Itali dhe se kjo lëndë, konkretisht në masën 4 ton, ishte zbuluar dhe sekuestruar nga autoritetet italiane dhe se kishte merak se mos tregojnë ato të arrestuarit apo se mos u kanë kapur atyre ndonjë listë. Në këtë bisedë i dënuari i tregon bashkëbiseduesit se policia e Vlorës nuk është problem dhe se problem mbetet Shërbimi Informativ Shtetëror dhe referimet që ato bëjnë me qendrën dhe gjithashtu edhe krimet e rënda që i janë vënë nga pas. Kjo bisedë tregon se grupi i strukturuar kriminal nuk kishte shqetësime nga strukturat e policisë vendore Vlorë për sa i përket zbulimit të tyre dhe vënies para përgjegjësisë penale dhe se ato nuk kishin lidhje dhe kontakte me Shërbimin Informativ Shtetëror, me qendrën, gjë që nënkupton strukturat qendrore të policisë së shtetit dhe me policinë gjyqësore dhe Prokurorinë për Krimet e Rënda.
  32. Vijimi i bashkëpunimit me funksionarë të policisë vendore me grupin e strukturuar kriminal Haxhiraj provohet në dinamikën e tij edhe nga biseda telefonike me mesazhe e realizuar ndërmjet të dënuarit z. Taulant Haxhiraj dhe të pandehurit në procedimin e lidhur z. Gjergji Kohila me datë 23.09.2016. Në këtë bisedë i dënuari tregon se në ndërhyrjen e policisë me datë 13.09.2016 në Kocul ishin zbuluar dhe dëmtuar vetëm parcelat e tij dhe se ato përballë tij me 100.000 rrënjë nuk ishin prekur nga policia dhe se i pandehuri i thotë se nuk është se dukeshin parcelat por dukeshit ju sikur të kishit 200.000 bimë narkotike, duke e kritikuar gjithashtu për intrigat që kishte bërë i dënuari së bashku me z. Renato Avduli dhe duke e qetësuar se nuk kanë prova organet e ndjekjes penale që të nxjerrin urdhër arrestin.
  33. Menjëherë pas këtij komunikimi, po me datë 23.09.2016, rezulton se i dënuari z. Taulant Haxhiraj komunikon me mesazhe me personin e paidentifikuar të emërtuar “Adidas” dhe i tregon se i ka thënë “i madhi këtu” se janë hapur fjalë që do të priheshin urdhër arrestet dhe nuk do të priheshin sepse as për të dhe se as për kushëririn e tij nuk ka prova dhe se mundet të rrinë të qetë. Nga kjo konteksti i kësaj bisede dhe i bisedave të mëparshme kuptohet se personi i paidentifikuar dhe i emërtuar “Adidas” është kushëriri i të dënuarit dhe se për të dy i pandehuri z. Gjergji Kohila u kishte dhënë siguri se nuk do të priteshin urdhër arrestet sepse nuk ka prova.
  34. Në bisedën telefonike me mesazhe të datës 26.09.2016 del akoma më e qartë përfshirja drejtpërdrejtë në aktivitetin kriminal të lëndëve narkotike të punonjësit të policisë të pandehurit në procedim të lidhur z. Sokol Bode, atëbotë funksionar i policisë vendore Shkodër. Duhet të sillet në vëmendje se kjo bisedë është zhvilluar 8 ditë përpara se forcat e policisë të zbulonin dhe të asgjësonin 5000 bimë lëndë narkotike në fshatin Vezhdanisht dhe Treblovë me datë 04.10.2016. Konteksti i kësaj bisede lidhet me faktin që i dënuari z. Taulant Haxhiraj i komunikon të pandehurit z. Sokol Bode se kanë marrë një pajisje që i pret degët e lëndës narkotike, duke i thënë se për një njeri duhet një ditë për të bërë një kilogramë ndërsa me këtë pajisje mundet të bëhet një kilogramë në dhjetë minuta dhe se i tregon se ka bërë tridhjetë kilogramë në një ditë. Ndërkaq i pandehuri z. Sokol Bode bie dakord që ta marrin dhe të vijojnë punën në këtë mënyrë me korrjen dhe me tharjen e lëndës narkotike, duke i thënë se do ta marrin sa t’i lirohet një shoku kjo pajisje. Kjo tregon se funksionari i policisë kishte vazhduar të mbante lidhje me grupin e strukturuar kriminal edhe pasi ishte larguar nga detyra dhe se ai kujdesej drejtpërdrejtë në sigurimin e kushteve për korrjen dhe tharjen e lëndës narkotike të kultivuar nga grupi me qëllimin final të trafikimit të saj.
  35. Ndërkohë komunikimi telefonik me mesazhe me datë 28.09.2016, konkretisht 6 ditë përpara zbulimit dhe sekuestrimit të 5000 rrënjëve narkotike në fshatin Vezhdanisht dhe Treblovë, të realizuar ndërmjet të dënuarit z. Taulant Haxhiraj dhe të pandehurit z. Gjergji Kohila tregon të dhëna të tjera për vijimin e bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal dhe anëtarësisë në të të funksionarëve të policisë vendore Vlorë. I pandehuri i komunikon disa ditë para arrestimit të dënuarit z. Taulant Haxhiraj se grupe vëzhgimi do të ketë përreth dhe se duhet të porosiste bashkëpunëtorët që të që të kenë kujdes, të heqin numrat e telefonit, duke i bërë me dije se ka shkruar sërish mbi aktivitetin kriminal të lëndëve narkotike në Vlorë Shërbimi Informativ Shtetëror dhe se i bën me dije se mundet të kenë ndonjë informator nga brenda. Në vijim të bisedës sërish e porosit, që bashkëpunëtorët të rrinë mirë dhe se, i kërkuar nga i dënuari që të njoftohet se kur duhet të fillojë punë, i pandehuri i përgjigjet pozitivisht.
  36. Më tej një ditë më vonë, konkretisht me datë 29.09.2016, domethënë pesë ditë para episodit Vezhdanisht dhe Treblovë, i dënuari z. Taulant Haxhiraj komunikon me mesazhe me të pandehurin z. Sokol Bode, duke i treguar se ka shkruar me të pandehurin z. Gjergji Kohila dhe se ai i ka treguar lidhur me grupet e vëzhgimit, të cilët kishin ardhur për të dënuarin dhe për atë që kishte në fshat.
  37. Të dhënat nga këqyrja e telefonit celular të të dënuarit z. Taulant Haxhiraj përmbyllen me komunikimin me datë 02.10.2016, dy ditë përpara episodit Vezhdanisht dhe Treblovë, në të cilat i dënuari i tregon të pandehurit z. Sokol Bode për njoftimet që kishte parë në televizor lidhur me dy baxhanakët, duke i u referuar kështu z. Renato Avduli dhe të pandehurit z. Gjergji Kohila lidhur me ndjekjen penale që po ushtrohej ndërkohë nga ana e Prokurorisë për Krimet e Rënda.
  38. Nga e gjithë kjo analizë e provave të administruara në fashikullin e gjykimit rezulton se grupi i strukturuar kriminal i kryesuar nga i dënuari z. Taulant Haxhiraj nuk ishte i njëjti apo një fraksion i grupit të strukturuar kriminal të kryesuar nga i pandehuri z. Moisi Habilaj. Konkludohet gjithashtu se nuk ka asnjë të dhënë konkrete që të provojë tej çdo dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri z. Jaeld Çela, në cilësinë e Drejtorit të Policisë Qarkut Vlorë, ka bashkëpunuar me funksionarët e policisë vendore Vlorë pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal Haxhiraj, konkretisht z. Renato Avduli, i pandehuri z. Sokol Bode dhe i pandehuri z. Gjergji Kohila. Akoma më e largët dhe e padukshme nga provat dhe të dhënat e dosjes bëhet lidhja ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe grupit të strukturuar kriminal Haxhiraj apo punonjësit e policisë vendore Vlorë pjesëtarë të këtij formacioni kriminal.
  39. Nga ana tjetër, Gjykata konkludon se, nga tërësia e provave në përgjithësi dhe në veçanti nga e dhëna e 673 komunikimet pa përmbajtje në vitin 2016 – 2017 me telefon, që janë zhvilluar ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri Ministër i Brendshëm dhe të pandehurit z. Jaeld Çela Drejtor i Policisë së Qarkut Vlorë, dhe nga ana tjetër e vetëm një komunikimi telefonik pa përmbajtje të realizuar ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Gjergji Kohila, ku ky i fundit e ka marrë në telefon Ministrin e Punëve të Brendshëm atëbotë, nuk mundet të konkludohet se provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka bashkëpunuar si pjesëtar i grupit të strukturuar kriminal Haxhiraj me të bashkëpandehurin z. Jaeld Çela dhe me të pandehurit në procedim të lidhur z. Gjergji Kohila dhe z. Sokol Bode dhe aq më pak me z. Renato Avduli.
  40. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh se të gjitha informacionet operative mbi kultivimin me qëllim trafikimi të lëndëve narkotike në Qarkun e Vlorës dhe personat përgjegjës për këtë veprimtari kanë ardhur nga ana e Shërbimit Informativ Shtetëror, dega rajonale Vlorë, dhe Drejtoria e Sigurisë Publike, si strukturë qendrore shtetërore, Gjykata vlerëson se policia vendore e Vlorës gjatë harkut kohor 2016 dhe 2017 nuk ka qenë kërcënim dhe as shqetësim për grupet e strukturuara kriminale dhe për personat që merreshin me aktivitetin kriminal në lëndëve narkotike në Qarkun e Vlorës. Ky fakt provohet me disa të dhëna të përputhshme, të qarta, të sigurta dhe të paekuivokta nga materialet e fashikullit të gjykimit. Së pari sillet në vëmendje gjendja e faktit, që pasqyrojnë 12 nga 27 raportet e Guardia di Finanza për territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilat tregojnë vëzhgimin nga lart të situatës së kultivimit masiv të lëndës narkotike “cannabis sativa” në këtë hapësirë tokësore ku është zhvilluar fakti penal historik objekt akuze. Së dyti, Gjykata sjell në vëmendje, sikurse u pasqyruan më lart, edhe bisedat e realizuara ndërmjet të dënuarit z. Taulant Haxhiraj me të pandehurit z. Sokol Bode dhe z. Gjergji Kohila dhe me bashkëpunëtorë të tjerë të tij të paidentifikuar, në të cilat edhe nga punonjësit e policisë dhe nga i dënuari nuk ka asnjë shqetësim që vjen nga policia vendore, përveç presioneve për të marrë përfitime nga zhvillimi i aktivitetit të paligjshëm përkundrejt ushtrimit apo jo të detyrës së tyre, dhe se të gjitha shqetësimet që ato kanë vijnë nga strukturat qendrore të shtetit, Shërbimi Informativ Shtetëror, policia gjyqësore dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.
  41. Gjykata mban parasysh në këtë konkluzion edhe faktin e vonesave të pashpjegueshme arsyeshëm dhe të përsëritura në kohë të përcjelljes së informacioneve operative, të marra kryesisht nga Shërbimi Informativ Shtetëror Vlorë por edhe nga Drejtoria e Sigurisë Publike, nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë drejt Stacionit të Policisë Selenicë, mbi parcelat e mbjella me lëndë narkotike, vendndodhjet e tyre dhe personat e dyshuar si përgjegjës të këtij aktiviteti kriminal. Arsyeshëm kuptohet se në harkun kohor të këtyre vonesave përgjegjësve i u është dhënë kohë dhe mundësi t’i shmangen ndjekjes penale. Po në këtë logjikë vlerësimi të provave që hedhin dritë mbi diligjencën e ushtrimit të detyrës nga ana e funksionarëve të policisë vendore Vlorë, Gjykata mban parasysh edhe vonesat e pashpjegueshme dhe të përsëritura në kohë të verifikimit të informacioneve nga ana e strukturave bazë të policisë vendore Vlorë.
  42. Gjithashtu në këtë drejtim vlerësohet edhe vonesat e pashpjegueshme të përgatitjes apo ometimit për të përgatitur planet operacionale në kohë dhe sipas udhëzimeve të përcaktuara nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, shoqëruar me mungesën e veprimeve policore aktive të gjurmimit, identifikimit dhe kryerjes së veprimeve proaktive hetimore. Në disa raste, sikurse tregohet në pjesën e paraqitjes së rrethanave të çështjes në këtë vendim, kur nga Shërbimi Informativ Shtetëror Vlorë apo Drejtoria e Sigurisë Publike ka pasur informacion konkret operativ mbi parcelat e kultivuara me bimë narkotike, vendndodhjet e tyre dhe personat përgjegjës dhe se ky informacion është përcjellë në Stacionin e Policisë Selenicë, duke u lënë edhe detyra konkrete për verifikim dhe afate konkrete pë raportim të rezultateve të verifikimit, nuk ka më shkresa apo veprime konkrete nga ana e Drejtorisë së Policisë Vendore Qarku Vlorë që të kërkojë informacion për realizimin e verifikimeve, rezultatet e tyre dhe shkaqet e mosraportimit në kohë. Ky ometim i përsëritur disa herë dhe shtrirë në hapësirën kohore nga prilli i vitit 2016 deri në janarin e vitit 2017 tregon se efiçenca e Drejtorisë së Policisë Vendore e Qarkut Vlorë ka qenë kundër asaj që ligji dhe aktet nënligjore kërkojnë dhe përgjegjësia ligjore e drejtpërdrejtë bie mbi titullarin e institucionit.        

 

  1. Bashkëpunimi me grupin e strukturuar kriminal “Habilaj”

           

  1. Gjykata sjell në vëmendje se bashkëpunimi i strukturave shtetërore vendore dhe qendrore arrihet të provohet se ka ekzistuar edhe për llogari edhe të grupit të strukturuar kriminal Habilaj përgjatë gjithë ushtrimit të veprimtarisë së dokumentuar të këtij grupi, duke nisur që nga viti 2012, sipas procedimit penal të nisur në Republikën e Italisë “Odissea”, dhe deri në episodin “Koçerri” datë 18.10.2017. Jo pa qëllim Gjykata ka sjellë në vëmendje më lart fillesat e hetimit penal italian ndaj organizatës kriminale të narkotikëve të bashkëtëproceduarve z. Erson Zhurka dhe z. Moisi Habilaj dhe më tej ecurinë procedurale të regjistrimit të procedimit penal të veçantë në vitin 2013 kundër organizatës kriminale të narkotikëve të kryesuar nga i pandehuri z. Moisi Habilaj.
  2. Rezulton e provuar se aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar kriminal ka funksionuar në të njëjtin mekanizëm, i cili konkretisht niste me kultivimin në Shqipëri të lëndës narkotike “cannabis sativa” dhe finalizohej me trafikimin e saj drejt Greqisë apo drejt Italisë. Në të gjithë këtë shtrirje të aktivitetit kriminal në kohë dhe në hapësirë rezulton tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ky grup i strukturuar kriminal është mbështetur nga funksionarë të caktuar të policisë vendore dhe funksionarë të caktuar të strukturave shtetërore qendrore. Provat që do të analizohen në vijim të këtij vendimi, sipas rendit kronologjik të të dhënave të përftuara nga materiali i fashikullit të gjykimit, tregojnë se hetimet e prokurorisë kanë arritur të krijojnë dyshime të arsyeshme se kush janë këto bashkëpunëtorë të jashtëm dhe të brendshëm në kohë dhe në hapësirë nga ana e strukturave shtetërore, sikurse kanë arritur të provojnë tej çdo dyshimi të arsyeshëm individualisht disa prej tyre, sikurse nuk kanë arritur që të provojnë tej çdo dyshimi të arsyeshëm për disa prej tyre si bashkëpunëtorë të jashtëm apo të brendshëm të grupit të strukturuar kriminal dhe se nga ana tjetër sikurse nga hetimet tregohet se nuk janë identifikuar persona të tjerë bashkëpunëtorë të jashtëm dhe të brendshëm të grupit të strukturuar kriminal Habilaj në periudhën 2012 – 2017.
  3. Fillimisht Gjykata sjell në vëmendje se është e paprovuar dhe i pambështetur në të dhënat e fashikullit të gjykimit konkluzioni se grupi i strukturuar kriminal Habilaj është krijuar pasi ka marrë detyrën e Ministrit i Punëve të Brendshme, i pandehuri z. Saimir Tahiri. Këtë fakt e provojnë materialet provuese të marra me letërporosi nga autoritetet e drejtësisë italiane, konkretisht përgjimet e përftuara ndaj të bashkëtëproceduarve z. Erson Zhurka dhe z. Moisi Habilaj që prej vitit 2012. I pandehuri z. Saimir Tahiri e ka nisur detyrën me datë 11.09.2013, fakt ky që tregon se grupi i strukturuar kriminal Habilaj ka ekzistuar para se i pandehuri të merrte dhe të fillonte ushtrimin e detyrës publike. Kjo do të thotë se nuk ka lidhje shkakësore, sipas nenit 13 të Kodit Penal, marrja dhe ushtrimi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme nga i pandehuri me faktin e krijimit të grupit të strukturuar kriminal Habilaj.
  4. Më tej, nga vlerësimi në tërësi dhe sipas nenit 152 të Kodit të Procedurës Penale i provave të administruara në fashikullin e gjykimit, Gjykata ka arritur në konkluzionin se veprimtaria kriminale e lëndëve narkotike e finalizuar me episodin “Augusta” me datë 25.10.2013, domethënë 44 ditë pasi i pandehuri z. Saimir Tahiri kishte marrë detyrën e Ministrit të Punëve të Brendshme, ka nisur para se i pandehuri të merrte detyrën. Gjykata mban parasysh faktin se të dhënat provuese të sigurta, të përputhshme dhe të paekuivokta të përftuara nga fashikulli i gjykimit dhe që përsëriten nën të njëjtin mekanizëm kriminal çdo vit të hapësirës kohore të faktit historik objekt akuze, konkretisht 2013 – 2017, tregojnë tej çdo dyshimi të arsyeshëm se dy grupet kriminale të organizuara, që kanë ekzistuar atëbotë në Qarkun e Vlorës dhe operonin në veprimtarinë kriminale të lëndëve narkotike ndiqnin këtë rend kronologjik zhvillimi:
  • fillimisht siguronin sipërfaqet e tokës ku do të kultivohej lënda narkotike;
  • më tej investohej në sigurimin e lëndës së parë dhe në krijimin e infrastrukturës që garantonte kultivimin;
  • gjithashtu siguroheshin shërbimet e bashkëpunëtorëve që në krye të herës së veprimtarisë kriminale apo gjatë realizimit të saj;
  • më tej kujdeseshin që të garantonin mbrojtjen shtetërore nga kontrollet policore apo imunitet nga veprimtaria e ligjshme shtetërore, qoftë për zbulimin dhe shkatërrimin e lëndës apo identifikimin dhe realizimin i ndjekjes penale kundër autorëve përgjegjës;
  • më tej lënda narkotike korrej, përpunohej, thahej dhe paketohej;
  • më tej transportohej në brigjet e hapësirës detare në Qarkut Vlorë dhe me mjete lundruese të ndryshme, nga gomonet e deri tek peshkarexhat, lënda narkotike, duke e eksportuar atë në brigjet dhe territorin e Republikës së Italisë, shtet në të cilin u shitej grupeve të tjera kriminale të atij vendi.
  1. Nga e gjithë kjo narrativë faktesh e sjellë në vëmendje më lart, Gjykata konkludon se objektivisht është e pamundur që e gjithë kjo veprimtari kriminale e episodit “Augusta” të datës 25.10.2013 është kryer në harkun kohor të 44 ditëve të ushtrimit të detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme atëbotë, konkretisht prej të pandehurit z. Saimir Tahiri. Kjo do të thotë se veprimtaria kriminale e lëndëve narkotike e grupit të strukturuar kriminal Habilaj, e finalizuar me episodin “Augusta”, provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ka nisur para se të merrte detyrën shtetërore i pandehuri z. Saimir Tahiri. Këto fakte tregojnë se nuk është i vërtetë konkluzioni se grupi i strukturuar kriminal Habilaj është krijuar nga mbështetja e të pandehurit z. Saimir Tahiri në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme, pasi ky formacion kriminal i strukturuar ka ekzistuar më parë dhe se gjurmët më të hershme të tij datohen nga fashikulli i gjykimit në vitin 2012. Sigurisht që anëtarësia ka ndryshuar ndër vite, sikurse edhe provat e dokumentojnë por se Gjykata konkludon se fillesat e ekzistencës së tij datojnë më para se periudha historike e faktit penal objekt akuze.
  2. Mbi origjinën e fillimit të aktivitetit kriminal të lëndëve narkotike të finalizuar me trafikimin në episodin “Augusta” datë 25.10.2013 ka disa të dhëna nga materiali i fashikullit të gjykimit nga të cilat mundet të konkludohet me përafërsi. Rezulton se, si nga informacionet operative të agjencive ligjzbatuese drejtuar në mënyrë të përsëritur Drejtorisë së Policisë Vendore të Qarkut Vlorë, si nga referimi i policisë gjyqësore i veprës penale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda me datë 08.06.2016 dhe si nga të dhënat e provuara nga vendimi gjyqësor i formës së prerë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me të cilin janë dënuar pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal Haxhiraj, rezulton se lënda narkotike e kultivuar me qëllimet e trafikimit ishte me cikël të shkurtër dhe katër mujor rritje, e llojit “Spunk”. Në vlerësimin e Gjykatës këto të dhëna të provuara çojnë në konkluzionin se minimalisht aktiviteti kriminal i grupit të strukturuar kriminal Habilaj ka nisur katër muaj më parë se momenti i ekzekutimit të episodit “Augusta”. Maksimalisht, normalisht dhe logjikshëm arrihet në konkluzionin se ky aktivitet kriminal ka nisur që në pranverën e vitit 2013, periudhë të cilën nis aktiviteti kriminal i kultivimit të lëndëve narkotike.
  3. Nga ana tjetër Gjykata konstaton nga fashikulli i gjykimit se para episodit “Augusta” ka vetëm dy elementë provues në dosje që tregojnë lidhjen ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe grupit të strukturuar kriminal Habilaj. Së pari, është lidhja e gjakut, fakt i cili ka ekzistuar që në momentin e lindjes së të pandehurit dhe se si i tillë është i pafuqishëm të shpjegojë suksesin kriminal të grupit të strukturuar në Shqipëri. Së dyti, është përgjimi i bisedës telefonike me datë 06.10.2013, 19 ditë para episodit “Augusta”, ku të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj flasim për takimin e këtij të fundit me “shefin e madh”. Sigurisht që Gjykata vlerëson se nga konteksti i të gjithë provave që hedhin dritë mbi zhvillimin e faktit historik penal në kohë dhe në hapësirë ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se “shefi i madh”, si lidhja më e rëndësishme e dokumentuar me pushtetin shtetëror e vëllezërve Habilaj ishte pikërisht ajo me Ministrin e Punëve të Brendshme. Por neni 30 i Kushtetutës, neni 6 i KEDNJ dhe neni 4 i Kodit të Procedurës Penale kërkojnë që fajësia e të pandehurit të konkludohet jo nga ekzistenca e dyshimeve të arsyeshme por nga mungesa e tyre mbi vërtetësinë e faktit.
  4. Gjykata vlerëson se, duke pasur parasysh sa u tha më lart mbi fillesat e aktivitetit kriminal në përgjithësi të këtij grupi të strukturuar dhe fillesat në veçanti të aktivitetit kriminal të lëndës narkotike të finalizuar në episodin “Augusta”, duke pasur parasysh gjithashtu edhe kontekstin e bisedës së përgjuar e cila përmban të dhëna për aktivitetin e lojërave të faktit, konkludon se, edhe sikur takimi të ketë ndodhur realisht me të pandehurin z. Saimir Tahiri nuk mundet të provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ai përmes kësaj prove provohet të jetë bashkëpunëtor në veprimtarinë kriminale të kryer nga grupi Habilaj.
  5. Nga ana tjetër, Gjykata nuk krijon dot bindjen e brendshme tej do dyshimi të arsyeshëm, qoftë duke e lexuar mesazhin e kësaj prove në lidhje me provat që do të analizohen më poshtë dhe që janë formësuar në mënyrë natyrale më vonë, se “shefi i madh” i takuar nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Florian Habilaj është i pandehuri z. Saimir Tahiri dhe se nëse takimi është realizuar për qëllimin e rakordimit të veprimeve apo mosveprimeve të funksionarëve shtetërorë të nevojshme dhe të domosdoshme për të përgatitur kushtet për ekzekutimin e episodit kriminal “Augusta”.
  6. Gjykata sjell në vëmendje se në mënyrë të vazhdueshme dhe për çdo vit të shtrirjes së faktit penal historik objekt akuze provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se grupi i strukturuar kriminal Habilaj e zhvillonte aktivitetin kriminal të lëndëve narkotike që nga kultivimi dhe trafikimi nën mbështetjen e bashkëpunëtorëve të brendshëm dhe të jashtëm, nëpunës shtetërorë, kryesisht të policisë vendore por edhe nëpunës të strukturave të tjera shtetërore, të identifikuar apo jo nga materiali provues që ka fashikulli i gjykimit. Në Vendimin e Gjykatës së Katanias së Republikës së Italisë datë 12.10.2017 pasqyrohet ndër të tjera fakti se nga hetimet e kryera ka rezultuar se veprimtaria kriminale e organizatës së kryesuar nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj ka qenë në zhvillim të plotë gjatë periudhës 2013 – 2017 dhe se vazhdonte të ishte ende “e pashqetësuar” në trafikimin e lëndës narkotike. Në këtë vendim pasqyrohet ndër të tjera fakti se kjo organizatë kriminale vazhdonte të kryente trafikime të lëndës narkotike edhe në episode të tjera të pa identifikuara dhe se, pavarësisht vëzhgimeve dhe ndjekjes së vazhdueshme nga policia gjyqësore, ndërprerja e përgjimeve së bashku me ndërrimin e vazhdueshëm të automjeteve nga shqiptarët, pamundësonte për autoritetet e ndjekjes penale italiane të përcaktohej se kur dhe ku do të vinte lënda narkotike e trafikuar nga Shqipëria në Itali.
  7. Rezulton se, nga përgjimet ambientale të kryera nga autoritetet italiane, i pandehuri në porocedim të lidhur z. Moisi Habilaj, bashkëpunëtorët e tij dhe persona të tjerë, shpesh flisnin hapur se, në veprimtarinë e tyre, ata lejoheshin apo ndihmoheshin edhe nga pjesëtarë të caktuar të strukturave të policisë së shtetit në Shqipëri. Gjithashtu Gjykata sjell në vëmendje se në biseda ata shpesh i referoheshin pagesave që bënin në këtë drejtim për "shtetin", biseda në të cilat ato përmendnin edhe punonjës të caktuar dhe funksionarë shtetërorë si bashkëpunëtorë ndihmës së tyre. Në disa raste në këto biseda flitet edhe për informacione konkrete të marra nga punonjës policie.
  8. Si provë që vërteton faktet e konkluduar më lart duhet të sillet në vëmendje përgjimi ambiental i datës 20.11.2013, ku në automjet dhe bashkëbisedues janë bashkëpunëtorët i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Sebansiano Greco. Gjatë bisedës i pandeuri z. Moisi Habilaj i thotë z. Sebastiano Greco ndër të tjera se policia shqiptare është e korruptuar dhe, duke bërë edhe ironi dhe shaka, i shprehet se madje ndonjëherë të ndihmon edhe vetë shefi i policisë të ngarkosh thasët me lëndë narkotike.
  9. Më tej duhet të sillet në vëmendje përgjimi ambiental i realizuar nga autoritetet italiane me datë 09.01.2014 ndërmjet të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Enea Sulaj.  Ky i fundit i thotë ndër të tjera të pandehurit z. Moisi Habilaj se këta të shtetit e bëjnë llogarinë me 10.000 Euro për kilogramë dhe ndër të tjera edhe ai i përgjigjet për shumat e parave që “shteti” duhet të marrë në mënyrë që të jenë të kënaqur.
  10. Në përgjimin e datës 13.01.2014 është përftuar ndër të tjera një e dhënë për një pagesë të realizuar nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj lidhur me mundësimin e realizimit të veprimtarisë së trafikimit të lëndës narkotike. Biseda është zhvilluar ndërmjet z. Enea Sulaj dhe një personi të paidentifikuar. Z. Enea Sulaj, ndërkohë që po fliste për pagesat që z. Moisi Habilaj kishte bërë për ‘‘shtetin’’, i thotë ndër të tjera se ‘‘Sokoli që i mori paratë...’’. Nga konteksti i zhvillimit të marrëdhënies ndërmjet grupit të strukturuar kriminal Habilaj rezulton se i vetmi funksionarë shtetëror bashkëpunëtor i tyre me këtë emër është i pandehuri në procedim të lidhur z. Sokol Bode.
  11. Më tej duhet të sillet në vëmendje edhe përgjimi ambiental i realizuar nga autoritetet italiane me datë 26.02.2014 ndërmjet të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe të të pandehurit në procedim të lidhur z. Sabaudin Çela. Ndër të tjera, në mënyrë të përsëritur, z. Sabaudin çela i shprehet i shqetësuar z. Moisi Habilaj për mosmarrjen e pagesave nga shitja e lëndës narkotike përmes të cilave do të shlyenin detyrimet që i kishin  “shtetit”.
  12. Më tej në kohë duhet të sillet në vëmendje biseda e përgjuar ambientalisht ndërmjet z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çela me datë 03.03.2014. Ato janë të shqetësuar për të shlyer detyrimet që kanë krijuar dhe akumuluar nga aktiviteti kriminal dhe nga që nuk kanë marrë pagesat e parave që rrjedhin prej saj dhe shqetësohen të dy për pjesën e pashlyer të “shtetit”, e cila sipas tyre i vret. Nga biseda ndërmjet tyre e kryer pak më vonë dhe në të njëjtën datë, sërish e përgjuar ambientalisht nga autoritetet italiane, të dy bëjnë llogari detyrimet që u kanë të tretëve nga zhvillimi i aktivitetit kriminal dhe se bien dakord që duhet të ndahet mënjanë pjesa e “shtetit”.
  13. Ndërkohë përgjimet ambientale të realizuara me datë 06.05.2015 në bordin e peshkarexhës “Fatima”, qoftë për bashkëpunëtorët italianë dhe ato shqiptarë në aktivitetin kriminal, është prova më e rëndësishme nga ku kuptohen përmasat dhe se si është shtrirë dhe sofistikuar me kalimin e kohës veprimtaria e grupit të strukturuar kriminal Habilaj. Ky përgjim shpjegon të gjithë mekanizmin e ekzekutimit të episodit “Fatima” të trafikimit të lëndës narkotike nga Shqipëria në Itali me peshkarexhë. Personat që komunikojnë janë z. Rosario Guliano, z. Giuseppe Greco dhe më tej edhe i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj. Me t’u takuar bashkëpunëtorët italianë me bashkëpunëtorët shqiptarë, z. Moisi Habilaj i tregon atyre se duhet të furnizohen me karburant dhe të ngarkojnë dhe lëndën narkotike, duke i qetësuar se këtu, domethënë në Shqipëri, nuk duhet të shqetësohen, pasi të gjithë “janë tanët”, duke i u përgjigjur sakaq shqetësimit të shtetasve italianë mbi ndjekjen e mundshme të policisë për gjithçka ato po bënin dhe se duke i thënë atyre se aty ishin si në shtëpinë e vet. Megjithatë duhet të sillet në vëmendje se i pandehuri z. Moisi Habilaj i tregon shtetasve italianë edhe se si të veprojnë për siguri nëse do të dalë dikush nga “shteti” që t’u prishë punë. Nga të dhënat e përgjimit ambiental rezulton të kenë qenë katër shqiptarë në këtë vendngjarje, z. Moisi Habilaj, z. Sabaudin Çela dhe dy të ashtuquajtur nga z. Moisi Habilaj si “nipa” të tij, ku njëri prej tyre është bashkëpandehuri z. Florian Habilaj, të cilit i thërrasin “Lolo” dhe tjetri ka mbetur për hetimin i paidentifikuar.
  14. Ndër të tjera z. Moisi Habilaj u sjell në vëmendje atyre se ka marrë dijeni, nga një “shoku i shokut tonë”, se kanë hyrë gabimisht, rrugës kur po mbërrinin në Shqipëri, një milje në ujrat territorial të Republikës së Greqisë. I pandehuri z. Moisi Habilaj i tregon shtetasve italianë se e ka marrë në telefon dhe i ka treguar mbi këtë fakt nga një punonjës në Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare[144] dhe se pikërisht ky punonjës e ka justifikuar me gënjeshtra këtë ngjarje, me sa kuptohet përballë atyre ndaj të cilëve duhet të raportojë. Hetimet e prokurorisë nuk e kanë identifikuar këtë person dhe se rezulton se ai është një ndër bashkëpunëtorët e grupit të strukturuar kriminal Habilaj, i cili si kontribut për ushtrimin e veprimtarisë kriminale ka pikërisht vënien në dispozicion të veprimtarisë së grupit të funksionit të tij publik dhe shtetëror. Ky fakt tregon inkorporimin e grupit të strukturuar kriminal Habilaj edhe në sektorë strategjik të sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe vënien në dispozicion të këtij funksioni shtetëror për të realizuar veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike formacioni kriminal i kryesuar nga z. Moisi Habilaj.
  15. Më tej në vijimin e përgjimit ambiental rezulton se i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj i komunikon shtetasve italianë se e ka marrë në telefon një punonjës policie dhe i ka thënë që në ikje të mos i afrohen ujërave territoriale të Republikës së Greqisë, duke i qetësuar ato se në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë nuk i ndalon njeri dhe njëkohësisht duke u shpjeguar atyre mënyrën se si do të dalin nga ujërat territoriale shqiptare për në drejtim të Italisë.
  16. Në këto momente, nga hetimet e Prokurorisë për Krimet e Rënda, ka rezultuar se është dokumentuar hyrja në ujërat territoriale shqiptare të një mjeti lundrues të dyshimtë pikërisht nga ujërat territoriale greke. Rezulton se mjeti lundrues “Fatima” është sinjalizuar nga operatori i sistemit SIHVD në QNOD Durrës dhe sakaq i është përcjellë për verifikim Stacionit të Policisë Kufitare në Dhërmi. Duhet të sillet në vëmendje se Shef i këtij organi vendor ishte i pandehuri në procedimin e lidhur z. Sokol Bode. Rezulton se në zbatim të këtij referimi zyrtar ka verifikimin në vend e ka bërë mjeti lundrues i Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi i individualizuar BP-06. Ky i fundit provohet të ketë pasur në bord dy funksionarë shtetërorë dhe se qëllimisht nuk kanë verifikuar mjetin lundrues të sinjalizuar nga QNOD, konkretisht peshkarexhën “Fatima” e cila në bord kishte trafikantët bashkëpunëtorë të grupit të strukturuar kriminal Habilaj por ka verifikuar peshkarexhën “Rozeta 1” me kapiten z. Besnik Pilinxhi. Pikërisht në këtë kohë është raportuar nga QNOD se radari në ishullin e Sazanit kishte dalë jashtë funksionit.
  17. Kështu, me procesverbalin e këqyrjes dhe marrjes se provës dokument datë 09.05.2018, është këqyrur regjistri “Dhërmi Libër Ditar Lundrimi ML BP-06”, që mbahet pranë Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, në të cilin ka rezultuar shënimi i bërë në regjistër me datë 06.05.2015, ora 01:10, i njoftimit të marrë nga QNOD, për një mjet që ndodhej katër milje përballë Palermos, me lëvizje drejt saj Palermos dhe më tej me shënimin në orën 0l:30, se pas verifikimit të kryer mjeti lundrues rezultoi "Fluga Rozeta", e cila u kthye në Palermo. Gjithashtu, me procesverbalin e këqyrjes dhe marrjes së provës dokument datë 09.05.2018, është këqyrur regjistri "126/2015 Libër Raportime Situatë Operative DRKM Vlorë", i mbajtur në Postën Kufitare Dhërmi. Në këtë dokument ka rezultuar shënimet e më poshtme në datën 06.05.2015:
  • Ora 01:07: Njofton Q.N.O.D se po afrohet një objekt dhe po lëviz me shpejtësi 8-9 milje përballë Himarës. Po dërgojmë BP-06, e cila ndodhet në Jalë në patrullim, si dhe komunikova me Semolanes, i cili është BP-24 në zonën përballë Borshit;
  • Ora 01:15: Njofton Q.N.O.D se Radarit i Sazanit doli jashtë funksionit;
  • Ora 01:35: Raporton BP-06 se objekti që dha Q.N.O.D është peshkarexha Rozeta- l, po kthehet për në Palermo, s'ka probleme. BP-06 po vazhdon patrullimin sipas detyrës së marrë nga Shefi i Stacionit Dhërmi.
  1. Rezulton se i pandehuri në procedimin penal të lidhur z. Sokol Bode, në funksionin e Shefit te Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi, ka qenë në shërbim pikërisht ditën kur u ngarkua lënda narkotike në peshkarexhën “Fatima”, në funksion të ekzekutimit pikërisht të këtij episodi të trafikimit të lëndës narkotike nga Shqipëria në Itali. Me procesverbalin e këqyrjes datë 09.05.2018 është këqyrur regjistri “26/2015 Dhërmi, Libri Planizimit të Shërbimit SPK Dhërmi”. Nga të dhënat e përftuara nga këqyrja rezulton se i pandehuri në procedim të lidhur z. Sokol Bode ka qenë i planëzuar në shërbim nga ora 08:00 e datës 05.05.2015 deri në orën 08:00 të datës 06.05.2015. Sipas shënimeve të mësipërme, mjeti lundrues i policisë kufitare BP-06 ka patrulluar sipas detyrës së marrë nga Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi, konkretisht nga i pandehuri në procedimin penal të lidhur z. Sokol Bode.
  2. Nga këqyrja konstatohet se ardhja e peshkarexhës “Fatima” nuk figuron në asnjë regjistër të mbajtur pranë Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi apo të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, me gjithë faktin se ajo atë natë ankoroi edhe në molin e Porto Palermos për rreth 3 orë, i konfirmuar ky fakt edhe nga koordinatat gjeografike të sipërcituara. Gjithashtu janë konfirmuar zyrtarisht nga QNOD Durrës lëvizjet e mjeteve detare në tërësi në datat 5-6 maj 2015, jepen gjithashtu të dhëna për veprimet e kryera për verifikimin e mjetit lundrues të dyshimtë që vinte nga ujërat territoriale të shtetit grek dhe rezultatet e verifikimit nga mjeti lundrues i policisë kufitare shqiptare BP-06. Në këtë shkresë përmendet mes të tjerave se në orën 0l:30, të datës 06.05.2015, mjeti lundrues BP-06 ka kontaktuar mjetin e dyshimtë dhe rezultoi se ishte peshkarexha “Rozeta”. Në raportet e kësaj date, të mbajtura në QNOD Durrës nuk ka asnjë të dhënë për peshkarexhën “Fatima”. Jepen gjithashtu edhe emrat e personelit që ka qenë me shërbim në këto data.
  3. Duhet evidentuar se ka mospërputhje edhe në veprimet e QNOD në lidhje me këtë rast. Prej saj është raportuar fillimisht lëvizja e një mjeti lundrues në ardhje drejt brigjeve shqiptare por më pas nuk është raportuar dhe as regjistruar lëvizja e ndonjë mjeti lundrues në ikje nga brigjet shqiptare. Pavarësisht se BP-06 e kishte informuar se mjeti lundrues ishte peshkarexha “Rozeta”, lëvizja e një mjeti lundrues në ikje nga brigjet shqiptare drejtë Italisë apo Greqisë, lëvizje që në të vërtetë nuk kishte aspak lidhje me intenerarin e peshkarexhës “Rozeta”, duhej të ishte regjistruar detyrimisht dhe gjithashtu të ishte sinjalizuar nga QNOD Durrës tek Stacioni i Policisë Kufitare Dhërmi.
  4. Për sa i përket peshkarexhës “Rozeta 1”, rezulton e provuar se ajo ka qenë në det për peshkim në datat 5 - 6 maj 2015. Sipas procesverbalit datë 02.05.2018 për këqyrjen dhe marrjen e dokumenteve "Libër H-D të Mjeteve Shqiptare PKK Himarë", mbajtur nga ana e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi, rezultojnë shënimet për lëvizjen e mjetit lundrues “Rozeta”, me pronar z. Besnik Pilinxhi, koha e daljes për gjueti, konkretisht datë 05.05.2015, ora 03:50, koha e kthimit, konkretisht datë 06.05.2015, ora 18:30. Ky fakt rezulton të ketë shërbyer për regjistrimet e bëra në ditarin e lundrimit të mjetit lundrues BP-06 nga ana e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi. Duhet të sillet në vëmendje se ekzistenca e këtij mjeti në pranë vendit ku po ekzekutohej trafikimi i lëndës narkotike të peshkarexhës “Fatima” konfirmohet edhe nga të dhënat e përgjimit ambiental të autoriteteve italiane, ku ndër të tjera shtetasi italian z. Rosario Giuliano i komunikon në frikë e sipër një mjet tjetër lundrues, me ankthin se mos është mjet i policisë, dhe se ndërkohë i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj e qetëson duke i thënë që të mos shqetësohej sepse janë si në shtëpinë e tyre, duke i treguar edhe bisedën që kishte bërë ndërkohë me policin dhe komunikimin e tij me QNOD.
  5. Ndërkohë nga hetimet ka rezultuar se në dëshminë e datës 16.05.2018 z. Besnik Pilinxhi, kapiteni peshkatar i peshkarexhës së kontrolluar qëllimisht gabim nga ana e Stacionit të Policisë Dhërmi, rezulton se prej vitit 2011 ushtron aktivitetin e peshkimit në zonën e Himarës deri në Sazan me një anije me emrin “Rozeta”. Ai ka deklaruar se nuk e mban mend datën e saktë por tregon se i janë bërë disa herë kontrolle gjatë shërbimit në det nga ana policisë dhe ushtrisë. Ai ka dëshmuar ndër të tjera se: “...Me sa kujtoj unë një rast, që përkon përafërsisht me muajin maj të vitit 2015, më është bërë një kontroll fizik i anijes time në det nga ana e skafit të policisë Himarë, ku në anije për kontroll kanë qenë dy punonjës policie por që nuk i mbaj mend se kush janë dhe as emrat e tyre. Në kohën kur më është bërë kontrolli, mund të kem qenë 5-6 milje në det, në kërkim të grepave, afërsisht kam ndjekur vijën nga Porto Palermo në Dhërmi... Pas kontrollit, punonjësit e policisë raportuan kolegët e tyre, duke roportuar që u kontrollua peshkarexha ime dhe nuk kishte asnjë problem. Unë i pyeta pse më kontrolluan. Ato më thanë se ishte një kontroll fizik, pa më sqaruar më tepër...dhe më pas ato më kanë lënë që të ushtroja aktivitetin...”.
  6. Gjykata konstaton, njëlloj sikurse gjykata e shkallës së parë, se mosfunksionimi i radarit të ishullit të Sazanit në momentin e ngjarjes nuk rezulton nga aktet e fashikullit që të jetë një rrethanë e hetuar plotësisht dhe se nuk kanë dalë përgjegjësit përkatës. Nuk rezulton që hetimet të kenë individualizuar punonjësit e QNOD që kanë komunikuar me Stacionin e Policisë Kufitare Dhërmi, pasi në këto rrethana rezulton se provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se qëllimisht është caktuar nga bashkëpunëtorët shqiptarë dhe italian të grupit të strukturuar kriminal Habilaj data në të cilën në orën e mëngjesit ka qenë i planëzuar në shërbim i pandehuri në procedimin e lidhur z. Sokol Bode. Ai, sikurse ka rezultuar e provuar në analizën e mësipërme të fakteve, se është një ndër bashkëpunëtorët e brendshëm të grupit të strukturuar kriminal Haxhiraj, përmes hetimit të Prokurorisë për Krimet e Rënda të rrethanave të rezultuara më lart del tej çdo dyshimi të arsyeshëm i provuar fakti se është bashkëpunëtor i brendshëm dhe pjesëtar i grupit të strukturuar kriminal Habilaj, i cili ka si kontribut në veprimtarinë kriminale pikërisht vendosjen në funksion të saj të detyrës shtetërore që ushtronte në këtë periudhë.
  7. Nga ana tjetër del se grupi i strukturuar kriminal, veç kontributit të të pandehurit z. Sokol Bode, ka pasur bashkëpunimin e brendshëm apo të jashtëm edhe të një apo disa punonjësve të QNOD Durrës, i cili apo të cilët rakordonin referimet dhe plotësimet e regjistrave për gjurmët e trajektoreve të ardhjes dhe largimit të mjeteve lundruese në atë mënyrë që të mos dokumentoheshin gjurmët e kryerjes së aktivitetit kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike. Nga këto të dhëna të dosjes rezulton se është pikërisht ky punonjës që komunikonte vazhdimisht me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe se është ai që kishte bashkëpunim me punonjësin apo punonjësit e QNOD Durrës, duke përcjellë informacionet në kohë reale për trafikantët e lëndës narkotike. Të gjitha këto veprime të këtyre bashkëpunëtorëve të grupit të strukturuar kriminal janë bërë edhe përmes konsumimit formalisht të veprave penale të tjera, sikur se është falsifikimi i dokumenteve shtetërorë nga punonjësit që kanë detyrë t’i hartojnë dhe t’i administrojnë, sipas nenit 25 të Kodit Penal.
  8. Gjithashtu të pahetuar nga ana e prokurorisë rezulton të jenë edhe dy punonjësit e policisë që kanë ushtruar kontroll tek peshkarexha “Rozeta”, në kushtet kur pranë tyre ka qenë edhe mjeti lundrues “Fatima”, që po kryente veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike nga grupi i strukturuar kriminal. Mënyra se si ato e kanë zbatuar urdhrin e titullarit të tyre, tërësisht në mënyrë formale dhe të qëllimshme, tregon të dhëna të cilat duhet të zbardheshin lidhur me implikimin e mundshëm të tyre në këtë ngjarje, qoftë edhe si bashkëpunëtorë të jashtëm. Ndërkohë trafikantët e grupit të strukturuar kriminal e kanë parë të gjithë këtë ngjarje të ndodhë dhe se kanë pasur siguri se asgjë nuk do të shkaktonte cenimin e mbarëvajtjes së veprimtarisë së tyre kriminale. Peshkarexha e ngarkuar me armë zjarri automatike dhe me 880 kilogramë lëndë narkotike është larguar e pashqetësuar nga ujrat territoriale shqiptare dhe funksionarët vendorë të policisë dhe qendrore të paidentifikuar kanë bërë të mundur që kjo të ndodhë.
  9. Nga këto të dhëna konkludohet se grupi i strukturuar Habilaj përgjatë gjithë kësaj periudhe kishte lidhjet e duhura shtetërore në mënyrë që të garantohej mbarëvajtja e procesit të kultivimit të lëndëve narkotike, përgatitja e tyre për trafikim dhe realizimi i operacioneve kriminale të trafikimit nëpërmjet hapësirës detare nga Republika e Shqipërisë deri në Republikën e Italisë. Në këtë proces kriminal formacioni i strukturuar kishte në dispozicion shërbimet e policisë vendore, kufitare dhe shërbimet shtetërore të mbikëqyrjes së hapësirës detare me qendër në Durrës.     
  10. Rezulton se gjatë hetimit paraprak, nga Prokuroria për Krime të Rënda është kërkuar që të nxirret gjurma detare e peshkarexhës “Fatima” me datë 5 - 6 të vitit 2015. Me shkresën nr. l85 prot., datë 03.05.2018 të Komandës së Forcës Detare, prokuroria është informuar se është i pamundur kthimi i gjurmës detare në lidhje me mjetin detar “Fatima” për datën 06.05.2015, pasi "soft"-i i Menaxhimit të Situatës Detare, që është përdorur për monitorimin e situatës detare në Sistemin e Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare (shkurt "SIVHD") në periudhën në fjalë është jashtë funksionit sepse kishte pësuar defekt që prej datës 05.07.2015.
  11. Nga aktet bashkëngjitur shkresës nr. 2511 prot., datë 04.05.2018, të QNOD Durrës vihen re mjaft probleme teknike në funksionimin e mjeteve monitoruese në këtë autoritet shumë-institucional. Konkretisht në dokumentin me nr. l26 prot., datë 06.05.2015 të QNOD, me titull “Raport mbi veprimtarinë 24-orëshe në QNOD prej orës 08:00 datë 05/05/2015 deri në orën 08:00, datë 06/05/2015” është pasqyruar se:

Shënime të Drejtorit Administrativ, Sistemet e Monitorimit SIVHD; ora l6:45 - 18:30 jashtë funksionit sistemi me Jugun, probleme me luhatjen e tensionit Mikrovala në Zvërnec.

BLUE-BOX

Sistemi BLUE-BOX është jashtë shërbimi nga dt. 06/02/2015. Jemi të informuar se kompanisë "IT Tirana" Shpk, e cila merrej me shërbimin e sistemit si operator i ka mbaruar kontrata. Për këtë arsye BLUE-BOX nuk funksionon.

Sistemet e komunikimit

Tetra

...S Sazan nga ora 03:50 dt. 04/05/2015 nuk punon, ka probleme furnizimi me energji elektrike...

VHF Sailor

Komunikim vetëm me Rojën Bregdetare.

...Blu

MC jashtë funksionit, ka probleme me ushqyesin.

  1. Vënia në dukje e këtyre fakteve mbi problematikën teknike të radarëve në ishullin e Sazanit dhe aftësinë e QNOD në këto kushte për të kontrolluar hapësirën detare të Republikës së Shqipërisë në jugun e vendit lidhet drejtpërdrejt me vlerësimin e faktit se sa ishte e mundur teknikisht që të ndërpritej në momente të caktuara funksionimi i radarëve, qoftë edhe nëpërmjet thjeshtë ndërprerjes apo shkëputjes së energjisë elektrike në një interval të caktuar kohor.
  2. Gjykata sjell në vëmendje se planet për të përdorur peshkarexha për të transportuar lëndën narkotike nga Shqipëria në Itali nuk ishin të reja për grupin e strukturuar kriminal të kryesuar nga i pandehuri në procedimin penal të lidhur z. Moisi Habilaj. Në një bisedë të mëparshme përmendet kjo mënyrë transportimi e lëndës narkotike për trafikimin e saj si dhe fakti se për të shmangur pikasjen anijet i fiknin sinjalizuesit e pozicionimit të tyre në hapësirën detare, konkretisht radarët apo transponderat me të cilat ato janë të pajisura. Ndihma e dhënë për gjetjen e peshkarexhave për t'i përdorur për transport narkotikësh është pranuar edhe nga shtetasi italian z. Antonino Riela, bashkëpunëtori kryesor italian i grupit të strukturuar kriminal Habilaj. I pyetur nga autoritetet gjyqësore italiane ai e ka shpjeguar këtë fakt. Ndërkohë ky fakt rezulton edhe nga përgjimi ambiental datë 02.10.2014 ndërmjet të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Armando Sulaj shpjegohet si fakt pikërisht çështja e trafikimit të lëndës narkotike përmes anijeve peshakrexha dhe fikjes së radarëve apo transponderave të anijes me qëllim që të mos gjurmohen, duke e paraqitur këtë fakt si një siguri më shumë në kryerjen e këtij aktiviteti kriminal.
  3. Ndërkohë në vitin 2016 hetimet e Prokurorisë për Krimet e Rënda kanë evidentuar mënyrën se si është trajtuar nga policia vendore e Vlorës grupi i strukturuar kriminal Habilaj. Kështu me shkresën nr. 484/55, datë 25.05.2016 Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë Publike ka dërguar informacion drejtuar Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë për përfshirjen të vëllezërve Habilaj, konkretisht z. Artan Habilaj, z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj, në aktivitetin e kultivimit të lëndës narkotike “cannabis sattiva”. Në këtë shkresë pasqyrohet se vëllezërit Habilaj kanë investuar për hapjen e tokave në fshatin Vërmik për kultivimin e lëndës narkotike të llojit “Spunk” dhe në mbështetje të këtij aktiviteti kriminal kanë aktivizuar disa persona të armatosur nga lagja Çole, Vlorë.
  4. Dy javë më vonë nga momenti i dërgimit të informacionit operativ, në Planin Operacional nr. 653, datë 09.06.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, nënshkruar me cilësinë e titullarit nga zëvendësdrejtori i policisë Vlorë, është planifikuar të verifikohet informacioni i ardhur në drejtori për kultivimin e bimëve narkotike në fshatin Vërmik, në vendin “Shpati i Cepanit”. Në planin operacional është hartuar planifikimi i një operacioni të fshehtë policor “Cipini” në orët e para të mëngjesit 05:00 – 10:00, duke u urdhëruar mbajtja në vëzhgim të vazhdueshëm të parcelave, duke u ngarkuar tre funksionarë policie, një nënkomisar dhe dy inspektorë.
  5. Me shkresën nr. 605/6 prot., datë 10.06.2016, rreth dy javë nga dërgimi i informacionit të ardhur me shkresë nr. 484/55, datë 25.05.2016 nga Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë Publike pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit Drejtori i Policisë Qarku Vlorë i komunikon Stacionit të Policisë Selenicë faktin se z. Artan Habilaj dhe z. Florian Habilaj, vëllezër ndërmjet tyre, kanë investuar hapjen e tokave të reja në fshatin Vërmik me qëllim kultivimin e bimëve narkotike të llojit “Spunk”, në afërsi të një gremine të quajtur “Shpati i Cipinit” dhe se në funksion të këtij aktiviteti vëllezërit Habilaj kanë aktivizuar disa persona të armatosur nga lagja “Çole” Vlorë. Gjithashtu në vijimin e shkresës jepet informacion i ngjashëm edhe katërmbëdhjetë raste të tjera kultivimi lënde narkotike. Në këtë shkresë është urdhëruar që nga njësia policore të merren masa për verifikimin në terren të informacionit, duke bashkëpunuar me njësitë vendore apo me kryepleqtë e zonës, shërbimet e Drejtorisë së Bujqësisë, Inspektoratin e Mjedisit dhe Pyjeve në Qarkun Vlorë me qëllim dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, duke urdhëruar gjithashtu që të ndiqet në dinamikë informacioni, duke organizuar edhe punën operative gjurmuese dhe duke urdhëruar edhe përgatitjen e raporteve të shërbimit mbi kontrollet e ushtruara në territoret e sipërpërmendura (shih faqen 325 – 327 të Fashikullit nr. XIII).
  6. Me shkresën 672 prot., datë 13.06.2016, domethënë 3 ditë më vonë se shkresa më lart, z. Jaeld Çela me cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë i është drejtuar me të njëjtin informacion Sektorit të Krimeve, me shkresën me lëndë “Kthim përgjigje shkresës nr. 605/6”, duke sjellë në vëmendje se nga kontrollet e datës 09.06.2016, për verifikimin e informacionit të ardhur me shkresën nr. 605/6, datë 10.06.2016, është konstatuar në fshatin Vërmik, Njësia Administrative Brataj, Selenicë, në vendin e quajtur “Shpati i Cipinit”, në anën juglindore të këtij fshati, janë konstatuar 7 parcela të hapura rishtazi në brendësi të pyllit dhe u konstatuan 3150 bimë “cannabis sativa” me gjatësi 20 centimetra dhe se nga ana e tyre janë kryer të gjitha veprimet dokumentare për të paraqitur materialet pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Në këtë shkresë jepet informacioni se për këta persona, duke identifikuar z. Artan Habilaj, z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj, pra të tre vëllezërit Habilaj, ka informacione se merren me veprimtarinë e kultivimit të lëndës narkotike dhe se prej policisë është hartuar plani operacional nr. 653, datë 09.06.2016 i koduar me emrin “Cipini” për identifikimin dhe kapjen e autorëve (shih faqe 328 të Fashikullit nr. XIII).
  7. Më tej në këtë shkresë pasqyrohen pak a shumë të njëjtat të dhëna të verifikuara mbi parcelat e tjera të evidentuara nga shkresa e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Më tej pasqyrohet fakti se nga policia është komunikuar me drejtuesin e prokurorisë dhe po vijohet me dokumentimin e rasteve. Nuk ka informacion të mëtejshëm nga fashikulli i gjykimit për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me verifikimin e këtij informacioni operativ të marrë zyrtarisht apo me zbatimin e këtij plani operacional në drejtim të individëve të referuar si të përfshirë në aktivitet kriminal. Fakt është që grupi i strukturuar kriminal Habilaj ka vijuar aktivitetin kriminal të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike që prej vitit 2012 dhe deri në episodin “Koçerri” me datë 18.10.2017 i pashqetësuar nga forcat e policisë vendore Vlorë për më tepër duke bashkëpunuar me funksionarë policie dhe duke bashkëpunuar edhe me funksionarë të tjerë shtetërorë.
  8. Me shkresën nr. 676 prot., datë 15.06.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, nënshkruar nga z. Jaeld Çela, është përcjellë në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve për vendet ku ishin kultivuar lëndë narkotike. Nuk ka datë që të konfirmojë se kur është marrë ky informacion nga drejtoria vendore Vlorë. Ndër të tjera rezulton të jetë pasqyruar edhe fshati Vernik, konkretisht vendi i quajtur “Shpati i Cipinit”, që më herët ishte përcjellë si informacion nga Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë Publike për angazhimin kriminal në kultivimin e lëndës narkotike nga vëllezërit Habilaj. Më tej në shkresë jepen si vende të kultivimit të narkotikëve fshati Resulaj, Fushë-Mavrovë, Velçë, Mesaplik, Kropishtë, Hysoverdhë, Mazhar, Ploçë, Kudhës-Pilur, Rromës, Mërtiraj. Në shkresë kërkohen masa për verifikimin e informacionit. Nuk ka pasur asnjë të dhënë konkrete të mbledhur nga policia mbi aktivitetin kriminal të dyshuar kundrejt grupit të strukturuar kriminal të kryesuar nga z. Moisi Habilaj, për të identifikuar sakaq individët e përfshirë apo masat hetimore të ndërmarra për gjurmimin, vëzhgimin, përgjimin dhe më tej zbulimin dhe arrestimin e tyre.
  9. Me shkresën nr. 824/2 prot., datë 28.07.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë përcillet në Stacionin e Policisë Selenicë informacioni i ardhur me email me datë 21.07.2016, protokolluar me nr. 836, datë 26.07.2016, që bën fjalë për informacione të ardhura nga institucione të tjera ligjzbatuese, për disa parcela të kultivuara me lëndë narkotike në fshatin Ploçë, Vajzë, Kocul, Vërmik, Rromës, Armen, Kotë, duke u lënë edhe detyrat standarde. Në pikën 8 të kësaj shkrese citohet se: “Shtetasit Genci Tafili, Aldo Tafili, Arian Llano e Aleks Revaj nga Vlora evidentohen si persona të aktivizuar për t’u kujdesur për bimët narkotike të kultovuara nga shtetasi Moisi Habilaj në Kocul dhe Vernik. Lëvizja e tyre për në Vërnik për t’u kujdesur për bimët narkotike, dyshohet se bëhet me roje të armatosur të cilët ruajnë edhe parcelat.
  10. Nuk rezulton në fashikull të ketë masa policore për të verifikuar këtë informacion. Emaili ka ardhur me datë 21.07.2016 dhe është protokolluar në institucion 5 ditë më vonë dhe 7 ditë më vonë i është kërkuar Stacionit të Policisë Selenicë për ta verifikuar. Nuk ka shkresa që të provojnë nëse ka kërkuar më tej Drejtoria e Policisë Qarku Vlorë informacion për verifikimin e këtij informacioni apo jo dhe nuk rezulton se çfarë është bërë për të identifikuar sakaq individët e përfshirë apo masat hetimore të ndërmarra për gjurmimin, vëzhgimin, përgjimin dhe më tej zbulimin dhe arrestimin e tyre.
  11. Rezulton se me shkresën nr. 890/4 prot., datë 12.08.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, domethënë 6 ditë më vonë, përcillet tek Stacioni i Policisë Selenicë informacioni i dërguar me shkresën 484/216 prot., datë 05.08.2016 nga Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë Publike mbi mbjelljen e sipërfaqeve të tokës me lëndë narkotike në Penkovë, Treblovë, Ramicë, Vajzë, Gorisht, Brataj, Mallkeq, Kocul, Vermik, Matogjin, Gjorëm, Kalivac. Në një nga pikat e informacionit rezulton se kjo shkresë mban informacionin si vijon: “Çoban Tozaj dhe Elmas Velaj dyshohen se kanë kultivuar bimë narkotike në fshatrat Mallkeq, Kocul, Vermik e Matogjin. Në funksion të këtij aktiviteti Tozaj dhe Veliaj, kanë krijuar një grup personash të armatosur, ndërsa dyshohet se janë në konflikt me vëllezërit Habilaj për shkak të kultivimit të bimëve narkotike në të njëjtin vend.” (shih Fashikullin Volumi XIV, faqe 86 – 89).
  12. Nuk rezulton të ketë asnjë informacion konkret për të konkluduar nëse është verifikuar apo jo ky rast dhe çfarë masash konkrete janë ndërmarrë për zbulimin e parcelave të grupeve rivale he dokumentimit të të dhënave për identifikimin e autorëve. Nuk rezulton të ketë asnjë plan masash për operacion policor lidhur me zbulimin, ndjekjen apo hetimin e këtij rasti. Nuk ka shkresa që të provojnë nëse ka kërkuar më tej Drejtoria e Policisë Qarku Vlorë informacion për verifikimin e këtij informacioni apo jo dhe nuk rezulton se çfarë është bërë për të identifikuar sakaq individët e përfshirë apo masat hetimore të ndërmarra për gjurmimin, vëzhgimin, përgjimin dhe më tej zbulimin dhe arrestimin e tyre.
  13. Në shkresën nr. 824/6 prot., datë 19.09.2016 të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë pasqyrohet se nga verifikimi në fshatin Kocul me datë 13.09.2016 janë konstatuar 7800 bimë narkotike në 13 parcela me gjatësi deri në 200 centimetra dhe se për shtetasit z. Genci Tafili, z. Aldo Tafili, z. Arian Llano, z. Aleks Revaj dhe z. Moisi Habilaj nuk rezultojnë të dhëna për kultivim bimësh narkotike në këtë vend. Gjykata sjell në vëmendje se ky informacion për inkriminimin e këtyre individëve ka ardhur në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë me emailin e datës 21.07.2016. Kjo do të thotë se është dashur të verifikohej ky informacion operativ nga policia vendore Vlorë për rreth 54 ditë. Më tej pasqyrohet se në Brataj janë gjetur 2 parcela me 1200 bimë narkotike, në Rromës janë gjetur 7 parcela me 4300 bimë me gjatësi 200 centimetra dhe 8000 bimë fidanë në kubikë. Më tej ka të dhëna për zbulimin në Armen të bimëve 2.424 copë me lartëse deri në 180 centimetra. Me datë 20.08.2016 në fshatin Lubonjë janë gjetur 9 parcela me 705 bimë me lartësi deri në 200 centimetra, duke dhënë edhe të dhëna për dy persona konkret të përfshirë. Ky informacion në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë është marrë me shkresën nr. 836 prot., datë 26.07.2016 nga Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë Publike Tiranë. Kjo do të thotë se janë dashur rreth 50 ditë që të konfirmohet informacioni i ardhur për kultivimin e lëndëve narkotike dhe verifikimin e të dhënave mbi përfshirjen e personave në aktivitetin kriminal të kultivimit të lëndëve narkotike. (shih Fashikullin Volumi nr. XIV, faqe 200 – 201).
  14. Përgjimet e vitit 2017 tregojnë sërish të dhëna relevante të bashkëpunimit të policisë së shtetit me grupin e strukturuar kriminal Habilaj në funksion të ushtrimit të veprimtarisë kriminale të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
  15. Nga përgjimet ambientale në automjete me datë 16.01.2017 është përftuar edhe një komunikim ndërmjet punonjëses së policisë znj. Brunilda Alikaj, e cila kishte rezulton të ketë pasur lidhje intime me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, me të dhe me bashkëtëpandehurin e tij në procedimin e lidhur z. Maridian Sulaj. Punonjësja e policisë ndër të tjera i kërkon atyre që të bëjnë shumë kujdes me telefonat dhe mbi të gjitha në Itali. E pyetur më vonë me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale ajo ka deklaruar se nuk kisha asnjë informacion konkret dhe se e thoshte në përgjithësi, pasi nuk kishte asnjë dijeni se me çfarë aktiviteti kriminal merreshin ato të dy.
  16. Në përgjimin ambiental të datës 21.01.2017 të realizuar nga autoritetet italiane të bisedës ndërmjet të pandehurve në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Maridian Sulaj rezulton se flitet për 600 litra benzinë të porositura prej bashkëpunëtorëve italianë për t’ia dhënë skafistëve shqiptarë për udhëtimin e tyre në Shqipëri. Ndër të tjera ato pranojnë se bashkëpunëtorët e tyre italianë kishin kontrollin e territorit në pjesën që do të duhej të realizohej zbarkimi i lëndës narkotike të trafikuar njëlloj sikurse ato e kishin në kontroll territorin në Shqipëri.
  17. Ndërkohë rezulton se i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj dhe grupi i strukturuar kriminal vazhdonin aktivitetin në drejtim të trafikimit të lëndëve narkotik edhe në vitin 2017. Si provë për këtë fakt shërben episodi “Koçerri”, konkretisht me datë 18.10.2017, ku janë sekuestruar të paketuara dhe të gatshme për trafikim sasia prej 3978 kilogramë “cannabis sativa”. Në këtë episod konfirmohet përsëri se aktiviteti kriminal që fillonte me kultivimin, më pas me përpunimin e paketimin, dhe përfundonte me trafikimin e lëndës narkotike “cannabis sativa”, duke ia shitur në Itali të furnizuarve vendas. Në këtë proces kriminal sërish grupi i strukturuar kriminal favorizohej nga punonjës të caktuar të policisë së shtetit.
  18. Duhet të sillet në vëmendje se i pandehuri z. Saimir Tahiri ishte larguar nga detyra e Ministrit të Brendshëm me datë 19.03.2017. Ndërkohë i pandehuri z. Jaeld çela ishte larguar nga detyra e Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë me datë 28.04.2017. Këto fakte tregojnë se akoma grupi i strukturuar kriminal Habilaj vijonte veprimtarinë kriminale me lëndët narkotike, pavarësisht se të dy të pandehurit nuk ishin në detyrat përkatëse shtetërore. Edhe një herë del e qartë dhe tej çdo dyshimi të arsyeshëm se grupi i strukturuar kriminal Habilaj nuk është krijuar dhe nuk ka ekzistuar falë kontributit të ofruar nga bashkëtëpandehurit në këtë proces, sipas nenit 13 të Kodit Penal.
  19. Komunikimet telefonike të të pandehurve në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, z. Florian Habilaj, z. Armand Koçerri, e të tjerë në këtë periudhë ishin në përgjim në kuadër të Procedimit Penal nr. 134 të vitit 2016 të Prokurorisë për Krime të Rënda. Nga përgjimet kanë rezultuar komunikimet e z. Armand Koçerrit dhe z. Moisi Habilaj me punonjës policie,, biseda të realizuara pikërisht për aktivitetin kriminal të lëndës narkotike apo për t'u ruajtur nga kontrollet e strukturave të papërfshira të policisë vendore Vlorë.
  20. Kështu në përgjimin me datë 24.09.2017, konkretisht 24 ditë para episodit kriminal “Koçerri”, i pandehuri në procedim të lidhur z. Armand Koçerri njoftohet nga motra e tij se ka ardhur pranë shtëpisë ku ndodhej lënda narkotike një motor policie.
  21. Ndërkohë në përgjimin me datë 26.09.2017, konkretisht 22 ditë para episodit “Koçerri”, i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj ka telefonuar të pandehurin në procedim të lidhur z. Sokol Bode flasin në mënyrë të koduar për zhvendosjen e një sasie lënde narkotike nga i pandehuri z. Sokol Bode.
  22. Ndërkohë në përgjimin e datës 02.10.2017 rezulton se i pandehuri në procedimin e lidhur z. Armand Koçerri është telefonuar nga motra e tij “Ana”, e cila e njofton sërish për lëvizje automjetesh të dyshuara nga shtëpia e tij ku ndodhej tashmë lënda narkotike, e cila do të zbulohej 16 ditë më vonë. Ndërkohë në një përgjim tjetër menjëherë pas atij ndërmjet të pandehurit në procedim të lidhur dhe motrës së tij, po të datës 02.10.2017, i pandehuri z. Armand Koçerri telefonon një person të paidentifikuar por sipas të gjithë kontekstit të bisedës rezulton se ai është funksionar policie. Kjo telefonatë realizohet pas njoftimit nga motra e tij mbi lëvizjen e automjetit nga shtëpia e tij, duke i kërkuar informacion nëse kishte apo jo forca policie të cilat kanë dalë për të bërë kontrolle në këtë zonë. Ai i tregon se ka qenë një makinë pak më parë dhe se funksionari i policisë e qetëson duke i thënë se janë tanët dhe të mos shqetësohet sepse janë pa dëme dhe se të rrinë pa merak.
  23. Ndërsa bisedat vijuese nuk rezulton që të tregojnë ndonjë veprim konkret në lidhje me lëndët narkotike por, krahas edhe provave të tjera, tregojnë ekzistencën e marrëdhënieve të ngushta mes të pandehurve në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj e z. Florian Habilaj me z. Sokol Boden edhe në periudhën pas transferimit të këtij të fundit nga Stacioni i Policisë Dhërmi, e vendosur kjo me një kontekst më të gjerë të veprimtarisë së tyre në lidhje me lëndët narkotike. Këto biseda miqësore, nga ku ato kanë dakordësuar edhe që të takohen së bashku, janë zhvilluar me datë 15.10.2017 dhe me datë 16.10.2017, konkretisht tre dhe dy ditë para episodit “Koçerri”. Në kuadër të lidhjes së tyre të ngushtë duhet të sillet në vëmendje edhe përgjimi i datës 31.08.2017,  në të cilën i pandehuri në procedimin e lidhur z. Sokol Bode telefonon punonjësen e policisë znj. Brunilda Alikaj dhe komunikojnë lidhur me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj.
  24. Duhet të sillen në vëmendje në këtë drejtim edhe pjesët relevante të dëshmive të punonjësve të policisë vendore Vlorë, të cilët kanë pranuar se e njihnin të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe se e përshëndesnin. Disa prej tyre kanë pranuar se kanë pirë edhe kafe me të. Ndër të tjera edhe punonjësja e policisë znj. Brunilda Alikaj ka dëshmuar se të gjithë punonjësit e policisë në Vlorë i flisnin dhe e përshëndesnin të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj.
  25. Nga kryqëzimet e të dhënave të komunikimeve me telefon në periudhën 2016 – 2017 ka rezultuar se Drejtori i Drejtorisë së Inspektimit të Ministrisë së Brendshme, konkretisht z. Evi Robo, mik i afërt me të pandehurin z. Saimir Tahiri, ka 4 thirrje telefonike dhe 226 mesazhe me të pandehurin në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj. Asnjë prej këtyre komunikimeve nuk ka përmbajtje dhe se nuk rezulton të ketë qenë në përgjim asnjë prej tyre nga ana e prokurorisë. Po ky punonjës i lartë i Ministrisë së Brendshme ka tre komunikime me mesazh dhe një telefonatë me z. Artan Habilaj. Gjithashtu ai ka dy mesazhe dhe dy thirrje telefonike me të pandehurin në procedimin e lidhur z. Florian Habilaj. Nuk rezulton të jetë hetuar ky shtetas dhe nuk rezulton që ai të jetë vënë në përgjim. Gjithashtu nuk rezulton edhe që të jetë pyetur ky shtetas lidhur me lidhjet e vërtetuara me dy të pandehurit në procedimin penal të lidhur ndërkohë që aktiviteti i grupit kriminal vijonte.
  26. Ndërkohë i pandehuri z. Jaeld Çela rezulton të ketë marrë në telefon dhe të ketë komunikuar 37 sekonda me datë 28.01.2016 me të pandehurin të procedim të lidhur z. Florian Habilaj. Ky i fundit i ka dërguar një mesazh të pandehurit z. Jaeld Çela me datë 31.12.2016.
  27. Ndërkohë rezulton se i pandehuri në procedimin e lidhur z. Sokol Bode ka 12 komunikimeve telefonike për periudhën 21.04.2017 – 16.08.2017 me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj. Ato kanë dhe tre komunikime të tjera telefonike në datën 16.12.2016 dhe 19.12.2016. Ato së bashku kanë 113 komunikime të ndërsjellta për periudhën 30.10.2015 – 16.10.2016. Ato kanë 32 komunikime telefonike në periudhën 25.12.2016 – 11.09.2017 dhe 16 komunikime telefonike për periudhën 16.12.2016 – 03.10.2017.
  28. I pandehuri në procedim të lidhur z. Sokol Bode ka 4 komunikime me z. Artan Habilaj me datë 09.03.2017 dhe 08.07.2017. Ato kanë edhe 14 komunikime për periudhën 06.12.2016 – 28.09.2017.
  29. Ndërkohë rezulton se z. Artan Habilaj ka një komunikim me të pandehurin në procedim të lidhur z. Gjergji Kohila me datë 16.07.2016.
  30. Ndërkohë i pandehuri z. Saimir Tahiri ka 673 komunikime pa përmbajtje me të pandehurin z. Jaeld çela për periudhën 2016 – 2017. I pandehuri z. Saimir Tahiri ka një komunikim me të pandehurin në procedim të lidhur z. Gjergji Kohila.
  31. Për sa më sipër u analizuan provat Gjykata vlerëson se grupi i strukturuar kriminal Habilaj ka pasur vazhdimisht dhe gjatë gjithë ekzistencës së tij mbështetje shtetërore nga ana e funksionarëve të caktuar të policisë vendore Vlorë dhe nga ana e funksionarëve të caktuar të QNOD. Këto funksionarë shtetërorë rezulton që një pjesë të jenë të identifikuar dhe disa prej tyre të jenë të pandehur në procedime të lidhura dhe një pjesë prej tyre nuk janë identifikuar, duke mos u ushtruar ndjekja penale. Një pjesë e funksionarëve shtetërorë në vlerësimin e Gjykatës, nga provat e administruara në dosje, paraqiten si bashkëpunëtorë të brendshëm dhe pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal dhe një pjesë tjetër e tyre shfaqen në role episodike, duke mos u provuar anëtarësia e përhershme dhe e qëndrueshme dhe duke u kualifikuar sakaq në bashkëpunëtorë të jashtëm të grupit të strukturuar kriminal.
  32. Sikurse provat e analizuara më lart tregojnë, fundi i grupit të strukturuar kriminal Habilaj është shënjuar në momentin e arrestimit të bashkëpunëtorëve kryesor nga autoritetet italiane të drejtësisë. Ndërkohë episodi i fundit i veprimtarisë kriminale në Vlorë është shënjuar me datë 18.10.2017 në rastin “Koçerri”. Në mënyrë të padyshimtë Gjykata sjell në vëmendje se organet e ndjekjes penale kanë nisur veprimtarinë kundër grupit të strukturuar kriminal Habilaj me datë 29.04.2017, datë kur policia vendore Vlorë ka referuar penalisht ekzistencën e këtij formacioni të strukturuar në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Kjo datë shënjohet një ditë pas largimit nga detyra e Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë të të pandehurit z. Jaeld çela dhe një muaj dhe 5 ditë pas largimit nga detyra e Ministrit të Brendshëm të të pandehurit z. Saimir Tahiri.
  33. Palët të pandehur në këtë proces kanë pretenduar se në të vërtetë i pari funksionar policie, që ka referuar ekzistencën e grupit të strukturuar kriminal në Prokurorinë për Krimet e Rënda, ka qenë i pandehuri në procedimin e lidhur z. Gjergji Kohila, duke i u referuar një emaili me datë 29.04.2017 të dërguar prokurorit të çështjes z. Dritan Prençi. Me anën e këtij fakti të pandehurit kërkojnë të tregohet se referimi në prokurori kundër grupit të strukturuar kriminal e ka bërë pikërisht një nga subjektet që prokuroria i kundrejton akuzën për pjesëtar në këtë organizatë dhe që është i pandehur bashkë me to por në një procedim të lidhur.
  34. Gjykata vlerëson se një pretendim i tillë së pari nuk provohet dhe së dyti edhe sikur të provohet nuk ka kurrfarë relevance mbi çështjen penale kundër tij dhe kundër të pandehurve në këtë gjykim. Gjykata sjell në vëmendje se një provë e tillë nuk ndodhet në dosje e marrë në një nga mënyrat që parashikon ligji procedural penal. Gjykata sjell në vëmendje se të pandehurit kanë pranuar të procedohen me ritin e gjykimit të shkurtuar dhe se për rrjedhojë pretendimet për paplotësi hetimi janë prekluzuar, duke u mjaftuar dhe duke shfaqur vullnetin e paekuivoktë sakaq të procedohen vetëm dhe ekskluzivisht mbi bazën e akteve të fashikullit të hetimit, akte këto që kanë marrë statusin juridik të akteve të fashikullit të gjykimit. Për rrjedhojë pretendimet për paplotësinë e akuzës, pavlefshmërinë e kërkesës për gjykim dhe për nulitet të akteve janë haptazi të pabazuara në ligj dhe si të tilla duhet të rrëzohen.
  35. Nga ana tjetër Gjykata sjell në vëmendje se, edhe sikur të pranohet se ka ekzistuar një email i tillë zyrtar dhe me të njëjtën përmbajtje sikurse të pandehurit pretendojnë, sërish kjo provë nuk ka asnjë rëndësi për çështjen penale kundër tyre. I pandehuri në procedim të lidhur z. Gjergji Kohila e ka marrë detyrën e funksionarit të policisë vendore Vlorë me datë 10.05.2015 dhe e ka ushtruar atë deri me datë 05.05.2017.
  36. Sikurse u tregua më lart nga analiza e provave të grupit të strukturuar kriminal Haxhiraj, rezulton se ai ka komunikime telefonike të rregullta përgjatë asaj pjese të vitit 2016 me kreun e atij formacioni tashmë i dënuar, z. Taulant Haxhiraj, duke shfaqur dijeni për aktivitetin kriminal që grupi zhvillonte, duke shfaqur dijeni për ekzistencën e bashkëpunëtorëve pjesëtarë të tij, duke dhënë këshilla dhe duke dekonspiruar informacione të policisë gjyqësore për mënyrën se si duhet të sillen që ndaj tyre të mos ushtrohet ndjekja penale dhe duke vënë në dispozicion të këtij grupi funksionin e tij shtetëror. Nga ana tjetër provat në fashikullin e gjykimit tregojnë edhe komunikime të tij me vëllezërit Habilaj, dy të pandehurit në procedimin e lidhur dhe z. Artan Habilaj i cili nuk rezulton të jetë ngritur akuzë penale dhe se këto komunikime janë zhvilluar ndërkohë që formacioni kriminal ishte aktiv në veprimtarinë kriminale të lëndëve narkotike. Përmes këtyre fakteve Gjykata konkludon se emaili i pretenduar nga mbrojtja e të pandehurve i datës 29.04.2017 nuk ka kurrfarë vlere provuese dhe nuk ka rëndësi juridike qoftë mbi çështjen penale kundër tij dhe qoftë në këtë gjykim.
  37. Gjykata fillimisht, ndryshe nga sa ka konkluduar gjykata e shkallës së parë në vendimin objekt apeli, konkludon se nuk provohet se i pandehuri z. Saimir Tahiri të ketë përgjegjësi penale për faktin penal historik të identifikuar nga akuza si episodi i parë i trafikimit të lëndës narkotike nga grupi i strukturuar kriminal i kryesuar nga z. Moisi Habilaj, konkretisht bëhet fjalë për sekuestrimin e sasisë prej 1650 kilogramë lëndë narkotike “cannabis sativa” në Augusta, Republika e Italisë, me datë 25.10.2013. Lidhur me këtë fakt në dosje rezulton të ketë vetëm një prove, konkretisht përgjimi i datës 06.10.2013 i realizuar nga autoritetet italiane të drejtësisë kundrejt të pandehurve në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Florjan Habilaj, ku ky i fundit i tregon vëllait të tij se e ka thirrur për takim “shefi i madh”.
  38. Gjykata sjell në vëmendje se i pandehuri z. Saimir Tahiri është emëruar Ministër i Punëve të Brendshme me datë 11.09.2013, që do të thotë se ka marrë detyrën shtetërore 44 ditë nga sekuestrimi në Republikën e Italisë të lëndës narkotike të ardhur nga Shqipëria. Gjykata sjell në vëmendje se gjatë këtij gjykimi u provua tej çdo dyshimi të arsyeshëm se dy grupet e strukturuara kriminale kanë operuar në kohën për të cilën shtrihet fakti historik objekt akuze fillimisht me kultivimin dhe më tej me trafikimin e asaj lënde narkotike e llojit “cannabis sativa”.
  39. Në mënyrë të posaçme Gjykata mban parasysh aktivitetin kriminal të grupit të strukturuar të kryesuar nga z. Moisi Habilaj, i cili ka aktivitet të dokumentuar në fashikull nga fillimi i vitit 2013 e deri në vitin 2017. Afërmendsh ky proces në të cilin nis dhe përfundon aktiviteti kriminal i kultivimit dhe trafikimit të lëndës narkotike “cannabis sativa” kërkon një kohë ndjeshëm më të gjatë se sa 44 ditët që i pandehuri z. Saimir Tahiri kishte marrë detyrën e Ministrit të Brendshëm. Edhe sikur të marrim ciklin e shkurtër të rritjes dhe të përgatitjes së lëndë narkotike “cannabis sativa” e llojit “Spunk”, e cila rezulton nga fashikulli i gjykimit se është përdorur edhe nga grupi i strukturuar kriminal i kryesuar nga z. Taulant Haxhiraj dhe nga ai i kryesuar nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, sërish është e pamundur që mekanizmi kriminal në të cilin operonin këto dy grupe t’i kundrejtohet të pandehurit z. Saimir Tahiri. Kjo do të thotë se ky aktivitet kriminal ka nisur muaj përpara se i pandehuri të niste detyrën dhe se vetëm akti i mbramë i trafikimit të tij është kryer 44 ditë më pas se ai ka marrë detyrën. 
  40. Nga ana tjetër Gjykata në fashikullin e gjykimit nuk ka gjetur asnjë provë më të hershme apo më të vonshme se sa përgjimi i datës 06.10.2013 që të adresojë dyshime, indicje apo të dhëna për përfshirjen e të pandehurit në këtë episod të trafikimit të lëndës narkotike. Gjykata vlerëson se, edhe sikur të pranohet se personi i identifikuar në këtë bisedë me nofkën “shefi i madh”, të jetë i pandehuri z. Saimir Tahiri, sërish nuk ka asnjë të dhënë përmbajtja apo konteksti i kësaj bisede për të mundësuar lidhjen e tij me grupin e strukturuar kriminal që realizoi këtë akt penal.
  41. Megjithëse është e logjikshme pas gjithë këtyre provave të administruara nga viti 2013 deri në vitin 2017, të cilat dokumentojnë lidhjen ndërmjet vëllezërve Habilaj dhe të pandehurit z. Saimir Tahiri, sërish kjo e dhënë është e paaftë që, sipas standardit provues të parashikuar nga neni 30 i Kushtetutës, të konkludohet se personi në fjalë është i pandehuri dhe se takimi dhe biseda ndërmjet tyre është realizuar me qëllim mundësimin e trafikimit 19 ditë më vonë të lëndës narkotike “cannabis sativa” në anën tjetër të Adriatikut. Për rrjedhojë Gjykata konkludon se nuk provohet se i pandehuri të ketë marrë pjesë apo të ketë kryer veprime apo mosveprime që lidhen me realizimin e aktivitetit kriminal të trafikimit të lëndë narkotike në “Augusta” me datë 25.10.2013.    
  42. Në çështjen objekt gjykimi Gjykata vlerëson se nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe një prej subjekteve pjesëmarrës të grupit të strukturuar kriminal të kryesuar nga z. Taulant Haxhiraj apo të grupit të strukturuar kriminal të kryesuar nga z. Moisi Habilaj të ketë ekzistuar një marrëveshje për t’u anëtarësuar në këto formacione të organizuara kriminale. Të njëjtin konkluzion Gjykata ka arritur edhe për sa i përket të pandehurit z. Jaeld Çela me secilin prej pjesëtarëve të provuar të anëtarësisë së dy grupeve të strukturuara kriminale që kanë vepruar në Vlorë gjatë periudhës së dokumentuar 2013 – 2017.
  43. Gjykata, sikurse gjykata e shkallës së parë, vlerëson gjithashtu se nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm nga fashikulli i gjykimit se ka pasur një marrëveshje kriminale ndërmjet të pandehurve z. Saimir Tahiri, në funksionin e Ministrit të Punëve të Brendshme, dhe të pandehurit z. Jaeld Çela, në funksionin e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë në periudhën që përkon me kohën e përbashkët kur ato kanë qenë në detyrë.
  44. Vetëm funksionet administrative të tyre të lidhura ngushtë me punët e brendshme dhe me policimin në Qarkun e Vlorës dhe ekzistenca e 673 komunikimeve telefonike pa përmbajtje gjatë periudhës 2016 dhe 2017 nuk mundet të shërbejnë si indicje dhe të dhëna nga ku të mundet të konkludohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ato janë dakordësuar që të rakordonin mosushtrimin e detyrave publike në mënyrë të rregullt dhe të vazhdueshme në funksion të zhvillimit të aktivitetit kriminal të kultivimit apo trafikimit të lëndëve narkotike nga dy grupet e strukturuara kriminale që kanë vepruar në Qarkun e Vlorës.
  45. Konkluzioni i fajësisë së të pandehurit nga ana e gjykatës do të duhet të arrihet nga provat që tregojnë këtë konkluzion përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, konkretisht sipas standardit që vendos neni 30 i Kushtetutës, neni 6 i KEDNJ dhe neni 4 i Kodit të Procedurës Penale. Pikërisht ky standard i kërkuar nga aktet normative të gjithëpushtetshme nuk arrihet përmes provave që ka fashikulli i gjykimit.
  46. Gjykata vlerëson se në mungesë të provueshmërisë së marrëveshjes kriminale, që akuza ka në themelin e saj ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri, si Ministër i Brendshëm, dhe të pandehurit z. Jaeld çela, si Drejtor i Policisë së Qarkut Vlorë, largohet akoma më shumë mundësia për të provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm të ekzistencës së bashkëpunimit të posaçëm penal ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe dy grupeve kriminale që kryenin aktivitetin kriminal të narkotikëve në këtë kohë në Qarkun e Vlorës.
  47. Jo vetëm kaq por Gjykata sjell në vëmendje se në këtë çështje nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri z. Saimir Tahiri nën cilësinë e Ministrit të Brendshëm ka bashkëpunuar me punonjësit e policisë apo me punonjësit e strukturave të tjera shtetërore të përfshirë në bashkëpunimin me pjesëtarët e grupeve të strukturuara kriminale që kanë operuar në këtë periudhë në Vlorë. Gjykata sjell në vëmendje se nuk ka asnjë të dhënë që të provojë bashkëpunimin e të pandehurit z. Saimir Tahiri me punonjësin e policisë z. Renato Avduli, i cili rezulton të ketë qenë bashkëpunëtor ndihmës i grupit të strukturuar kriminal të kryesuar nga z. Taulant Haxhiraj; nuk rezulton të ketë asnjë të dhënë që i pandehuri z. Saimir Tahiri nën cilësinë e Ministrit të Brendshëm të ketë bashkëpunuar me punonjësin e policisë z. Sokol Bode, i cili rezulton të ketë bashkëpunuar në mënyrë të qëndrueshme me secilin prej grupeve kriminale që vepronin në Qarkun e Vlorës dhe të identifikuara në këtë çështje. Nga ana tjetër Gjykata sjell në vëmendje se ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Gjergji Kohila ka vetëm një komunikim telefonik të dokumentuar dhe se kjo e dhënë nuk ka asnjë përmbajtje. Për rrjedhojë Gjykata konkludon se nuk provohet që të ketë pasur bashkëpunim ndërmjet tyre. 
  48. Për Gjykatën është e palogjikshme dhe e parrokshme nga analiza e këtyre të dhënave të përftuara nga materiali provues që të provohet kontributi i ndihmës nga ana e të pandehurit z. Saimir Tahiri në këto kushte për realizimin e aktivitetit kriminal të trafikimit të narkotikëve, qoftë për kultivimin dhe më tej edhe trafikimin. Për të konkluduar në ekzistencën e këtij fakti është absolutisht e nevojshme që të identifikohen ndërmjetësit e lidhjes së të pandehurit z. Saimir Tahiri me grupet kriminale dhe se në këto kushte nuk provohet të ketë të tillë. Është e pamundur që të konceptohet ndryshe dhënia e ndihmës në mënyrë të qëllimtë dhe me marrëveshje nga ana e Ministrit të Punë ve të Brendshme për grupet e strukturuara kriminale që operonin në atë kohë në Qarkun e Vlorës.
  49. Thënë ndryshe, Gjykata vlerëson se, që të mundësohej dhënia e ndihmës si kontribut moral bashkëpunues i posaçëm nga ana e të pandehurit kërkohet detyrimisht identifikimi i bashkëpunëtorëve funksionarë shtetërorë që ai urdhëronte të kryejnë veprime të caktuara apo të mos kryenin veprime të caktuara në mënyrë të paligjshme dhe të vazhdueshme në kohë. Kjo do të thotë se vetëm në identifikimin dhe provueshmërinë e këtyre subjekteve ndërmjetës bashkëpunëtorë dhe marrëveshjes kriminale ndërmjet tyre do të ishte e mundur të provohej fajësia e të pandehurit për akuzën e ngritur kundër tij, qoftë për ta konsideruar si pjesëtar të grupit të strukturuar kriminal, sipas nenit 333/a të Kodit Penal, dhe qoftë për ta konsideruar atë si bashkëpunëtor ndihmës në të gjithë veprimtarinë kriminale të zhvilluar në fushën e lëndëve narkotike nga dy grupet e strukturuara kriminale që ishin aktive në këtë periudhë në Qarkun e Vlorës, në kuptim të pikës 6 të nenit 28 dhe nenit 283/a/1 të Kodit Penal.
  50. Nga kjo analizë e provave Gjykata konkludon se nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se bashkëpunëtorë të grupit të strukturuar kriminal Habilaj janë të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe z. Jaeld Çela.
  51. Sikurse u konkludua më lart edhe për sa i përket bashkëpunimit të tyre me grupin e strukturuar kriminal Haxhiraj, Gjykata vlerëson se nuk ka prova që të tregojnë tej çdo dyshimi të arsyeshëm se mbështetja e policisë vendore Vlorë dhe e funksionarëve të tjerë shtetërorë, të identifikuar dhe të paidentifikuar t’u jetë ofruar grupit të strukturuar kriminal Habilaj përmes Ministrit të Brendshëm në atë kohë, të paditurit z. Saimir Tahiri. Nuk ka prova në dosje që të tregojnë tej çdo dyshimi të arsyeshëm si ai ka urdhëruar apo ka porositur funksionarët shtetërorë bashkëpunëtorë të brendshëm apo të jashtëm të grupit të strukturuar kriminal në mënyrë që të realizohej veprimtaria kriminale e grupit Habilaj. Njëkohësisht nuk ka cilësisht prova në dosje për të provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se si i pandehuri z. Jaeld Çela, përmes funksionit të Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, të ketë urdhëruar, porositur, nxitur apo dhënë udhëzime për bashkëpunëtorët e brendshëm apo të jashtëm funksionarë të policisë vendore Vlorë në mënyrë që të garantohet paprekshmëria e aktivitetit kriminal Habilaj. Gjithashtu Gjykata vlerëson se me provat e paraqitura më lart nuk mundet të provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se si i pandehuri z. Saimir Tahiri në rolin e Ministrit të Punëve të Brendshme të ketë porositur, nxitur, udhëzuar, urdhëruar apo lejuar me ndërgjegje dhe vullnet të drejtpërdrejtë që i pandehuri z. Jaeld Çela me cilësinë e Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë të ndihmonte aktivitetin kriminal të grupit të strukturuar Habilaj.
  52. Gjykata sjell në vëmendje se, duke pasur parasysh edhe marrëdhënien e qëndrueshme ndërmjet kushërinjve të pandehur në procedim të lidhur, konkretisht z. Saimir Tahiri dhe z. Artan Habilaj, z. Florian Habilaj dhe z. Moisi Habilaj nga njëra anë dhe suksesin kriminal të arritur prej grupit të strukturuar kriminal Habilaj në periudhën tetor 2013 – tetor 2017, është e arsyeshme të mendohet dhe të krijohen dyshime të arsyeshme se një sukses i tillë kriminal nuk mundet të realizohet veçse falë një imuniteti të tillë nga veprimtaria shtetërorë që vetëm një funksionar kaq i lartë kushtetues dhe shtetëror mundet ta ofrojë, sikurse është Ministri i Punëve të Brendshme, veprimtaria kushtetuese dhe ligjore e të cilit lidhet drejtpërdrejtë me rendin dhe sigurinë publike. Përdorimi i funksionarëve të policisë vendore; mos shqetësimi nga informacionet operative që vinin here pas here nga organet e tjera ligjzbatuese; mos procedimi penalisht për asnjë nga fazat e mekanizmit të veprimtarisë kriminale të lëndëve narkotike të shpërndarë në të gjithë hapësirën tokësore dhe detare të Qarkut Vlorë dhe infiltrimi si bashkëpunëtorë të brendshëm dhe të jashtëm në grupin e strukturuar kriminal i kaq shumë funksionarëve të policisë dhe të shtetit; mosveprimi i Ministrit të Punëve të Brendshme për të kërkuar pranë Prokurorit të Përgjithshëm vënien në përgjim parandalues të anëtarëve të grupit të strukturuar Habilaj, sidomos pas datës 03.09.2015, ditë në të cilën z. Dritan Zagani publikisht bëri të njohur faktin se vëllezërit Habilaj merren me trafikimin e lëndëve narkotike si grupi më i fuqishëm në Vlorë; pranimi në mënyrë implicite apo eksplicite i përfitimeve të padrejta materiale apo jomateriale nga ana e të pandehurit z. Saimir Tahiri në cilësinë e Ministrit të Brendshëm nga kreu i grupit të strukturuar kriminal, i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj dhe vëllai i tij z. Artan Habilaj, pa dyshim që janë të dhëna që e justifikojnë plotësisht dyshimin se grupi i strukturuar kriminal Habilaj kishte një mbështetje shumë të fuqishme të strukturave të caktuara të shtetit në veprimtarinë e tij dhe se të gjitha dyshimet e përftuara nga një hetim i shtrirë historikisht në një hapësirë kohore katër vjeçare të çojnë vetëm tek një subjekt i tillë, individualisht i përcaktueshëm, konkretisht i pandehuri z. Saimir Tahiri.
  53. Por Gjykata, duke mbajtur parasysh nenin 30 të Kushtetutës, nenin 6 të KEDNJ dhe nenin 4 të Kodit të Procedurës Penale, sjell në vëmendje se fajësia e të pandehurit nuk mundet të përcaktohet nga dyshimet e forta dhe krejt të arsyeshme se fakti provohet, Përkundrazi, fajësia e të pandehurit duhet të konkludohet nga bindja e bazuar mbi provat se fakti ekziston jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm dhe se vendimi i pafajësisë për rrjedhojë mundet të bazohet jo mbi prova por qoftë vetëm mbi një dyshim të arsyeshëm që ngre krye mbi akuzën kundër të pandehurit.
  54. Gjykata sjell në vëmendje se procesi penal si rregull është ndërtuar nën një asimetri të drejtash dhe detyrimesh të palëve pjesëmarrëse dhe kryesore të procesit, pasi nga një anë i pandehuri përfiton nga parimi kushtetues i prezumimit të pafajësisë dhe nga ana tjetër e gjithë barra e provave me ligj i është ngarkuar organit të akuzës. Nga ana tjetër konkluzioni i fajësisë së të pandehurit nga ana e gjykatës do të duhet të arrihet nga provat që tregojnë këtë konkluzion përtej çdo dyshimi të arsyeshëm dhe në këtë veprimtari shqyrtuese gjykata mund ta mbështesë vendimin e pafajësisë edhe qoftë në një dyshim të arsyeshëm që përshkon akuzën. Nga kjo mënyrë e konceptimit të detyrave të palëve në procesin penal dhe standardit të të provuarit të vendimit të fajësisë dhe të pafajësisë del se edhe konkluzionet mbi fajësinë apo pafajësinë e të pandehurit kanë forcë të ndryshme, pasi një vendim gjyqësor deklarimi fajtor dhe dënimi i të pandehurit presupozon një standard shumë më të lartë se sa një vendim pafajësie, i cili mund të arrihet vetëm nga ekzistenca e një dyshimi të arsyeshëm mbi fajësinë.
  55. Në rastin konkret Gjykata, në mënyrë që të konkludojë se i pandehuri z. Saimir Tahiri në rolin e Ministrit të Brendshëm ishte bashkëpunëtor i brendshëm i grupit të strukturuar kriminal Habilaj, duhet të rezultojë e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi i tij jo drejtpërdrejtë me kushërinjtë Habilaj, sikurse në vijim të këtij vendimi do të analizohet dhe do të konkludohet se ka ekzistuar një marrëdhënie e qëndrueshme dhe e shtrirë në kohë nga nëntori 2013 e deri në vitin 2017, por me të paktën një prej funksionarëve të policisë vendore Vlorë apo me të paktën një prej funksionarëve shtetërorë, që ka dhënë shërbime të drejtpërdrejta si kontribut për grupin e strukturuar kriminal, duke vendosur në dispozicion detyrën publike të tij. Të tillë lidhje të provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm Gjykata konstaton se i pandehuri z. Saimir Tahiri nuk ka me asnjë prej bashkëpunëtorëve të jashtëm apo të brendshëm që akuza identifikon.
  56. Gjykata sjell në vëmendje se i pandehuri z. Saimir Tahiri nuk akuzohet si bashkëpunëtor i brendshëm i grupit të strukturuar kriminal Habilaj me cilësitë e tij personale, konkretisht sikurse akuzohet për shembull z. Florian Habilaj, z. Maridian Sulaj, z. Nezar Seiti, z. Fatmir Minaj, z. Moisi Habilaj apo z. Tigrens Sulaj. Përkundrazi, akuza që rëndon ndaj tij është marrja pjesë si bashkëpunëtor i brendshëm i grupit të strukturuar kriminal në cilësinë e funksionarit publik, konkretisht në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme, duke krijuar lehtësitë e nevojshme dhe të domosdoshme dhe duke hequr pengesat e zbatimit të ligjit dhe ushtrimit të ndjekjes penale kundër formacionit kriminal ku ai bën pjesë.
  57. Për të provuar këtë akuzë Gjykata vlerëson se nuk mjafton për të provuar ekzistencën e një marrëdhënie gjinore e shoqëruar me ekzistencën e një marrëdhënie faktike të ngushtë dhe të qëndrueshme në kohë me bashkëpunëtorët klasikë të grupit kriminal të organizuar. Përkundrazi, këto fakte janë të mjaftueshme që të provojnë akuzën penale eventuale si bashkëpunëtor i brendshëm ekzekutor në bashkëpunimin e posaçëm. Por në rastin konkret akuza nuk është kjo. Në rastin konkret duhet të identifikohet detyrimisht ndihma relevante dhe e vazhdueshme që i pandehuri z. Saimir Tahiri në funksionin e Ministrit të Punëve të Brendshme ka dhënë si bashkëpunëtor i brendshëm për grupin e strukturuar kriminal dhe se kjo ndihmë duhet të konsistojë detyrimisht në identifikimin e ndërmjetësve që ai ka përdorur për të mundësuar lehtësitë e sjella në vëmendje më lart për realizimin e aktivitetit kriminal 4 vjeçar të grupit të strukturuar kriminal Habilaj.
  58. Këto ndërmjetës në rastin konkret duhet të jenë të tillë që të lidhin mekanizmin shkak-pasojë të vënies në dispozicion të pushtetit apo pjesëve të caktuara të autoritetit të Ministrit të Punëve të Brendshme me zhvillimin e aktivitetit kriminal të grupit të strukturuar kriminal. Kjo do të thotë se teorikisht do të duhet të provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se funksionarët shtetërorë të policisë së rendit, të kufirit apo funksionarët e monitorimit të hapësirës detare kanë marrë urdhra, porosi, udhëzime, këshilla, janë nxitur, janë detyruar, janë shantazhuar apo janë shtyrë nga Ministri i Punëve të Brendshëm, që të venë në mënyrë episodike apo të vazhdueshme autoritetin e tyre shtetëror në funksion të realizimit të aktivitetit kriminal të grupit Habilaj, qoftë për të realizuar procesin e kultivimit, përgatitjes, transportit apo trafikimit të lëndës narkotike në çdo pjesë të hapësirës tokësore dhe detare të Qarkut Vlorë.
  59. Kjo do të thotë se që akuza të provohej tej çdo dyshimi të arsyeshëm do të duhej detyrimisht që të provohej bashkëpunimi penal ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri në cilësinë e Ministrit të Brendshëm me një nga funksionarët e policisë vendore apo funksionarët e tjerë shtetërorë, që të ndikuar nga autoriteti shtetëror i pushtetit të Ministrit të Punëve të Brendshme kanë bërë që të vënë në dispozicion funksionin e tyre shtetëror si kontribut episodik apo latent për realizimin e veprimtarisë kriminale të grupit të strukturuar kriminal Habilaj. Në këtë mënyrë Gjykata konkludon se, nëse nuk vërtetohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi kriminal i Ministrit të Punëve të Brendshme atëbotë me një nga bashkëpunëtorët e brendshëm apo të jashtëm funksionarë shtetërorë, që ka dhënë kontribut të drejtpërdrejtë mbi veprimtarinë kriminale të grupit të strukturuar kriminal Habilaj, atëherë objektivisht nuk mundet të vërtetohet akuza e bashkëpunimit të posaçëm kundër të pandehurit z. Saimir Tahiri në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme si bashkëpunëtor i brendshëm në formacionin kriminal të organizuar.
  60. Në rastin konkret nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi episodik apo latent i të pandehurit z. Saimir Tahiri në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme me bashkëtëpandehurin z. Jaeld Çela, në cilësinë e Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë. Në rastin konkret nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi episodik apo latent i të pandehurit z. Saimir në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme me të pandehurin në procedim të lidhur z. Gjergji Kohila, në cilësinë e Shefit të Sektorit dhe Specialistit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë.  Në rastin konkret nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi episodik apo latent i të pandehurit z. Saimir Tahiri në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme me të pandehurin në procedim të lidhur z. Sokol Bode, në cilësinë e Shefit të Stacionit të Policisë Kufitare. Në rastin konkret nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi episodik apo latent i të pandehurit z. Saimir Tahiri në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme me z. Renato Avduli, në cilësinë e agjentit të policisë vendore Vlorë.
  61. Në rastin konkret nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi episodik apo latent i të pandehurit z. Saimir Tahiri në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme me punonjësit e policisë kufitare patrulluese të hapësirës detare të episodit “Fatima”. Në rastin konkret nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi episodik apo latent i të pandehurit z. Saimir Tahiri në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme me punonjësit QNOD Durrës, që provohet se kanë bashkëpunuar me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Sokol Bode për të realizuar ekzekutimin e trafikimit të lëndës narkotike të episodit “Fatima”.
  62. Në rastin konkret nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi episodik apo latent i të pandehurit z. Saimir Tahiri në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme me të tjerë punonjës shtetërorë, që kanë ndihmuar grupin e strukturuar Habilaj për të realizuar veprimtarinë kriminale në hapësirën kohore nga data 11.09.2013, kur kjo detyrë është marrë prej tij, dhe deri me datë 19.03.2017, kur i pandehuri është larguar nga kjo detyrë.
  63. Për rrjedhojë të të gjithë konkluzioneve të arritura më lart, Gjykata konkludon se përfundimi gjyqësor i gjykatës së shkallës së parë mbi pafajësinë për shkak të ekzistencës së dyshimeve të arsyeshme mbi akuzën kundrejtuar të pandehurit z. Saimir Tahiri është i drejtë dhe i bazuar në nenin 30 të Kushtetutës, nenin 6 të KEDNJ dhe nenin 4 të Kodit të Procedurës Penale dhe se për rrjedhojë vendimi i gjykatës së shkallës së parë duhet të lihet në fuqi për këtë pjesë por duke ndryshuar arsyetimin sikurse më lart u analizua konkluzioni i arritur. Në këto kushte apeli i ushtruar prej prokurorisë për këtë pjesë duhet të rrëzohet si i pabazuar në ligj dhe në prova.     
  64. Mbetet të vlerësohet roli i të pandehurit z. Jaeld çela në këtë çështje dhe bazueshmëria e akuzës dhe apelit të prokurorisë mbi këtë pjesë të konkluzioneve gjyqësore të vendimit të gjykatës së shkallës së parë. Gjykata sjell në vëmendje se është gjithashtu krejt e arsyeshme dhe ka dyshime të forta se i pandehuri z. Jaled Çela ka ofruar funksionin e tij shtetëror si kontribut për realizimin e veprimtarisë kriminale të grupit të strukturuar kriminal Habilaj.
  65. Respekti dhe afrimiteti që funksionarët e policisë vendore tregonin ndaj kreut të grupit kriminal të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj; mosveprimi diligjent për të proceduar, verifikuar, kryer të gjitha veprimet e duhura policore në funksion të ushtrimit të ndjekjes penale ndaj anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal Habilaj; infiltrimi në strukturuat kriminale të grupit si bashkëpunëtorë të brendshëm dhe të jashtëm të një numri të konsiderueshëm të funksionarëve të policisë vendore, qoftë të identifikuar dhe të paidentifikuar në këtë hetim dhe gjykim; mosveprimi me iniciativë apo kryesisht dhe vetëm përcjellja e llojit postar të informacioneve operative, që kanë ardhur gjatë vitit 2016 nga Drejtoria e Sigurisë Publike dhe Shërbimi Informativ Shtetëror Vorë, mbi aktivitetin kriminal të kultivimit të lëndëve narkotike nga grupi i strukturuar kriminal Habilaj; mos ushtrimi i kërkesave apo korrespodencave për të iniciuar përgjimin parandalues në Ministrinë e Punëve të Brendshme apo përgjimeve si mjet për kërkimin e provës në prokurori për zbulimin e pjesëtarëve të grupit të strukturuar krimina Habilaj, sidomos pas bërjes publike mediatikisht nga z. Dritan Zagani me datë 03.09.2015 të faktit se vëllezërit Habilaj ishte grupi më i fuqishëm kriminal në Vlorë që merrej me aktivitetin kriminal të lëndëve narkotike; për më tepër ekzistenca e dy komunikimeve telefonike, edhe pse pa përmbajtje, me një nga anëtarët ekzekutor të grupit të strukturuar kriminal, konkretisht të pandehurin në procedimin e lidhur z. Florian Habilaj, pa dyshim që adresojnë dyshime të forta se Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, i pandehuri z. Jaeld Çela, ka vënë në dispozicion të grupit të strukturuar kriminal, si cilësinë e bashkëpunëtorit të brendshëm në këtë bashkëpunim të posaçëm penal, funksionin e tij shtetëror. 
  66. Por Gjykata, duke mbajtur parasysh nenin 30 të Kushtetutës, nenin 6 të KEDNJ dhe nenin 4 të Kodit të Procedurës Penale, sjell në vëmendje se fajësia e të pandehurit nuk mundet të përcaktohet nga dyshimet e forta dhe krejt të arsyeshme se fakti provohet, Përkundrazi, fajësia e të pandehurit duhet të konkudohet nga bindja e bazuar mbi provat se fakti ekziston jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm dhe se vendimi i pafajësisë për rrjedhojë mundet të bazohet jo mbi prova por qoftë vetëm mbi një dyshim të arsyeshëm që ngre krye mbi akuzën kundër të pandehurit.
  67. Në rastin konkret Gjykata, në mënyrë që të konkludojë se i pandehuri z. Jaeld Çela, në rolin e Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë ishte bashkëpunëtor i brendshëm i grupit të strukturuar kriminal Habilaj, duhet të rezultojë e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi i tij drejtpërdrejtë apo jo i drejtpërdrejtë me grupin e strukturuar kriminal Habilaj. Ndryshe nga pozita e të bashkëtëpandehurit z. Saimir Tahiri në Ministri i Brendshëm, i pandehuri z. Jaeld Çela në funksionin e Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë ka autoritet dhe kompetenca që të ndikojë dhe japë shërbime shtetërore në mënyrë të drejtpërdrejtë në mbarëvajtjen e veprimtarisë kriminale, duke pasur parasysh kompetencat që ky funksionar ka nga ligji apo aktet nënligjore që konturojnë autoritetin shtetëror të tij.
  68. Për rrjedhojë Gjykata vlerëson se edhe marrëveshja e drejtpërdrejtë dhe pa ndërmjetës mundet të shërbejë si fakt për ta fajësuar të pandehurin në raport me akuzën që rëndon kundër tij. Nga ana tjetër, autoriteti ligjor që funksioni i drejtorit të policisë së qarkut ka dhe varësia e drejtpërdrejtë dhe hierarkike që ai gëzon në raport me të gjithë punonjësit vartës të policisë së qarkut Vlorë krijon mundësinë teorike që të konsiderohet bashkëpunëtor i brendshëm i grupit të strukturuar kriminal Habilaj në rrethanat e sjellja në vëmendje më lart qoftë edhe duke mos vërtetuar lidhjen e drejtpërdrejtë të tij me grupin e strukturuar kriminal Habilaj në pjesën e anëtarësisë klasike por duke vërtetuar lidhje indirekte dhe përmes ndërmjetësve me to. Kjo lidhje me ndërmjetës mundet të vërtetohet teorikisht qoftë me bashkëpunëtorët e brendshëm të formacionit kriminal dhe qoftë me bashkëpunëtorët e jashtëm të tij të cilët janë funksionarë policie apo funksionarë të tjerë shtetërorë.
  69. Sakaq Gjykata konkludon se, në mënyrë që akuza ndaj të pandehurit z. Jaeld Çela të provohet dhe të vlerësohet si e bazuar në ligj, duhet të vërtetohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm lidhja e qëndrueshme në kohë e tij drejtpërdrejtë me anëtarësinë klasike dhe ekzekutore të grupit të strukturuar kriminal ose/dhe të provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm lidhja indirekte e tij me formacionin kriminal përmes funksionarëve vartës të policisë apo funksionarëve të tjerë shtetërorë të cilët janë bashkëpunëtorë të jashtëm apo të brendshëm të grupit të strukturuar kriminal.
  70. Në rastin konkret nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi episodik apo latent i të pandehurit z. Jaeld Çela në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë me të pandehurin z. Saimir Tahiri në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme, në funksion të mbështetjes së aktivitetit të grupit të strukturuar kriminal Habilaj. Në rastin konkret nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi episodik apo latent i të pandehurit z. Jaeld Çela në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë me të pandehurin në procedim të lidhur z. Gjergji Kohila, në cilësinë e Shefit të Sektorit dhe Specialistit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë, në funksion të mbështetjes së aktivitetit të grupit të strukturuar kriminal Habilaj. Në rastin konkret nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi episodik apo latent i të pandehurit z. Jaeld Çela në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut me të pandehurin në procedim të lidhur z. Sokol Bode, në cilësinë e Shefit të Stacionit të Policisë Kufitare, në funksion të mbështetjes së aktivitetit të grupit të strukturuar kriminal Habilaj. Në rastin konkret nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi episodik apo latent i të pandehurit z. Jaeld Çela në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut me z. Renato Avduli, në cilësinë e agjentit të policisë vendore Vlorë, në cilësinë e Shefit të Stacionit të Policisë Kufitare, në funksion të mbështetjes së aktivitetit të grupit të strukturuar kriminal Habilaj.
  71. Në rastin konkret nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi episodik apo latent i të pandehurit z. Jaeld Çela në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut me punonjësit e policisë kufitare patrulluese të hapësirës detare të episodit “Fatima”, në funksion të mbështetjes së aktivitetit të grupit të strukturuar kriminal Habilaj. Në rastin konkret nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi episodik apo latent i të pandehurit z. Jaeld Çela në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut me punonjësit QNOD Durrës që provohet se kanë bashkëpunuar me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Sokol Bode për të realizuar ekzekutimin e trafikimit të lëndës narkotike të episodit “Fatima”, në funksion të mbështetjes së aktivitetit të grupit të strukturuar kriminal Habilaj. Në rastin konkret nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi episodik apo latent i të pandehurit z. Jaeld Çela në cilësinë e Ministrit e Punëve të Brendshme me të tjerë punonjës shtetërorë, që kanë ndihmuar grupin e strukturuar Habilaj për të realizuar veprimtarinë kriminale në hapësirën kohore prej marrjes së detyrës, konkretisht me datë 05.09.2014, e deri kur është larguar nga detyra, konkretisht me datë 28.04.2017. Kjo do të thotë nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri z. Jaeld Çela bashkëpunonte indirekt me grupin e strukturuar kriminal.
  72. Nga ana tjetër ka vetëm dy të dhëna të dokumentuara në dosje për lidhjet e tij të drejtpërdrejta me anëtarë të grupit të strukturuar kriminal. Konkretisht bëhet fjalë për telefonatën prej 37 sekonda që i pandehuri z. Jaeld Çela i ka bërë të pandehurit në procedimin e lidhur z. Florian Habilaj në orët e para të mëngjesit në janarin e vitit 2016 dhe nga ana tjetër edhe mesazhin në telefon që i pandehuri në procedim të lidhur z. Florian Habilaj i ka dërguar të pandehurit z. Jaeld Çela me datë 31.12.2016, që korrespondon me ditën e ndërrimit të viteve. Të dy këto komunikime telefonike nuk janë dokumentuar në përmbajtjen e tyre dhe se në këto kushte vlerësimi i marrëdhënies ndërmjet tyre mbetet e dyshimtë.
  73. Për rrjedhojë Gjykata konkludon se në këtë gjendje që provat janë në fashikullin e gjykimit është e pamundur që të arrihet në përfundimin tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ndërmjet të pandehurit z. Jaeld Çela dhe grupit të strukturuar kriminal Habilaj ka bashkëpunim të posaçëm dhe se ai është bashkëpunëtor i brendshëm në këtë formacion kriminal të organizuar.
  74. Për rrjedhojë të të gjithë konkluzioneve të arritura më lart, Gjykata konkludon se konkluzioni gjyqësor i gjykatës së shkallës së parë mbi pafajësinë për shkak të ekzistencës së dyshimeve të arsyeshme mbi akuzën kundrejtuar të pandehurit z. Jaeld Çela është i drejtë dhe i bazuar në nenin 30 të Kushtetutës, nenin 6 të KEDNJ dhe nenin 4 të Kodit të Procedurës Penale dhe se për rrjedhojë vendimi i gjykatës së shkallës së parë duhet të lihet në fuqi për këtë pjesë me ndryshimin e pjesës së arsyetimit sikurse më lart u zhvillua analiza e provave dhe e ligjit penal material dhe procedural. Në këto kushte apeli i ushtruar prej prokurorisë për këtë pjesë duhet të rrëzohet si i pabazuar në ligj dhe në prova. 

 

  1. Marrëdhënia e vëllezërve Habilaj dhe të pandehurit z. Saimir Tahiri

 

  1. Përgjimet mbi “shefin e madh”

 

  1. Fillimisht Gjykata sjell në vëmendje se është fakt paqësor dhe si i tillë i pakontestuar dhe i pranuar nga palët dhe të pandehurit në procedim të lidhur se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka lidhje gjinore me vëllezërit Habilaj. Babai i të pandehurit është kushëriri i parë me nënën e vëllezërve Habilaj. Në vlerësimin e Gjykatës, duke pasur parasysh eksperiencën e përbotshme njerëzore, konkludohet se secili prej tyre e di këtë fakt dhe se ato njihen ndërmjet tyre.
  2. Megjithatë Gjykata vlerëson se jo apriori kjo njohje presupozon apo prezumon edhe njohjen personale. Për të konkluduar mbi këtë fakt do të duhet që të analizohen provat më vete dhe secila prej tyre në tërësi, në mënyrë që të konkludohet se sa shumë njiheshin, çfarë marrëdhëniesh personale kishin dhe nëse kanë ndikuar këto marrëdhënie personale për të sjellë pasojën kriminale të vazhdimësisë së grupit të strukturuar kriminal dhe ushtrimit të veprimtarisë kriminale të tij në kohë dhe në hapësirë.
  3. Nga analiza e provave veç e veç dhe në tërësi Gjykata konstaton se dokumentohet se marrëdhënia e tyre personale shënjohet me datën 06.10.2013, konkretisht në përgjimin e realizuar nga autoritetet italiane të drejtësisë ndërmjet të pandehurve në procedimin penal të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj, ku ky i fundit i tregon vëllait se ka takuar ‘‘shefin e madh’’. I njëjti takim me të ashtuquajturin “shefi i madh” konstatohet se përsëritet edhe 48 ditë më vonë, konkretisht me datë 23.11.2013, por tashmë ndërmjet z. Artan Habilaj dhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj.
  4. Gjykata sjell në vëmendje se të gjitha të dhënat e fashikullit të gjykimit tregojnë se e vetmja lidhje e rëndësishme dhe më e rëndësishmja që vëllezërit Habilaj kishin ndër funksionarët shtetërorë ishte ajo me të pandehurin z. Saimir Tahiri dhe se për rrjedhojë ka të dhëna që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se takimet e të pandehurit z. Florian Habilaj dhe z. Artan Habilaj kanë ndodhur me të pandehurin z. Saimir Tahiri në Tiranë. Megjithatë Gjykata sjell në vëmendje se nuk ka asnjë të dhënë konkrete që të kuptohet se pse këto takime janë kryer, duke pasur parasysh njëkohësisht se afërmendsh këto takime kanë pasur si temë komunikimi edhe aktivitetin kriminal që ushtrohej në hapësirën tokësore dhe detare të Qarkut Vlorë prej të pandehurve në procedimin e lidhur.
  5. Një e dhënë që përftohet nga përmbajtja e përgjimeve është fakti se ato kanë diskutuar në takimin e parë mbi lojërat e faktit, gjë që nuk ka asnjë rëndësi mbi akuzën dhe nuk tregon asgjë në lidhje me faktin penal historik. Megjithatë nga këto të dhëna mundet të përftohet arsyeshëm - por jo tej çdo dyshimi të arsyeshëm - se ndërmjet tyre ka një marrëdhënie personale besimi. Jo tej çdo dyshimi të arsyeshëm sepse duhet që këto indicje dhe gjysmëprova që dokumentojnë se ky fakt historik ka ndodhur të përputhen dhe të konfirmohen dhe me indicje apo prova të tjera.
  6. I pandehuri z. Saimir Tahiri ka pretenduar se është objektivisht i pamundur që fakti i takimit të datës 23.11.2013 të ketë ndodhur ndërmjet z. Artan Habilaj dhe atij, pasi në këtë datë ai tregon se ka ardhur nga Vjena nga një vizitë zyrtare dhe se ka qenë i angazhuar në mbledhje qeverie dhe në takime pune lidhur me një ngjarje ku disa të burgosur ishin arratisur nga institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale. Gjykata sjell në vëmendje se është i vërtetë dhe provohet fakti se i pandehuri ka ardhur në Shqipëri nga Vjena, pasi sipas dokumenteve të marra nga sistemi TIMS rezulton se ai ka kaluar pikën kufitare Rinas me datë 23.11.2013 në orën 11:22.
  7. Por nga ana tjetër ky fakt nuk rrëzon objektivisht mundësinë që takimi të ketë ndodhur në dreke, sikurse z. Artan Habilaj i shpjegon në telefon të pandehurit në procedim të lidhur z Moisi Habilaj, pasi objektivisht është e mundur që të ketë ndodhur takimi në drekë. Lidhur me pretendimet e angazhimeve në mbledhje qeverie dhe takime pune për ngjarjen e arratisjes së të burgosurve Gjykata konstaton se nuk provohen këto rrethana në fashikullin e gjykimit dhe se këto pretendime të të pandehurit mbeten të paprovuara. Gjykata sjell në vëmendje se ka diçka të papërputhshme në realitetin objektiv të këtij përgjimi, pasi z. Artan Habilaj flet se është për drekë me të pandehurin dhe ndërkohë ora e këtij komunikimi është 19:53, gjë që sipas eksperiencës njerëzore të përbotshme dhe si të tillë universalisht të pranueshme ky orar duhet të përkojë me darkën.

 

  1. Automjeti Audi A8

 

  1. Fakti tjetër që tregon marrëdhënien e afërt dhe të qëndrueshme në kohë dhe në hapësirë ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe vëllezërve Habilaj është shitja e automjetit Audi A8 me targa AA 003 GB me datë 05.11.2013. Kjo kontratë është realizuar me palë shitëse të pandehurin z. Saimir Tahiri dhe palë blerëse z. Artan Habilaj. Automjeti rezulton se është blerë në shkurtin e vitit 2013 për vlerën 21.000 Euro, ndërkohë që i pandehuri ishte deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, dhe se ka përfituar autorizimin për përjashtimin nga taksat doganore sipas parashikimeve ligjore për statusin e deputetit, duke qenë ky dokument pjesë përbërëse e dosjes përkatëse të mjetit në drejtorinë e shërbimit të transportit rrugor përkatëse. Automjeti është shitur në shumën 980.000 Lekë.
  2. Nga shpjegimet e të pandehurit në gjykimin në apel rezulton se, çmimi i shitjes ka qenë ndjeshëm më i ulët se sa çmimi i blerjes, pasi automjeti ka pasur një defekt në sistemin e kamios. Në kontratën e shitjes ndër të tjera shitësi, z. Saimir Tahiri, ka garantuar blerësin se sendi nuk ka barrë ligjore dhe se nuk është objekt i ndonjë kredie bankare apo bllokimi tjetër administrativ e financiar. Shitësi e ka garantuar blerësin ndër të tjera që mund të lëvizë lirisht me mjetin brenda dhe jashtë Shqipërisë.
  3. Në përgjimin ambiental të datës 13.01.2014 të realizuar nga autoritetet italiane rezulton se ndërmjet z. Enea Sulaj dhe një bashkëbiseduesi të paidentifikuar është sqaruar arsyeja e blerjes së automjetit Audi A8 me targa AA 003 GB, përgjim i bërë në automjetin Mercedes Compressor në përdorim të z. Moisi Habilaj. Ndër të tjera bashkëbiseduesi i paidentifikuar e pyet z. Enea Sulaj nëse e shet apo jo automjetin AA 003 GB i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj dhe nga biseda del se mjetin e ka blerë në të vërtetë z. Moisi Habilaj. Kësaj pyetje z. Enea Sulaj i përgjigjet se Audin A8 nuk e shet z. Moisi Habilaj dhe se ‘‘në fillim do të blejë detyrën (nënkuptuar si një rol social)’’.
  4. Nga këqyrja e të dhënave në dosjen përkatëse të mjetit rezulton se në Urdhrin nr. 703/1 prot., datë 16.04.2013 të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, Drejtoria Rajonale Tiranë, është urdhëruar Arshiva e Degës së Regjistrimit të Mjeteve që të bëjë bllokimin e veprimeve me dokumentacionin e administruar në dosjen e mjetit, duke mos kryer veprimet e ndërrimit të pronësisë, transferimin në ndonjë rreth tjetër, duke i u referuar sakaq shkresës nr. 2155 prot., datë 03.04.2013 të shërbimit përmbarimor, e cila kishte dalë si veprim përmbarimor gjatë ekzekutimit të detyrueshëm të një titulli ekzekutiv me kreditor znj. Argita Malltezi dhe z. Shkëlzen Berisha dhe me debitor z. Saimir Tahiri.
  5. Pavarësisht shitjes së sendit, leja e qarkullimit e automjetit ka mbetur e pandryshuar në pjesën e identifikimit të pronarit të sendit, konkretisht e të pandehurit z. Saimir Tahiri, deri me datë 15.01.2016. Rezulton se pavarësisht se sendi ishte shitur, i pandehuri nuk ka humbur lidhjet me të në vijim, pasi ky fakt provohet edhe nga dokumenti Polica e Sigurimit të Detyrueshëm nr. 1642079 e z. Saimir Tahiri për mjetin me targa AA 003 GB. Kjo policë sigurimi ka si periudhë mbulimi nga Gushti i vitit 2015 deri në Gushtin e vitit 2016. Ndërkohë ka rezultuar se për këtë automjeti ka pasur edhe një policë tjetër sigurimi të detyrueshëm mjeti motorik, konkretisht Polica e Sigurimit me nr. serie 0135116, për automjetin Audi A8, me targa AA 003 GB. Kjo policë rezulton se mbulon periudhën 02.04.2015 deri me 01.04.2016 dhe është lëshuar në emër të z. Saimir Tahiri dhe z. Artan Habilaj.
  6. Nga të dhënat e marra nga sistemi TIMS rezulton se, edhe pse sendi është shitur, sërish ai është përdorur nga shitësi, i pandehuri z. Saimir Tahiri. Rezulton se i pandehuri ka udhëtuar jashtë kufijve të Shqipërisë: 1) Në datën 16.08.2014 me hyrje në Greqi; 2) në datën 30.08.2014 nga Kapshtica; 3) në datën 03.09.2014 me ardhje nga Greqia.
  7. Nga ana tjetër rezulton se mjetin Audi A8 e ka përdorur edhe i pandehuri në procedim të lidhur  z. Moisi Habilaj. Rasti i parë i provuar nga sistemi TIMS është tre ditë pas realizimit të kontratës së shitjes, konkretisht me datë 08.11.2013, udhëtim në të cilin ka qenë së bashku me bashkëpunëtorin pjesëtar të grupit të strukturuar kriminal, z. Sabaudin Çela. Rasti i dytë ka ndodhur në funksion të ekzekutimit të episodit të dytë të trafikimit të lëndës narkotike, konkretisht episodi “Palagonia” i datës 28.02.2014, udhëtim në të cilin i pandehuri në procedim të lidhur e ka kryer me bashkëpunëtorin pjesëtar të grupit të strukturuar kriminal, z. Sabaudin Çela. Ato janë nisur me datë 23.02.2014 nga Durrësi dhe kanë mbërritur në Bari me datë 24.02.2014 dhe me këtë mjet kanë mbërritur në Lentini, Katania, në vendin ku qëndronin gjatë kohës kur ishin në Itali.
  8. Më tej ky mjet rezulton të mos jetë përdorur më, pasi çdo ditë ato rezultojnë të ketë përdorur automjetin Fiat, tek i cili autoritetet italiane të drejtësisë kishin vendosur përgjuesin ambiental. Gjatë qëndrimit në Itali nga data 24.02.2014 deri në datë 03.03.2014 ato janë kujdesur për të gjitha punët e marrjes së pagesave dhe interesimit për dërgesën e lëndës narkotike në masën 289.7 kilogramë, sasi lënde narkotike e kapur dhe e sekuestruar nga autoritetet italiane. Rezulton se në rrugën e kthimit në Shqipëri ato kanë përdorur pikërisht automjetin Audi A8.
  9. Është pikërisht ky udhëtimi kur autoritetet italiane kanë zbuluar dhe identifikuar se kush është personi i fuqishëm që kanë lidhje në Shqipëri trafikantët e lëndës narkotike, pasi kanë administruar të gjithë praktikën dokumentare të imbarkimit të tragetit në portin e Barit me datë 24.02.2014, duke zbuluar sakaq identitetin e subjektit të identifikuar si “Saimiri” dhe njeriut të pushtetshëm, të cilin përgjimet e trafikantëve e kishin përmendur disa herë si mbështetja e tyre shtetërore në realizimin e aktivitetit kriminal. Në këtë moment autoritetet italiane kanë verifikuar burimet e hapura dhe kanë konstatuar se ky automjet është i Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë dhe se ky administrim i çuditshëm[145] i automjetit nga ana e vëllezërve Habilaj, të afërm të tij, e kanë përfshirë atë në një skandal ku akuzohej për bashkëpunim me ta.
  10. Nga ana tjetër rezulton se blerësi i automjetit, z. Artan Habilaj, në dhjetorin e vitit 2015, e ka përdorur atë 12 herë për lëvizje jashtë shtetit. Ai ka shpjeguar, gjatë pyetjes së bërë nga prokurori në procedimin penal “Zagani” të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, se automjetin e ka marrë që në tetor sepse i ka pëlqyer dhe se atë i a ka treguar si mundësi dhe si ofertë z. Kujtim Tahiri, i cili ka rezultuar si fakt paqësor dhe i pranuar nga të gjithë se është ungji i të pandehurit z. Saimir Tahiri. Më tej ai ka sqaruar se e ka lidhur kontratën, se me të pandehurin nuk ka lidhje apo kontakte personale, se janë kushërinj të largët dhe se përmes ungjit të tij i a ka dhënë dy herë automjetin për ta përdorur i pandehuri, duke i a kthyer sërish ungji i të pandehurit në Vlorë. Ai tregon se automjetin e ka përdorur edhe vëllai z. Moisi Habilaj dy herë dhe vëllai z. Florian Habilaj për arsye familjare. Ai ka treguar se është interesuar në drejtorinë e shërbimeve të transportit rrugor Tiranë për të ndryshuar lejen e qarkullimit të automjetit dhe për rrjedhojë pronësinë mbi sendin dhe se ka marrë dijeni se ky veprim nuk mundet të kryhet për shkak të bllokimit përmbarimor të veprimeve me sendin dhe procedurës së ekzekutimit të detyrueshëm. Ai tregon se i ka dërguar haber me ungjin të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe se ai i ka thënë që të mos shqetësohet sepse do ta rregullojë ai këtë çështje. Ai ka deklaruar se ‘‘nuk bëhet fare’’ me kushëririn e tij të pandehurin z. Saimir Tahiri.
  11. Nga deklarimet e të pandehurit në procedimin e lidhur z.. Florian Habilaj ai pranon se e ka përdorur automjetin dhe se automjetin e ka blerë vëllai i tij z. Artan Habilaj. Ai sqaron se e ka marrë automjetin ndonjë herë për të bërë xhiro. Ai ka deklaruar se të pandehurin z. Saimir Tahiri e ka kushëri të largët nga mamaja dhe se me të nuk bëhen fare si familje.
  12. Ndërkohë i pyetur mbi këtë fakt, i pandehuri në procedimin penal të lidhur, z. Moisi Habilaj ka deklaruar se ka dijeni mbi blerjen e automjetit nga vëllai i tij z. Artan Habilaj dhe se nuk e ka regjistruar në emër të tij për shkak të një bllokimi administrativ. Ai ka deklaruar se nuk e di çmimin e blerjes dhe nuk e di nëse vëllai i tij z. Artan Habilaj e njeh apo jo personalisht të pandehurin z. Saimir Tahiri. 
  13. Nga ana tjetër z. Kujtim Tahiri, ungji i të pandehurit, në dhjetorin e vitit 2015 ka deklaruar se automjetin ka dashur ta marrë për vete, në kushtet kur vetë i pandehuri z. Saimir Tahiri donte ta shiste sendin pasi tashmë ai kishte automjetin e punës, por se nuk e ka blerë dot dhe se i a ka propozuar ta blinte i afërmi i tij, z. Artan Habilaj, i cili pas provës që i ka bërë në Fier, ku e ka dërguar vetë ungji i të pandehurit, ka vendosur ta blejë. Kjo periudhë, sipas deklaruesit, ka qenë shtatori apo tetori i vitit 2013 dhe se sendi është marrë në përdorim nga blerësi i ardhshëm më parë dhe se më pas është bërë kontrata e shitjes ndërmjet tyre. Ai ka deklaruar se nipi i tij dhe kushëriri nuk takoheshin personalisht dhe se automjetin të pandehurit, në rastin kur ai ka pasur babanë sëmurë dhe duhet të lëviznin jashtë shtetit, e ka marrë ai në Vlorë dhe e ka dërguar ai në Vlorë, në shërbim të nipin të tij.
  14. Nga ana tjetër vetë i pandehuri z. Saimir Tahiri ka deklaruar dy herë që është pyetur, në procedimin penal “Zagani” dhe në procedimin penal objekt gjykimi, se vëllezërit Habilaj i ka kushërinj të largët dhe se nuk kujton se ka pasur asnjë kontakt me to. Ai ka deklaruar se të pandehurit në procedim të lidhur nuk i ka takuar ndonjëherë dhe se z. Artan Habilaj e ka takuar vite më parë ‘‘nja dy herë’’, por se kur nuk i kujtohet saktësisht. Ai ka sqaruar në parashtrimet e tij se automjetin e ka përdorur jashtë shtetit disa herë për arsye etike, që të mos përdorte për qëllime personale automjetin e detyrës shtetërore që mbante. Ai ka shpjeguar se arsyeja e përdorimit pikërisht të këtij mjeti ka qenë fakti se leja e qarkullimit dhe polica e sigurimit ishte akoma në emrin e tij.  
  15. Me shkresën nr. 6053/1 prot., datë 29.12.2015 të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë është përcjellë urdhri i zhbllokimit, duke u urdhëruar të bëhet zhbllokimi i veprimeve me dokumentacionin e administruar në dosjen e mjetit me targa AA 003 GB, duke kryer veprime si ndërrim pronësie, transferim në ndonjë rreth tjetër dhe çregjistrim të përhershëm. Ky urdhër zhbllokimi është bazuar në shkresën nr. 11645 prot., datë 24.12.2015 të shërbimit përmbarimor, sipas nenit 527 të Kodit të Procedurës Civile. Me datë 15.01.2016 është lëshuar leja e qarkullimit për këtë automjet në emër të z. Artan Habilaj, duke marrë targat AA 900 NF. Në emër të tij është bërë edhe certifikata e kontrollit fizik të mjetit me datë 15.01.2016.
  16. Kjo do të thotë se titullariteti dokumentar i pronësisë në regjistrat e Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor Tiranë dhe leja e qarkullimit në emrin e të pandehurit z. Saimir Tahiri për automjetin që ka marrë në pronësi z. Artan Habilaj, që e kanë përdorur ndërkohë edhe i pandehuri z. Saimir Tahiri, edhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habiaj, ka mbetur i pandryshuar nga momenti i realizimit të kontratës së shitjes për një periudhë 2 vjet dhe 71 ditë. Ndërkohë që nga muaji tetor, kur dëshmohet nga z. Kujtim Tahiri dhe z. Artan Habilaj se sendi është marrë faktikisht në posedimin e z. Artan Habilaj, rezulton se ka kaluar një kohë përafërsisht 2 vjet dhe 3 muaj.
  17. I pyetur nga Gjykata se çfarë veprimesh konkrete ka ndërmarrë i pandehuri sipas zotimit që dëshmon z. Artan Habilaj se ai ka marrë për heqjen e bllokimit përmbarimor në lejen e qarkullimit, i pandehuri z. Saimir Tahiri në gjykimin për së dyti në apel është përgjigjur se nuk ka vepruar menjëherë për shkak se nuk kishte mjete monetare për të shlyer detyrimin e titullit ekzekutiv ndaj fëmijëve të ish kryeministrit dhe se kjo kohë ka kaluar, pasi atij i është dashur të kërkojë marrjen e një kredie, ta marrë atë dhe më tej të shlyejë detyrimin.
  18. Në fashikullin e gjykimit nuk ka asnjë të dhënë të tillë. Në fashikullin e gjykimit nuk ka asnjë informacion për arsyen se pse është hequr bllokimi përmbarimor me datë 24.12.2015, vetëm është sjellë në vëmendje nga ana e shërbimit përmbarimor se ky urdhër i dytë i tyre ka ardhur si pasojë e zbatimit të nenit 527 të Kodit të Procedurës Civile[146] dhe se kjo bazë ligjore nuk tregon asgjë për arsyen faktike apo juridike të heqjes së sekuestros përmbarimore.
  19. Ka rezultuar e provuar nga dokumentet dhe dëshmitë gjithashtu se z. Artan Habilaj i ka shërbyer personalisht të pandehurit z. Saimir Tahiri përmes mjetit Audi A8 herën e parë me datë 09.08.2014 dhe në kthim me datë 10.08.2014. Në këtë udhëtim me dy automjete, automjetin Audi A8 dhe automjetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai ka dërguar bashkë me shoferin nëpunës në Ministrinë e Brendshme, z. Alban Alia, fëmijët e Zëvendësministres së Punëve të Brendshme, znj. Elona Gjebrea (Hoxha) dhe fëmijën dhe prindërit e Ministrit të Punëve Brendshme, të pandehurit z. Saimir Tahiri, duke i transportuar nga Shqipëria në Greqi, në vendin ku familja Tahiri dhe Hoxha po kalonin pushimet e verës. Z. Alban Alia në dëshminë e tij ka treguar se në kthim kanë ndaluar, të lodhur, dhe kanë fjetur në një hotel rrugës në territorin grek dhe se ndaj shpjegohet se pse kanë ardhur një ditë më vonë. Nuk ka të dhëna që të provojnë në fashikull se kush i ka paguar shpenzimet e udhëtimit, të ushqimit, pijeve dhe të fjetjes.
  20. Ka rezultuar gjithashtu se, katër ditë më vonë, konkretisht me datë 15.08.2014, me porosi dhe kërkesë të vetë të pandehurit z. Saimir Tahiri, z. Artan Habilaj ka vënë në dispozicion të të pandehurit dhe familjes së tij kohën, shërbimet dhe automjetin tij. Sipas dëshmisë së mekanikut nëpunës në Gardën e Republikës, institucion varësie i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Naim Brahimaj, rezulton se Ministri i Punëve të Brendshme e ka kontaktuar atë për defektin e mjetit lundrues ‘‘Auras’’ dhe se i ka thënë që do të kontaktojë dikush. Ai ka dëshmuar se menjëherë e ka marrë në telefon z. Artan Habilaj dhe kanë planifikuar më tej të nisen në Greqi. Rrugën e kanë bërë me mekanikun tjetër, z. Aurel Konakçiu dhe me shofer z. Artan Habilaj me automjetin Audi A8, me targa AA 003 GB. Ai tregon se z. Artan Habilaj orientohej shumë mirë dhe se i ka çuar drejt e në vend, duke shpjeguar se u takuan me Ministrin e Punëve të Brendshme dhe familjen e tij dhe të Zëvendësministres, kanë drekuar të gjithë së bashku, kanë bërë të gjithë së bashku xhiro me skaf, kanë darkuar të gjithë së bashku dhe të nesërmen, pas ngrënies së mëngjesit të përgatitur nga familja Tahiri dhe Hoxha, kanë lënë automjetin Audi A8 për familjen e Ministrit të Brendshëm dhe se së bashku me z. Artan Habilaj dhe z. Aurel Konakçiu pas mëngjesit janë nisur me skaf nga Greqia dhe kanë mbërritur rreth orës 11:00 të mbrëmjes në Triport në Vlorë, ku kanë ankoruar mjetin lundrues dhe z. Artan Habilaj i ka paguar transportin për kthimin në shtëpi. Kthimi është bërë me datë 16.08.2014.
  21. Nga ana tjetër rezulton se nuk dokumentohet më asnjë shërbim i tillë i ofruar nga z. Artan Habilaj për të pandehurin z. Saimir Tahiri pas datës 03.09.2015, ditë në të cilën në media u bë publikua intervista e z. Dritan Zagani. Nga ky moment, pas 77 ditësh, konkretisht me datë 24.12.2015, ka dalë urdhri i shërbimit përmbarimor për zhbllokimin e veprimeve administrative mbi lejen e qarkullimit të automjetit. Më tej, 22 ditë më vonë nga data e zhbllokimit përmbarimor dhe 99 ditë nga intervista mediatike e z. Dritan Zagani, konkretisht me datë 15.01.2016, është realizuar edhe ndryshimi i lejes së qarkullimit të automjetit Audi A8 me targa AA 003 GB. 
  22. Nuk rezulton as një e dhënë që mjeti Audi A8 të ketë shërbyer si mjet transporti për lëndën narkotike. Nuk rezulton më asnjë e dhënë të marrëdhënies ndërpersonale të z. Artan Habilaj dhe z. Saimir Tahiri e krijuar mbi këtë mjet që prej publikimit të intervistës së z. Dritan Zagani në media.
  23. Nga të gjitha këto të dhëna Gjykata, sipas nenit 152 të Kodit të Procedurës Penale, nxjerr disa konkluzione si vijon:
  • Blerja e mjetit AA 003 GB dhe zotëruesi faktik i saj është z. Artan Habilaj dhe zotëruesi apo blerësi i këtij sendi nuk është i pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, i cili e ka përdorur dy herë dhe jo për arsye familjare, sikurse dëshmon z. Artan Habilaj, por për të realizuar dy udhëtime jashtë shtetit të dokumentuara me një ndër bashkëpunëtorët e tij të ngushtë pjesëtar të grupit të strukturuar kriminal, z. Sabaudin Çela, ku një prej këtyre udhëtimeve ka qenë në Itali për të mbyllur llogaritë kriminale financiare të trafikimit të lëndës narkotike dhe për të pritur ekzekutimin e episodit të trafikimit të lëndës narkotike në “Palagonia”;
  • Mjetin e ka përdorur disa herë edhe i pandehuri në procedimin e lidhur z. Florian Habilaj për të bërë xhiro në Vlorë dhe jo sikurse sqaron z. Artan Habilaj për arsye familjare;
  • Z. Artan Habilaj i ka shërbyer me kohë, shërbime dhe shpenzime të pandehurit z. Saimir Tahiri, atëbotë me cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme, duke i dhënë mjetin tre herë për përdorim, duke u bërë shoferi i tij për transportin e familjarëve të tij dhe të Zëvendësministres së Punëve të Brendshme, duke u bërë shoferi i tij për të transportuar mekanikët e rregullimit të mjetit lundrues “Auras” në Greqi dhe duke u kujdesur për kthimin e mjetit lundrues në Shqipëri dhe heqjen e shpenzimeve të rrugës për kthimin në shtëpi të mekanikut z. Naim Brahimaj;
  • Arsyeja e blerjes së mjetit nga z. Artan Habilaj dhe mosinteresimi për rreth 2 vjet për të ndryshuar titullaritetin mbi të në lejen e qarkullimit është pikërisht përfitimi për të dhe vëllezërit e tij, në kushtet kur provohet se ai e dinte se me çfarë aktiviteti kriminal merreshin ato, i paprekshmërisë nga ana e forcave të policisë vendore Vlorë dhe përdorimi i tij si kredencial për besueshmëri, impresionim dhe imponim tek të tretët, qoftë subjekte private apo shtetërore, duke u prezantuar sakaq publikisht si të mbrojturit nga pushteti i Ministrit të Punëve të Brendshme atëbotë dhe njëkohësisht duke mos e shqetësuar aspak fakti që sendi është shitur me të meta juridike, nën një kontratë që shitësi ka pasqyruar të dhëna të rreme në përmbajtjen e saj lidhur me kufizimin përmbarimor, gjë që rriskonte potencialisht deri në humbjen e pronësisë mbi sendin e blerë;
  • Blerja e automjetit nga ana e z. Artan Habilaj është bërë edhe me vullnetin e z. Moisi Habilaj dhe me vullnetin e vëllait tjetër z. Florian Habilaj dhe se ky fakt është përdorur prej tyre për të fituar imunitetin, impresionin dhe kredencialet e nevojshme në realizimin e aktivitetit të grupit të strukturuar kriminal qoftë tek subjektet private dhe funksionarët shtetërorë të tjerë, të njohur dhe të panjohur në këtë proces, me të cilët ato kanë hyrë në marrëdhënie;
  • Fakti i blerjes së automjetit dhe përdorimit të automjetit të Ministrit të Brendshëm nga pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal atëbotë ka bindur akoma më shumë dhe ka përforcuar dhe inkurajuar vullnetin e tyre për intensifikimin dhe zhvillimin e aktivitetit kriminal në kuadër të këtij formacioni kriminal të strukturuar;
  • Ndryshimi i lejes së qarkullimit vetëm pasi u bë publike mediatikisht intervista e z. Dritan Zagani dhe mosmarrja e asnjë veprimi nga të dyja palët blerëse dhe shitëse për ta mundësuar ndryshimin e titullaritetit formal të mjetit, për rreth 1 vit dhe 10 muaj deri në momentin e publikimit të intervistës, tregon se asnjëra prej palëve nuk ka pasur interes që një gjë e tillë të ndodhë;
  • Ka mospërputhje të deklarimeve të arsyes se pse është shitur mjeti tek z Artan Habilaj, sikur sqarohet nga z. Kujtim Tahiri, dhe arsyen se pse një gjë e tillë ka ndodhur sipas deklarimeve të vetë të pandehurit z. Saimir Tahiri;
  • Z. Kujtim Tahiri, z. Artan Habilaj dhe vetë i pandehuri z. Saimir Tahiri nuk tregojnë të vërtetën e marrëdhënieve personale ndërmjet të pandehurit dhe z. Artan Habilaj;
  • E gjithë historia e marrëdhënies së realizuar ndërmjet z. Artan Habilaj dhe z. Saimir Tahiri tregon një marrëdhënie të qëndrueshme të tyre në kohë dhe në hapësirë dhe ndërpersonale që prej të paktën datës 05.11.2013, kur mjeti është shitur, dhe deri në fundin e vitit 2014.
  1. Lidhur me qëllimin e shitjes së sendit nga i pandehuri, Gjykata konkludon se nga të dhënat e dosjes, konkretisht nga shpjegimet e dhëna nga ungji i të pandehurit, z. Kujtim Tahiri, rezulton se sendi automjet personal është shitur pasi tashmë i pandehuri kishte në posedim automjetin e punës. Por një gjë e tillë është shpjeguar ndryshe nga i pandehuri, i cili ka deklaruar se nuk e ka përdorur automjetin e punës për qëllime personale për shkaqe etike dhe ndaj ka vendosur që për udhëtimet për qëllime personale të marrë automjetin e z. Artan Habilaj.
  2. Nga ana tjetër rezulton se deri me datë 03.09.2015, ditë kur u publikuar intervista e z. Dritan Zagani, nuk ka asnjë provë që t’i kundrejtojë dijeninë të pandehurit z. Saimir Tahiri mbi aktivitetin kriminal me të cilin merrej grupi i strukturuar Habilaj. Nga ana tjetër pas kësaj date nuk provohet që të jetë marrë ndonjë veprim konkret nga ana e Ministrit të Punëve të Brendshëm atëbotë kundrejt këtij fakti të bërë publik mbi veprimtarinë e kushërinjve të tij në Vlorë, të cilët përdornin automjetin e shitur prej tij dhe pa leje qarkullimi të përditësuar sipas kontratës së shitjes së datës 05.11.2013.
  3. Në funksion të arritjes së konkluzionit mbi marrëdhëniet ndërpersonale të të pandehurit me vëllezërit Habilaj, Gjykata vlerëson të nevojshme të sjellë në vëmendje edhe faktin se marrëdhënia e tyre është dokumentuar në fashikullin e gjykimit të ketë vijuar edhe pasi procedimi penal ka nisur kundër tyre dhe pasi i pandehuri nuk e ushtronte më funksionin publik. Kështu rezulton nga përgjimet e realizuara nga Prokuroria për Krimet e Rënda se me datë 17.09.2017 është zhvilluar një bisedë ndërmjet ungjit të të pandehurit, konkretisht z. Kujtim Tahiri, dhe z. Artan Habilaj, ku ungji i të pandehurit ka negociuar në emër të të pandehurit për të lënë një takim ndërmjet të pandehurit dhe z. Artan Habilaj. Ndërkohë me datë 18.09.2017 në përgjimin e realizuar ndaj z. Artan Habilaj rezulton se takimi është kryer. Nuk ka të dhëna për shkakun takimit dhe bisedën e kryer.
  4. Sigurisht ky fakt i dokumentuar në dosje nuk lidhet më me bashkëpunimin e posaçëm që akuza ka në përmbajtje dhe se nuk lidhet më as edhe me elementin e automjetit Audi A8 si fakt që ka treguar mbi zhvillimin e marrëdhënies ndërpersonale ndërmjet të pandehurit dhe vëllezërve Habilaj. Megjithatë Gjykata e mban parasysh këtë fakt vetëm për të vlerësuar kohëzgjatjen dhe cilësinë e marrëdhënieve ndërpersonale që provohen të kenë ekzistuar ndërmjet të pandehurve dhe vëllezërve Habilaj nga viti 2013 dhe deri në vitin 2017.
  5. Gjykata sjell në vëmendje se, nga fashikulli i procedimit penal të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier rezulton se ka qenë pikërisht ai, sikurse vetë i pandehuri e pranoi në seancën gjyqësore në gjykimin në apel pas një pyetje të drejtuar nga gjykata mbi këtë fakt, që ka paraqitur me cilësinë e provës në prokurori dy kërkesa për përgjim parandalues ndaj të dyshuarit si trafikant i lëndës narkotike të Lazaratit, z. Arben Dalipi, me qëllim që të tregonte masat e marra nga ai në drejtim të ndjekjes penale të këtij grupi të vlerësuar kriminal. Ndërkohë nuk rezulton që të jetë kërkuar apo të jetë mbajtur e njëjta praktikë pune në kuadër të zbatimit të nenit 8 të Ligjit Nr. 9157/2003 “Për përgjimin e komunikimeve elektronike”, i ndryshuar, ndaj kushërinjve të tij të denoncuar publikisht në media.
  6. Në seancë gjyqësore në gjykimin në apel pyetjes së gjykatës i pandehuri i u përgjigj se nuk e dinte nëse ka nënshkruar apo jo kërkesa për përgjim parandalues ngaj vëllezërve Habilaj drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, duke shtuar se kërkesat ai nuk i lexonte dhe se vetëm i nënshkruante sa herë që e kërkonte administrata e tij sipas rastit, duke shtuar se nëse ka kërkesa të tilla të nënshkruara nga ai do të ishte i lumtur.
  7. Gjykata e vlerëson këtë shpjegim jo të arsyeshëm, duke pasur parasysh natyrën e akuzave publike të bëra në drejtim të tij nga një oficer i policisë gjyqësore që kishte punuar në Vlorë dhe në fushën e trafikimit të narkotikëve dhe se për rrjedhojë konkludon se nuk ka asnjë shpjegim të arsyeshëm tjetër mungesa e diligjencës së të pandehurit për të ndërmarrë çdo veprim ligjor të mundshëm brenda kompetencave të tij për të verifikuar me çdo agjenci ligjzbatuese të shtetit se si qëndron e vërteta mbi aktivitetin e kushërinjve të tij në Qarkun e Vlorës, njërit ndër të cilëve u kishte shitur në datë 05.11.2013 automjetin personal dhe për të cilin kishte dijeni të plotë se përdorej nën lejen e qarkullimit që tregonte pronësinë mbi mjetin të Ministrit të Punëve të Brendshme.
  8. Përkundër kësaj diligjence të munguar dhe të pamundur nga aktet e fashikullit të gjykimit që të provohet e kundërta, fakt është që:
  • nga data 03.09.2015, ku u bë mediatike dhe publike intervista e z. Dritan Zagani, deri në datën 19.03.2017, ku ka përfunduar së ushtruari detyrën e Ministrit të Brendshëm i pandehuri z. Saimir Tahiri, kanë kaluar gjithsej 1 vit dhe 10 muaj dhe 16 ditë;
  • nga data 03.09.2015 deri me datë 29.04.2017, kur është bërë referimi penal në Prokurorinë për Krimet e Rënda ndaj grupit të strukturuar kriminal Habilaj, kanë kaluar gjithsej 1 vit e 11 muaj dhe 26 ditë;
  • nga data 03.09.2015 dhe deri në datën 18.10.2017 në episodin “Koçerri”, kanë kaluar 2 vjet e 5 muaj e 15 ditë, datë kjo e fundit në të cilën shënohet fundi i aktivitetit të paligjshëm të grupit të strukturuar kriminal Habilaj.    
  1. Në këto rrethana Gjykata vlerëson se arrihet në konkuzionin se i pandehuri z. Saimir Tahiri e ka ditur që më parë se me çfarë aktiviteti të paligjshëm merreshin kushërinjtë e tij në Vlorë. Në këto rrethana Gjykata vlerëson se i vetmi mjet ndihme i drejtpërdrejtë që kanë arritur të provojnë hetimet kundrejt të pandehurit z. Saimir Tahiri është pikërisht shitja e automjetit, i cili shndërrohet në mjet ndihme me faktin pasues të mosndryshimit të lejes së qarkullimit për më shumë se dy vjet pas shitjes. Në këto kushte mbetet të analizohet nëse mjafton ky veprim aktiv dhe mosveprim i të pandehurit për t’u konsideruar si ndihmë dhe kontribut në realizimin e aktivitetit kriminal të grupit të strukturuar kriminal Habilaj, sipas pikës 5 të nenit 26 të Kodit Penal.
  2. Gjykata vlerëson se, që të arrihet në konkluzionin se një funksionar i tillë shtetëror është pjesëtar dhe bashkëpunëtor i brendshëm i grupit të strukturuar kriminal duhet të provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm relevanca dhe vazhdimësia e ndihmës së dhënë përgjatë kohës fizike në të cilën grupi kryen aktivitet të paligjshëm. Gjykata vlerëson se në rastin konkret shitja e automjetit dhe mosmarrja e masave të nevojshme për të ndryshuar lejen e qarkullimit mundet të konkludohet se ka qenë një mjet ndihme për ekspansionin kriminal të grupit të strukturuar kriminal Habilaj por se ekzistenca e vetëm këtij elementi ndihme relativizohet dhe marxhinalizohet me kohën dhe se nuk mundet të jetë e arsyeshme të mendohet se Ministri i Punëve të Brendshme është bërë pjesë e grupit të strukturuar kriminal duke i shitur automjetin vëllait të kreut të grupit kriminal.
  3. Gjykata vlerëson se shitja e automjetit do të duhet të shërbente si element shoqërues i një forme të posaçme të dhënies së ndihmës nga ky subjekt i posaçëm, sikurse është Ministri i Punëve të Brendshme, fakt i cili duhet të shoqërojë në çdo rast porositë, urdhrat, udhëzimet, nxitjen, shantazhin, presionin, ndikimin e paligjshëm, ndërmjetësinë apo përdorimin e pushtetit të më lartë ekzekutiv të këtij institucioni për të ndikuar tek autoritetet policore vendore Vlorë apo autoritetet e tjera shtetërore që janë kompromentuar nga aktiviteti kriminal Habilaj për realizimin praktik të veprimtarisë së paligjshme mbi lëndët narkotike.
  4. Gjykata nuk gjen arsye për të konkluduar se shitja e automjetit Audi A8 nga i pandehuri tek z. Artan Habilaj ishte akt ndihme në vetvete. Ky akt, i shoqëruar edhe me mosndryshimin prej 2 vjet të titullaritetit të pronësisë mbi mjetin, në vlerësimin e Gjykatës nuk mundet të vlerësohet si kontribut shkakësor, për të konkluduar sakaq se, sipas nenit 13 të Kodit Penal, veprimtaria kriminale e kultivimit dhe e trafikimit të lëndëve narkotike nga grupi i strukturuar kriminal Habilaj është mundësuar nga shitja e automjetit dhe mosndryshimi i titullaritetit mbi të.
  5. Nuk mundet të konkludohet logjikshëm në të kundërtën e kësaj mënyre të perceptimit të këtij fakti qoftë edhe nga e dhëna e përcaktimit të një çmimi disafish më të ulët të shitjes së automjetit në nëntori 2013 se sa ai i blerjes së tij në shkurtin e po atij viti. Vëllezërit Habilaj, duke pasur parasysh motivin dhe qëllimin e këtij investimi për llogari të aktivitetit të tyre, kanë qenë të gatshëm ta blejnë qoftë edhe disafish më shumë se sa çmimi i vërtetë.
  6. Gjykata vlerëson se shitja bëhet fakt dhe provë për ta perceptuar si akt ndihme në momentin kur shoqërohet me mungesën e vullnetit dhe diligjencës për të ndryshuar titullaritetin formal të pronësisë në lejen e qarkullimit, megjithëse ishte krejt e mundur që të shlyhej detyrimi i titullit ekzekutiv që e mbante të bllokuar në fazën e ekzekutimit të detyrueshëm veprimet administrative të drejtorisë së shërbimeve të transportit rrugor përkatëse.
  7. Gjykata në këtë mënyrë bindet se vëllezërit Habilaj e kanë bërë këtë investim me ndërgjegje të plotë për ta kapitalizuar në aktivitetin e tyre të paligjshëm dhe për të rritur kredencialet e autoritetit të tyre tek të tretët persona privatë dhe shtetërorë. Nga ana tjetër Gjykata bindet se i pandehuri me ndërgjegje e ka lejuar që një gjë e tillë të ndodhë, edhe pse e ka ditur dhe ka pasur mundësi të dinte se si dhe pse mundet të përdoren simbolikisht posedimi dhe përdorimi i mjetit nga vëllezërit Habilaj në Shqipëri. Pikërisht ky veprim dhe mosveprim njëkohësisht i të pandehurit mbahet parasysh nga ana e Gjykatës për të vlerësuar etikën e qëndrimit të tij në detyrë, mbajtjen e kontakteve të papërshtatshme, ushtrimin e detyrës sipas detyrimeve ligjore të integritetit moral dhe profesional dhe plotësimin e standardeve ligjore që Kushtetuta dhe ligji kërkojnë për staturën funksionare dhe etatiste të Ministrit të Punëve të Brendshme përballë detyrimeve që i imponohen atij sipas detyrave kushtetuese dhe ligjore. 
  8. Gjykata sjell në vëmendje se kontributi i ndihmësit në bashkëpunimin e posaçëm, në mënyrë që ta shquajë subjektin kontributor në pjesëtar të formacionit kriminal dhe njëherazi bashkëpunëtor të brendshëm, do të duhet detyrimisht të ketë rëndësi në zhvillimin e aktivitetit kriminal dhe të jetë shkakësor, që do të thotë se mungesa e kësaj ndihme do të pamundësonte apo vështirësonte zhvillimin e veprimtarisë kriminale të grupit apo do të vështirësonte ekzistencën e vetë grupit. Në rastin konkret nuk mundet të konkludohet arsyeshëm e aktiviteti kriminal i kultivimit dhe trafikimit të lëndës narkotike është lejuar nga forcat policore të Vlorës dhe nga funksionarët e tjerë shtetëror të përfshirë në këtë aktivitet për shkak të shitjes së automjetit Audi A8 nga i pandehuri Ministër i Punëve të Brendshme atëbotë tek vëllai i kreut të grupit të strukturuar kriminal Habilaj.
  9. Nuk provohet që ky mjet të ketë shërbyer për kultivimin e lëndës narkotike apo për trafikimin e saj dhe me të të jetë shmangur kontrolli policor. Aq më pak nuk mundet të konkludohet arsyeshëm se mosndryshimi i titullaritetit të pronësisë nga data 05.11.2013 deri në datë 15.01.2016 i automjetit Audi A8 ka kontribuar në zhvillimin e aktivitetit kriminal të grupit Habilaj. Përdorimi i këtij mjeti në udhëtimin në Itali të të pandehurit z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çela në episodin “Palagonia” nuk tregon se është përdorur si mjet për kryerjen e veprës penale. Ato kanë siguruar transportin e ligjshëm nga Shqipëria në Itali dhe janë kthyer. Mjeti që është përdorur nga ata për kryerjen e aktiviteteve të paligjshme ka qenë automjeti Fiat ku ka qenë edhe përgjuesi ambiental i vendosur nga autoritetet italiane. Nga ana tjetër nuk ka asnjë të dhënë që mundet t’i kundrejtohet të pandehurit lidhur me këtë fakt të vërtetuar në fashikullin e gjykimit.
  10. Duke pasur parasysh konkluzionet e arritura më lart mbi mënyrën se si një subjekt si Ministri i Brendshëm mundet të konkludohet se është pjesë grupit të strukturuar kriminal si bashkëpunëtor i brendshëm, Gjykata konkludon se vetë dhënia e automjetit nuk mundet të konsiderohet ndihmë e vazhdueshme e Ministrit të Brendshëm për të mundësuar realizimin e aktivitetit kriminal të lëndës narkotike të grupit të strukturuar kriminal Habilaj në Vlorë nga tetori i vitit 2013, ku automjeti është dhënë fillimisht në përdorim, deri me datë 19.03.2017, datë kur Ministri i Brendshëm i pandehur në këtë proces është larguar nga detyra.       

           

  1. Bizhuteritë

 

  1. Përgjimi tjetër i radhës kronologjike rezulton të jetë ai i datës 16.12.2013, i realizuar në automjetin ku ndodhej i pandehuri në procedimin penal të lidhur z. Moisi Habilaj dhe i pandehuri në procedimin penal të lidhur z. Sabaudin Çela, provë kjo e marrë me letërporosi nga autoritetet italiane të drejtësisë. Në këtë përgjim tregohet se jashtë makinës i pandehuri z. Moisi Habilaj ishte me bashkëpunëtorin e tij kryesor italian, z. Antonio Riela, dhe më tej futet në makinë. Ai i tregon z. Sabaudin çela, i cili ndodhej në makinë, se kishte blerë dy byzylykë me diamante të kushtueshme 9000 Euro me ulje tek argjendaria përballë gjykatës së Katanias, të cilat një ishte dhuratë në nënën dhe tjetra ishte dhuratë për bashkëshorten e të pandehurit z. Saimir Tahiri. Ndërkohë bashkëfolësi e pyet nëse kishte kamera sigurie dhe z. Moisi Habilaj i përgjigjet se nuk kishte. Ndërkohë z. Moisi Habilaj i tregon se paratë i ka paguar në dorë dhe se kishte marrë edhe certifikatat e sigurisë, të cilat garantonin zotëruesin e byzylykëve se nëse ato humbnin do të mundej të zëvendësoheshin me të tjera. Nga konteksti i mëtejshëm i kësaj bisede rezulton se këto dhurata dhe shpërblime të tjera për anëtarët bashkëpunëtorë të grupit të strukturuar kriminal po bëheshin si dhurata për festat e fundvitit.
  2. Prokuroria ka konkluduar se këto dhurata janë dhënë nga ana e kreut të grupit të strukturuar kriminal, të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, për llogari të të pandehurit z. Saimir Tahiri, duke u shpjeguar arsyeja pikërisht për mbështetjes dhe kontributit që ai kishte dhënë për llogari të veprimtarisë kriminal të grupit. Ka rezultuar se me datë 19.10.2017 Prokuroria për Krimet e Rënda i ka kërkuar Kuvendit lejimin e kontrollit të banesës së deputetit. Me Vendimin nr. 104, datë 25.10.2017 të Kuvendit është lejuar prokuroria të kryejë kontrollin e banesës. Ndërkohë kontrolli rezulton të jetë lejuar përmes Vendimit nr. 271, datë 26.10.2017 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë dhe nga kontrolli i po asaj dite rezulton se nuk është konstatuar diçka me interes për hetimin, qoftë për sendet dhe qoftë për certifikatat e sigurisë apo edhe fatura apo akte të tjera që mundet të tregojnë se sendet me vlerë janë dorëzuar apo janë pranuar.
  3. Sjell në vëmendje se fakti që këto dy dhurata të çmueshme janë blerë për të pandehurin z. Saimir Tahiri rezulton i njohur edhe tej personat e tjerë anëtarë apo me lidhje të afërta gjinore dhe shoqërore të anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal. Kështu në përgjimin ambiental të datës 13.01.2014 rezulton se z. Enea Sulaj i tregon një bashkëbiseduesi të paidentifikuar për dhuratat e çmuara që i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj i ka blerë bashkëshortes së të pandehurit z. Saimir Tahiri. Nga biseda kuptohet një lloj adhurimi i tij për çka bënte i pandehuri z. Moisi Habilaj dhe tregohet se “Saimiri” nuk donte para për punën ndërsa “Sokoli” mori paratë.
  4. Nga kjo e dhënë Gjykata vlerëson se shpjegohet arsyeja se pse ishin marrë dhuratat nga z. Moisi Habilaj dhe se kjo e dhënë, pavarësisht pasaktësive në informacionin që z. Enea Sulaj i jep bashkëbiseduesit, tregon se ndër personat e afërt të të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj qarkullonte fakti i blerjes së dhuratave dhe i lidhjes së veçantë që ai kishte me Ministrin e Punëve të Brendshme në detyrë të Republikës së Shqipërisë atëbotë, të pandehurin z. Saimir Tahiri.
  5. Blerja e dhuratave me datë 16.12.2013 dhe përgjimi shpjegues i datës 13.01.2014 rezultojnë të jenë zhvilluar përkatësisht 62 ditë dhe 90 ditë pas ekzekutimit të episodit “Augusta” të trafikimit të lëndës narkotike nga ana e z. Moisi Habilaj nga Shqipëria në Itali. Sikurse u soll në vëmendje më lart, nga të gjitha provat e administruara në fashikull, i vetmi bashkëpunëtor i identifikuar i grupit të strukturuar kriminal me emrin “Sokol” është i pandehuri z. Sokol Bode, duke u identifikuar sakaq edhe subjekti tjetër që në këtë raste flitej se është shpërblyer me para nga ana e të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj.          
  6. Mbi këtë fakt rezulton se ka edhe të dhëna të tjera që hedhin dritë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Nga pyetja e bashkëpunëtorit kryesor Italian, z. Antonio Riela, të të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, rezultojnë tre të dhëna që përputhen me realitetin që përftohet nga përgjimi ambiental. Së pari, ai shpjegon në dëshminë e tij se është e vërtetë që në dhjetorin e vitit 2013 e ka shoqëruar z. Moisi Habilaj në një argjendari. Së dyti, ai shpjegon se argjendaria ndodhej tek gjykata e Katanias. Së treti, ai tregon se z. Moisi Habilaj i bleu bizhuteritë.
  7. Faktin e blerjes së bizhuterive e ka pranuar edhe vetë i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj kur është pyetur. Ai ka shpjeguar se është e vërtetë që i ka blerë bizhuteritë e çmueshme por se ato nuk janë blerë si dhuratë për të pandehurin z. Saimir Tahiri por janë blerë si dhuratë për bashkëpunëtorin e tij kryesor shqiptar, personin e identifikuar nga ai me emrin “Fatosh”. Sikurse do të trajtohet edhe në vijim, Gjykata vlerëson se ky subjekt nuk ekziston dhe është trillim imagjinar i të pandehurit në procedimin e lidhur, pasi në pesë vjet përgjime që autoritetet italiane dhe shqiptare kanë kryer ndaj tij nuk rezulton asnjë subjekt i tillë, qoftë me këtë emër apo që të jetë mbi pozitën kriminale që z. Moisi Habilaj ka pasur në grupin e drejtuar prej tij.
  8. Sa më lart u analizuan provat, Gjykata konkludon se fakti i blerjes së byzylykëve nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj rezulton i provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm. Për sa i përket çështjes se për cilin subjekt janë blerë këto bizhuteri, Gjykata konkludon se provohet se bizhuteritë janë blerë për të pandehurin z. Saimir Tahiri. Më tej Gjykata konkludoi se nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se bizhuteritë e blera nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj janë pranuar apo janë marrë prej të pandehuri z. Saimir Tahiri.

 

  1. Mjeti lundrues “Auras”

 

  1. Në Fashikullin Volumi VI, faqe 305, dhe në Fashikullin IX, faqe 265, ndodhet Kontrata e Shitjes së mjetit lundrues “Solemar” apo ndryshe “Auras”. Kontrata ka datën 25.07.2014 dhe paraqet të dhënat se shitësi është z. Federico Silvestri dhe blerësi është Orges Liperi.
  2. Çmimi është përcaktuar 15.000 Euro dhe se në këtë shkresë private ka nënshkruar vetëm z. Federico Silvestri, duke u paraqitur si shkresë e njëanshme, pavarësisht se është emërtuar dhe paraqitet si kontratë shitje. Shkresa mban shënimin “Addi Bari 25 Luglio 2014”. Deklarimi i mjetit lundrues, sipas Ligjit nr. 9773/2000, është bërë nga z. Orges Liperi me datë 06.08.2014. Praktika doganore e vlerësimit të vlerës doganore është bërë po me datë 06.08.2014 sipas metodës së vlerës së deklaruar, duke u pranuar nga autoriteti doganor çmimi 15.000 Euro i shitjes së mjetit. Në certifikatën e mjetit lundrues fiksohet edhe aftësia e tij për të lundruar deri në 5 milje larg bregut.
  3. Nga letërporosia e shtetit italian e administruar në gjykim rezulton se nuk ekziston një subjekt person fizik i tillë, kodi fiskal i paraqitur në kontratë nuk është real dhe se adresa e dhënë në kontratë nuk ekziston. Mjeti rezulton se ka hyrë në Shqipëri me datë 06.08.2014 dhe në dëshminë e tij blerësi formal i sendit deklaron se po këtë ditë e ka parë dhe e ka vendosur ta blejë sendit, pas sugjerimit të z. Roni Shqiopa, atëbotë Drejtor i Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme. Ky i fundit rezulton se ka qenë vartës dhe njëkohësisht ndër personat në rrethin e ngushtë shoqëror të të pandehurit z. Saimir Tahiri, sikurse e pranon vetë në dëshminë e tij për njohjen familjare të realizuar ndërmjet tyre dhe sikurse e provojnë edhe letërporositë e marra nga Republika e Malit të Zi në lidhje me pushimet e kryera së bashku. Më tej blerësi formal rezulton se ka deklaruar se ka qenë z. Roni Shqiopa që i a ka kërkuar që mjetin lundrues të sapo blerë t’ia jepte në përdorim Ministrit të Brendshëm atëbotë dhe se ai ka pranuar, duke shtuar se nuk mban mend të ketë lëshuar ndonjëherë autorizim për përdorimin e mjetit të tij lundrues. Ai ka sqaruar se e ka blerë mjetin lundrues pasi ishte me çmim ndjeshëm më të ulët nga ai që vlen normalisht dhe se e kishte parë si një okazion për faktin se mjeti kishte një defekt dhe se kjo ishte arsyeja se pse kushtonte më pak dhe se pas rregullimit të tij kishte menduar ta shiste për një çmim më të lartë dhe në këtë mënyrë të realizonte fitim nga shitja.
  4. Ekzistencën e defektit të mjetit në pjesët xhenerike të tij e konfirmon në dëshminë e tij edhe z. Roni Shqiopa, duke e shpjeguar edhe ai çmimin e ulët okazion pikërisht me këtë të metë të sendit të blerë. Ai ka dëshmuar se të gjitha procedurat e zhdoganimit i ka realizuar z. Roni Shqiopa nëpërmjet një agjencie doganore dhe njohjeve që ai kishte. Me sa i kujtohet, ai ka deklaruar se mjetin e ka blerë në vitin 2014, nga një shtetas italian kundrejt vlerës 15.000 Euro dhe se emri i tij nuk i kujtohet. Ai sqaron se mjeti kishte defekt tek motorët dhe sistemi i drejtimit dhe ndaj u mor me këtë çmim dhe se për rregullimin e tij është marrë një punonjës policie me emrin “Naim” i Portit Durrës dhe se mbiemrin e tij nuk e di dhe se ai merrej me rregullimin dhe mirëmbajtjen e barkave. Ai ka deklaruar se e ka marrë me qëllimin për ta përdorur gjatë periudhës së plazhit.
  5. Nga këto të dhëna Gjykata konkludon se kontrata e shitjes së mjetit lundrues është  një veprim juridik fiktiv dhe se blerësi formal z. Orges Liperi e ka të paqartë se si është blerë mjeti lundrues, pavarësisht se përpiqet të sqarojë rrethanat se si dhe se pse e ka blerë.
  6. Rezulton se dy ditë pas blerjes, konkretisht me datë 08.08.2014, bashkëshortët Tahiri dhe bashkëshortët Hoxha, atëbotë përkatësisht Ministër dhe Zëvendësministre e Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë nisur me mjetin lundrues. Ata kanë kaluar portin e Kërkyras në Republikën e Greqisë në po të njëjtën ditë dhe se më tej janë nisur me pikëmbërritje ishullin Paskos.
  7. Nuk është hetuar dhe është e paqartë se me çfarë dokumentacioni kanë udhëtuar dhe e kanë marrë lejen e lundrimit çifti Tahiri dhe Hoxha në këtë udhëtim, pasi marrja e lejes së lundrimit, sikurse do të sillet në vëmendje më poshtë, mundësohet vetëm nëse ndër të tjera përdoruesi jopronar i mjetit lundrues paraqet autorizimin apo kontratën e huapërdorjes së mjetit lundrues tek kapitaneria detare. Rezulton se si Kapiten i mjetit lundrues është regjistruar në këtë udhëtim i pandehuri z. Saimir Tahiri. Ndërkohë që pronari formal i mjetit lundrues ka deklaruar se nuk ka lëshuar prokurë për përdorimin e mjetit.
  8. Të nesërmen, me datë 09.08.2014, z. Artan Habilaj bashkë me z Alban Alia kanë dërguar pjesëtarët përkatës të familjes Hoxha dhe Tahiri në vendin ku çiftet e bashkëshortëve po pushonin. Të dy shoferët janë kthyer të nesërmen në Shqipëri, konkretisht me datë 10.08.2014, pasi kanë fjetur rrugës në Greqi një natë nga që ishin të lodhur. Detajet janë dhënë më lart në këtë vendim, qoftë tek renditja e provave në pjesën e rrethanave të faktit dhe qoftë në pjesën e vendimit ku janë trajtuar rrethanat e automjetit Audi A8 me targa AA 003 GB.
  9. Një nga këto ditë mjeti lundrues “Auras” pëson defekt në Greqi dhe i pandehuri z. Saimir Tahiri aktivizon z. Naim Brahimaj, z. Aurel Konakçiu dhe z. Artan Habilaj që t’i vijnë në ndihmë. Me datë 14.08.2014 ato nisen me automjetin Audi A8 me targa AA 003 GB dhe mbërrijnë në vendin ku po pushonin familjet Tahiri dhe Hoxha. Mekanikët merren të rregullojnë mjetin lundrues, drekojnë së bashku, bëjnë xhiro me mjetin lundrues pas bërjes funksional të tij, darkojnë së bashku dhe të nesërmen, pasi i lënë familjes Tahiri automjetin Audi A8, marrin mjetin lundrues dhe kthehen në Shqipëri, konkretisht rreth orës 23:00 në Triport Vlorë. Në dëshminë e tij z. Naim Brahimaj pranon se shpenzimet e kthimit për automjetin që e solli nga Vlora në Durrës, për në shtëpinë e tij, i pagoi z. Artan Habilaj.
  10. Rezulton se defekti i mjetit lundrues nuk u rregullua. Më tej rezulton se në shtator të vitit 2014, i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj së bashku me shtetasit mekanikë z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu janë kujdesur për të dërguar në Brindizi, Itali, për riparim mjetin lundrues "Auras”. Rezulton se z. Aurel Konakçiu nuk është pyetur gjatë hetimeve paraprake. Ndërkohë z. Naim Brahimaj ka deklaruar se e ka marrë në telefon z. Aurel Konakçiu dhe i ka kërkuar të shkojë në Itali së bashku me të për të rregulluar mjetin lundrues në një kantier riparimi anijesh dhe se ai ka pranuar. Ai deklaron se e dinte që ky mjet lundrues përdorej nga Ministri i Brendshëm atëbotë dhe se nuk ka marrë leje në punë për shkak se po shkonte të kujdesej për riparimin e mjetit lundrues që përdorej nga Ministri i Brendshëm.
  11. Rezulton se për të Itali të tre me mjetin lundrues janë nisur me datë 09.09.2014  dhe se si kapiten i skafit është regjistruar i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj. Rezulton se me datë 10.09.2014 të tre përmes skafit kanë mbërritur në Brindizi, konkretisht në Kantierin Detar “Danese”.
  12. Detajet se si është marrë leja e lundrimit, të hetuara nga Prokuroria për Krimet e Rënda, japin të dhëna të rëndësishme për përkushtimin e të pandehurit në procedim të lidhur për të riparuar defektin e mjetit lundrues që përdorej nga i pandehuri z. Saimir Tahiri. Rezulton e provuar nga regjistrat e Kapitenerisë Detare Vlorë dhe nga dëshmitë e punonjësve përgjegjës që janë marrë me praktikën e dhënies së lejes së lundrimit në këtë rast se z. Moisi Habilaj është paraqitur për të marrë lejen e lundrimit për mjetin lundrues “Auras” një ditë përpara udhëtimit detar për në Brindisi, që do të thotë me datë 08.09.2014. Ai është paraqitur, sipas punonjësve përgjegjës dhe që kanë trajtuar rastin, me një listë pasagjerësh prej katër persona, ku në krye ishte emri i të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe më tej ishin emrat e atyre të treve që kanë realizuar së bashku udhëtimin duke u paraqitur edhe plani i udhëtimit. Punonjësi që ka trajtuar rastin shprehet se nuk e ka besuar këtë listë pasagjerësh, duke qenë se aty ndodhej emri i Ministrit të Punëve të Brendshme atëbotë, dhe se, duke qenë se kërkuesi nuk kishte edhe autorizimin për përdorimin e mjetit pasi mjeti ishte në pronësi të dikujt tjetër, ka refuzuar të lëshojë lejen e lundrimit. Ai tregon se z. Moisi Habilaj nuk e priti mirë refuzimin e lëshimit të lejes dhe se i u përgjigj me nervozizëm, qoftë ai dhe nëpunësit kolegë të tij tregojnë se e dinin se ky mjet lundrues përdorej nga Ministri i Punëve të Brendshme.
  13. Më tej rezulton nga dëshmia e punonjësve përgjegjës të kapitanerisë se të nesërmen e kësaj ditë, që do të thotë me datë 09.09.2014 z. Moisi Habilaj është paraqitur para tyre me dokumentacionin përkatës të plotësuar dhe se leja e lundrimit është dhënë sakaq, duke përcaktuar se leja e lundrimit, sipas edhe kufizimeve të certifikatës së mjetit lundrues, është dhënë që të udhëtohet vetëm deri në tre milje larg bregut, duke qenë se mjeti nuk kishte mundësi objektive të komunikonte me kapitaneritë përkatëse në rast incidentesh në det të hapur. Ato kanë treguar se afati për mbajtjen e dokumentacionit të lejeve të lundrimit ka mbaruar dhe se për rrjedhojë ka qenë e pamundur për prokurorinë të administrohet ky dokumentacion me cilësinë e provës. Ato dëshmojnë se kësaj here z. Moisi Habilaj ishte deklaruar kapiten dhe se lista e udhëtarëve në mjet ishte me tre persona dhe se nuk ishte më në listë emri i të pandehurit z. Saimir Tahiri. Rezulton se mjeti lundrues ka mbërritur në portin e Brindisit me datë 10.09.2014, që do të thotë të nesërmen e udhëtimit.
  14. Ndërkohë në dëshminë e z. Naim Brahimaj data 09.09.2014 sqarohet se ai ka ikur në Vlorë dhe ka takuar atje z. Aurel Konakçiu dhe se tek skafi ka takuar z. Moisi Habilaj, duke shtuar se skafi ndodhej pikërisht në Triport ku e kishin ankoruar pasi kishin mbërritur nga Greqia. Ai tregon se z. Moisi Habilaj i ka thënë që t’ia shkruanin edhe atij emrin sepse do të vinte edhe ai në Itali, duke sqaruar se lejen e lundrimit tek kapitaneria e mori z. Moisi Habilaj dhe se janë nisur të tre për në Itali me skafin e mësipërm. Nuk shpjegon nëse është respektuar leja e lundrimit gjatë rrugëtimit për sa i përket gjurmës detare në të cilën ato duhet të udhëtonin.
  15. Nga analiza e këtyre provave, duke pasur parasysh dëshminë e z. Orges Liperi në pjesën ku ka deklaruar se nuk e njeh z. Moisi Habilaj dhe se nuk ka lëshuar autorizim për përdorimin e mjetit lundrues, kuptohet se ka dy alternativa se si në të vërtetë ka ndodhur që i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj ka arritur të plotësojë dokumentacionin. Nëse do të merren të mirëqena dëshmitë e dhëna nga punonjësit e kapitanerisë dhe shënimet e bëra prej tyre në regjistrin përkatës, atëherë konkludohet me siguri se dokumenti autorizim i lëshuar nga pronari për përdorimin e mjetit është falsifikuar prej tij. Nëse dëshmitë e punonjëse përgjegjës të kapitanerisë dhe regjistrimet përkatëse në regjistër nuk janë të vërteta, atëherë do të thotë se i pandehuri në procedim të lidhur ka bërë gjithçka të mundshme për t’u pajisur me datë 09.09.2014 me lejen e lundrimit edhe pse në kundërshtim me ligjin. Në secilin prej varianteve për Gjykatën rezulton se provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se përkushtimi i të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj ka qenë maksimal, edhe duke kryer vepra të tjera penale, për të mundësuar atë ditë nisjen me mjetin lundrues drejt Italisë me qëllim që ta riparonin.
  16. Nga ana tjetër nuk rezulton që të jetë dokumentuar gjurma detare e përshkuar në këtë udhëtim dhe nëse është respektuar apo jo kushtëzimi teknik i mënyrës së udhëtimit, konkretisht jo më larg se tre milje larg bregut. Por është fakt se të nesërmen e nisjes të tre personat udhëtarë kanë mbërritur në Brindisi. Kjo pjesë nuk është hetuar por ngjan e pamundur që rrugëtimi përgjatë gjithë bregut të Adriatikut, Shqipëri, Mal i Zi, Kroaci, Slloveni dhe më tej gjithë bregdetin lindor italian deri në Brindisi të ketë marrë kohë për t’u përshkuar në një ditë të vetme. Sërish ky fakt tregon përkushtimin dhe sakrificën e bërë nga të tre udhëtarët lundërtarë për të mbërritur në kantierin detar të riparimit të anijeve në mënyrë që të riparonin mjetin lundrues të z. Orges Liperi, i regjistruar si titullari formal i tij.       
  17. Në Brindisi rezulton se ato kanë qëndruar në Hotel L’Approdo. Z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu kanë qëndruar tre netë dhe janë nisur me datë 13.09.2014, ndërsa i pandehuri z. Moisi Habilaj ka qëndruar dy net dhe është nisur për Shqipëri me datë 12.09.2014, fakt që provohet edhe nga dokumenti i prodhuar nga sistemi TIMS. Në dëshminë e tij z. Naim Brahimaj tregohet se tek skafi kanë ardhur disa persona që e verifikuan dhe i thanë që do ta rregullonin, duke qenë prezent të tre. Ai sqaron se z. Moisi Habilaj kishte ikur një ditë përpara për në Shqipëri, pasi i kishte thënë se kishte nënën sëmurë. Ai tregon se kur kanë qëndruar në Brindisi shkonin të tre tek skafi dhe qëndronin deri pasdite vonë. Ai tregon se hotelin në Brindisi e ka paguar z. Moisi Habilaj për të gjitha ditët që kanë qenë bashkë. Fakt është që nga letërporosia e marrë nga prokuroria prej autoriteteve italiane, ka rezultuar se fatura e qëndrimit për tre net ka dalë jo në datën e lënies së hotelit nga z. Aurel Konakçiu dhe z. Naim Brahimaj, konkretisht me datë 13.09.2014, por me datë 12.09.2014, konkretisht ditën në të cilën provohet se është larguar nga hoteli dhe nga Italia për të mbërritur në Shqipëri i pandehuri z. Moisi Habilaj. Nga ana tjetër fakt është që fatura e hotelit, në vlerën 145 Euro, ka dalë për llogari të z. Naim Brahimaj.
  18. I pandehuri z. Saimir Tahiri ka pretenduar në konkluzionet e dorëzuara me shkrim në gjykatën e apelit në gjykimin rishtar se kjo pjesë e dëshmisë së z. Naim Brahimaj, ku deklaron se shpenzimet e hotelit janë paguar është e falsifikuar nga prokurorët dhe si e tillë e papërdorshme. Ai ka pretenduar se e vërteta është që autorizimin për të përdorur mjetin lundrues me qëllim riparimin në Itali nuk e ka pasur askush tjetër përveç se z. Aurel Konakçiu dhe z. Naim Brahimaj dhe se prezenca e z. Moisi Habilaj në mjetin lundrues është një rastësi. Ai ka pretenduar se pagesa është kryer nga z. Naim Brahimaj dhe se këtë fakt e provon me fuqi të plotë provuese vetë fatura e lëshuar nga hoteli dhe e marrë si provë me letërporosi.
  19. Gjykata e shkallës së parë ka arsyetuar ndër të tjera si vijon: “Shtetasi Naim Brahimaj ka deklaruar se hoteli është paguar nga i pandehuri në procedim të lidhur Moisi Habilaj, por në kushtet që dokumenti që dokumenti ligjor që vërteton shpenzimin (fatura tatimore përkatëse) është lëshuar në emër të shtetasit Naim Brahimaj dhe nuk ka ndonjë provë tjetër që të mbështesë deklarimin e tij, vërtetësia e këtij fakti (që hoteli është paguar nga Moisi Habilaj) mbetet e dyshimtë dhe siç është përmendur më lart çdo dyshim për akuzën shkon në favor të të pandehurit.
  20. Gjykata vlerëson se pretendimi i të pandehurit z. Saimir Tahiri në këtë pjesë dhe konkluzioni i gjykatës vijnë në kundërshtim me vlerësimin që duhet të bëhet mbi këto prova në mënyrë që të arrihet mbi vërtetësinë natyrale të faktit se si ka ndodhur.
  21. Edhe sikur në rastin konkret të vihej në diskutim ky fakt për t’u provuar në procesin civil apo administrativ, sipas nenit 253 të Kodit të Procedurës Civile[147] konkluzioni i gjykatës nuk do të ishte se fatura ka vlerë dhe fuqi të plotë provuese për të vërtetuar faktin se kush e ka paguar shumën 145 Euro. Sipas kësaj baze ligjore fatura do të kishte fuqi të plotë provuese për të vërtetuar se në emër të kujt subjekti ka dalë por jo për faktin se kush e ka paguar atë. Aq më tepër prova shkresore, qoftë edhe dokument zyrtar, nuk mundet të marrë fuqi detyruese apo fuqi të plotë provuese në procesin penal, ku objekt shqyrtimi parësisht nuk janë faktet e ligjshme por faktet e paligjshme.
  22. Kjo do të thotë se gjykata e shkallës së parë i ka dhënë në rastin konkret fuqi të paracaktuar ligjore provës shkresore faturë tatimore të hotelit L’Approdo në kundërshtim me fjalinë e parë të pikës së parë të nenit 152 të Kodit të Procedurës Penale. Pika 1 e kësaj dispozite parashikon se: “1. Asnjë provë nuk ka vlerë të paracaktuar nga ligji. Gjykata, pas shqyrtimit të provave në tërësi, çmon vërtetësinë dhe fuqinë provuese të tyre, duke argumentuar arsyet ku është mbështetur për të krijuar bindjen e saj.
  23. Në rastin konkret ka disa të dhëna dhe disa argumente prove që bindin Gjykatën se dëshmia e z. Naim Brahimaj për këtë pjesë është e vërteta natyrale e faktit se si ka ndodhur, vlerësuar kjo provë në tërësi me provat e tjera. Fillimisht Gjykata sjell në vëmendje se në dëshminë e tij z. Orges Liperi ka deklaruar se nuk ka paguar asgjë dhe se nuk di asgjë për servisin e mjetit lundrues në vitin 2014. Më tej duhet të sillet në vëmendje se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka deklaruar se shpenzimet për servisin e mjetit lundrues në vitin 2014 i ka bërë ai, pasi e ka ndjerë përgjegjësi morale që defektin e shkaktuar mjetit ta ndreqte po ai, duke qenë se mjeti kishte shfaqur defektin pikërisht gjatë udhëtimit të pushimeve në Gushtin 2014 në Greqi. Më tej Gjykata sjell në vëmendje faktin se fatura e hotelit L’Approdo është printuar me datë 12.09.2014, pikërisht në datën që z. Naim Brahimaj ka dëshmuar se z. Moisi Habilaj ka lënë hotelin dhe pikërisht në datën kur sistemi TIMS provon se ai është kthyer në shtëpi. Gjykata sjell në vëmendje se vetë fatura ka dalë për tre persona. Më tej, si argument për leximin e provës, Gjykata sjell në vëmendje se nuk ka asnjë kuptim sipas rregullave të përbotshme të eksperiencës njerëzore që i punësuari apo personi i porositur apo kontraktuar për të shërbyer të paguajë shpenzimet e sendit që është porositur të ndreqë.
  24. Për rrjedhojë Gjykata rrëzon si të pabazuar në prova dhe në ligjin procedural pretendimet e të pandehurit mbi këtë fakt. Së pari, Gjykata sjell në vëmendje se nuk mundet të pretendohet papërdorshmëria e provës në gjykimin në apel në rastin kur në gjykimin në seancën paraprake është kërkuar nga vetë i pandehuri gjykim të shkurtuar, në seancë gjyqësore në gjykimin në shkallë të parë sërish ka pasur të njëjtin vullnet ai dhe është proceduar për rrjedhojë sipas këtij riti procedural gjykimi dhe më tej edhe në gjykimin në apel nuk ka pasur asnjë vullnet për të riçelur shqyrtimin gjyqësor apo për të kërkuar procedimin sipas gjykimit të zakonshëm. Së dyti, analiza e provave dhe të dhënave në tërësi të dosjes nuk e rrëzon faktin e pretenduar sipas të pandehurit.
  25. Për rrjedhojë Gjykata, ndryshe nga gjykata e shkallës së parë, konkludon se shpenzimet e hotelit prej 145 Euro në udhëtimin e parë të riparimit të mjetit lundrues ‘‘Auras’’ për qëndrimin e mekanikëve nga data 10.09.2014 deri me datë 13.09.2014 i ka paguar i pandehuri në procedimin penal të lidhur z. Moisi Habilaj.
  26. Gjithashtu Gjykata konkludon se i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj është përkujdesur me përkushtim për ndreqjen e mjetit lundrues “Auras”, duke nisur nga peripecitë e përballuara në Kapitenerinë e Portit Vlorë, konkretisht nga data 08.09.2014,  në udhëtimin e bërë, në interesimin në kantierin e riparimit të mjeteve duke ndenjur në pritje deri pasdite dhe duke përfunduar me shpenzimet e kryera gjatë rrugës së marrë posaçërisht për këtë qëllim deri në kthimin e tij në Shqipëri me datë 12.09.2014. Në këtë vlerësim Gjykata e vlerëson të paarsyeshme interpretimin e fakteve që bën i pandehuri, duke u shprehur se sjellja e Kapitenerisë së Portit Vlorë kundrejt të pandehurit z. Moisi Habilaj është i vetmi rast që tregon se autoritetet shtetërore nuk e kanë toleruar atë pavarësisht faktit se ka përdorur emrin e Ministrit të Punëve të Brendshme.
  27. E kundërta në fakt ka ndodhur dhe i kundërt është konkluzioni logjik që përftohet nga kjo ndodhi e dokumentuar nga prokuroria. Në këtë rast i pandehuri në procedimin e lidhur nuk po kujdesej për vete apo për aktivitetin e tij, pasi rezulton se ai ishte përkushtuar për të ndihmuar në dukje pronarin formal të skafit, duke bërë çmos që mjeti lundrues të dërgohej në Itali për riparim. Nga ana tjetër, sikurse vetë i pandehuri pranon në shpjegimet e dhëna në konkluzionet përfundimtare në gjykimin në apel, ishte pikërisht ai që kishte marrë përsipër ta ndreqte defektin që mjeti lundrues kishte pësuar, duke e ndjerë si detyrim moral një gjë të tillë. Kjo do të thotë se përkushtimi dhe sakrifica e të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj nuk po bëhej për z. Orges Liperi, për të cilin ky i fundit deklaron se nuk e njoh fare, por po bëhej për të pandehurin.
  28. Më tej në dëshminë e z. Naim Brahimaj dhe nga dokumentet e sistemit TIMS të administruara si provë rezulton se, pas pak ditësh të kthimit në Shqipëri, e ka marrë në telefon z. Aurel Konakçiu dhe i ka kërkuar të ikin përsëri në Itali për të marrë skafin dhe për ta sjellë në Shqipëri pasi nuk ishte rregulluar. Ai tregon se janë nisur të dy, kësaj radhe pa të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, me traget Durrës – Bari dhe pastaj kanë shkuar me tren deri në Brindisi dhe se kanë fjetur në të njëjtin hotel dhe se të nesërmen kanë marrë skafin ku e kishin lënë të ankoruar dhe janë kthyer për në Durrës, duke sqaruar se skafi nuk ishte rregulluar dhe se atij i u desh t’i bënte një riparim të vogël se fuste ujë. Ai sqaron se e kemi lënë skafin në tokë si të prishur dhe se ai i ka ndërruar një gominë të dëmtuar dhe se pronari i skafit nuk e ka paguar për këtë shërbim të realizuar. Ai ka treguar se biletat e udhëtimit nuk i ka paguar ai dhe se nuk e di se kush i ka paguar dhe se është kujdesur vazhdimisht për mjetin lundrues edhe kur ishte i ankoruar në Portin e Durrësit, duke e ditur se skafi është i Ministrit të Brendshëm atëbotë.
  29. Më datë 22.12.2014 shtetasit z. Naim Brahimaj dhe z. Aurel Konakçiu kanë dalë nga territori shqiptar nga Porti i Durrësit dhe janë kthyer më datë 24.12.2014. Fatura e hotelit për dy persona ka dalë në emër të z. Aurel Konakçiu dhe se shuma e paguar ka qenë 45 Euro, sërish nga Hotel L’Approdo. Në bordin e mjetit lundrues në kthim kanë qenë dy persona.
  30. Ndërmarrja italiane “Danese”, për punimet e kryera në mjetin lundrues, rezulton nga letërporositë që ka nxjerrë një faturë tatimore në emër të z. Aurel Konakçiu në vlerën 300 Euro. Shtetasi z. Giuseppe Danese, nëpunës i shoqërisë së kantierit ku u riparua mjeti lundrues, ka sqaruar se personi që ka paguar shumën 300 Euro ka qenë z. Aurel Konakçiu, se mjeti ka pasur probleme tek komanda dhe se riparimet ishin të vështira. Ai sqaron se, duke qenë se vlera e riparimit ishte e madhe, z. Aurel Konakçiu i kishte kërkuar që të konsultohej më parë me dikë dhe se pas konsultimit i ka thënë që të mos e riparojnë dhe se do ta nxjerrin mjetin nga kantieri. Ndërkohë z. Orges Liperi deklaron se nuk di asgjë lidhur me këto fakte. Kuptohet se personi që është konsultuar prej z. Aurel Konakçiu nuk ishte titullari formal i mjetit lundrues sepse kjo nuk përputhet me dëshminë e tij.
  31. Nga ana tjetër rezulton se i pandehuri e ka përdorur mjetin lundrues “Auras” edhe në gushtin e vitit 2015. Nga letërporositë e marra nga Republika e Greqisë rezulton se me këtë mjet lundrues i pandehuri z. Saimir Tahiri ka dalë si kapiten i regjistruar së bashkë me bashkëshorten dhe djalin. Është e paqartë për së dyti se si është plotësuar dokumenti autorizim për përdorimin e mjetit lundrues për të marrë lejen e lundrimit, ndërkohë që pronari formal i sendit ka dëshmuar se nuk ka lëshuar autorizim për përdorimin e mjetit lundrues.  
  32. Më tej rezulton se për mjetin lundrues “Auras” janë bërë riparime edhe në vitin 2016 të paguara nëpërmjet bankës nga ana e pronarit formal z. Orges Liperi, shpenzime të cilat kapin vlerën 30,000 Euro gjithsej. Në këtë episod të riparimit të mjetit del si protagonist z. Boge Budini, i cili rezulton të ketë qenë atëbotë Drejtori i Policisë Kufitare Durrës, mik i ngushtë i të pandehurit z. Saimir Tahiri, sikurse rezulton nga të dhënat e marra me letërporosi nga Republika e Malit të Zi tek pushimet që kanë kaluar së bashku në jaht.
  33. Pikërisht z. Boge Budini arrin të gjej transportuesin, konkretisht i prokuruari z. Hasan Mema, e pajis atë me bileta vajtje ardhje, duke i vendosur 500 Euro në secilën nga udhëtimet, konkretisht për ta çuar dhe për ta marrë mjetin lundrues “Auras” nga Shqipëria në Itali dhe nga Italia në Shqipëri. Ndërkohë pronari formal i mjetit lundrues z. Orges Liperi ka deklaruar se riparimet e mjetit në vitin 2016 i ka paguar ai përmes bankës dhe se nuk ka paguar as shpenzime biletash dhe as shpenzime të tjera udhëtimi.
  34. Nga të gjitha këto të dhëna Gjykata arrin në konkluzionin se përveç se kontrata e shitjes ishte fiktive, zotëruesi i vërtetë i mjetit lundrues ishte i pandehuri z. Saimir Tahiri. Mjetin lundrues e ka gëzuar vetëm ai dhe se për të janë përkujdesur vetëm miqtë e tij nëpunës dhe vartës në Ministrinë e Punëve të Brendshme apo në institucionet e varësisë së këtij institucioni kushtetues, sikurse u identifikuan më lart z. Roni Shiqopa, z. Boge Budini dhe z. Naim Brahimaj.
  35. Gjykata mban parasysh se pronari formal i saj rezulton se nuk është i qartë rrethanat e blerjes, ka një dakordësi të njohur botërisht se mjeti lundrues ishte dhe përdorej nga i pandehuri dhe se pronari formal i saj nuk di ndër vite se çfarë ndodh me investimin e tij prej 15,000 Euro. Gjykata vlerëson se arsyetimi i të pandehurit nuk ka logjikë dhe nuk përputhet me realitetin që tregojnë provat në fashikull. Qoftë z. Orges Liperi dhe qoftë z. Roni Shqiopa kanë pranuar pa kundërthënie se mjeti u ble me të meta dhe defekte xhenerike dhe ndaj shpjegohet shuma okazion për të cilën u ble. Kjo do të thotë se defektin mjetit nuk i a shkaktoi i pandehuri gjatë udhëtimit të Greqi në gushtin e vitit 2014, pasi mjeti ishte tashmë me defekt. Për rrjedhojë i pandehuri nuk ka investuar në ndreqjen e mjetit lundrues të z. Orges Liperi për një defekt që ai nuk e kishte shkaktuar por mjeti e kishte. E vërteta është se mjeti lundrues zotërohej nga i pandehuri dhe se miqtë e tij apo vartësit e tij nëpunës të përfshirë janë angazhuar për ta ndrequr. Ndër to ka qenë edhe i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj, i cili ka vënë në dispozicion të Ministrit të Punëve të Brendshme atëbotë, të pandehurit z. Saimir Tahiri kohën, shërbimet e tij, disponibilitetin, shumën 145 Euro të paguar për hotelin dhe shpenzimet e udhëtimit.
  36. Ky fakt tregon se ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj ka pasur edhe marrëdhënie ndërpersonale. Për këtë fakt është vërtetuar dhe hedhur dritë nga hetimi vetëm në këtë episod.    

 

  1. Lidhur me përgjimet e tjera nga autoritetet italiane në të cilat flitet për të pandehurin z. Saimir Tahiri

 

  1. Lidhur me përgjimin ambiental të datës 16.12.2013 ndërmjet të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çela, ku ato flasim për të pandehurin z. Saimir Tahiri mbi fitimet e tij, Gjykata vlerëson se kjo provë vetëm mundet të tregojë se në dijeninë e tyre bashkëbiseduesit mendonin apo dinin se i pandehuri fiton në muaj minimum 5,000,000 Euro dhe se ai shpenzon paratë për fushatë dhe se në fushatë nuk i mjaftojnë as 20,000,000 Euro. Por kjo e dhënë nuk lidhet me asnjë indicje tjetër dhe me asnjë provë tjetër në mënyrë që të shndërrohet në një fakt, sipas nenit 152 të Kodit të Procedurës Penale, dhe se për rrjedhojë kjo e dhënë nuk mundet të ketë rëndësi mbi faktet objekt akuze.
  2. Fill pas kësaj bisede, ndërmjet bashkëbiseduesve hapet një temë tjetër, ku aludohet nga z. Sabaudin Çela se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka marrë pagesa apo para, duke u shprehur se ka frikë për një person, të cilin e identifikojnë të dy si “nipi”, se mos nxjerrë emrin dhe se mos thotë se i janë dhënë para të pandehurit. Nga mënyra se si tregohen të dhënat në bisedë kuptohet se bashkëbiseduesit nuk po flasin për hamendësime, sikurse është biseda e mësipërme e përgjuar, por po flasin për fakte dijeninë e të cilave e dine me siguri.
  3. Por Gjykata e me rezervë dhe nuk bindet mbi vërtetësinë e aq më tepër qartësinë e këtij fakti, duke pasur parasysh se 28 ditë më vonë, përgjimi ambiental i datës 13.01.2014 i realizuar ndërmjet z. Enea Sulaj dhe një subjekti të paidentifikuar, merren të dhëna që kontradiktojnë të dhënat e bashkëbiseduesve në përgjimin e datës 16.12.2013. Ndërkohë që në përgjimin e datës 16.12.2013 flitet për pagesa të bëra tek i pandehuri z. Saimir Tahiri, në përgjimin e datë 13.01.2014 flitet se i pandehuri z. Saimir Tahiri nuk donte para dhe se kjo ka qenë arsyeja që për të janë marrë si dhurata dy bizhuteritë e çmuara nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj.
  4. Në këtë mënyrë Gjykata vlerëson se edhe kaq pak të dhëna sa mundet të merren nga këto përgjime mbi to shtohet pasiguria e vërtetësisë së fakteve për shkak se ka kontradikta. Megjithatë emëruesi i përbashkët i tyre nga të cilat mundet të nxirret një konkluzion i arsyeshëm është se anëtarët e grupit të strukturuar kriminal ndjenin detyrime ndaj të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe se këto detyrime lidheshin pikërisht me suksesin kriminal të tyre ndërkohë.
  5. Lidhur me të dhënat e përftuara në përgjimin ambiental të datës 03.03.2014 të realizuar ndërmjet të pandehurit në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj mbi detyrimet që ato kishin ndaj “shtetit” dhe që rridhnin nga zhvillimi i aktivitetit kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike, Gjykata vlerëson se personi i përmendur në këtë bisedë si “Saimiri” nuk mundet të konkludohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se është i pandehuri z. Saimir Tahiri. Pasigurinë e vërtetësisë dhe qartësisë së këtij fakti e bëjnë të mundur dy elemente, ku i pari është krahasimi i të dhënave me një provë tjetër dhe i dyti është një argument prove. Së pari, Gjykata sjell në vëmendje se në përgjimin ambiental të autoriteteve shtetërore italiane të datës 21.01.2017 në një bisedë sërish të zhvilluar ndërmjet të pandehurve në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çela del në pah edhe një herë tjetër një person që quhet “Saimir” dhe se në këtë rast nga biseda e zhvilluar përftohen më shumë të dhëna lidhur me identifikimin e tij. Ndër të tjera nga kjo bisedë kuptohet se ai është shofer kamioni dhe se zotëron një kamion dhe se këtë kamion dhe shërbimet e tij i kanë kontraktuar grupi i strukturuar kriminal Habilaj për të transportuar lëndën narkotike me qëllim trafikimi. Nga ana tjetër Gjykata sjell në vëmendjen se në pyetjen e znj. Brunilda Alikaj, punonjësja e policisë e cila kishte lidhje intime me z. Moisi Habilaj, ajo është pyetur nëse e njeh një person të quajtur “Saimir” me nofkën “Bixholi”.
  6. Megjithëse në kohë përgjimi i datës 03.03.2014 me atë të datës 21.01.2017 ka një diferencë sasiore të madhe kohëkalimi ndërmjet tyre, Gjykata vlerëson se përgjimi i dytë dhe pamjaftueshmëria e arsyeshmërisë dhe e sigurisë së konkluzionit se ky person është në të vërtetë i pandehuri z. Saimir Tahiri në bisedën e bërë në vitin 2014 janë të afta së bashku ta paqartësojnë të dhënën dhe sakaq të mos arrihet dot në një konkluzion tej çdo dyshimi të arsyeshëm mbi të. Gjithashtu Gjykata sjell në vëmendje argumentin e provës se në përgjimin e datës 03.03.2014 bashkëbiseduesit flasin për dy palë përfituese në bisedën e tyre, fillimisht thonë “30 Saimirit”, që përkon edhe me të dhënën e përftuar nga këqyrja e telefonit të të dënuarit z. Taulant Haxhiraj mbi masën e përfitimit të paligjshëm që merrte “shteti” në shkëmbim të autorizimit për të kryer aktivitet kriminal në vitin 2016 në Vlorë, dhe nga ana tjetër përmendet si përfitim i dytë që bashkëbiseduesit vendosin është “pjesa e mbetur shtetit”. Logjikshëm mundet të arsyetohet se nuk mundet të ketë dy përfitues “shtetërorë” dhe se në këtë rast Gjykata vlerëson se nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ky përfitim që bashkëbiseduesit flasin në përgjimin e datës 03.03.3014 është destinuar të paguhet i pandehuri z. Saimir Tahiri.         
  7. Gjykata sjell në vëmendje gjithashtu edhe të dhënat që janë përftuar nga përgjimi ambiental të realizuar nga autoritetet italiane mbi kostumin “Hugo Boss”, konkretisht përgjimi i realizuar me datë 13.01.2014 ndërmjet z. Enea Sulaj dhe një bashkëbiseduesi të paidentifikuar. Nga ky përgjim rezulton se në dijeninë e z. Enea Sulaj pronari i dyqanit kishte folur me të pandehurin z. Saimir Tahiri për një kostum dhe se kur z. Enea Sulaj bashkë me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj ka shkuar tek dyqani i veshjeve në Katania, pronari i tij e ka pyetur lidhur me zgjedhjet në Shqipëri.
  8. Nga konteksti i bisedës kuptohet se ka qenë i pandehuri z. Saimir Tahiri më parë në atë dyqan dhe se sipas gjasave ka folur me pronarin dhe se kjo është arsyeja që ai e ka pyetur z. Enea Sulaj mbi zgjedhjet në Shqipëri. Më tej ai tregon se e ka keqkuptuar pronarin e dyqanit, duke ngatërruar fjalën në italisht “elezioni” me fjalën në shqip leksionet dhe se pasi e ka kuptuar ka nisur të bisedojë me të për politikën dhe se ndërkohë i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj i ka tërhequr vëmendjen që ta ndalojë bisedën me të, duke qenë se i pandehuri z. Saimir Tahiri nga momenti në moment mund të vinte për të blerë në dyqan dhe se ai i kishte marrë edhe numrin e telefonit pronarit të dyqanit të veshjeve.
  9. Rezulton se pronari i dyqanit të veshjeve është pyetur me letërporosi dhe se nuk ka treguar asgjë mbi të dhënat e këtij fakti që referohet në përgjimin ambiental. Nga ana tjetër edhe dokumente fiskal apo fatura nuk ka për të vërtetuar këtë fakt dhe se nga kontrolli i banesës së të pandehurit nuk është gjetur asgjë me interes për hetimin.
  10. Në këto kushte, megjithëse Gjykata konstaton se në të dhënat e përgjimit ka shumë detaje që tregojnë se i pandehuri ka qenë në këtë dyqan, se ka pëlqyer një kostum dhe për këtë arsye ka marrë numrin e telefonit të pronarit të dyqanit me perspektivën që ta blinte, sërish nga këto të dhëna nuk përftohet asgjë relevante me faktet objekt akuze. Nga këto të dhëna shtohet akoma më shumë bindja dhe siguria mbi faktin se i pandehuri z. Saimir Tahiri kishte marrëdhënie ndërpersonale edhe me kreun e grupit të strukturuar kriminal, të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe se gjithashtu ky ishte fakt i njohur ndërmjet pjesëtarëve të grupit të strukturuar kriminal apo njerëzve pranë tyre. Nga këto të dhëna nuk përftohet se ka dhurata apo përfitime në formën e veshjeve nga i pandehuri në procedimin penal të lidhur z. Moisi Habilaj për të pandehurin z. Saimir Tahiri. 
  11. Në vijimin e vlerësimit të marrëdhënieve ndërpersonale të mbajtura ndër vite nga ana e të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj duhet të sillet në vëmendje edhe fakti i hetuar dhe i provuar nga autoritetet italiane dhe shqiptare mbi udhëtimin në vajtje dhe në ardhje të njëkohshëm të babait dhe bashkëshortes së të pandehurit me z. Moisi Habilaj. Rezulton se me datë 08.07.2014 janë nisur me të njëjtit avion nga Rinasi dhe kanë mbërritur në Fiumicino z. Bashkim Tahiri, znj. Fatlinda Tahiri dhe z. Moisi Habilaj. Ato janë kthyer me të njëjtën linjë me datë 10.07.2014. Ndërkohë nga përgjimi i telefonit të të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj me datë 10.07.2014 rezulton se ai ka marrë në telefon ungjin e të pandehurit, konkretisht z. Kujtim Tahiri, duke Ii thënë atij se ndodhet në shoqërinë e “gjigantit Bashkim” në të njëjtën dhomë hoteli. Më tej dy vëllezërit kanë folur me njëri-tjetrin nga telefoni i të pandehurit në procedim të lidhur.
  12. Edhe ky fakt tregon se ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj ka pasur marrëdhënie ndërpersonale të vazhdueshme në kohë. Sigurisht që një ndër faktorët e ruajtjes dhe zhvillimit të kësaj marrëdhënie, të cilën i pandehuri e ka mohuar që prej vitit 2015 në mënyrë konstante, konkludohet logjikshëm të jenë edhe lidhjet gjinore të tyre, lidhje që shpjegojnë edhe afërsinë e zhvillimit të marrëdhënieve jo vetëm personale por edhe familjare ndërmjet tyre.
  13. Në vijimin e vlerësimit të provave që hedhin dritë mbi marrëdhënien ndërpersonale të të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, Gjykata vlerëson të sjellë në vëmendje dhe të analizojë edhe të dhënat e përftuara nga dëshmia e punonjëses së policisë, e cila ka qenë në një lidhje intime me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, konkretisht znj. Brunilda Alikaj. Ndër të tjera në dëshminë e saj ajo ka deklaruar se, e pyetur mbi dijeninë e saj mbi lidhjet e z. Moisi Habilaj dhe z. Saimir Tahiri, e ka pyetur z. Moisi Habilaj dhe se ai i ka thënë se nëna e tij ishte në lidhje e afërt dhe kushërirë me babanë e të pandehurit z. Saimir Tahiri. Ajo vijon deklarimin se, kur e ka pyetur për kuriozitet lidhur me marrëdhënien ndërmjet tyre, ai i ka thënë se e kishte ndihmuar në disa raste, pa i treguar ndonjë rast konkret dhe se ai acarohej po ta pyeste për këtë gjë, pasi kishte një lloj frike nga ajo se mos e pyeste me ndonjë tendencë apo për t’i marrë ndonjë informacion. Ndërkohë në dy pyetjet e bëra ndaj të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj mbi ndihmën apo lidhjet që ai ka pasur me të pandehurin z. Saimir Tahiri, ai ka deklaruar ndër të tjera se nuk ka përfituar asnjëherë ndihmë prej tij dhe se janë kushërinj të largët dhe se nuk kanë asnjë marrëdhënie personale.
  14. Gjykata e shkallës së parë në gjykimin e çështjes në themel (shih faqen 118 – 119 të vendimit), duke sjell vëmendje pikën 1 dhe pikën 2 të nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale dhe faktin se në pyetjen e të pandehurit në procedim të lidhur fakti i dëshmuar nga znj. Brunilda Alikaj si dëshmi indirekte nuk është pranuar, ka konkluduar se prova dëshmi indirekte në rastin konkret nuk mundet të përdoret dhe se dy deklarimet nuk janë të afta në këtë rast të provojnë faktin objekt akuze se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka ndihmuar të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj.
  15. Gjykata vlerëson se në këtë pjesë të arsyetimit gjykata e shkallës së parë nuk ka zbatuar drejtë nenin 152 dhe neni 154 të Kodit të Procedurës Penale në vlerësimin si provë dhe dhënien e fuqisë provuese të dëshmisë indirekte të znj. Brunilda Alikaj në raport me të dhënat që rezultojnë nga provat dhe indicet e tjera që ka fashikulli i gjykimit. Kjo mënyrë e gabuar e nenit 152 dhe 154 të Kodit të Procedurës Penale nga ana e gjykatës së shkallës së parë ka ardhur për dy arsye.
  16. Së pari, pika 2 e nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale rregullon papërdorshmërinë e dëshmisë indirekte për të dhëna që dëshmitari jo i drejtpërdrejtë ka marrë dijeni nga një subjekt që ka përdorur drejtpërdrejtë shqisat e tij për të perceptuar të dhënën që i ka komunikuar apo njoftuar dëshmitarin jo të drejtpërdrejtë. Gjykata vlerëson se kjo pjesë e dispozitës nuk mundet të zbatohet me analogji dhe nuk mundet të interpretohet në mënyrë të zgjeruar, sikurse ka bërë gjykata e shkallës së parë, për të përfshirë si subjekt që ka perceptuar të dhënat në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe të pandehurin, bashkëtëpandehurin apo të pandehurin në një procedim të lidhur.
  17. Ky interpretim i zgjeruar i pikës 2 të nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale nuk mundet të bëhet në këtë mënyrë sepse ndryshojnë detyrimet ligjore dhe të drejtat kushtetuese për të bashkëtëpandehurit apo të pandehurit në procedim penal të lidhur me detyrimet dhe të drejtat e dëshmitarit sipas rregullimit ligjor përkatës.
  18. Gjykata sjell në vëmendje se, sipas pikës 1 të nenit 32 të Kushtetutës dhe shkronjës “c” të pikës 1 të nenit 34/a të Kodit të Procedurës Penale, i pandehuri ka të drejtë të heshtë dhe ka të drejtë të përgjigjet sa herë ta vlerësojë e nevojshme, duke mos pasur asnjë përgjegjësi ligjore se pse ndërmjet deklarimeve të tij në çdo fazë dhe shkallë të procesit penal ka kundërthënie. Ndërkohë të drejta të tilla nuk mundet të pranohem dhe nuk ekzistojnë për dëshmitarin, pasi ai është subjekt ndihmës procedural, burim prove, dhe ka detyrimin ligjor të dëshmojë të vërtetën e perceptimeve të tij lidhur me faktin penal historik për të cilin pyetet. Për më tepër neni 306 dhe 307 i Kodit Penal, përkatësisht vepra penale e dëshmisë së rreme dhe vepra penale e refuzimit për të dëshmuar, parashikojnë përgjegjësi penale të dëshmitarit që nuk pranon të vijë në proces dhe për të zbatuar detyrimin ligjor për të dëshmuar apo ai që dëshmon në mënyrë të rreme.
  19. Pikërisht për këtë ndryshim ligjor të dëshmitarit me të pandehurin, me të bashkëtëpandehurin apo me të pandehurin në procedim të lidhur nuk mundet të konkludohet se pika 2 e nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale të interpretohet në mënyrë të zgjeruar, pasi do të pranohet se dëshmisë indirekte do t’i nihilizohet fuqia provuese për arsyen se i pandehuri, bashkëipandehuri apo i pandehuri në procedimin penal të lidhur vendosin të përfitojnë nga e drejta për të mos folur apo nga e drejta për të dhënë deklarime sipas vlerësimit të tyre, deklarime këto për të cilat nuk rrjedh kurrfarë përgjegjësie ligjore.  Sanksioni procedural i papërdorshmërisë së dëshmisë indirekte në këtë mënyrë duhet të interpretohet në mënyrë të kufizuar, sipas pikës 2 të nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale, që do të thotë se duhet të lidhet ekskluzivisht me rastet kur subjekti që ka perceptuar drejtpërdrejtë faktet për të cilat dëshmohet indirekt është dëshmitar.
  20. Në rastin objekt gjykimi znj. Brunilda Alikaj ka dëshmuar në mënyrë idirekte se i pandehuri në procedimin penal të lidhur z. Moisi Habilaj i ka thënë se i pandehuri z. Saimir Tahiri e ka ndihmuar disa herë. Për rrjedhojë mospranimi i këtij fakti prej të pandehurit në procedimin penal të lidhur z. Moisi Habilaj nuk ka kurrfarë rëndësi juridike për përdorshmërinë e dëshmisë indirekte si provë në procesin penal dhe nga ana tjetër edhe për përcaktimin e fuqisë provuese të kësaj prove.
  21. Së dyti, Gjykata vlerëson se pika 2 e nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale nuk gjen zbatim për të konkluduar mbi papërdorshmërinë e dëshmisë indirekte në rastet kur të dhënat e përftuara nga kjo prove konfirmohen nga prova të tjera. Qëllimi i pikës 2 të nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale është përftimi nga gjykata i burimit origjinal të provës në mënyrë që të rritet siguria dhe qartësia mbi vërtetësinë e fakteve që njofton ajo. Kjo do të thotë se, nëse dëshmia indirekte përputhet me të dhënat që përftohen nga provat e tjera dhe se konkludohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se fakti ekziston, atëhere zbatimi i pikës 2 të nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale nuk ka më kuptim dhe nuk ndjek më asnjë qëllim ligjor dhe se nga zbatimi i këtij rregulli ligjor nuk përftohet asnjë lloj utiliteti juridik për sa i përket garantimit të së drejtës së parashikuar nga neni 30 i Kushtetutës, nenit 6 të KEDNJ dhe nenit 4 të Kodit të Procedurës Penale.
  22. Gjykata sjell në vëmendje se zbatimi i garancisë procedurale të parashikuar nga pika 2 e nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale do të jetë i paderogueshëm atëherë kur njoftimet që rrjedhin nga dëshmia indirekte nuk përputhen apo nuk qartësohen tej çdo dyshimi të arsyeshëm nga provat e tjera të administruara në fashikull.
  23. Në rastin konkret kjo provë ka treguar vetëm faktin se i pandehuri në procedimin penal të lidhur z. Moisi Habilaj i ka thënë dëshmitares znj. Brunilda Alikaj se i pandehuri z. Saimir Tahiri e ka ndihmuar disa herë, duke mos dhënë më tej asnjë njoftim për kohën kur është dhënë kjo ndihmë apo për rrethanat se si është dhënë kjo ndihmë. Në rastin konkret këto të dhëna që ka njoftuar dëshmia indirekte dalin të provuara nga të gjitha provat dhe indicjet e përputhshme të analizuara më lart, konkretisht faktin që ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj ka ekzistuar një marrëdhënie ndërpersonale e vijueshme në kohë.
  24. Për rrjedhojë Gjykata vlerëson se dëshmia indirekte e znj. Brunilda Alikaj është e përdorshme edhe pse ky fakt mohohet nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj. Por vlera provuese e saj, duke qenë se nuk specifikohet se çfarë ndihme është dhënë dhe se kur është dhënë, kufizohet vetëm tek fakti konkluzion i Gjykatës se ndërmjet këtyre të pandehurve në kohë është zhvilluar një marrëdhënie ndërpersonale e qëndrueshme në kohë.    
  25. Nga analiza e përgjimeve të tjera të kryera nga autoritetet italiane rezultojnë se pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal kanë përfituar shuma të mëdha parash, prej qindra-mijëra eurosh, nga aktiviteti i trafikimit të lëndëve narkotike dhe tregtimi i saj në Itali. Përgjimet ambientale e bëra nga data 24.02.2014 deri me datë 04.03.2014 tregojnë se ato marrin shumat e parave nga tregtimi i lëndës narkotike të trafikuar prej bashkëpunëtorëve italianë çdo ditë. Në fashikullin e gjykimit 35 (shih faqe 365, akte të marra me letërporosi nga autoritetet e ndjekjes penale italiane) rezultojnë të dhëna të konkluduara nga autoritetet italiane mbi mënyrën se si operonte grupi i strukturuar kriminal i kryesuar nga z. Moisi Habilaj për të dërguar sasitë e mëdha të parave të fituara nga trafikimi dhe shitja e lëndëve narkotike në Shqipëri.
  26. Një nga mënyrat e kryerjes së këtij aktiviteti tregohet nga pyetja e z. Nezar Seiti, i cili ka pranuar se ka transportuar sasi parash nga Italia në Shqipëri me porosi të z. Moisi Habilaj, ku një herë ka qenë me z. Florian Habilaj dhe një herë ka qenë me z. Maridian Sulaj (shih procesverbalin e marrjes në pyetje datë 29.05.2018 të z. Nezar Seiti, Volumi II, faqe 1 – 3). Nga ana tjetër autoritetet italiane kanë konkluduar nga hetimet e kryera se, me qëllim transferimin në Shqipëri të të gjithë sasive të parave të mbledhur gjatë qëndrimit në Siçili të z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj kanë shfrytëzuar shërbimet e transportit të një shtetasi shqiptar të identifikuar me shkurtimin e emrit “Melo”. Ky i fundit ishte i njohur i z. Artan Habilaj dhe të dy punonin me kamion, duke transportuar fruta dhe perime nga Italia në Shqipëri.
  27. Ato transportonin me frekuencë javore fruta dhe perime nga Italia në Shqipëri. Nga autoritetet italiane është konkluduar se edhe njohja me anëtarin e organizatës kriminale, z. Angelo Busacca, shok i ngushtë i z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj, të cilët e thërrisnin “kokë llamba”, ishte bërë pikërisht nga bashkëpunimi që kishin pasur ndërmjet tij, z. Artan Habilaj dhe shtetasit të identifikuar me shkurtimin “Melo”, të cilët ishin njohur dhe kishin bashkëpunuar në veprimet tregtare në tregun e frutave dhe perimeve të Katanias. Ky fakt konfirmohet edhe nga deklarimet e z. Maridian Sulaj lidhur me rolin e z. Angelo Busacca dhe angazhimin e tij tek tregu i frutave perimeve në Vittoria në momentin kur e ka njohur atë përmes fotografisë (shih faqen 11 të fashikullit të emërtuar “Volumi II”, procesverbal i pyetjes së z. Maridian Sulaj me datë 01.02.2018).
  28. Në këtë mënyrë autoritetet italiane kanë bërë lidhjen e kontributit të secilit prej këtyre subjekteve në transportimin e parave nga Italia në Shqipëri. Këto fakte lidhen me përgjimet ambientale të bëra nga autoritetet italiane ndërmjet z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj, ku ndër të tjera shprehen se “mjafton të kesh 3 persona kështu dhe vjen një herë në muaj dhe merr 100 ose 300 dhe ikën”, komunikim i realizuar para episodit të zbulimit dhe sekuestrimit nga autoritetet italiane të sasisë së lëndës narkotike me datë 28.02.2014. Nga data 24.02.2014 e deri në datë 28.02.2014 nga përgjimet ambientale të bëra në automjetin në përdorim nga z. Moisi Habilaj dalin të dhëna se ato marrin nga z. Antonio Riela sasi të mëdha parash për shitjet e lëndës narkotike të mundësuar nga trafikimi. 
  29. Gjithashtu në fashikullin nr. 36 (shih faqen 433, përgjime të marra me letërporosi nga autoritetet italiane) rezultojnë të dhëna lidhur me bashkëpunimin e z. Moisi Habilaj, z. Angelo Busacca, z. Artan Habilaj dhe shtetasit të identifikuar me shkurtimin “Melo”. Në këtë material provues të përfituar nga përgjimi rezulton se z. Angelo Busacca i komunikon z. Moisi Habilaj se kanë ngarkuar kamionin e z. Artan Habilaj bashkë me shtetasin “Gimi” dhe “Melo” dhe se z. Moisi Habilaj përgjigjet se ka folur me “Kostaqin” dhe me “Melon” dhe se i ka thënë që të gjithë janë të ngarkuar. Më tej, po në datën 04.03.2014, z. Moisi Habilaj flet në telefon me shtetasin e identifikuar si “Gimi” dhe ai i komunikon se kanë ngarkuar domatet dhe patëllxhanët. Kjo ditë korrespondon me ditën e kthimit të z. Moisi Habilaj dhe z. Sabaudin Çelaj nga Italia në Shqipëri nga porti Barit, të cilët, sikurse janë nisur me automjetin Audi A8 me targa AA 003 GB, janë kthyer po me këtë automjet, duke u nisur me datë 04.03.2014 nga Italia dhe duke mbërritur në Shqipëri me datë 05.03.2014. Gjykata sjell në vëmendje se ky udhëtim i tyre në Itali ishte bërë ndër të tjera në kuadër të trafikimit të lëndës narkotike me peshë 289.7 kilogramë të sekuestruar nga autoritet italiane me datë 28.02.2014.
  30. Gjykata e gjen të pabazuar në ligj pretendimin e të pandehurit z. Saimir Tahiri lidhur me pamundësinë për të përdorur si koncept, në funksion të arritjes së konkluzionit mbi përgjegjësinë penale të tij, të entitetit “Habilaj” apo “vëllezërit Habilaj”. Gjithashtu Gjykata e gjen të pabazuar në ligj dhe në prova pretendimin e të pandehurit z. Saimir Tahiri lidhur me marrjen si të mirëqenë të faktit se z. Artan Habilaj nuk ka qenë ndonjë herë në hetim dhe se nuk ka qenë i dënuar përgjatë gjithë kohës së shtrirjes së kohës fizike të faktit historik objekt akuze, në funksion të përcaktimit të përgjegjësisë penale të tij mbi akuzën që i kundrejtohet.
  31. Fillimisht Gjykata sjell në vëmendje se dy nga bashkëtëpandehurit në procedimin fillestar penal nga ku kanë rrjedhur dhe gjeneruar më tej proceset e partikularizuara, apo dy nga të pandehurit në procedim të lidhur janë dy nga vëllezërit Habilaj, konkretisht z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj. Kjo do të thotë se përdorimi i termit “vëllezërit Habilaj” është plotësisht i justifikuar në këtë çështje për të analizuar përgjegjësinë penale të të pandehurit z. Saimir Tahiri.
  32. Nga ana tjetër Gjykata sjell në vëmendje se autoritetet italiane të drejtësisë kanë identifikuar në krye të herës si pjesë të grupit kriminal të tre vëllezërit Habilaj, z. Artan Habilaj, z. Moisi Habilaj, dhe se po në të njëjtën mënyrë janë identifikuar të tre këto subjekte si bashkëpunëtor në të njëjtin aktivitet kriminal nga ana e Shërbimit Informativ Shtetëror Vlorë, Drejtorisë së Sigurisë Publike, Drejtoria e Qarkut të Policisë Vendore Vlorë në rastin e përcjelljes së tre informacioneve operative të marra kundrejt Stacionit të Policisë Selenicë dhe më tej edhe në referimin penal të bërë në Prokurorinë për Krimet e Rënda.
  33. Më tej Gjykata sjell në vëmendje të gjitha elementet provues që janë administruar në fashikullin e gjykimit nga hetimet e kryera në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Italisë rezulton se z. Artan Habilaj ka dijeni të plotë që në vitin 2013 mbi aktivitetin kriminal që kryejnë dy vëllezërit e tij dhe se ka të dhëna nga ky material provues se ai ka mundësuar së bashku me personin e identifikuar “Melo”, mikun e tij të tregut fruta-perime në Katania z. Bussaca, dërgimin e parave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike nga Italia në Shqipëri përmes udhëtimeve me fluks të madh dhe sistematike me kamionin e realizimit të importit të frutave dhe perimeve. Kjo do të thotë se përdorimi i entitetit “vëllezërit Habilaj” në funksion të përcaktimit të përgjegjësisë penale të të pandehurit z. Saimir Tahiri merr legjitimitet nga të gjitha rrethanat faktike të kësaj çështje dhe nga informacionit që përftohet nga provat e administruara në fashikullin gjykimit.
  34. Sigurisht në këtë proces penal nuk mundet të konkludohet mbi fajësinë penale të subjekteve që nuk janë të pandehur dhe kundër të cilëve nuk është ngritur akuzë. Kushdo subjekt i tillë i huaj për këtë procedim penal prezumohet i pafajshëm, sipas nenit 30 të Kushtetutës, nenit 6 të KENDJN dhe nenit 4 të Kodit të Procedurës Penale. Megjithatë Gjykata sjell në vëmendje se qëllimi i këtij procesi penal është që të individualizojë përgjegjësinë personale të të pandehurit z. Saimir Tahiri nën akuzën e bashkëpunimit të posaçëm në grupin e strukturuar kriminal, sikurse prokuroria e ka emërtuar faktin penal historik në akuzë, apo si do të rezultojë emërtimi i tij nën optikën vlerësuese të Gjykatës, nëse do të konkludohet se ai ka përgjegjësi penale për të. Gjykata në këtë drejtim mban parasysh jurisprudencën nomofilatike të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë mbi përgjegjësinë penale personale dhe autonome sipas nenit 25 të Kodit Penal në lidhje me veprën penale të kryer në bashkëpunim[148], konkludon se edhe sikur z. Artan Habilaj në këtë çështje nuk do të ishte person i identifikuar, sërish Gjykata nuk do të kishte kufizime në vlerësimin e fakteve dhe rrethanave që provohen nga ky gjykim në funksion të arritjes së konkluzionit mbi përgjegjësinë penale të të pandehurit z. Saimir Tahiri mbi faktin penal historik. 
  35. Nga këto të dhëna konkludohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se nga aktiviteti kriminal i kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike ngs Shqipëria në Itali prej grupit të strukturuar kriminal Habilaj janë gjeneruar përfitime të paligjshme të mëdha.
  36. Më tej Gjykata sjell në vëmendje edhe një herë disa nga konkluzionet e arritura më lart mbi marrëdhënien ndërpersonale të të pandehurit z. Saimir Tahiri me z. Artan Habilaj dhe me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj përgjatë hapësirës kohore që shtrihet fakti penal historik objekt akuze. Kështu, nga e gjithë analiza e provave të realizuar si më lart, Gjykata ka konkluduar ndër të tjera se:
  • së pari, se shpenzimet 145 Euro për Hotelin L’Approdo në Itali janë paguar nga z. Moisi Habilaj në funksion të riparimit të mjetit lundrues të zotëruar nga i pandehuri z. Saimir Tahiri duke përfituar në mënyrë të padrejtë dhe për shkak të funksionit shtetëror përfitime materiale;
  • së dyti, se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka pasur në dispozicion shërbimet e z. Artan Habilaj në dy rastet e udhëtimit në Greqi për dërgimin e automjetit dhe riparimet e mjetit lundrues, edhe duke realizuar shpenzime në funksion të këtij shërbimi, në Gusht të vitit 2014 duke përfituar në mënyrë të padrejtë dhe për shkak të funksionit shtetëror përfitime jomateriale dhe materiale;
  • së treti, se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka pasur në dispozicion shërbimet e z. Moisi Habilaj në rastin e udhëtimit në Itali në Shtator 2014 për riparimin në Brindizi të mjetit lundrues “Auras”, duke realizuar edhe shpenzimet përkatëse në funksion të ofrimit të këtij shërbimi, duke përfituar në mënyrë të padrejtë dhe për shkak të funksionit shtetëror përfitime jomateriale dhe materiale;
  • së katërti, se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka përfituar në tre raste përdorimin e mjetit Audi A8 në pronësi të z. Artan Habilaj, duke përfituar në mënyrë të padrejtë dhe për shkak të funksionit shtetëror përfitime jomateriale;
  • së pesti, se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka mbajtur lidhje ndërpersonale të vazhdueshme dhe të qëndrueshme përgjatë periudhës së shtrirjes së faktit historik objekt akuze me z. Artan Habilaj dhe të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, marrëdhënie këto që janë reflektuar edhe në marrëdhëniet familjare të tyre.

 

  1. Kualifikimi ligjor i faktit penal historik objekt akuze

 

  1. Kuadri normativ relevant i funksioneve shtetërore të të pandehurve

 

  1. Duke pasur parasysh fillimisht se Gjykata ka konkluduar më lart se fakti penal historik nuk mundet të kualifikohet si bashkëpunim i posaçëm penal në kuadër të anëtarësisë së grupit të strukturuar kriminal dhe të kryerjes së veprës penale të trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të kësaj organizate, konkludohet se nuk mundet të arrihet në konkluzionin se i pandehuri z. Saimir Tahiri dhe z. Jaeld Çela kanë bashkëpunuar si bashkëpunëtorë të brendshëm apo të jashtëm në këtë formacion kriminal dhe në veprimtarinë e tyre kriminale të zhvilluar nga viti 2012 deri në datë 18.10.2017 në hapësirën tokësore dhe detare të Qarkut Vlorë dhe deri në Itali e konkretisht në territorin tokësor të Katanias në këtë vend.
  2. Por nga ana tjetër Gjykata, njëlloj sikurse gjykata e shkallës së parë, konstaton se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka kryer në vijim sjellje në kundërshtim me detyrën shtetërore të tij dhe nuk ka kryer vazhdimisht detyrën sipas kërkesave ligjore në elementet që u arritën si konkluzione më lart dhe që do të përballen më poshtë me parashikimet e së drejtës pozitive të detyrueshme për zbatim. Në të njëjtën kohë Gjykata konstaton se neglizhenca latente në ushtrimin e detyrës së Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, njëlloj sikurse ka konkluduar gjykata e shkallës së parë, shoqëruar me pasojat kriminale të vërtetuara më lart, përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës nga ana e të pandehurit z. Jaeld Çela.

 

  1. Kuadri normativ relevant mbi detyrimet ligjore të të pandehurve në cilësinë e funksionarëve shtetërorë

 

  1. Gjykata sjell në vëmendje se fusha e veprimtarisë shtetërore që ka ushtruar atëbotë i pandehuri z. Saimir Tahiri në detyrën e Ministrit të Brendshëm, lidhej pikërisht, mes të tjerave, me parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit e veçanërisht të veprimtarive të paligjshme të trafikimit të narkotikëve dhe të gjitha veprimtarive të tjera të paligjshme që lidhen me të, referuar në legjislacionin përkatës. Në këtë legjislacion parashikohen edhe detyrat e drejtorit të policisë vendore. Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore paraqiten dhe do të analizohen në vijim.
  2. Në nenin 102 pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikohet: “Ministri, brenda drejtimeve kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore, drejton nën përgjegjësinë e tij veprimtarinë që ka në kompetencë. Ministri, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr urdhra dhe udhëzime.
  3. Në lidhje me mënyrën e përcaktimit të veprimtarisë që ka në kompetencë Ministria e Brendshme, Gjykata sjell në vëmendje se neni 5 i Ligjit nr. 90/2012, datë 27.09.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore” parashikon se:

1. Çdo ministri drejtohet dhe përfaqësohet nga ministri, në vazhdim "ministri përgjegjës". Ministri është përgjegjës përpara Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit për tërësinë e veprimtarisë së ministrisë, institucioneve të varësisë dhe agjencive autonome, më poshtë "sistem ministror", brenda fushës përkatëse të veprimtarisë shtetërore.

2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, përcakton fushën e veprimtarisë shtetërore në përgjegjësinë e çdo ministrie, në vazhdim “fusha e përgjegjësisë shtetërore”.

3. Ministria kryen të gjitha funksionet administrative brenda fushës përkatëse të përgjegjësisë shtetërore, përveç atyre që u delegohen shprehimisht institucioneve të varësisë apo u ngarkohen me ligj agjencive autonome.

4. Ministria është, gjithashtu, përgjegjëse për koordinimin dhe, në bazë të delegimit të ministrit, për mbikëqyrjen e veprimtarisë së institucioneve të varësisë dhe agjencive autonome brenda fushës përkatëse të përgjegjësisë ministrore.

5. Organizimi i ministrisë përfshin aparatin e ministrisë, si dhe degët e saj territoriale, nëse është rasti.

  1. Ndërkohë neni 6 i Ligjit nr. 9000, datë 30.01.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave” parashikon se:

1. Ministri, përveç kompetencave ose detyrave që parashikohen në Kushtetutë dhe në ligje të veçanta, ushtron edhe detyra të tjera, që i ngarkohen nga Këshilli i Ministrave ose nga Kryeministri.

2. Zëvendësministri zëvendëson ministrin, në kuptimin e pikës 1 të nenit 34 të Kodit të Procedurave Administrative. Zëvendësministri emërohet dhe lirohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave, me propozim të Kryeministrit. Me urdhër të ministrit, zëvendësministrit i caktohen edhe detyra të tjera.

  1. Gjykata sjell në vëmendje se Neni 7 i Ligjit nr. 9000, datë 30.01.2003 ‘‘Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave’’ ndër të tjera parashikon se:

1. Ministria është person juridik, publik, që përfaqësohet dhe drejtohet nga ministri. Ministria mbështet, në aspektin teknik, veprimtarinë e ministrit.

2. Fusha e veprimtarisë shtetërore, që përfshihet brenda një ministrie, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.

  1. Rezulton se me Vendimin nr. 942, datë 09.10.2013 të Këshillit të Ministrave është përcaktuar fusha e përgjegjësisë shtetërore e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kështu parashikohet se Ministria e Punëve të Brendshme është organi përgjegjës për zbatimin e politikës së  punëve të brendshme në Republikën e Shqipërisë, është aparati organizativ dhe profesional, që i  shërben interesit publik me paanësi, duke zbatuar legjislacionin në fuqi, duke kryer shërbimet  publike dhe duke hartuar e zbatuar politikat e përgjithshme shtetërore në fushën e punëve të  brendshme. Ministria e Punëve të Brendshme parashikohet që të përfaqësojë dhe të mbrojë interesat e shtetit brenda fushës së përgjegjësisë që asaj i njihet nga ligji dhe aktet nënligjore në fuqi. Ministria e Punëve të Brendshme ushtron veprimtarinë e saj ndër të tjera në këto fusha përgjegjësie shtetërore në përputhje me legjislacionin përkatës:
  • Parandalimin, zbulimin dhe hetimin, në përputhje me ligjin penal dhe me ligjin procedural penal, të veprave penale e të autorëve të kryerjes së tyre;
  • Mbrojtjen e rendit e të sigurisë publike;
  • Mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë;
  • Garantimin e komunitetit për një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara, trajtimin ekonomik e financiar të familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, kur janë plagosur apo kur punonjësit kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës;
  • Përgjegjësi të tjera në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të përcaktuara në bazë të legjislacionit në fuqi.
  1. Ky vendim është shfuqizuar dhe pas tij ka hyrë në fuqi Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 502. datë 13.09.2017 “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Brendshme”.
  2. Në periudhën që i pandehuri ka qenë Ministër i Punëve të Brendshme lidhur me kufijtë shtetërorë ka qenë në fuqi Ligji nr. 9861, datë 24.01.2008 “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”. Ky ligj rezulton të jetë zbatuar në të gjithë parashikimet e tij deri në hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 71/2016 ‘‘Për kontrollin kufitar’’ (shih nenin 25 të tij). Në pikën 1 dhe 2 të nenit 5 të Ligjit nr. 9861/2008 parashikohet se kontrolli dhe mbikëqyrja e kufirit janë kompetenca të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe se detyrat e kontrollit dhe të mbikëqyrjes së kufirit i kryen Policia Kufitare dhe e Migracionit, e cila vepron sipas detyrave ligjore dhe përgjegjësive që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi. Policia Kufitare dhe e Migracionit është institucion varësie e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pika 4 e nenit 5 të këtij ligji parashikon se Policia Kufitare dhe e Migracionit duhet të bashkëpunojë ngushtë dhe në mënyrë të vazhdueshme me shërbimet e tjera të policisë së shtetit dhe me subjektet e tjera, që kryejnë veprimtari në pikat e kalimit kufitar.
  3. Ndërkohë Ligji nr. 9749, datë 04.06.2007 “Për policinë e shtetit”, që ka qenë në fuqi deri në datë 28.02.2015, në nenin 6 parashikon se policia është strukturë e Ministrisë së Brendshme dhe si e tillë një ndër institucionet e varësisë së saj. Neni 4 i këtij ligji parashoh se përgjegjësitë e policisë janë:
  • të parandalojë, të zbulojë dhe të hetojë, në përputhje me ligjin penal dhe me ligjin procedural penal, veprat penale dhe autorët e kryerjes së tyre;
  • të mbrojë rendin dhe sigurinë publike;
  • të mbikëqyrë dhe të kontrollojë kufijtë shtetërorë të Republikës së Shqipërisë.
  1. Në nenin 7 të këtij ligji rregullohen marrëdhëniet ndërmjet policisë së shtetit dhe Ministrit të Punëve të Brendshme. Kjo dispozitë parashikon se Ministri i Punëve të Brendshme ka përgjegjësinë të sigurojë efektivitetin dhe efiçencën e punës së Policisë. Megjithatë ky ligj parashikon se në përgjegjësitë e ministrit nuk përfshihet drejtimi operacional i policisë së shtetit. Përgjegjësitë e Ministrit të Punëve të Brendshme janë:
  • të përcaktojë objektivat strategjikë vjetorë për Policinë;
  • të caktojë objektivat e kryerjes së detyrave nga Policia;
  • të nxjerrë urdhra dhe udhëzime në përputhje me këtë ligj ose me ligje të tjera;
  • të kërkojë raporte, informacione dhe dokumente të tjera. që lidhen me kryerjen e detyrave nga Policia në përgjithësi ose në lidhje me ndonjë çështje të veçantë.
  1. Gjithashtu ligji parashikon se Ministrit të Punëve të Brendshme i raportohet çdo vit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë rreth veprimtarisë së realizuar nga ana e policisë së shtetit. Ligji parashikon se, me kërkesën e tij, Ministrit të Punëve të Brendshme i raportohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për çështje lë përgjithshme ose të veçanta që lidhen me Policinë, konkretisht parashikim i pikës 3 të nenit 7 të ligjit për policinë e shtetit të vitit 2007.
  2. Neni 13 i këtij ligji ka parashikuar detyrat Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke u parashikuar se ky institucion kryen detyrat si vijon:
  • mbikëqyr kryerjen e funksioneve dhe detyrave të Policisë nga drejtori ti! e policisë në qarqe;
  • bashkërendon vënien në zbatim të strategjive për parandalimin dhe reduktimin e krimit. ruajtjen e rendit publik. mbikëqyrjen dhe, kontrollin e kufijve shtetërorë dhe, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ruajtjen e sigurisë kombëtare;
  • bashkërendon kryerjen e funksioneve dhe të detyrave të policisë së shtetit.
  1. Ndërkohë në nenin 14 të këtij ligji parashikohet se drejtoritë e policisë së qarqeve mbështesin dhe mbikëqyrin çështjet operacionale policore, të ndërmarra nga komisariatet dhe stacionet përkatëse të policisë të cilat përfshihen në qarkun që ajo drejton. Drejtoria e policisë së qarkut parashikohet se ndër të tjera ushtron funksionet dhe detyrat specifike të përcaktuara në ligj dhe në udhëzimet e nxjerra nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, sipas nenit 13 pika 3 shkronja “a” të këtij ligji dhe gjithashtu mbikëqyr kryerjen e funksioneve dhe detyrave të policisë së shtetit nga çdo komisariat dhe stacion policie në qarkun e policisë që ajo mbulon.
  2. Neni 17 i ligjit për policinë e shtetit të vitit 2007 parashikon se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, kur ka të dhëna se një drejtori e policisë së qarkut nuk po i kryen ose nuk i ka kryer detyrat si duhet ose në kohën e duhur, ajo ka detyrimin të verifikojë moskryerjen e detyrës. Më tej parashikohet se, nëse sipas këtij verifikimi dyshimet vërtetohen, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njofton drejtorin e drejtorisë së policisë së qarkut për moskryerjen e detyrës dhe merr masa si më poshtë:
  • urdhëron drejtorin e policisë së qarkut të ndreqë brenda një kohe të caktuar pasojat e ardhura nga moskryerja e detyrës;
  • identifikon masat e mundshme për të ndrequr pasojat e moskryerjes dhe i kërkon drejtorit të Policisë së qarkut t 'i zbatojë ato;
  • ndreq pasojat me nismën e vet dhe zbaton masa të veçanta, të cilat mund të jenë gjithashtu në kompetencën e drejtorisë së policisë së qarkut.
  1. Ndërkohë neni 18 i këtij ligji parashikon se verifikimet kryhen nga çdo strukturë e lartë ndaj strukturave më të ulëta, brenda juridiksionit të saj lëndor dhe territorial.
  2. Neni 20 i këtij ligji parashikon se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë emërohet nga Këshilli i Ministrave, bazuar në propozimet e paraqitura nga Ministri i Punëve të Brendshme dhe se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit drejton dhe kontrollon policinë.
  3. Neni 23 i këtij ligji parashikon se çdo departament i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit drejtohet nga një Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë, sikurse përcaktohet në nenin 13 të sjellë në vëmendje më lart. Ndërkohë rezulton se zëvendësdrejtorët e përgjithshëm të policisë emërohen, lirohen, largohen nga detyra nga Ministri i Punëve të Brendshme me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
  4. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm Policisë së Shtetit, sipas këtij ligji ushtron këto funksione:
  • ndihmon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në kryerjen e funksioneve me departamentin që ai drejton:
  • drejton dhe ushtron kontroll të drejtpërdrejtë mbi punonjësit e policisë së shtetit të emëruar në departament.
  1. Neni 26 i këtij ligji parashikon se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ose Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit mund të largohet nga detyra nga autoriteti që i ka emëruar, për një nga arsyet e mëposhtme:
  • për mospërmbushje të objektivave strategjikë dhe objektivave të kryerjes detyrave të caktuara nga ministri, sipas nenit 7 pika 2 shkronjat “a’’ dhe “b’’ të këtij ligji, sikurse më lart u soll në vëmendje.
  1. Neni 28 i ligjit për Policinë e Shtetit të vitit 2007 parashikon se të gjithë drejtorët e drejtorive në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit raportojnë tek Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit të departamentit përkatës.
  2. Ndërkohë ky ligj ka rregulluar edhe funksionet e drejtuesit policor të qarkut, konkretisht në nenin 30. Në këtë dispozitë parashikohet se çdo drejtori e policisë së qarkut drejtohet dhe kontrollohet nga drejtori i policisë së qarkut. Drejtori i policisë së qarkut dhe drejtori rajonal i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit raportojnë tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nëpërmjet Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për kryerjen e detyrave nga drejtoria e policisë së qarkut, komisariatet dhe stacionet e policisë që drejton dhe kontrollon.
  3. Ndërkohë ligji parashikon se drejtori i policisë së qarkut i paraqet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit një raport vjetor ose sa herë që ky titullar i lartë i bën kërkesë për raportim mbi punën e drejtorisë së policisë së qarkut, të cilën ai drejton dhe kontrollon dhe punën e komisariateve dhe stacioneve të policisë në varësinë e saj. Ligji parashikon se drejtori i policisë së qarkut raporton te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit me kërkesë të tij, për çdo çështje të përgjithshme ose të veçantë të drejtorisë së policisë së qarkut që drejton.
  4. Më datë 01.03.2015, hyri në fuqi Ligji nr. 108/2014, datë 31.07.2014 “Për policinë e shtetit”, ligj i cili zëvendësoi ligjin e mësipërm. Neni 2 i tij parashikon se Policia e Shtetit ka për mision:
  • ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike;
  • garantimin e zbatimit të ligjit në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.
  1. Ndërkohë neni 4 i këtij ligji parashikon se Policia e Shtetit është institucion i administratës shtetërore, duke i dhënë statusin e personit juridik në varësi administrative të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike. Kjo do të thotë se edhe sipas këtij ligji Policia e Shtetit është institucion varësie e Ministrit të Punëve të Brendshme.
  2. Në shkronjën “e” të nenit 5 të ligjit për Policinë e Shtetit parashikohet se një ndër parimet bazë mbi të cilat udhëhiqet veprimtaria e Policisë së Shtetit është integriteti i secilit prej punonjësve të policisë gjatë ushtrimit të detyrës. Për të detajuar konceptin e integritetit të punonjësit të policisë së shtetit neni 94 i këtij ligji ka parashikuar se punonjësi i policisë është i detyruar të respektojë rregullat e sjelljes dhe etikës gjatë përmbushjes së detyrave. Koncepti i etikës së punonjësit të Policisë së Shtetit ka gjetur rregullim nënligjor edhe në Rregulloren e Policisë së Shtetit.
  3. Në nenin 105 të Rregullores parashikohet se etika e Policisë së Shtetit përmban parimet dhe normat që rregullojnë raportet e sjelljes, qëndrimit, plotësimit të detyrave dhe komunikimit të punonjësit të policisë, për të vepruar në përputhje me ligjin, me standardet më të larta profesionale, në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe në respektim të dinjitetit njerëzor të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Më tej neni 112 i Rregullores në pikën 1 ndër të tjera parashikon se  punonjësi i policisë vepron në çdo kohë me ndershmëri dhe integritet të plotë.
  4. Neni 7 i këtij ligji ka rregulluar pozitën juridike të Ministrit të Punëve të Brendshme, duke parashikuar se ky organ kushtetues ushtron funksionet si vijon:
  • harton dhe mbikëqyr zbatimin e politikave të veprimtarisë së Policisë së Shtetit, me qëllim garantimin e rendite të sigurisë publike:
  • përcakton drejtimet strategjike dhe objektivat e Policisë së Shtetit:
  • kërkon performancë të lartë të Policisë së Shtetit për realizimin e objektivave të përcaktuar;
  • i kërkon Drejtorit të Policisë së Shtetit të raportojë për ushtrimin e detyrave të tij dhe të Policisë së Shtetit në përputhje me legjislacionin dhe Kushtetutën duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut;
  1. Pika 3 e kësaj dispozite ka parashikuar se Ministri i Punëve të Brendshme nuk ndërhyn në pavarësinë operacionale të shërbimit të policisë dhe nuk përfshihet në drejtimin operacional të saj.
  2. Neni 8 i këtij ligji ka rregulluar marrëdhëniet e Ministrit të Punëve të Brendshme me Policinë e Shtetit, duke parashikuar se Ministri nuk informohet për:
  • veprime hetimore. akte apo të dhënat e përftuara prej tyre:
  • informacione që kanë të bëjnë me identitetin, procesin e bashkëpunimit. të mbrojtjes ose vendndodhjen e dëshmitarëve. bashkëpunëtorëve të drejtësisë ose informatorëve;
  • të dhëna dhe informacione të përftuara nga personal e përmendur në shkronjën “b “, të këtij neni.
  1. Ndërkohë neni 9 i këtij ligji parashikon se Drejtori i Policisë së Shtetit është autoriteti më i lartë ekzekutiv, administrativ e operacional i policisë dhe përgjigjet drejtpërdrejt para Ministrit të Punëve të Brendshme për realizimin e politikave, performancës dhe objektivave të përcaktuar. Drejtori i Policisë së Shtetit parashikohet nga ligji të ushtrojë disa funksione të rëndësishme, si organizimi, drejtimi dhe kontrolli veprimtarinë së të gjithë strukturave të policisë.
  2. Neni 10 i këtij ligji parashikon se Drejtori i Policisë së Shtetit, gjatë ushtrimit të kompetencave tij, mbështetet nga një zëvendësdrejtor. Ky funksionar kryen detyrat që i caktohen nga Drejtori i Policisë së Shtetit.
  3. Neni 11 i ligjit parashikon se Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë është autoriteti më i lartë ekzekutiv, administrativ e operacional i policisë vendore dhe përgjigjet para Drejtorit të Policisë së Shtetit për rendin e sigurinë publike në juridiksionin e drejtorisë vendore. Kjo dispozitë ligjore parashikon se drejtori i drejtorisë vendore ka detyrë të ushtrojë këto veprimtari:
  • të drejtojë dhe koordinojë veprimtarinë e strukturave policore në varësi hierarkike;
  • të menaxhojë burimet njerëzore;
  • të nxjerrë akte të përcaktuara në Rregulloren e Policisë;
  • të bashkëpunojë me drejtuesit e strukturave vendore brenda juridiksionit dhe fushës përkatëse të kompetencës, me qëllim përmirësimin e policimit dhe sigurinë e komunitetit.
  1. Ndërkohë neni 12 i ligjit rregullon autoritetin shtetëror të shefit të komisariatit të policisë vendore. Kështu shefi i komisariatit të policisë emërohet nga Drejtori i Policisë së Shtetit dhe se ai është drejtues i nivelit operacional në territorin që mbulon dhe përgjigjet para drejtorit të policisë vendore për rendin e sigurinë publike në juridiksionin e komisariatit të policisë. Është pikërisht kjo figurë bazë e strukturave vendore të policisë që drejton veprimtarinë e strukturave.
  2. Neni 13 i ligjit parashikon se Këshilli i Ministrave emëron Drejtorin e Policisë së Shtetit me propozim të Ministrit të Punëve të Brendshme. Ndërkohë neni 14 i këtij ligji parashikon se Ministri i Punëve të Brendshme emëron Zëvendësdrejtorin e Policisë së Shtetit me propozim të Drejtorit të Policisë së Shtetit.
  3. Nga ana tjetër neni 15 i ligjit rregullon lirimin dhe shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Policisë së Shtetit. Pika 2 e kësaj dispozite parashikon se Drejtori i Policisë së Shtetit shkarkohet nga detyra kur ndër të tjera:
  • nuk përmbushen objektivat strategjikë për shkak të performancës së ulët të tij.
  1. Si lirimi dhe shkarkimi i Drejtorit të Policisë së Shtetit bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, procedurë administrative kjo e iniciuar detyrimisht nga akti dhe kompetenca e ushtruar si propozim nga ana e Ministrit të Punëve të Brendshme. Më tej në nenin 16 parashikohet se Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit lirohet nga detyra për shkak të performancës së ulët të tij nuk përmbushen objektivat. Lirimi dhe shkarkimi i Zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit bëhet me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe me aktin propozues të Drejtorit lë Policisë së Shtetit.
  2. Neni 17 i ligjit parashikon se detyrat e Policisë së Shtetit janë:
  • ruajtja e rendit dhe e sigurinë publike;
  • parandalimi, zbulimi dhe hetimi në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal, të veprave penale dhe autorëve të dyshuar të kryerjes si/ tyre;
  • mbikëqyra dhe kontrollimi i kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë.
  1. Ndërkohë neni 23 i këtij ligji parashikon se drejtoria vendore e policisë është strukturë administrative e policisë në nivel vendor dhe se kjo njësi policore vendore kryen veprimtari operacionale dhe hetimore në nivel vendor, mbikëqyr dhe kontrollon kryerjen e detyrave, si dhe bashkërendon veprimtarinë e strukturave në varësi.
  2. Më tej neni 24 i ligjit parashikon se komisariati i policisë është strukturë bazë operacionale në varësi të drejtorisë vendore të policisë dhe ushtron përgjegjësitë e policisë në territorin që ka në juridiksion. Nga ana tjetër stacioni i policisë është njësi policore operacionale në varësi të komisariatit ose, në raste të veçanta, kur nuk ka komisariat, në varësi të drejtorisë vendore të policisë.
  3. Rezulton se rregullat për organizimin dhe funksionimin e marrëdhënieve brenda strukturave të Policisë së Shtetit, të parimeve, standardeve dhe normave që rregullojnë sjelljen profesionale dhe etike të punonjësit të policisë, etj, përcaktohen në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 750, datë 16.09.2015 “Për miratimin e rregullores së Policisë së Shtetit”.
  4. Ndër të tjera në nenin 5 të Rregullores së Policisë së Shtetit parashikohet se rregullat e brendshme janë të detyrueshme për të gjithë punonjësit e Policisë, pavarësisht nga hierarkia, funksioni apo struktura në të cilën bëjnë pjesë.
  5. Neni 14 i Rregullores së Policisë së Shtetit parashikon ndër të tjera se autoritetet në Policinë e Shtetit klasifikohen si më poshtë:
  • autoritetet e larta të Policisë së Shtetit, ku përfshihen Drejtori i Policisë së Shtetit, Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë;
  • autoritetet, që i përkasin nivelit qendror të policisë, ku përfshihen drejtorët e drejtorive qendrore dhe drejtuesit e strukturave mbështetëse qendrore, vendimet e lë cilave janë të detyrueshme për zbatim nga strukturat dhe personeli në juridiksionin lëndor përkatës.
  1. Në nenin 16 të Rregullores parashikohet struktura organizative e Policisë së Shtetit. Ndër të tjera rregullohet se Policia e Shtetit është unike, e centralizuar, e organizuar në nivel qendror dhe vendor, si më poshtë:

a) Drejtoria e Policisë së Shtetit është struktura qendrore administrative dhe teknike e Policisë së Shtetit. që organizohet në struktura organizative hierarkike në nivel drejtorie lë përgjithshme, drejtorie dhe sektori.

b) Drejtoria Vendore e Policisë është strukturë administrative e Policisë në nivel vendor, që organizohet në struktura organizative hierarkike drejtorie, sektori, komisariati. seksioni, stacioni dhe posta policie.

c) Strukturat e Policisë Kufitare dhe Migracionit janë struktura që organizohen në nivel qendror dhe vendor me drejtim dhe kontroll vertikal.

ç) Struktura të veçanta, në varësi lë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, që organizohen për të ushtruar veprimtarinë e tyre në të gjithë territorin ose pjesë të veçanta të tij.

  1. Neni 20 i Rregullores parashikon se drejtoritë e përgjithshme janë struktura organizative sipas fushave dhe shërbimeve në nivel qendror, në përbërje të Drejtorisë së Policisë së Shtetit. Struktura organizative e drejtorive të përgjithshme përbëhet nga drejtori, sektori dhe njësi të tjera qendrore. Drejtoritë e përgjithshme drejtohen nga drejtorët e përgjithshëm dhe janë në varësi të Drejtorit të Policisë së Shtetit. Ata drejtojnë strukturat sipas fushave dhe shërbimeve në varësi administrative dhe lëndore, dhe përmbushin këto funksione dhe detyra të përgjithshme:

a) kryejnë detyra administrative dhe punë teknike, përshirë planifikimin, organizimin, mbikëqyrjen dhe menaxhimin e të gjitha aspekteve të punës në drejtoritë e tyre dhe në strukturat vartëse, për kontrollin dhe mbikëqyrjen e shërbimeve në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë për publikun;

b) vendosin dhe ruajnë marrëdhënie efektive pune për koordinimin e veprimtarive operacionale dhe mbështetjen administrative me strukturale tjera qendrore, me prokurorinë, institucionet e tjera të administratës publike, me organizata të tjera qeveritare dhe joqeveritare, si dhe me komunitetin.

  1. Ndërkohë neni 21 i Rregullores rregullon statusin e drejtorisë vendore të Policisë së Shtetit. Kjo normë parashikon se drejtoria vendore e policisë është strukturë administrative e policisë në nivel vendor, e cila ushtron këto veprimtari:
  • kryen veprimtari administrative, operacionale dhe hetimore në nivel vendor;
  • mbikëqyr dhe kontrollon kryerjen e detyrave;
  • bashkërendon veprimtarinë e strukturave në varësi.
  1. Njësitë organizative dhe përbërëse të drejtorisë vendore janë sektorët, komisariatet, seksionet, stacionet dhe postat e policie. Drejtoria vendore e Policisë së Shtetit drejtohet nga drejtori i policisë, konkretisht titullari i saj, i cili është autoriteti me i lartë ekzekutiv, administrativ e operacional i policisë vendore dhe përgjigjet para Drejtorit të Policisë së Shtetit për rendin dhe sigurinë publike në juridiksionin e drejtorisë vendore.
  2. Drejtoria vendore e Policisë së Shtetit është shërbim policor, i cili në partneritet me komunitetin dhe në përputhje me të drejtat kushtetuese të individit, garanton zbatimin e ligjit nëpërmjet parandalimit dhe luftës kundër krimit, si dhe krijon një ambient të sigurt, nëpërmjet kontrollit të territorit nga shërbimet e Policisë së Shtetit në nivel vendor.  Kjo pjesë e Rregullores parashikon se Drejtoria vendore e Policisë së Shtetit është përgjegjëse ndër të tjera për:
  • organizimin e punës për marrjen e masave për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike;
  • organizimin e strukturave vartëse dhe njësive bazë vepruese të Policisë së Shtetit në terren për zbulimin dhe parandalimin e veprimtarisë kriminale, kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e autorëve të veprave penale, si dhe për kryerjen e veprimeve procedurale nga shërbimet e policisë gjyqësore, në përputhje me legjislacionin procedural penal;
  • sigurimin e partneritetit, duke mbajtur kontakte me drejtuesit e pushtetit vendor në juridiksionin e drejtorisë vendore, në kuadrin e bashkëpunimit për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike, garantimin e zbatimit të ligjit;
  • drejtimin dhe organizimin e veprimtarisë së strukturave të Policisë së Shtetit për rritjen e standardeve të policimit dhe forcimin e besimit të komunitetit tek shërbimet e policisë.
  1. Nga ana tjetër Neni 22 rregullon edhe strukturën e Policisë së Kufirit dhe Migracionit. Në këtë normë parashikohet se struktura e Kufirit dhe Migracioni organizohet në nivel qendror dhe vendor, me drejtime kontroll vertikal, me përgjegjësi kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror. Në nivel qendror struktura e Kufirit dhe Migracionit organizohet si drejtoritë e përgjithshme dhe në nivel vendor si drejtoria vendore e policisë. Drejtoria vendore e Kufirit dhe Migracionit është struktura policore përgjegjëse për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit, në juridiksionin e saj. Ajo përbëhet nga sektorë, seksione, komisariate dhe stacione policie dhe drejtohet nga drejtori vendor i kufirit dhe migracionit, i cili është në varësi të Drejtorit të Përgjithshëm për Kufirin dhe Migracionin.
  2. Drejtoria vendore e Kufirit dhe Migracionit është shërbim policor, i cili në përputhje me ligjin, garanton sigurinë e kufirit shtetëror në zonën e përcaktuar, si dhe lufton për parandalimin e trafiqeve të paligjshme dhe çdo veprimtarie tjetër kriminale që zhvillohet në kufi dhe nëpërmjet tij. Gjykata sjell në vëmendje se edhe drejtoria për kufirin dhe migracionin është strukturë shtetërore në varësi të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe se ligji parashikon se Policia e Shtetit 
  3. Neni 23 i Rregullores parashikon se Komisariati i Policisë është strukturë bazë operacionale në varësi lë drejtorisë vendore dhe ushtron përgjegjësitë e Policisë së Shtetit në territorin që ka në juridiksion. Komisariati i Policisë drejtohet nga Shefi i Komisariatit. Ai është drejtues i nivelit operacional në territorin që mbulon dhe përgjigjet para drejtorit ose zëvendësdrejtorit të policisë vendore për rendin dhe sigurinë publike në juridiksionin e komisariatit të Policisë së Shtetit. Komisariati i Policisë është shërbim policor, që vepron në një territor të caktuar dhe garanton sigurinë, paqen, respektimin e lirive e të drejtave të njeriut nëpërmjet parandalimit e goditjes së krimit dhe zbatimit të ligjit, kontrollit të territorit e bashkëveprimit me komunitetin.
  4. Neni 24 i Rregullores parashikon rregullime mbi njësinë më bazike të policimit në komunitet, konkretisht të Stacionit të Policisë. Kështu Stacioni i Policisë është njësia policore operacionale në varësi të komisariatit të Policisë ose në raste të veçanta kur nuk ka komisariat, në varësi të drejtorisë vendore të Policisë së Shtetit. Stacioni i Policisë drejtohet nga shefi i stacionit të policisë, i cili është në varësi të shefit të komisariatit të policisë, ose kur nuk ka komisariat në varësi të drejtorit të drejtorisë vendore të Policisë së Shtetit. Stacioni i Policisë është një shërbim policor me përgjegjësi kryesore ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike nëpërmjet kontrollit të territorit dhe forcimit të bashkëpunimit me komunitetin, për të garantuar respektimin e lirive e të drejtave të njeriut dhe rritjen e cilësisë së jetës të qytetarëve.
  5. Neni 107 i Rregullores së Policisë së Shtetit parashikon se në themel të punës dhe veprimtarisë së tij, punonjësi i Policisë së Shtetit mbështetet mbi parimin e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies ndaj publikut. Punonjësi i Policisë së Shtetit mban përgjegjësi për veprimet apo mosveprimet e tij, të cilat shkojnë ndesh me zbatimin e ligjit.
  6. Më tej parashikimeve ligjore të sjella më vëmendje më lart nga ana e gjykatës së shkallës së parë, për të cilat edhe Gjykata konkludon se kanë rëndësi të drejtpërdrejtë mbi funksionet publike që kanë ushtruar secili prej bashkëtëpandehurve në këtë gjykim, duhet të mbahen parasysh edhe disa parashikime të tjera ligjore që kanë të njëjtën rëndësi mbi çështjen dhe mbi faktet historike objekt akuze.
  7. Ligji ka parashikuar mundësinë e organeve ligjzbatuese ekzekutive në bashkëpunim me organet e sistemit të drejtësisë për të realizuar detyrat shtetërore të zbulimit të veprimtarive kriminale, duke krijuar krahas përgjimit të komunikimeve si mjet për kërkimin e provës, për të cilin ka rregullime në ligjin procedural penal, edhe mjetin e përgjimit parandalues të komunikimeve elektronike, mjet ligjor i cili normohet nga Ligji nr. 9157, datë 04.12.2003 ‘‘Për përgjimin e komunikimeve elektronike’’ (në vijim Ligji nr. 9157/2003, i ndryshuar 2012, që do të thotë se ligji përditësuar atëbotë deri me ndryshimet e Ligjit nr. 116/2012). Në nenin 2 të tij është parashikuar se ky ligj synon te rrisë efektivitetin e punës se institucioneve shtetërore informative për bulimin e veprimtarisë antikushtetuese, kriminale dhe keqbërëse, si dhe te parandaloje pasojat qe mund te vijnë nga kjo veprimtari.
  8. Për të mundësuar këtë mënyrë përgjimi të komunikimeve elektronike neni 8 i Ligjit nr. 9157/2003 (i ndryshuar) parashikon: “Prokurori i Përgjithshëm ose, në mungesë të tij, prokurori i autorizuar prej tij, pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim të Drejtorit të SHISH-it, Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Mbrojtjes, Ministrit të Drejtësisë ose Ministrit të Financave, si dhe çdo ministri, që ka në varësi shërbime informative/policore të krijuara me ligj, miraton ose refuzon kërkesën për përgjimin e komunikim elektronikeve nëpërmjet pajisjeve të komunikim elektronik.
  9. Kjo do të thotë se ushtrimi i një përgjegjësie të tillë ligjore është herë pas here kompetencë e titullarëve të institucioneve qendrore kushtetuese apo ligjore. Administrativisht neni 6 i këtij ligji ka parashikuar se si mundësohet ushtrimi i kësaj kompetence dhe detyrimi ligjor nga titullarët e institucioneve qendrore që listohen në nenin 8.
  10. Neni 6 i këtij ligji parashikon se Shërbimi Informativ Shtetëror, shërbimet informative/policore të Ministrisë së Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, të Ministrisë së Financave dhe të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe çdo shërbim tjetër informativ/policor, i krijuar me ligj, kanë të drejtë të kërkojnë përgjimin, për të siguruar të dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore. Secili nga institucionet e legjitimuara aktivisht për të ushtruar një kompetencë dhe detyrim ligjor të tillë duhet ta instrumentalizojë kërkesën dhe qëllimin e përdorimit të këtij mjeti ligjor me objektin e punës e të veprimtarisë së tyre informative dhe gjurmuese.
  11. Në fundin e parashtrimit të detyrimeve ligjore relevante me ushtrimin e detyrës së të pandehurit z. Saimir Tahiri, në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme, Gjykata sjell në vëmendje detyrimet ligjore të Ligjit nr. 9367, datë 07.04.2005 ‘‘Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike’’[149]. Gjykata sjell në vëmendje se qëllimi i këtij ligji ka qenë garantimi i një vendimmarrjeje të paanshme, transparente, në interesin më të mirë të mundshëm të publikut e të besimit të tij ndaj institucioneve publike, nëpërmjet parandalimit të konfliktit ndërmjet interesave publikë dhe atyre privatë të një zyrtari në ushtrimin e funksioneve të veta. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave, mjeteve, mënyrave, procedurave, përgjegjësive dhe kompetencave për identifikimin, deklarimin, regjistrimin, trajtimin, zgjidhjen dhe dënimin e rasteve te konfliktit të interesave.
  12. Në pikën 1 të nenit 3 të Ligjit nr. 9367/2005 parashikohet se ‘‘konflikt i interesit” është gjendja e konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave privatë të një zyrtari, në të cilën ai ka interesa privatë, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në kryerjen në mënyrë të padrejtë të detyrave dhe përgjegjësive të tij publike. Kjo do të thotë se ky ligj ka rregulluar me detyrime konkrete mënyrën e ushtrimit të detyrës së çdo zyrtari që është objekt i fushës së zbatimit të tij.
  13. Sipas pikës 7 të nenit 3 dhe parashikimeve të nenit 5, pika 1, shkronja ‘‘c’’ dhe ‘‘ç’’ të Ligjit nr. 9367/2005 i ndryshuar, Gjykata konkludon se i pandehuri z. Saimir Tahiri, në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme, ka qenë atëbotë subjekt i fushës së zbatimit të këtij ligji. Ndërkohë Gjykata sjell në vëmendje se koncepti i “personit të lidhur me një zyrtar” është çdo person fizik ose juridik, i cili rezulton të ketë pasur ose të ketë lidhje interesi, pasurore ose vetjake jo pasurore, sipas nenit 5 të këtij ligji, me zyrtarin.
  14. Ndërkohë ndër të tjera në nenin 5 të Ligjit nr. 9367/2005 parashikon ndër të tjera se interesa private të zyrtarit janë ata interesa që përputhen, përmbajnë, bazohen ose burojnë nga të drejta dhe detyrime pasurore të çdo lloj natyre; çdo marrëdhënie tjetër juridiko-civile; dhurata, premtime, favore, trajtime preferenciale. Interes privat sipas këtij ligji rezulton të jetë edhe çdo marrëdhënie e njohur të miqësisë. Për qëllimet e zbatimit të këtij ligji do të vlerësohet shkak për lindjen e konfliktit të interesit, çdo lloj interesi privat i një zyrtari për të cilin ka fushëzbatim ky ligj dhe çdo lidhje apo gërshetim ndërmjet dy a më shumë prej interesave që liston neni 5 i këtij ligji.
  15. Më tej neni 6 i Ligjit nr. 9367/2005 i ndryshuar parashikon detyrimin ligjor të drejtpërdrejtë dhe imperativ të zyrtarit për të cilin gjen fushëzbatim ky ligj, që nga momenti i emërimit dhe në vijim të ushtrimit të detyrës zyrtari të bëjë gjithçka është e mundur për të parandaluar konfliktin e interesit dhe të zgjidhë vetë, sa më parë dhe në mënyrën më të frytshme të mundshme, çdo gjendje të konfliktit të tij të interesit.
  16. Nga ana tjetër neni 23 i Ligjit nr. 9367/2005, nën titullin “Ndalimi i marrjes së dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale”, i ndryshuar parashikon se:

1. Është e ndaluar që një zyrtar të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen për shkak të pozicionit të tij, nga një individ, person fizik ose juridik privat.

2. Përjashtohen vetëm rastet e përcaktuara me akte të organeve kompetente, të cilat lejojnë pranimin e dhuratave apo trajtimeve preferenciale për arsye protokollare.

3. Zyrtari, të cilit i janë ofruar dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, sipas pikës 1 të këtij neni, duhet:

a) t’i refuzojë ato dhe, në rast se ofrimi është kryer pa dijeninë e tij ose paraprakisht, t’ia kthejë mbrapsht ofruesit ose, në pamundësi, t’ia dorëzojë zyrtarisht eprorit ose institucionit më të afërt epror;

b) të përpiqet të identifikojë personin që i ofron ato, motivet dhe interesat e tij;

c) të informojë, në çdo rast dhe menjëherë, eprorin ose institucionin më të afërt epror për dhuratën, favorin, premtimin ose trajtimin preferencial të ofruar apo të dhënë, identitetin e ofruesit, kur ky është i identifikueshëm, rrethanat, si dhe të japë gjykimin për arsyet e mundshme të kësaj ngjarjeje e për lidhjen e saj me detyrat e tij si zyrtar;

ç) të vazhdojë normalisht ushtrimin e detyrës, sidomos për problemin për të cilin është ofruar dhurata, favori, premtimi ose trajtimi preferencial dhe të mbajë vazhdimisht në dijeni eprorin për çdo zhvillim të mundshëm;

d) në rast se ofrimi ose dhënia e të mirave të sipërpërmendura lidhen me kryerjen e një vepre penale, ta raportojë atë tek organet kompetente për ndjekje penale.

  1. Gjykata sjell në vëmendje se ky ligj ka parashikuar edhe llojin e përgjegjësive ligjore që lindin kundrejt subjektit që nuk zbaton detyrimet imperative dhe të drejtpërdrejta që ligji parashikon. Në nenin 44 të Ligjit nr. 9367/2005 të ndryshuar parashikohet ndër të tjera se:

1. Çdo shkelje e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, sipas kufijve të përcaktuar më poshtë:

...c) për shkelje të nenit 21 pikat 1, 2, 3 e 6, nenit 22, nenit 23 pika 1 dhe nenit 24 pika 3 të këtij ligji, zyrtari ose personi i lidhur me të, personi i besuar ose drejtuesi i shoqërisë dënohet me gjobë nga 100 000 (njëqind mijë) lekë deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë;...

  1. Kjo do të thotë se ligji e ka parashikuar qartësisht dhe në mënyrë të paekuivoktë se shkeljet e këtij ligji, që do të thotë ndër të tjera se ushtrimi i detyrës në kushtet e konfliktit të interesit apo pranimi i dhuratave nga subjekte me të cilët zyrtari ka interesa të lidhura për shkak të natyrës së marrëdhënies faktike të zhvilluar ndërmjet tyre, mundet të pasjellë përgjegjësi penale apo përgjegjësi administrative.
  2. Lidhur me rastet se kur shkelja e këtij ligji do të pasjellë përgjegjësi penale është e qartë se pse ky ligj resht së rregulluari pas paralajmërimit në pikën 1 të nenit 44, pasi parashikimi i veprave penale është detyrë ekskluzive dhe kushtetuese e ligjvënësit që ta bëjë vetëm në Kodin Penal[150]. Lidhur me përgjegjësinë administrative të zyrtarit që shkel parashikimet e Ligjit nr. 9367/2005 të ndryshuar ky ligj e ka rregulluar vetë, pikërisht në nenin 44 të tij të sjellë në vëmendje më lart.
  3. Gjykata sjell në vëmendje gjithashtu se Këshilli i Ministrave ka miratuar që prej vitit 2013 Kodin Etik Ministror[151] të miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave datë 15.09.2013. Sigurisht që ky akt nuk ka natyrë tipike ligjore, shkelja e të cilit passjell përgjegjësi administrative apo penale. Megjithatë Gjykata e mban parasysh në kuadër të vlerësimir të fajësisë penale dhe vlerësimit të elementit subjektiv të të pandehurit z. Saimir Tahiri, atëbotë Ministër i Punëve të Brendshme.
  4. Në preambulën e kësaj rregulloreje etike të Këshillit të Ministrave, e cila rezulton të jetë akti i parë në llojin e vet ndër vite, parashikohet ndër të tjera se qeveritarët përballen çdo ditë me vendime, të cilat, përveç aspektit ligjor, kanë edhe implikime etike e morale, si edhe kanë të bëjnë me çështje që kanë një interes të lartë publik dhe se publiku kërkon një qeveri me vendimmarrje të ligjshme, shërbim cilësor dhe që është i hapur, i aksesueshëm dhe i drejtuar si duhet. Më tej në Preambulën e këtij akti rregullore etike për anëtarët e qeverisë parashikohet se e shkuara ka dëshmuar për një cenim të rëndë të marrëdhënies së besimit ndërmjet qeveritarëve dhe qytetarëve dhe se për rivendosjen e besimit te sistemi ynë politik, nëpërmjet rikthimit të besimit publik në integritetin e qeverisë, hartohet ky Kod Etik, i cili është konceptuar si një mjet për të nxitur përmirësimin e vazhdueshëm të qëndrimeve dhe sjelljeve drejt standardeve më të larta të drejtimit dhe ridimensionimin e moralitetit të zakonshëm në sferën e çështjeve qeveritare.
  5. Në nenin 1 parashikohet se Kodi ka për qëllim të përcaktojë rregullat e etikës, që do të garantojnë një sjellje të anëtarit të Këshillit të Ministrave në ushtrimin e funksionit të tij si anëtar i organit kolegjial apo si organ individual, si dhe në cilësinë e tij personale, në përputhje me interesin e ligjshëm publik dhe me programin e qeverisë dhe më tej, në nenin 2, parashikohet se rregullat etike të këtij Kodi janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave.
  6. Në nenin 12 të këtij akti etik ministror parashikohen në mënyrë eksplicite veprimet e ndaluara të anëtarit të Këshillit të Ministrave, duke u parashikuar se, në ushtrimin e veprimtarisë së secilit prej tyre, atyre i ndalohet ndër të tjera:

a) të kërkojë apo të pranojë shpërblim apo premtim shpërblimi lidhur me vendime të marra gjatë ushtrimit të  funksionit;

...

d) të ndikojë në vendimin e ndonjë zyrtari apo organi për arsye të përfitimit material personal, të familjarëve të tij apo të personave të lidhur me ta;

...

f) të ndikojë në vendimmarrjen e organeve legjislative, gjyqësore apo ekzekutive, duke shfrytëzuar postin e tyre me qëllim të përfitimit personal, të familjarëve të tij apo të personave të lidhur me ta;

g) të marrë vendime/të ndërmarrë veprime të cilat në ndonjë mënyrë do t’i vijnë përshtat interesit të  tij personal, interesit të familjarëve të tij apo personave të lidhur me ta;

gj) të marrë vendime/të ndërmarrë veprime të cilat do të ndihmonin apo do të favorizonin interesin privat të ndonjë personi tjetër, në dëm të interesit publik.

  1. Tashmë, në kuadër të mirëqeverisjes dhe ushtrimit të kompetencave dhe autoritetit publik dhe shtetëror sipas standardeve kushtetuese dhe ligjore, Gjykata konstaton se janë shndërruar në universale rregullimet normative të parandalimit të konfliktit të interesave dhe ushtrimit të detyrës me etikë dhe përgjegjshmëri të lartë qytetare. Akte të tilla simotra normative, veç atyre të identifikuara më lart, janë për shembull neni 72 i Kodit të Procedurës Civile, neni 17 i Kodit të Procedurës Penale, neni 3 i Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, parashikimet e Ligjit nr. 9131, datë 08.09.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”, Vendimi nr. 714, datë 22.10.2014 “Për veprimtarinë e jashtme dhe dhënien e dhuratave gjatë veprimtarisë së nëpunësit të administratës publike”, neni 37 i Kodit të Procedurave Administrative, rregullimet përkatëse normative mbi etikën e nëpunësit të administratës publike sipas nenit 57 të Ligjit nr. 152/2013 “Për statusin e nëpunësit civil” dhe akte të tjera simotra.
  2. Nga ana tjetër Gjykata sjell në vëmendje se ushtrimi i detyrave ligjore të funksionarëve shtetërorë në shmangie të konfliktit të interesit dhe nën një etikë të gjithëpranuar dhe të përbotshme është sanksionuar edhe në akte ndërkombëtare normative. Kështu Gjykata sjell në vëmendje se nga Këshilli i Evropës është miratuar Rekomandimi R (2000) 10 “Për Kodin e Sjelljes së zyrtarëve publikë[152], akti i cili, megjithëse nuk ka rëndësi juridike dhe nuk është i detyrueshëm për anëtarët e qeverisë, tregon se rregullat e ushtrimit të detyrës me paanësi dhe integritet të lartë moral janë detyrime bazike për garantimin e mirëqeverisjes dhe sundimit të ligjit në shtet.
  3. Nga tërësia e gjithë këtyre rregullimeve universalisht të njëjta mbi etikën e ushtrimit të kompetencave dhe autoritetit publik të funksionarit shtetëror dhe sigurimin e integritetit profesional dhe moral të tyre përgjatë ushtrimit të detyrës, Gjykata konkludon se çdo funksionar publik është i detyruar nga Kushtetuta dhe ligji të shmangë konfliktin e interesit, kontaktet e papërshtatshme dhe të ruajë etikën në mënyrën se si e ushtron autoritetin e tij shtetëror të atribuuar me ligj dhe të mos lejojë me ndërgjegje që të tjerët të përdorin atributet e pushtetit të tij për të arritur përfitime të paligjshme materiale apo jomateriale. Në vlerësimin e Gjykatës kjo do të thotë se, edhe ushtrimi i autoritetit ligjor shtetëror në kushtet e konfliktit të interesit, kontakteve të papërshtatshme dhe cenimit të integritetit dhe etikës së funksionarit publik, kur këto veprime apo mosveprime të ushtrimit të detyrës publike kanë sjellë pasoja të parashikuara nga ligji penal material, përbëjnë shkak të mjaftueshëm për të aktivizuar përgjegjësinë penale të atij funksionari për vepra penale të kryera gjatë ushtrimit të detyrës.

 

  1. Kualifikimi juridik i faktit penal historik për secilin prej të pandehurve

  

  1. Gjykata sjell në vëmendje se sipas dispozitave të mësipërme, përgjegjësia për veprimtarinë e policisë së shtetit rezulton se është hierarkike dhe se Policia e Shtetit është institucion në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në rend rritës, për sa u përket niveleve drejtuese, ajo është nga drejtuesit e policisë në nivel vendor në atë qendror, konkretisht shef stacioni, shef komisariati, drejtor i drejtorisë vendore të policisë, Zëvendësdrejtor i Policisë së Shtetit ose Drejtor i Përgjithshëm Policisë së Shtetit.
  2. Nga ana tjetër, Gjykata sjell në vëmendje se, përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, që i përkasin fushës së përgjegjësisë së tij shtetërore në lidhje me parandalimin, zbulimin dhe hetimin e veprave penale e të autorëve të kryerjes së tyre, mbrojtjen e rendit e të sigurisë publike dhe mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, të cilat janë pjesë e misionit dhe detyrave të Policisë së Shtetit, Ministri i Punëve të Brendshme i ushtron nëpërmjet raporteve me Drejtorin e Policisë së Shtetit. Ky i fundit është përgjegjës dhe raporton tek Ministri i Punëve të Brendshme për përmbushjen e detyrave dhe funksioneve të Policisë së Shtetit në tërësi dhe të tij si drejtor në veçanti.
  3. Gjykata vlerëson se edhe Ministri i Punëve të Brendshme ka detyrë ligjore të kërkojë Drejtorit të Policisë së Shtetit raporte, informacione dhe dokumente të tjera që lidhen me kryerjen e detyrave nga Policia e Shtetit në përgjithësi ose në lidhje me ndonjë çështje të veçantë, duke i kërkuar sakaq Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të raportojë për çështje të përgjithshme ose të veçanta që lidhen me Policinë, këto sipas ligjit për policinë e shtetit që ka qenë në fuqi deri në datë 28.02.2015. Gjithashtu, sipas normave ligjore të sjella në vëmendje më lart, konstatohet se Ministri i Punëve të Brendshme ka si kompetencë dhe detyrë funksionale ligjore që të kërkojë performancë të lartë të Policisë së Shtetit për realizimin e objektivave të përcaktuara nga ligji dhe objektivat strategjik të përcaktuara në mënyrë të përditësuar nga Këshilli i Ministrave, vetë Ministri i Punëve të Brendshme dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
  4. Në ushtrimin e këtyre detyrave ligjore Ministri i Punëve të Brendshme duhet t’i kërkojë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të raportojë për ushtrimin e detyrave të tij dhe të Policisë së Shtetit në përputhje me legjislacionin dhe Kushtetutën, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut dhe gjithashtu edhe pavarësinë opracionale që karakterizon thelbësisht funksionin shtetëror të këtij institucioni në shtet, këto sipas ligjit për policinë e shtetit që ka hyrë në fuqi më datë 01.03.2015. Gjithashtu ligji parashikon se Ministri i Punëve të Brendshme ka të drejtë dhe detyrë ligjore të propozojë edhe masa administrative konkrete, deri në shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në rast të mospërmbushjes të objektivave strategjikë dhe objektivave të kryerjes së detyrave të caktuara nga Këshilli i Ministrave, Ministri i Punëve të Brendshme apo vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, sipas ligjit për policinë e shtetit deri në datë 28.02.2015, apo kur nuk përmbushen objektivat strategjikë për shkak të performancës së ulët të tij, sipas ligjit për policinë e shtetit nga data 01.03.2015 e në vijim. Gjykata vlerëson se këto janë disa nga mekanizmat ligjorë se si Ministri i Punëve të Brendshme, si organi ekzekutiv më i lartë në fushën e tij të veprimtarisë shtetërore, ushtron në mënyrë që të kontrollohet veprimtaria e Policisë së Shtetit.
  5. Gjykata vlerëson se kërkesat për raportim dhe llogaridhënie nuk janë kompetenca formale të Ministrit të Punëve të Brendshme, në kuptimin që, kur vërehen mospërmbushje të funksioneve apo moskryerje të detyrave nga ana e Policisë së Shtetit, funksionari më i lartë ekzekutiv në këtë fushë të veprimtarisë shtetërore ka detyrimin kushtetues dhe ligjor për të ushtruar kompetenca që të marrë masa apo të propozojë marrjen e masave përkatëse sipas ligjit. E njëjta situatë ligjore adreson detyrime konkrete imperative edhe për drejtorin e policisë së çdo niveli në raport me strukturat e policisë në varësi të tij.
  6. Për më tepër, në rastin e bashkëtëpandehurve z. Saimir Tahiri dhe z. Jaeld Çela provohen edhe kontakte të drejtpërdrejta mjaft të shpeshta mes tyre, konkretisht 673 komunikime telefonike në harkun e rreth dy viteve që kanë qenë të disponueshme të dhënat. Ky fakt nga ana e të pandehurit z. Saimir Tahiri është sqaruar se janë të gjitha komunikime telefonike operative për shkak të funksioneve të ushtruara nga secili prej tyre atëbotë.
  7. Gjykata vlerëson se këto sqarime të të pandehurit z. Saimir Tahiri, formalisht është i arsyeshëm, por kundërshton pretendimet e tij në pjesën konkluzioneve përfundimtare dhe shkaqeve të apelit që kundërshton përgjegjësinë ligjore penale që gjykata e shkallës së parë i ka atribuuar atij për mosushtrimin e detyrave të tij në mënyrë të vazhdueshme, duke e deklaruar atë fajtor dhe duke e dënuar sipas nenit 248 të Kodit Penal. Nga ana tjetër i pandehuri ka pretenduar gjatë gjithë parashtrimeve të tij në apel dhe në konkluzione përfundimtare në gjykimin në apel se Ministri i Punëve të Brendshme është funksion politik, i cili ligjërisht e ka të ndaluar të ndërhyjë në pavarësinë operacionale të Policisë së Shtetit, duke pretenduar sakaq se ky funksionar shtetëror nuk mundet të mbajë përgjegjësi penale për shpërdorim detyre për faktin se në Vlorë ka pasur kultivim masiv të lëndës narkotike.
  8. Gjykata nuk është në gjendje të sqarojë arsyeshëm se, nëse 673 komunikime telefonike ndërmjet bashkëtëpandehurve në funksionet shtetërore të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë në harkun kohor 2016 – 2017 nuk kanë qenë mbi ushtrimin e detyrave operacionale të policisë në Qarkun e Vlorës, atëherë për çfarë kanë komunikuar tjetër këto dy funksionarë shtetërorë të palidhur drejtpërdrejtë administrativisht dhe hierarkisht me njëri-tjetrin në këtë mori komunikimesh telefonike. Për më tepër, qoftë në deklarimet përgjatë gjykimit dhe në apelet e ushtruara prej të pandehurve, nuk parashtrohet që ato të jenë miq dhe të kenë një marrëdhënie të tillë miqësore që të shpjegojë arsyeshëm këtë intensitet komunikimi telefonik.
  9. Në këtë mënyrë Gjykata vlerëson se ndërmjet të pandehurve përgjatë ushtrimit të detyrës shtetërore ka pasur komunikime edhe për veprimtarinë shtetërore të secilit prej tyre por se pavarësisht këtij komunikimi personal dhe të vazhdueshëm sërish detyrat ligjore sipas përgjegjësive nuk kanë arritur të adresojnë zgjidhje për të luftuar kriminalitetin e organizuar dhe intensitetin e veprave penale të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në territorin tokësor dhe hapësirën territoriale të Qarkut Vlorë. Ky fakt në bindjen e Gjykatës përforcon bindjen mbi fajësinë si element subjekt për secilin prej të pandehurve në këtë gjykim mbi mënyrën se si ato e kanë ushtruar detyrën shtetërore në kohën dhe në hapësirën e zhvillimit të faktit penal historik objekt akuze.
  10. Gjykata sjell në vëmendje se mosushtrimi me dashje i përgjegjësive ligjore në cilindo drejtim të mësipërm nga Ministri i Punëve të Brendshme apo Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, në rastet e mospërmbushjen thelbësore të funksioneve apo moskryerjes thelbësore të detyrave në drejtime të caktuara nga strukturat vartëse dhe llogaridhënëse të tyre, që ka dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, janë elemente që, sipas nenit 248 të Kodit Penal përbëjnë veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Në rastin konkret kjo vepër rezulton të ketë krijuar edhe përfitime materiale dhe jo materiale për të pandehurin dhe për të tretët që janë begatuar nga veprimtaria kriminale e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
  11. Figura e krimit të shpërdorimit të detyrës, sipas nenit 248 të Kodit Penal, në vlerësimin e Gjykatës, përmban jo vetëm shkeljen e ligjit apo aktit nënligjor nga personi që ushtron funksione publike, por edhe elemente të tjerë që janë dashja, pasoja e caktuar dhe lidhja shkakësore, të cilat duhet që të ekzistojnë kumulativisht dhe njëkohësisht së bashku në veprimet apo mosveprimet e kryera gjatë apo në sajë të ushtrimit të funksionit publik. Kjo vepër penale përfshin të gjithë personat që ushtrojnë funksione publike dhe nuk bën asnjë dallim në pikëpamje të mënyrës së caktimit në funksionin publik apo të natyrës së detyrave dhe përgjegjësive të tyre ligjore. Kushti i vetëm është që në veprimet ose mosveprimet e personit që ushtron funksione publike të verifikohen elementet objektivë dhe subjektivë të figurës së kësaj vepre penale.
  12. Në këtë kuptim Gjykata vlerëson se pretendimet e të pandehurit se figura shtetërore e ministrit nuk mundet të mbajë përgjegjësi penale për këtë vepër penale, pasi është funksion politik është i pabazuar në ligj. Gjykata vlerëson se subjekti i posaçëm i kësaj vepre penale është cilido subjekt i ngarkuar me një detyrë shtetërore, abuzimi latent në ushtrimin e së cilës, qoftë përmes veprimesh të paligjshme apo mosveprimesh të paligjshme, perfeksionon faktin tipik penal të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.
  13. Në vlerësimin e Gjykatës është e rëndësishme që të provohen nëse veprimet apo mosveprimet e të pandehurve janë ndërmarrë ose nuk janë kryer gjatë kohës që kanë qenë në ushtrim të funksionit, pra të vërtetohet lidhja e tyre me detyrën publike, në funksion të zbatimit të nenit 13 të Kodit Penal. Në çdo rast kjo detyrë e pazbatuar apo e keqzbatuar në mënyrë latente përgjatë kohëkalimit të faktit penal historik do të duhet të individualizohet nga ana e organit të akuzës dhe se rezultati i pasojave të rënda të krijuara duhet që të ketë detyrimisht lidhje të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë shkakësore me to.
  14. Kjo do të thotë se duhet të provohet se nga veprimet ose mosveprimet e subjekteve të posaçme apo funksionarëve publikë të akuzuar në këtë çështje do të duhet të vijnë pasojat e rënda që ligji parashikon apo të ketë kontribuar që ajo të vijë me veprimin edhe të faktorëve të tjerë humanë që nuk ushtrojnë detyra publike, konkretisht sigurimi i përfitimeve materiale ose jomateriale për vete apo persona të tjerë ose dëmtimi i interesave të ligjshme të shtetit apo shtetasve.
  15. Gjykata sjell në vëmendje se, megjithëse në këtë çështje, për të gjitha arsyet e sjella në vëmendje më lart, nuk u provua përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, që marrëdhëniet mes të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj të kenë qenë në nivelin e bashkëpunimit për kryerjen e trafikimit të narkotikëve, Gjykata ka konkluduar më lart se ka pasur ndërmjet tyre marrëdhënie të vazhdueshme ndërpersonale dhe situata të pashpjegueshme plotësisht nisur nga funksioni publik i rëndësishëm i Ministrit të Punëve të Brendshme, që ka mbajtur i pandehuri z. Saimir Tahiri në periudhën përkatëse të faktit penal historik. Këto marrëdhënie ndërpersonale të provuara në gjykim, edhe pse jo në kuadër të bashkëpunimit të posaçëm penal, nuk gjejnë argumentime dhe shpjegime të arsyeshme dhe njëkohësisht dalin tej kuadrit të marrëdhënieve të farefisnisë së largët që ka pohuar vetë i pandehuri.
  16. Në deklarimet e tij i pandehuri ka mohuar njohjen me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, ndërkohë që nga provat e analizuara më lart rezulton e kundërta dhe për më tepër në mënyrë të përsëritur dhe e shtrirë në kohë. Rezulton se i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj është angazhuar drejtpërdrejt vetë në dërgimin e mjetit lundrues në përdorim të të pandehurit z. Saimir Tahiri, atëbotë Ministri i Punëve të Brendshme, duke përdorur emrin dhe kredencialet e tij para Kapitenerisë Vlorë; duke paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme me qëllimin që mjeti të dërgohej për riparim; duke udhëtuar në Itali vajtje dhe ardhje vetëm për këtë qëllim, duke u kujdesur edhe në Brindisi, në kantierin e riparimit për mjetin; duke paguar shpenzimet e tre netëve qëndrim në hotelin në Brindisi, edhe për mekanikët e porositur prej zotëruesit të mjetit për t’u kujdesur për riparimin dhe duke u kthyer nga Italia me shpenzimet e tij.
  17. Gjykata gjithashtu risjell në vëmendje se bashkëshortja e të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe vetë ai në disa raste të udhëtimit jashtë shtetit kanë pranuar shërbimet e z. Artan Habilaj, vëllai i të pandehurve në procedimet penale të lidhura dhe për të cilin rezulton e provuar se ka dijeni që prej vitit 2013 mbi aktivitetin e grupit të strukturuar kriminal. Ai ka ofruar dy herë shërbimet, automjetin, kohën dhe shpenzimet e tij në vitin 2014 kundrejt familjes dhe vetë të pandehurit z. Saimir Tahiri, duke u kujdesur, njëlloj sikurse vëllai i tij z. Moisi Habilaj, edhe ai për riparimin e mjetit lundrues “Auras”. Gjithashtu rezulton se i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj ka blerë në dhjetorin e vitit 2013 bizhuteri të çmuara për t’ia bërë dhuratë personave të afërt të të pandehurit, fakt që, pavarësisht se nuk provohet se janë pranuar, tregon se ai ndjente një detyrim apo mirënjohje jo të zakonshme dhe tej shpjegimeve të lidhjes së largët familjare që ato objektivisht kanë.
  18. Gjykata sjell në vëmendje se gjurmët e lidhjeve ndërpersonale ndërmjet tyre provohet edhe nga dëshmia indirekte e znj. Brunilda Alikaj. Gjithashtu këto gjurmë të shpërndara në kohë mbështeten edhe nga marrëdhënia e afërt ndërmjet të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj me atin e të pandehurit z. Saimir Tahiri, të cilët udhëtojnë me të njëjtën linjë avioni për në Itali, kthehen në Shqipëri me të njëjtën linjë fluturimi dhe se ditën e kthimit ndodhen në të njëjtën dhomë hoteli, duke folur në kontekstin e një marrëdhënie të afërt të tre së bashku bashkë edhe me ungjin e të pandehurit, udhëtim i cili rezulton të ketë qenë edhe bashkëshortja e tij.
  19. Nga ana tjetër Gjykata risjell në vëmendje se shitja e automjetit, e shoqëruar me pak më shumë se dy vite pasivitet të pashpjegueshëm arsyeshëm të mos ndryshimit të lejes së qarkullimit mbi titullaritetin formal të pronësisë së makinës personale të Ministrit të Punëve të Brendshme, në kushtet kur ai me ndërgjegje ka lejuar përdorimin e këtij fakti simbolikisht bashkë me faktin e njohur publikisht të lidhjeve gjinore ndërmjet tij dhe vëllezërve Habilaj, në kushtet kur grupi i strukturuar ishte në kulmin e suksesit të veprimtarisë kriminale të lëndëve narkotike, tregon se i pandehuri z. Saimir Tahiri nuk është kujdesur, me ndërgjegjen dhe kujdesin e detyrueshëm sipas standardeve ligjore, të ushtrojë detyrën e tij dhe të mos lejojë të tretët të përdorin pushtetin e tij në mënyrë abuzive për t’u imponuar tek të tretët subjekte privatë apo shtetërorë në funksion të ushtrimit të veprimtarisë kriminale. Të gjitha këto sjellje të të pandehurit në detyrë nga ana tjetër kanë ndikuar në krijimin e situatës së vërtetuar më lart në Qarkun e Vlorës, pjesën tokësore për sa i përket kultivimit dhe pjesën e hapësirës detare, qoftë lidhur me kultivimin e lëndës narkotike dhe më tej edhe me trafikimin e saj.
  20. Gjykata vlerëson se në mënyrë të përsëritur i pandehuri z. Saimir Tahiri ka lejuar me ndërgjegje që të merret dijeni nga të tretët mbi marrëdhëniet ndërpersonale të tyre, në kushtet kur lidhja gjinore rezulton e njohur publikisht, qoftë edhe nga fakti i ekspozimit të familjarëve më të afërt të të pandehurit në këto lëvizje ku në mënyrë direkte ose indirekte tek të tretët bëhej lidhja dhe merrej kumti i një pozite të favorizuar të vëllezërve Habilaj në Qarkun e Vlorës, pavarësisht çfarë veprimtarie ato kryenin. Gjykata sjell në vëmendje se ndërkohë pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal janë inkurajuar nga këto lidhje dhe marrëdhënie ndërpersonale e vëllezërve Habilaj me Ministrin e Punëve të Brendshëm atëbotë dhe se vetë kreu i grupit të strukturuar kriminal prezantohej para bashkëpunëtorëve italian pikërisht me këto kredenciale të mbrojtjes së posaçme që merrte nga lidhja me një person të fuqishëm dhe me pushtet në Shqipëri.
  21. Gjykata sjell në vëmendje se numri telefonik i shtetasit z. Evi Robo, Drejtor i Drejtorisë së Inspektimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, person mjaft i afërt me të pandehurin z. Saimir Tahiri dhe funksionar i lartë, ka komunikime telefonike të shumta me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, pjesa dërrmuese e tyre vetëm me mesazhe sms (4 thirrje dhe 226 sms). Nga ana tjetër konstatohet se vetë i pandehuri z. Saimir Tahiri ka komunikime me shumë numra telefonikë me të cilët komunikojnë edhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj, deri edhe z. Armand Koçcrri dhe z. Nezar Seiti, dhe niveli i lartë i këtyre përputhshmërive, vlerësuar nga pozicioni i Ministrit të Punëve të Brendshme, ngre dyshime lidhur me mënyrën se si ky funksionar i lartë shtetëror, niveli më i lartë ekzekutiv në këtë fushë veprimtarie të qeverisjes, e ushtron detyrën e tij publike.
  22. Në të kundërt me sa më sipër, Gjykata vlerëson se funksioni i rëndësishëm publik i Ministrit të Punëve të Brendshme, por edhe i një drejtuesi të lartë të Policisë së Shtetit sikurse ka qenë i pandehuri z. Jaeld Çela, kërkon manifestimin dhe ruajtjen e standardeve më të larta në shmangien e konflikteve të mundshme të interesit dhe në shmangien e kontakteve, qoftë edhe indirekte, me persona të përfshirë në krimin e organizuar, pikërisht të asaj veprimtarie kriminale parandalimi dhe luftimi i së cilës është një nga fushat kryesore të veprimtarisë së tij/tyre.
  23. Gjykata sjell në vëmendje se rrethanat e faktit historik penal rëndohen akoma më shumë pas bërjes publike në media të intervistës së ish oficerit të policisë, z. Dritan Zagani, konkretisht me datë 03.09.2015, intervistë në të cilën u bë fakt i njohur botërisht në Shqipëri dijenia e ish punonjësit të policisë mbi fuqizimin e vëllezërve Habilaj në aktivitetin e trafikimit të lëndëve narkotike në vitin 2013, lidhja gjinore e tyre me Ministrin e Punëve të Brendshme dhe fakti se ato përdornin në Vlorë automjetin personal të Ministrit me leje qarkullimi të pandryshuar që pas shitjes së realizuar me datë 05.11.2013. Nuk ka asnjë provë që të tregojë se nga kjo akuzë e rëndë publike, moment kur mundet t’i kundrejtohet arsyeshëm keqbesimi të pandehurit z. Saimir Tahiri mbi mënyrën e ushtrimit të detyrave të sjella në vëmendje më lart në këtë vendim, ai në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme, njëlloj sikurse ka vepruar në tetorin dhe në dhjetorin e vitit 2013 në rastin e dyshimeve të përftuara në rrugë operative mbi përfshirjen në aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike të z. Arben Dalipi, të ketë iniciuar kërkesa drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm për vënien në përgjim parandalues të pjesëtarëve të identifikuar nga z. Dritan Zagani të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe të lidhur me lëndët narkotike në Qarkun e Vlorës. Një akuzë e tillë publike, në kushtet kur pas 1 viti e gjysmë akoma nuk janë shqetësuar prej strukturave shtetërore grupi i strukturuar kriminal Haxhiraj dhe Habilaj në Qarkun e Vlorës, tregon në mënyrë të padyshimtë se detyra e Ministrit Punëve të Brendshme është ushtruar në kundërshtim me detyrimet e parashikuara nga ligji dhe që konturojnë autoritetin shtetëror të kësaj figure më të lartë kushtetuese të pushtetit ekzekutiv në fushën e veprimtarisë së tij shtetërore.
  24. Nga aktet e fashikullit të gjykimit u provua se qëllimi i vërtetë i vëllezërve Habilaj në investimin e bërë me datë 05.11.2013 ka qenë pikërisht blerja dhe mbajtja e automjetit personal të Ministrit të Brendshëm për ta përdorur si kredencial dhe si simbol për të impresionuar të tretët në realizimin e qëllimeve dhe veprimtarisë së tyre. Nga ana tjetër, i pandehuri, megjithëse se rezulton se e ka ditur se çfarë përfaqësonin kushërinjtë e tij në Vlorë, me ndërgjegje ka lejuar që një gjë e tillë të ndodhë, duke marrë masat që duhet të merrte më përpara, sipas standardeve dhe detyrimeve të qarta të Ligjit nr. 9367/2005 të ndryshuar, vetëm pasi u bë publike në media intervista denoncim e ish-oficerit të policisë gjyqësore z. Dritan Zagani.
  25. Gjykata i vlerëson të pajustifikueshme dhe të pabazuara në ligj pretendimet e të pandehurit mbi shpërndarjen e përgjegjësisë ligjore të tij nëpër hallkat e njësive administrative të aparatit burokratik të Ministrisë së Punëve të Brendshme si person juridik, për të humbur sakaq përgjegjësia e tij për detyrën më të rëndësishme ekzekutive në fushën të cilën ka mbuluar autoriteti shtetëror i besuar atij. Sigurisht që titullari i një institucioni, aq më tepër të një strukture të përmasave të tilla institucionale kushtetuese dhe ligjore qendrore, nuk mundet të jetë dhe të bëhet sipas ligjit përgjegjës për çdo gjë që nuk shkon mirë në mbarëvajtjen e punëve administrative në institucionin qendror mëmë, institucionet qendrore të varësisë dhe institucionet lokale të varësisë.
  26. Megjithatë në kontekstin e rrethanave konkrete të çështjes, Gjykata konstaton se, megjithëse provohet dijenia e të pandehurit për çka përfaqësonin në Qarkun e Vlorës vëllezërit Habilaj, megjithëse provohet dijenia e tij prej raportimeve të Guardia di Finanza për situatën e kultivimit të lëndëve narkotike në Qarkun e Vlorës, sërish nuk ka pasur iniciativa ligjore ekzekutive dhe urdhërdhënëse për të ushtruar të gjitha kompetencat sikurse u identifikuan më lart këtij vendimi, qoftë për raportime për situatën faktike të rendit dhe ruajtjes së kufijve në përgjithësi dhe qoftë për çështjet të caktuara në veçanti, qoftë për të kërkuar marrjen e masave ndaj titullarëve qendrorë dhe lokalë të policisë mbi situatën e veçantë dhe me të tilla përmasa që ishte krijuar në Qarkun e Vlorës apo qoftë duke ushtruar të kompetencën e parashikuar nga neni 8 i Ligjit nr. 9157/2003 të ndryshuar atëbotë për të mundësuar zbulimin e grupeve të strukturuara kriminale që vepronin në këtë vend.
  27. Ligji e bën përgjegjës çdo funksionar të tillë ekzekutiv për të ushtruar detyrën sipas të gjitha kompetencave që legjislacioni përkatës parashikon, me integritet të lartë dhe me mirëbesim. Nuk duhet të kuptohet si një e drejtë ushtrimi i kompetencave ligjore të cilat i atribuohen një autoriteti shtetëror dhe se për rrjedhojë diskrecioni që ky autoritet ka është i gjërë dhe se është i pamatshëm apo i pakontrollueshëm. Përkundrazi, kompetencat ligjore që i jepen një autoriteti të tillë duhet të konceptohen detyra publike dhe si të tilla nuk mundet të mos ushtrohen kur duhet dhe si duhet. Mosushtrimi i tyre passjell sipas rastit dhe rrethanave konkrete përgjegjësi administrative, civile apo edhe penale.
  28. Në rastin e të pandehurit z. Saimir Tahiri, jo vetëm që nuk janë ushtruar kompetencat ligjore me diligjencën e duhur, por janë lejuar me ndërgjegje që vëllezërit Habilaj të përdorin si kredenciale për të impresionuar të tretët persona privatë dhe funksionarë shtetërorë pikërisht lidhet ndërpersonale që ndërkohë Ministri i Punëve të Brendshme ka zhvilluar me to. Për më tepër rezulton se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka lejuar që z. Artan Habilaj dhe i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj të japin shërbimet e tyre disa herë dhe ka lejuar që të merren prej tyre përfitime materiale dhe jomateriale sikurse më lart u identifikuan. Këto sjellje në ushtrimin e detyrës përbëjnë mosveprime të rregullta të detyrës kushtetuese dhe ligjore që titullari më i lartë i pushtetit ekzekutiv të kësaj fushe të veprimtarisë shtetërore ka sipas të gjitha parashikimeve ligjore të sjella në vëmendje më lart dhe në mënyrë të posaçme sipas nenit 23 të Ligjit nr. 9367/2005, dispozitë e cila ndër të tjera parashikon se është e ndaluar që një zyrtar të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen për shkak të pozicionit të tij, nga një individ, person fizik ose juridik privat.
  29. Ndryshe nga konkluzioni i gjykatës së shkallës së parë, Gjykata arrin në përfundimin se provat e fashikullit të gjykimit provojnë se i pandehuri, prej mënyrës abuzive se si e ka ushtruar detyrën përgjatë kohës objekt shtrirje të faktit penal historik në akuzën objekt gjykimi ka lejuar me ndërgjegje të marrë edhe përfitime të padrejta për shkak të detyrës që ka pasur atëbotë dhe që nuk e ka ushtruar në mënyrë të rregullt, sikurse më lart u analizua. Për më tepër, po për këtë mënyrë të ushtrimit të detyrës përgjatë kohës së faktit penal historik, provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm, nga provat e përftuara prej autoriteteve italiane dhe ato shqiptare se përfitime të padrejta kanë realizuar në sasi të mëdha edhe të tretët, konkretisht anëtarët e grupit të strukturuar kriminal Haxhiraj dhe Habilaj, të cilët kanë përfituar ka kjo veprimtari kriminale e ushtruar shuma të mëdha parash, duke përfshirë këtu edhe përfitimet e padrejta të dokumentuara të subjekteve bashkëpunëtorë të brendshëm dhe të jashtëm të këtyre formacioneve kriminale të organizuara.
  30. Një situatë e ngjashme por jo e njëjtë paraqitet edhe për të pandehurin z. Jaeld Çela, duke pasur parasysh për aq sa ka qenë e mundur që të provojnë provat dhe indicjet e përputhshme rrethanat e posaçme të tij në këtë fakt penal historik objekt akuze. I pandehuri u provua të ketë pasur kontakte të drejtpërdrejta me të pandehurin në procedim të lidhur z. Florian Habilaj dhe njëkohësisht është pjesë e të njëjtit rrjet të mësipërm komunikimesh me të pandehurin z. Saimir Tahiri dhe me numrat telefonikë me të cilët komunikojnë edhe të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe z. Florian Habilaj, të cilat për nga numri i lartë i këtyre përputhjeve, vlerësuar nga pozicioni i tij, si Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ngrenë dyshime mbi mënyrën e ushtrimit të detyrave shtetërore. Gjykata i mban parasysh këto të dhëna, lidhur me vlerësimin e ushtrimit të detyrave publike të të pandehurit z. Jaeld Çela, edhe nën dritën e fakteve se ka rezultuar e provuar se, disa ndër vartësit e tij të drejtpërdrejtë, si Shefi i Seksionit të Trafiqeve të Lëndëve Narkotike, konkretisht i pandehuri z. Gjergji Kohila, rezulton se ka qenë bashkëpunëtor i brendshëm dhe latent i grupit të strukturuar kriminal Haxhiraj dhe se ka lidhje edhe me pjesëtarë të grupit të grupit të strukturuar kriminal Habilaj.
  31. Nga ana tjetër e njëjta situatë paraqitet edhe me z. Renato Avduli, punonjës policie vendore në Vorë atëbotë. Gjithashtu Gjykata sjell në vëmendje se i pandehuri, në cilësinë e titullarit të institucionit kryesor policor të Qarkut Vlorë, ka pasur detyrimin ligjor të bashkëpunojë së afërmi me Shefin e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi, konkretisht të pandehurin në procedim të lidhur z. Sokol Bode. Jo vetëm që nuk rezulton të ketë pasur bashkëpunim institucional ndërmjet tyre por prokuroria ka akuzuar secilin prej tyre si pjesëtarë dhe bashkëpunëtorë të posaçëm të grupit të strukturuar kriminal Habilaj dhe Haxhiraj. Nga aktet e fashikullit të gjykimit rezulton se i pandehuri në procedim të lidhur z. Sokol Bode është bashkëpunëtor i brendshëm në kohë dhe në hapësirë me secilin prej grupeve kriminale të identifikuara.
  32. Gjykata në rastin më të mirë vlerëson se Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë nuk ka ushtruar të gjitha kompetencat e tij ligjore dhe nënligjore me dashje dhe se në rastin më të keq ka dyshime të arsyeshme që të konkludohet se akuza e prokurorisë në këto rrethana mundet të pasqyrojë të vërtetën natyrale të mënyrës se si ka ndodhur fakti historik. Por, nga gjithçka u arsyetua më lart, rezulton se Gjykata nuk konkludon tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ka ekzistuar ndërkohë në këtë fakt penal objekt akuze marrëveshje kriminale dhe se Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë është pjesëtar i grupit të strukturuar kriminal Habilaj apo Haxhiraj. Në këto kushte Gjykata vlerëson se mosushtrimi i kompetencave ligjore nga ana e të pandehurit përgjatë kohëzgjatjes së detyrës së tij, që korrespondon edhe me një pjesë të faktit historik objekt akuze, përbën veprën penale të shpërdorimit të detyrës, sipas nenit 248 të Kodit Penal, dhe se për rrjedhojë konkluzioni i gjykatës së shkallës së parë për këtë pjesë është i drejtë dhe se duhet të lihet në fuqi.
  33. Gjykata vlerëson se pretendimi i të pandehurit mbi statistikat e punës së Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë në vitin 2016, për të konkluduar sakaq se sa ka arritur të zbulojë dhe të asgjësojë nga parcelat e kultivuara me lëndë narkotike, nuk mundet të tregojë se detyrat ligjore dhe kompetencat e sjella në vëmendje më lart në vendim të këtij funksioni shtetëror të jenë ushtruar me diligjencën policore sikurse e kërkojnë standardet e ligjit. Gjykata sjell në vëmendje se nga analiza e të gjithë dosjes burokratike e veprimeve policore dhe administrative të kryera nga i pandehuri, në cilësinë e titullarit të policisë vendore me Stacionin e Policisë Selenicë, është konstatuar  se institucioni që ai drejton vetëm ka përcjellë informacione operative të ardhura nga institucionet e tjera dhe se nuk ka pasur veprime policore të ndërmarra kryesisht. Edhe në këto veprime prej përcjellësi të postës së informacioneve operative të marra drejtë njësisë bazë të policisë vendore vihen re vonesa të pashpjegueshme në dërgimin e informacionit dhe mos ndjekje e detyrave të lëna për disa nga praktikat. Këto vonesa rezultojnë të përsëritura dhe nuk janë shpjeguar arsyeshëm gjatë gjykimit.
  34. Gjykata, sikurse solli në vëmendje më lart rëndësinë që ka në këtë çështje data 03.09.2015, konkretisht mediatizimi dhe bërja publike e denoncimit të një ish oficeri policie gjyqësore mbi aktivitetin kriminal të organizuar në Qarkun e Vlorës nga vëllezërit Habilaj, vlerëson se edhe për të pandehurin z. Jaeld Çela rëndon i njëjti konkluzion mbi keqbesimin e mosveprimit kryesisht policor për të identifikuar pjesëtarët e këtij grupi dhe për të kryer të gjitha veprimet me iniciativë dhe kryesisht për gjurmimin, evidentimin e parcelave ku ato kultivojnë lëndën narkotike, evidentimin e lidhjeve që ato kanë, qoftë ndër persona privatë dhe funksionarë shtetëror, kryerjen e veprimeve proaktive për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të tyre apo së paku verifikimin e informacionit mediatik nëse është i vërtetë apo jo.
  35. Nga aktet e dosjes gjyqësore rezulton se për herë parë aktiviteti kriminal i ushtruar nga vëllezërit Habilaj në Qarkun e Vlorës vjen përmes një shkrese të ardhur nga Shërbimi Informativ Shtetëror Vlorë në muajin maj të vitit 2016. Pavarësisht dijenisë së denoncimit publik, që nga data 03.09.2015, dhe pavarësisht dijenisë zyrtare të informacionit operativ që në muajin maj të vitit 2016, rezulton se grupi i strukturuar kriminal Habilaj ka vepruar i pashqetësuar nga forcat e policisë vendore dhe organet ligjzbatuese të ndjekjes penale deri një ditë pas largimit nga detyra të Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, konkretisht të pandehurit z. Jaeld Çela me datë 29.04.2017, ditë në të cilën është bërë referimi penal në Prokurorinë për Krime të Rënda nga ana e po kësaj drejtorie por nga titullari pasues i të pandehurit. 
  36. Në vlerësimin e Gjykatës mbrojtja e të pandehurit në këtë rast nuk është e arsyeshme, sipas standardit të parashikuar nga neni 30 i Kushtetutës, nenit 6 të KEDNJ dhe nenit 4 të Kodit të Procedurës Penale. Ai ka shpjeguar në seancë gjyqësore se referimi penal ka qenë gati që me datë 28.04.2017 dhe se e ka pasur të pamundur të veprojë administrativisht se pse është larguar nga detyra. Kjo mënyrë e të arsyetuarit është tërësisht e paarsyeshme, në kushtet kur sillet në vëmendje pozita e tij shtetërore, funksionet dhe kompetencat, organet dhe numrin e funksionarëve shtetërorë vartës të tij dhe faktin se nga data 03.09.2015 dhe më tej nga data 25.05.2016 nuk ka pasur asnjë iniciativë policore të ndërmarrë kryesisht për zbulimin, gjurmimin, individualizimin dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale të grupit të strukturuar kriminal Habilaj.
  37. Gjykata sjell në vëmendje se lidhjet me të pandehurin z. Saimir Tahiri nuk ishin të panjohura për anëtarët e grupit kriminal të të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe për mjaft punonjës të policisë së shtetit në Vlorë, pasi ishin prezantuar nga vetë z. Moisi Habilaj dhe konfirmoheshin edhe nga kontaktet direkte ose indirekte me të dy të pandehurit. Lidhje të tilla me Ministrin e Brendshëm, por edhe me drejtorin e policisë vendore, në vlerësimin e Gjykatës ndikojnë në përforcimin e anës subjektive te anëtarët e grupit kriminal për të vijuar me aktivitetet kriminale, konkretisht në vendosmërinë e tyre për të kryer veprat penale dhe në pritshmëritë se rreziku i zbulimit dhe i ndëshkimit është më i vogël, njëkohësisht krijojnë premisa më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e punonjësve të tjerë të policisë e shtetit. si dhe stepin punonjës të tjerë të policisë për të kryer siç duhet detyrat e tyre ligjore, me pasojë të drejtpërdrejtë vështirësi dhe pengesa shtesë në drejtim të parandalimit. zbulimit dhe luftimit të këtyre aktiviteteve kriminale.
  38. Nga provat e administruara vërtetohet se në të njëjtën periudhë me mbajtjen nga i pandehuri z. Saimir Tahiri, në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme, të lidhjeve të sipërcituara me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, drejtues i organizimit kriminal që kishte për qëllim trafikimin e narkotikëve, dhe vëllait të tij z. Artan Habilaj, ndërkohë janë ekzekutuar nga ana e të pandehurit z. Moisi Habilaj në kuadër të grupit të strukturuar kriminal disa raste trafikimi të lëndës narkotike nga Shqipëria drejt Italisë, të dokumentuara këto me sekuestrimin e sasive konkrete në datat 25.10.2013, 27.02.2014, 29.07.2014 dhe 08.05.2015, e në rastin e peshkarexhës “Fatima” (kapur në Itali më datë 08.05.2015) bashkëpunimi i punonjësve të caktuar të policisë, pa përjashtuar edhe persona të tjerë të mundshëm me funksione publike, ka qenë në një shkallë të lartë përfshirje dhe koordinimi.
  39. Nga aktet rezulton se ka pasur edhe episode të tjera trafikimi por që nuk ka qenë e mundur të identifikohen apo të zbulohen, pasi del e qartë dhe tej çdo dyshimi të arsyeshëm nga përgjimet e grupit. Në vlerësimin e Gjykatës, në mënyrë të padyshimtë, kërkon një shkallë të lartë organizimi të vetë grupit kriminal, infiltrim të lartë të tij në strukturat e policisë dhe strukturave të tjera shtetërore dhe lejimin e kësaj situate nga nivelet drejtuese të policisë nëpërmjet veprimeve apo mosveprimeve nga më të ndryshmet, të kryera me dashje.
  40. Aktiviteti i trafikimit të lëndëve narkotike përgjatë kohës nëpër të cilën shtrihet fakti penal historik është shoqëruar nga një shkallë shumë e lartë e përhapjes së kultivimit të bimëve narkotike “cannabis sativa”, veçanërisht në Qarkun e Vlorës. Në vitin 2016, në të cilën i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe grupi i tij vazhdonin të ishin aktivë në aktivitetin e tyre të trafikimit të narkotikëve, sikurse dokumentohet nga aktet e hetimit penal të autoriteteve italiane dhe më pas edhe nga sekuestrimi i sasisë prej afro 4 ton “cannabis sativa” në banesën e shtetasit z. Arrnand Koçerri në Babicë të Vogël, është dokumentuar se kultivimi i bimëve narkotike në rrethin e Vlorës ishte kthyer në një aktivitet kriminal masiv. Në këtë kuptim duhet të sillet në vëmendje se pjesa dërrmuese e informacioneve për kultivimin e bimëve narkotike, që Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë i a ka përcjellë për verifikim Stacionit të Policisë Selenicë, ka ardhur nga Shërbimi Informativ Shtetëror Vlorë apo nga Drejtoria e Sigurisë Publike, përfshirë këtu informacionet mbi parcelat e kultivuara me lëndë narkotike të dy grupeve të strukturuara kriminale që u provuan se ekzistonin gjatë kësaj kohe në Vlorë, konkretisht Haxhiraj dhe Habilaj.
  41. Gjykata sjell në vëmendje se veprimet e policisë vendore Vlorë për asgjësimin e bimëve narkotike “cannabis sativa” kanë filluar vetëm pas dërgimit të raporteve të monitorimit nga fluturimet ajrore të Guardia Di Finanza, përveç rasteve të shkëputura të asgjësimeve të mëparshme. Sigurisht që ka pasur raste të veprimit me iniciativë nga ana e policisë vendore Vlorë në këtë drejtim. Por duhet të kuptohet se ky procedim penal nuk po zhvillohet për të konkluduar se çfarë kanë bërë mirë me zbatimin e ligjit të pandehurit, pasi këto veprime apo mosveprime të tyre nuk mundet të ketë asnjë shkak për hetim penal dhe ngritjen e akuzës në gjyq. Ky procedim penal ka nisur për veprimet dhe mosveprimet e paligjshme dhe sistematike të shtrira në kohën e faktit penal historik, për të cilat akuza mban qëndrimin se përbëjnë fakte penale që pasjellin aktivizimin e përgjegjësisë penale sipas nenit 333/a dhe 283/a të Kodit Penal dhe për të cilat gjykatat e dy shkallëve të gjykimit në fakt dhe në ligj kanë konkluduar se fakti tipik penal i provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se është konsumuar është vepra penale e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
  42. Gjykata sjell në vëmendje se në përgjimet telefonike të personave që ushtronin këtë veprimtari është përmendur se asgjësimet shpesh kanë qenë selektive dhe bimët narkotike të prera shpesh liheshin të padjegura, gjë që u mundësonte kultivuesve të tyre që t'i merrnin pas largimit të policisë. Të vlerësuara në tërësi në rastin objekt gjykimi, Gjykata vlerëson se më së paku kjo mënyrë e funksionimit të policisë vendore tregon moskryerjen e detyrave ligjore nga ana e një numri punonjësish dhe drejtuesish të policisë së shtetit e më tej. Në kushtet kur ngrihen dyshime, por nuk arrihet të kalohet ky nivel që të provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se këta funksionarë publikë kanë bashkëpunuar si bashkëpunëtorë të brendshëm me të dy apo me një nga dy grupet e strukturuara kriminale që kanë vepruar atëbotë në Qarkun e Vlorës, me qëllim të përbashkët kryerjen e aktivitetit kriminal të trafikimit të narkotikëve, mbajtja e marrëdhënieve dhe kontakteve të qëndrueshme e të pashpjegueshme me drejtuesit apo me anëtarët kryesorë të organizimit kriminal të angazhuar direkt ose indirekt në këtë veprimtari kriminale tregon elementin subjektiv të dashjes (qoftë edhe indirekte) në mosveprimet në kuadër të detyrës së këtyre personave me funksione publike.
  43. Duke qenë se në këtë gjykim, u konkludua ndryshe nga sa ka konkuduar gjykata e shkallës së parë lidhur me identitetin juridik të veprës penale të kryer nga ana e të pandehurit z. Saimir Tahiri, konkretisht lidhur me vërtetimin e pranimit prej tij të përfitimeve të padrejta materiale apo jomateriale dhe me marrjen e të tretëve të përfitimeve të padrejta materiale krahas cenimit të interesave shtetërorë dhe publik, Gjykata vlerëson të nevojshme të ndalet në konkluzionin se pse në rastin konkret elementi juridik cilësues i faktit tipik penal nuk duhet të aktivizojë fushëveprimin e nenit 259 të Kodit Penal por duhet të aktivizojë, sikurse gjykata e shkallës së parë ka bërë, fushëzbatimin e nenit 248 të Kodit Penal.
  44. Gjykata sjell në vëmendje se janë pikërisht këto dy dispozita të posaçme veprash penale të ndryshme, konkretisht në elementin objektiv të përfitimeve të padrejta materiale apo jomateriale, që i japin kuptim nenit 44 të Ligjit nr. 9367/2005, në pjesën që parashikon në mënyrë alternative përgjegjësinë penale apo administrative të subjektit zyrtar, që ndër të tjera përfiton të mira materiale apo jomateriale në kundërshtim me ligjin dhe për shkak të detyrës. Kjo do të thotë se kur këto përfitime të padrejta janë elemente objektive të fakteve tipike penale, sipas hipotezave ligjore të pjesës së posaçme të Kodit Penal, shteron zbatimi i nenit 44 të Ligjit nr. 44/9367/2005 (i ndryshuar), në pjesën ku normon përgjegjësinë administrative të zyrtarit publik, dhe fushëzbatim sakaq gjen norma e posaçme penale që parashikon veprën penale konkrete të konsumuar sipas faktit penal historik përkatës.
  45. Gjykata sjell në vëmendje se Neni 248 i Kodit Penal, nën titullin “Shpërdorimi i detyrës”, parashikon se: “Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.
  46. Ndërkohë Neni 259, nën titullin “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikon se: “Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt ose i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga personi që ushtron funksione publike, për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.
  47. Të dy këto vepra penale lidhen ngushtësisht me abuzimet e detyrës shtetërore. Vepra penale e përgjithshme, e parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal, me karakter mbetës, përfshin çdo abuzim të rregullt me detyrën publike, që cenon interesat e shtetit apo kanë sjellë për abuzuesin apo për të tjerë përfitime të materiale apo jomateriale të padrejta. Nga ana tjetër vepra penale e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike përfshin në mënyrë të posaçme moskryerjen e një apo disa detyrave të caktuara nën kushtet e kërkimit, marrjes, drejtpërdrejt ose tërthorazi, të çdo lloj përfitimi të parregullt apo një premtimi të tillë, për vete apo për persona të tjerë, apo pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt.
  48. Edhe në këtë rast ligji penal material në pjesën e posaçme nuk ka parashikuar specifikim për sa i përket natyrës së përfitimit të paligjshëm. Për rrjedhojë Gjykata konkludon se, në funksion të përcaktimit të fushës së zbatimit të nenit 259 të Kodit Penal, duhet të konkludohet se përfitimet e paligjshme, oferta apo pranimi i tyre mundet të jetë materiale apo jomateriale.
  49. Ndryshe nga kjo vepër penale e posaçme, e cila konsiderohet e perfeksionuar edhe kur teorikisht ka mbetur në fazën e tentativës, përfitimet materiale apo jomateriale në rastin e veprës penale të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal, me qëllim që të konsiderohet e perfeksionuar vepra penale duhet të jenë përvetësuar nga autori apo të tretët destinatar. Kjo do të thotë se, nëse përfitimet e padrejta materiale apo jomateriale nuk janë përfituar por provohet se do të përfitoheshin dhe se nuk janë përfituar për shkaqe të pavarura nga vullneti i autorit apo i të tretëve (shih nenin 22 të Kodit Penal), atëherë vepra penale e parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal konsiderohet e mbetur në tentativë. Në këtë mënyrë konstatohet se vepra e posaçme e korrupsionit ligjërisht ka të përjashtuar fazën e tentativës, ndryshe nga sa ndodh ligjërisht me veprën penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
  50. Në rastin objekt gjykimi, sikurse u konkludua më lart këtij vendimi, Gjykata ka arritur në përfundimin se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka përvetësuar përfitime materiale të padrejta, konkretisht shumën 145 Euro, dhe përfitime jomateriale të padrejta, konkretisht shërbimet e z. Artan Habilaj në dy raste në Shqipëri dhe në Greqi dhe shërbimet e z. Moisi Habilaj në Shqipëri dhe Itali dhe gjithashtu edhe vënien në dispozicion tre herë të automjetit Audi A8 me targa AA 003 GB nga z. Artan Habilaj. U provua tej çdo dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri këto përfitime i ka pranuar dhe se i janë ofruesit nga ofruesit për shkak të detyrës dhe për shkaqet e qëllimeve kriminale që ofruesit kishin në kuadër të veprimtarisë së grupit kriminal Habilaj.
  51. Në këto kushte duhet të konkludohet nga ana e Gjykatës nëse këto përfitime të padrejta futen në fushën e zbatimit të nenit 248 apo 259 të Kodit Penal, në mënyrë që të konkludohet më tej edhe lidhur me kualifikimin e faktit penal tipik sipas ligjit. Nga ana tjetër, Gjykata më lart në këtë vendim ka konkluduar se provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se grupi kriminal i kryesuar nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj ka arritur të përvetësojë shuma të mëdha parash nga aktiviteti kriminal i kultivimit dhe trafikimit të lëndës narkotike “cannabis sativa” të zhvilluar në Shqipëri dhe Itali. Kjo do të thotë se elementi objektiv i përfitimit të padrejtë për të tretët i veprës penale të parashikuar nga neni 248 dhe 259 të Kodit Penal është perfeksionuar. E njëjta gjë konkludohet edhe lidhur me përfitimet e paligjshme dhe kriminale të realizuara nga grupi i strukturuar kriminal Haxhiraj në këtë periudhë të faktit historik penal.
  52. Gjykata sjell në vëmendje se edhe vepra penale e korrupsionit pasiv është një lloj i posaçëm i shpërdorimit të detyrës dhe, duke qenë se parashikohet si vepër penale e posaçme, atëherë lihet pa fushë veprimi neni 248 i Kodit Penal dhe se zbatohet dispozita penale e posaçme, konkretisht neni 259 i Kodit Penal. Në këtë kuptim Gjykata vlerëson se duhet të realizohet një interpretim i këtyre dy dispozitave në aspektin teorik për të qartësuar konkluzionin e Gjykatës se ku mbaron fusha e veprimit të nenit 248 të Kodit Penal dhe ku nis veprimi i nenit 259 të Kodit Penal për të veshur juridikisht një fakt historik penal të caktuar.
  53. Sikurse konstatohet nga leximi dhe analiza sipërfaqësore e këtyre dispozitave, nën dritën e fakteve të konkluduara nga Gjykata se janë provuar në këtë gjykim tej çdo dyshimi të arsyeshëm, në të dyja këto vepra penale elementi objektiv i përfitimit material apo jomaterial të padrejtë për vete apo për të tjerë është element i përbashkët. Në këto kushte Gjykata duhet të konkludojë nëse përfitimi material i padrejtë i të pandehurit z. Saimir Tahiri prej 145 Euro i paguar nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj, si shpenzime hoteli dhe të tjera të kryera në Itali dhe në Shqipëri në funksion të rregullimit të mjetit lundrues “Auras”, përfitimi jomaterial i përfituar në mënyrë të padrejtë i të pandehurit z. Saimir Tahiri, konkretisht vënia në dispozicion disa herë e automjetit të z. Artan Habilaj dhe shërbimet e z. Artan Habilaj në Greqi dhe z. Moisi Habilaj në Itali, si fakt historik i paligjshëm dhe pasojë e mosveprimeve të rregullta të shpërdorimit të detyrës së të pandehurit z. Saimir Tahiri, hyjnë në fushën e zbatimit të kualifikimit juridik sipas nenit 248 apo 259 të Kodit Penal. E njëjta gjë duhet të konkludohet edhe për përfitimet e padrejta materiale të realizuara nga grupi i strukturuar kriminal i kryesuar nga z. Moisi Habilaj nga realizimi i aktivitetit kriminal të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, në mënyrë që të përcaktohet në tej edhe fusha e zbatimit të nenit 248 dhe 259 të Kodit Penal në rastin objekt gjykimi.
  54. Gjykata vlerëson se duhet të bëhet një dallim teorik ndërmjet përfitimit material apo jomaterial të padrejtë të përvetësuar nga vetë autori i veprës penale apo të tretët në mënyrë që të përcaktohen kufijtë e fushës së zbatimit të nenit 248 dhe 259 të Kodit Penal. Sigurisht që kjo ndarje implikon edhe analizën e karakteristikave të tjera objektive apo subjektive të këtyre dy vepra penale.
  55. Gjykata vlerëson se për të përcaktuar këtë kufi të tillë ligjor në mënyrë të qartë duhet më së pari të konkludohet nëse përfitimi i padrejtë material apo jomaterial ka ardhur si pasojë e marrëveshjes ndërmjet autorit të veprës penale dhe atyre që marrin shërbimin apo jo. Në këtë mënyrë, nëse provohet se ka një marrëveshje të qartë ndërmjet autorit të veprës penale që abuzon me detyrën publike me përfituesin nga ky abuzim, atëherë përvetësimi i përfitimeve të padrejta me karakter material apo jomaterial do të mbajë përgjegjësi penale për korrupsion pasiv, që do të thotë se fakti historik do të vishet juridikisht sipas emërtimit të nenit 259 të Kodit Penal.
  56. Nga ana tjetër, nëse nuk provohet se ka marrëveshje ndërmjet subjektit aktiv dhe pasiv të dhënies dhe marrjes së përfitimit, por ka përfitime të padrejta materiale apo jomateriale, që kanë ardhur si pasojë e mospërmbushjes së rregullt të detyrës për autorin apo për të tretët, fakti penal historik do të duhet të kualifikohet juridikisht sipas nenit 248 të Kodit Penal. Kjo do të thotë se, përfitimet e paligjshme materiale apo jomateriale në fushëzbatimin e veprës penale të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal nuk vijnë si pasojë e një marrëveshje të arritur qartë, pa ekuivok dhe konkretisht ndërmjet subjektit aktiv dhe pasiv të dhënies dhe marrjes së përfitimit.
  57. Në rastin objekt gjykimi Gjykata nuk vlerësoi se ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe grupit kriminal të kryesuar nga z. Moisi Habilaj të ketë pasur marrëveshje për të bashkëpunuar në kryerjen e veprave penale që lidhen me realizimin e aktivitetit kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike nga viti 2013 e deri në vitin 2017. Nëse do të provohej kjo marrëveshje atëherë nuk do të zbatohej neni 259 i Kodit Penal por do të konkludohej se akuza dhe emërtimi i faktit tipit penal sipas prokurorisë është i drejtë dhe e bazuar në ligj. Gjykata konkludoi se nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri z. Saimir Tahiri ishte pjesëtar i organizatës kriminale të kryesuar nga z. Moisi Habilaj.
  58. Për rrjedhojë Gjykata konkludon se nuk provohet marrëveshja ndërmjet tyre edhe për të dhënë dhe marrë shërbime dhe përfitime të padrejta, materiale apo jomateriale, në dobi të të pandehurit apo grupit të strukturuar kriminal në shkëmbim të mosushtrimit të detyrës publike. Në këto kushte Gjykata konkludon se nuk mundet të ketë fushëzbatim neni 259 të Kodit Penal në këtë çështje përkundrejt të pandehurit z. Saimir Tahiri, sikurse nuk mundet të kenë fushëzbatim nenet 283/a dhe 333/a të Kodit Penal.
  59. Gjykata vlerëson se mosushtrimi i rregullt i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, sikurse ligji dhe aktet normative nënligjore të dalë në bazë dhe për zbatim të tij kanë parashikuar, kompetenca këto të identifikuara më lart në këtë vendim, nuk është dhënë në mënyrë të personalizuar përkundrejt dhe për llogari vetëm të grupit të strukturuar kriminal nga i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj. Përkundrazi, nga të gjitha provat e sjella në vëmendje më lart, Gjykata konkludon tej çdo dyshimi të arsyeshëm se mosushtrimi i vazhdueshëm i detyrave publike të z. Saimir Tahiri në drejtim të aktivitetit kriminal të lëndëve narkotike në Qarkun e Vlorës, ka begatuar aktivitetin kriminal të kultivimit dhe të trafikimit të lëndëve narkotike të grupeve të ndryshme kriminale, sikurse në gjykim të tilla u provuan dy, konkretisht ai i cili kryesohej nga z. Taulant Haxhiraj dhe ai që kryesohej nga z. Moisi Habilaj. Në të njëjtën kohë konstatohet se, nga mungesa e diligjencës së organeve policore qendrore dhe veçanërisht atyre vendore dhe të ministrisë përgjegjëse për këtë fushë të qeverisjes, subjekte të ndryshme që merreshin me aktivitetin kriminal të kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve kanë shtuar veprimtarinë në Qarkun e Vlorës, si në hapësirën tokësore dhe detare të saj.
  60. Për rrjedhojë Gjykata konkludon se mosushtrimi i rregullt i detyrave publike të të pandehurit z. Saimir Tahiri nuk provohet se është personalizuar për llogari të një apo disa subjekteve të caktuar apo tek një apo disa grupe të strukturuara kriminale që vepronin në hapësirën tokësore dhe detare të Qarkut Vlorë. Në këto kushte Gjykata konkudon se nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri z. Saimir Tahiri të ketë bashkëpunuar me grupin e strukturuar kriminal të kryesuar nga z. Moisi Habilaj dhe as që ka qenë pjesëtar i këtij formacioni kriminal. E njëjta gjë konkludohet edhe për sa i përket grupit tjetër të strukturuar kriminal.
  61. Ndaj Gjykata konkludon se kualifikimi ligjor i faktit historik, që i është kundrejtuar të pandehurit përmes aktit të njoftimit të akuzës, aktivizon zbatimin e nenit 248 të Kodit Penal dhe se për rrjedhojë vendimi i gjykatës së shkallës së parë duhet të lihet në fuqi, me ndryshimin se veç interesave të shtetit provohet se janë përfituar në mënyrë të padrejtë të mira materiale dhe jomateriale për vete dhe se nga kjo mënyrë e vijuar e ushtrimit të detyrës nga ana e tij janë krijuar edhe për tërësinë e pjesëtarëve të grupit të strukturuar kriminal përfitime të padrejta materiale.
  62. Gjykata konkludoi se në ngarkim të të pandehurit z. Saimir Tahiri, rezultojnë të provuara këto fakte:
  • Lidhjet e qëndrueshme në kohë dhe të dokumentuara me prova me të pandehurin në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj dhe me shtetasin z. Artan Habilaj;
  • Lidhje të tilla të pashpjegueshme arsyeshëm me Ministrin e Brendshëm, që janë të njohura në komunitetin e funksionarëve shtetërorë, vendorë dhe qendrorë, kanë krijuar premisa më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit, me pasojë të drejtpërdrejtë vështirësi dhe pengesa shtesë në drejtim të parandalimit dhe luftimit të këtyre veprimtarive kriminale;
  • E shoqëruar në të njëjtën periudhë edhe me bashkëpunimin në një shkallë të lartë të një numri punonjësish të policisë shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese;
  • E shoqëruar në të njëjtën kohë me vazhdimësinë dhe me ushtrimin e suksesshëm të aktivitetit kriminal të trafikimit të narkotikëve nga grupi i strukturuar kriminal i kryesuar i pandehuri në procedim të lidhur z. Moisi Habilajl, që merrej me këtë veprimtari;
  • Gjykata ka konstatuar dhe mban në vëmendje shkallën e lartë të përhapjes së aktiviteteve të paligjshme mbështetëse, furnizuese me lëndë të parë të trafikut të narkotikëve dhe ekzistencën e dy grupeve kriminale atëbotë, gjë që në vlerësimin e Gjykatës krijon lidhjen e drejtpërdrejtë të mosveprimeve në mënyrë të paligjshme të autoriteteve shtetërore dhe pasojës kriminale të ardhur;
  • Gjykata ka konkluduar se nuk janë marrë masat e duhura për të vënë në efiçencë të plotë strukturën më të lartë drejtuese të drejtorisë vendore të policisë Vlorë për parandalimin dhe zbulimin e këtyre veprave penale të evidentuara në kundërshtim me ligjin;
  • Gjykata ka konkluduar se i pandehuri z. Saimir Tahiri provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ka përfituar nga z. Moisi Habilaj dhe z. Artan Habilaj shërbime dhe përfitime të padrejta dhe se edhe të tretët, konkretisht dy grupet e strukturuara kriminale të identifikuara në këtë vendim dhe në procedimet e lidhura, kanë përfituar në mënyrë të padrejtë të mira materiale nga zhvillimi i aktivitetit kriminal dhe se njëkohësisht shpërdorimi i detyrës përmes mospërmbushjes së rregullt dhe në mënyrë të vazhdueshme të saj kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, duke u konkluduar sakaq se ai e ka ushtruar detyrën në kushtet e konfliktit të interesit.
  1. Për rrjedhojë Gjykata konkludon se z. Saimir Tahiri ka konsumuar elementet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Në këtë kuptim Gjykata vlerëson se në mënyrë të qartë rrezikshmëria e faktit penal në ngarkim të të pandehurit z. Saimir Tahiri shtohet sipas konkluzionit të arritur më lart, pjesërisht ndryshe nga sa ka konkluduar gjykata e shkallës së parë. Në këto kushte Gjykata do të duhet ta mbajë parasysh këtë fakt në konkluzionin mbi masën dhe llojin e dënimit që duhet t’i caktohet të pandehurit z. Saimir Tahiri sipas nenit 47 dhe 248 të Kodit Penal.
  2. Gjykata vlerëson se konkluzioni i gjykatës së shkallës së parë mbi pafajësinë dhe ndryshimin e kualifikimit të faktit juridik ndaj të pandehurit z. Jaeld Çela është i bazuar në ligj dhe në prova dhe duhet të lihet në fuqi. Në të njëjtën mënyrë Gjykata vlerëson se duhet të vlerësohet edhe pozita procedurale dhe materiale e të pandehurit z. Jaeld Çela në raport me faktin penal të shpërdorimit të detyrës, duke pasur parasysh veçanësitë e rrethanave materiale që u provuan në gjykim kundër tij.
  3. Ndryshe nga sa ka konkluduar gjykata e shkallës së parë, Gjykata konkludon se në gjykim provohet edhe një element tjetër objektiv dhe cilësues të veprës penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, konkretisht përfitimet e përvetësuara tek të tretët, konkretisht tek grupi i strukturuar kriminal i kryesuar nga z. Taulant Haxhiraj dhe tek grupi i strukturuar kriminal i kryesuar nga z. Moisi Habilaj. Megjithatë, Gjykata konkludon se në këtë çështje, ndryshe nga sa u provua për të pandehurin, z. Saimir Tahiri, për të pandehurin z. Jaeld Çela prokuroria nuk ka sjellë asnjë provë që të provojë përfitimet që ai ka marrë vetë nga kryerja e veprës penale.
  4. Gjithashtu Gjykata, sikurse u konkludua më lart, vlerëson të sjellë në vëmendje se gjatë gjykimit dhe nga të gjitha aktet e fashikullit të gjykimit nuk u provua tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ka ekzistuar një marrëveshje kriminale ndërmjet të pandehurit z. Saimir Tahiri dhe z. Jaeld Çela për dhënien e ndihmës ndaj grupeve kriminale të identifikuara në këtë vendim dhe në procedime penale të tjera të lidhura dhe se njëkohësisht nuk u provua tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ka ekzistuar një marrëveshje kriminale ndërmjet të pandehurit z. Jaeld çela dhe një apo disa pjesëtarëve të grupit kriminal të kryesuar nga z. Taulant Haxhiraj dhe grupit të strukturuar kriminal të kryesuar nga z. Moisi Habilaj.
  5. Gjykata konkludoi se në ngarkim të të pandehurit z. Jaeld Çela rezultojnë të provuara këto fakte:
  • Është ekzekutuar episodi i trafikimit të lëndës narkotike prej 880 kilogramë cannabis sativa me peshkarexhën “Fatima” në datat 5 dhe 6 Maj 2015 ku ka pasur një përfshirje të lartë të punonjësve të policisë vendore dhe funksionarë shtetëror, të cilët kanë bashkëpunuar me të pandehurit në procedim të lidhur, ku këta të fundit kanë vepruar në kuadër të një grupit të strukturuar kriminal që merrej me këtë veprimtari;
  • Është evidentuar një shkallë mjaft e lartë e kultivimit të bimëve narkotike cannabis sativa në territorit e Drejtorisë së Policisë Vlorë, aktivitete këto të paligjshme furnizuese të drejtpërdrejta të lidhura me trafikimin e lëndëve narkotike;
  • Gjykata konstaton se këto fakte janë shoqëruar në të njëjtën periudhë me mbajtjen e lidhjeve nga i pandehuri me persona të përfshirë në këto veprimtari si dhe mosmarrjen e masave të duhura për të parandaluara dhe zbuluar këto vepra penale në kundërshtim me ligjin;
  • Gjykata vlerëson të sjellë në vëmendje edhe faktin se nga shpërdorimi i detyrës përmes mosveprimeve të rregullta në ushtrimin e saj dhe nga mungesa e vazhdueshme e diligjencës operacionale të strukturave të policisë vendore Vlorë kanë ardhur përfitime materiale për të tretët, konkretisht për të dy grupet kriminale të identifikuara në këtë vendim, konkretisht për grupin e strukturuar kriminal të kryesuar nga z. Taulant Haxhiraj dhe për grupin e strukturuar kriminal të kryesuar nga z. Moisi Habilaj. 
  1. Për rrjedhojë Gjykata konkludoi se i pandehuri z. Jaeld Çela ka konsumuar elementet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, sipas nenit 248 të Kodit Penal. Ndryshe nga konkluzionet e arritura nga gjykata e shkallës së parë, Gjykata vlerëson se në këtë rast konstatohet se nga shpërdorimi i detyrës kanë ardhur përfitime të padrejta materiale për të tretët në shuma të mëdha parash dhe se të gjitha këto përfitime kanë natyrë kriminale.

 

  1. Lloji dhe masa e dënimit për të pandehurin z. Saimir Tahiri

 

  1. Gjykata e apelit çmon se për të përcaktuar llojin dhe masën e dënimit për një të pandehur të akuzuar për kryerjen e një vepre penale duhet të udhëhiqet nga kriteret e përcaktuara në nenin 47 të Kodit Penal. Në këtë dispozitë parashikohet se:

      “Gjykata cakton dënimin duke respektuar dispozitat e pjesës së përgjithshme të këtij Kodi dhe kufijtë e dënimeve të parashikuar në ligj për veprën penale.

Në caktimin e dënimit ndaj personit ajo merr parasysh rrezikshmërinë e veprës penale, të autorit të saj,shkallën e fajit, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

  1. Për sa më sipër, në caktimin e dënimit për kryerjen e një vepre penale, brenda kufijve të dënimit të parashikuar për llojin e veprës penale (krim ose kundërvajtje) si dhe të veprës penale konkrete të kryer, të përcaktuar në dispozitën specifike, gjykata ka në konsideratë pesë kritere: 1) rrezikshmërinë e veprës penale të kryer; 2) rrezikshmërinë e autorit të veprës penale; 3) shkallën e fajit; 4) rrethanat lehtësuese (nëse ekzistojnë të tilla); 5) rrethanat rënduese (nëse ekzistojnë të tilla).
  2. Për sa i përket elementit të parë, rrezikshmërisë së veprës penale, këtu legjislatori i referohet jo veprës penale në kuptimin abstrakt të saj, por elementëve konkretë të anës objektive dhe asaj subjektive të veprës së konsumuar konkretisht. Lidhur me rrezikshmërinë e veprës penale në kuptimin e saj abstrakt lloji dhe masa e dënimit përcaktohet nga vetë legjislatori, e pasqyruar në minimumin dhe maksimumin e dënimit të parashikuar në dispozitën penale konkrete. Në këtë mënyrë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal, ligjvënësi ka përcaktuar se ajo ka një marzh dënimi deri në shtatë vjet burgim. Në këtë mënyrë, kjo është një vepër penale që, për shkak të formave të ndryshme në të cilat mund të shfaqet dhe në varësi të subjekteve që e kryejnë, ka një minimum dënimi të papërcaktuar (pesë ditë referuar nenit 32/1 të Kodit Penal) dhe një maksimum dënimi të përcaktuar prej shtatë vjetësh burgim. Detyra e gjyqtarit është që, ndërmjet këtyre kufijve të përcaktuar nga dispozita e pjesës së përgjithshme të Kodit Penal (neni 32/1 i Kodit Penal) dhe dispozita specifike e pjesës së posaçme të këtij Kodi (neni 248 i Kodit Penal) të individualizojë dënimin që duhet të shqiptojë në një rast të caktuar të konsumimit të kësaj vepre, duke marrë në konsideratë, ndër të tjera, edhe rrezikshmërinë me të cilën shfaqet kjo vepër në rastin konkret.
  3. Në çështjen në shqyrtim gjykata e apelit konstaton se vepra penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal, në kohëzgjatjen dhe mënyrën në të cilën është kryer si dhe pasojat që ka sjellë dhe hapësirën në të cilën ato kanë ardhur, paraqet një rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Në këtë drejtim, kjo gjykatë mban në konsideratë: 1) pozitën dhe funksionin kushtetues dhe ligjor të të pandehurit z. Saimir Tahiri përgjatë kohës së kryerjes së veprës penale; 2) përmasën e cenimit të interesave shtetërorë si pasoja të veprës penale; 3) shtrirjen në kohë dhe në hapësirë të veprës penale dhe pasojave të saj.
  4. Lidhur me elementin e parë të konstatuar nga kjo gjykatë që tregon për rrezikshmërinë e veprës penale në fjalë, funksionin e kryer nga i pandehuri z. Saimir Tahiri, ajo çmon të theksojë se ky i pandehur ka qenë në detyrën e Ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë në periudhën nga data 11.09.2013 deri më datë 19.03.2017. Referuar nenit 95/1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ministrat, së bashku me Kryeministrin dhe Zëvendëskryeministrin përbëjnë Këshillin e Ministrave, organ i cili qëndron në majën e piramidës së pushtetit ekzekutiv. Sasia e kompetencave që Kushtetuta i jep këtij organi kolegjial si dhe anëtarëve të tij, në mënyrë monokratike, është e tillë që përcaktohet me rend mbetës, çka do të thotë se, referuar nenit 95/2 të Kushtetutës, ai është organi që ushtron çdo kompetencë që nuk i është dhënë organeve të pushteteve të tjera ose të qeverisjes vendore.
  5. Më tej, në nenin 100/1 të aktit me fuqinë më të lartë në rendin tonë juridik përcaktohet se Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore. Në këtë drejtim, është Këshilli i Ministrave ai i cili me veprimtarinë e tij, sa politike aq edhe ekzekutive urdhërdhënëse, është përgjegjës për rregullimin e pjesës më të madhe të marrëdhënieve juridike të shtetasve të republikës dhe që ka ndikimin më të madh në jetën e tyre. Një ndër politikat shtetërore, madje duke u klasifikuar si ndër më të rëndësishmet, janë edhe ato në fushën e rendit dhe sigurisë publike.
  6. Në nenin 5/2 të Ligjit nr. 90/2012, datë 27.09.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, parashikohet se: “Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, përcakton fushën e veprimtarisë shtetërore në përgjegjësinë e çdo ministrie, ...”. Mbështetur në këtë dispozitë ligjore, me Vendimin nr. 942, datë 09.10.2013 të Këshillit të Ministrave është përcaktuar fusha e përgjegjësisë shtetërore e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kështu parashikohet se Ministria e Punëve të Brendshme është organi përgjegjës për zbatimin e politikës së  punëve të brendshme në Republikën e Shqipërisë, është aparati organizativ dhe profesional, që i  shërben interesit publik me paanësi, duke zbatuar legjislacionin në fuqi, duke kryer shërbimet  publike dhe duke hartuar e zbatuar politikat e përgjithshme shtetërore në: a) Parandalimin, zbulimin dhe hetimin, në përputhje me ligjin penal dhe me ligjin procedural penal, të veprave penale e të autorëve të kryerjes së tyre; b) Mbrojtjen e rendit e të sigurisë publike; c) Mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë; ç) Garantimin e komunitetit për një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara, trajtimin ekonomik e financiar të familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, kur janë plagosur apo kur punonjësit kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës; d) Përgjegjësi të tjera në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të përcaktuara në bazë të legjislacionit në fuqi.
  7. Për sa parashikohet më sipër, rezulton se Ministri i Punëve të Brendshme drejton një nga sektorët më të rëndësishëm në pushtetin ekzekutiv, duke pasur ndërkaq një gamë mjaft të gjerë kompetencash. Në këtë aspekt, përgjegjësitë e larta që i ngarkohen këtij funksionari kushtetues shoqërohen në mënyrë përpjesëtimore edhe me një kërkesë të lartë përgjegjshmërie në kryerjen e funksionit të ngarkuar si dhe me një rrezikshmëri më të lartë shoqërore në raport me funksionarë të të njëjtit nivel ose të një niveli më të ulët, në rast të kryerjes së një vepre penale që lidhet me ushtrimin e detyrës. Në këtë kontekst, sa i më i madh pushteti që ka një funksionar publik dhe sfera e kompetencave që ai ushtron, aq më e lartë pritshmëria ndaj tij dhe në anën tjetër rrezikshmëria që ai mbart në raport me abuzimin ndaj detyrës.
  8. Të lidhur me konsideratat e mësipërme, pra me funksionin që i pandehuri z. Saimir Tahiri kryente gjatë kohës që ka konsumuar veprën penale gjykata sheh edhe përmasën e cenimit të interesave shtetërorë si pasoja të veprës penale. Në këtë drejtim, kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, veprime ose mosveprime që kanë si pasojë të drejtpërdrejt cenimin e rendit dhe sigurisë publike, garantimi i të cilave përbën edhe përgjegjësinë kryesore të Ministrit të Brendshëm, përbën një cenim mjaft të rëndë të interesave shtetërore si pasoja të veprës penale.
  9. Gjykata, në këtë aspekt, thekson se rrezikshmëria shoqërore e veprimeve ose mosveprimeve të kryera me dashje nga ana e një funksionari shtetëror është e lidhur sa me pozitën në të cilën ky funksionar është vendosur nga Kushtetuta ose ligji dhe sasinë e kompetencave me të cilat është pajisur nga këto akte, aq edhe me rrethanën nëse faktet penale që qëndrojnë në themel të akuzës janë të lidhura me përmbushjen e një funksioni të posaçëm nga ana e këtij funksionari apo një funksioni me natyrë të përgjithshme, pra një funksioni që përgjithësisht kryhet edhe nga titullarë institucionesh të tjerë. Si pasojë, shpërdorimi i një funksioni apo kompetence që i është dhënë posaçërisht funksionarit në fjalë nga Kushtetuta ose ligji sjell pasoja më të rrezikshme se sa shpërdorimi i një funksioni apo kompetence që nuk i është atribuuar në mënyrë specifike funksionarit në fjalë apo institucionit që ai drejton. Në këtë logjikë, shpërdorimi i një funksioni apo kompetence që lidhet me rendin dhe sigurinë publike nga ana e Ministrit të Punëve të Brendshme, si fusha specifike që ai mbulon në krye të ministrisë që drejton, paraqet rrezikshmëri shumë më të madhe se sa shpërdorimi i një funksioni apo kompetence me natyrë tjetër, sikurse mund të jetë p.sh., në fushën e prokurimit publik të fondeve që i janë alokuar Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nëse përmbushja e funksioneve që lidhen me garantimin e rendit dhe sigurisë publike përbën një kompetencë specifike të Ministrit të Punëve të Brendshme, për të cilën ai përgjigjet, së pari, përpara Këshillit të Ministrave dhe, së dyti, përpara Kuvendit, menaxhimi i fondeve buxhetore është një kompetencë gjenerike që ushtrohet nga çdo titullar institucioni.
  10. Rrezikshmëria shoqërore e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal, e kryer nga i pandehuri z. Saimir Tahiri, përveç sa u theksua më sipër, shihet edhe në raport me shtrirjen në kohë dhe në hapësirë të veprës penale dhe pasojave të ardhura prej saj. Si pasojë e mosushtrimit në mënyrë të plotë dhe në përputhje me ligjin të kompetencave nga ana të pandehurit z. Saimir Tahiri, me detyrë Ministër i Punëve të Brendshme ka ardhur si pasojë përhapja në mënyrë mjaft të madhe dhe të pakontrolluar të fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike, ashtu sikurse është parashtruar në pjesën e fakteve të çështjes, mbështetur në 27 raportet e monitorimit të mbajtura nga misioni italian i Guardia Di Finanzas, në vitin 2016, në bazë të Protokollit të Bashkëpunimit nr. 2792, datë 16.05.2012 “Për monitorimin ajror të territorit shqiptar me avionë të Guardia Di Finanzas, për identifikimin e parcelave me bimë narkotike”. Sikurse shihet nga përmbajtja e akteve të dosjes, të pasqyruara në pjesën e rrethanave të faktit, fenomeni i kultivimit të bimëve narkotike, kryesisht asaj “cannabis sativa” gjeti një shtrirje mjaft të gjerë në kohë dhe në hapësirë në territorin e Republikës së Shqipërisë gjatë kohës që i pandehuri z. Saimir Tahiri ka qenë në detyrën e Ministrit të Punëve të Brendshme.
  11. Gjykata çmon të theksojë se rrezikshmëri paraqet edhe i pandehuri z. Saimir Tahiri. Së pari, ky i pandehur ka lejuar të përfitojë trajtim preferencial në formën e shërbimeve nga persona të lidhur me botën e krimit të organizuar (rasti i shërbimeve të kryera Skafit “Auras” nga ana e të pandehurit në procedim të lidhur z. Moisi Habilaj). Së dyti, i pandehuri z. Saimir Tahiri rezulton të ketë favorizuar të njëjtën persona të lidhur me botën e krimit të organizuar, duke lehtësuar kryerjen e veprimtarisë nga ana e tyre, nëpërmjet vënies në dispozicion të automjetit të tij Audi A8 me targa AA 003 GB, edhe pse kishte ligjërisht ende pronësinë e këtij mjeti, çka botërisht dihej si makina e ministrit. Kjo i ka garantuar atyre paprekshmërinë nga ana e forcave të rendit. Në këtë drejtim, veprimet dhe mosveprimet e tij nuk janë kryer në dobi të personave të zakonshëm por të personave që i përkasin krimit të organizuar, çka flet për një rrezikshmëri të shtuar të subjektit të veprës penale. Kjo përforcohet edhe nga fakti se automjeti në fjalë i është lënë në të njëjtin status personave në fjalë për disa muaj edhe pas bërjes publike të një situate të tillë nga shtetasi z. Dritan Zagani në median e shkruar dhe atë vizive. Së treti, i pandehuri ka mbajtur vazhdimisht qëndrim mohues kur është pyetur në lidhje me raportet e tij me vëllezërit “Habilaj”, duke mohuar njohjet e afërta dhe takimet me ta edhe pse nga provat e ndodhura në fashikull rezulton krejt e kundërta, rezulton një njohje, afërsi dhe kontakte të pajustifikuara për një funksionar kushtetues sikurse është ministri.
  12. Lidhur me shkallën e fajësisë, si një ndër elementët për përcaktimin e llojit dhe masës së dënimit, gjykata çmon se vepra penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal, kryhet vetëm me dashje, direkte ose indirekte. Në çështjen në shqyrtim, i pandehuri z. Saimir Tahiri ka vepruar me dashje indirekte në lidhje me mosushtrimin e funksioneve të tij në fushën e rendit dhe sigurisë publike, me pasojë përhapjen e fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike, pasi edhe pse i ka parashikuar, por nuk i ka dëshiruar këto pasoja, me ndërgjegje ka lejuar ardhjen e tyre. Megjithatë, për sa i përket pranimit të favoreve nga ana e vëllezërve “Habilaj” si dhe krijimit të lehtësirave në aktivitetin e tyre duke i dhënë automjetin e tij, në këtë rast i pandehuri ka vepruar me formën më të lartë të fajësisë, atë të dashjes direkte, pasi ai i ka parashikuar pasojat e veprës së kryer dhe i ka dëshiruar ato.
  13. Lidhur me elementët e tjerë të caktimit të llojit dhe masës së dënimit, sikurse janë rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese gjykata e apelit nuk konstaton ekzistencën e tyre për sa i përket të pandehurit z. Saimir Tahiri. 
  14. Për çka u parashtrua më sipër, gjykata e apelit e gjen të drejtë masën e dënimit që ka caktuar gjykata e shkallës së parë për të pandehurin z. Saimir Tahiri prej 5 (pesë) vjetësh burgim (3 vite e 4 muaj pas uljes me 1/3 pas zbatimit të ritit të gjykimit të shkurtuar). Megjithatë, gjykata e apelit nuk e konsideron të bazuar zbatimin e nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënien në provë të të pandehurit z. Saimir Tahiri.
  15. Në nenin 59 të Kodit Penal parashikohet një nga alternativat e dënimit me burgim që është edhe pezullimi i këtij dënimi dhe vënien në provë. Në paragrafin e parë të kësaj dispozite parashikohet: “Për shkak të rrezikshmërisë së paktë të personit, moshës, kushteve shëndetësore apo mendore, mënyrës së jetesës dhe të nevojave, veçanërisht atyre që lidhen me familjen, shkollimin ose punën, rrethanave të kryerjes së veprës penale, si dhe të sjelljes pas kryerjes së veprës penale, gjykata, kur jep dënim me burg deri në pesë¸ vjet, mund të urdhërojë, që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë, duke pezulluar ekzekutimin e dënimit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.
  16. Në çështjen në shqyrtim, lidhur me të pandehurin z. Saimir Tahiri gjykata nuk konstaton ekzistencën e asnjë prej rrethanave që parashikohen në nenin 59 të Kodit Penal në mënyrë që të zbatohet kjo alternativë e dënimit me burgim. Lidhur me zbatimin e nenit 59 të Kodit Penal për të pandehurin z. Saimir Tahiri, gjykata e shkallës së parë ka arsyetuar si më poshtë:

Gjykata vlerëson se për të pandehurin Saimir Tahiri plotësohen kushtet e veçanta që parashikon neni 59 i K.Penal për të aplikuar pezullimin e vuajtjes së dënimit me burgim dhe vënien e tij në provë. ...

            Në rastin në gjykim, gjykata vlerëson se plotësohen kushtet e veçanta që parashikon neni 59 i K.Penal, pasi masa e dënimit ndaj të pandehurit Saimir Tahiri është pesë vjet burgim dhe duke zbritur një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar ulet në tre vjet e katër muaj burgim, i pandehuri ka në ngarkim fëmijë të mitur në moshë të vogël dhe sjellja e tij pas kryerjes së veprës penale rezulton të ketë qenë e mirë, pasi nuk rezulton të ketë kryer ndonjë vepër tjetër penale, ka qenë korrekt dhe i është përgjigjur thirrjeve dhe kërkesave të organit procedues në fazën e hetimit (e reflektuar kjo në moscaktimin e ndonjë mase sigurimi personal ndaj tij për shkak të mungesës së nevojave të sigurimit) dhe gjykimit të kësaj çështje penale.

  1. Gjykata e apelit çmon se një përfundim i tillë i gjykatës së shkallës së parë është rrjedhojë e një analize jo të plotë të fakteve të çështjes si dhe i një vlerësimi të shkëputur të rrethanave të cilat e kanë çuar këtë gjykatë në përfundimin se ndaj këtij të pandehuri duhet të zbatohet alternativa e dënimit me burgim të parashikuar në nenin 59 të Kodit Penal. Edhe pse rrethanat familjare si dhe sjellja e të pandehurit pas kryerjes së veprës penale është e tillë që mbahen në konsideratë edhe nga gjykata e apelit ato, të vetme, nuk mund ta çojnë këtë gjykatë në përfundimin se ndaj të pandehurit z. Saimir Tahiri duhet të vendoset pezullimi i dënimit me burgim dhe vënia e tij në provë. Gjykata e apelit çmon të theksojë se këto rrethana nuk mund të vlerësohen të ndara nga shkaqet e tjera që përcaktojnë llojin dhe masën e dënimit, sikurse është rrezikshmëria e veprës dhe e autorit, të cilat sikurse u arsyetuan më sipër janë të larta për këtë të pandehur.
  2. Rrethanat e zbatimit të alternativave të dënimit me burgim, duke qenë se kualifikohen në konceptin e llojit të dënimit, nuk mund të analizohen jashtë kritereve të nenit 47 të Kodit Penal. Në këto kushte, rrezikshmëria e veprës dhe autorit të veprës penale janë faktorë përcaktues në zbatimin ose jo të kësaj alternative. Vetëm nëse rrezikshmëria e veprës penale dhe të autorit janë të ulëta ose të moderuara, atëherë gjykata mund të marrë në analizë rrethanat specifike të parashikuara në nenin 59/1 të Kodit Penal, sikurse rrezikshmëria e paktë e personit (rrezikshmëria e personit si individ dhe jo si autor i veprës penale, pra e shkëputur nga elementët objektivë dhe subjektivë të veprës penale, pasi e dyta vlerësohet si kriter më vete në caktimin e llojit dhe masës së dënimit), mosha, kushtet shëndetësore apo mendore, mënyra e jetesës dhe e nevojave, veçanërisht atyre që lidhen me familjen, shkollimin ose punën, rrethanat e kryerjes së veprës penale, si dhe sjellja pas kryerjes së veprës penale. Të gjitha këto rrethana specifike të përshkruara në nenin 59 të Kodit Penal nuk kanë asnjë peshë në rast se vepra penale e kryer dhe autori i saj paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore.
  3. Gjykata e apelit çmon të ritheksojë se në këtë rast nuk cenohet parimi “non reformatio in peius” në moszbatimin e alternativës së dënimit me burgim të parashikuar në nenin 59 të Kodit Penal. Në këtë çështje prokurori, i cili rezulton të jetë apelues ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë, krahas të pandehurit z. Saimir Tahiri, nëpërmjet apelimit të tij ka kërkuar rëndimin e pozitës së të pandehurit, duke i hapur rrugën ndërkaq gjykatës së apelit për të vlerësuar në tërësi, në të gjitha disponimet e tij, vendimin e gjykatës së shkallës së parë. Gjykata çmon të theksojë se në apelimin e tij prokurorit nuk mund t’i kërkohet që të parashikojë çdo eventualitet të disponimit të gjykatës rishikuese (gjykatës së apelit në këtë rast) dhe të bëjë çdo kërkim alternativ të mundshëm. Në këtë mënyrë, me apelin e tij, përmes së cilit prokurori ka kërkuar dënimin e të pandehurit për një vepër penale dukshëm më të rëndë nga ajo për të cilën e ka dënuar gjykata e shkallës së parë, nuk mund të konsiderohet se ai nuk kërkon rëndimin e pozitës së pandehurit në çdo mënyrë tjetër më të lehtë se ajo që ai kërkon. Në këtë rast, moszbatimi i nenit 59 të Kodit Penal konsiderohet një rëndim pozite më i lehtë në raport me atë që ka kërkuar prokurori nëpërmjet ndryshimit të kualifikimit ligjor të faktit penal.
  4. Pra, kërkimi i prokurorit për të rënduar pozitën e të pandehurit nëpërmjet ndryshimit të kualifikimit ligjor për vepra penale më të rënda se ajo për të cilën e ka dënuar gjykata e shkallës së parë të pandehurin përfshin në vetvete automatikisht çdo rëndim pozite të të pandehurit më të lehtë se ky kërkim i organit të akuzës. Në këtë mënyrë, gjykata e apelit nuk cenon në këtë rast parimin “non reformatio in peius” nëpërmjet moszbatimit të nenit 59 të Kodit Penal. Apeli i prokurorit në çështjen në shqyrtim i ka hapur rrugën gjykatës së apelit për të ndryshuar çdo lloj kualifikimi ligjor të vendimit të gjykatës së shkallës së parë që nuk tejkalon kërkimin e prokurorit në pikëpamje të rëndesës së pozitës së të pandehurit.    
  5. Gjykata e apelit vlerëson se vuajtja e dënimit për të pandehurin z. Saimir Tahiri do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme, në përputhje me nenin 18/1 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. Në kohën e vuajtjes së dënimit për këtë të pandehur do të mbahet në konsideratë edhe periudha që ai ka kaluar me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” nga data 12.05.2018 deri më datë 28.05.2018. Kjo rezulton nga fakti se me Vendimin nr. 97, datë 12.05.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë është caktuar ndaj të pandehurit z. Saimir Tahiri masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, sipas nenit 237 të Kodit të Procedurës Penale. Kjo masë sigurimi është verifikuar dhe është vendosur të vazhdohet fuqia ekzekutive e saj me Vendimin nr. 101, datë 15.05.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë. Sipas këtij vendimi, rezulton se masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” është ekzekutuar me datë 12.05.2018, sipas procesverbalit të oficerit të policisë gjyqësore që e ka ekzekutuar këtë masë sigurimi. Kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë ka ushtruar apel prokuroria dhe i pandehuri. Me Vendimin nr. 22, datë 28.05.2018 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda është vendosur shfuqizimi i këtyre dy vendimeve.
  6. Nga këto fakte gjykata arrin në përfundimin se i pandehuri z. Saimir Tahiri ka qëndruar nën efektet e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” gjithsej 17 ditë. Sipas nenit 57 të Kodit të Penal dhe nenit 237 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata vlerëson se përmes efekteve juridike dhe faktike që ka sjellë në kufizimin e lirisë masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” ndaj të pandehurit z. Saimir Tahiri konkludohet që ai konsiderohet për efekt të ligjit penal dhe procedural penal se ka vuajtur 17 ditë burgim nga dënimi i dhënë. Kjo do të thotë se nga prokurori i ekzekutimit të dënimit penal duhet të bëhet zbritja e 17 ditëve burgim nga dënimi i dhënë.
  7. Krahas dënimit kryesor, gjykata e shkallës së parë i ka caktuar të pandehurit z. Saimir Tahiri edhe dënimin plotësues “Heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike” bazuar në nenin 35 paragrafi i dytë të Kodit Penal, në lidhje me nenin 30 pika 1 të tij, pasi i pandehuri ka kryer një vepër penale që lidhej me detyrën e tij, duke shpërdoruar funksionin publik. Gjykata e apelit e konsideron të drejtë këtë disponim të gjykatës së shkallës së parë, pasi vepra penale lidhet pikërisht me kryerjen e funksionit publik për të cilin i pandehuri ishte zgjedhur dhe zbatimi i këtij dënimi alternativ do t’i shërbejë më mirë qëllimeve të dënimit, parandalimit të posaçëm dhe atij të përgjithshëm, duke dekurajuar kryerjen e kësaj vepre penale në të ardhmen.

  

  1. Lloji dhe masa e dënimit për të pandehurin z. Jaeld Çela

 

  1. Gjykata e apelit çmon se gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar drejt elementët e përcaktuar në nenin 47 të Kodit Penal në caktimin e llojit dhe masës së dënimit për të pandehurin z. Jaeld Çela. Në këtë drejtim kjo gjykata ka arsyetuar:

Vepra penale e “Shpërdorimit të detyrës” e parashikuar nga neni 248 i K.Penal paraqet rrezikshmëri të caktuar shoqërore për shkak të marrëdhënieve juridike që cënon dhe pasojave shoqërisht të rrezikshme që sjell. Shkalla e rrezikshmërisë shoqërore të saj pasqyrohet në sanksionin që parashikon dispozita penale, burgim gjer në shtatë vjet. Në rastin në gjykim shpërdorimi i detyrës i kryer nga të pandehurit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore pasi ka sjellë pasojat e përmendura më lart nga gjykata.

Kryerja e kësaj vepre penale është tregues edhe i rrezikshmërisë shoqërore të autorëve të saj. Gjykata, duke mbajtur parasysh në të njëjtën kohë edhe mënyrën e kryerjes së veprës penale nga të pandehurit lidhur edhe me funksionin publik që kanë ushtruar, vlerëson se masa më e përshtatshme e dënimit ndaj tyre duhet të jetë afër kufijve të sipërm që parashikon dispozita penale përkatëse, konkretisht pesë vjet burgim, e cila vlerësohet se do t’i shërbejë më mirë qëllimit të parandalimit të posaçëm dhe të përgjithshëm të dënimit penal. Gjykata mban parasysh këtu edhe faktin se nuk konstatohet ndonjë rrethanë lehtësuese nga ato që parashikohen në nenin 48 të K.Penal dhe as rrethanat rënduese që parashikohen në nenin 50 të këtij kodi, me përjashtim të rrethanës së parashikuar nga gërma “dh” e kësaj dispozite për të cilën do të sqarohet më poshtë.

...

Për të pandehurin Jaeld Çela, përveç masës së dënimit, vlerësohet se nuk plotësohen kushtet e tjera të parashikuara nga neni 59 i K.Penal për të pezulluar vuajtjen e dënimit me burgim dhe vënien e tij në provë, për më tepër që i pandehuri Jaeld Çela pas caktimit të masës së sigurimit “arrest në burg” nuk është arritur të gjendet nga policia gjyqësore dhe deri më sot nuk është zbatuar masa e sigurimit ndaj tij.

  1. Gjykata e apelit, krahas këtyre argumenteve të dhëna nga gjykata e shkallës së parë, çmon të theksojë se për sa i përket të pandehurit z. Jaeld Çela, si përgjegjës i drejtpërdrejtë për vënien në zbatim të politikave dhe strategjive në fushën e rendit dhe sigurisë publike në territorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, vepra penale e kryer prej tij paraqet një rrezikshmëri të lartë shoqërore. Referuar raporteve të monitorimit të mbajtura në zbatim të Protokollit të Bashkëpunimit nr. 2792, datë 16.05.2012 “Për monitorimin ajror të territorit shqiptar me avionë të Guardia Di Finanzas, për identifikimin e parcelave me bimë narkotike”, nga misioni italian i Guardia Di Finanzas, në vitin 2016, rezulton se pjesa kryesore e këtyre raporteve (12 raporte) i referohej territorit ku ushtronte juridiksionin e saj Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, duke qenë qarku me sipërfaqet më të shumta të mbjella me lëndë narkotike. Nga përmbajtja e tyre rezultojnë sipërfaqe shumë të mëdha të mbjella me lëndë narkotike në Qarkun Vlorë (ku ushtron juridiksionin e saj Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë). Ky fakt, së bashku me faktin tjetër se një numër i caktuar i punonjësve të policisë së kësaj drejtorie policie është provuar se bashkëpunonin me personat që ishin të përfshirë në aktivitetin e kultivimit të narkotikëve, e shton edhe më shumë rrezikshmërinë e veprës së kryer nga i pandehuri z. Jaeld Çela.
  2. Rrezikshmëria e veprës penale në këtë rast shihet edhe në raport me funksionin që ka kryer i pandehuri, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Referuar kuadrit legjislativ që rregullon fushën e tij të veprimtarisë si dhe kompetencat, drejtoria vendore e policisë, e cila ka për titullar drejtorin e saj organizon punën për marrjen e masave për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, organizon strukturat vartëse dhe njësitë bazë vepruese të Policisë së Shtetit në terren për zbulimin dhe parandalimin e veprimtarisë kriminale, kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e autorëve të veprave penale, si dhe për kryerjen e veprimeve procedurale nga shërbimet e policisë gjyqësore, në përputhje me legjislacionin procedural penal, siguron partneritetin, duke mbajtur kontakte me drejtuesit e pushtetit vendor në juridiksionin e drejtorisë vendore, në kuadrin e bashkëpunimit për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike, garantimin e zbatimit të ligjit si dhe drejton dhe organizon veprimtarinë e strukturave të Policisë së Shtetit për rritjen e standardeve të policimit dhe forcimin e besimit të komunitetit tek shërbimet e policisë.
  3. Rrezikshmëri paraqet edhe vetë ky i pandehur. Ai rezulton që për një kohë të gjatë t’i jetë fshehur drejtësisë, duke u bërë e mundur zbatimi i masës së sigurimit “Arrest në burg” të dhënë ndaj tij vetëm kur shqyrtimi i çështjes ndodhej në apel. Kështu, me vendimin nr. 427, datë 25.11.2017, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ndaj të pandehurit z. Jaeld Çela është caktuar masa e sigurimit “Arrest në burg”. Më tej, Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin nr. 18 akti, datë 19.05.2020, ka vendosur vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, caktuar me vendimin e mësipërm ndaj të pandehurit z. Jaeld Çela. Sa më sipër, rezulton që ai t’i jetë fshehur drejtësisë për një kohë prej rreth një viti e gjysmë.
  4. Lidhur me shkallën e fajësisë, si një ndër elementët për përcaktimin e llojit dhe masës së dënimit, gjykata çmon se vepra penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal, kryhet vetëm me dashje, direkte ose indirekte. Në çështjen në shqyrtim, i pandehuri z. Jaeld Çela ka vepruar me dashje indirekte në lidhje me mosushtrimin e funksioneve të tij në fushën e rendit dhe sigurisë publike, me pasojë përhapjen e fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike dhe përfshirjen e individëve nga radhët e Policisë së Shtetit në ndihmë të veprimtarisë kriminale të kultivimit të narkotikëve në Qarkun e Vlorës, pasi edhe pse i ka parashikuar, por nuk i ka dëshiruar këto pasoja, me ndërgjegje ka lejuar ardhjen e tyre.
  5. Lidhur me elementët e tjerë të caktimit të llojit dhe masës së dënimit, sikurse janë rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese gjykata e apelit nuk konstaton ekzistencën e tyre për sa i përket të pandehurit z. Jaeld Çela.
  6. Gjykata e apelit vlerëson se vuajtja e dënimit për të pandehurin z. Jaeld Çela do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme, në përputhje me nenin 18/1 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. Në kohën e vuajtjes së dënimit për këtë të pandehur do të mbahet në konsideratë edhe periudha që ai ka kaluar me masën e sigurimit “Arrest në burg” nga data 16.05.2020 kur i pandehuri Jaeld Çela është vetëdorëzuar pranë shërbimeve të policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, duke u mbajtur për këtë qëllim edhe procesverbali përkatës, dhe deri në datën e dhënies së këtij vendimi, më 04.02.2022. Masa e sigurimit “Arrest në burg” e dhënë për këtë të pandehur me vendimin nr. 427, datë 25.11.2017, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, është vijuar të zbatohet nga Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin nr. 18 akti, datë 19.05.2020. Në këto rrethana, për të pandehurin z. Jaeld Çela. Për sa më sipër, në masën e dënimit të dhënë për këtë të pandehur do të zbritet periudha e vuajtur prej tij në paraburgim e cila është 1 (një) vit, 8 (tetë) muaj e 20 (njëzet) ditë paraburgim ose, referuar kritereve të nenit 57 të Kodit Penal, e barabartë me 31 (tridhjetë e një) muaj burgim.
  7. Krahas dënimit kryesor, gjykata e shkallës së parë i ka caktuar të pandehurit z. Jaeld Çela edhe dënimin plotësues “Heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike” bazuar në nenin 35 paragrafi i dytë të Kodit Penal, në lidhje me nenin 30 pika 1 të tij, pasi i pandehuri ka kryer një vepër penale që lidhej me detyrën e tij, duke shpërdoruar funksionin publik. Gjykata e apelit e konsideron të drejtë këtë disponim të gjykatës së shkallës së parë, pasi vepra penale lidhet pikërisht me kryerjen e funksionit publik për të cilin i pandehuri ishte zgjedhur dhe zbatimi i këtij dënimi alternativ do t’i shërbejë më mirë qëllimeve të dënimit, parandalimit të posaçëm dhe atij të përgjithshëm, duke dekurajuar kryerjen e kësaj vepre penale në të ardhmen.       

 

PËR KËTO ARSYE

 

            Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bazë e për zbatim të shkronjave “a” dhe “b”, të paragrafit 1, të nenit 428 të Kodit të Procedurës Penale;

 

V E N D O S I

 

  1. Lënien në fuqi të Vendimit nr. 60, datë 19.09.2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me ndryshimin si më poshtë:
  2. Moszbatimin e nenit 59 të Kodit Penal për të pandehurin z. Saimir Tahiri.
  3. Vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin z. Saimir Tahiri fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
  4. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.
  5. Shpenzimet gjyqësore për gjykimin në apel sikurse janë bërë.
  6. Kundër këtij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

 

U shpall në Tiranë, sot më datë 04.02.2022.

 

 

 

[1] Tek kjo fjalë autoritetet italiane përdorin thonjëzat në tekstin e aktit procedural.

[2] Gjykata sjell në vëmendje se në këtë vendim nomofilatik ndër të tjera është njësuar praktika gjyqësore me konkluzionin si më poshtë:

Të gjitha çështjet penale, që neni 75/a i pandryshuar i Kodit të Procedurës Penale i ka përcaktuar si kompetencë lëndore e gjykatave për krimet e rënda, të cilat do të paraqiten për gjykim pas datës 01.08.2017, do të vazhdojnë të gjykohen në këto gjykata, deri në datën e krijimit të gjykatave të posaçme sipas nenit 135 pika 2 të Kushtetutës. Në datën e krijimit të gjykatave të posaçme, nëse nuk ka ligj që rregullon ndryshe, çështjet në gjykim para gjykatave të krimeve të rënda, sipas nenit 135 pika 2 të Kushtetutës, nenit 8 dhe 9 të Ligjit nr. 95/2016 dhe nenit 75/a të ndryshuar të Kodit të Procedurës Penale, do të kalojnë për kompetencë lëndore sipas shkallës së gjykimit në gjykatat e posaçme.

Të gjitha çështjet penale, që do të ndodhen për gjykim në gjykatat e krimeve të rënda, të cilat nuk janë në kompetencën lëndore të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ditën e krijimit të kësaj të fundit, nëse nuk ka ligj që rregullon ndryshe, do të kalojnë për kompetencë lëndore sipas shkallës së gjykimit në gjykatat e zakonshme.

Çështjet penale të tjera, të cilat nuk përfshihen në nenin 75/a të pandryshuar të Kodit të Procedurës Penale edhe ato të përfshira në nenin 135 pika 2 të Kushtetutës, nenin 8 dhe 9 të Ligjit nr. 95/2016 dhe nenin 75/a të ndryshuar të Kodit të Procedurës Penale, janë në kompetencën lëndore të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe apeleve me juridiksion të përgjithshëm penal, deri në datën e krijimit të gjykatave të posaçme. Pas krijimit të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, çështjet në gjykim para gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, do të përfundohen nga këto të fundit.

[3] Shih Vendimin Nr. 6/5 i Regj. Themeltar, Nr. 2 i Vendimit, datë 06.02.2009 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

[4] Shih Vendimin nr. 124, datë 20 – 23 Mars 2019 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Italisë.

[5] Shih çështjen “Scoppola v. Italy no. 2”, Ap. No. 10249/03, Vendimi i Dhomës së Madhe të GJEDNJ datë 17.09.2009.

[6] Shih Vendimin nr. 14, datë 26.3.2012 të Gjykatës Kushtetuese, konkretisht shih paragrafin 23 e 24 të këtij vendimi.

[7] Shih Vendimin nr. 21 datë 16.04.2012 të Gjykatës Kushtetuese.

[8] Shih Vendimin nr. 6, datë 15.01.2021 të Mbledhjes së Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Shih gjithashtu edhe Vendimin nr. 29, datë 12.02.2021 të Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese.

[9] Shih çështjen “Dan v. Moldova”, ap. no. 8999/07, Vendim i GJEDNJ datë 05 Korrik 2011, paragrafi 33.

[10] Shih për shembull çështjen “Craxi v. Italy (no. 1)”, ap. no. 34896/97, paragrafi 86, Vendim i GJEDNJ 5 Dhjetor 2002.

[11] Shih Vendimin e Seksioneve të Bashkuara Penale të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë nr. 14426, datë 02 Prill të vitit 2019.

[12] Shih çështjen “Popovici v. Moldova”, ap. nos. 289/04 and 41194/04, paragrafi 68, Vendim i GJEDNJ datë 27 Nëntor 2007. Shih çështjen “Constantinescu v. Romania”, Ap. no. 28871/95, paragrafi 55, ECHR 2000-VIII. Shih çështjen “Marcos Barrios v. Spain”, ap. no. 17122/07, paragrafi 32, Vendim i GJEDNJ datë 21 Shtator 2010.

[13] Shih çështjen “Ignat v Romania”, Application no. 17325/16, Vendim datë 09.11.2021 i Seksionit IV të GJEDNJ.

[14] Shih Vendimin Nr. 52105-00048-2016 Regj. Themeltar, Nr. 00-2021-404 Vendimi (2), datë 19.03.2021 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, paragrafi 49 – 54.

Shih gjithashtu Vendimin nr. 00-2021-404 (2), datë 19.03.2021 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

[15] Shih Vendimin Nr. 55332-383-2016 i Regj. Themeltar, Nr. 00-2021- 898  i Vendimit, datë 25.11.2021 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, paragrafi 24 - 31.

[16] Shih Vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 29  datë 31.05.2010. Shih gjithashtu edhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 33, datë 24.06.2010.

[17] Sipas pikës 2 të nenit 1 të Ligjit nr. 49/2012, neni 183 i Kodit të Procedurës Civile zbatohet në mënyrë komplementare edhe për gjykimin administrativ.

[18] Shih mutatis mutandis Vendimin Nr. 11243-01170-00-2013 i Regjistrit Themeltar, Nr. 00-2017-285 i Vendimit (136), datë 21.03.2017 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, paragrafi 19 - 22.

[19] Kjo dispozitë parashikon se: “Askush nuk mund të dënohet më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale dhe as të gjykohet sërish, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga një gjykatë më e lartë, sipas mënyrës së parashikuar me ligj.

[20] Deri në vitin 2017 kjo dispozitë formulohej: “1. Askush nuk mund të gjykohet rishtas për të njëjtën vepër penale, për të cilën është gjykuar me vendim të formë së prerë, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga gjykata kompetente.

[21] Nga viti 2017 kjo dispozitë formulohet: “1. Askush nuk mund të gjykohet rishtas për të njëjtin fakt penal, për të cilin është gjykuar me vendim të formë së prerë, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga gjykata kompetente.

[22] Kjo pjesë e dispozitës parashikon se: “Nuk mund të jepet ekstradimi: ...ç) kur ka filluar procedimi ose është gjykuar në Shqipëri edhe pse vepra është kryer jashtë shtetit;

[23] Kjo pjesë e dispozitës parashikon se: “1. Vendimi i gjykatës së huaj nuk mund të njihet kur: …d) fakti për të cilin është dhënë vendimi nuk parashikohet si vepër penale nga ligji shqiptar;

[25] Shih në web: https://www.altalex.com/documents/neës/2014/03/26/imputato. Vizituar me datë 12.02.2022.

[27] Shih Vendimin nr. 200/2016 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Italisë. Shih në web: https://www.cortecostituzionale.it/actionSchedaPronuncia.do?anno=2016&numero=200. Vizituar me datë 13.02.2022.

[29] Shih Vendimin BVerfGE 12, 62, 66, datë 04.12.2007 – 2BvR 38/06 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës Federale të Gjermanisë.

[30] Shih “Il principio del ne bis in idem”, Corte Constituzionale, Servizio studi, Area di diritto comparato, a cura di P. Passaglia, con contributi di C. Guerrero Pico, S. Pasetto, Z. T. Rorig, z. Torrisi, faqe 37.

Shih në ëeb: https://www.cortecostituzionale.it/documenti/convegni_seminari/CC_SS_nebis2016.pdf. Vizituar me datë 06.02.2022.

[31] Shih Vendimin datë 03.05.2012, StR 109/12, BGH të Republikës Federale të Gjermanisë.

[32] Shih “Il principio del ne bis in idem”, Corte Constituzionale, Servizio studi, Area di diritto comparato, a cura di P. Passaglia, con contributi di C. Guerrero Pico, S. Pasetto, Z. T. Rorig, z. Torrisi, faqe 35 – 36.

[33] Shih në web: https://www.legifrance.gouv.fr/codes/id/LEGITEXT000006071154/. Vizituar me datë 01.01.2022.

[35] Shih Vendimin EADS, datë 18.03.2015, çështja “M. John L. et autres” të Këshillit Kushtetues të Republikës së Francës.

[36] Shih Vendimin nr. 14-85.548, datë 08.12.2015 të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Francës.

[37] Shih Vendimin nr. 15-80.732, datë 04.05.2016 të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Francës.

[38] Shih Vendimin EADS, datë 18.03.2015, çështja “M. John L. et autres” të Këshillit Kushtetues të Republikës së Francës.

[39] Shih në web: https://www.boe.es/legislacion/documentos/ConstitucionINGLES.pdf. Vizituar me datë 01.01.2022.

[40] Shih Vendimin nr. 77/1983, datë 03.10.1983 të Gjykatës Kushtetuese të Mbretërisë së Spanjës.

[41] Shih Vendimin nr. 159/1985, datë 27.11.1985 të Gjykatës Kushtetuese të Mbretërisë së Spanjës.

[42] Shih Vendimin nr. 154/1990, datë 15.10.1990, FJ 3; Vendimin nr. 177/1999, datë 11.10.1999, FJ 3 të Gjykatës Kushtetuese të Mbretërisë së Spanjës.

[43] Shih “Il principio del ne bis in idem”, Corte Constituzionale, Servizio studi, Area di diritto comparato, a cura di P. Passaglia, con contributi di C. Guerrero Pico, S. Pasetto, Z. T. Rorig, z. Torrisi, faqe 73.

[45] Shih Vendimin nr. 27/1981, datë 20.07.1981; Vendimin nr. 989/2011, datë 23.03.2012 të Gjykatës Kushtetuese të Mbretërisë së Spanjës.

[46] Shih Vendimin nr. 48/2007, datë 12.03.2007, FJ 3; Vendimin nr. 91/2008, datë 21.07.2008, FJ 2; Vendimi nr. 91/2009, datë 20.04.2009, FJ 6; Vendimin nr. 69/2010, datë 18.10.2010 , FJ 3, Vendimin nr. 126/2011, datë 18.07. 2011, FJ 16 të Gjykatës Kushtetuese të Mbretërisë së Spanjës.

[47] Shih Vendimin nr. 234/1991, datë 10.12.1991 të Gjykatës Kushtetuese të Mbretërisë së Spanjës. 

[48] Shih Vendimin nr. 188/2005, datë 04.07.2005, FJ 5; Vendimin nr. 236/2007, datë 07.11.2007, FJ14 të Gjykatës Kushtetuese të Mbretërisë së Spanjës.

[49] Shih Vendimin nr. 10, datë 02.04.2009 të Gjykatës Kushtetuese.

[50] Shih Vendimin nr. 5, datë 08.03.2005; Vendimin nr. 10, datë 02.04.2009; Vendimin nr. 33, datë 22.07.2011 dhe Vendim nr. 8, datë 28.02.2012 të Gjykatës Kushtetuese.

[51] Shih Vendimin Nr. 56550-00998-00-2009 i Regj. Themeltar, Nr. 00-2011-970 i Vendimit (68), datë 29.02.2012 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

[52] Shih Vendimin Unifikues Penal nr. 3/2015 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, paragrafi 22.

[53] Shih Vendimin Unifikues Penal nr. 3/2015 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, paragrafi 23 – 26.

[54] Kjo pjesë e dispozitës parashikon se: “Përveç kushteve të parashikuara në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale, ekstradimi i një personi në drejtim të një shteti të huaj lejohet kur plotësohen edhe kushtet e mëposhtme: janë kushtet për rifillimin e procedimit penal në shtetin kërkues, megjithëse procedimi  penal në Shqipëri, për të njëjtën vepër penale, ka pushuar.

[55] Shih Vendimin nr. Nr. 70003-00607-00-2021 i Regj. Themeltar, Nr. 00-2021- 569  i Vendimit, datë 07.09.2021 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

[56] Shih Vendimin Unifikues Nr. 2 i Regj. Themeltar, Nr. 2 Vendimit, datë 03.11.2014 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

[57] Shih në web: https://www.ohchr.org/en/professionalinterest/pages/ccpr.aspx. Vizituar me datë 01.01.2022.

[58] Shih në web: https://www.icc-cpi.int/resource-library/documents/rs-eng.pdf. Vizituar me datë 01.01.2022.

[59] Shih Marrëveshjen Schengen datë 14 Qershor 1985 të realizuar ndërmjet shteteve të Benelux-it, Republikës Federale të Gjermanisë, Republikës së Francës mbi heqjen graduale të kontrollit dhe kufijve të përbashkët, 22.09.2000, OJ L 239/19.

Shih në web: https://eur-lex.europa.eu/LexUriServ/LexUriServ.do?uri=CELEX:42000A0922(02):en:HTML. Vizituar me datë 06.02.2022.

[60] Shih për më tepër analizën e bërë në çështjen “Leopold Henri Van Esbroeck”, Case C-436/04, Vendim i GJEDNJ datë 9 Mars 2006.

[61] Shih çështjen C-385/01 “Gözütok and Brügge”, Vendim i GJED  [[2003] ECR I-1345], paragrafi 33.

[62] Akt i shpallur solemnisht nga Parlamenti Europian, Këshilli dhe Komisioni në Strasburg me datë 12.12.2007, OJ 14.12.2007, C 303/1.

Shih në web: https://www.europarl.europa.eu/charter/pdf/text_en.pdf. Vizituar me datë 06.02.2022.

[63] Shih Vendimin nr. 2002/584/JHA: Council Frameëork Decision of 13 June 2002 on the European arrest ëarrant and the surrender procedures betëeen Member States - Statements made by certain Member States on the adoption of the Frameëork Decision, Official Journal L 190 , 18/07/2002 P. 0001 – 0020.

[64] Shih çështjen nr. C-469/03, datë 11.03.2005, Filomeno Mario Miraglia, Vendim i Gjykatës Europiane të Drejtësisë.

[65] Shih çështjen nr. C-491/07, datë 22 dhjetor 2008, Vladimir Turansky, Vendim i Gjykatës Europiane të Drejtësisë.

[66] Shih çështjen “Limburgse Vinyl Maatschappij NV (LVM) and Others v. Commission of the European Communities”, Joined Cases C-238/99 P, C‑244/99 P, C-245/99 P, C-247/99 P, C-250/99 P to C-252/99 P and C‑254/99 P, § 59, Vendim i GJED datë 15 Tetor 2002.

[67] Shih çështjen “Aalborg Portland A/S and Others v. Commission of the European Communities”, Joined Cases C-204/00 P, C-205/00 P, C-211/00 P, C‑213/00 P, C-217/00 P and C-219/00 P, § 338, Vendim i GJED datë 7 Janar 2004.

[68] Shih çështjen “Norma Kraaijenbrink”, Case C-367/05, Vendim i GJED datë 18 Korrik 2007; çështja Case C-467/04 “Gasparini and Others”, [2006] ECR I-9199, Vendim i GJEDN, paragraph 54; çështjen Case C-150/05 ‘‘Van Straaten’’, [2006] ECR I-9327, Vendim i GJED, paragraph 48.

[69] Shih “American Convention on Human Rights: “Pact of San José, Costa Rica”, signed at San José, Costa Rica, on 22 No vember 1969.

Shih në web: https://treaties.un.org/doc/publication/unts/volume%201144/volume-1144-i-17955-english.pdf. Vizituar me datë 06.02.2022.

[70] Shih çështjen “Loayza-Tamayo v. Peru”, Vendim datë 17 Shtator 1997, Series C No. 33, paragrafi 66, i Gjykatës Ndër-Amerikane për të Drejtat e Njeriut.

[71] Shih në web: https://www.echr.coe.int/Documents/Guide_Art_4_Protocol_7_ENG.pdf. Vizituar me datë 01.01.2022.

[72] Shih “Guide on Article 4 of Protocol No. 7 to the European Convention on Human Rights - Right not to be tried or punished tëice”, faqe 57, paragrafi 27, përditësuar me datë 31.12.2021.

[73] Shih për shembull çështjen “Kapetanios et autres c. Greece”, Ap. Nr. 3453/12; Nr. 42941/12; Nr. 9028/13, Vendim datë 30.04.2015 i GJEDNJ. Në këtë vendim GJEDNJ, pasi ka konkluduar mbi natyrën autonome të veprës penale sipas jurisprudencës së saj, ka konkluduar se dënimet e njëjta penale dhe administrative të dhëna për të njëjtin fakt cenojnë garancinë e parashikuar nga neni 4 i Protokollit nr. 7 të KEDNJ. 

[74] Shih çështjen ‘‘Sergey Zolotukhin v. Russia’’, Application no. 14939/03, Vendim i Dhomës së Madhe të GJEDNJ datë 10.02.2009, paragrafi 84.

[75] Shih “Guide on Article 4 of Protocol No. 7 to the European Convention on Human Rights - Right not to be tried or punished tëice”, faqe 5 - 6, paragrafi 22 dhe 26, përditësuar me datë 31.12.2021.

Shih në web: https://www.echr.coe.int/Documents/Guide_Art_4_Protocol_7_ENG.pdf. Vizituar me datë 06.02.2022.

[76] Shih “Explanatory Report to the Protocol No. 7 to the Convention for the Protection of Human Rights and Fundamental Freedoms”, Strasbourg, 22.XI.1984.

Shih në web: https://rm.coe.int/16800c96fd. Vizituar me datë 06.02.2022.

[77] Shih çështjen “Smirnova and Smirnova v. Russia”, Applications nos. 46133/99 and 48183/99, Vendim mbi pranueshmërinë i GJEDNJ datë 03.10.2002; çështjen “Harutyunyan v. Armenia”, Application no. 34334/04, Vendim mbi pranueshmërinë datë 07.12.2006 të Seksionit të III të GJEDNJ; çështjen ‘‘Marguš v. Croatia’’ (Application no. 4455/10), Vendim i Dhomës së Madhe të GJEDNJ datë 27.05.2014, paragrafi 120; çështjen “Dan Victor Horciagr c. Roumanie”, Req. No. 70982/01, datë 15.03.2005 të Seksionit II të GJEDNJ.

[78] Shih Ligjin nr. 9068, datë 15.5.2003, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Vlefshmërinë Ndërkombëtare të Gjykimeve Penale”. Ndër të tjera pika 1 e kësaj dispozite parashikon se:

1. Një person, ndaj te cilit është zhvilluar një gjykim penal evropian, nuk mund te procedohet, gjykohet apo te behet objekt ekzekutimi i një sanksioni ne një shtet tjetër pale për te njëjtin fakt kur:

a) ai është shpallur i pafajshëm;

b) sanksioni i vendosur:

i) është ekzekutuar plotësisht ose është duke u ekzekutuar;

ii) është objekt i një faljeje ose amnistie ne tërësinë e tij ose për pjesën e paekzekutuar;

iii) nuk mund te ekzekutohet me, pasi është parashkruar;

c) gjykata konstaton fajësinë e autorit, por nuk vendos ndonjë sanksion.

[79] Shih Explanatory Report to the European Convention on the International Validity of Criminal Judgments The Hague, 28.V.1970, faqe 22.

Shih në web: https://rm.coe.int/16800c930f. Vizituar me datë 06.02.2022.

[80] Ligji nr. 8497, datë 10.6.1999 “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Europës “Për transferimin e procedimeve në çështjet penale”.

Shih në web: https://www.crca.al/sites/default/files/publications/Permledhese%20e%20akteve%20nderkombetare%20per%20Drejtesine.pdf. Vizituar me datë 08.01.2021.

[81] Në nenin 35 me titull “Ne bis in idem” parashikohet ndër të tjera se:

1. Një person, në lidhje me të cilën është dhënë një vendim gjyqësor penal përfundimtar dhe i detyrueshëm, për të njëjtin akt, mund të mos ndiqet penalisht, dënohet ose t’i nënshtrohet një sanksioni në një shtet tjetër kontraktues:

(a) në qoftë se ai është falur;

(b) në qoftë se sanksioni i kërkuar për t’u zbatuar:

(i) ka qenë zbatuar plotësisht ose është duke u zbatuar, ose

(ii) i është nënshtruar faljes ose amnistisë, plotësisht, ose në lidhje me pjesën e pazbatuar, ose

(iii) nuk mund të zbatohet për shkak të kalimit të afatit kohor;

c) në qoftë se gjyqi e ka shpallur fajtor të pandehurin pa kërkuar zbatimin e një sanksioni.

[82]  Kjo dispozitë nën titullin ‘‘Revokimi i vendimit të pushimit’’ parashikon se:

1. Kur pas vendimit të pushimit të akuzës ose çështjes dalin ose zbulohen të dhëna apo prova të reja, të cilat tregojnë se vendimi nuk është i bazuar, ai mund të revokohet nga gjyqtari i seancës paraprake me kërkesë të prokurorit, të viktimës ose trashëgimtarëve të saj. Kërkesa, së bashku me aktet dhe provat e reja, depozitohet në sekretarinë e gjykatës.

2. Kërkesa shoqërohet me provat e reja me pasojë mospranimi.

3. Kërkesa shqyrtohet në dhomë këshillimi. Kur vendos pranimin e kërkesës, gjykata revokon vendimin e pushimit dhe i kthen aktet prokurorit, i cili rifillon hetimet.

4. Në përfundim të hetimeve, kur nuk procedon sipas neneve 328, 329/a, 406/a ose 406/dh, të këtij Kodi, prokurori paraqet në gjykatë kërkesë për dërgimin e çështjes në gjyq.

[84] Në vijim Gjykata si konvencion do të referojë kështu për grupin e strukturuar kriminal që kryesohej nga i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj.

[85] Në këtë mënyrë në vijim Gjykata do t’i referohet grupit të strukturuar kriminal të kryesuar nga i dënuari z. Taulant Haxhiraj.

[86] Shih Vendimin Unifikues Penal Nr. 8/7 i Regj. Themeltar, Nr. 3 i Vendimit, datë 24.02.2011 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

[87] Shih Ligjin nr. 8920, datë 11.7.2002 “Për ratifikimin e “Konventës së Kombeve të Bashkuara Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar” dhe dy Protokolleve shtesë të saj”.

[88] Shih Ligjin Nr. 9275, datë 16.9.2004 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë””, i ndryshuar.

[89] Shih Vendimin Nr. 59000-01410-00-2012 i Regjistri Themeltar, Nr. 00-2014-1935 i Vendimit (175), datë 16.07.2014 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Ndër të tjera është arsyetuar se: “...me ligjin nr. 9275 datë 16.09.2004, nuk ka asnjë ndryshim në lidhje me kuptimin ligjor të “bandës së armatosur”, si formë e veçantë bashkëpunimi, kjo formë e bashkëpunimit mbetet e njëjtë, ashtu si para këtyre ndryshimeve, por, me qëllim për të shmangur çdo lloj interpretimi, atë që para ndryshimeve të bëra me këtë ligj, pra, sqarimin e konceptit të “bandës së armatosur”, si formë e veçantë bashkëpunimi, e bënte, rast pas rasti, praktika gjyqësore dhe doktrina juridike, pas këtyre ndryshimeve kuptimin e këtij koncepti e ka bërë vetë ligji, konkretisht, pika 3 e nenit 28 të Kodit Penal.

[90] Shih Ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar.

[91] Shih Vendimin nr. 28252, datë 07.06.2017 të Seksionit Penal IV të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[92] Shih Vendimin nr. 36131, datë 25.08.2014 të Seksionit Penal VI të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[93] Shih Vendimin datë 22.01.1997 të Seksionit Penal VI të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[94] Shih Vendimin nr. 14, datë 17.04.2007 të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë vendim Gjykata Kushtetuese arsyeton ndër të tjera se: “Siç pranohet edhe në doktrinën e të drejtës penale, në këndvështrimin e pasojave kriminale, në varësi të qenies ose jo të pasojës si element i figurës së veprës penale, këto të fundit, ndahen në materiale dhe formale. Duke e analizuar në këtë vështrim figurën e veprës penale që parashikon neni 284/a, mund të konkludohet se ajo, përfshihet në figurat formale të veprave penale, gjë që do të thotë se kjo vepër konsiderohet e kryer që nga momenti i organizimit dhe i pjesëmarrjes në organizatën kriminale pavarësisht nga ardhja e pasojave. Kur nga veprimtaria e organizatës kriminale kanë ardhur edhe pasoja, atëherë veprat penale do të konkurrojnë.2

[95] Shih Vendimin nr. 30791, datë 17.07.2013 të Seksionit VI Penal të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[96] Shih “Codice Penale Operativo, annotato con dottrina e giurisprudenza”, I Codici Simone OP3, a cura di Luciano Ciafardini, Mario Formisano, Rocco Pezzano, Paolo Scognamiglio, XVII Edizione 2021, Edizioni Giuridiche Simone, faqe 1299.

[97] Shih “E drejta penale”, Pjesa e Përgjithshme, Volumi i Dytë, Luan Hasneziri, Tiranë, 2021, Maluka 2020, faqe 2, 91.

[98] Shih Vendimin nr. 27433/2017 të Seksionit Penal VI të Gjykatës Supreme të Kasacionit të Republikës së Italisë.

[99] Shih Vendimin nr. 28252/2017 të Seksionit Penal VI të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[100] Shih Vendimin nr. 19198, datë 21.04.2017 të Seksionit Penal III të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë. Shih gjithashtu edhe Vendimin nr. 42635, datë 03.11.2004 të Seksionit Penal V të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë. Përmes kësaj jurisprudence realizohet dallimi ndërmjet marrëveshjes së thjeshtë (pactum sceleris) dhe marrëveshjes së posaçme (pactum societatis) për kryerjen e aktivitetit kriminal.

[101] Shih Vendimin nr. 7187, datë 19.02.2004 të Seksionit Penal VI të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[102] Shih Vendimin Nr. 59000-01410-00-2012 i Regjistri Themeltar, Nr. 00-2014-1935 i Vendimit (175), datë 16.07.2014 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, paragrafi 210.

[103] Shih Vendimin nr. 456, datë 21.09.2012 të Seksionit Penal VI “Cena ed altri, Rv. 254225”; Vendimin nr. 1147, datë 19.11.2007 të Seksionit Penal VI “Stabile, Rv. 238403”; Vendimin nr. 41717, datë 06.11.2006 të Seksionit Penal VI  “Geraci, Rv. 235589” të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[104] Shih  Dekretin e Presidentit të Republikës së Italisë nr. 309, datë 09.10.1990, akt normativ i cili ka hyrë në fuqi me datë 15.11.1990.

Shih në ëeb Fletoren Zyrtare: https://www.gazzettaufficiale.it/eli/id/1990/10/31/090G0363/sg.

[107] Shih Vendimin nr. 44369, datë 24.10.2014 të Seksionit Penal V dhe Vendimin nr. 49995, datë 31.10.2017 të Seksionit Penal VI të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[108] Shih Vendimin nr. 45388, datë 07.12.2005 të Seksionit Penal I të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[109] Shih Vendimin nr. 10.12.1990 të Seksionit Penal I të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[110] Shih Vendimin datë 27.02.1989 të Seksionit Penal I të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

Për organizatën terroriste shih Vendimin nr. 2651, datë 21.01.2015 të Seksionit Penal V; Vendimin nr. 10380, datë 08.03.2019 të Seksionit Penal V të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[111] Shih Vendimin datë 07.12.1979 të Seksionit Penal I të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[112] Shih Vendimin nr. 17265, datë 24.04.2008 të Seksionit Penal I të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë (për organizatën mafioze).

Shih gjithashtu “Codice Penale Operativo, annotato con dottrina e giurisprudenza”, I Codici Simone OP3, a cura di Luciano Ciafardini, Mario Formisano, Rocco Pezzano, Paolo Scognamiglio, XVII Edizione 2021, Edizioni Giuridiche Simone, faqe 710 (për organizatën puçiste).

Shih gjithashtu Vendimin nr. 10380, datë 08.03.2019 të Seksionit Penal V të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë (për organizatën terroriste).

[113] Shih Vendimin nr. Datë 07.04.1989 të Seksionit Penal I dhe Vendimin nr. 4294, datë 29.01.2015 të Seksionit Penal VI të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[114] Kjo dispozitë sot formulohet:

1. Kryerja e veprave penale nga pjesëtarë të organizatës kriminale dhe të grupit të strukturuar kriminal dënohet sipas dispozitave penale përkatëse, duke i shtuar dënimit për veprën penale të kryer edhe pesë vjet burgim, si dhe gjobën në masën një të tretën, por pa kaluar kufirin maksimal të dënimit me burgim.

2. Kur dispozita përkatëse referuese përmban dënim me burgim apo me burgim të përjetshëm, dënohet me njëzet e pesë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

3. Kur dispozita përkatëse referuese përmban vetëm dënim me burgim të përjetshëm, dënohet me burgim të përjetshëm.

[115] Kjo dispozitë parashikon se: “Organizatorët, shtytësit dhe ndihmësit kanë përgjegjësi si edhe ekzekutorët për veprën penale të kryer prej tyre.

Në caktimin e dënimit për bashkëpunëtorët, gjykata duhet të mbajë parasysh shkallën e pjesëmarrjes së secilit dhe rolin e luajtur në kryerjen e veprës penale.

[116] Për herë të parë në Republikën e Italisë kjo përgjegjësi penale u pranua përmes jurisprudencës nomofilatike të emetuar në Vendimin n. 16, 28.12.1994 të Seksioneve të Bashkuara Penale të Gjykatës së Kasacionit (Sentenza Demitri).

[117] Shih Vendimin nr. 33748/2005 të Seksionit Penal të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[118] Shih Vendimin n. 22327, datë 21.5.2003 të Seksioneve të Bashkuara Penale të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë (sentenza Carnevale).

[119] Shih çështjen “Contrada c. Italie (no. 3)”, Req. no. 66655/13, datë 14.04.2015 të Seksionit IV të GJEDNJ. Shih gjithashtu mutatis mutandis çështjen “Del Río Prada v. Spain”, Ap. No. 42750/09, Vendim i datës 21.10.2013 të Dhomës së Madhe të GJEDNJ.

[120] Shih Vendimin Nr. 53101-00051-00-2009 i Regj. Themeltar, Nr. 00-2010-1059 i Vendimit (777), date 14.07.2010 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

[121] Shih Vendimin Nr. 56550-00145-00-2011 i Regj. Themeltar, Nr. 00-2013-987 i Vendimit (197), datë 12.06.2013 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

[122] Shih Vendimin datë 05.04.1993 të Seksionit Penal I të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[123] Shih Vendimin datë 02.02.1994 të Seksionit Penal V të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[124] Shih Vendimin nr. 28895, datë 19.10.2020 të Seksionit II të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[125] Shih Vendimin datë 10.05.1993 të Seksionit Penal I të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[126] Shih Vendimin nr. 45276, datë 24.11.2003 të Seksioneve të Bashkuara të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[127] Shih Vendimin datë 04.03.1991 të Seksionit Penal IV dhe Vendimin datë 07.07.1992 të Seksionit Penal I të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[128] Shih Vendimin nr. 40248, datë 12.10.2012 të Seksionit Penal I të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[129] Shih Vendimin nr. 15860, datë 16.04.2015 të Seksionit Penal I të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[130] Shih Vendimin nr. 4715, datë 04.02.2020 të Seksionit Penal V të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[131] Shih Vendimin nr. 34985, datë 20.08.2015 të Seksionit Penal III të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[132] Shih Vendimin nr. 34754, datë 07.12.2020 të Seksionit Penal IV të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[133] Shih Vendimin datë 10.05.1993 të Seksionit Penal I të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[134] Shih Vendimin datë 10.10.1985 të Seksionit Penal V të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[135] Shih Vendimin nr. 28301, datë 07.07.2016 të Seksionit Penal IV të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[136] Shih Vendimin nr. 28301, datë 07.07.2016 të Seksionit Penal IV të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[137] Shih Vendimin datë 22.09.1994 të Seksionit Penal VI të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[138] Shih Vendimin nr. 2805, datë 21.01.2014 të Seksionit Penal V; Vendimin nr. 15023, datë 14.02.2016 të Seksionit Penal I; Vendimin nr. 26542, dat 26.06.2009 të Seksionit Penal V të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[139] Shih Vendimin datë 25.10.1994 të Seksionit Penal I të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[140] Shih Vendimin nr. 43273, datë  22.10.2013 të Seksionit Penal I të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[141] Shih Vendimin nr. 48029, datë 14.11.2016 të Seksionit Penal II të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[142] Shih Vendimin nr. 4892, datë 20.10.2003 (Francese) të Seksionit Penal VI; Vendimi nr. 12082, datë 06.10.2000 (Ippolito) të Seksionit I; Vendimi nr. 32851, datë 06.05.2008 të Seksionit I të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[143] Shih Vendimin nr. 16823, datë 24.03.2010 të Seksionit VI të Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë.

[144] Duhet të sillet në vëmendje paraprakisht se institucionet pjesëmarrëse në këtë organ multiinstitucional rezulton të jenë:

  • Roja Bregdetare, institucion që është në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes;
  • Policia Kufitare dhe Migracionit, institucion i cili është lëvarësi të Ministrisë e Punëve të Brendshme;
  • Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, institucion që është në varësi të Ministrisë së Financave;
  • Drejtoria Përgjithshme Detare, institucion i cili është në varësi të Ministrisë së Transporteve dhe Infrastrukturës;
  • Inspektorati Mjedisit, institucion i cili është në varësi të Ministrisë së Mjedisit;
  • Drejtoria Peshkimit, institucion i cili është në varësi të Ministria e Bujqësisë;
  • Agjencia Kombëtare Bregdetit, institucion i cili është në varësi të Ministrisë së Ekonomisë.

[145] Tek kjo fjalë autoritetet italiane përdorin thonjëzat në tekstin e aktit procedural.

[146] Kjo dispozitë ligjore parashikon se: “Kur kërkohet ekzekutimi i një detyrimi në të holla, përmbaruesi gjyqësor, me kalimin e afatit të lajmërimit për ekzekutim (neni 517), fillon ekzekutimin e detyrueshëm, duke vënë sekuestër mbi kreditë e debitorit dhe mbi sendet e luajtshme dhe të paluajtshme të tij, në masën që do të jetë e nevojshme për plotësimin e detyrimit.

[147] Kjo dispozitë parashikon se:“Aktet zyrtare që përpilohen nga nëpunësi i shtetit ose personi që ushtron veprimtari publike, brenda kufijve të kompetencës së tyre dhe në formën e caktuar, përbëjnë provë të plotë të deklarimeve që janë bërë përpara tyre për faktet që kanë ngjarë në prani të tyre ose për veprimet e kryera prej tyre. Lejohet të provohet e kundërta vetëm kur pretendohet se shkresa është e falsifikuar.

[148] Shih Vendimin Unifikues Penal Nr. 7/6 i Regj. Themeltar, Nr. 4 i Vendimit, datë 15.04.2011 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë arritur në konkluzionin nomofilatik se: “...kur nga pikëpamja e anës objektive provohet se vepra penale është kryer nga dy ose më shumë persona, vepra do të konsiderohet e kryer në bashkëpunim. Kjo si për rastet kur nuk identifikohen bashkëpunëtorët, ashtu edhe për rastet kur bashkëpunëtori nuk ka përgjegjësi penale për shkak të paaftësisë apo moshës për përgjegjësi penale. Cilësitë e veçanta që shtojnë, pakësojnë apo përjashtojnë dënimin merren parasysh vetëm për bashkëpunëtorin tek i cili ato ekzistojnë.

[149] Ky ligj rezulton të jetë i ndryshuar me Ligjin nr. 9475, datë 09.02.2006; me Ligjin nr. 9529, datë 11.05.2006; me Ligjin nr. 86/2012 datë 18.09.2012 dhe me Ligjin nr. 44/2014, datë 24.04.2014.

[150] Shih Vendimin nr. 1, datë 12.01.2011 të Gjykatës Kushtetuese. Ndër të tjera në këtë vendim është arsyetuar ndër të tjera se:

 “...Gjykata çmon se delegimi që ka bërë ligjvënësi në paragrafin e dytë të nenin 1, shkronja a, të Kodit Penal për përfshirjen e dispozitave penale edhe në ligje të tjera, nuk është argument për të justifikuar miratimin e dispozitave të reja penale me ligje të thjeshta (siç quhen në doktrinën kushtetuese ligjet që kërkojnë miratim me shumicë të thjeshtë). Një delegim i tillë duhet të respektojë në çdo rast parimet e ligjshmërisë dhe të shtetit të së drejtës, të sanksionuara në nenet 4, 29, në lidhje dhe me nenin 81, pika 2, të Kushtetutës.

... Gjykata, në vijim të arsyetimeve të saj, e sheh me vend të theksojë se shpërndarja e normave juridiko penale në ligje të ndryshme, si dhe ndryshimet e shpeshta në legjislacionin penal, nuk i shërbejnë stabilitetit juridik të vendit, si një kusht i rëndësishëm për funksionimin e shtetit të së drejtës...

[151] Shih në ëeb: https://kryeministria.al/neësroom/kodi-etik-ministror/. Vizituar me datë 06.02.2022.

[152] Shih në web: https://rm.coe.int/16806cc1ec. Vizituar me datë 12.06.2022. Shih gjithashtu edhe Rekomandimin C (98) 70, datë 23.04.1998 “Për menaxhimin e konfliktit të interesave në Shërbimin Civil” dhe Rekomandimin C (2003) 107, datë 28.05.2003 të OECD.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy