
Rastet e fundit të poliomielitit në mbarë botën janë një këmbanë alarmi për të gjithë. Është përgjegjësia jonë e përbashkët për të çrrënjosur poliomielitin globalisht. Të gjithë ata që nuk janë vaksinuar ose fëmijët e të cilëve kanë humbur vaksinimet e planifikuara, duhet të vaksinohen sa më shpejt të jetë e mundur. Polio vaksinat janë provuar se janë shumë efektive dhe të sigurta.
Kështu deklaroi drejtori i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge, në një konferencë për shtyp.
Duke pasur parasysh botën tonë të ndërlidhur, virusi i poliomielitit i zbuluar së fundmi në Nju Jork është i lidhur gjenetikisht me viruset e zbuluara në Izrael dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas drejtorit të OBSH-së për Evropën, rastet e poliomielitit tregojnë se ky virus, ashtu si Covid 19 dhe lija e majmunit, ka demonstruar në mënyrë të përsëritur se si një kërcënim sëmundjeje në një vend është një kërcënim sëmundjeje kudo.
Edhe pse një fushatë mbarëbotërore për ta zhdukur ka kohë që po zhvillohet, në vitin 2021 poliomieliti shkaktoi forma paralize që nuk mund të trajtohen apo kurohen në dy vende ku nuk ishte kontrolluar kurrë dhe në 21 vende të tjera ku është rishfaqur.
Për ekspertët e shëndetit publik kjo është një emergjencë e mundshme, pasi rastet e paralizës së poliomielitit përfaqësojnë majën e ajsbergut imunologjik, për çdo person të paralizuar, të paktën qindra të tjerë kanë kontraktuar infeksione asimptomatike, duke i ofruar virusit një strehë për t'u riprodhuar dhe përhapur .
Sipas ekspertëve, ai mund të qarkullojë në Londër nga shkurti dhe për disa muaj në Nju Jork.
Për këtë arsye, autoritetet shëndetësore britanike kanë ofruar një përforcues të vaksinës së poliomielitit që synon kryesisht fëmijët. Një vaksinë ekziston tashmë, ose më mirë dy. Në mesin e shekullit të njëzetë dy shkencëtarë, Jonas Salk dhe Albert Sabin gjetën dy formula alternative.
Salk, i pari që u miratua, injektohet dhe parandalon zhvillimin e sëmundjes, por pa bllokuar transmetimin viral . Formula e Sabinit përdor një virus të gjallë të dobësuar artificialisht dhe merret nga goja.
Formula e Sabin është më e lirë dhe më e lehtë për t'u shpërndarë (një avantazh i rëndësishëm në vendet më të varfra të Afrikës, Azisë dhe Amerikës). Siç raportohet nga Instituti i Lartë i Shëndetësisë, preparati ka bërë të mundur zhdukjen e poliomielitit në Evropë dhe rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në fushatën e saj për çrrënjosjen e sëmundjes në mbarë botën. Siç raporton OBSH, megjithatë, në raste shumë të rralla administrimi i kësaj vaksine ka rezultuar në një paralizë të shoqëruar me vaksinën.
Me kalimin e kohës, disa vende kanë zgjedhur të ndalojnë administrimin e formës orale të vaksinës: në vitin 2000, Shtetet e Bashkuara kaluan në formulën e injektueshme , të njohur si Ipv, ndërsa Mbretëria e Bashkuar e bëri këtë në 2004. 34 vjet pas fillimit të fushatës së OBSH-së , vaksinimi nuk ka përfunduar ende, për shkak të mungesës së fondeve, trazirave politike dhe fetare dhe pandemisë Covid-19.



