Gazetarja Anila Basha e sheh listën e kandidatëve të PD-së si arsyen kryesore të humbjes së saj në zgjedhjet që u mbajtën dje. Në një analizë në studion e Tema TV, Anila Basha tha se lista e hartuar nga Basha u pasua me indiferentizëm te demokratët.
“Listat e PD-së kishin shumë probleme. Pjesa më e madhe e PD-së nuk folën dhe ky ishte gabimi. Me frikën se do të ndëshkoheshin nga kryetari, ata zgjodhën të heshtin, duke mos i dhënë mundësi ndryshimit të listave”, tha ajo.
Për Bashën, një tjetër faktor që ndikoi në humbjen e thellë të PD-së ishte edhe mungesa e një plani konkret të PD-së gjatë fushatës.
“PD hyri pa plan dhe program në fushatë. Nuk pati alternativë konkrete se si duhej të akuzohej koalicioni qeverisës. Ajo ishte shembulli model si nuk duhet t’i përgatisë zgjedhjet forca më e madhe opozitare”, tha ajo.
Ndërsa në lidhje me PS-në dhe fushatën që i parapriu fitores, Basha tha se Rama diti ta vërë gishtin në një nga plagët më të mëdha të shqiptarëve: Drejtësinë. Por sipas saj, me peshën që fiton në Parlament, Rama mund të jetë i rrezikshëm.
“Rama doli me platformën e vazhdimit të reformave. E kishte shumë të qartë pjesën e vetingut, u vuri gishtin mbi plagë shqiptarëve, pikërisht te reforma në drejtësi. Frika më e madhe është si do të jetë opozita në Parlament. Është provuar se nëse Edi Rama ka pushtet të pakufishëm, mund të kthehet në një lloj diktature. Shqiptarët i dhanë një shans të dytë. Sfida më e madhe e Ramës është futja e Shqipërisë në BE”, tha ajo.
Në lidhje me LSI-në, Basha tha se ajo u dëmtua nga dalja në zgjedhje e vetme dhe jo si pjesë e një koalicioni, por opozita ku duket se do të shkojë do të tregojë fuqinë e vërtetë të saj.



