
Pas informacioneve se ndaj Millo Gjukanoviç po përgatitet një atentat, policia malazeze ka shtuar masat e sigurisë ndaj ish-presidentit të Malit të Zi.

Në një njoftim të Policisë sot bëhet me dije se: “Policia ka marrë informacionin e duhur nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare [ANB]. Theksojmë se besueshmëria e informacionit është ende duke u kontrolluar nga ANB-ja. Menjëherë pas marrjes së informacionit, Policia, Prokuroria dhe ANB-ja morën masa të mëtejshme dhe veprime në juridiksionin e tyre në mënyrë të sinkronizuar”.
Kujtojmë që një ditë më parë disa media malazeze raportuan se një grup kriminal nga rajoni po përgatitej të vriste Gjukanoviçin dhe se ish-presidenti i Malit të Zi ishte informuar për këtë nga një anëtar i paidentifikuar i shërbimeve të huaja.



