Rënia drastike e numrit të gjedhëve përgjatë viteve të fundit e ka bërë të domosdoshme që nevojat për mish të plotësohen nga importi. Në studion e MCN Economy, prof. dr. Kapllan Sulaj, dekan i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit, Universiteti Bujqësor, thotë se në krahasim me vitin 2013, numri i gjedhëve në Shqipëri është përgjysmuar. Kjo ka sjellë dyfishimin e çmimit të mishit dhe varësinë nga importi. Ky i fundit, sipas tij, duhet të plotësojë disa kritere.
Mishi që vjen nga Brazili nuk është i pakonsumueshëm. Por ai duhet të përmbushë disa kritere. Dua të theksoj që vendi ynë ka elementë të kontrollit që në momentin e shkëmbimit të informacionit parimisht. Autoritetet tona unifikojnë produktin bazë. Mbi bazën e certifikatave jepet garanci për konsumatorin. Manipulimi nuk ka qenë as në doganën shqiptare, por në Kosovë është bërë ndërrimi i produktit, nga produkt me origjinë nga Brazili në produkt me origjinë nga Kosova.
Është më e rëndësishme të kontrollohet produkti dhe jo dokumentacioni. Standardet e mishit janë ruajtja në -18 gradë. Në çdo element të transportit duhet të plotësohet ky kusht sigurie. Pas një viti ai mish i ruajtur në ngrirje nuk konsumohet më. Ky është standard i njëjtë në të gjithë botën.
Në këto 30 vite të tranzicionit ne nuk i kemi plotësuar nevojat për mish. Kulmin e kemi pasur në 2013, që arritën deri në 450 mijë krerë gjedhë. Unë mendoj se nga 2013 është reduktuar afro 50% e numrit të krerëve. Kjo humbje është humbje e madhe që ndikon ndjeshëm, çmimi i mishit është dyfishuar. Ne varemi nga importi, nuk prodhojmë sasinë e nevojshme.
Sulaj tha më tej se është e domosdoshme që krahas rritjes së numrit të përmirësohet edhe raca e gjedhit.
Nuk kemi bërë hapa në përmirësimin racor. Ne mund të kemi të njëjtin numër krerësh, por duhet të investojmë në përmirësimin racor të gjedhit. Nuk mund të mbajmë një popullatë të madhe gjedhësh, por ne mund të stimulojmë fermat e mëdha me mbi 100 krerë, pra ferma tipike të gjedhit. Në Shqipëri kanë nisur disa të tilla, por vetëm një prej tyre e kalon numrin 1 mijë krerë. Në kushtet që ka Shqipëria duhej të kishim disa të tilla.
Sipas tij, standardet në tregtimin e mishit janë arritur në njësitë e tregtimit.
Kemi ardhur në një kohë kur mund të flasim për standarde të mishit të freskët. Në supermarkete janë kushtet për ruajtjen e këtij produkti. Të mos harrojmë se vite më parë, mishi shitej në diell, pa asnjë lloj kushti. Janë përmirësuar kushtet higjieno-sanitare, por standardi më i mirë janë thertoret. Këto janë stabilimentet ku prodhohet mishi i freskët. Mjafton të shikosh një thertore dhe kupton sa i zhvilluar është një vend. Pas viteve ’90 ne patëm një situatë kaotike me thertoret.
Sulaj tha më tej se mishi në vend është cilësor dhe tendenca për të manipuluar produktin ka rënë.
Kemi një natyrë dhe klimë që favorizon rritjen e kafshëve dhe prej tyre marrim mish cilësor. Mishi vendas është cilësor. Kafshët që mbarështohen në mënyrë ilegale mund t’i futen hormone dhe promotorë të rritjes. Ka dy mënyra: ose në shtimin e qelizave ose duke bërë që qelizat të thithin më shumë ujë dhe të shtojnë në peshë. Kanë qenë përdorur në masë. Por sot kemi elementë të farmakovigjilencës. Një rol të rëndësishëm këtu kanë luajtur edhe mediat. Kontrollet më të mëdha duhet të bëhen në thertore.



