Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi nga togat e zeza të thërrasë në cilësinë e dëshmitarëve 38 persona të ndryshëm, me arsyetimin se deklarimet e tyre do të provojnë 9 akuzat ndaj Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Prokuroria në mesin e 38 dëshmitarëve, kërkoi që të përballen në Gjykatë me Emiljano SHullazin dhe të pyetën për llogari të këtij procesi, ish-ministri i brendshëm Sajmir Tahiri, ish-ministrja e arsimit Lindita Nikolla, drejtori i përgjithshëm i policisë Haki Çako, ish-drejtori i policisë së kryeqytetit Ervin Hodaj, dy profesorët Dhori Kule e Mynyr Koni si dhe avokati injohur Neshat Fana. Veç këtyre dëshmitarëve, prokuroria kërkoi që të pyetet dhe ballafaqohet me të pandehurit edhe dëshmitari i mbrojtur i prokurorisë, biznesmeni Ylvi Beqja. Ky i fundit ka akuzuar direkt të pandehurin Shullazi dhe pjesëtarët e bandës së tij për kërcënime, ku është detyruar të paguaj në formën e gjobës rreth 500 mijë euro.
Në sallën e gjyqit, dy prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, vec emrave të dëshmitarëve lexuan edhe kërkesën për gjykim në ngarkim të 5 të pandehurve, të cilët do të gjykohen për 9 vepra të ndryshme penale, shkruan AbcNews. Përfaqësuesit e akuzës, renditen kronologjitë e ngjarjeve ku është përfshirë Shullazi me cilësinë e drejtuesit të organizatës kriminale dhe të dyshuarit si pjesëtar të bandës së tij.
Në dosje thuhet se Emiljano SHullazi dhe banda e tij, kanë vendosur dhe marr në formën e gjobës shuma të mëdha parash nga 3 biznesmenët. Veç Ylvi Beqjas, të pandehurit i kanë vendosur eksploziv biznesmenëve Adriatik Kërçuku dhe Jani Zaka, në formë presioni për të paguar gjobat e kërkuara. Të pandehurit përveç gjobave, ata kanë kanosur për shkak të detyrës edhe dy profesorët Dhori Kule dhe Mynyr Kone me qëllimin e vetëm që të tërhiqeshin nga gara zgjedhjeve në Universitete.
Në sallën e gjyqit të pandehurit nuk folën për akuzat, ndërsa avokatët kërkuan kohë të kundërshtojnë provat e prokurorisë, kërkesë që ju pranua nga gjykata duke caktuar datën 6 qershor si ditën e vazhdimit të procesit gjyqësor.



