Protesta kundër projektit turistik në Zvërnec po zhvillon sot ditën e saj të 15-të, ndërsa në Tiranë janë mbledhur mijëra qytetarë tw cilwt kanw bwrw nisjen nga sheshi Skwnderbej për të marshuar drejt Kryeministrisë.
Gazetarja Jonida Çakoni raportoi për MCN TV se pjesëmarrja mbetet e lartë dhe se protestuesit vijojnë të artikulojnë një sërë kërkesash që shkojnë përtej kundërshtimit të projektit në Zvërnec.
Ditën e 15-të edhe në këtë ditë të protestës, protestuesit janë mbledhur me mijëra në Sheshin Skënderbej duke marshuar drejt Kryeministrisë. Është vendosur edhe fonia ku qytetarët shpalosin kërkesat e tyre drejtuar Ramës. E nisin me projektin turistik të Zvërnecit, duke vijuar me problematikat e tjera të hasura në jetën e tyre në Shqipëri, si shëndetësia, ekonomia dhe emigracioni.
Sipas saj, protestuesit vijojnë të mbajnë të njëjtin mesazh që ka shoqëruar tubimet gjatë dy javëve të fundit, duke këmbëngulur në kërkesat e tyre politike dhe sociale.
Slogani është po i njëjti, ‘Shqipëria nuk është në shitje’, dhe vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe Berishën në burg. Të veshur me flamuj dhe rroba kombëtare, protestuesit vijojnë të qëndrojnë të vendosur në kërkesat e tyre.
Ndërkohë, masat e sigurisë janë shtuar krahasuar me ditët e mëparshme, megjithatë situata në terren paraqitet e qetë dhe pa incidente.
Prania e forcave të policisë është më e shtuar se ditët e tjera, ndërsa deri tani situata paraqitet e qetë, ashtu siç ka vijuar edhe përgjatë këtyre 15 ditëve pa incidente. Deri tani situata duket e qetë dhe pritet të vijojë e tillë edhe gjatë orëve në vijim, ashtu si në ditët e mëparshme, të cilat janë shoqëruar me marshime të gjata në rrugët e kryeqytetit.



