
Dalja në dritë e një bisede të përgjuar mes ish-kryetarit të KQZ, Denar Biba, dhe gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, Ledio Bianku, është pasuar me akuzat e opozitës në adresë në qeverisë. Sipas Exit.al, e cila ka publikuar një regjistrim audio, nëpërmjet Bibës, qeveria shqiptare ka shantazhuar gjyqtarin Bianku në Strasburg për bllokimin e çështjeve të pronave. Biseda i përket vitit 2014 dhe është kryer gjatë një vizite qeveritare në Strasburg, ku pjesë informale ka qenë edhe Biba.
I pari që reagoi në lidhje me përgjimin ishte kreu i grupit parlamentar të LSI. Në një postim në “Facebook”, Petrit Vasili u shpreh se “qeveria e drogës dhe e drejtësisë së horrave tentoi të blejë Strasburgun për të grabitur qytetarët shqiptare. Kjo është vepra penale më e rëndë që mund të ketë konsumuar ndonjë qeveri ndonjë herë”.
Ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një dalje për mediat nga selia blu, tha se përgjimi audio tregon se qeveria "funksionon si një organizatë tipike mafioze".
Basha tha se prokuroria duhet të nisë hetimet ndaj Bibës dhe Engjëll Agaçit, për të provuar se nuk është vegël e qeverisë.
“Engjëll Agaçi dhe Denar Biba, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me porosi të Edi Ramës, kanë kryer veprat penale të korrupsionit aktiv dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike. Prokuroria duhet të kishte nisur këtë mëngjes procedimin penal ndaj tyre, dhe duhet ta kishte komunikuar këtë publikisht, për të treguar se nuk është një vegël në dorën e Edi Ramës dhe të sejmenëve të tij”, tha ai.
Përgjimi
Sipas Exit.al, e cila ka publikuar përgjimin, ky i fundit është kryer në një mjedis publik, me gjasa bar ose kafe është dërguar në mënyrë anonime përmes postës elektronike te ky portal.
"Në regjistrim, Biba shprehet se atë e ka dërguar Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, për t’i kërkuar Biankut të ndihmojë qeverinë, duke nënkuptuar se ndihma do shpërblehet, kurse e kundërta do ta lërë Biankun pa hapësirë në sistemin e drejtësisë se vendit pas mbarimit të mandatit në Strasburg", shkruan Exit.al.



