
Zv.ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer në një intervistë të gjërë me “Zërin e Amerikës”, ka folur rreth situatës aktuale politike në Shqipëri.
Diplomati amerikan bëri thirrje për shmangien e dhunës më 30 qershor, duke shtuar se udhëheqësit e partive do të mbahen përgjegjës për dhunën e përkrahësve të tyre.
“Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Mosmarrëveshjet do t’i zgjidhë Gj. Kushtetuese pas zgjedhjeve. Ne presim që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor. Shpresojmë për zgjedhje të qeta dhe transparente”, është shprehur Palmer.
Sipas Zërit të Amerikës, ka pasur zëra që flisnin për udhëheqësit e dy partive kryesore të opozitës, PD dhe LSI-së, se në qoftë se ka përpjekje me dhunë për të bllokuar zgjedhjet e së djelës, partitë e tyre do të rrezikonin të futeshin në listën e Shteteve të Bashkuara të organizatave që janë objekt sanksionesh nga Uashingtoni.
Sipas zv.ndihmës sekratari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, pengimi i këtyre zgjedhjeve, mund të çoj në pikëpyetje marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë.
“Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Përtej kësaj nuk mund të komentoj për situata hipotetike. Por, po; absolutisht është përgjegjësi e udhëheqësve të opozitës që, në këto rrethana, t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre se dhuna është një mjet i papranueshëm. Po ashtu duam të dëgjojmë të njëjtën gjë nga qeveria. Është një gjë që e kemi theksuar vazhdimisht. Kushdo në Shqipëri duhet ta dëgjojë qartë, nga udhëheqësit e tyre, nga ata të cilët i mbështesin dhe presin udhëzime, ta dëgjojnë nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Është diçka që unë e kam theksuar disa herë dhe po e përsëris: dhuna është e papranueshme”, ripërsëriti Palmer.
Fakti që në shumicën e bashkive nuk ka garë kandidatësh, Palmer tha se kjo nuk i bën zgjedhjet e 30 qershorit të pavlefshme. Zyrtari i lartë amerikan tha se duhet të sigurohet qeverisja lokale, dhe se të zgjedhurit e rinj më 1 Korrik, duhet të qeverisin - theksoi Palmer. Por ai shtoi se me krijimin e Gjykatës Kushtetuese pas zgjedhjeve, do t'i takojë këtij institucioni të caktojë ligjshmërinë ose jo të dekreteve të presidentit Meta, veçanërisht më të fundit, për 13 tetorin si datë të re të zgjedhjeve vendore. Nëse Gjykata Kushtetuese vendos, zgjedhjet mund të përsëriten tha Palmer. Zyrtari i lartë amerikan, u shpreh se askush nuk duhet t'i pengojë zgjedhjet dhe se të gjitha mosmarrëveshjet mund t'i zgjidhë më pas pikërisht Gjykata Kushtetuese.



