Personi që shikoni në fotografi është Elidon Çela, pronari i agjencisë “Buon Aventura”, në autobusin e së cilës u gjetën rreth 500 mijë euro të padeklaruara.
Burime nga policia bëjnë me dije se është ndaluar shoferi i autobusit që vinte nga Italia, teksa mjeti i transportit ishte me udhëtarë ndërsa paratë e sekuestruara, ishin fshehur në tavanin e mjetit.
Në deklaratën zyrtare policia tha se në portin e Durrësit, si rezultat i një hetimi njëmujor të kryer nga Policia Kriminale e DVP Durrës, për mundësinë e futjes së një shume të madhe eurosh në vendin tonë, nëpërmjet portit të Durrësit, gjatë ditës së sotme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Eurot”, është ushtruar kontroll i imtësishëm nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar i DVP Durrës.
Si rezultat i informacioneve dhe kontrollit të imtësishëm, në pjesën e sipërme të një autobusi janë gjetur të fshehura 6 qese plastmasi, brenda të cilave kishte disa pako, me rreth 500 000 euro.
Nga Policia e DVP Durrës janë shoqëruar disa persona dhe vijon puna për numërimin e saktë të sasisë së eurove dhe për identifikimin e kapjen e personave të përfshirë.



