Teksa vala e pakënaqësisë dhe protestave në vend po rritet, situata në selinë e Partisë Demokratike vijon të ziejë.
Kryedemokrati Lulzim Basha ka mbledhur grupin parlamentar demokrat këtë të shtunë, ku jo pak deputetë i janë kthyer kundër.
Mes tyre bie në sy edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i cili ka kërkuar dorëheqjen e Bashës.
Burime nga selia blu bëjnë me dije se Bardhi ka thënë se e mbështet vendimin e 9 shtatorit për përjashtimin e Sali Berishës, duke thënë se prej atij vendimi iu shpall luftë PD, por se kjo situatë e dëmton partinë në sytë e publikut.
Për të ndalur gërryerjen e partisë, e vlerësoj qëndrimin tuaj për t’u vendosur në dispozicion të grupit dhe Kryesisë për të gjetur një zgjidhje. Një hap pas i juaji që merr me vete edhe Sali Berishën, i hap rrugën një procesi bashkimi, i cili është shansi vetëm për t’i dhënë mundësi PD. Ne nuk mund të improvizojmë. Sepse rrezikojmë të copëzohemi akoma më shumë. Këtu jemi pak. Edhe me ata jashtë, jemi pak. Mundësinë për të fituar demokratëve në 2023 ia japim duke parë interesin e PD. Hap pas pa bërë kthim pas, sepse kështu nuk shkojmë askund. Na duhet të gjejmë një zgjidhje të plotë, jo të pjesshme. Vendimi për Sali Berishën nuk mund të zhbëhet. Këtu kemi qenë të gjithë dhe e kemi mbështetur. Tërheqja juaj dhe e Sali Berishës mund të përbashkojë, dhe mund të jap një shans për zgjidhje. Zgjidhja duhet të jetë e plotë, afatgjatë.
Bardhi shtoi se tërheqja e të dyve, është një rrugë për t’u testuar si mënyrë për të sjellë demokratët në pushtet.



