Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke nisur nga e shtuna, për 14 ditë do të vijojë të jetë i mbyllur. Lajmi është konfirmuar nga Policia e Shtetit, e cila sqaron se do të lejohen të hyjnë në Shqipëri shtetasit shqiptarë që janë në Kosovë dhe duan të kthehen në Shqipëri.
Gjithashtu, do të lejohen të kthehen në Kosovë shtetasit kosovarë që janë aktualisht në Shqipëri. Kjo masë është marrë për arsye të parandalimit të Covid-19. Policia thotë se do lejohen ambulancat, lëvizja e mallrave dhe makinave qeveritare.
Sqarohet, se ky vendim i palës kosovare është marrë për të gjithë kufirin e Kosovës, jo vetëm për kufirin me Shqipërinë.
Policia Kufitare kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të anullojnë lëvizjet e planifikuara dhe ata që ndodhen duke lëvizur në drejtim të Morinës, të kthehen mbrapa, pasi nuk do lejohen të kalojnë.
Kosova vendosi të mbyllë kufijtë tokësorë për udhëtarët që hyjnë në vend, duke përjashtuar shtetasit kosovar, si një masë paraprake për parandalimin e virusit Covid-19.
Lajmi, fillimisht u publikua nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, e cila raporton se duke filluar nga dita e sotme, ora 06:00, bazuar në vendimin e qeverisë, mbyllën kufijtë tokësorë për udhëtarët që hyjnë në vend.
Masat janë marrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, veçanërisht pas raportimeve për dy raste pozitive në Kosovë.
Sipas vendimit të Qeverisë, shtetasit e Kosovës do të mund të hyjnë në vend, por ata do t’iu nënshtrohen kontrolleve mjekësore dhe do të vetizolohen për 14 ditë.
Qeveria e Kosovës më 13 mars, po ashtu mori vendim që të mbyllë kafenetë baret, restorantet dhe qendrat tregtare me përjashtim të dyqaneve ushqimore dhe farmacive.
Po ashtu është pezulluar transporti ndërurban dhe ndërkombëtar.



