Eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Adrian Shtuni, hapjen e bazës taktike të Kuçovës, e sheh me një vlerë strategjike dhe simbolike.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, Shtuni tha se Kuçova është baza e parë e NATO-s në Ballkanin Perëndimor.
Në aspektin simbolik kjo bazë mishëron transformimin thelbësor që ka pësuar Shqipëria, nga një vend komunist, në një vend që ka përqafuar vlerat euroatlantike, është vend anëtar e NATO-s ka ambicie për tu bashkuar në Bashkimin Europian.
Është duke ngritur kapacitete që të mbrojë këto vlera euroatlantike që ka përqafuar dhe ti mbrojë këto vlera.
Është një zhvillim mjaft i mirë për Shqipërinë, pavarësisht se krahasimisht me baza të tjera në Ballkan, është më modeste.
Këto baza taktike të NATO-s duhet të jenë sa më afër një vije konflikti.
Shpenzimet janë jashtëzakonisht të mëdha të karburantit, ndaj duhet të jesh shumë afër me pikën ku mendon se do kesh krizën.
Nuk është investuar kot në Kuçovë, ka vlerë, pasi shikohet se në atë rajon duhet të ketë një kënd të NATO-s që të reagojë në pikën ku duhet të caktohet mbrojtja.
Fushatën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pse siguria dhe politika e jashtme zënë kaq shumë vend në përballjen mes kandidatëve, Shtuni e komenton me faktin se jemi në një botë që po përballet gjithmonë e shumë shpejt me shumë kriza dhe sfida gjeopolitike.
Kemi luftë në Ukrainë, në Gaza, ka luftëra aktive që ndikojnë gjithçka, në një botë që gjithmonë e më shumë është e ndërlidhur, e globalizuar dhe është e pamundur që të mendosh në mënyrë të izoluar për të mirën e vendit tënd, në aspektin ekonomik dhe politik, pa menduar për faktorët e jashtëm që ndikojnë në stabilitetin ekonomik.
Biden fjalën e tij dje e hapi me luftën në Ukrainë dhe tha qartë se historia po na shikon dhe nëse SHBA i kthejnë shpinën Ukrainës, Europa do të rrezikohet dhe paqja në botë do të rrezikohet.
Nuk mund ti themi Putinit që bëj çfarë të duash. Ka një shqetësim për të djathtën ekstreme në Europë.
Trump nuk e kisha futur në kampin e ekstremit të djathtë dhe nuk mund të krahasohet me kampin e ekstremit të djathtë në Europë, pavarësisht se Trump ka elemente populiste që mund të kritikohen.
Politika e jashtme e SHBA është bipartizane, nuk determinohet nga një parti, nga një president apo një person.
Nuk duhet të ketë frikë se nëse vjen X apo Y do të ndodhë një farë orteku. Çdo president ka stilin e tij të komunikimit që më pas administrata mundohet t’i aplikojë.
Trump nuk është një element i paparë, është jo konvencional dhe kjo sjell edhe një farë frike që ekziston, që nuk do të kisha thënë që është e pabazuar.
Është një politikan që nuk i intereson shumë qasja parimore apo multilaterale me organizatat ndërkombëtare.
Është i qartë se nuk do të mbajë në kurriz organizatat ndërkombëtare.
Elementi tjetër është që Amerika është e para dhe nuk ka dyshim në qasjen e tij që favorizon në mënyrë të padyshimtë interesat e Amerikës.
Kjo është qasja e Trump që është më e ndryshme.



