Dalin dëshmitë e plota të personave të cilët kanë dijeni për ngjarjen e ndodhur më 19 korrik në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë, ku efektivi i policisë Erjon Goxhara qëlloi me armën e punës Lorenc Kostën, personin me të cilin e shoqja i kishte pohuar se e kishte tradhtuar.
MCN TV mëson se lidhur më këtë ngjarje, janë sekuestruar dhe këqyrur pamjet filmike, të administruar nga disa subjekti privat në vendin e ngjarje, janë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat të hetimit, disa shtetas, dëshmitar okularë, dhe familjarë të autorit të dyshuar, të cilët kanë dhënë shpjegime mbi konfliktin mes të dëmtuarit dhe të dyshuarit, janë këqyrur të dhënat/komunikimet elektronike etj
Menjëherë pas ngjarjes i dëmtuari Lorenc Kosta, është dërguar për ndihmë specializuar mjekësore në spitalin e Traumës, Tiranë, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa autori i dyshuar Erjon Goxhara është larguar nga vendi i ngjarjes, duke i’u shmangur ndjekjes policore.
Gjatë këqyrjes se vendit të ngjarjes ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 (gjashtë) gëzhoja kalibër 9 mm, 1 (një) predhë me ngjyrë bronxi e deformuar, një këmishë predhe me ngjyrë bronxi, 3 rripa pantallonash të ndotur me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut, etj.
Gjatë veprimeve policore për kapjen e autorit të dyshuar, u shoqëruan dhe u pyetën në cilësinë e personave që tregojnë rrethanat e hetimit, të afërmit e 46-vjeçarit Erjon Goxhara, bashkëshortja Griselda Goxhara, i biri Ergis Goxhara, vëllai i bashkëshortes Marsel Seferi dhe Laert Beqiri, nipi i tij.
Shtetasja Griselda Goxhara ndër të tjera deklaron se fillimisht ka patur marrëdhënie të mira, korrekte me bashkëshortin, me ulje dhe ngritjet e saj, si çdo çift tjetër.
Rreth një vit pasi kishte filluar pune si juriste, Entit Rregullator të Energjisë ka krijuar njohje dhe afrimitet me shtetasin Lorenc Kosta, të cilin e kishte në punë.
Ky i fundit kishte pëlqim dhe ne një moment dobësie shtetasja Griselda Goxhara deklaron se kam patur një raport intim me shtetasin Lorenc Kosta.
Kjo gjë ka ndodhur vetëm një herë, pas këtij momenti, kontaktet me Lorencin kanë qenë vetëm për çështje pune. Prej muajit Janar 2024 Erjoni ka shfaqur shenja xhelozie, duke u fiksuar qe mund ta tradhtonte.
Fillimisht pretendimet e tij për tradhti nga ana ime ishin pa ndonjë shkak të arsyeshëm apo bazë konkrete, saqë në vijim filloi të bëhej obsesiv dhe të më ushtronte presion psikologjik që unë t’i tregoja personin me të cilin e tradhtoja.
Në fillim të muajit korrik, pas presionit të vazhdueshëm dhe dhunës fizike të ushtruar nga ana e Erjonit, unë i kam pranuar që e kisha tradhtuar vetëm një herë, vite më parë, me një kolegun e punës sime, shtetasin Lorenc Kosta.
Fillimisht Erjoni më ka thënë që t’i tregoj se do m’i falë të gjitha, por pasi unë i kam treguar në lidhje me flirtin e hershëm me shtetasin Lorenc Kosta, ai është bërë keq dhe më ka ofenduar, sharë dhe ushtruar dhunë fizike ndaj meje.
Një javë pas këtij konflikti, Erjoni, nga telefoni im ka komunikuar me Lorencin dhe e ka kërcënuar me jetë.
Shtetasi Ergis Goxhara ndër të tjera deklaron se:
Rreth orës 14:35 kur unë isha bërë gati për të dalë nga shtëpia dhe të shkoja në punë mua më ka marrë në telefon sërish babai im dhe më ka thënë se kishte plagosur Lorencin me armë.
Unë e kam pyetur i revoltuar se përse e bëri. Ne kemi biseduar disa herë pas kësaj telefonate ku ai më ka thënë që të dilja te rrethi i Shkozës pasi ne do te shkonim në zonën e Freskut pasi atij i duhej të shkonte atje.
Gjatë kohës që ne kemi komunikuar në telefon unë kam vënë re qe ai ishte në gjendje shumë të rënduar psikologjike dhe mua mu duk që ai gjatë tërë kohës ishte në panik.
Unë kam dalë në vendin ku ai më tha që ta prisja dhe gjatë rrugës që ai po vinte kemi komunikuar disa herë të tjera ku e pyesja se ku ishte dhe nëse ishte mirë.
Pasi babi ka ardhur te rrethi i Shkozës në këmbë, ne kemi marrë një taksi dhe jemi nisur për në zonën e Freskut.
Kemi ndjekur rrugën nga rrugicat ku banon ish-presidenti Bamir Topi kemi dal te restorant “Fresku” dhe më pas kemi marrë rrugën për nga zona e thesarit në Fresk.
Gjatë rrugës pasi dhe unë kam qenë shume i tronditur nga çfarë kishte ndodhur mesa mbaj mend babai im ka biseduar disa herë në telefon mesa unë kuptova me drejtues policie të cilët e pyesnin se ku ai ndodhej por babi u ka thënë qe nuk ua tregonte se ku ndodhej.
Sapo ne kemi mbërritur te zona e Thesarit të Shtetit kemi zbritur të dy nga taksia dhe shoferit të taksisë i tha të priste kurse mua më tha që ta ndiqja nga pas.
Menjëherë në këtë moment sapo ne kemi zbritur na janë afruar dy punonjës policie të veshur civil të cilët e kanë thirrur në emër babanë tim “Erjon” dhe ai sapo i pa, u largua me vrap në drejtim të rrugicave të pallateve pranë “Thesarit” duke u thënë këtyre personave që “Më mirë vras veten sesa të kalbem në burg”.
Këta persona e kane thirrur “Erjon hajde me ne”, por babi u largua me vrap dhe këta të dy e kanë ndjekur me vrap nga pas.
Menjëherë pas kësaj shoferi i taksisë u largua kurse unë kam qëndruar në trotuar dhe nga një mjet tip BMW X5 ngjyrë e bardhë mua më ka thirrur një person që të afrohesha unë kam refuzuar dhe më pas nga kjo makinë ka zbritur dajua im i cili quhet Marsel Seferi dhe është punonjës policie në dijeninë time në Strukturat Operacionale të Policisë.
Ai mu afrua dhe më mori dhe së bashku ne hipëm në mjetin BMW X5 për të cilin pasi e pyeta ai me tha se është mjet i punës.
Mua dajua pasi kam hipur në mjetin në fjalë më ka thënë se do të shkonim te Drejtoria e Policisë ku unë do të jepja deklarime për çfarë dija dhe se çfarë kishte ndodhur.
Pak a shume ky është intinerari lëvizjeve të mia dhe se çfarë ka ndodhur. Unë kaq arrij të mbaj mend pasi jam dhe shumë i tronditur psikologjikisht nga e gjitha çfarë ka ndodhur.
Ndër të tjera shtoj se midis prindërve të mi ka rreth një muaj që kanë lindur disa kontradikta dhe debate, mosmarrëveshje.
Mesa unë kam kuptuar dhe kam dëgjuar këto debate kanë lindur pasi im atë dyshonte se mamaja ime e tradhtonte atë me një koleg të punës.
Mamaja ime prej afro 5 vitesh punon si specialiste pranë ERE.
Pasi im atë e ka provokuar në lidhje me një koleg të sajin te quajtur Lorenc, mami ja ka pranuar babit që dyshimet që ai kishte në lidhje me Lorencin ishin të vërteta dhe se ajo e kishte tradhtuar.
Në deklarimin e tij shtetasi Laert Beqiri deklaron se daja i tij shtetasi Erjon Goxhara pasi ka mësuar se Griselda e ka tradhtuar, ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe shpeshherë tregonte se do vriste veten.
Më datën 19.08.2024 në prezencën e tij Erjoni dhe Griselda janë takuar ku kanë pirë kafe në një lokal në hyrje të TEG dhe kanë biseduar për të ardhmen ku Erjoni ka kërkuar që bashkëshortja e tij ti kërkonte falje por që nuk ka ndodhur nga ajo.
Ai ka tentuar ta godasë por nuk është lejuar nga nipi i tij, i cili në vazhdim nipi ka shoqëruar shtetasen Griselda Goxhara për në banesë ndërkohë që gjatë kësaj kohe ajo godiste veten me grushte në fytyrë, gërvishte dhe qëllonte veten në pjesë të ndryshme të trupit.
Nga deklarimi i shtetasit Marsel Seferi ndër të tjera ai sqaron se autori i dyshuar shtetasi Erjon Goxhara në orën 14:34 në aplikacionin Whatsapp i ka dërguar një video ku shfaqej një person i shtrirë në tokë dhe i gjakosur, ndërsa në orën 15:00 shtetasi Marsel Seferi i ka kthyer mesazh “Ça është kjo se s’po e kuptoj...”
Nga ana jonë u këqyr telefoni i shtetasit Marsel Seferi ku videoja u ruajt në CD për ti’u bashkëlidhur procesverbalit përkatës.
Në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, shtetasi Elton Rodheshi ka deklaruar se është koleg pune me shtetasin Lorenc Kosta dhe rreth orës 13:55 shtetasi Lorenc Kosta e kishte telefonuar duke i thënë që më qëlluan poshtë shtëpisë.
Pasi ka shkuar në vend shtetasi Elton Rodheshi e ka pyetur si është ndërsa Lorenci i ka thënë se e ka ndaluar shtetasi Erjon Goxhara, i ka thënë që do sqaronte diçka e më pas e ka plagosur me armë.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur me procesverbalin përkatës janë këqyrur pamjet filmike të kamerave të bizneseve të zonës përreth, ku shfaqet autori i dyshuar i cili pasi del nga një automjet tip Mitsubishi drejtohet në trotuarin në afërsi të servis “Tata”, ku në dorën e djathtë mban një armë tip pistoletë me të cilën merr drejtim qitje në pjesët e poshtme të gjymtyrëve dhe qëllon në drejtim të shtetasit Lorenc Kosta disa herë.
Provat e administruara gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë dërguar për ekzaminim të mëtejshme shkencore.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë janë siguruar prova dhe fakte se shtetasi Erjon Xhevdet Goxhara me veprime aktive për motive të dobëta xhelozie ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Lorenc Vasil Kosta, duke i shkaktuar atij dëmtime trupore.
Për sa sipër shtetasi Erjon Goxhara ka konsumuar elementë të veprave penale të Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armëve shpërthyese dhe e municionit”, parashikuar nga nenet 78, 22 dhe 278/1 të Kodit Penal.



