Janë hapur aplikimet për shfrytëzimin e hapësirave para ose në afërsi të plazheve për subjektet që disponojnë struktura akomoduese.
Vasil Bedinaj, operator turistik, në një lidhje me MCN Live deklaroi sërish janë me vonesë, por gjithsesi të gjithë janë të angazhuar si sektor privat dhe publik.
Sërish si çdo vit nuk arrijmë dot ta konkludojmë procesin. Për aplikim kanë mundësi të aplikojnë, po përpiqemi në maksimum të arrijmë se çfarë, si dhe ku do të ndodhë. Janë me vonesë, por gjithsesi të gjithë janë të angazhuar si sektor privat dhe publik.
Ai theksoi se riformimi i ligjit për hapësirat publike, pas përfundimit të kontratave 5-vjeçare të vitit të kaluar, ka detyruar shumë struktura të riaplikojnë.
Hoteleritë nuk kanë prioritete vetëm për vete; pjesa tjetër do të menaxhohet nga bashkia. Do të ketë shumë hapësira në Vlorë apo Zvërnec, ku një pjesë do të jetë hapësirë publike bosh, kurse tjetra publike, por e menaxhuar nga bashkia me tarifa të ulëta.
Bedinaj shtoi shqetësimin për vonesat institucionale dhe ndikimin e aeroportit të Vlorës.
Edhe ne nuk jemi 100% të sigurtë se si do ta rimodelojë bashkia hapësirën publike. Ndryshimet në stafet sjellin vonesa. Numri i hoteleve në Vlorë është i kufizuar dhe ka hapësira për tu përmbushur.
Çmimi i çadrave është simbolik, sepse nuk i plotësojmë të gjitha kushtet për një turizëm elitar. Por me ligjin e ri, nëse implementohet si duhet, është i duhuri.
Ngërçi më i madh mbetet aeroporti i Vlorës, ku shumë hotele kanë lidhur kontrata; nëse nuk hapet, shumë kontrata bien. Pra, edhe ky vit do të jetë me shumë stres, si çdo vit.”
Bedinaj vuri në dukje rëndësinë e sektorit privat.
Sektori privat e çon turizmin përpara. Asnjë angazhim institucional për sezonin e ri turistik nuk është i mjaftueshëm, dhe nëse aeroporti i Vlorës nuk hapet, do të kemi anulime.



