
Këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak të Tiranës pritet të kërkojnë të martën, më 23 shtator, shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili aktualisht ndodhet në masë sigurie "arrest me burg".
Megjithatë, procesi ligjor për shkarkimin e tij mbetet ende i paqartë dhe potencialisht i zgjatshëm pasi Velaij mund të ankimojë vendimin e shkarkimit të tij në Gjykatën Kushtetuese.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ish-prokurori dhe juristi Besnik Muçi deklaroi se, sipas ligjit, çdo vendim për shkarkimin e një të zgjedhuri vendor mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh dhe vetëm pas një vendimi përfundimtar të saj, shkarkimi mund të hyjë në fuqi.
Vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin e një të zgjedhuri vendor, përfshirë edhe kryetarin e bashkisë, mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese.
Ky ankim ka efekt automatik pezullues.
Pra, nëse Veliaj paraqet ankesë brenda afatit, vendimi i qeverisë pezullohet deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë kësaj periudhe, Erion Veliaj konsiderohet teknikisht si ende në detyrë.
Veliaj mbetet në detyrë derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese. Afati ligjor për shqyrtimin e çështjes në këtë gjykatë është rreth tre muaj.



