
Tre persona kanë vdekur pas tërmetit 6.4 shkallë të Rihterit dhe qindra të tjerë janë plagosur në Turqi dhe Siri, si pasojë e tërmetit të 20 shkurtit. Thellësia e këtij tërmeti ka qenë vetëm dy kilometra, sipas Qendrës Evropiane Sizmologjike.
Ekipet e shpëtimit po kërkojnë edhe një herë për njerëzit e bllokuar nën rrënoja. Lëkundjet me magnitudë 6.4 dhe 5.8 goditën në juglindje pranë kufirit me Sirinë, ku tërmete masive shkatërruan të dy vendet më 6 shkurt.
Tërmetet e mëparshme vranë 44,000 njerëz në Turqi dhe Siri dhe dhjetëra mijëra të tjerë mbetën të pastrehë. Ndërtesat e dobësuara nga këto lëkundje u shembën në të dy vendet të hënën.

Agjencia turke e fatkeqësive dhe emergjencave thotë se tërmeti me magnitudë 6.4 ndodhi në orën 20:04 me orën lokale (17:04 GMT), i ndjekur nga tërmeti 5.8 tri minuta më vonë.
Tre vdekjet ndodhën në Antakia, Defne dhe Samandag, tha Ministri i Brendshëm Süleyman Soylu, duke u kërkuar njerëzve të mos hyjnë në ndërtesa potencialisht të rrezikshme. Soylu tha se 213 persona ishin plagosur gjithashtu.
Raportet nga qyteti i Antakias flasin për frikë dhe panik në rrugë, ndërsa ambulancat dhe ekipet e shpëtimit u përpoqën të arrinin në zonat më të prekura, ku muret e ndërtesave të dëmtuara rëndë ishin shembur.
Në Siri, rreth 470 persona të lënduar thuhet se kanë vizituar spitalet pas tërmeteve të së hënës, të cilat thuhet se janë ndjerë edhe në Egjipt dhe Liban.



