
Një prej vrasësve serialë më të rrezikshëm në Mbretërinë e Bashkuar do të duhet ta vuajë pjesën e mbetur të dënimit brenda një qelie xhami transparente të ndërtuar në bodrumin e burgut britanik Wakefield.
Drejtësia britanike ka refuzuar ankesën e avokatëve të Robert Maudsley, 68 vjeç, i cili donte t’i kalonte vitet e mbetura të dënimit të përjetshëm me të burgosurit e tjerë.
Për shkak të rrezikshmërisë ekstreme që paraqet, Maudsley do të monitorohet njësoj si personazhi Hannibal Lecter në filmin "Heshtja e qengjave".
Maudsley, i lindur në Liverpul, është përgjegjës për vrasjen e katër burrave midis viteve 1974 dhe 1978. Qelia është e veshur me xham antiplumb, i ka përmasat 5.5 x 4.5 metra dhe është ndërtuar posaçërisht për të në vitin 1983.
Ai kalon 23 orë në ditë brenda, përveç të ashtuquajturës ora e ajrimit, fle në një pllakë betoni dhe përdor tualete të lidhura me bulona në dysheme. Ai ka një tavolinë dhe një karrige prej kartoni të ngjeshur, për të parandaluar përdorimin e saj si armë kundër rojeve.



