Ata që e kanë kaluar COVID-19 nuk kanë shumë gjasa të infektohen sërish për të paktën gjashtë muaj pas infeksionit të parë. Rezultatet kanë dalë nga një studim britanik i punonjësve të kujdesit shëndetësor në vijën e parë të luftës kundër pandemisë së koronavirusit.
Gjetjet duhet të ofrojnë njëfarë sigurie për më shumë se 51 milionë njerëz në të gjithë botën, që e kanë kaluar njëherë infeksionin, thanë studiuesit në Universitetin e Oksfordit.
"Ky është me të vërtetë një lajm i mirë, sepse mund të jemi të sigurt se, të paktën në një periudhë afatshkurtër, shumica e njerëzve që infektohen me COVID-19 nuk do të preken përsëri", tha David Eyre, profesor në Departamentin e Shëndetit të Popullsisë në Oxford, Nuffield, bashkautor i studimit.
Rastet e izoluara të riinfektimit me COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga virusi SARS-CoV-2, kishin ngritur shqetësime se imuniteti mund të jetë afatshkurtër dhe se pacientët e rikuperuar mund të sëmuren sërish.
Por rezultatet e këtij studimi, të kryer në një grup punonjësish të kujdesit shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar - të cilët janë më të rrezikuar përballë infektimit me COVID-19 - sugjerojnë se rastet e riinfektimit ka të ngjarë të mbeten jashtëzakonisht të rralla.
"Të qenit i infektuar me COVID-19 ofron mbrojtje ndaj ri-infektimit për shumicën e njerëzve për të paktën gjashtë muaj", tha Eyre. "Ne nuk gjetëm infeksione të reja simptomatike në asnjë nga pjesëmarrësit që ishin testuar pozitivisht për antitrupa".
Studimi, pjesë e një programi të madh të testimit të stafit, mbuloi një periudhë 30-javore midis prillit dhe nëntorit 2020. Rezultatet e tij nuk janë rishikuar nga kolegët e tjerë, por u botuan paraprakisht në faqen e internetit të MedRxiv.



