Avokati Spartak Ngjela duke folur në edicionin e lajmeve në Mcn Tv thotë se shpresa për të luftuar korrupsionin shtetëror dhe korrupsionin e drejtësisë është te SPAK-u, institucion që sipas tij drejtohet nga SHBA.
“Nuk mund të dimë si është gjithë analiza në funksion të kriminalitetit, sepse s’ka studim të thelluar për kriminalitetit, por si fenomen është pozitiv. Korrupsioni i lartë shtetëror ndien presion dhe është lëshuar i tëri për të zbutur situatën, mendoj unë. S’kanë çfarë të bëjnë sepse SPAK-u s’drejtohet nga ne. Ikën njëherë ekspertët amerikanë dhe Trump-i i ktheu sërish, këtu janë.
Shqipëria ka kaluar në një korrupsion masiv, po flas për korrupsionin shtetëror. Në të dy aspektet, edhe në strukturën shtetërore të administratës së lartë, por edhe në administratën e bashkisë. 60-70 për qind e kryetarëve të bashkive kanë qenë të korruptuar. Pyetja bëhet, në këto momente që ka filluar lufta anti-korrupsion nga SPAK-u çfarë ka sjellë? Ka sjellë shqetësim në një krah dhe presion në krahun tjetër.
SPAK-ut i kanë bërë shumë presion. Diplomacia amerikane tha para 3 vjetësh që janë dy grupe që s’funksionojnë në SPAK, ish-të korruptuar, dhe të tjerët janë të trembur. Mesa kam marrë vesh u kanë dhënë mbrojtje gjyqtarëve dhe sidomos prokurorëve të SPAK-ut. Ne shpresën te SPAK-u e kemi, dhe shpresa forcohet që drejtohet nga Uashingtoni.
SPAK-u do na shpëtojë edhe nga korrupsioni shtetëror dhe korrupsioni i drejtësisë. I kanë të gjitha dosjet, i kanë ardhur të tëra përgjimet. Dinë gjithçka, të shikojmë si do eci gjendja. Deri tani SPAK s’ka bërë pak, kanë krijuar procese penale në nivele të larta dhe kanë vënë sekuestro pronash, të shikojmë si do jenë proceset gjyqësore”.



