Në adresë të Ardian Dvoranit, Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka dërguar sot një shkresë, me të cilën e njofton për përfundimin e qëndrimit në detyrë në Gjykatën e Lartë.
Në letrën e dërguar, KLGJ i kërkon kreut të KED-së të shprehë qëndrimin e tij në lidhje me të drejtën për të ushtruar profesionin pranë Gjykatës së Apelit. Sipas KLGJ-së, Dvorani duhet ta japë me shkrim qëndrimin e tij dhe për këtë ka afat 1 javë.
Me përfundimin e mandatit në Gjykatën e Lartë, Dvorani do të largohet edhe nga KED, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për shkak të detyrës si anëtar në institucionin e lartpërmendur.
Mandati i Dvoranit më herët shkaktoi përplasje mes këtij të fundit dhe presidentit Ilir Meta, i cili e akuzoi për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit. Meta nuk u ndal vetëm me akuzat, pasi edhe e paditi kreun e Emërimeve në Drejtësi, veprimet e të cilit për emërimin në Gjykatën Kushtetuese i konsideroi shkelje të ligjit dhe Kushtetutës.



