
Sipas UNESCO-s, arbërishtja është klasifikuar si një gjuhë në rrezik zhdukjeje. Megjithatë, komuniteti arbëresh në Itali ka arritur ta mbajë të gjallë gjuhën amtare për më shumë se pesë shekuj.
I ftuar në "MCN Informacion", Fatmir Toçi, autor i enciklopedisë "Arbëreshët, Shqiptarët e Italisë", tha se, pavarësisht rrezikut që i kanoset arbërishtes, sot në Itali janë identifikuar 50 komuna të konsoliduara ku kjo gjuhë vazhdon të flitet.
Arbërishtja është një fenomen i jashtëzakonshëm.
Është e rrallë që një komunitet i shkëputur nga trungu amë të arrijë ta ruajë gjuhën për më shumë se pesë shekuj.
Historia e arbëreshëve është historia e një shkëputjeje të plotë nga zhvillimet që ndodhën në Shqipëri në atë kohë.
Nga mbi 650 vendbanime arbëreshe që kanë ekzistuar ndër shekuj, për shkak të ngjarjeve historike, ndryshimeve të fesë dhe faktorëve të tjerë, sot kemi 50 komuna të konsoliduara ku arbërishtja vazhdon të flitet.
Fakti që kjo gjuhë është ruajtur për pesë shekuj është vërtet mbresëlënës.
Nga ana tjetër, kryetari i komunës së San Giorgio Albanese, Gianni Gabriele, tha se ndryshimet shoqërore dhe martesat jashtë komunitetit arbëresh kanë ndikuar në dobësimin e përdorimit të gjuhës.
Komuniteti arbëresh ka treguar një aftësi të jashtëzakonshme për ta ruajtur gjuhën.
Për shumë vite, martesat mes arbëreshëve nga zona të ndryshme, por brenda komunitetit, bënë të mundur që gjuha të transmetohej brez pas brezi.
Fatkeqësisht, sot kjo po ndryshon. Martesat po ndodhin gjithnjë e më shumë jashtë komunitetit dhe kjo ka sjellë dobësimin e gjuhës arbëreshe.
Ne duam ta ruajmë gjuhën, sepse kur një popull humbet gjuhën, humbet edhe identitetin e tij. Arbërishtja është ajo që na dallon nga komunitetet e tjera dhe si e tillë duhet të mbrohet.
Sipas z.Gabriele, zgjidhja është futja e arbërishtes në sistemin arsimor.
Hapi më i rëndësishëm është ta çojmë arbërishten në shkolla.
Vetëm kështu mund ta mbajmë gjallë. Kam frikë se, nëse nuk veprojmë tani, pas 20 ose 30 vitesh ajo mund të zhduket.



