Gazetarja Ola Xama tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se nuk është vendosur drejtësi në lidhje me hetimin e skemës së mikrokredive, dhe nuk ka asnjë “peshk të madh” të hetuar në këtë dosje.
Xama vë në dukje se kemi pasur raste të bllokimit në masë të llogarive bankare të familjarëve të debitorit dhe tjetërsim pronash në masë, por institucionet e kanë lejuar dhe toleruar skemën që të lulëzonte.
Sipas saj dy institucionet kryesore që duhet të vepronin për ndaljen e abuzimit janë Ministria e Drejtësisë dhe Banka e Shqipërisë. Ndërkaq nuk janë hetuar as bankat, Kadastra, apo institucione të tjera.
“Në total dyshohet për një dëm 37 milionë euro, por bëhet fjalë për 30 mijë familje, që çfarë kanë patur kursime të jetës apo pasuri, u janë marrë në mënyrë abuzive nga MCA dhe Final, dhe nga disa administratorë, pronarë dhe përmbarues privat që kanë lehtësuar skemën me ndihmën e institucioneve.
Nëse shohim si hetimin e prokurorëve të Tiranës, si dhe hetimin e SPAK, sa i takon implikimin e institucioneve, në tolerimin dhe lejimin e kësaj skeme, s’shohim asnjë përgjegjës. Dy nga institucionet kryesore që duhet të vepronin për të ndalur abuzimin janë Ministria e Drejtësisë dhe Banka e Shqipërisë. Ministria e Drejtësisë, vet ministri është i vetmi që mund të revokojë licencën e përmbaruesit privat, dhe nëse është konstatuar mijëra raste kur përmbaruesi ka dalë nga tagri ligjor duke interpretuar vendimin e gjykatës, duke disafishuar vlerën, kemi të bëjmë me një abuzim.
Pas ankesave të qytetarëve është kapur nga ministrja e Drejtësisë Gjonaj që ka bërë një kallëzim në SPAK në shkurt 2020. Është ushtruar një ekzaminim nga Departamenti i Mbikëqyrjes së BSH në Final, ku niveli i shkeljeve ka dalë më i larti 4, edhe pse ky raport ka qenë në tryezën e guvernatorit, s’janë marrë masa. Skema më pas është sofistikuar edhe më shumë, në momentin që ministrja e Drejtësisë Gjonaj ka revokuar licencat e disa përmbaruesve, të njëjtët persona ortakë të MCA e Final kanë hyrë në marrëdhënie me disa përmbarues të tjerë me licenca.
Edhe përmbaruesit s’kanë dorëzuar dosjet e përmbarimit, materialet dhe praktikat, në mënyrë që t’i trashëgohej një përmbaruesi tjetër, ministri i Drejtësisë s’ka depozituar kallëzim penal për këta, por e ka bërë një vit më vonë pasi u bë një skandal mediatik. Merreshin të dhënat personale të familjarit, bashkëshortit, kunatit, vëllait. Kemi raste të bllokimit në masë edhe të llogarive të familjarëve të debitorit. Janë tjetërsuar prona në masë. Skema ka lulëzuar dhe nga institucionet s’kemi asnjë përgjegjës.
S’kemi as reflektim që ka gap-e ligjore, që të ndërmerrej ndonjë nismë që të ndryshonin ligjin. Nuk ka asnjë peshk të madhe në këtë dosje. Presim tjetër hetim paralel lidhur me dyshimin për shpërdorim detyre të guvernatorit Genc Sejko lidhur me lejimin e këtyre skema. Çështja është drejt përfundimit të afateve dhe prokurorja ka marrë ende më shumë kohë për hetimet. SPAK jo vetëm s’i ka bashkuar këto të dyja në një hetim të vetëm, por s’kemi ende asnjë përgjigje për implikimin e guvernatorit.
Ne ligje kemi dhe s’i zbatojmë. Edhe kur i hetojmë s’bëjmë asnjë shembull. Lekët e kimios shkonin për të paguar disa fish vlerën e kredive të abuzuesve të vjen për të qarë. Institucionet duhet ta sinjalizonin dhe s’duhet ta toleronin. Kur të vijnë 70 kërkesa në ditë për regjistrimin e pronave për subjektin MCA, ka diçka që s’shkon. Për MCA dhe Final dyert e Kadastrës ishin të hapura për regjistrimin. S’e ka zbardhur Prokuroria. Janë gjetur gjurmët e parave te llogaritë e administratorëve dhe pronarëve të këtyre skema. Ku kanë shkuar gjysma e parave? Patjetër gjysma kanë shkuar për të korruptuar institucionet që s’kanë vepruar. Patjetër që s’është vënë drejtësia. S’shoh një dëshmi nga një institucion te kjo dosje”.



