Ishte viti 2013 kur për herë të parë Partia Socialiste do të premtonte taksën zero për bizneset e vogla.
Qëllimi ishte stimulimi i nismave të reja, mbështetja e më të vegjëlve dhe të pamundurve, taksimi më i lartë për të më të pasurit, një filozofi e bazuar në frymën e majtë që kishte synim të prodhonte politika sociale.
Tatimi mbi fitimin deri në vitin 2013 ishte 10% për të gjitha kategoritë e bizneseve.
Në vitin 2014, përmes paketës sociale, kabineti i parë i qeverisë Rama do të propozonte përjashtimin nga tatimi mbi fitimit të biznesit me xhiro deri në 2 milion në vit duke e detyruar atë të derdhte një pagesë fikse në nivelin 25 mijë lekë dhe do të shtrinte progresivitetin në 7.5 % për sipërmarrjet me të ardhura vjetore nga 2 në 8 milion lekë dhe 15% për ato mbi 8 milion lekë të ardhura vjetore.
Një vit përpara zgjedhjeve të vitit 2017, ndryshon sërish taksimi, duke bërë 0 taksën për bizneset me xhiro deri në 5 milion lekë, 5% për ata mes fashës 5 deri në 8 milion lekë xhiro dhe 15% për korporatat.
“Ne kemi një problme në aspektetet fiskale sepse çdo qeveri vjen me një premtim të caktuar dhe çdo biznes, sidomos ata të huaj vijnë dhe dhe stacionohen te këto premtime. Sapo merret pushteti nisin dhe ndryshimet fiskale. Për vende si Shqipëria modeli nuk duhet të bazohet te kategorizimi i shumtë i taksave, por të jetë më i thjeshtë”, thotë pedagogu i Ekonomisë Gjergji Tafa.

“Për çfarë ka nevojë një biznes? Për siguri. Pra, unë ta di që sot se sa do të jetë barra fiskale për 15 vjet. Ka shumë biznese që i bëjnë projeksionet dhe 50-vjeçare, ka vende si Britania e Madhe që kanë me dhjetra vite pa i prekur ligjet fiskale sepse parimi i sigurisë juridike në investime është shumë i rëndësishëm. Pasiguria juridike është e kundërta e kësaj, është sjellje që e detyron investitorin të tërhiqet vetëm për shkak të kësaj”, thotë eksperti i Ekonomisë Pano Soko.
Ndryshimi i shpeshtë i shkallës tatimore bëri që shoqatat e biznesit, sidomos ato me kapital të huaj të kishin kërkesë të parë qëndrueshmërinë e ligjeve fiskale.
Një nga goditjet më të mëdha që iu bë bizneseve të vogla ishte përfshirja në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar, pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2017 nga Partia Socialiste.
Nisma për përfshirjen e sa më shumë bizneseve në skemën e tatimit u kundërshtua dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Një rast i rrallë ky, pasi Fondi gjithnjë ka mbështetur zgjerimin e bazës së tatimpaguesve. Këtë herë kjo masë thyente aksiomën e efiçencës së kontrolleve. Logjika është e tillë: një administratë nuk mund të shpenzojë për të monitoruar taksapaguesit më shumë se sa do të vjelë të ardhura nga ta.
“Përfshirja e biznesit të vogël në TVSH ka rënduar administratën tatimore si dhe ka shtuar kostot e bizneseve. Kjo lëvizje nuk ka sjellë asnjë efekt pozitiv as për të ardhurat në buxhet”, do të shprehej Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Të ardhurat në buxhet nga TVSH u shtuan modestisht, por ndryshimi rriti kostot për shumë biznese të vogla. Gjatë pandemisë së vitit 2020 një pjesë e mirë e bizneseve të vogla ishin në rrezik ekzistence. Një vit më pas ishin zgjedhjet e përgjithshme, ndaj dhe politika fiskale ndaj tyre ndryshoi 360 gradë.
Në paketën Shqipëria 2030 qeveria propozoi që të gjitha bizneset me xhiro deri në 14 milion lekë në vit nuk do të paguanin tatim mbi fitim dhe ata me xhiro deri në 10 milion do të përjashtoheshin nga skema e tatimit mbi vlerën e shtuar.
Kjo pikë u shkrua dhe në programin qeverisës të Partisë Socialiste.
“105 mijë biznese të vogla, në të cilët janë punësuar 150 mijë shqiptarë sot paguajnë ZERO tatim fitimi, duke kursyer 200 milionë dollarë. Ndërsa 100 bizneset më të mëdhenj, falë taksës progresive sot paguajnë 460% më shumë taksa nga sa paguanin me taksën e sheshtë”, thuhet në programin qeverisës 2021-2025.
Në ndryshim nga programi që premton tatim mbi fitimin 0 për të gjithë bizneset deri në vitin 2030 në përputhje me planin e rimëkëmbjes, tashmë në skemën e tatimit përfshihen 29 mijë biznese, duke bërë që të përfitojnë nga kjo masë në të vërtetë 76 mijë sipërmarrje.
E gjithë kjo filozofi për të rritur në mënyrë eksponenciale taksën për këtë kategori ndryshoi pas zgjedhjeve. Ashtu siç thonë ekspertët e fiskut, buxheti nuk mbahet dot pa taksa dhe masa të tilla që çedukojnë tatimpaguesin duke i hequr ato dëmtojnë rëndë sistemin fiskal.
“Shteti ka tendencën që të akumulojë të ardhura dhe padyshim që këto të ardhura vijnë si rezultat i tatim-taksave, porn ga ana tjetër shteti duhet të gjykojë dhe të marrë në analizë dhe kategorinë që japin konsulenca, por kjo nuk mund të jetë një taksë kaq e lartë 15 dhe 23% dhe aq më tepër që po merret në formë paradhënie”, thotë pedagogu i Ekonomisë Gjergji Tafa.
Nisma e re ligjore e prezantuar në Këshillin Tatimor në verën e vitit 2022 parashikonte rikthimin e taksimit për profesionet e lira dhe një rritje të fortë të normës tatimore në 15% për kategorinë me xhiro deri në 14 milion lekë në vit dhe mbi këtë xhiro taksa bëhet 23% e fitimit!
Në kategorinë e për profesionet e lira të regjisruara përfshihen shtresa e mesme e shoqërisë, nga noterë, avokatë, kontabilistë, arkitektë, inxhinierë, IT, dentistë dhe mjekë.
“Për individët tregtarë, të vetëpunësuarit, si dhe entitetet me të ardhura bruto deri 14 milionë lekë në vit, norma e tatimit mbi të ardhurat 0% do të aplikohet deri më 31 dhjetor 2029. Norma e tatimit 0% nuk aplikohet për tatimpaguesit të cilët furnizojnë shërbime profesionale”, thuhet në ligjin e Tatimit mbi të Ardhurat
Kryeministri deklaroi se lajmi i një projektligji të tillë nuk ishte i vërtetë, ndërsa Ministria e Financave vendosi që të shtyjë diskutimin në Kuvend për në vjeshtën e vitit 2023, duke shtyrë hyrjen në fuqi të ligjit me 1 vit, ose 6 muaj pas zgjedhjeve vendore.
“Ky është një kaos i organizuar që duket që i vetmi qëllim që ka është rritja e të ardhurave në buxhet. As kjo nuk shpjegohet sepse shteti sot nuk ka nevojë për të ardhura sepse ka patur periudhë inflacioni. Projeksionet janë që deri në fund të vitit 2030 kur të zbuten efektet e inflacionit qeveria nuk do të ketë nevojë për të ardhura, por qytetarët po, sepse ata e paguajnë koston e inflacionit”, thotë eksperti Pano Soko.
Ligji hyri në fuqi në janar të këtij viti, por gjatë procesit të diskutimit nuk pati përplasje apo kundërshti të mëdha.
Duket se pagesat e reja kanë rënduar tashmë xhepat e 29 mijë profesioneve të lira të cilët kanë vendosur që të ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese nenet e taksmiit 15 dhe 23 % duke argumentuar se preket parimi i barazisë përpara ligjit.
“Interesi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike është për të mbrojtur profesionet e lira dhe interesin publik se si impaktohen ata nga kjo rritje taksash siç është rritja e çmimeve. Ne kemi kundërshtuar nenin e normës tatimore 15 dhe 23% sepse preket parimi i sigurisë juridike sepse qytetarët dhe bizneset nuk mund të jetojnë me frikën se qeveria do të përkeqësojë gjendjen e tyre ekonomike. Preket dhe parimi i diskriminimit pasi trajtohen ndryshe biznese të ndryshme, sepse dhe profesionet e lira në thelb janë biznese”, shprehet Marash Logu, avokat dhe këshilltar i grupit parlamentar PD.
Padia u depozitua fillimisht nga deputetët e Partisë Demokratike e më pas iu bashkuan kësaj nisme me padi të tjera 3 organizata që përfaqësojnë profesionet e lira: Instituti i Kontabilistëve të Miratuar, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar dhe shoqata e Avokatëve.
4 janë pikat që për këto grupe interesi prekin parimet kushtetuese: Barazia përpara ligjit pasi profesionet e lira trajtohen ndryshe nga bizneset e tjera që ushtrojnë aktivitet në fushën e tregtisë apo ndërtimit. Shkelja e të drejtës themelore të lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe profesionit, cënimi i parimit të sigurisë juridike për shkak të ndryshimit të shpeshtë të nivelit të taksimit dhe cënimi i rezervës ligjore në fushën tatimore.
Ligji i konsideron profesionet e lira të vetëpunësuar si të punësuar, ndërsa biznese të vogla ata që ushtrojnë veprimtari tregtare.
Koncepte që bien ndesh dhe me Kodin e Punës, pasi trajtojnë njësoj të punësuarin me të vetëpunësuarin dhe tatojnë punën, lodhjen dhe trurin e profesionistit, ndërsa i vendosin taksë zero një biznesi që shet mallra.
Detyrimet që ka punëmarrësi për një të punësuar dhe trajtimi që ky i fundit merr nuk krahasohet me një të vetëpunësuar, që nga ditët e pushimit, leja ose mungesa kur sëmuret, orari i punës dhe risku për të gjetur punë dhe treg. Shumica e të vetëpunësuarve punojnë jashtë orarit, detyrohet të jenë në punë dhe në ditët pushim, nuk i paguan askush ditën e punës kur mungon dhe lejen vjetore dhe vare gjithmonë nga rreziku për të gjetur klientë.
“Një punëmarrës ka orar të caktuar pune, nuk ka rsik dhe nuk paguan qira, ujë, drita, taksa, punonjës, apo fatura të shpenzimeve operative. Nuk ka risk për të gjetur klientë dhe nuk merr përsipër asnjë risk që merr një vetëpunësuar. Për më tepër që nuk ka orar pune dhe mbrojtjen që i jep një punëmarrësi Kodi i Punës, janë dy koncepte krejtësisht të ndryshe”, thotë avokati Marash Logu.
Në vende të ndryshme perëndimore qeveritë ndihmojnë këto kategori duke i përjashtuar për disa vjet nga sigurimet shoqërore, lehtësuar taksat ose duke i lënë një nivel taksimi modest. E gjithë logjika që zbatohet me mbështetjen e kësaj kategorie është jo vetëm zhvillimi i tregut të profesioneve që zhvillojnë ekonominë, por shtetit do t’i kushtonte më shumë nëse do t’i paguante një profesionisti të papunë asistencën.



