
Vajza e aleatit të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin është vrarë pranë Moskës. Darya Dugina vdiq ndërsa po kthehej me makinë për në shtëpi, tha komiteti hetimor i Rusisë.
Mendohet se objektivi i synuar i sulmit mund të ketë qenë babai i saj, filozofi rus Alexander Dugin, i njohur si "truri i Putinit". Dugin është një ideolog i shquar ultra-nacionalist që besohet të jetë i afërt me presidentin rus.
Alexander Dugin dhe vajza e tij ishin ftuar si të ftuar nderi në një festival pranë Moskës, ku filozofi mbajti një ligjëratë.
Festivali "Tradita" konsiderohet si një festival familjar për artdashësit, i cili zhvillohet në pronën e Zakharovos ku dikur ka qëndruar poeti rus Aleksandër Pushkin.
Pavarësisht se nuk mban një pozicion zyrtar në qeveri, babai i Duginas është një aleat i ngushtë i presidentit rus dhe madje është quajtur "Rasputini i Putinit". Vajza e filozofit, Darya Dugina, ishte një gazetare e njohur që mbështeti publikisht pushtimin e Ukrainës.
Në fillim të këtij viti ajo u sanksionua nga autoritetet e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, që e akuzuan 30-vjeçaren se ka kontribuar në "dezinformimin" në internet në lidhje me pushtimin e Rusisë.
Në një intervistë të muajit maj, ajo e konsideroi luftën si “përplasje qytetërimesh” dhe u shpreh krenare për faktin që së bashku me babanë e saj ishin sanksionuar nga Perëndimi.



