Turistët që ngjiten natën në vullkanin Etna të Siçilisë me atlete dhe veshje të lehta për të parë nga afër shpërthimin e vazhdueshëm mund të rrezikojnë jetën e tyre, paralajmëruan të premten shërbimet e shpëtimit.
Vullkani italian, më i lartë dhe më aktiv i Evropës shpërtheu në mënyrë spektakolare javën e kaluar, duke ndriçuar qiellin e natës me shpërthime dhe llavë të shkrirë të kuqe të ndezur.
“Ne kishim një numër personash që humbën dhe nuk mund të gjenin rrugën e tyre për shkak të mjegullës që u shfaq papritmas. Kalimi i një nate jashtë në këto temperatura mund të jetë shumë i rrezikshëm”, tha të premten Leonardo La Pica, presidenti rajonal i Shërbimit të Shpëtimit Speleologjik Alpin të Siçilisë.
Duke folur për transmetuesin Radio24, La Pica tha se rrjedha e llavës kishte arritur në zona më të aksesueshme se zakonisht, në rreth 1850 metra mbi nivelin e detit.
Kjo ka bërë që shumë turistë të dalin jashtë natën kur shpërthimi është më piktoresk.
Por sipas tij, disa prej tyre nuk janë të pajisur siç duhet dhe shpesh i afrohen llavës, duke rrezikuar që të goditen nga copa shkëmbore të hedhura nga shpërthimet.
“Toka është e papërshkueshme, me akull dhe borë, është ftohtë dhe moti mund të ndryshojë papritur”, shtoi La Pica.



