
Policia e Tiranës ka vënë në pranga 42-vjeçarin Klered Bozhanaj, i dyshuar për plagosjen e efektivit të “Shqiponjave”, Edlir Alleshi. Sipas informacioneve zyrtare, kapja e tij u bë pas kërkimeve intensive që prej mbremjes së djeshme, ndërsa është sekuestruar edhe arma me të cilin u qëllua punonjësi i policisë.
Klered Bozhanaj u arrestua moomentin kur po tentonte të futej në banesën e tij, e cila ndodhet pranë vendit ku ndodhi ngjarja, në rrugën “Hysen Xhura”, në zonën e Kinostudios në Tiranë. Efektivët ishin pozicionuar edhe pranë banesës së tij. Fillimisht, 42-vjeçari shfaqi rezistencë duke debatuar me punonjësit e policisë.
Në operacionin për arrestimin e Bozhanajt morën pjesë më shumë se 600 efektivë policie.
Edlir Alleshi, efektiv i repartit Shqiponja, po patrullonte në zonë, në rrugën “Hysen Xhura”, kur rreth orës 18:55 të mbrëmjes së djeshme, bashkën me kolegët e tij dalluan një person të dyshimtë.
Alleshi mori dy plumba në zonën e barkut e pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje, gjendja e tij u stabilizua dhe u deklarua jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë;
Policia vë në pranga autorin e plagosjes me armë zjarri të punonjësit të Policisë mbrëmjen e djeshme.
Në vijim të veprimeve kërkimore të kryera nga strukturat e DVP Tiranë, për kapjen e autorit të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, shtetasit Klered Bozhanaj, 42 vjeç, i cili ka tentuar të vrasë me armë zjarri punonjësin e Policisë, inspektor E. A., ju informojmë se:
Gjatë kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit Klered Bozhanaj, strukturat e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar autorin e dyshuar.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë, e përdorur gjatë krimit.



