
Një hetim i policisë italiane ka zbuluar një skemë të pastrimit të parave, duke i nxjerrë ato jashtë vendit, kryesisht drejt vendeve të Ballkanit. Sasi të mëdha parash, shpesh edhe në ar, janë transportuar përmes fluturimeve turistike apo edhe udhëtimeve të zakonshme, me qëllim riciklimin e tyre. Guardia di Financa, Rojat Bregdetare dhe Fronteks kanë marrë pjesë në zbardhjen e kësaj skeme. Vetëm gjatë vitit 2018 dhe 2019 janë kryer mbi 24 mijë kontrolle, të cilat kanë zbuluar se rreth 2.4 miliardë euro janë ricikluar përmes kësaj skeme.
Hetuesit në Torino thonë se fenomeni është rritur vitet e fundit dhe teknikat e nxjerrjes së parave jashtë vendit janë shtuar. Hetimet e kryera në të gjithë vendin kanë çuar në arrestimin e 408 personave dhe sekuestrimin e 661 milionë eurove. Dy vendet drejt të cilave janë dërguar për t’u pastruar para janë Sllovenia dhe Hungaria.
Për zbulimin e rasteve janë mbajtur nën monitorim sidomos personat që udhëtonin shpesh jashtë vendit. Një prej operacioneve më të rëndësishme, “Milepiedi”, në Torino ka sekuestruar 5 milionë euro të një çifti sipërmarrësish kinezë, të cilët tregtonin veshje të falsifikuara, bënin deklarim të rremë të të ardhurave dhe shmangnin taksat.



