Eksperti i epidemive virale: Kjo është vetëm maja e ajsbergut

Eksperti i epidemive virale: Kjo është vetëm maja e ajsbergut

Koronavirusi u ka marrë jetën deri tani mbi 13 mijë personave në gjithë botën (shifrat e datës 21 mars), ndërsa pothuajse një miliard të tjerë janë izoluar në shtëpi. Por ndërsa mbi 35 shtete e kanë ulur në minimum ndërveprimin social për të ulur kurbën që do të çonte në kolaps sistemet shëndetësore, David Ho, ekspert i epidemive virale, thotë se kjo është vetëm maja e ajsbergut. Ho është i angazhuar prej disa dekadash në luftën kundër virusit HIV/AIDS. Ai e ka nisur karrierën e tij në Los Angeles, aty ku e pati origjinën sëmundja, me rastin e parë në fillim të viteve 1980. Në vitin 1996, revista "Time" ia ka njohur kontributet në luftën kundër AIDS-it, duke e zgjedhur Njeriun e Vitit. Ai sjell si modelin më të mirë në menaxhimin e krizës së epidemisë rastin e Kinës dhe të Koresë së Jugut. Ai thekson rëndësinë e testeve të aksesueshme për të gjithë, të cilat presin dritën jeshile të FDA-së.

Ho është aktualisht studiues në qendën kërkimore "Aaron Diamond", në Columbia University. Intervista është dhënë për Caltech.edu. 

Cilat janë karakteristikat e koronavirusit?

COVID-19 zakonisht shkakton ethe dhe kollë të thatë. Dikush mund të ketë dhimbje në trup — muskujt — dhe nëse është një rast i rëndë, atëherë do të kishte gulçim për shkak të pneumonisë.

Mund të shfaqen edhe simptoma gastrointestinal, por ato janë tregues i rasteve më të rënda. Sekrecionet nga hundët nuk janë tipike, por as dhimbja e fytit nuk është parë në të gjitha rastet.

Periudha e inkubacionit nga ekspozimi deri në shfaqjen e simptomave është midis katër dhe gjashtë ditë. Pra për një periudhë të tillë kohore, ti mund ta kesh virusin dhe nuk e di që e e ke. Duke parë rastet e deritanishme, në 95-98 për qind të rasteve kjo periudhë lëviz nga tre deri në 10 ditë. Është shumë e rrallë të ketë një periudhë inkubacioni jashtë këtij diapazoni.

Çfarë është ajo që e bën këtë virus kaq të rrezikshëm?

Ajo që shqetëson është se zona ku vendoset virusi, në gojë ose hundë, është shumë, shumë e zakonshme dhe mund të jetë aty që përpara fillimit të simptomave. Kjo është arsyeja pse transmetimi mund të ndodhë nga individë asimptomatikë. Dhe virusi mund të jetë aty për ditë deri në tre javë pasi i sëmuri shërohet. Kjo është jashtëzakonisht shqetësuese për përhapjen e këtij virusi. Për më tepër, stabiliteti i këtij virusi është gjithashtu shqetësues. Në sipërfaqe bakri ose kartoni, mund të mbijetojë rreth një ditë. Por nëse është në sipërfaqe prej çeliku ose plastike, mund të jetojë aty për rreth 72 orë, megjithëse infektiviteti zvogëlohet me kalimin e kohës.

Çfarë dimë për biologjinë e virusit?

Virusi është shumë i lidhur me një koronavirus tjetër të quajtur koronavirusi SARS. Kjo ishte një epidemi që ndodhi në mbarë botën 17-18 vjet më parë, kryesisht në Kinë dhe Azi.

Të dy viruset janë identikë në masën 80 për qind. Ne e dimë se origjina e SARS ishte nga një lakuriq dhe kaloi te njeriu përmes një maceje të llojit civet (civet cat).

Një virus tjetër i quajtur virusi respirator i Lindjes së Mesme, MERS, gjithashtu e pati origjinën te lakuriqi dhe devetë e infektuara ua kaluan njerëzve. Për COVID-19, ne besojmë se bartësi origjinal mund të ketë qenë një lakuriq, sepse ajo kafshë mbart një virus që është 97 për qind identik me atë që ne po shohim tani. Për shkak të shpërthimit të SARS dhe MERS dhe hulumtimeve të bëra mbi ato dy patogjene, ne tani dimë disa gjëra koronaviruset.

Përhapja filloi në Kinë. Si e menaxhuan ata virusin?

Kjo epidemi u identifikua së pari në disa raste me pneumoni në dhjetor 2019. Nëse kthehemi pas në kohë, duhet t ëkujtojmë se pati raste të shpërndara në nëntor sipas zyrtarëve kinezë. Unë do të thoja që fillimisht kishte gabime dhe mungesë transparence që kontribuan në shpërthimin eksploziv në qytetin Vuhan në provincën qendrore të Hubeit. Kjo epidemi në Kinën qendrore përbën 85 për qind të rasteve të konfirmuara në Kinë. Ajo bëri që zyrtarët e Pekinit të karantinojnë tërë krahinën prej 50 milionë banorësh. Epidemia arriti kulmin në fillim të shkurtit me 4 000 raste të diagnostikuara çdo ditë. Por që nga bllokimi dhe masat drakoniane të aplikuara, numri i rasteve të reja çdo ditë po përgjysmohet çdo javë. Pjesa tjetër e provincave të Kinës gjithashtu aplikuan masa shumë të ashpra dhe ato me të vërtetë sheshuan me sukses kurbën jashtë provincës Hubei.

Ne e dimë se çfarë ata kanë bërë nuk është zgjidhje përfundimtare dhe shtrohet pyetja: Çfarë do të bëjë Kina tani nëse lehtëson masat e kontrollit të infeksionit? Disa nga pacientët e rikuperuar janë ende rrezik potencial për infeksion dhe tani Kina gjendet e rrethuar nga vendet fqinjë, ku infeksioni është shumë i lartë. Me siguri nëse ata hapin kufijtë e tyre, infeksioni do të hyjë në të njëjtën mënyrë siç hyri në ShBA. Bota po pret të shohë se çfarë do të bëjë Kina.

Për sa u përket SHBA-ve, ne padyshim do të shohim një rritje eksponenciale. 10 400 rastet e konfirmuara janë një përllogaritje bruto. Mungesa e testimit është e turpshme. ËShtë një dështim i plotë i lidershipit.

Cilat janë testet që na duhen për të zbuluar infeksionin koronavirus?

Të gjithë flasin për testimin dhe kjo në të vërtetë i referohet testimit PCR [reagimi i zinxhirit polimerazë], që kërkon ARN-në virale për të përcaktuar nëse një person është i infektuar. Por ende nuk është folur për testimin e antitrupave për të përcaktuar se cilët njerëz e kanë pasur atë dhe janë imunë, dhe kjo është një tjetër mjet i rëndësishëm për të luftuar këtë epidemi. Shumë laboratorë hulumtues në të gjithë vendin (SHBA), tani mund të bëjnë teste antitrupash për të testuar popullatën, dhe rezultatet mund të na tregojnë se sa është shkalla e depërtimit të këtij patogjeni në komunitetet tona. Ne, mbi bazën e kërkimit, jemi duke u kujdesur për të kuptuar shkallën e infeksionit në Nju Jork dhe jashtë tij.

Çfarë është testimi i shpejtë për të cilin po flitet?

 Është pothuajse si një test i shtatzënisë në shtëpi ose një test HIV në shtëpi. Këto teste kanë qenë në përdorim për një kohë të gjatë. Testi, të cilit po i referohem konkretisht, i dalë nga Kina dhe Koreja e Jugut, dhe i aprovuar në Evropë, është një test i antitrupave. Vendosni një pikë gjaku në një ndarje plastike, shtoni një pikë tjetër të tamponit që vjen me testin, dhe e lini për 15 minuta. Pastaj, ju shikoni vijat. Ju jeni negativ nëse keni vetëm një të tillë dhe jeni pozitiv nëse keni më shumë se një. Testi gjithashtu ju tregon llojin e antitrupave. Ekziston një lloj antitrupi i quajtur IgG [imunoglobulinë G] dhe një lloj tjetër i quajtur IgM [imunoglobulin M]. Në mënyrë tipike, kur një person është i infektuar, përgjigja IgM është më e hershme dhe përgjigja IgG është më vonë. Të dy fashat tregojnë rrjedhën e infeksionit.

Ky lloj testi është i disponueshëm në të gjithë botën për HIV. Teknologjia është, testet janë. Por ato nuk janë aprovuar nga FDA. Ndërsa unë mendoj se është koha të aprovohen, ne kemi lënë disa javë të kalojnë dhe për mua është tragjike.

A do të jetë ky koronavirus sezonal?

Të gjithë po pyesin nëse ky virus do të vojojë gjatë. Fillimisht, bazuar vetëm në atë që bëri Kina me SARS-in shumë kohë më parë, kishte shpresë se moti i ngrohtë dhe më shumë rrezet e diellit do të ndihmonin në vrasjen e virusit në mjedisin tonë dhe për këtë arsye prisnin uljen e shkallës së transmetimit.

Por tani ky virus ka fituar një terren kaq të fortë në popullatën njerëzore. Ai është tashmë tashmë 25 herë më i përhapur se SARS-i dhe është ngulitur në hemisferën jugore. Nëse shikoni Australinë, Afrikën e Jugut, Argjentinën, Brazilin, tashmë ka raste, dhe transmetimi në komunitet po ndodh. Me ndryshimin e motit, ndoshta hemisfera veriore do të fitojë një avantazh. Por epidemia në hemisferën jugore do të përshpejtohet.

Në terma afatgjatë mund të ngjasojë me gripin, që do të thotë se të kemi periudha sezonale, pra virusi tkurret dhe avancon midis hemisferave veriore dhe jugore. Kjo mund të jetë thjesht spekulim, por është ajo që shohim zakonisht me gripin.

Pse COVID-19 ka më pak ndikim tek fëmijët dhe më shumë ndikim tek të moshuarit?

Epo, pjesa e fundit është e lehtë. Njerëzit e moshuar në përgjithësi e përballojnë më me vështirësi çdo lloj infeksioni të frymëmarrjes, përfshirë gripin dhe SARS. Kështu që është vetëm skenari tipik ai që ne shohim. Fëmijët, megjithatë, mbetem një mister. Siç e dini, fëmijët zakonisht infektohen shumë shpejt nga gripi ose viruse të tjera të frymëmarrjes dhe i çojnë në shtëpi, ku infektojnë prindërit. Por në këtë rast të veçantë, numri i fëmijëve të infektuar në Kinë, pas studimeve në shkallë të gjerë, nuk tregon të njëjtën panoramë.

Pasi një person të shërohet nga virusi, për sa kohë vijon të jetë ende burim infeksioni?

Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme. Nuk jemi të sigurt; një individ në Kinë u vu re se mbeti burim i virusit për më shumë se një muaj. Por në mënyrë tipike, ne kemi parë një periudhë tre-javore nga fillimi i simptomave.

Çfarë duhet të bëjmë për të kufizuar përhapjen e kësaj epidemie?

Strategjitë e distancimit social dhe higjienës së mirë janë zbatuar me sukses, për shembull, në Korenë e Jugut, për të ulur epideminë. Ata janë i vetmi vend, përveç Kinës, që e ka sheshuar rrafshuar kurbën - ngadalësoi numrin e infeksioneve të reja për të mos kolapsuar sistemin e kujdesit shëndetësor - dhe gradualisht e vuri nën kontroll këtë epidemi. Ka shumë vende që kanë bërë një punë mjaft të mirë për të mos lejuar që të shpërthejë epidemia, të tilla si Tajvani dhe Hong-Kong. Këto janë vende që kishin mjaft përvojë në luftimin e SARS-it, 17 vjet më parë.

A jeni optimist se këto masa, të kombinuara edhe me kërkimet shkencore, do të jenë të mjaftueshme për të luftuar koronavirusin?

Unë personalisht besoj se do ta mundim këtë epidemi, por mendoj se kemi humbur katër deri në gjashtë javë të mira, kryesisht për shkak të mungesës së testimit dhe mungesës së përgatitjes paraprake. Por unë mendoj se ne ende mund të bëjmë një ndryshim dhe ta vëmë atë nën kontroll me masa shumë të ashpra.

Por përsëri, a janë këto masa të qëndrueshme në terma afatgjatë? Duhet të presim që bizneset të rihapen dhe shkollat duhet të rinisin mësimin përsëri. Pavarësisht nëse është udhëtim, sport apo argëtim, ne do të duhet të kthehemi në njëfarë normaliteti. Por cilat janë masat efektive dhe të qëndrueshme? Kjo është një pyetje me të cilën ne si shoqëri duhet të merremi. Duhet të fitojmë kohë në mënyrë që gradualisht popullsia të ketë një shkallë imuniteti.

Jam shumë i sigurt se shkenca do të gjejë një zgjidhje. Por nuk do të duhen thjesht disa muaj siç sugjeron presidenti Tump. Do të jetë shumë më e gjatë se kaq. Unë do të thosha 18 muaj, ose 24 muaj. Unë mendoj se të gjithë ne kemi sfida të vështira përpara. / Përktheu: Gazmira Sokoli /

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy