
Kryetari i PD, Lulzim Basha, është takuar sot me banorët e Kamzës. Basha u shfaq në krah të kryebashkiakut Xhelal Mziu dhe u kërkoi banorëve të Kamzës t’i bashkohen protestës së opozitës, më 16 shkurt.
Sipas kreut të PD-së, vendi ndodhet në një situatë të vështirë dhe opozita ka ezauruar çdo mjet politik për ta zgjidhur atë.
“Politikisht kemi shteruar çdo mjet për zgjidhje. Ta zgjidhim siç e zgjidh çdo popull europian. Kemi ardhur t’ju kërkojmë ndihmë, sepse zgjidhja tani nuk është më në duart e një partie politike apo të një aleance opozitare, zgjidhja është në duart e qytetarëve shqiptarë. Ne, Partia Demokratike, kemi dalë përballë betejave, duke pasur mbështetjen e qytetarëve edhe të të majtëve, për dekriminalizimin, për ndarjen e politikës nga krimi, për platformën tonë antimafia, për oligarkinë. Që t’jua marrim lekët kudo që t’i kenë, t’ua marrim paratë që ua kanë marrë shqiptarëve dhe t’ua kthejmë shqiptarëve. Ju e keni parë që të gjitha këto beteja politike kanë ndeshur në murin e mohimit nga Edi Rama dhe nga banda me të cilën sundon shqiptarët. Shqipëria sot nuk qeveriset por sundohet nga një bandë. Ne politikisht kemi shteruar çdo mjet për ta zgjidhur këtë. Prandaj sot kemi ardhur t’ju kërkojmë ndihmë. Ta zgjidhim siç e zgjidh çdo popull europian. Kemi ardhur t’ju kërkojmë ndihmë, sepse zgjidhja tani nuk është më në duart e një partie politike apo të një aleance opozitare, zgjidhja është në duart e qytetarëve shqiptarë. Ju ftoj që me zgjidhjen në mendjen dhe shpirtin tuaj të vini e të marshoni më 16 shkurt në Tiranë”, tha ai.



