
Presidenti amerikan Donald Trump ka anuluar një vizitë në Britaninë e Madhe e planifikuar për muajin shkurt ku do të inaguronte ambasadën e re të SHBA-së në Londër, shkruan BBC.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk ishte një ‘adhurues i madh’ i ambasadës së re që u zhvendos nga Mayfair në jug të Londrës, me një kosto mbi 1 miliarë dollarëve.
Lajmin e konfirmoi vetë Trump përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, duke përmendur vendodhjen dhe koston e ambasadës së re si arsye për anulimin e vizitës.
Ai ka fajësuar administratën e Barack Obamës si një “marrëveshje të keqe”, por fakti është se ky vndim është marrë nga administrata e George W. Bush.
“Arsyeja që anulova udhëtimin tim në Londër është se nuk jam adhurues i madh i administratës Obama që ka shitur ndoshta ambasadën më të bukur dhe të pozicionuar më mirë në Londër për ‘kikirikë’, vetëm për të ndërtuar një ambasadë të re në një vend tjetër për 1.2 miliard dollarë. Marrëveshje e keqe. Donin që të prisja shiritin por JO!” shkruhet të postimin e Trump.

Zyra e Kryeministres britanike refuzoi të komentonte për anulimin e vizitës së presidentit Trump por mediat britanike raportojnë se 10 Downing Street ishte në dijeni se vizita ishte anuluar.
Presidenti amerikan Trump pranoi ftesën e Mbretëreshës për një vizitë zyrtare shtetërore në Britani gjatë një takimi me Kryeministren Theresa May vitin e kaluar.
Zhvillimet e fundit vijnë pas raportimeve se Trump mund të shtynte vizitën nga shqetësimi se mund të përballej me protesta masive në kryeqytetin britanik. Ceremonia e inagurimit të selisë së re diplomatike në Londër mund të kryesohet nga Sekretari Amerikan i Shtetit Rex Tillerson.
Megjithatë, BBC raporton se Downing Street është duke shqyrtuar mundësinë e vizitës më vonë gjatë vitit.



