Gjergj Ndërshtiqaj, 30-vjeçari në foton e mësipërme, dyshohet se ishte objektiv i atentatit të ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Grudë e Re në Shkodër. ai mësohet se është student në Akademinë e Sigurisë, që prej vitit 2020.
Në rrethana ende të paqarta, ai u qëllua me armë dhe mbeti i plagosur së bashku me kunatin, Gjon Nikën. Të dy ndodhen në spital. Drejt vendit të ngjarjes janë nisur drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë si dhe disa grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe të RENEA-s e specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.
Gjergj Ndërshtiqaj që mbeti i plagosur në atentatin e ndodhur në Grudë të Re në Shkodër është vëllai Marjan Ndershtiqajt drejtor rajonal i Drejtorisë Rajonale të Sherbimeve të Transportit Rrugor në Shkodër. Gjithashtu, më herët ka shërbyer si polic zone dhe ishte futu në Akademinë e Sigurisë për të marrë gradën Oficer.
Ndërkohë, burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se atentati ndaj të riut është bërë momentin kur ai ndodhej në makinë me dy persona të tjerë. Ndërshtiqaj bashkë me kunatin e tij kanë mbetur të plagosur, ndërsa personi tjetër që ndodhej në makinë ka mundur t’u shpëtojë plumbave.
Ndërsa, mendohet se janë dy autorë që kanë qëlluar me armë zjarri automatik kallashnikov një sasi të konsiderueshme plumbash dhe janë larguar në drejtim të paditur. Ngjarja ka ndodhur afër një lokali i cili ka kamera sigurie dhe policia po bën kqyrjen e tyre për identifikimin e autorëve. Autorët kanë djegur automjetin në një vend tjetër, jo shumë larg nga vendngjarja.
Sakaq, në Shkodër mbërriti drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamed Rrumbullaku.



