Shtatë sportistë modelistë janë vlerësuar sot nga qeveria me gradën e lartë kolonel i Forcave të Armatosura. Ndonëse ata nuk do të shërbejnë në ushtri, gradimi i tyre është honorifik dhe do të përfitojnë pagë deri në daljen e tyre në pension.
Luiza Gega, atletja kampione, njëra ndër përfitueset e kësaj grade, tha për MCN tv se ky është vlerësimi më i madh që u është bërë këtyre sportistëve.
Sipas kolonel Gegës, përtej gradës, me këtë hiqet dilema se çfarë do të bëjnë sportistët elitarë pas përfundimit të karrierës së tyre si sportist, duke pasur kësisoj një pagë deri në pensionimin e tyre.
Është emocion edhe kur e shikoj vetëm me këtë uniformë.
Sigurisht që kjo është një gradë jo e mirëfilltë por një gradë honorifike që i është bërë disa sportistëve që kanë arritur disa medalje të caktuara dhe si medaliste e parë e Evropës përfitoj gradën e kolonelit.
Është një emocion më i madh, në fakt është vlerësim më i madh që na është bërë ndonjëherë sepse kjo nuk ka të bëj vetëm me një vlerësim momenti, por ka të bëj edhe pas karrierës tonë si sportistë, ky trajtim do të vazhdoj, pra kjo pagë koloneli do të vazhdojë gjer në momentin që do të dalim në pension edhe kjo është një arritje shumë e madhe për ne, sepse e kemi pasur gjithmonë këtë shqetësimin e madh se si do të jetë jeta jonë pas sportit, duke qenë që gjithë jetë tonë ja kemi dedikuar sportit përkatës dhe do ishte e vështirë të ja nisim nga zero.
Kështu që është përtej gradës, është qetësim psikologjik që do të kemi pas karrierës sonë si sportist.



