
Dita e fëmijëve u vendos në datën 1 qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në 1925. Dy vite më pas festa e 1 qershorit filloi të festohet në të gjithë botën.
Në Shqipëri, por edhe në të gjithë vendet e botës, sot fëmijët kanë ditën e tyre të festës. Nuk mungojnë sot edhe aktivitetet e larmishme për ta bërë këtë ditë sa më të bukur për të vegjlit.
Presidenti i vendit, Ilir Meta u ka uruar Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, vogëlushëve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, ndërsa apelon që të punojmë të gjithë bashkë për të ardhmen e tyre në një Shqipëri të vërtetë europiane.
Presidenti Meta priti sot paradite në Intitucionin e Kreut të Shtetit, vogëlushë dhe vogëlushe me rezultate të shkëlqyera në mësime nga shkolla të ndryshme të Shqipërisë, me rastin e Festës së tyre, 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Presidenti i Republikës theksoi se: “Mbështetur në ëndrrat shumëngjyrëshe të fëmijëve, çiltërsinë dhe dashurinë e tyre të pamatë, të punojmë të gjithë bashkë për të ardhmen e tyre në një Shqipëri të vërtetë europiane”



